Dëshmitarë kundër perëndive të rreme
«Ju jeni dëshmitarët e mi,—është shprehja e Jehovait,—edhe shërbëtori im, të cilin unë e kam zgjedhur.»—ISAIA 43:10, BR.
1. Kush është Perëndia i vërtetë dhe në cilat aspekte ai është më i madh se perënditë e shumta që adhurohen sot?
KUSH është Perëndia i vërtetë? Sot, kjo pyetje mjaft e rëndësishme shtrohet përpara gjithë njerëzimit. Edhe pse njerëzit adhurojnë shumë perëndi, vetëm Një mund të na japë jetën e të na ofrojë një të ardhme të lumtur. Vetëm për Njërin mund të thuhet: «Vetëm në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi.» (Veprat 17:28) Në të vërtetë, vetëm një Perëndi ka të drejtën për t’u adhuruar. Siç thotë edhe kori qiellor në librin e Zbulesës: «Ti je i denjë, o Zot [Jehova, BR], të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11.
2, 3. (a) Si e sfidoi Satanai në mënyrë të gënjeshtërt të drejtën e Jehovait për t’u adhuruar? (b) Cili ishte rezultati i mëkatit të Evës, për atë vetë, për fëmijët e saj dhe për Satanain?
2 Në kopshtin e Edenit, në mënyrë të gënjeshtërt, Satanai sfidoi të drejtën e Jehovait për t’u adhuruar. Duke përdorur një gjarpër, ai i tha Evës se po të rebelohej kundër ligjit të Jehovait e të hante prej pemës që Jehovai u kishte ndaluar, ajo vetë do të bëhej si Perëndia. Ja, fjalët e tij: «Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:5) Eva i besoi gjarprit dhe hëngri nga fruti i ndaluar.
3 Natyrisht, Satanai gënjeu. (Gjoni 8:44) E vetmja gjë në të cilën Eva u bë «si Perëndia», pasi mëkatoi, ishte se mori mbi vete përgjegjësinë për të vendosur çfarë ishte edrejtë dhe çfarë e gabuar, diçka që i përkiste Jehovait. E megjithë gënjeshtrën e Satanait, ajo në të vërtetë vdiq. Pra, i vetmi që përfitoi nga mëkati i Evës ishte Satanai. Në fakt, qëllimi i fshehtë i Satanait kur yshti Evën në mëkat, ishte që ai vetë të bëhej një perëndi. Kur mëkatoi, Eva u bë ithtarja e tij e parë dhe më pas e ndoqi edhe Adami. Shumë prej fëmijëve të tyre, jo vetëm që lindën «në mëkat», por ranë nën ndikimin e Satanait dhe brenda pak kohësh erdhi në ekzistencë një botë e tërë, e larguar nga Perëndia.—Zanafilla 6:5; Psalmi 51:5.
4. (a) Kush është perëndia i kësaj bote? (b) Për çfarë ekziston një nevojë urgjente?
4 Ajo botë u shkatërrua gjatë Përmbytjes. (2. Pjetrit 3:6) Pas Përmbytjes, u zhvillua një tjetër botë e larguar nga Jehovai dhe kjo ende ekziston. Për të Bibla thotë: «E gjithë bota dergjet nën fuqinë e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, BR) Duke vepruar kundër frymës dhe domethënies së ligjit të Jehovait, kjo botë është në shërbim të qëllimeve të Satanait. Ai është perëndia i saj. (2. Korintasve 4:4) Megjithatë, ai është në thelb një perëndi i pafuqishëm. Ai s’mund t’i bëjë njerëzit të lumtur, apo t’u japë atyre jetën; Këtë mund ta bëjë vetëm Jehovai. Prandaj, njerëzit që dëshirojnë një jetë me domethënie dhe një botë më të mirë, duhet që së pari të mësojnë se Jehovai është Perëndia i vërtetë e më pas të mësojnë të kryejnë vullnetin e tij. (Psalmi 37:18, 27, 28; Eklisiastiu 12:13) Për këtë arsye, është urgjente nevoja që burrat e gratë me besim të dëshmojnë, apo të lajmërojnë, të vërtetën mbi Jehovain.
