A e dini?
Çfarë ishte altari për ‘një Perëndi të panjohur’ që apostulli Pavël e hasi në Athinë?—Veprat 17:23.
▪ Disa shkrimtarë të lashtë grekë folën për këta altarë. Për shembull, Pauzania, historian dhe gjeograf i shekullit të dytë të e.s., tha se në Olimp kishte «një altar për perënditë e panjohura». Gjithashtu, oratori dhe filozofi Filostrat tha se në Athinë «altarët ngriheshin edhe për nder të perëndive të panjohura».
Diogjen Laerti, shkrimtar i shekullit të tretë të e.s., flet për një traditë që shpjegon origjinën e «altarëve të paemër». Historia e kësaj tradite, e cila i përket shekullit të gjashtë ose të shtatë p.e.s., tregon si njëfarë Epimenidi e shpëtoi Athinën nga një murtajë. Diogjeni shkruan: «Ai [Epimenidi] mori dele . . . dhe i çoi në Areopag. Më pas i la të lira dhe i udhëzoi ata që u shkonin pas, të vinin një shenjë atje ku delet uleshin dhe të ofronin një flijim për hyjninë vendëse. Mendohet se kjo i dha fund murtajës. Prandaj, edhe sot e kësaj dite, në pjesë të ndryshme të Atikës, mund të gjenden altarë të paemër.»
Sipas një fjalori biblik, një arsye tjetër e mundshme pse perëndive të panjohura u ngriheshin altarë ishte «frika se, po të mos nderonin disa perëndi ose perëndesha të panjohura, nuk do të merrnin bekimet e hyjnisë ose do t’i sillnin vetes zemërimin e tij a të saj».—The Anchor Bible Dictionary.
Pse judenjtë e shekullit të parë i përbuznin taksambledhësit?
▪ Taksambledhësit kurrë nuk janë pëlqyer. Në Izraelin e shekullit të parë ishin mes njerëzve më të përbuzur e më të korruptuar.
Autoritetet sunduese të Romës i kërkonin taksa të rënda popullit. Zyrtarët romakë mblidhnin haraç për tokë dhe për kokë, por punën e mbledhjes së taksave të importit, eksportit dhe të mallrave që kalonin në vend ua caktonin atyre që ofronin më shumë para. Kështu, tregtarët vendës blinin të drejtën që të mblidhnin taksa në zona të caktuara. Meqë ishin të gatshëm të punonin për romakët e urryer, individë të tillë nuk pëlqeheshin fare nga judenjtë e tjerë, të cilët i shihnin si «tradhtarë dhe apostatë, të ndotur nga shoqërimi i shpeshtë me paganët», siç thuhet në veprën Cyclopædia të autorëve Meklintok dhe Strong.
Taksambledhësve u kishte dalë nami si të pandershëm, si dhe pasuroheshin në kurriz të judenjve të tjerë. Disa ua rritnin vlerën mallrave që taksoheshin dhe përfitimin e futnin në xhep, ndërsa të tjerë përdornin paditë e rreme që t’u zhvatnin para të varfërve. (Luka 3:13; 19:8) Si pasojë, taksambledhësit i futnin në një kallëp me mëkatarët dhe, sipas një enciklopedie, «s’ishin të denjë të shërbenin si gjykatës, madje as si dëshmitarë» (The Jewish Encyclopedia).—Mateu 9:10, 11.
[Figura në faqen 18]
Altar një Perëndie të panjohur, rrënojat e Pergamit, Turqi
[Figura në faqen 18]
Reliev romak i një taksambledhësi, shekulli i 2-të ose i 3-të i e.s.
[Burimi]
Erich Lessing/Art Resource, NY