Të rinjtë pyesin . . .
Po sikur prindërit e mi ta kundërshtojnë martesën time?
Lakesha dhe i dashuri i saj po mendojnë të martohen, por mamaja e saj nuk është dakord. «Këtë vit unë mbush 19 vjeç,—thotë Lakesha,—por mami ngul këmbë që të presim deri sa të mbush 21 vjeç.»
NËSE je duke planifikuar të martohesh, është thjesht normale të dëshirosh që prindërit të jenë të lumtur për ty. Kur prindërit nuk e pranojnë zgjedhjen tënde të bashkëshortit, kjo gjë mund të të lëndojë me të vërtetë. Çfarë duhet të bësh? Të shpërfillësh dëshirat e tyre dhe të vazhdosh me planet e tua të martesës?a
Kjo mund të jetë tunduese për ty, nëse ke arritur moshën e rritur dhe je ligjërisht në gjendje për t’u martuar pa pëlqimin e prindërve. Megjithatë, Bibla nuk vendos kufizime në moshë, për t’i treguar nderim dhe respekt prindërve. (Fjalët e urta 1:8) Dhe nëse shpërfill ndjenjat e tyre, mund t’i shkaktosh një dëm të vazhdueshëm marrëdhënies tënde me ta. Për më tepër, ekziston edhe mundësia, ndoshta një probabilitet i madh, që prindërit e tu të kenë arsye të vlefshme për ta kundërshtuar martesën tënde.
Në ç’moshë je tepër i ri për t’u martuar?
Për shembull, a po të thonë prindërit se je tepër i ri për t’u martuar? Mirë, pra, Bibla nuk vendos një minimum moshe për t’u martuar. Por ajo rekomandon që, përpara se të martohet, një person duhet të ketë «kaluar lulen e rinisë», vitet që ndjekin pubertetin, kur dëshirat seksuale janë në kulmin e tyre. (1. Korintasve 7:36) Përse? Sepse të rinj të tillë janë tamam në fazat e hershme të zhvillimit të pjekurisë emocionale, vetëkontrollit dhe të cilësive frymore që janë të nevojshme për të trajtuar me sukses jetën martesore.—Krahaso 1. Korintasve 13:11; Galatasve 5:22, 23.
Kur 20-vjeçari, i quajtur Dal, vendosi të martohej, u shkurajua nga kundërshtimi i prindërve. «Ata thanë se isha tepër i ri dhe më mungonte përvoja,—pohon ai.—Mendoja se unë dhe e fejuara ime ishim gati dhe mund të mësonim pasi të martoheshim, por prindërit e mi donin të siguroheshin se nuk po veproja vetëm në bazë të ndjenjave. Ata më bënë shumë pyetje. A isha gati për të marrë vendimet e përditshme, financën, realitetin e sigurimit të familjes nga ana materiale, frymore dhe emocionale? A isha gati për t’u bërë një prind? A kisha mësuar me të vërtetë si të komunikoja? A i kuptoja me të vërtetë nevojat e një bashkëshorteje? Ata menduan se duhet ta njihja më mirë veten si një i rritur, para se të mund të filloja të kujdesesha për një të rritur tjetër.
Megjithëse nuk dëshironim të pritnim, e shtymë për më vonë martesën tonë, me qëllim që t’i jepnim kohë vetes për t’u pjekur. Kur më në fund u martuam, hymë në këtë marrëdhënie me një themel më të mirë dhe duke pasur më shumë për t’i ofruar njëri-tjetrit.»
Kur problemin e përbëjnë dallimet fetare
Kur Terri zhvilloi ndjenja romantike për një burrë, i cili nuk kishte besimin fetar që ajo vetë kishte zgjedhur, u takua me të fshehurazi. Pasi njoftoi planet e saj për t’u martuar, Terri u habit kur mësoi se e ëma ishte kundër kësaj martese. «Unë nuk dua që mamaja të mendojë në këtë mënyrë për mua,—u ankua Terri.—Dua vetëm të kem akoma atë marrëdhënie nënë-bijë.»
Por kush ishte duke e penguar në të vërtetë atë marrëdhënie? A po tregohej nëna e Territ acaruese apo e paarsyeshme? Jo, ajo thjesht po mbështeste këshillën që Bibla u jep të krishterëve për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39) Në fakt, Bibla urdhëron: «Mos hyni në mënyrë të pabarabartë në një zgjedhë me jobesimtarët.» (2. Korintasve 6:14, 15, BR) Përse kështu?