5. Cilën «re dëshmitarësh» përmendi Pavli? Përmend disa njerëz që renditi ai.
5 Qysh në fillimet e njerëzimit, individë të tillë besnikë janë shfaqur në skenën botërore. Apostulli Pavël, në kreun 11 të Hebrenjve, përmend një listë të gjatë të tyre dhe i quan «një re kaq e madhe dëshmitarësh». (Hebrenjve 12:1) Djali i dytë i Adamit dhe Evës, është i pari në listën e Pavlit. Enoku dhe Noeja janë përmendur, gjithashtu, nga kohët përpara Përmbytjes. (Hebrenjve 11:4, 5, 7) Nga më kryesorët është Abrahami, paraardhësi i racës së hebrenjve. Abrahami, i cili është quajtur «miku i Perëndisë», u bë stërgjyshi i Jezuit, «Dëshmitari besnik dhe i vërtetë».—Jakovit 2:23; Zbulesa 3:14.
Abrahami dëshmon për të vërtetën
6, 7. Në ç’mënyrë jeta dhe veprimet e Abrahamit përbënin një dëshmi se Jehovai është Perëndia i vërtetë?
6 Në ç’mënyrë shërbeu Abrahami si dëshmitar? Nëpërmjet besimit të tij të fortë dhe bindjes besnike ndaj Jehovait. Kur u ftua për të lënë qytetin e Urit e të jetonte gjatë pjesës tjetër të jetës së tij në një tokë të largët, Abrahami u bind. (Zanafilla 15:7; Veprat 7:2-4) Shpesh, fiset nomade e braktisin jetën e tyre bredhacake dhe vendosen për të bërë një jetë më të qetë nëpër qytete. Prandaj, kur Abrahami e la qytetin për të jetuar në tenda, ai dha një dëshmi të fortë të besimit të tij në Perëndinë Jehova. Bindja e tij ishte një dëshmi për ata që e vëzhgonin. Për besimin e tij, Jehovai e bekoi shumë Abrahamin. Edhe pse jetonte nëpër tenda, Abrahami lulëzoi materialisht. Kur Loti dhe familja e tij u kapën robër, Jehovai i dha Abrahamit sukses në veprimet e tij, kështu që mundi t’i lironte. Gruaja e Abrahamit lindi një djalë kur ishte në moshë të shkuar e në këtë mënyrë premtimi i Jehovait se Abrahami do të lindte një farë u vërtetua. Nëpërmjet Abrahamit, njerëzit panë se Jehovai është një Perëndi i gjallë, i cili i përmbush qëllimet e tij.—Zanafilla 12:1-3; 14:14-16; 21:1-7.
7 Kur po kthehej, pasi kishte liruar Lotin, Abrahamit i doli përpara Melkisedeku, mbreti i Salemit (që më vonë u quajt Jeruzalem), i cili i dha mikpritjen Abrahamit, duke thënë: «Qoftë i bekuar Abrami nga Shumë i Larti Perëndi.» Edhe mbreti i Sodomës e takoi dhe donte t’i jepte dhurata. Abrahami nuk pranoi. Përse? Ai nuk dëshironte që të ekzistonte asnjë dyshim, në lidhje me Burimin e bekimeve të tij. Ai tha: «Unë kam ngritur dorën time drejt Zotit, Perëndisë Shumë të Lartë, zotërues i qiejve dhe i tokës, që nuk do të merrja asgjë nga ajo që të përket, as edhe një fije apo një lidhëse këpucësh, me qëllim që ti të mos thuash: ‘Unë e pasurova Abramin.’» (Zanafilla 14:17-24) Sa dëshmitar i shkëlqyer ishte Abrahami!
Një komb dëshmitarësh
8. Si tregoi Moisiu besim të madh në Jehovain?
8 Edhe Moisiu, një pasardhës i Abrahamit, shfaqet në listën e dëshmitarëve që jep Pavli. Moisiu braktisi pasuritë e Egjiptit dhe më vonë përballoi me guxim sundimtarin e asaj fuqie të madhe botërore, për t’i çuar bijtë e Izraelit në liri. Nga i erdhi ky guxim? Nga besimi i tij. Pavli thotë: «[Moisiu] qëndroi i patundur sikur të shihte të padukshmin.» (Hebrenjve 11:27) Perënditë e Egjiptit ishin të dukshme, të prekshme. Edhe sot, njerëzit habiten pas statujave të tyre. Por Jehovai, edhe pse i padukshëm, për Moisiun ishte shumë më real, sesa ato perëndi të rreme. Moisiu s’kishte dyshim në ekzistencën e Jehovait dhe se ai do t’i shpërblente adhuruesit e Tij. (Hebrenjve 11:6) Moisiu u bë një dëshmitar i jashtëzakonshëm.
