Përpjekjet për lajmin e mirë në Selanik
Selaniku, i njohur edhe si Thesaloniku ose Salonika, është një qytet-port tërë gjallëri në verilindje të Greqisë. Ky qytet luajti rol të rëndësishëm në historinë e të krishterëve të shekullit të parë, sidomos në shërbimin e Pavlit që ishte apostulli i krishterë i kombeve.—VEPRAT 9:15; ROMAKËVE 11:13.
RRETH vitit 50 të e.s., Pavli dhe shoku i tij i udhëtimit, Sila, shkuan në Selanik. Ky ishte udhëtimi i dytë misionar i Pavlit dhe hera e parë që e çonin lajmin e mirë për Krishtin në atë zonë që sot quhet Evropë.
Kur mbërritën në Selanik, pa dyshim që e kishin ende të freskët në mendje rrahjen e burgosjen që përjetuan në Filipi, kryeqyteti i Maqedonisë. Në fakt, më vonë Pavli u tha selanikasve se, kur i kishte vizituar, e predikoi «lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh». (1 Selanikasve 2:1, 2) Atëherë, çfarë ndodhi në Selanik? Si shkoi shërbimi në këtë qytet? A ishte i frytshëm? Së pari, le t’i hedhim një sy këtij qyteti të lashtë.
Qytet me të kaluar të trazuar
Edhe vetë emri Thesalonik që vjen nga dy fjalë greke që kanë kuptimin «tesalianë» dhe «fitore», nënkupton përpjekje dhe luftë. Në përgjithësi besohet se në vitin 352 p.e.s., mbreti maqedonas Filipi II, babai i Aleksandrit të Madh, mundi një fis të Greqisë Qendrore në Tesali. Thuhet se, në kujtim të asaj fitoreje, ai e quajti Thesalonika njërën prej bijave që më vonë u martua me Kasandrin, një pasues i vëllait të saj, Aleksandrit. Rreth vitit 315 p.e.s., Kasandri ndërtoi një qytet në pjesën perëndimore të Gadishullit Kalkidik dhe i vuri emrin e gruas. Selaniku ka pasur vazhdimisht konflikte gjatë gjithë historisë së tij të trazuar.
Selaniku ishte edhe qytet i begatë. Në të ndodhej një nga portet më të mira natyrore të detit Egje. Në kohët romake, në të kalonte edhe rruga e famshme Egnatia. Falë pozicionit strategjik në det dhe rrugëve tokësore, Selaniku ishte një nga portat tregtare të Perandorisë Romake. Qyteti ishte i begatë, prandaj gjatë epokave lakmohej nga gotët, sllavët, frankët, venedikasit dhe turqit. Disa nga këta e pushtuan vendin me forcë e gjakderdhje. Por tani le të përqendrohemi te vizita e Pavlit, kur filluan përpjekjet për lajmin e mirë.
Pavli arrin në Selanik
Kur shkonte në një qytet të ri, zakonisht Pavli u predikonte në fillim judenjve, sepse i njihnin Shkrimet. Kështu mund t’i përdorte Shkrimet në diskutimet e tij dhe t’i ndihmonte të kuptonin lajmin e mirë. Sipas një studiuesi, ndoshta ky zakon tregonte për merakun e Pavlit ndaj bashkëkombësve ose për përpjekjet që t’i përdorte judenjtë dhe ata që i frikësoheshin Perëndisë si pikënisje për veprën e tij mes jojudenjve.—Veprat 17:2-4.
Kështu, kur filloi shërbimin në Selanik, Pavli së pari hyri në sinagogë ku «arsyetoi me [judenjtë] nga Shkrimet, duke shpjeguar e provuar me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit. Ai u thoshte: ‘Ky është Krishti, Jezui, të cilin unë po jua shpall.’»—Veprat 17:2, 3, 10.
Ato që theksonte Pavli, roli dhe identiteti i Mesisë, ishin çështje që ngjallnin debat. Koncepti i një Mesie të vuajtur ishte kundër idealit të judenjve për një Mesi luftëtar e pushtues. Që t’i bindte judenjtë, Pavli «arsyetoi», ‘shpjegoi’ dhe ‘provoi me pjesë nga shkrimet’, duke shfaqur tipare të një mësuesi të efektshëm.a Por, si reagoi auditori i Pavlit ndërsa ai mësonte këto gjëra të mrekullueshme?
