U liruat falë dashamirësisë së pamerituar
«Mëkati të mos jetë zot mbi ju, përderisa . . . jeni . . . nën dashamirësinë e pamerituar.»—ROM. 6:14.
1, 2. Pse Romakëve 5:12 është një varg i rëndësishëm për Dëshmitarët e Jehovait?
PËRFYTYRO sikur po bën një listë me vargjet biblike që Dëshmitarët e Jehovait i njohin mirë dhe i përdorin shpesh. A do të zinte Romakëve 5:12 një nga vendet e para në këtë listë? Mendo pak sa shpesh i je referuar këtij pohimi: «Ja përse, ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»
2 Ky varg përdoret dendur në librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Teksa studion këtë libër me fëmijët e tu a me të tjerë, ka shumë të ngjarë që lexoni Romakëve 5:12 kur diskutoni rreth qëllimit të Perëndisë për tokën, rreth shpërblesës dhe rreth gjendjes së të vdekurve në kapitujt 3, 5 dhe 6. Por, sa shpesh mendon për Romakëve 5:12 kur është fjala se si je ti vetë në sytë e Jehovait, si vepron dhe çfarë e ardhme të pret?
3. Me cilin fakt na duhet të përballemi?
3 S’diskutohet, të gjithëve na duhet të përballemi me realitetin që jemi mëkatarë. Ne bëjmë gabime çdo ditë. Sidoqoftë, Perëndia na siguron se nuk harron që jemi bërë nga pluhuri dhe është i gatshëm të na tregojë mëshirë. (Psal. 103:13, 14) Jezui përfshiu në lutjen model këtë kërkesë drejtuar Perëndisë: «Na i fal mëkatet tona.» (Luka 11:2-4) Prandaj, nuk ka asnjë arsye t’i stërmendojmë gabimet që Perëndia na i ka falur. Ama, mund të nxjerrim dobi po të bluajmë në mend si është e mundur të na falë Perëndia, siç edhe ka bërë në realitet.
FALJE NËPËRMJET DASHAMIRËSISË SË PAMERITUAR
4, 5. (a) Ç’gjë hedh dritë mbi kuptimin e Romakëve 5:12? (b) Çfarë është «dashamirësia e pamerituar» që përmendet te Romakëve 3:24?
4 Në kapitujt që përbëjnë kontekstin e fjalëve të apostullit Pavël te Romakëve 5:12, e sidomos në kapitullin 6, gjejmë informacione të rëndësishme. Ato do të na ndihmojnë të kuptojmë si mund të na falë Jehovai. Në kapitullin 3 lexojmë: «Të gjithë kanë mëkatuar. . . . Fakti që ata po shpallen të drejtë falë dashamirësisë së tij të pamerituar, me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu, është një dhuratë falas.» (Rom. 3:23, 24) Ç’donte të thoshte Pavli me shprehjen «dashamirësi e pamerituar»? Ai përdori një fjalë greke që, sipas një vepre referimi, ka kuptimin «një e mirë që bëhet falas, pa pretenduar ose pa pritur diçka në këmbim». Kjo e mirë nuk fitohet e nuk meritohet.
5 Studiuesi Xhon Parkhërst komentoi: «Kur përdoret për Perëndinë ose për Krishtin, kjo [fjalë greke] shumë shpesh i referohet në veçanti të mirës ose dashamirësisë së tyre falas e të pamerituar për të shpenguar dhe për të shpëtuar njeriun.» Pra, përkthimi «dashamirësi e pamerituar» në Përkthimin Bota e Re është me vend. Por, si e shfaqi Perëndia këtë dashamirësi të pamerituar? Dhe ç’lidhje ka ajo me shpresën tënde dhe me marrëdhënien që ke me Perëndinë? Le ta shohim.
6. Deri ku shtrihen dobitë që sjell dashamirësia e pamerituar e Perëndisë?
6 Ai ‘njeri i vetëm’ nëpërmjet të cilit ‘hynë në botë’ mëkati dhe vdekja ishte Adami. Kështu, ‘nga shkelja e një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja’. Pavli shtoi se ‘bollëku i dashamirësisë së pamerituar [të Perëndisë]’ u shfaq «nëpërmjet një njeriu të vetëm, Jezu Krishtit». (Rom. 5:12, 15, 17) E kjo dashamirësi e pamerituar i ka sjellë të mira mbarë njerëzimit. «Nëpërmjet bindjes së një të vetmi [Jezuit], shumë do të bëhen të drejtë.» Në të vërtetë, dashamirësia e pamerituar e Perëndisë mund të na çojë drejt ‘jetës së përhershme nëpërmjet Jezu Krishtit’.—Rom. 5:19, 21.