Një nga arsyet është se harmonia fetare përbën një faktor shumë të rëndësishëm në një martesë të lumtur dhe të suksesshme. Ekspertët thonë se streset dhe tendosjet që janë të zakonshme për martesat me besime të ndryshme shpesh çojnë në divorc. Megjithatë, një arsye më e rëndësishme është mundësia për t’u gjendur në presion, që të biem në kompromis me bindjet fetare që kemi ose t’i braktisim fare ato. Edhe nëse një bashkëshort jobesimtar nuk ndërhyn në adhurimin tënd, do të të duhet të jetosh sidoqoftë me një dhimbje në zemër, sepse nuk ke mundësi të ndash bindjet e tua më të thella me të. A të duket kjo si formula për lumturinë martesore?
Territ, pra, i duhej të merrte një vendim të vështirë. «Unë e dua Perëndinë Jehova,—tha Terri,—por nuk dua të humbas të dashurin tim.» Thjesht, ti nuk mund t’i kesh të dyja gjërat bashkë. Nuk mund të bësh kompromis me standardet e Perëndisë dhe akoma të gëzosh favorin dhe bekimet e tij.
Por ndoshta prindërit e tu janë në kundërshtim që ti të martohesh me një bashkë të krishterë. A është e mundur të hysh në mënyrë të pabarabartë në një zgjedhë me një besimtar? Po, nëse ai person nuk ka të njëjtat synime frymore ose të njëjtin devocion që ke ti për Perëndinë. Po të jetë ky rasti yt, ose nëse për personin nuk ‘jepet dëshmi e mirë’ nga vëllezërit në kongregacionin e tij apo të saj, prindërit e tu mund të jenë me të drejtë të shqetësuar mbi martesën tënde me atë person.—Veprat 16:2.
Ç’të themi për dallimet raciale ose kulturore?
Prindërit e Linit ngritën kundërshtime për një arsye të ndryshme: Ajo donte të martohej me një djalë të një race tjetër. Çfarë na mëson Bibla në këtë aspekt? Ajo na thotë se «Perëndia nuk është i anshëm» dhe se «nga një njeri ai bëri çdo komb njerëzish». (Veprat 10:34, 35; 17:26, BR) Njerëzit kanë origjinë të përbashkët dhe janë me vlera të barabarta në sytë e Perëndisë.
Megjithëkëtë, ndërkohë që të gjitha çiftet e martuara vuajnë «shtrëngim në mish», çiftet me raca të ndryshme mund të përjetojnë sfida të mëtejshme. (1. Korintasve 7:28) Përse? Sepse shumë njerëz në botën e sotme të mbushur me urrejtje nuk e pranojnë pikëpamjen e Perëndisë mbi racat. Edhe pse martesat midis racave të ndryshme janë bërë gjithnjë e më tepër një gjë e zakonshme në disa vende perëndimore, ka akoma zona ku çiftet e përziera hasin në paragjykime të forta. Prindërit e tu mund të kenë frikë se ti nuk je i pajisur për t’u bërë ballë këtyre presioneve.
«Njerëzit e mi mendonin se kjo gjë do të ishte shumë e vështirë për ne»,—pranon Lin. Me mençuri, Lini tregoi respekt për ndjenjat e tyre dhe nuk u ngut të martohej. Kur prindërit e saj vërejtën pjekurinë e Linit dhe u njohën më mirë me djalin që ajo donte, gradualisht ata filluan të ndiheshin të sigurt në mënyrë të arsyeshme se ajo mund t’u bënte ballë presioneve të kësaj martese. Lin thotë: «Pasi ata u bindën se ne mund të ishim me të vërtetë të lumtur bashkë, edhe ata ishin të lumtur për ne.»
Megjithatë, disa herë çështja nuk është raca por kultura. Prindërit e tu mund të jenë të shqetësuar se, me kalimin e kohës ti do ta kishe të vështirë të kënaqeshe duke jetuar me dikë, stili i jetesës, pretendimet e shijet në ushqim, muzikë dhe zbavitje të të cilit janë kaq të ndryshme nga të tuat. Sido që të jetë, martesa me dikë të një race apo kulture të ndryshme mund të paraqesë sfida të mëdha. A je me të vërtetë i përgatitur për t’i përballuar ato?