9. Si duhej t’i shërbente Jehovait kombi i Izraelit?
9 Pasi i çoi izraelitët në liri, Moisiu u bë ndërmjetësi i besëlidhjes midis Jehovait dhe pasardhësve të Abrahamit, nga Jakobi. Si rezultat, kombi i Izraelit erdhi në ekzistencë si një pronë e veçantë e Jehovait. (Të Dalët 19:5, 6) Për herë të parë, do të jepej një dëshmi kombëtare. Fjalët e Jehovait të thëna nëpërmjet Isaisë, rreth 800 vjet më vonë, zbatoheshin në parim qysh në fillimet e ekzistencës së kombit: «Ju jeni dëshmitarët e mi,—është shprehja e Jehovait,—edhe shërbëtori im, të cilin unë e kam zgjedhur, në mënyrë që të dini e të keni besim tek unë e që të kuptoni se unë jam i Njëjti.» (Isaia 43:10) Në ç’mënyrë do të shërbenin anëtarët e këtij kombi të ri si dëshmitarë të Jehovait? Me anë të besimit dhe të bindjes së tyre dhe nëpërmjet veprave të Jehovait në përkrahje të tyre.
10. Në ç’mënyrë veprat e fuqishme të Jehovait në mbështetje të Izraelit ishin një dëshmi dhe me çfarë rezultatesh?
10 Rreth 40 vjet pas themelimit të tij, Izraeli ishte gati për të marrë në zotërim Tokën e Premtuar. U dërguan spiunë për të vëzhguar qytetin e Jerikosë dhe Rahaba, një banore e Jerikosë, i mbrojti. Përse? Ajo tha: «Ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush, kur dolët nga Egjipti dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të amorejve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t’i shfarosni. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti [Jehovai, BR], Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.» (Josiu 2:10, 11) Lajmi mbi veprat e fuqishme të Jehovait, e nxiti Rahabën dhe familjen e saj të linte Jerikonë dhe perënditë e saj të rreme e të adhuronte Jehovain me Izraelin. Është e qartë se Jehovai kishte dhënë një dëshmi të fuqishme nëpërmjet Izraelit.—Josiu 6:25.
11. Çfarë përgjegjësie kishin të gjithë prindërit izraelitë në lidhje me dëshminë?
11 Kur izraelitët ishin ende në Egjipt, Jehovai dërgoi Moisiun te Faraoni dhe tha: «Shko te Faraoni; sepse e kam fortësuar zemrën e tij dhe zemrën e shërbëtorëve të tij, me qëllim që unë të mund të tregoj këto shenjat e mia në mes tyre dhe me qëllim që ti të mund t’u tregosh bijve të tu dhe bijve të bijve të tu gjërat e mëdha që kam bërë, duke vënë në lojë egjiptasit dhe shenjat e mia që kam bërë midis tyre, që të dini se unë jam Zoti.» (Të Dalët 10:1, 2) Izraelitët e bindur do t’u tregonin bijve të tyre veprat e fuqishme të Jehovait. Nga ana e tyre, bijtë do t’u tregonin për to fëmijëve të tyre e kështu do të bëhej brez pas brezi. Kështu, veprimet e fuqishme të Jehovait do të mbaheshin mend. Po kështu edhe sot, prindërit kanë përgjegjësinë për t’u dëshmuar fëmijëve të tyre.—Ligji i përtërirë 6:4-7; Proverbat 22:6.
12. Si shërbyen për dëshmi bekimet e Jehovait mbi Solomonin dhe Izraelin?
12 Bekimi i pasur i Jehovait ra mbi Izraelin, kur ky shërbeu me besnikëri si dëshmitar për kombet përreth. Ashtu siç tha Moisiu, kur përmendi bekimet që kishte premtuar Jehovai: «Tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit dhe do të kenë frikë prej teje.» (Ligji i përtërirë 28:10) Për shkak të besimit të tij, Solomonit iu dha mençuri dhe pasuri. Nën sundimin e tij, kombi lulëzoi dhe gëzoi një periudhë të gjatë paqeje. Në lidhje me atë kohë lexojmë: «Nga të gjithë popujt vinin njerëz për të dëgjuar diturinë e Salomonit; ata ishin të dërguar nga tërë mbretërit e dheut që kishin dëgjuar të flitej për diturinë e tij.» (1. Mbretërve 4:25, 29, 30, 34) Midis vizitorëve të Solomonit bie në sy mbretëresha e Shebës. Pasi kishte parë vetë bekimet e Jehovait mbi kombin dhe mbretin e tij, ajo tha: «Qoftë i bekuar Zoti [Jehovai, BR], Perëndia yt, që të deshi dhe të vuri mbi fronin e tij si mbret për Zotin, Perëndinë tënd! Duke qenë se Perëndia yt e do Izraelin.»—2. Kronikave 9:8.