7. Pse ishte edhe dashamirëse, edhe e pamerituar që Perëndia siguroi shpërblesën?
7 Jehovai nuk ishte i detyruar të dërgonte në tokë Birin e tij për të siguruar shpërblesën. Veç kësaj, njerëzit e papërsosur e mëkatarë nuk e meritonin atë që bënë Perëndia dhe Jezui për të siguruar shpërblesën e cila hapi rrugën që të falen mëkatet. Fakti që Perëndia na fal dhe na jep perspektivën të jetojmë përgjithmonë është vërtet një dashamirësi që nuk e meritojmë. Duhet ta çmojmë thellë dhuratën e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë dhe të lejojmë që të ndikojë çdo ditë në jetën tonë.
MIRËNJOHJE PËR DASHAMIRËSINË E PAMERITUAR TË PERËNDISË
8. Cilën pikëpamje të gabuar mund të kenë disa për mëkatet e tyre?
8 Meqë jemi pasardhës të papërsosur të Adamit, kemi prirjen të gabojmë, të bëjmë atë që është e keqe, të mëkatojmë. Sidoqoftë, do të ishte gabim i rëndë të abuzonim me dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, si për shembull duke menduar: «Edhe sikur të bëj ndonjë gjë të gabuar—diçka që në sytë e Perëndisë është mëkat—s’ka pse të shqetësohem. Jehovai do të më falë.» Mjerisht, kështu mendonin disa të krishterë, madje që në kohën kur ishin akoma gjallë disa apostuj. (Lexo Judën 4.) Ndoshta ne vetë s’do ta shprehnim kurrë një mendim të tillë; ama farat e kësaj pikëpamjeje të gabuar mund të jenë brenda nesh ose mund të mbillen e të fillojnë të rriten.
9, 10. Si u liruan nga mëkati e vdekja Pavli dhe të tjerë?
9 Pavli theksoi se duhet ta flakim tej me forcë një pikëpamje si kjo: «Hajt se Perëndia kupton dhe do të mbyllë një sy para gabimeve që bëj.» Pse duhet ta hedhim poshtë? Sepse, siç shkruan Pavli, të krishterët ‘kanë vdekur për sa i përket mëkatit’. (Lexo Romakëve 6:1, 2.) Po si mund të thuhej se ata ‘kishin vdekur për sa i përket mëkatit’ ndërkohë që ishin akoma gjallë në tokë?
10 Perëndia e zbatoi vlerën e shpërblesës për Pavlin dhe për bashkëkohës të tij. Kështu, Jehovai ua fali mëkatet, i mirosi me frymë të shenjtë dhe i ftoi të ishin bij të tij frymorë. Ata kishin shpresën qiellore. Po të qëndronin besnikë, do të jetonin e do të qeverisnin me Krishtin në qiell. Megjithatë, Pavli mund të thoshte se ata ishin «të vdekur për mëkatin» që kur ishin ende gjallë dhe i shërbenin Perëndisë në tokë. Ai përdori shembullin e Jezuit, i cili vdiq si njeri dhe u ngrit si frymë e pavdekshme në qiell. Vdekja nuk ishte më zot mbi Jezuin. Po ashtu edhe të krishterët e mirosur mund ta llogaritnin veten «të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, nëpërmjet Krishtit Jezu». (Rom. 6:9, 11) Tani mënyra si jetonin ishte krejt ndryshe. Ata nuk i bindeshin më diktatit ose impulseve të dëshirave të tyre mëkatare. Kishin vdekur për atë lloj jete që bënin më parë.
11. Në ç’kuptim jemi «të vdekur për mëkatin» ne që shpresojmë të jetojmë përgjithmonë në Parajsë?
11 Ç’të themi për ne sot? Para se të bëheshim të krishterë, mëkatonim shpesh, ndoshta pa e kuptuar sa të gabuara ose të këqija ishin veprimet tona në sytë e Perëndisë. Ishim ‘skllevër të ndyrësisë dhe të paligjshmërisë’, pra ishim «skllevër të mëkatit». (Rom. 6:19, 20) Pastaj njohëm të vërtetën e Biblës, bëmë ndryshime në jetë, iu kushtuam Perëndisë dhe u pagëzuam. Që atëherë, dëshira jonë ka qenë ‘t’u bindemi nga zemra’ mësimeve dhe normave të Perëndisë. Kështu, ‘u liruam nga mëkati’ dhe ‘u bëmë skllevër të drejtësisë’. (Rom. 6:17, 18) Pra, mund të thuhet se edhe ne jemi «të vdekur për mëkatin».
