Shpëtimi
Përkufizimi: Të çlirohesh ose të shpëtosh nga një rrezik a shkatërrim, që vjen nga dora e shtypësve ose përndjekësve. Për të gjithë të krishterët e vërtetë, Jehovai sjell çlirim nga sistemi i tanishëm i lig, si edhe shpëtim nga kthetrat e mëkatit dhe të vdekjes, me anë të Birit të tij. Për shumicën e madhe të shërbëtorëve besnikë të Jehovait që jetojnë gjatë «ditëve të fundit», shpëtimi do të përfshijë edhe kalimin e shtrëngimit të madh.
A do ta shpëtojë Perëndia gjithë njerëzimin me mëshirën e tij?
A tregon 2 Pjetrit 3:9 se do të shpëtojnë të gjithë? Në këtë varg thuhet: «Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.» (Dio) Me mëshirën e tij, Perëndia do që të gjithë pasardhësit e Adamit të pendohen dhe, me bujari, ai ka bërë të mundur faljen e mëkateve të atyre që pendohen vërtet. Megjithatë, ai nuk detyron askënd që ta pranojë me zor këtë masë që ka marrë. (Krahaso Ligjin e përtërirë 30:15-20.) Dhe, në fakt, shumë veta nuk e pranojnë. Ata i përngjajnë një njeriu që, ndonëse po mbytet, e shtyn kamerdaren që i hedh dikush që dëshiron ta ndihmojë. Megjithatë, duhet vërejtur se ata që nuk pendohen, nuk do të vuajnë përgjithmonë në ferrin e zjarrtë. Siç tregohet edhe në vargun që përmendëm më sipër, ata që nuk pendohen, do të «humbasin», ose e thënë ndryshe, do të shfarosen. Veç kësaj, vargu 7 (Dio) flet për ‘humbjen e njerëzve të pabesë’. Pra, në këtë varg nuk flitet aspak për shpëtimin e të gjithë njerëzve.—Shih edhe temën «Ferri».
A tregon 1 Korintasve 15:22 se, në fund, të gjithë njerëzit do të shpëtojnë? Në këtë varg thuhet: «Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.» (Dio) Siç tregohet edhe nga konteksti, këtu flitet për ringjalljen. Kush do të ringjallet? Të gjithë ata që humbën jetën për shkak të mëkatit të Adamit (shih vargun 21), por që nuk kanë mëkatuar me dashje, siç thuhet te Hebrenjve 10:26-29. Ashtu si Jezui u ngrit nga Hadesi (Vep. 2:31), edhe gjithë të tjerët që janë në Hades, «do të ngjallen». (Zbul. 1:18; 20:13) A do të shpëtojnë njëherë e përgjithmonë të gjithë të ringjallurit? Ata do ta kenë këtë mundësi, por jo të gjithë do t’ia dalin. Siç tregohet te Gjoni 5:28, 29, përfundimi i disave prej tyre, do të jetë ‘dënimi’.—Dio.
Si duhen kuptuar vargje të tilla si Titit 2:11, ku, sipas Dio thuhet se «hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve»? Fragmente të tjera, si Gjoni 12:32, Romakëve 5:18 dhe 1 Timoteut 2:3, 4, përçojnë të njëjtën ide në versionet Dio, DSF dhe në përkthimin e Kristoforidhit. Fjala greke që përkthehet «gjithë» në këto vargje, është forma e lakuar e fjalës greke pas. Një fjalor biblik shpjegon se fjala pas do të thotë edhe «çdo lloj ose shumëllojshmëri». (An Expository Dictionary of New Testament Words i U. E. Vajnit, Londër, 1962, vëll. I, f. 46) Prandaj, në vargjet e sipërpërmendura në vend të «gjithë» mund të përdoret shprehja «çdo lloj», e cila është përdorur edhe në BR. Cili term është i saktë: «gjithë» apo «çdo lloj»? Cili përkthim përputhet edhe me pjesën tjetër të Biblës? Po të shqyrtohen Veprat 10:34, 35, Zbulesa 7:9, 10 dhe 2 Selanikasve 1:9, del se shprehja e dytë është e saktë. (Shënim: Edhe përkthyes të tjerë e pranojnë këtë kuptim të fjalës greke, siç e tregon përkthimi që i kanë bërë Mateut 5:11—«çdo farë», Kris; «gjithfarë», ECM.)
A thuhet qartë në Shkrime se disa nuk do të shpëtojnë kurrë?
2 Sel. 1:9, Dio: «Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij.» (Kursivi është yni.)
Zbul. 21:8, Dio: «Kurse për frikacakët dhe të pabesët dhe të neveritshmit dhe vrasësit dhe kurvëruesit dhe magjistarët dhe idhujtarët dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.»
Mat. 7:13, 14, Dio: «Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!»
Nëse dikush shpëton, a shpëton përgjithmonë?
Jud. 5, Dio: «Dua t’ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan.» (Kursivi është yni.)
Mat. 24:13, Dio: «Ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.» (Shpëtimi përfundimtar i një individi nuk përcaktohet në çastin kur ai fillon të tregojë besim te Jezui.)
Filip. 2:12, Dio: «Ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje.» (Këto fjalë, Pavli ua drejtoi «shenjtorëve» ose të shenjtëve që ishin në Filipi, siç thuhet te Filipianëve 1:1. Ai i nxiti të mos ishin tepër të sigurt në vetvete, por të kuptonin se shpëtimi i tyre përfundimtar nuk ishte ende i sigurt.)
