Kapitulli njëzet e gjashtë
«Jini përherë të gëzuar për atë që po krijoj!»
1. Cilat fjalë që na japin siguri shkroi apostulli Pjetër dhe cila pyetje ngrihet?
A DO të shohim ndonjëherë të marrin fund padrejtësitë dhe vuajtjet? Më shumë se 1.900 vjet më parë, apostulli Pjetër shkroi këto fjalë që na japin siguri: «Sipas premtimit të [Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Pjetri dhe shumë shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë gjatë shekujve, mezi e pritnin ditën e madhe kur paligjshmëria, shtypja dhe dhuna do të merrnin fund e drejtësia do të mbizotëronte. A mund të jemi të sigurt se ky premtim do të përmbushet?
2. Cili profet ka folur për «qiej të rinj e një tokë të re» dhe cilat përmbushje ka kjo profeci e lashtë?
2 Po. Kur foli për «qiej të rinj e një tokë të re», Pjetri nuk po paraqiste një ide të re. Rreth 800 vjet më parë, Jehovai pohoi diçka të ngjashme nëpërmjet profetit Isaia. Ai premtim i hershëm u përmbush në një shkallë të vogël në vitin 537 p.e.s., kur judenjtë u çliruan nga robëria babilonase, dhe kjo u dha mundësi të ktheheshin në vendin e tyre. Por profecia e Isaisë po përmbushet në një shkallë të madhe sot dhe ne mezi presim një përmbushje edhe më emocionuese në botën e re të Perëndisë, e cila po vjen me të shpejtë. Në të vërtetë, profecia e shpallur nga Isaia, e cila të ngroh zemrën, na jep një ide për bekimet që Perëndia ka ruajtur për ata që e duan.
Jehovai i përgjërohet «një populli kokëfortë»
3. Cilës pyetje i jepet përgjigje në kapitullin 65 të Isaisë?
3 Kujtoni që Isaia 63:15–64:12 përmban lutjen profetike të Isaisë për judenjtë e mërguar në Babiloni. Siç e tregojnë qartë fjalët e Isaisë, shumë judenj nuk po e adhurojnë Jehovain me gjithë shpirt, por disa janë penduar dhe janë kthyer tek ai. A do ta ripërtërijë tani Jehovai kombin për hir të kësaj mbetjeje të penduar? Përgjigjen e gjejmë në kapitullin 65 të Isaisë. Por para se të premtojë çlirimin për ata pak që janë besimplotë, Jehovai përshkruan gjykimin që pret shumë të tjerë pa besim.
4. (a) Në kontrast me popullin e tij rebel, kush do ta kërkojë Jehovain? (b) Si e zbatoi apostulli Pavël Isainë 65:1, 2?
4 Jehovai e ka duruar rebelimin e vazhdueshëm të popullit të tij. Megjithatë, do të vijë koha kur ai do ta braktisë atë në duart e armiqve dhe me dashamirësi do t’ua japë të tjerëve miratimin e tij. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai thotë: «Kam lejuar të më kërkojnë ata që nuk kishin pyetur për mua. Kam lejuar të më gjejnë ata që nuk më kishin kërkuar. I kam thënë ‘Ja ku jam, ja ku jam’ një kombi që nuk po thërriste emrin tim.» (Isaia 65:1) Sa gjë e trishtueshme është për popullin me të cilin Jehovai ka bërë një besëlidhje fakti që njerëzit e kombeve do të vijnë te Jehovai, kurse Juda kokëfortë, si një e tërë, nuk do të pranojë ta bëjë këtë! Isaia nuk është i vetmi profet që parathotë se në fund Perëndia do të zgjedhë një popull të panjohur më parë. (Hozea 1:10; 2:23) Apostulli Pavël citoi Isainë 65:1, 2 nga Septuaginta, për të vërtetuar se njerëzit e kombeve do të arrinin «drejtësinë që vjen nga besimi», edhe pse judenjtë nuk pranuan ta bënin këtë gjë.—Romakëve 9:30; 10:20, 21.
5, 6. (a) Çfarë dëshire të zjarrtë ka shfaqur Jehovai, por si ka reaguar populli i tij? (b) Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si ka vepruar Jehovai me Judën?
5 Jehovai shpjegon se përse do të lejojë që populli i tij të pësojë një katastrofë: «I kam shtrirë duart gjatë gjithë ditës drejt një populli kokëfortë, drejt atyre që po ecin në rrugën që nuk është e mirë, sipas mendimeve të tyre.» (Isaia 65:2) Shtrirja e duarve nënkupton një ftesë ose një përgjërim. Jehovai i ka shtrirë duart jo vetëm për një çast, por gjatë gjithë ditës. Ai dëshiron nga zemra që Juda të kthehet tek ai. Megjithatë, ky popull kokëfortë nuk ka reaguar pozitivisht.
