Pyetje nga lexuesit
Deri në çfarë pike një e krishterë besnike duhet të kundërshtojë procedurat për divorc që fillon i shoqi i saj?
Kur filloi martesa njerëzore, Perëndia tha se një burrë e një grua duhej të qëndronin ‘të bashkuar’ me njëri-tjetrin. (Zanafilla 2:18-24) Njerëzit u bënë të papërsosur dhe kjo solli si pasojë probleme në shumë martesa, por dëshira e Perëndisë është që bashkëshortët të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar. Apostulli Pavël shkroi: «Të martuarve po u jap udhëzime, megjithatë jo unë, por Zotëria, që gruaja të mos ndahet nga burri i saj; por, nëse në të vërtetë ndahet, le të mbetet e pamartuar ose përndryshe të pajtohet sërish me burrin e saj; dhe burri nuk duhet ta lërë gruan e tij.»—1 Korintasve 7:10, 11.
Këto fjalë tregojnë se te njerëzit e papërsosur disa herë një bashkëshort vendos ta lërë tjetrin. Për shembull, Pavli tha që nëse një bashkëshort ndahej, që të dy duhej të ‘mbeteshin të pamartuar’. Përse? Sepse bashkëshorti ishte ndarë, por të dy personat ishin ende të lidhur me njëri-tjetrin në sytë e Perëndisë. Pavli mundi ta thoshte këtë, ngaqë Jezui kishte vendosur normën për martesën e krishterë: «Kushdo që divorcon gruan, përveçse mbi bazën e kurvërisë [greqisht, porneia], dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mateu 19:9) Pikërisht, e vetmja bazë për divorc, që i jep fund nga ana biblike një martese, është «kurvëria», domethënë, imoraliteti seksual. Nga sa duket, në rastin të cilit iu referua Pavli, asnjëri nga bashkëshortët nuk kishte qenë imoral, prandaj, kur burri ose gruaja ndahej, martesa nuk përfundonte në sytë e Perëndisë.
Më pas, Pavli foli për situatën ku një i krishterë i vërtetë e ka bashkëshortin jobesimtar. Shqyrtoni udhëzimet e Pavlit: «Nëse jobesimtari është duke u ndarë, le të ndahet; vëllai ose motra nuk janë të skllavëruar në këto rrethana, por Perëndia ju ka thirrur në paqe.» (1 Korintasve 7:12-16) Çfarë mund të bëjë një grua besnike nëse burri i saj jobesimtar do ta linte, madje duke kërkuar divorc ligjor prej saj?
Ajo mund të preferojë që i shoqi të qëndrojë me të. Mund ta dojë akoma atë, të kuptojë nevojat reciproke emocionale dhe seksuale, si edhe të kuptojë se ajo vetë dhe fëmijët e vegjël që mund të kenë, kanë nevojë për mbështetje materiale. Gjithashtu, mund të shpresojë që, me kalimin e kohës, i shoqi të bëhet një besimtar dhe të shpëtojë. Megjithatë, nëse ai merr hapa për t’i dhënë fund martesës (me ndonjë bazë jobiblike), gruaja mund ta ‘lërë të ndahet’, siç shkroi Pavli. E njëjta gjë do të thuhej nëse një burrë besimtar shpërfill pikëpamjen e Perëndisë për martesën dhe këmbëngul të ndahet.
Megjithatë, në një situatë të tillë, ajo mund ta shohë të nevojshme të mbrojë veten dhe fëmijët. Si? Do të dëshirojë të mbajë kujdestarinë e fëmijëve të saj të dashur, që të vazhdojë t’u tregojë dashurinë e nënës, t’u japë stërvitje morale dhe të ngulitë tek ata besimin e bazuar në mësime të shkëlqyera biblike. (2 Timoteut 3:15) Divorci mund t’i vërë në rrezik të drejtat e saj. Prandaj, mund të marrë hapa që të përfaqësohet siç duhet para autoriteteve, për të mbrojtur të drejtën e saj që të ketë kontakte me fëmijët dhe të sigurohet që burri është i detyruar të mbështetë materialisht familjen që po braktis. Në disa vende, një grua që kundërshton divorcin mund të firmosë dokumente ligjore që përcaktojnë masat për kujdestarinë e fëmijëve dhe për mbështetje financiare, pa qenë dakord me divorcin që po kërkon i shoqi. Në disa vende të tjera, frazat e përdorura në dokumente tregojnë se ajo është dakord me divorcin, prandaj, nëse i shoqi ishte fajtor për kurorëshkelje, fakti që gruaja firmos këto dokumente do të tregonte se ajo po e refuzon të shoqin.