12. Cilën zgjedhje duhet të bëjë secili nga ne?
12 Tani shqyrtoje veten nën dritën e këtyre fjalëve të Pavlit: «Mos lejoni që mëkati të vazhdojë të mbretërojë në trupin tuaj të vdekshëm, që t’u bindeni dëshirave të tij.» (Rom. 6:12) Është e mundur ‘ta lejojmë mëkatin të vazhdojë të mbretërojë’ nëse bëjmë çfarëdo gjëje që na nxit trupi ynë i papërsosur. Përderisa kemi mundësi ‘të lejojmë’ që mëkati të mbretërojë ose të mos e lejojmë këtë, lind pyetja: çfarë duam vërtet në zemër? Pyet veten: «A lejoj hera-herës që trupi ose mendja ime e papërsosur të më tërheqë në një drejtim të gabuar dhe pastaj ndjek atë drejtim? Apo jam i vdekur për mëkatin? A po jetoj për Perëndinë nëpërmjet Krishtit Jezu?» Në thelb, gjithë çështja është se sa e thellë është mirënjohja jonë për dashamirësinë e pamerituar që ka treguar Perëndia duke na falur.
NJË LUFTË QË MUND TA FITOSH
13. Cilat dëshmi na japin sigurinë se është e mundur ta hedhim tutje mëkatin?
13 Shërbëtorët e Jehovait i kanë hedhur tutje ‘frytet’ që jepnin para se ta njihnin Perëndinë, ta donin dhe t’i shërbenin. Jeta që bënin më parë mbase përfshinte ‘gjëra për të cilat tani u vjen turp’ dhe që do të meritonin vdekjen. (Rom. 6:21) Pastaj ata ndryshuan. Kështu ndodhi me shumë prej atyre që u shkroi Pavli në Korint. Disa kishin qenë idhujtarë, kurorëshkelës, homoseksualë, hajdutë, pijanecë e të tjera si këto. Megjithatë, ‘u lanë’ dhe ‘u shenjtëruan’. (1 Kor. 6:9-11) Ka shumë të ngjarë që kështu ndodhi edhe me disa në kongregacionin e Romës. Pavli u shkroi nën frymëzim: «As mos vazhdoni t’ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit si armë padrejtësie, por paraqitjani veten Perëndisë si të gjallë nga të vdekurit, dhe gjymtyrët tuaja Perëndisë, si armë drejtësie.» (Rom. 6:13) Pavli ishte i sigurt se ata mund të mbeteshin të pastër në sytë e Perëndisë e kështu të vazhdonin të nxirrnin dobi nga dashamirësia e Tij e pamerituar.
14, 15. Si tregojmë se jemi të vendosur ‘të bindemi nga zemra’?
14 Njësoj është edhe sot. Disa vëllezër e motra mund të kenë qenë dikur si ata në Korint. Por edhe këta ndryshuan. E braktisën të kaluarën e tyre mëkatare dhe ‘u lanë’. Çfarëdo ndryshimesh të kesh bërë ti vetë për t’i pëlqyer Perëndisë, si je në sytë e tij sot? Tani që mund të gëzosh dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë dhe faljen që sjell ajo, a je i vendosur ‘të mos ia paraqitësh më gjymtyrët e tua mëkatit’? Në vend të kësaj, a ‘do t’ia paraqitësh veten Perëndisë si të gjallë nga të vdekurit’?
15 Për ta bërë këtë, s’ka dyshim se nuk duhet të zgjedhim të praktikojmë mëkatet serioze që kishin kryer disa në Korint. Kjo është jetësore nëse duam të themi me plot gojën se e kemi pranuar dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë dhe se ‘mëkati nuk është zot mbi ne’. Por, a jemi të vendosur edhe ‘të bindemi nga zemra’ duke bërë çmos të shmangim ato mëkate që disa i shohin si më pak serioze?—Rom. 6:14, 17.
16. Nga e dimë se të jesh i krishterë përfshin më tepër se të heqësh dorë nga praktikimi i mëkateve serioze?
16 Të mendojmë për apostullin Pavël. Jemi të sigurt se ai nuk po kryente mëkatet e rënda që përmenden te 1 Korintasve 6:9-11. Sidoqoftë, ai pranoi haptas se akoma bënte mëkate. Pavli shkroi: «Unë jam mishor, i shitur që të jem skllav i mëkatit. Unë nuk e di ç’bëj. Sepse atë që dua, nuk e praktikoj, por atë që urrej, e bëj.» (Rom. 7:14, 15) Kjo tregon se kishte edhe gjëra të tjera që Pavli i konsideronte mëkate e po luftonte edhe kundër tyre. (Lexo Romakëve 7:21-23.) Le të imitojmë shembullin e tij ndërsa bëjmë çmos të jemi «të bindur nga zemra».