6 Çfarë mësimi që të ngroh zemrën nxjerrim nga fjalët e Jehovait! Ai dëshiron që ne të afrohemi pranë tij, sepse është një Perëndi i afrueshëm. (Jakovit 4:8) Këto fjalë na tregojnë, gjithashtu, se Jehovai është i përulur. (Psalmi 113:5, 6) Në fund të fundit, në kuptimin figurativ, ai vazhdon t’i shtrijë duart, duke iu përgjëruar popullit të tij të kthehet, megjithëse kokëfortësia e tyre e ka «hidhëruar». (Psalmi 78:40, 41, Dio) Vetëm pasi u ka bërë thirrje për shekuj të tërë, ai i braktis më në fund në duart e armiqve të tyre. Madje edhe atëherë, ai nuk i hedh poshtë personat e përulur që gjenden mes tyre.
7, 8. Në cilat mënyra e ka provokuar Jehovain populli i tij kokëfortë?
7 Judenjtë kokëfortë e kanë provokuar në mënyrë të përsëritur Jehovain me sjelljen e tyre të turpshme. Jehovai përshkruan veprimet e tyre fyese: “Populli i përbërë nga ata që më fyejnë vazhdimisht mu në fytyrë, që bëjnë flijime nëpër kopshte dhe bëjnë tym flijimesh mbi tulla, që ulen midis varreve, që, gjithashtu, e kalojnë natën në kasollet e rojave, që hanë mishin e derrit, madje edhe lëngun e gjërave të ndotura që gjenden në enët e tyre; ata që thonë: ‘Qëndro aty ku je. Mos m’u afro, sepse me siguri unë do ta kaloj shenjtërinë te ti.’ Këta janë tym në vrimat e hundës sime, një zjarr që digjet gjatë gjithë ditës.” (Isaia 65:3-5) Këta persona në dukje të perëndishëm po e fyejnë Jehovain «mu në fytyrë», një shprehje kjo që mund të nënkuptojë paturpësi dhe mungesë respekti. Ata as nuk përpiqen t’i fshehin gjërat e neveritshme që bëjnë. A nuk është një gjë veçanërisht e qortueshme të kryejmë mëkate tamam në praninë e Atij që duhet ta nderojmë dhe t’i bindemi?
8 Këta mëkatarë të vetëshpallur të drejtë, në të vërtetë po u thonë judenjve të tjerë: ‘Mos m’u afro, sepse unë jam më i shenjtë se ti.’ Çfarë hipokrizie! Këta persona «të perëndishëm» ofrojnë flijime dhe djegin temjan për perënditë e rreme, dhe këtë Ligji i Perëndisë e dënon. (Dalja 20:2-6) Ata ulen midis varreve, duke u bërë kështu të papastër sipas Ligjit. (Numrat 19:14-16) Hanë mish derri, i cili është një ushqim i papastër.a (Levitiku 11:7) Megjithatë, veprimtaritë e tyre fetare i bëjnë të ndihen më të shenjtë se judenjtë e tjerë dhe duan që të tjerët t’u rrinë larg në mënyrë që, si të thuash, të mos bëhen të shenjtë ose të pastër, thjesht nëpërmjet shoqërimit me ta. Por Perëndia që kërkon ‘devocion ekskluziv’ nuk i shikon gjërat në këtë mënyrë.—Ligji i përtërirë 4:24.
9. Si i sheh Jehovai mëkatarët e vetëshpallur të drejtë?
9 Në vend që t’i shohë si të shenjtë këta persona të vetëshpallur të drejtë, Jehovai thotë: «Këta janë tym në vrimat e hundës sime.» Fjala hebraike e përkthyer «hundë» ose «vrimë hunde» shpesh përdoret në kuptimin figurativ për të paraqitur zemërimin. Edhe tymi është përdorur në lidhje me zemërimin e zjarrtë të Jehovait. (Ligji i përtërirë 29:20) Idhujtaria e neveritshme në të cilën ka rënë populli i tij ka provokuar zemërimin e zjarrtë të Jehovait.
10. Si do t’i shpërblejë Jehovai judenjtë për mëkatet e tyre?
10 Për shkak të drejtësisë së tij, Jehovai nuk mund t’i lërë këta mëkatarë të vullnetshëm pa i ndëshkuar. Isaia shkruan: «‘Ja, është shkruar para meje. Nuk do të rri në heshtje, por do të jap një shpërblim; madje, do t’ua jap shpërblimin në gjirin e tyre, për gabimet e tyre dhe për gabimet e të parëve të tyre në të njëjtën kohë,—ka thënë Jehovai.—Meqenëse kanë bërë tym flijimesh mbi male dhe më kanë poshtëruar mbi kodra, edhe unë do ta mat pagën e tyre në radhë të parë në gjirin e tyre.» (Isaia 65:6, 7) Duke u përfshirë në adhurimin e rremë, këta judenj e kanë poshtëruar Jehovain. E kanë bërë adhurimin e Perëndisë së vërtetë të duket sikur nuk është më i mirë se adhurimi i kombeve përreth tyre. «Për gabimet e tyre», të cilat përfshijnë idhujtarinë dhe spiritizmin, Jehovai do t’i shpërblejë ata «në gjirin e tyre». Me sa duket, fjala ‘gji’ i referohet palës së veshjes së jashtme të mbledhur në një mënyrë që formonte një xhep ku shitësit mund të derdhnin një sasi të peshuar të një prodhimi. (Luka 6:38) Judenjtë apostatë e kanë të qartë kuptimin: Jehovai do të matë «shpërblimin» ose ndëshkimin e tyre. Perëndia i drejtësisë do të kërkojë shpagim. (Psalmi 79:12; Jeremia 32:18) Meqë Jehovai nuk ndryshon, mund të jemi të sigurt se në kohën e duhur sipas tij, në mënyrë të ngjashme, ai do të matë ndëshkimin e këtij sistemi të lig.—Malakia 3:6.
