Përhap lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar
‘Jep dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.’—VEP. 20:24.
1, 2. Si e tregoi apostulli Pavël se ishte mirënjohës për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
APOSTULLI Pavël mund t’i thoshte me gjithë zemër këto fjalë: ‘Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë për mua nuk doli e kotë.’ (Lexo 1 Korintasve 15:9, 10.) Ai e dinte fare mirë se as e kishte fituar, as e kishte merituar mëshirën e madhe të Perëndisë, sepse kishte qenë përndjekës i të krishterëve.
2 Nga fundi i jetës, Pavli i shkroi bashkëpunëtorit të tij, Timoteut: «I jam mirënjohës Krishtit Jezu, Zotërisë tonë, që më dha fuqi, sepse më konsideroi të besueshëm dhe më caktoi një shërbim.» (1 Tim. 1:12-14) Ç’ishte ky shërbim? Pavli u tregoi pleqve të kongregacionit të Efesit se çfarë përfshinte ai, kur tha: «Nuk e quaj të shtrenjtë shpirtin tim, por dua veç të përfundoj vrapimin dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.»—Vep. 20:24.
3. Cili shërbim i veçantë iu caktua Pavlit? (Shih figurën hapëse.)
3 Cilin ‘lajm të mirë’ që nxirrte në pah dashamirësinë e pamerituar të Jehovait predikoi Pavli? Ai u tha të krishterëve në Efes: «Ju keni dëgjuar . . . për kujdestarinë e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, që m’u dha për ju.» (Efes. 3:1, 2) Pavlit i ishte ngarkuar detyra të përhapte lajmin e mirë mes jojudenjve, që edhe ata të ishin ndër të thirrurit për të qeverisur me Krishtin në Mbretërinë mesianike. (Lexo Efesianëve 3:5-8.) Me zellin që tregoi për të kryer shërbimin, Pavli la një shembull të shkëlqyer për të krishterët e sotëm dhe tregoi se Perëndia nuk i kishte shfaqur ‘më kot’ dashamirësi të pamerituar.
A TË MOTIVON DASHAMIRËSIA E PAMERITUAR E PERËNDISË?
4, 5. Pse mund të themi se ‘lajmi i mirë për Mbretërinë’ është edhe ‘lajmi i mirë i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’?
4 Në këto ditë të fundit, popullit të Jehovait i është ngarkuar detyra të predikojë ‘këtë lajm të mirë për Mbretërinë në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14) Mesazhi që përhapim është edhe ‘lajmi i mirë i dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’, sepse gjithë bekimet që shpresojmë të marrim nën Mbretërinë do t’i gëzojmë falë dashamirësisë së Jehovait të shprehur me anë të Krishtit. (Efes. 1:3) A e imitojmë personalisht mirënjohjen që tregoi Pavli për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait duke marrë pjesë me zell në shërbim?—Lexo Romakëve 1:14-16.
5 Në artikullin e kaluar, pamë si nxjerrim dobi në shumë mënyra ne si mëkatarë nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait. Ja pse kemi detyrimin ndaj gjithë njerëzve që të bëjmë çmos t’u tregojmë si po shpreh dashuri Jehovai dhe si të nxjerrin dobi personalisht prej saj. Cilat janë disa aspekte të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë që duhet t’i ndihmojmë të tjerët t’i kuptojnë e t’i çmojnë?
PËRHAP LAJMIN E MIRË PËR FLIJIMIN SHPËRBLYES
6, 7. Si përhapim lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë kur u shpjegojmë shpërblesën njerëzve?
6 Në këtë botë liberale, mëkati pothuaj nuk shihet më fare si diçka e turpshme. Prandaj, mjaft veta as që e kanë idenë se nevojitet një shpërblesë. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më tepër njerëz po vërejnë se një jetë liberale nuk sjell lumturi të vërtetë. Por shumë e kuptojnë vetëm pasi bisedojnë me Dëshmitarët e Jehovait se çfarë është mëkati, si ndikon te ne dhe ç’duhet të bëjmë që të çlirohemi nga skllavëria e tij. Sa lehtësohen njerëzit me zemër të sinqertë kur mësojnë se nga dashuria e madhe dhe dashamirësia e pamerituar, Jehovai dërgoi në tokë Birin e tij që të na shpengonte nga mëkati dhe nga pasoja e tij, vdekja.—1 Gjon. 4:9, 10.
7 Pavli tha për Birin e dashur të Jehovait: «Falë [Jezuit] ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të vet, po, faljen e shkeljeve tona, sipas pasurisë së dashamirësisë së pamerituar [të Jehovait].» (Efes. 1:7) Flijimi shpërblyes i Krishtit është prova më e madhe e dashurisë së Perëndisë për ne dhe ilustron sa e pasur është dashamirësia e Tij e pamerituar. Çfarë lehtësimi kur mësojmë se, po të tregojmë besim te gjaku që derdhi Jezui, mëkatet do të na falen dhe ndërgjegjja jonë do të pastrohet! (Hebr. 9:14) Vërtet një lajm i mirë që s’duhet ta mbajmë për vete!