Kur kundërshtimi i një prindi duket i paarsyeshëm
Po nëse ti mendon se prindërit e tu janë plotësisht të paarsyeshëm me kundërshtimin e tyre? Një e re e quajtur Fath, thotë për nënën e saj: «Mami është divorcuar disa herë. Ajo thotë se kur arrin ta njohësh siç duhet personin me të cilin martohesh, është tepër vonë. Ajo është e bindur se nuk do të jem e lumtur në martesë.» Shpeshherë prindërit që kanë pasur martesa të pasuksesshme nuk janë në gjendje për ta parë martesën e fëmijës së tyre me objektivitet. Në disa raste, prindërit kanë motive të diskutueshme për kundërshtimin ndaj martesës së fëmijës së tyre, siç është dëshira për të mbajtur kontrollin mbi jetën e fëmijës.
Nëse prindërit e tu nuk janë të gatshëm t’i vënë veshin arsyes, çfarë mund të bësh? Mes Dëshmitarëve të Jehovait pleqtë e kongregacionit mund të thirren për ndihmë në zgjidhjen e problemeve familjare. Pa qenë të anshëm, ata mund të ndihmojnë pjesëtarët e familjes t’i diskutojnë çështjet në mënyrë të qetë, paqësore dhe frytdhënëse.—Jakovit. 3:18.
Të kërkojmë paqen
Sigurisht, shumë faktorë të tjerë mund të nxitin kundërshtimin e prindërve të tu ndaj martesës tënde, siç janë interesat financiare ose personaliteti në perspektivë i bashkëshortit. Dhe në epokën e SIDA-s e të sëmundjeve të tjera të transmetuara me rrugë seksuale, prindërit e tu mund të jenë me të drejtë të shqetësuar për shëndetin tënd, nëse personi që ke zgjedhur ka bërë një jetë të përzier seksuale para se të bëhej i krishterë.b
Për sa kohë që jeton në shtëpinë e prindërve të tu, je i detyruar të pranosh autoritetin e tyre mbi ty. (Kolosianëve 3:20) Por edhe nëse jeton më vete dhe je mjaft i madh sa për të marrë vendimet e tua, mos ji i shpejtë për të hedhur poshtë shqetësimet e prindërve të tu. Ji i gatshëm për të dëgjuar. (Fjalët e urta 23:22) Peshoji me kujdes pasojat e mundshme që vijnë nga martesa.—Krahaso Lukën 14:28.
Pasi të kesh bërë këtë, mund të vendosësh përsëri se dëshiron akoma të martohesh. Natyrisht, do të të duhet të mbash përgjegjësi të plotë për një vendim të tillë. (Galatasve 6:5) Nëse ke bërë çdo përpjekje për të marrë në konsideratë pikëpamjen e prindërve të tu, ndoshta ata do të binden që të mbështetin vendimin tënd, edhe pse nuk janë plotësisht dakord. Por, nëse vazhdojnë të ngrejnë kundërshtime, përpiqu të mos bëhesh i ashpër apo të zemërohesh. Kujto: Prindërit të duan dhe kujdesen për lumturinë tënde të ardhme. Vazhdo të përpiqesh të bësh paqe me ta. Ndërsa e bën të suksesshme martesën tënde, ndoshta qëndrimi i tyre do të zbutet.
Nga ana tjetër, nëse me të vërtet shqyrton çdo gjë që prindërit kanë për të thënë, heton me hollësi veten tënde dhe personin me të cilin mezi pret të martohesh, mos u habit po të vish në përfundimin tronditës se në fund të fundit, prindërit e tu mund të kenë të drejtë.
[Shënimet]
a Informacioni në këtë artikull u drejtohet të rinjve në vendet ku është e zakonshme që një person ta zgjedhë vetë shokun e tij të martesës.
b Shiko artikullin «Të ndihmojmë ata me SIDA», në numrin e 22 marsit 1994 të Zgjohuni!, anglisht.
[Figura në faqen 21]
Prindërit e tu mund të mendojnë se nuk ke moshën për t’u martuar