Filipi: Një ungjilltar i zellshëm
SHKRIMET përmbajnë shumë tregime për burra e gra, besimi i të cilëve ia vlen të imitohet. Të marrim, për shembull, Filipin, një misionar të krishterë të shekullit të parë. Ai nuk ishte apostull, por megjithatë u përdor shumë në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë. Në fakt, Filipi u bë i njohur si ‘ungjilltari’. (Veprat 21:8) Pse iu dha ky emër Filipit? Veç kësaj, çfarë mund të mësojmë prej tij?
Filipin e hasim në dokumentacionin biblik menjëherë pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. Në atë kohë, judenjtë që flitnin greqisht filluan të murmuritnin kundër judenjve që flitnin hebraisht, duke pohuar se këta të fundit po i harronin të vejat e tyre në shpërndarjen e ushqimit të përditshëm. Për të zgjidhur çështjen, apostujt caktuan «shtatë burra me dëshmi të mirë». Mes atyre që u zgjodhën ishte edhe Filipi.—Veprat 6:1-6.
Këta shtatë burra kishin «dëshmi të mirë». Përkthimi i Xhejms Mofatit thotë se kishin «reputacion të mirë». Po, në kohën e caktimit të tyre, ata njiheshin tashmë si burra frymorë me aftësi praktike mendore. Ngjashëm është edhe me ata që shërbejnë si mbikëqyrës të krishterë sot. Këta burra nuk emërohen me ngut. (1. Timoteut 5:22) Ata duhet të kenë «dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit» dhe të bashkëkrishterët duhet ta dinë se ata janë të arsyeshëm dhe me mendje të shëndoshë.—1. Timoteut 3:2, 3, 7; Filipianëve 4:5.
Është e dukshme se Filipi e kryente mirë caktimin që kishte në Jerusalem. Megjithatë, shpejt mbi ithtarët e Krishtit ra vala e një persekutimi të egër, duke i shpërndarë ata. Si të tjerët, edhe Filipi u largua nga qyteti, por shërbimi i tij nuk kishte mbaruar. S’kaloi shumë kohë dhe ai ishte i zënë me predikimin në një territor të ri, në Samari.—Veprat 8:1-5.
Hap territore të reja
Jezui kishte parathënë se dishepujt e tij do të predikonin «në Jerusalem dhe në të gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut». (Veprat 1:8) Duke predikuar në Samari, Filipi po merrte pjesë në përmbushjen e këtyre fjalëve. Në përgjithësi, judenjtë i përçmonin samaritanët. Por Filipi nuk kishte paragjykime për këta njerëz dhe paanshmëria e tij u bekua. Në fakt, shumë samaritanë u pagëzuan, duke përfshirë edhe një ish-magjistar me emrin Simon.—Veprat 8:6-13.
Me kalimin e kohës, engjëlli i Jehovait e drejtoi Filipin që të shkonte në rrugën e shkretë që lidhte Jerusalemin me Gazën. Atje, Filipi dalloi një karrocë ku ishte një zyrtar etiopas, i cili po lexonte me zë profecinë e Isaisë. Filipi iu afrua karrocës dhe filloi një bisedë me atë person. Ndonëse etiopasi ishte prozelit me njëfarë njohurie për Perëndinë dhe për Shkrimet, ai e pranoi me përulësi se i duhej ndihmë për të kuptuar atë që po lexonte. Kështu, ai e ftoi Filipin që të hipte në karrocë dhe të ulej afër tij. Pasi etiopasi mori dëshmi, mbërritën në një vend me ujë. «Çfarë më pengon të pagëzohem?»—pyeti etiopasi. Filipi e pagëzoi menjëherë dhe etiopasi vazhdoi rrugën e tij i gëzuar. Ka të ngjarë që ky dishepull i ri ta ketë përhapur lajmin e mirë në vendin e tij.—Veprat 8:26-39.
Çfarë mund të mësojmë nga shërbimi i Filipit që përfshinte samaritanët dhe zyrtarin etiopas? Nuk duhet të mendojmë kurrë se individëve të njëfarë kombësie, race ose pozite shoqërore nuk do t’u interesojë lajmi i mirë. Përkundrazi, duhet t’ua shpallim mesazhin e Mbretërisë ‘njerëzve të çdo lloji’. (1. Korintasve 9:19-23) Nëse e vëmë veten në dispozicion duke u predikuar të gjithëve, Jehovai mund të na përdorë në veprën e ‘bërjes së dishepujve nga njerëzit e të gjitha kombeve’, para se të vijë përfundimi i këtij sistemi të lig gjërash.—Mateu 28:19, 20.
Privilegjet e mëtejshme të Filipit
Pasi i predikoi zyrtarit etiopas, Filipi dha dëshmi në Ashdod «dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare». (Veprat 8:40) Në shekullin e parë, këto dy qytete kishin kryesisht popullsi johebraike. Duke vazhduar rrugën në veri të Cezaresë, ka të ngjarë që Filipi të ketë predikuar në qendrat e njohura judaike, siç ishin Lidia dhe Jopa. Ndoshta kjo është arsyeja se përse më vonë në këto zona kishte dishepuj.—Veprat 9:32-43.
Filipi përmendet për herë të fundit rreth 20 vjet më vonë. Në fund të udhëtimit të tij të tretë misionar, Pavli zbarkoi në Ptolemaidë. «Të nesërmen,—thotë Luka, shoku i udhëtimit i Pavlit,—arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit.» Në këtë kohë, Filipi kishte «katër bija virgjëresha, që profetizonin».—Veprat 21:8, 9.
Me sa duket, Filipi ishte vendosur në Cezare. Por ai nuk e kishte humbur frymën e tij misionare, sepse Luka e quan ‘ungjilltar’. Kjo shprehje shpesh tregon një person që lë shtëpinë e tij për të predikuar lajmin e mirë në rajone të papunuara. Fakti që Filipi kishte katër bija, të cilat profetizonin, sugjeron se ato po ndiqnin gjurmët e babait të tyre të zellshëm.
Prindërit e krishterë të ditëve tona nuk duhet të harrojnë se fëmijët e tyre janë dishepujt më të rëndësishëm që mund të bëjnë. Edhe nëse këtyre prindërve u është dashur të heqin dorë nga disa privilegje teokratike për shkak të përgjegjësive familjare, ashtu si Filipi, ata mund të mbeten shërbëtorë me gjithë zemër të Perëndisë dhe prindër shembullorë.—Efesianëve 6:4.
Vizita e Pavlit dhe e shokëve të tij i dha familjes së Filipit një mundësi të shkëlqyer për të treguar mikpritjen. Imagjinoni shkëmbimin e inkurajimit mes tyre! Ndoshta ishte ky rasti kur Luka mblodhi hollësi për aktivitetet e Filipit, të cilat më vonë i përfshiu në kapitujt 6 dhe 8 të Veprave.
Perëndia Jehova e përdori shumë Filipin për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Zelli i dha mundësi Filipit që të përhapte lajmin e mirë në territore të reja dhe të ndërtonte një atmosferë të shëndetshme frymore në shtëpinë e tij. A do të të pëlqente të gëzoje privilegje dhe bekime të ngjashme? Atëherë, do të bëje mirë të imitoje cilësitë që shfaqi Filip ungjilltari.