17. Pse dëshiron të jesh i ndershëm?
17 Të marrim për shembull çështjen e ndershmërisë. Për të krishterët është thelbësore të jenë të ndershëm. (Lexo Proverbat 14:5; Efesianëve 4:25.) Satanai është «ati i gënjeshtrës». Dimë edhe se Anania dhe gruaja e tij humbën jetën ngaqë gënjyen. Nuk duam të imitojmë shembuj të tillë—ne e shmangim gënjeshtrën. (Gjoni 8:44; Vep. 5:1-11) Por, a mbaron me kaq ndershmëria jonë? Në të vërtetë, ndershmëria jonë duhet të pasqyrojë mirënjohjen e thellë për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë.
18, 19. Në ç’kuptim ndershmëria përfshin më tepër se thjesht të mos themi gënjeshtra sheshit?
18 Të gënjesh do të thotë të thuash diçka jo të vërtetë. Megjithatë, Jehovai do që shërbëtorët e tij të bëjnë më tepër se thjesht të mos thonë gënjeshtra sheshit. Ai i nxiti izraelitët e lashtë: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.» Pastaj dha shembuj se si të ishin të shenjtë. Ndër të tjera, Perëndia u tha: «Mos vidhni, mos mashtroni dhe mos veproni pabesisht me shokun.» (Lev. 19:2, 11) Mjerisht, edhe dikush që përpiqet të mos thotë kurrë gënjeshtra sheshit mund t’i mashtrojë të tjerët, mund të veprojë pabesisht me ta.
19 Për shembull, një burrë i thotë shefit ose shokëve të punës se të nesërmen nuk mund të shkojë në punë a se duhet të largohet më shpejt ngaqë ka një vizitë «shëndetësore». Në fakt, kjo vizitë «shëndetësore» është thjesht një ndalesë e shkurtër sa për të blerë diçka në farmaci ose sa për të paguar një faturë te mjeku. Arsyeja e vërtetë e mungesës në punë është që të niset herët për një udhëtim ose që të çojë familjen në plazh. Ndoshta ka një thërrime të vërtete te fakti që përmendi vizitën «shëndetësore», por a mund të thuash se ishte i ndershëm? Apo në realitet po mashtronte? Mbase ti di raste të ngjashme kur është bërë një mashtrim me dashje. Ndoshta arsyeja është për t’i shpëtuar ndëshkimit ose për të përfituar në kurriz të të tjerëve. Edhe nëse nuk thuhet ndonjë gënjeshtër haptas, ç’të themi për urdhrin e Perëndisë: «Mos mashtroni.» Mendo edhe për Romakëve 6:19, që thotë: «Paraqitjani gjymtyrët tuaja si skllevër drejtësisë për shenjtëri.»
20, 21. Në ç’masë duhet të na nxitë dashamirësia e pamerituar e Perëndisë?
20 Çështja është: mirënjohja për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë përfshin më shumë sesa të shmangim kurorëshkeljen, dehjen ose mëkate të tjera që kishin kryer disa në Korint. Të pranojmë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë do të thotë jo vetëm të shmangim imoralitetin seksual, por edhe të luftojmë çdo prirje për t’u kënaqur me zbavitje të fëlliqura. Kur ia paraqitim gjymtyrët tona si skllevër drejtësisë, kjo jo vetëm na frenon të mos dehemi, por edhe na nxit të mos pimë deri në atë pikë sa të jemi gati të dehur. Mund të kërkohen goxha përpjekje që të luftojmë kundër këtyre praktikave të gabuara. Megjithatë, kjo është një luftë që mund ta fitojmë.
21 Synimi ynë duhet të jetë të shmangim qoftë mëkatet e rënda, qoftë ato që nuk janë aq flagrante. Vërtet, nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë në mënyrë të përsosur. Ama, duhet të mundohemi me të gjitha forcat për këtë, ashtu si Pavli. Ai i nxiti vëllezërit: «Mos lejoni që mëkati të vazhdojë të mbretërojë në trupin tuaj të vdekshëm, që t’u bindeni dëshirave të tij.» (Rom. 6:12; 7:18-20) Teksa luftojmë kundër mëkatit në të gjitha format e tij, tregojmë mirënjohje nga zemra për dashamirësinë e pamerituar që na ka shfaqur Perëndia nëpërmjet Krishtit.
22. Çfarë i pret ata që tregojnë mirënjohje për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
22 Me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, mëkatet tona janë falur dhe mund të vazhdojnë të falen. Plot mirënjohje, le të përpiqemi fort të mposhtim çdo prirje për t’u dorëzuar para mëkateve që të tjerët mund t’i shohin si të vockla. Pavli theksoi çfarë shpërblimi na pret pastaj. Ai tha: «Tani, ngaqë u liruat nga mëkati dhe u bëtë skllevër të Perëndisë, frytin tuaj e keni në udhën e shenjtërisë, dhe fundi është jeta e përhershme.»—Rom. 6:22.