Ligji i Krishtit
«Jam . . . nën Ligj ndaj Krishtit.»—1. KORINTASVE 9:21, BR.
1, 2. (a) Si mund të ishin parandaluar shumë nga gabimet e njerëzimit? (b) Çfarë nuk arriti të mësonte i ashtuquajturi krishterim nga historia e judaizmit?
«NJERËZIT dhe qeveritë s’kanë mësuar kurrë ndonjë gjë nga historia dhe as kanë vepruar në bazë të parimeve të nxjerra prej saj.» Kështu tha një filozof gjerman i shekullit të 19-të. Në fakt, rruga e historisë njerëzore është përshkruar si një «marshim i marrëzisë», si një seri me gabime të kobshme trashanike dhe kriza, shumë prej të cilave mund të ishin parandaluar, sikur njerëzimi të kishte pasur vetëm gatishmërinë për të mësuar nga gabimet e së shkuarës.
2 I njëjti mospranim për të mësuar nga gabimet e së shkuarës të bie në sy gjatë këtij diskutimi mbi ligjin hyjnor. Perëndia Jehova e zëvendësoi Ligjin e Moisiut me diçka shumë më të mirë: me ligjin e Krishtit. Megjithatë, krerët e të ashtuquajturit krishterim, të cilët pohojnë se e mësojnë dhe jetojnë sipas këtij ligji, nuk kanë arritur të nxjerrin ndonjë mësim prej marrëzisë së tmerrshme të farisenjve. Kështu, i ashtuquajturi krishterim e ka shtrembëruar dhe ka abuzuar me ligjin e Krishtit, ashtu sikurse bëri edhe judaizmi me Ligjin e Moisiut. Si është e mundur kjo? Së pari, le të flasim për vetë ligjin e Krishtit; çfarë është ai, cilët qeveris dhe në ç’mënyrë dhe si ndryshon ai prej Ligjit të Moisiut. Më pas, do të shqyrtojmë se si ka abuzuar me të i ashtuquajturi krishterim. Në këtë mënyrë, le të mësojmë nga historia e të përfitojmë prej saj!
Besëlidhja e re
3. Çfarë premtimi bëri Jehovai në lidhje me një besëlidhje të re?
3 Kush tjetër përveç Perëndisë Jehovai mund të përmirësonte një ligj të përsosur? Besëlidhja e Ligjit të Moisiut ishte e përsosur. (Psalmi 19:7) Megjithatë, Jehovai premtoi: «Ja, do të vijnë ditët, . . . në të cilat do të vendos një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës; jo si besëlidhja që kam vendosur me etërit e tyre.» Dhjetë Urdhërimet, bërthama e Ligjit të Moisiut, ishin shkruar në pllaka guri. Por për besëlidhjen e re, Jehovai tha: «Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre.»—Jeremia 31:31-34.
4. (a) Cili Izrael është përfshirë në besëlidhjen e re? (b) Përveç Izraelit frymor, cilët janë tjetër nën ligjin e Krishtit?
4 Cilët do të merreshin për këtë besëlidhje të re? Sigurisht që s’do të ishte «shtëpia e Izraelit» të vërtetë, i cili nuk e pranoi Ndërmjetësin e kësaj besëlidhjeje. (Hebrenjve 9:15) Jo, ky «Izrael» i ri do të ishte «Izraeli i Perëndisë», një komb me izraelitë frymorë. (Galatasve 6:16; Romakëve 2:28, 29) Me këtë grup të vogël me të krishterë të mirosur do të bashkohej më vonë «një shumicë e madhe» nga të gjitha kombet, të cilët do të kërkonin, gjithashtu, të adhuronin Jehovain. (Zbulesa 7:9, 10, BR; Zaharia 8:23) Edhe pse nuk do të merrnin pjesë në besëlidhjen e re, edhe ata do të ishin të kufizuar nga ligji. (Krahaso Levitikun 24:22; Numrat 15:15.) Sikurse «një tufë» nën «një bari», të gjithë do të ishin «nën ligj ndaj Krishtit», siç shkroi apostulli Pavël. (Gjoni 10:16; 1. Korintasve 9:21, BR) Pavli e quajti këtë besëlidhje, ‘një besëlidhje më e mirë’. Përse? Pikësëpari, ajo bazohet mbi premtime të përmbushura dhe jo mbi hijet e gjërave që do të vijnë.—Hebrenjve 8:6; 9:11-14.