«Për hir të shërbëtorëve të mi»
11. Në ç’mënyrë e tregon Jehovai se ai do ta shpëtojë një mbetje besimplotë?
11 A do të tregohet i mëshirshëm Jehovai me personat besimplotë që gjenden mes popullit të tij? Isaia shpjegon: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: “Ashtu siç gjendet vera e re në vilen e rrushit dhe dikush ka për të thënë: ‘Mos e prish, sepse në të ka bekim’, ashtu do të veproj edhe unë për hir të shërbëtorëve të mi, me qëllim që të mos shkatërroj këdo. Unë do të nxjerr nga Jakobi një pasardhës e nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia dhe të zgjedhurit e mi duhet t’i marrin në zotërim, e shërbëtorët e mi do të banojnë atje.”» (Isaia 65:8, 9) Duke e krahasuar popullin e tij me një vile rrushi, Jehovai bën një ilustrim që ata mund ta kuptojnë menjëherë. Vendi ka rrush me bollëk, dhe vera e nxjerrë nga rrushi është një bekim për njerëzimin. (Psalmi 104:15) Imazhi që paraqitet mund të jetë ai i një vileje rrushi ku disa kokrra janë të mira, por jo të gjitha. Ose ideja mund të jetë që një vile është e mirë, kurse të tjerat janë të papjekura ose të kalbura. Sido që të jetë, vreshtari nuk do ta çojë dëm rrushin e mirë. Në këtë mënyrë, Jehovai e siguron popullin e tij se nuk do ta shkatërrojë plotësisht kombin, por do të kursejë një mbetje besimplotë. Ai thotë se mbetja që gëzon miratimin e tij do të zotërojë ‘malet’ e tij, pra, Jerusalemin dhe vendin e Judës, rajonin kodrinor që Jehovai pohon se e ka të tijin.
12. Cilat bekime e presin mbetjen besimplotë?
12 Çfarë bekimesh e presin këtë mbetje besimplotë? Jehovai shpjegon: «Sharoni duhet të bëhet një kullotë për delet dhe ultësira e Akorit një vend pushimi për gjedhët, për popullin tim që do të më ketë kërkuar.» (Isaia 65:10) Kopetë luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e shumë judenjve dhe kullotat e mëdha ndihmojnë për të krijuar begati gjatë periudhave me paqe. Për të përshkruar paqen dhe begatinë, Jehovai u referohet dy skajeve të vendit. Rrafshina e Sharonit në perëndim, e cila spikat për bukurinë dhe pjellorinë e saj, shtrihet përgjatë bregut të Mesdheut. Lugina e Akorit formon një pjesë të kufirit verilindor të vendit. (Josiu 15:7) Gjatë mërgimit të ardhshëm, këto rajone do të mbeten të shkreta bashkë me pjesën tjetër të vendit. Megjithatë, Jehovai premton se pas mërgimit ato do të bëhen kullota të bukura për mbetjen që do të kthehet.—Isaia 35:2; Hozea 2:15.
Besojnë te «perëndia i Fatit të Mirë»
13, 14. Cilat praktika tregojnë se populli i Perëndisë e ka braktisur atë dhe çfarë do t’u ndodhë atyre si pasojë?
13 Profecia e Isaisë e drejton përsëri vëmendjen tek ata që e kanë braktisur Jehovain dhe kanë këmbëngulur në idhujtari. Ajo thotë: «Ju jeni ata që braktisin Jehovain, ata që harrojnë malin tim të shenjtë, ata që shtrojnë një tryezë për perëndinë e Fatit të Mirë dhe që mbushin verë të përzier për perëndinë e Riskut.» (Isaia 65:11) Duke shtruar një tryezë me gjëra për të ngrënë e për të pirë para ‘perëndisë së Fatit të Mirë’ dhe ‘perëndisë së Riskut’, këta judenj që nuk e mbajnë fjalën kanë rënë në praktikat idhujtare të kombeve pagane.b Ç’do të bëhet me ata që besojnë në mënyrë naive te këto perëndi?
14 Jehovai i paralajmëron haptas: «Do të bëj që risku juaj të jetë shpata dhe të gjithë ju do të përkuleni për t’u therur sepse thirra, por nuk u përgjigjët; fola, por nuk dëgjuat; vazhduat të bënit atë që ishte e keqe në sytë e mi dhe zgjodhët atë që unë nuk e pëlqeja.» (Isaia 65:12) Duke luajtur me emrin e perëndisë së Riskut, sipas hebraishtes origjinale, Jehovai thotë se ata që po adhurojnë këtë perëndi të rreme do të kenë si ‘risk shpatën’, pra, shkatërrimin. Jehovai, nëpërmjet profetëve të tij, u ka bërë vazhdimisht thirrje këtyre njerëzve që të pendohen, por ata e kanë shpërfillur atë dhe me kokëfortësi kanë zgjedhur të bëjnë atë që e dinë se është e keqe. Çfarë mungese respekti që shfaqin për Perëndinë! Në përmbushje të paralajmërimit të Perëndisë, kombi do të pësojë një katastrofë të madhe në vitin 607 p.e.s., kur Jehovai t’i lejojë babilonasit të shkatërrojnë Jerusalemin dhe tempullin e tij. Në atë kohë ‘perëndia i Fatit të Mirë’ nuk do t’i mbrojë dot ithtarët e tij në Judë e në Jerusalem.—2 Kronikave 36:17.