Pjesa më e madhe e njerëzve në zonë dhe në kongregacion nuk do t’i dinë hollësitë, si për shembull, nëse divorci u bë me ndonjë bazë biblike. Por, para se gjërat të shkojnë kaq larg, do të ishte e këshillueshme që gruaja të informojë mbikëqyrësin drejtues dhe një plak tjetër në kongregacion (më mirë me shkrim) për faktet. Në këtë mënyrë, faktet do të jenë në dispozicion, në rast se do të lindë ndonjë pyetje, në atë kohë ose më vonë.
T’i rikthehemi komentit të Jezuit: «Kushdo që divorcon gruan, përveçse mbi bazën e kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» Nëse një burrë është gjetur vërtet fajtor për imoralitet seksual, por dëshiron të qëndrojë i martuar me gruan e tij, ajo (e pafajshmja në shembullin e Jezuit) duhet të zgjedhë nëse do ta falë dhe të vazhdojë të jetë e martuar me të ose do ta refuzojë. Nëse është e gatshme ta falë dhe të vazhdojë me burrin e saj ligjor, nuk është e njollosur moralisht për faktin që ka vepruar kështu.—Hozea 1:1-3; 3:1-3.
Në rast se burri imoral kërkon divorcin, gruaja mund të jetë ende e gatshme ta falë, duke shpresuar që ai të kthehet. I përket asaj të vendosë, në bazë të ndërgjegjes dhe të situatës, nëse do t’i kundërshtojë procedurat që ka filluar ai për divorc. Në disa vende, një grua që kundërshton divorcin mund të firmosë dokumente që përcaktojnë kujdestarinë e fëmijëve dhe mbështetje financiare, pa treguar se është dakord me divorcin; fakti që firmos këto dokumente nuk tregon në vetvete se ajo po e refuzon të shoqin. Megjithatë, në disa vende të tjera, një gruaje që i kundërvihet një divorci mund t’i kërkojnë të firmosë dokumente që tregojnë se është dakord me divorcin. Nëse i firmos këto shkresa, do të tregojë qartë që e refuzon bashkëshortin fajtor.
Sidoqoftë, për të shmangur mundësinë e ndonjë keqkuptimi, do të ishte e këshillueshme që edhe në këtë rast gruaja t’u japë përfaqësuesve të kongregacionit një letër ku thekson cilat hapa po ndërmerren dhe qëndrimet që janë në bazë të tyre. Mund të thotë që i kishte thënë të shoqit se ishte e gatshme ta falte dhe të ishte gruaja e tij. Kjo do të nënkuptonte se divorci po bëhej kundër dëshirave të saj, pasi, në vend që ta refuzonte të shoqin, ajo ishte ende gati ta falte. Pasi ka bërë në këtë mënyrë të qartë se ishte gati ta falte dhe të mbetej e martuar me të, fakti që ka firmosur dokumente të cilat thjesht tregojnë si duhen zgjidhur çështjet financiare dhe/ose çështjet e kujdestarisë, nuk do të tregojë se ajo po e refuzonte të shoqin.a
Pasi ka përcaktuar gatishmërinë për të falur edhe pas divorcit, as ajo dhe as i shoqi nuk janë të lirë të martohen me dikë tjetër. Nëse ajo, bashkëshortja e pafajshme së cilës iu refuzua oferta për falje, më vonë vendos ta refuzojë të shoqin për shkak të imoralitetit të tij, pas kësaj që të dy janë të lirë. Jezui tregoi se bashkëshorti i pafajshëm ka të drejtën për të marrë një vendim të tillë.—Mateu 5:32; 19:9; Luka 16:18.
[Shënimi]
a Procedurat ligjore dhe dokumentet ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Kushtet e divorcit të përcaktuara në dokumentet ligjore duhet të shqyrtohen me kujdes para se të firmosen. Nëse një bashkëshort i pafajshëm firmos dokumente që tregojnë se ajo (ose ai) nuk e kundërshton divorcin që po kërkon bashkëshorti tjetër, kjo përbën refuzim të bashkëshortit.—Mateu 5:37.