Shërbim i frytshëm, por i vështirë
Mesazhin e Pavlit e pranuan disa judenj, shumë prozelitë grekë, si dhe «mjaft gra me emër». Shprehja «gra me emër» është më se e përshtatshme, sepse në Maqedoni femrat kishin status të lartë shoqëror. Ato kishin poste zyrtare, zotërime, disa të drejta qytetarie dhe merreshin me tregti. Madje në nder të tyre ngriheshin edhe monumente. Ashtu si e kishte pranuar lajmin e mirë Lidia, tregtare nga Filipia, vihet re një reagim shumë i mirë edhe nga gratë selanikase të rangut të lartë, ka të ngjarë zonja nga familje të mira ose bashkëshorte të qytetarëve me emër.—Veprat 16:14, 15; 17:4.
Megjithatë judenjtë u mbushën gjithë mllef. Ata morën me vete «burra të poshtër që bridhnin pazarit, mblodhën një turmë dhe shkaktuan një trazirë në qytet». (Veprat 17:5) Ç’lloj njerëzish ishin këta? Një studiues biblik i përshkroi si «të degjeneruar dhe të pavlerë». Ai shtoi: «Nuk duket se kishin ndonjë interes të veçantë për mesazhin e Pavlit, por, ashtu si turma të tjera, merrnin zjarr shpejt dhe nxitnin çdo lloj dhune.»
Kjo turmë e përzier ‘sulmoi shtëpinë e Jasonit [ku ishte strehuar Pavli dhe Sila] dhe i kërkoi ata, që t’i nxirrte para turmës’. Kur s’e gjetën Pavlin, u kthyen tek administrata më e lartë e qytetit. Kështu «çuan zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër te krerët e qytetit, duke thërritur: ‘Këta njerëz që kanë kthyer përmbys tokën e banuar, kanë ardhur edhe këtu.’»—Veprat 17:5, 6.
Si kryeqytet i Maqedonisë, Selaniku kishte njëfarë autonomie. Pjesë e vetëqeverisjes së tij ishte një asamble e popullit ose këshilli i qytetarëve që shqyrtonte publikisht çështjet vendëse. «Krerët e qytetit» ose politarkëtb, ishin zyrtarë të lartë që kishin për detyrë të mbanin rregullin dhe të shtendosnin situatat që mund të çonin në ndërhyrjen e Romës dhe në humbjen e privilegjeve të qytetit. Prandaj ata shqetësoheshin kur dëgjonin se këta «shkaktarë trazirash» kërcënonin qetësinë publike.
Më pas i akuzuan më rëndë: «Këta veprojnë kundër dekreteve të Cezarit e thonë se ka një mbret tjetër, Jezui.» (Veprat 17:7) Sipas një vepre komentuese, kjo nënkuptonte «kryengritje dhe rebelim» kundër perandorëve, të cilët «nuk lejonin të përmendej emri i ndonjë mbreti [tjetër] në asnjë nga provincat e pushtuara, përveçse me lejen e tyre». Gjithashtu, ngaqë autoritetet romake e kishin ekzekutuar pikërisht për kryengritje Jezuin që Pavli e shpallte si Mbret, kjo bënte që akuza të tingëllonte edhe më e vërtetë.—Luka 23:2.
Krerët e qytetit ishin të acaruar. Por ngaqë s’kishte prova të forta dhe të akuzuarit nuk po gjendeshin, «pasi Jasoni dhe të tjerët u dhanë më parë një garanci të mjaftueshme, i lanë të iknin». (Veprat 17:8, 9) Kjo masë mund të nënkuptojë një lloj garancie me anë të së cilës Jasoni dhe të krishterë të tjerë garantonin se Pavli do të largohej nga qyteti dhe nuk do të kthehej e të shkaktonte më trazira. Ndoshta Pavli e kishte fjalën për këtë ngjarje kur tha se «Satanai [ia] preu rrugën» dhe e pengoi të kthehej në qytet.—1 Selanikasve 2:18.
Duke pasur parasysh këto rrethana, me të rënë nata, Pavlin dhe Silën i nisën për në Bere. Edhe atje shërbimi i Pavlit doli i frytshëm, por kjo gjë i tërboi kaq shumë kundërshtarët judenj në Selanik, sa udhëtuan 80 kilometra deri në Bere që t’i nxitnin turmat të vepronin e t’u frynin flakëve të kundërshtimit. Shpejt Pavli u nis sërish për udhë, kësaj radhe drejt Athinës, por përpjekjet për lajmin e mirë do të vazhdonin.—Veprat 17:10-14.
Përpjekjet e një kongregacioni të ri
Diçka e bukur ishte se në Selanik u formua një kongregacion dhe kundërshtimi nuk ishte e vetmja sfidë me të cilën përballeshin të krishterët atje. Ata jetonin në një ambient pagan e imoral, dhe kjo e shqetësonte Pavlin. Si do t’ia dilnin vëllezërit e tij?—1 Selanikasve 2:17; 3:1, 2, 5.