15. Në ç’mënyrë ia vënë veshin të krishterët e vërtetë sot paralajmërimit të Isaisë 65:11, 12?
15 Sot, të krishterët e vërtetë ia vënë veshin paralajmërimit të Isaisë 65:11, 12. Ata nuk besojnë te ‘Fati i Mirë’, si të ishte ndonjë lloj force e mbinatyrshme në gjendje për t’i mbështetur. Duke mos pranuar t’i shpenzojnë të gjitha të ardhurat e tyre materiale në përpjekje për të qetësuar «perëndinë e Fatit të Mirë», ata shmangin të gjitha format e bixhozit. Janë të bindur se ata që i përkushtohen këtij perëndie, më në fund, do të humbasin gjithçka, sepse këtyre personave Jehovai u thotë: «Do të bëj që risku juaj të jetë shpata.»
«Ja, shërbëtorët e mi do të gëzojnë»
16. Në cilat mënyra do t’i bekojë Jehovai shërbëtorët e tij besimplotë, por çfarë do t’u ndodhë atyre që e kanë braktisur?
16 Ndërsa qorton ata që kanë braktisur Jehovain, profecia përshkruan kontrastin që gjendet midis asaj që i pret ata që e adhurojnë me zemër të pastër Perëndinë dhe asaj që i pret ata që e bëjnë këtë me hipokrizi: «Kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ja, shërbëtorët e mi do të hanë, por ju do të jeni të uritur. Ja, shërbëtorët e mi do të pinë, por ju do të jeni të etur. Ja, shërbëtorët e mi do të gëzojnë, por ju do të turpëroheni. Ja, shërbëtorët e mi do të thërrasin me gëzim për shkak të gjendjes së mirë të zemrës, por ju do të klithni për shkak të dhembjes së zemrës dhe do të ulërini për shkak të rrënimit të plotë të frymës.’» (Isaia 65:13, 14) Jehovai do t’i bekojë shërbëtorët e tij besimplotë. Me zemrat që gufojnë nga gëzimi, ata do të shpërthejnë në britma. Të ngrënët, të pirët dhe gëzimi janë terma që nënkuptojnë se Jehovai do t’i plotësojë me bollëk nevojat e adhuruesve të tij. Në kontrast me këtë, ata që kanë zgjedhur ta braktisin Jehovain do të jenë të uritur dhe të etur frymësisht. Nevojat e tyre nuk do të plotësohen. Ata do të thërrasin e do të ulërasin për shkak të angështisë dhe të dëshpërimit që do të bjerë mbi ta.
17. Pse populli i Perëndisë sot ka arsye të vlefshme për të thirrur me gëzim?
17 Fjalët e Jehovait përshkruajnë mirë gjendjen frymore të atyre personave sot që thjesht pohojnë se i shërbejnë Perëndisë. Megjithatë, ndërkohë që miliona ithtarë të të ashtuquajturit krishterim përjetojnë angështi e dëshpërim, adhuruesit e Jehovait thërrasin me gëzim. Madje, ata kanë arsye të mira për t’u gëzuar. Ata janë të ushqyer mirë frymësisht. Jehovai u siguron një bollëk ushqimi frymor nëpërmjet botimeve të bazuara në Bibël dhe mbledhjeve të krishtere. Tamam, të vërtetat ndërtuese dhe premtimet ngushëlluese të Fjalës së Perëndisë na japin një ‘gjendje të mirë zemre’!
18. Çfarë do të mbetet nga ata që kanë braktisur Jehovain dhe çfarë mund të nënkuptojë përdorimi i emrit të tyre në betime?
18 Jehovai vazhdon t’u drejtohet atyre që e kanë braktisur: «Ju do ta lini emrin tuaj që të shërbejë si betim për të zgjedhurit e mi dhe, në të vërtetë, Zotëria Sovran Jehova do t’ju bëjë të vdisni një nga një, por shërbëtorët e tij do t’i thërrasë me një emër tjetër; kështu, kushdo që bekon veten në tokë ta bekojë nëpërmjet Perëndisë së besimit dhe kushdo që betohet në tokë të betohet për Perëndinë e besimit, sepse dëshpërimi i mëparshëm do të harrohet dhe ata do të fshihen nga sytë e mi.» (Isaia 65:15, 16) Gjithçka që do të mbetet nga ata që e kanë braktisur Jehovain është emri i tyre, i cili do të përdoret vetëm në betime ose mallkime. Kjo mund të nënkuptojë që ata të cilët do të duan të bëjnë një betim solemn, në thelb do të thonë: ‘Nëse nuk e përmbush këtë premtim, le të më jepet i njëjti ndëshkim që iu dha apostatëve.’ Madje, mund të nënkuptojë që emri i tyre do të përdoret në mënyrë ilustruese, ashtu si Sodoma dhe Gomorra, si simbol i ndëshkimit të të ligjve nga Perëndia.