NDIHMOJI NJERËZIT TË NDËRTOJNË NJË MIQËSI ME PERËNDINË
8. Pse kanë nevojë të pajtohen me Perëndinë njerëzit mëkatarë?
8 Ne kemi përgjegjësinë t’u tregojmë të tjerëve se mund të krijojnë një marrëdhënie miqësore me Krijuesin e tyre. Para se njerëzit të tregojnë besim te flijimi i Jezuit, në sytë e Perëndisë janë armiq të tij. Apostulli Gjon shkroi: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.» (Gjoni 3:36) Sa mirë që flijimi i Krishtit bën të mundur të pajtohemi me Perëndinë! Pavli tha: «Ju që dikur ishit armiq të Perëndisë dhe të ndarë nga ai, ngaqë e kishit mendjen për vepra të liga, ai ju pajtoi tani me veten me anë të trupit njerëzor [të Jezuit], nëpërmjet vdekjes së tij.»—Kolos. 1:21, 22.
9, 10. (a) Cilën përgjegjësi u dha Krishti vëllezërve të tij të mirosur? (b) Si i ndihmojnë ‘delet e tjera’ vëllezërit e mirosur?
9 Krishti u ka caktuar vëllezërve të tij të mirosur në tokë atë që Pavli e quan ‘shërbimi i pajtimit’. Ja si ua shpjegoi këtë Pavli të mirosurve të shekullit të parë: «Gjithçka është nga Perëndia, që na pajtoi me veten nëpërmjet Krishtit dhe na dha shërbimin e pajtimit, domethënë, se me anë të Krishtit, Perëndia po pajtonte botën me veten, duke mos ua llogaritur shkeljet, kurse neve na besoi fjalën e pajtimit. Prandaj, ne jemi ambasadorë në vend të Krishtit, sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh. Si zëvendësues të Krishtit, ne lutemi: ‘Pajtohuni me Perëndinë.’»—2 Kor. 5:18-20.
10 ‘Delet e tjera’ e quajnë privilegj t’i ndihmojnë vëllezërit e mirosur në këtë shërbim. (Gjoni 10:16) Teksa shërbejnë si «të dërguar» të Krishtit, ato po bëjnë pjesën më të madhe për t’u mësuar njerëzve të vërtetën dhe për t’i ndihmuar të zhvillojnë një marrëdhënie personale me Jehovain. Kjo është një pjesë e rëndësishme e veprës për të dhënë dëshmi të plotë rreth lajmit të mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.
JEPU LAJMIN E MIRË SE PERËNDIA I DËGJON LUTJET
11, 12. Pse është lajm i mirë për njerëzit të mësojnë se mund t’i luten Jehovait?
11 Shumë njerëz luten ngaqë kjo i bën të ndihen mirë, por nuk besojnë vërtet se Perëndia i dëgjon lutjet e tyre. Ata duhet të mësojnë se Jehovai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. Psalmisti David shkroi: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijë çdo njeri. Fajet kanë dalë më të fuqishme se unë. Shkeljet tona, ti do t’i mbulosh.»—Psal. 65:2, 3.
12 Jezui u tha dishepujve të tij: «Nëse kërkoni ndonjë gjë në emrin tim, unë do ta bëj.» (Gjoni 14:14) Kuptohet, «ndonjë gjë» përfshin ato gjëra që janë në harmoni me vullnetin e Jehovait. Gjoni na garanton: «Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjon. 5:14) Sa gjë e bukur është t’u mësojmë të tjerëve se lutja nuk është vetëm një patericë a lehtësim psikologjik, por një mjet i mrekullueshëm që t’i afrohemi «fronit të dashamirësisë së pamerituar» të Jehovait! (Hebr. 4:16) Kur i mësojmë t’i luten Personit të duhur, në mënyrën e duhur dhe për gjërat e duhura, i ndihmojmë t’i afrohen Jehovait dhe të marrin zemër në kohë vuajtjesh.—Psal. 4:1; 145:18.
DASHAMIRËSIA E PAMERITUAR NË SISTEMIN E RI
13, 14. (a) Cilat privilegje fantastike do të kenë të mirosurit në të ardhmen? (b) Çfarë pune të mrekullueshme do të kryejnë të mirosurit për njerëzimin?
13 Dashamirësia e pamerituar e Jehovait do të vazhdojë edhe pasi të marrë fund ky sistem i lig. Ja çfarë shkroi Pavli për privilegjin e jashtëzakonshëm që u ka dhënë Perëndia 144.000-ve, të cilët janë thirrur të qeverisin me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore: «Perëndia që është i pasur në mëshirë, në saje të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, na dha jetë së bashku me Krishtin, edhe kur ne ishim të vdekur për shkak të shkeljeve tona—nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar keni shpëtuar—e na ngriti së bashku dhe na uli së bashku në vendet qiellore në unitet me Krishtin Jezu, që, në sistemin që po vjen, të shfaqet pasuria tejet e madhe e dashamirësisë së tij të pamerituar me anë të hirit të tij për ne, që jemi në unitet me Krishtin Jezu.»—Efes. 2:4-7.