5. Cili është qëllimi i besëlidhjes së re dhe përse do të ketë sukses?
5 Cili është qëllimi i kësaj besëlidhjeje? Është që të prodhojë një komb mbretërish e priftërinjsh, për të bekuar gjithë njerëzimin. (Dalja 19:6; 1. Pjetrit 2:9; Zbulesa 5:10) Besëlidhja e Ligjit të Moisiut nuk e prodhoi kurrë këtë komb në kuptimin më të plotë, pasi Izraeli në përgjithësi u rebelua dhe e humbi rastin e tij. (Krahaso Romakëve 11:17-21.) Gjithsesi, besëlidhja e re është e sigurt se do të ketë sukses, sepse shoqërohet nga një lloj ligji krejt i ndryshëm. Në cilat mënyra është i ndryshëm?
Ligji që i përket lirisë
6, 7. Në ç’mënyrë ligji i Krishtit ofron liri më të madhe se Ligji i Moisiut?
6 Ligji i Krishtit është vazhdimisht i shoqëruar me lirinë. (Gjoni 8:31, 32) Ai është quajtur «ligji i njerëzve të lirë» dhe «ligji i përsosur që i përket lirisë». (Jakovit 1:25; 2:12, BR) Natyrisht, e gjithë liria mes njerëzve është relative. Megjithatë, ky ligj ofron liri shumë më të madhe, se ajo e paraardhësit të tij, Ligjit të Moisiut. Në ç’mënyrë?
7 Sa për një shembull, askush nuk ka lindur nën ligjin e Krishtit. Faktorë të tillë, si raca dhe vendi i lindjes, janë të parëndësishëm. Të krishterët e vërtetë zgjedhin lirisht në zemrat e tyre që të pranojnë zgjedhën e bindjes ndaj këtij ligji. Duke bërë kështu, ata shohin se ajo është një zgjedhë e ëmbël, një barrë e lehtë. (Mateu 11:28-30) Në fund të fundit, Ligji i Moisiut ishte i përcaktuar edhe për t’i mësuar njerëzit se janë mëkatarë dhe se kanë nevojë jashtëzakonisht të madhe për një sakrificë shpërblerëse për t’u çliruar. (Galatasve 3:19) Ligji i Krishtit mëson se Mesia erdhi, e pagoi çmimin e shpërblerjes me jetën e tij dhe na hapi rrugën për t’u çliruar nga shtypja e tmerrshme e mëkatit dhe vdekjes! (Romakëve 5:20, 21) Që të nxjerrim dobi, duhet ‘të ushtrojmë besim’ në atë sakrificë.—Gjoni 3:16, BR.
8. Çfarë përfshin ligji i Krishtit, por përse të jetosh sipas tij nuk kërkon mësimin përmendësh të qindra statuteve ligjore?
8 «Të ushtrosh besim» përfshin të jetosh sipas ligjit të Krishtit. Këtu futet edhe bindja ndaj të gjitha urdhrave të Krishtit. A do të thotë kjo se duhet të mësojmë përmendësh qindra ligje dhe statute? Jo. Ndërkohë që Moisiu, ndërmjetësi i besëlidhjes së vjetër, shkroi Ligjin e Moisiut, Jezui, Ndërmjetësi i besëlidhjes së re, nuk shkroi kurrë as edhe një ligj të vetëm. Në vend të kësaj, ai jetoi sipas këtij ligji. Me anë të rrugës së jetës së tij të përsosur, ai la një model që duhet ta ndjekin të gjithë. (1. Pjetrit 2:21) Mbase për këtë arsye adhurimi i të krishterëve të hershëm quhej «Udha». (Veprat 9:2; 19:9, 23; 22:4; 24:22) Për ta, ligji i Krishtit e kishte shembullin në jetën e Krishtin. Të imitoje Jezuin, do të thoshte t’i bindeshe këtij ligji. Dashuria e tyre e dendur për të, do të thoshte se ky ligj ishte shkruar me të vërtetë në zemrat e tyre, ashtu sikurse ishte profetizuar. (Jeremia 31:33; 1. Pjetrit 4:8) Pasi një person që është i bindur për shkak të dashurisë, nuk ndihet kurrë i shtypur, ja ku kemi edhe një arsye tjetër se përse ligji i Krishtit mund të quhet «ligji i njerëzve të lirë».
9. Cili është vetë thelbi i ligjit të Krishtit dhe në ç’mënyrë përfshin ky ligj një urdhër të ri?
9 Nëse dashuria ishte e rëndësishme në Ligjin e Moisiut, në ligjin e Krishterë ajo përbën vetë thelbin e tij. Prandaj, ligji i Krishtit përfshinte një urdhër të ri: të krishterët duhet të kenë dashuri vetëflijuese për njëri-tjetrin. Ata duhet të duan siç deshi Jezui; ai vullnetarisht dha jetën e tij në përkrahje të miqve të tij. (Gjoni 13:34, 35; 15:13) Prandaj, mund të themi se ligji i Krishtit është një shprehje edhe më e lartë e teokracisë, sesa Ligji i Moisiut. Siç ka theksuar edhe më parë kjo revistë: «Teokracia është sundim nga Perëndia; Perëndia është dashuri; prandaj, teokracia është sundim nga dashuria.»