19. Në cilin kuptim do të thirren me një emër tjetër shërbëtorët e Jehovait dhe përse do të kenë besim te Perëndia i besueshëm? (Shih edhe shënimin.)
19 Çfarë ndryshimi me atë që i pret shërbëtorët e Perëndisë! Ata do të thirren me një emër tjetër. Kjo nënkupton gjendjen e bekuar dhe nderimin që do të gëzojnë në vendin e tyre. Ata nuk do të kërkojnë bekime nga ndonjë perëndi e rreme dhe nuk do të betohen për ndonjë idhull të pajetë. Në vend të kësaj, kur të bekojnë veten ose kur të bëjnë një betim, do ta bëjnë në emër të Perëndisë së besueshëm. (Isaia 65:16, shënimi) Banorët e vendit do të kenë arsye për të pasur besim të plotë te Perëndia, pasi ai do të ketë treguar se i mban premtimet.c Të sigurt në vendin e tyre, judenjtë do t’i harrojnë shpejt dëshpërimet e mëparshme.
«Unë po krijoj qiej të rinj e një tokë të re»
20. Si u përmbush në vitin 537 p.e.s. premtimi i Jehovait për «qiej të rinj e një tokë të re»?
20 Tani Jehovai shtjellon premtimin e tij për të rivendosur një mbetje të penduar, pas kthimit nga mërgimi në Babiloni. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai thotë: «Ja, unë po krijoj qiej të rinj e një tokë të re dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më, as nuk do të vijnë në zemër.» (Isaia 65:17) Premtimi i Jehovait për një rivendosje do të përmbushet me siguri, prandaj ai flet për këtë rivendosje të ardhshme sikur tashmë të ishte duke ndodhur. Kjo profeci u përmbush fillimisht në vitin 537 p.e.s., kur mbetja e judenjve u rivendos në Jerusalem. Çfarë ishin ‘qiejt e rinj’ në atë kohë? Qeveria e Zorobabelit me qendër në Jerusalem, e mbështetur nga kryeprifti Josia. Mbetja e rivendosur e judenjve përbënte «një tokë të re», një shoqëri të pastruar që iu nënshtrua kësaj qeverie dhe ndihmoi për të rivendosur adhurimin e pastër në vend. (Ezdra 5:1, 2) Gëzimi i asaj rivendosjeje bëri të harroheshin të gjitha vuajtjet e mëparshme; dëshpërimi i dikurshëm as që kujtohej më.—Psalmi 126:1, 2.
21. Cilët qiej të rinj u formuan në vitin 1914?
21 Megjithatë, të mos harrojmë që Pjetri e përsëriti profecinë e Isaisë dhe tregoi se ajo kishte një përmbushje të ardhshme. Apostulli shkroi: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Në vitin 1914 u formuan qiejt e rinj të pritur prej kohësh. Mbretëria Mesianike që lindi atë vit sundon nga vetë qielli dhe Jehovai i ka dhënë asaj autoritet mbi gjithë tokën. (Psalmi 2:6-8) Kjo qeveri e Mbretërisë nën drejtimin e Krishtit dhe të 144.000 bashkësundimtarëve të tij, përbën qiejt e rinj.—Zbulesa 14:1.
22. Cilët do ta përbëjnë tokën e re dhe si po përgatiten njerëzit, madje që tani, për t’u bërë bërthama e këtij rregullimi?
22 Ç’të themi për tokën e re? Duke ndjekur modelin e përmbushjes së lashtë, toka e re do të përbëhet nga njerëz që i nënshtrohen me gëzim sundimit të qeverisë së re qiellore. Edhe tani, miliona njerëz me prirjen e duhur i nënshtrohen kësaj qeverie dhe përpiqen të ndjekin ligjet e saj që gjenden në Bibël. Ata vijnë nga të gjitha kombet, gjuhët e racat dhe punojnë së bashku për t’i shërbyer mbretit që sundon, Jezu Krishtit. (Mikea 4:1-4) Pasi të jetë shkatërruar sistemi i tanishëm, ky grup do të përbëjë bërthamën e një toke të re. Ajo do të jetë së fundi një shoqëri mbarëbotërore njerëzish me frikë Perëndie, që do të trashëgojnë sferën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 25:34.
23. Çfarë informacioni gjejmë në librin e Zbulesës lidhur me «një qiell të ri dhe një tokë të re» dhe si do të përmbushet kjo profeci?