Të krishterët në Selanik e dinin se, po të mos merrnin më pjesë në veprimtaritë shoqërore e fetare të qytetit, do t’u duhej të përballeshin me zemërimin dhe inatin e miqve të mëparshëm. (Gjoni 17:14) Përveç kësaj, Selaniku ishte plot me shenjtërore të hyjnive greke të tilla, si: Zeusi, Artemisa, Apoloni dhe të disa perëndive egjiptiane. Edhe kulti i perandorit ishte shumë i rëndësishëm dhe të gjithë qytetarëve u kërkohej të ndiqnin ritet e tij. Nëse dikush nuk merrte pjesë në to, shihej si rebel kundër Romës.
Adhurimi i idhujve në përgjithësi nxiste një mënyrë jetese shumë imorale. Kabiri, një perëndi mbrojtës i Selanikut; Dionisi e Afërdita; si dhe Isida e Egjiptit, që të gjithë kishin këtë të përbashkët: në ceremonitë e adhurimit, një pjesë të mirë e zinin orgjitë seksuale dhe dehja. Mbajtja e shumë partnerëve seksualë dhe prostitucioni lulëzonin. Kurvëria nuk përbënte mëkat për njerëzit. Shoqëria e tyre ndikohej nga kultura romake për të cilën një burim thotë: «Në qytet kishte mjaft burra e gra puna e të cilëve ishte të plotësonin çdo dëshirë mishore që mund të kishin qytetarët—dhe mjekët këshillonin që këto dëshira të mos ndrydheshin.» Ja pse Pavli i këshilloi të krishterët atje që ‘të rrinin larg nga kurvëria’ dhe të shmangnin ‘urinë seksuale epshore’ e «ndyrësinë».—1 Selanikasve 4:3-8.
Një përpjekje fitimtare
Të krishterëve në Selanik u duhej të përpiqeshin fuqimisht për besimin. Por, pavarësisht nga kundërshtimi, vështirësitë dhe ambienti pagan e imoral, Pavli i lavdëroi për ‘veprën e tyre të besimit, mundin e tyre falë dashurisë dhe për qëndrueshmërinë’, si edhe për kontributin në përhapjen e lajmit të mirë anekënd.—1 Selanikasve 1:3, 8.
Në vitin 303 të e.s., në Perandorinë Romake shpërtheu përndjekja e egër kundër të krishterëve. Një nxitës kryesor i saj ishte Cezar Galeri që banonte në Selanik, i cili e kishte stolisur qytetin me ndërtesa madhështore. Rrënojat e disa ndërtesave janë ende më këmbë e i vizitojnë turistët.
Sot Dëshmitarët e Jehovait në Selanik u predikojnë të tjerëve, shpesh pikërisht përballë godinave që ndërtoi ai armik mizor i krishterimit. Edhe pse në shekullin e 20-të kishte periudha kur predikonin nën kundërshtimin e egër, tani në qytet ka rreth 60 kongregacione të zellshme me Dëshmitarë. Mundi i tyre tregon se përpjekja për të predikuar lajmin e mirë që filloi shekuj më parë, vazhdon dhe ka ende sukses.
[Shënimet]
a Pavli mund t’u jetë referuar shkrimeve që sot gjenden te Psalmi 22:7; 69:21; Isaia 50:6; 53:2-7; dhe Danieli 9:26.
b Ky term nuk gjendej në literaturën greke. Megjithatë, në zonën e Selanikut u zbuluan disa mbishkrime ku përmendet ky term. Këto mbishkrime datojnë që nga shekulli i parë p.e.s. dhe vërtetojnë tregimin e Veprave.
[Harta në faqen 18]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Rruga Egnatia
MAQEDONI
Filipi
Amfipoli
Selanik
Bere
TESALI
Deti Egje
ATHINË
[Figurat në faqet 20, 21]
Sipër: Selaniku sot;
Poshtë: ndërtesë me harqe dhe banjë romake në Agorë
[Figurat në faqen 21]
Ndërtesa e rrumbullakët afër Harkut të Galerit; reliev i Cezar Galerit; predikojnë afër Harkut të Galerit
[Burimet e figurave në faqen 18]
Koka në medaljon: © Bibliothèque nationale de France; mbishkrimi në gur: Thessalonica Archaeological Museum, copyright Hellenic Ministry of Culture and Tourism
[Burimi i figurës në faqen 20]
Dy figurat poshtë majtas: 16th Ephorate of Prehistoric and Classical Antiquities, copyright Hellenic Ministry of Culture and Tourism
[Burimi i figurës në faqen 21]
Figura në mes: Thessalonica Archaeological Museum, copyright Hellenic Ministry of Culture and Tourism