Hebr. 10:26, 27, Dio: «Në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.» (Pra, Bibla nuk e mbështet idenë se kur dikush «shpëton», ka shpëtuar përgjithmonë, pavarësisht nga mëkati që mund të bëjë. Ajo na nxit të mbetemi gjithnjë besnikë. Shih edhe Hebrenjve 6:4-6, ku tregohet se edhe një i mirosur me frymën e shenjtë mund ta humbasë shpresën e shpëtimit.)
A mjafton vetëm besimi për të shpëtuar?
Efes. 2:8, 9, Dio: «Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit [«dashamirësisë së pamerituar», BR], nëpërmjet besimit dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush.» (Të gjitha masat që ka marrë Jehovai për të na shpëtuar, janë shprehje e dashamirësisë së pamerituar të tij. Në asnjë mënyrë, një pasardhës i Adamit s’mund ta fitojë vetë shpëtimin, sado fisnike të jenë veprat e tij. Shpëtimi është një dhuratë e Perëndisë për ata që besojnë në vlerën mëkatshlyese të flijimit të Birit të tij.)
Hebr. 5:9, Dio: «[Jezui] u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden.» (Kursivi është yni.) (A bien ndesh këto fjalë me shprehjen se të krishterët «shpëtojnë përmes besimit»? Jo, aspak! Bindja tregon thjesht se besimi i tyre është i sinqertë.)
Jak. 2:14, 26, Dio: «Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.» (Shpëtimi nuk fitohet me vepra. Por, kur dikush beson vërtet, vepron në përputhje me besimin: u bindet urdhrave të Perëndisë dhe Krishtit, dhe e tregon me vepra besimin e dashurinë e tij. Pa këto vepra, besimi i tij është i vdekur.)
Vep. 16:30, 31, Dio: «‘Zotërinj, ç’duhet të bëj unë që të shpëtohem?’ Dhe ata [Pavli dhe Sila] i thanë: ‘Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote.’» (Nëse ky njeri dhe njerëzit e shtëpisë së tij besonin vërtet, a nuk do të vepronin në harmoni me atë që besonin? Patjetër që po.)
Nëse dikush thotë:
‘Unë jam i shpëtuar’
Mund të përgjigjesh: ‘Më vjen mirë që e thua këtë, se tregon që beson te Jezu Krishti. Unë po marr pjesë në një vepër që Jezui ua caktoi ithtarëve të tij, domethënë, po flas me njerëzit për ardhjen e Mbretërisë së tij. (Mat. 24:14)’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Çfarë është kjo Mbretëri? Ç’do të thotë për botën ardhja e saj? (Dan. 2:44)’ (2) ‘Çfarë kushtesh do të mbizotërojnë në tokë nën atë qeveri qiellore? (Psal. 37:11; Zbul. 21:3, 4)’
Ose mund të thuash: ‘Atëherë jeni dakord me fjalët e apostullit Pjetër te Veprat 4:12, apo jo? . . . A keni menduar ndonjëherë se kush e dha emrin e Jezuit, që ne të besonim në të?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Vetë Jezui na e thotë. (Gjoni 17:3)’ (2) ‘Vëreni që Jezui tha se ai e kishte bërë të njohur emrin e Atit. (Gjoni 17:6) Cili është emri i Tij? Çfarë ju sjell ndër mend? (Dal. 3:15; 34:5-7)’
‘A je i shpëtuar?’
Mund të përgjigjesh: ‘Deri tani, po. E them këtë, ngaqë e di se Bibla këshillon të mos kemi siguri të tepruar te vetja. A e njihni këtë varg? (1 Kor. 10:12)’ Pastaj mund të shtosh: ‘Pse na jepet kjo këshillë? Për ata që kishin lindur sërish dhe kishin shpresë të fitonin jetën qiellore (Hebr. 3:1), apostulli Pavël shkroi . . . (Hebr. 3:12-14) Mund ta forcojmë besimin, duke rritur njohurinë për Fjalën e Perëndisë.’
Ose mund të thuash: ‘Mund të të përgjigjesha kollaj: po. Por, a e dini se Bibla flet për më shumë se një shpëtim? Për shembull, a keni menduar ndonjëherë për domethënien e Zbulesës 7:9, 10, 14? . . . Pra, do të ketë të shpëtuar nga shtrëngimi i madh që po vjen, për të jetuar pikërisht këtu në tokë. (Mat. 5:5)’
‘A e pranon Jezuin si Shpëtimtarin tënd?’
Shih faqen 199, te tema «Jezu Krishti».
‘Ju thoni se do të shpëtojnë vetëm 144.000’
Mund të përgjigjesh: ‘Më vjen mirë që e prekët këtë argument, se mund t’ju tregoj se çfarë besojmë në të vërtetë. Shpëtimi u ofrohet të gjithë atyre që do të tregojnë besim të vërtetë te masat që ka marrë Perëndia përmes Jezuit. Por Bibla thotë se vetëm 144.000 veta do të shkojnë në qiell që të jenë me Krishtin. A e keni parë ndonjëherë të shkruar në Bibël? . . . Gjendet këtu te Zbulesa 14:1, 3.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Çfarë do të bëjnë ata në qiell? (Zbul. 20:6)’ (2) ‘Është e qartë se do të mbretërojnë mbi nënshtetasit në tokë. Sipas jush, cilët do të jenë ata? . . . (Mat. 5:5; 6:10)’