23 Libri i Zbulesës përshkruan një vegim që pa apostulli Gjon për ditën e ardhshme të Jehovait, kur ky sistem do të zhduket. Pas kësaj, Satanai do të hidhet në humnerë. (Zbulesa 19:11–20:3) Pas atij përshkrimi, Gjoni përsërit fjalët profetike të Isaisë, duke shkruar: «Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re.» Vargjet vijuese të tregimit të këtij vegimi të lavdishëm flasin për kohën kur Perëndia Jehova do ta ndryshojë rrënjësisht për mirë gjendjen në tokë. (Zbulesa 21:1, 3-5) Është e qartë që premtimi i Isaisë për «qiej të rinj e një tokë të re» do të ketë një përmbushje të mrekullueshme në botën e re të Perëndisë! Nën drejtimin e qiejve të rinj qeverisës, shoqëria e re tokësore do të gëzojë një parajsë që do të jetë jo vetëm frymore, por edhe fizike. Është vërtet ngushëllues premtimi se «gjërat e mëparshme [sëmundjet, vuajtjet dhe shumë brenga të tjera që kanë njerëzit] nuk do të kujtohen më, as nuk do të vijnë në zemër». Çfarëdo gjëje që do të kujtojmë në atë kohë nuk do të na shkaktojë lëndimin ose dhembjen e thellë që tani rëndon në zemrat e shumë njerëzve.
24. Pse do të gëzohet Jehovai për rivendosjen e Jerusalemit dhe çfarë nuk do të dëgjohet më në rrugët e atij qyteti?
24 Profecia e Isaisë vazhdon: «Ngazëlloni dhe jini përherë të gëzuar për atë që po krijoj. Sepse, ja, unë po krijoj Jerusalemin, një shkak për gëzim dhe popullin e tij, një shkak për ngazëllim. Unë do të jem i gëzuar për Jerusalemin dhe do të ngazëlloj për popullin tim; nuk do të dëgjohet më në të tingulli i vajtimit ose tingulli i britmës së përvajshme.» (Isaia 65:18, 19) Për rivendosjen në vendin e tyre nuk gëzohen vetëm judenjtë, por edhe vetë Perëndia, sepse ai do ta bëjë Jerusalemin të bukur, edhe një herë qendrën e adhurimit të vërtetë në tokë. Tingulli i vajtimit për shkak të ndonjë katastrofe, i cili u dëgjua në rrugët e qytetit dhjetëvjeçarë më parë, nuk do të dëgjohet më.
25, 26. (a) Në ç’mënyrë po e bën Jehovai Jerusalemin «një shkak për gëzim» në ditët tona? (b) Si do ta përdorë Jehovai Jerusalemin e Ri dhe përse mund të ngazëllojmë sot?
25 Edhe sot Jehovai e bën Jerusalemin «një shkak për gëzim». Në ç’mënyrë? Siç e kemi parë tashmë, qiejt e rinj që u formuan në vitin 1914, përfundimisht do të përfshijnë 144.000 bashkësundimtarë, të cilët kanë një pjesë në qeverinë qiellore. Në mënyrë profetike, ata përshkruhen si ‘Jerusalemi i Ri’. (Zbulesa 21:2) Është Jerusalemi i Ri ai për të cilin Perëndia thotë: «Ja, unë po krijoj Jerusalemin, një shkak për gëzim dhe popullin e tij, një shkak për ngazëllim.» Perëndia do ta përdorë Jerusalemin e Ri për të derdhur mbi njerëzimin e bindur bekime të papërshkrueshme. Tingulli i vajtimit ose i britmës së përvajshme nuk do të dëgjohet më, sepse Jehovai do të plotësojë «dëshirat e zemrës [sonë]».—Psalmi 37:3, 4.
26 Vërtet, kemi çdo arsye për të ngazëlluar sot! Së shpejti Jehovai do ta shenjtërojë emrin e tij të ndritur duke shkatërruar gjithë kundërshtarët. (Psalmi 83:17, 18) Pas kësaj, qiejt e rinj do të kenë çdo gjë nën kontroll. Ç’arsye të mrekullueshme që janë këto për të ngazëlluar dhe për t’u gëzuar përherë për atë që po krijon Perëndia!
Premtimi për një të ardhme të sigurt
27. Në ç’mënyrë e përshkruan Isaia sigurinë që do të gëzojnë në vendin e tyre judenjtë e kthyer?
27 Në përmbushjen e parë, si do të jetë jeta për judenjtë e kthyer, nën sundimin e qiejve të rinj? Jehovai thotë: «Nuk do të ketë më nga ai vend një foshnjë gjiri disaditëshe, as një të moshuar që nuk mbush ditët e tij, sepse një njeri do të vdesë tamam si një djalë, ndonëse në moshën njëqindvjeçare, dhe sa për mëkatarin, ndonëse në moshën njëqindvjeçare, ai do të nëmet.» (Isaia 65:20) Çfarë përshkrimi i bukur i sigurisë që do të gëzojnë të mërguarit e kthyer në vendin e tyre të ripërtërirë! Të sapolindurit që janë veçse disaditësh nuk do t’i presë një vdekje e parakohshme. Një vdekje e tillë nuk do të marrë as të moshuarit që nuk kanë mbushur plotësisht ditët e tyre.d Sa siguri u japin fjalët e Isaisë judenjve që do të kthehen në Judë! Të sigurt në vendin e tyre, ata nuk kanë pse të shqetësohen se mos vijnë armiqtë e marrin foshnjat ose therin burrat.
28. Çfarë mësojmë nga fjalët e Jehovait për jetën në botën e re nën Mbretërinë e tij?