14 Është e vështirë ta përfytyrojmë çfarë gjërash të mahnitshme ka ruajtur Jehovai për të mirosurit kur të ulen në frone për të qeverisur me Krishtin në qiell. (Luka 22:28-30; Filip. 3:20, 21; 1 Gjon. 3:2) Ndaj tyre në veçanti, Jehovai ‘do të shfaqë pasurinë tejet të madhe të dashamirësisë së tij të pamerituar’. Ata do të përbëjnë «Jerusalemin e Ri», nusen e Krishtit. (Zbul. 3:12; 17:14; 21:2, 9, 10) Bashkë me Jezuin, do të marrin pjesë në «shërimin e kombeve». Ata do t’i udhëheqin njerëzit e bindur drejt mjetit për t’u çliruar nga barra e mëkatit dhe e vdekjes e do t’i ndihmojnë të arrijnë përsosmërinë.—Lexo Zbulesën 22:1, 2, 17.
15, 16. Si do t’u tregojë Jehovai dashamirësi të pamerituar ‘deleve të tjera’ në të ardhmen?
15 Tek Efesianëve 2:7 thuhet se Perëndia do të shfaqë dashamirësi të pamerituar «në sistemin që po vjen». Pa dyshim, sistemi i ri i Jehovait në tokë do të përjetojë ‘pasurinë tejet të madhe të dashamirësisë së tij të pamerituar’. (Luka 18:29, 30) Një nga shfaqjet më madhështore të dashamirësisë së mrekullueshme të Jehovait në tokë do të jetë ringjallja e njerëzve. (Jobi 14:13-15; Gjoni 5:28, 29) Besnikët e lashtësisë që vdiqën para vdekjes flijuese të Krishtit, si edhe të gjitha ato «dele të tjera» që vdesin besnike gjatë ditëve të fundit, do të kthehen në jetë që të vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait.
16 Do të ringjallen edhe miliona njerëz që vdiqën pa e njohur Perëndinë. Atyre do t’u jepet mundësia që t’i nënshtrohen sovranitetit të Jehovait. Gjoni shkroi: «Pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin para fronit, dhe u hapën rrotullat. Por u hap edhe një rrotull tjetër; ajo është rrotulla e jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas gjërave të shkruara në rrotulla, në përputhje me veprat e tyre. Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi [ose Varri] i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta, dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.» (Zbul. 20:12, 13) Natyrisht, nga të ringjallurit do të kërkohet të mësojnë si t’i zbatojnë parimet hyjnore që gjenden në Bibël. Veç kësaj, duhet të ndjekin udhëzimet e reja dobiprurëse që do të zbulohen në «rrotulla», ku do të parashtrohen kërkesat e Jehovait për të jetuar në sistemin e ri. Zbulimi i përmbajtjes së këtyre rrotullave do të jetë një shfaqje tjetër e dashamirësisë së pamerituar të Jehovait.
VAZHDO TË PËRHAPËSH LAJMIN E MIRË
17. Ç’duhet të mbajmë në mend ndërsa kryejmë veprën e predikimit?
17 Ndërsa afrohet fundi, misioni ynë është më shumë se kurrë predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë. (Mar. 13:10) Pa diskutim që lajmi i mirë nxjerr në pah dashamirësinë e pamerituar të Jehovait. Duhet ta mbajmë në mend këtë ndërsa kryejmë veprën e predikimit. Synimi ynë kur predikojmë, është të nderojmë Jehovain. Këtë mund ta bëjmë duke u treguar njerëzve se të gjitha premtimet që presim në botën e re janë shprehje të dashamirësisë së mrekullueshme të Jehovait.
18, 19. Si e lartësojmë dashamirësinë e pamerituar të Jehovait?
18 Teksa u japim dëshmi të tjerëve, mund t’u shpjegojmë se kur të qeverisë Mbretëria e Krishtit, njerëzimi do të nxjerrë dobi plotësisht nga flijimi shpërblyes dhe dalëngadalë do të arrijë përsosmërinë. Bibla thotë: «Krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Rom. 8:21) Kjo do të bëhet e mundur vetëm falë dashamirësisë së jashtëzakonshme të Jehovait.
19 Tërë atyre që duan të dëgjojnë, kemi privilegjin t’u tregojmë këtë premtim drithërues që gjendet te Zbulesa 21:4, 5: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» Jehovai, ai që është në fron, thotë: «Ja, po bëj çdo gjë të re.» Gjithashtu, thotë: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» Kur ua predikojmë me zell të tjerëve këtë lajm të mirë, e lartësojmë vërtet dashamirësinë e pamerituar të Jehovait.