13. Cila mund të ketë qenë dëshmia më e efektshme e Izraelit dhe si përfitojmë ne ende nga ajo?
13 Apostulli Pavël përmendi atë që mund të ketë qenë dëshmia më e efektshme e Izraelit. Kur po fliste për Izraelin natyror me kongregacionin në Romë, ai tha: «Atyre iu besuan të thënat e shenjta të Perëndisë.» (Romakëve 3:1, 2, BR) Duke filluar nga Moisiu, disa izraelitë besnikë u frymëzuan për të hedhur me shkrim bëmat e Jehovait me Izraelin, si edhe këshillat, ligjet dhe profecitë e tij. Nëpërmjet atyre shkrimeve, këta shkrimtarë të lashtë u dhanë dëshmi të gjithë brezave që do të vinin, duke përfshirë edhe ne sot, se ka vetëm një Perëndi dhe emri i tij është Jehova.—Danieli 12:9; 1. Pjetrit 1:10-12.
14. Përse disa që dëshmuan për Jehovain pësuan persekutime?
14 Mjerisht, Izraeli në mënyrë të shpeshtë nuk ushtroi besim dhe atëherë Jehovai u detyrua të dërgonte dëshmitarë për vetë kombin e tij. Shumë prej tyre u persekutuan. Pavli tha se disa «hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime». (Hebrenjve 11:36) Dëshmitarë me të vërtetë besnikë! Sa e trishtueshme është që persekutimi i tyre erdhi shpesh nga bashkëkombas të zgjedhur të Jehovait! (Mateu 23:31, 37) Në fakt, mëkati i kombit u bë kaq i madh, saqë në vitin 607 p.e.s. Jehovai dërgoi babilonasit për të shkatërruar Jeruzalemin dhe tempullin e tij, ndërsa shumica e të mbijetuarve shkuan në mërgim. (Jeremia 20:4; 21:10) A ishte ky fundi i dëshmisë kombëtare për emrin e Jehovait? Jo.
Një çështje midis perëndive
15. Në ç’mënyrë u dha dëshmi edhe gjatë mërgimit në Babiloni?
15 Edhe pse në mërgim në Babiloni, anëtarët besnikë të kombit nuk ngurruan të dëshmonin në lidhje me Hyjninë dhe fuqinë e Jehovait. Për shembull, Danieli interpretoi me guxim ëndrrat e Nabukodonosorit, shpjegoi shkrimin mbi mur për Belshazarin dhe nuk pranoi të binte në kompromis përpara Darit, mbi çështjen e lutjes. Edhe tre hebrenjtë që nuk pranuan të përkuleshin përpara një shëmbëlltyre, i dhanë Nabukodonosorit një dëshmi të shkëlqyer.—Danieli 3:13-18; 5:13-29; 6:4-27.
16. Si e paratha Jehovai kthimin e Izraelit në tokën e tij dhe cili do të ishte qëllimi i këtij kthimi?
16 Megjithatë, Jehovai kishte për qëllim që dëshmia kombëtare të jepej përsëri në truallin e Izraelit. Ezekieli, i cili profetizoi midis hebrenjve të mërguar në Babiloni, shkroi mbi vendosmërinë e Jehovait në lidhje me vendin e shkretuar: «Do t’i shumoj mbi ju njerëzit, tërë shtëpinë e Izraelit; qytetet do të banohen dhe gërmadhat do të rindërtohen.» (Ezekieli 36:10) Përse do ta bënte Jehovai këtë? Së pari, si dëshmi për vetë emrin e tij. Me anë të Ezekielit ai tha: «Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve.»—Ezekieli 36:22; Jeremia 50:28.
17. Cili është konteksti i fjalëve të Isaisë 43:10?
17 Duke profetizuar kthimin e Izraelit nga mërgimi në Babiloni, profeti Isaia u frymëzua të shkruante fjalët e Isaisë 43:10, duke thënë që Izraeli ishte dëshmitari i tij, shërbëtori i tij. Në Isainë 43 dhe 44, Jehovai është përshkruar si Krijuesi, Perëndia, i Shenjti, Çliruesi, Mbreti dhe si Ai që e ka bërë e formuar Izraelin. (Isaia 43:3, 14, 15; 44:2) Mërgimi i Izraelit ishte lejuar, sepse vazhdimisht kombi nuk e kishte lavdëruar atë si të tillë. Megjithatë, ata ishin ende populli i tij. Jehovai u kishte thënë: «Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua.» (Isaia 43:1) Mërgimi i Izraelit në Babiloni do të merrte fund.