28 Çfarë na mësojnë fjalët e Jehovait rreth jetës në botën e re që po vjen? Nën Mbretërinë e Perëndisë çdo fëmijë do të ketë shpresën e një jete të sigurt. Asnjë njeri me frikë Perëndie nuk do të vdesë në lulen e rinisë. Përkundrazi, njerëzimi i bindur do të jetë i sigurt dhe në gjendje për ta gëzuar jetën. Ç’të themi për ndonjë që zgjedh të rebelohet kundër Perëndisë? Ai do të humbë privilegjin për të jetuar. Edhe sikur të jetë «në moshën njëqindvjeçare», mëkatari rebel do të vdesë. Në këtë rast, ai do të jetë «tamam si një djalë» në krahasim me atë që do të mund të bëhej: një burrë me një jetë të pafund.
29. (a) Çfarë gëzimi do të kenë pjesëtarët e bindur të popullit të Perëndisë në vendin e ripërtërirë të Judës? (b) Pse pemët janë një ilustrim i goditur i jetëgjatësisë? (Shih shënimin.)
29 Jehovai vazhdon të përshkruajë kushtet që do të mbizotërojnë në vendin e ripërtërirë të Judës: «Me siguri, do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to; me siguri, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin e tyre. Nuk do të ndërtojnë që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër. Sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e një peme dhe të zgjedhurit e mi do të përfitojnë plotësisht nga puna e duarve të tyre.» (Isaia 65:21, 22) Pasi të kthehen në vendin e shkretë dhe, pa dyshim, pa shtëpi e pa vreshta të Judës, pjesëtarët e bindur të popullit të Perëndisë do të gëzojnë duke jetuar në shtëpitë e tyre dhe duke ngrënë frytin e vreshtave të tyre. Perëndia do t’ua bekojë punën dhe ata do të kenë jetë të gjatë—si ditët e një peme—gjatë së cilës do të gëzojnë frytin e punës së vet.e
30. Cilën gjendje të lumtur gëzojnë shërbëtorët e Jehovait sot dhe çfarë do të gëzojnë në botën e re?
30 Kjo profeci ka pasur një përmbushje në kohën tonë. Në vitin 1919, populli i Jehovait u kthye nga mërgimi frymor dhe filloi të ripërtërinte «vendin» e tij ose sferën e veprimtarisë dhe të adhurimit. Ata formuan kongregacione dhe kultivuan fryte frymore. Si rrjedhim, edhe tani populli i Jehovait gëzon një parajsë frymore dhe paqe nga Perëndia. Mund të jemi të sigurt se kjo paqe do të vazhdojë edhe në Parajsën fizike. Ne as që mund të fillojmë ta përfytyrojmë atë që Jehovai do të kryejë me duart dhe zemrat e gatshme të adhuruesve të tij në botën e re. Çfarë gëzimi do të jetë të ndërtojmë shtëpinë tonë dhe të jetojmë në të! Nën sundimin e Mbretërisë nuk do të mungojë puna e kënaqshme. Sa shpërblyese do të jetë të ‘shohim të mira’ nga fryti i punës sonë! (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:13) A do të kemi mjaft kohë për të gëzuar plotësisht frytin e duarve tona? Sigurisht që po! Jeta e pafund e njerëzve besimplotë do të jetë «si ditët e një peme»—mijëra vjet, e më shumë.
31, 32. (a) Çfarë bekimesh do të gëzojnë të mërguarit e kthyer? (b) Ç’shpresë do të kenë njerëzit besimplotë në botën e re?
31 Jehovai përshkruan bekime të tjera që i presin të mërguarit e kthyer: «Nuk do të robtohen më kot, as do të lindin fëmijë për shqetësim, sepse ata janë pasardhësit e përbërë nga të bekuarit e Jehovait dhe pasardhësit e tyre bashkë me ta.» (Isaia 65:23) Ata judenj të rivendosur do të bekohen nga Jehovai, kështu që nuk do të punojnë më kot. Prindërit nuk do të lindin fëmijë që këta të pësojnë një vdekje të parakohshme. Të mërguarit e dikurshëm nuk do t’i gëzojnë vetëm bekimet e rivendosjes; me ta do të jenë edhe pasardhësit e tyre. Kaq dëshirë të madhe ka Perëndia për të plotësuar nevojat e popullit të tij, saqë premton: «Në të vërtetë, do të ndodhë që para se të thërrasin unë do të përgjigjem; ndërkohë që janë ende duke folur, unë do të dëgjoj.»—Isaia 65:24.
32 Si do t’i përmbushë Jehovai këto premtime në botën e re që po vjen? Do të na duhet të presim për ta parë. Jehovai nuk i ka dhënë të gjitha hollësitë, por mund të jemi të sigurt se njerëzit besimplotë nuk do të duhet kurrë më të «robtohen më kot». Shumica e madhe e të mbijetuarve nga Harmagedoni dhe ndonjë fëmijë që mund t’u lindë atyre do të ketë shpresën e një jete shumë të gjatë e të kënaqshme, shpresën e jetës së përhershme! Edhe ata që do të rikthehen në jetë me anë të ringjalljes dhe që do të zgjedhin të jetojnë në harmoni me normat e Perëndisë do të gjejnë gëzim në botën e re. Jehovai do t’i dëgjojë dhe do t’u përgjigjet nevojave të tyre, madje duke i parashikuar ato. Në të vërtetë, Jehovai do të hapë dorën dhe do të plotësojë «dëshirën [e përshtatshme] të çdo qenieje të gjallë».—Psalmi 145:16.
33. Kur judenjtë të kthehen në vendin e tyre, në cilin kuptim do të jenë në paqe kafshët?
33 Deri në ç’pikë do të arrijë paqja dhe siguria e premtuar? Jehovai e mbyll këtë pjesë të profecisë, duke thënë: «‘Ujku dhe qengjat do të ushqehen si një i vetëm dhe luani do të hajë kashtë porsi kau; sa për gjarprin, ushqimi i tij do të jetë pluhuri. Nuk do të bëjnë asnjë dëm dhe nuk do të shkaktojnë asnjë rrënim në gjithë malin tim të shenjtë’,—ka thënë Jehovai.» (Isaia 65:25) Kur të kthehet në vendin e vet, mbetja besimplotë e judenjve do të jetë nën kujdesin e Jehovait. Luani do të hajë vërtet kashtë si kau, sepse nuk do t’i dëmtojë judenjtë ose kafshët e tyre shtëpiake. Ky premtim është i sigurt, sepse përfundon me fjalët «ka thënë Jehovai», dhe fjala e tij del gjithmonë e vërtetë.—Isaia 55:10, 11.
34. Ç’përmbushje emocionuese kanë fjalët e Jehovait sot dhe në botën e re?
34 Fjalët e Jehovait po përmbushen në mënyrë emocionuese mes adhuruesve të vërtetë sot. Që nga viti 1919, Perëndia e ka bekuar vendin frymor të popullit të tij, duke e transformuar në një parajsë frymore. Ata që vijnë në këtë parajsë frymore bëjnë ndryshime të dukshme në jetën e tyre. (Efesianëve 4:22-24) Me ndihmën e frymës së Perëndisë, individë që dikur kishin personalitete ngjashëm bishave—të cilët i shfrytëzonin të tjerët ose i bënin viktima të tyre në mënyra të tjera—tani po bëjnë përparim duke mposhtur tiparet e padëshirueshme. Si rrjedhim, gëzojnë paqe dhe unitet adhurimi me bashkëbesimtarët. Bekimet që gëzon tani populli i Jehovait në parajsën frymore do të vazhdojnë edhe në Parajsën fizike, ku paqes që do të mbizotërojë mes njerëzve do t’i shtohet paqja me kafshët. Mund të jemi të sigurt se në kohën e duhur sipas Perëndisë, do të kryhet siç duhet detyra e parë që i ngarkoi njerëzimit: «Nënshtrojeni [tokën], e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.»—Zanafilla 1:28.
35 Sa mirënjohës i jemi Jehovait për premtimin që ka bërë për «qiej të rinj e një tokë të re»! Ai premtim pati një përmbushje në vitin 537 p.e.s. dhe ka një përmbushje të mëtejshme sot. Këto dy përmbushje tregojnë për një përmbushje madhështore të ardhshme për njerëzimin e bindur. Me dashamirësi, Jehovai na ka dhënë nëpërmjet profecisë së Isaisë një ide paraprake të asaj që i pret ata që e duan atë. Vërtet, kemi çdo arsye për t’ua vënë veshin fjalëve të Jehovait: «Jini përherë të gëzuar për atë që po krijoj!»—Isaia 65:18.
[Shënimet]
a Shumë mendojnë se këta mëkatarë ishin në varreza në përpjekje për të komunikuar me të vdekurit. Fakti që hanin mish derri mund të ketë pasur lidhje me adhurimin e idhujve.
b Duke komentuar këtë varg, përkthyesi biblik Jeronimi (i lindur në shekullin e katërt të e.s.) foli për një zakon të lashtë që ndiqnin idhujtarët në ditën e fundit të muajit të fundit të vitit të tyre. Ai shkroi: «Ata shtronin një tryezë ku vinin lloje të ndryshme ushqimesh dhe një kupë me verë të ëmbël për të siguruar fat për pjellorinë e vitit të kaluar dhe të atij të ardhshëm.»
c Sipas Isaisë 65:16 në tekstin hebraik masoretik, Jehovai është ‘Perëndia i Aminit’. «Amin» do të thotë «ashtu qoftë» ose «sigurisht» dhe është një pohim a garanci se diçka është e vërtetë ose do të plotësohet patjetër. Duke plotësuar çdo gjë që premton, Jehovai tregon se ajo që thotë është e vërtetë.
d The Jerusalem Bible e përkthen kështu Isainë 65:20: «Nuk do të ndodhë më që foshnja të jetojë vetëm disa ditë ose që plaku të mos jetojë deri në fund të ditëve të tij.»
e Pemët janë një ilustrim i goditur i jetëgjatësisë, sepse ato janë ndër gjallesat që jetojnë më shumë. Për shembull, një pemë ulliri prodhon fryte për qindra vjet dhe mund të jetojë deri në një mijë vjet.
35. Pse kemi çdo arsye për të qenë «përherë të gëzuar»?
[Figura në faqen 389]
Në botën e re të Perëndisë do të kemi mjaft kohë për të gëzuar punën e duarve tona