18. Në ç’mënyrë çlirimi i Izraelit nga Babilonia provoi se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë?
18 Në fakt, Jehovai e ktheu çlirimin e Izraelit nga Babilonia në një çështje midis perëndive. I sfidoi perënditë e rreme të kombeve që të sillnin dëshmitarët e tyre, ndërsa ai emëroi Izraelin si dëshmitar për të. (Isaia 43:9, 12) Kur e çliroi Izraelin, ai provoi se perënditë babilonase s’ishin aspak perëndi dhe se ai ishte Perëndia i vetëm i vërtetë. (Isaia 43:14, 15) Gati 200 vjet përpara se të ndodhte ngjarja, kur përmendi emrin e Kirit persian si shërbëtor i tij, për të liruar hebrenjtë, ai dha prova të mëtejshme të Hyjnisë së vet. (Isaia 44:28) Izraeli do të çlirohej. Përse? Jehovai shpjegon: «Populli që kam formuar për vete [Izraeli] do të shpallë lëvdimet e mia.» (Isaia 43:21) Kjo do të ishte një mundësi tjetër për dëshmi.
19. Çfarë dëshmie dha Kiri, duke i ftuar izraelitët të ktheheshin në Jeruzalem, si edhe veprat e hebrenjve besnikë pas kthimit të tyre?
19 Kur erdhi koha, Kiri i Persisë pushtoi Babiloninë, pikërisht ashtu siç ishte profetizuar. Edhe pse pagan, Kiri shpalli Hyjninë e Jehovait, kur nxori një lajmërim për hebrenjtë në Babiloni: «Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të; le të shkojë në Jeruzalem, që ndodhet në Judë dhe të rindërtojë shtëpinë e Zotit [Jehovait, BR], Perëndisë së Izraelit, Perëndia që është në Jeruzalem [ai është Perëndia i vërtetë, BR].» (Ezdra 1:3) Shumë hebrenj u përgjigjën. Iu futën udhëtimit të gjatë të kthimit në Tokën e Premtuar dhe ndërtuan një altar në vendin e tempullit të vjetër. Pavarësisht nga shkurajimet dhe kundërshtimet e forta, më në fund, ata mundën të rindërtonin tempullin dhe qytetin e Jeruzalemit. E gjithë kjo ndodhi ashtu siç kishte thënë vetë Jehovai, «jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time». (Zaharia 4:6) Këto arritje dhanë dëshmi të mëtejshme se Jehovai është Perëndia i vërtetë.
20. Pavarësisht nga dobësitë e saj, çfarë mund të thuhet mbi dëshminë që dha Izraeli për emrin e Jehovait në kohët e lashta?
20 Kështu, edhe pse ishte një komb me njerëz të papërsosur e disa herë rebelë, Jehovai vazhdoi ta përdorte Izraelin si dëshmitar i tij. Në botën para krishterimt, ai komb, me tempullin dhe shërbimin e tij priftëror, përfaqësonte qendrën botërore të adhurimit të vërtetë. Kushdo që lexon në Shkrimet Hebreje veprat që ka bërë Jehovai në lidhje me Izraelin, nuk mund të ketë asnjë dyshim se ka vetëm një Perëndi të vërtetë dhe emri i tij është Jehova. (Ligji i përtërirë 6:4; Zaharia 14:9) Megjithatë, një dëshmi akoma edhe më e madhe do të jepej për emrin e Jehovait dhe për këtë do të diskutojmë në artikullin vijues.
A të kujtohet?
◻ Si dha Abrahami dëshmi se Jehovai është Perëndia i vërtetë?
◻ Cila cilësi mbizotëruese e Moisiut i dha mundësi për të qenë një dëshmitar besnik?
◻ Në cilat mënyra Izraeli dha një dëshmi kombëtare mbi Jehovain?
◻ Në ç’mënyrë çlirimi i Izraelit nga Babilonia ishte një tregues se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë?
[Figura në faqen 10]
Me anë të besimit dhe bindjes së tij, Abrahami dha një dëshmi të jashtëzakonshme për Hyjninë e Jehovait