Jezui dhe farisenjtë
10. Si binte në kundërshtim mësimi i Jezuit me atë të farisenjve?
10 Nuk habitemi shumë, pra, që Jezui ra në kundërshtim me krerët fetarë judenj të ditëve të tij. «Ligji i përsosur që i përket lirisë» ishte më larg se çdo gjë tjetër në mendjet e skribëve dhe të farisenjve. Ata përpiqeshin t’i kontrollonin njerëzit me anë të rregullave të bëra nga njerëzit. Mësimi i tyre u bë shtypës, i detyrueshëm, negativ. Në kontrast të hapur, mësimi i Jezuit ishte tepër ndërtues dhe pozitiv! Ai ishte praktik dhe u drejtohej nevojave dhe shqetësimeve reale që kishin njerëzit. Ai mësoi në mënyrë të thjeshtë dhe me ndjenja të sinqerta, duke përdorur ilustrime nga jeta e përditshme dhe të nxjerra nga autoriteti i Fjalës së Perëndisë. Ja, përse «turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij». (Mateu 7:28) Po, mësimi i Jezuit preku zemrat e tyre!
11. Si tregoi Jezui se Ligji i Moisiut duhej zbatuar me arsyetueshmëri dhe me mëshirë?
11 Në vend se t’i shtonte rregulla të tjera Ligjit të Moisiut, Jezui tregoi se si duhej ta kishin zbatuar judenjtë atë Ligj: me arsyetueshmëri dhe me mëshirë. Kujto, për shembull, rastin kur iu afrua një grua që vuante nga gjakderdhja. Sipas Ligjit të Moisiut, kushdo që do të prekej prej saj bëhej i papastër, prandaj nga ajo pritej që të mos përzihej me turmën e njerëzve! (Levitiku 15:25-27) Por ajo ishte kaq e dëshpëruar për t’u shëruar, saqë çau rrugën përmes turmës dhe preku cepin e rrobës së Jezuit. Gjakderdhja rreshti menjëherë. A e qortoi ai gruan për shkelje të Ligjit? Jo; përkundrazi, ai i kuptoi rrethanat e saj të dëshpëruara dhe shfaqi parimin më të madh të Ligjit, dashurinë. Me dhembshuri ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!»—Marku 5:25-34.
A ishte ligji i Krishtit tolerues?
12. (a) Përse nuk duhet të hamendim që Krishti është tolerues? (b) Nga duket se krijimi i shumë ligjeve sjell krijimin e shumë të çarave?
12 A duhet të nxjerrim përfundimin se, meqë «i përket lirisë, ligji i Krishtit është tolerues, ndërsa farisenjtë, me gjithë traditat e tyre gojore, të paktën e mbanin sjelljen e njerëzve brenda disa kufijve strikt? Jo. Sistemet e sotme ligjore ilustrojnë se shpesh sa më shumë ligje të ekzistojnë, aq më shumë të çara gjejnë njerëzit nëpër to.a Në ditët e Jezuit shumëllojshmëria e rregullave të farisenjve inkurajonte kërkimin e të çarave, kryerjen sa për sy e faqe të veprave pa dashuri dhe kultivimin e një pamjeje të jashtme drejtësie, për të maskuar korrupsionin e brendshëm.—Mateu 23:23, 24.
13. Përse ligji i Krishtit rezulton në një normë më të lartë sjelljeje, se çdo kod i shkruar ligjor?
13 Përkundrazi, ligji i Krishtit nuk ushqen qëndrime të tilla. Në fakt, bindja ndaj një ligji që bazohet mbi dashurinë për Jehovain dhe të cilit i bindemi, duke imituar dashurinë vetëflijuese të Krishtit për të tjerët, sjell si rrjedhojë një normë sjelljeje shumë më të lartë, se ndjekja e një kodi formal ligjesh. Dashuria nuk kërkon të çara; ajo nuk na lejon të bëjmë gjëra të dëmshme, të cilat një kod ligjor mund të mos i dallojë hapur. (Shiko Mateun 5:27, 28.) Prandaj, ligji i Krishtit do të na nxitë të bëjmë diçka për të tjerët: të tregojmë bujari, mikpritje dhe dashuri, në ato mënyra që asnjë ligj formal nuk do të na nxiste për të bërë.—Veprat 20:35; 2. Korintasve 9:7; Hebrenjve 13:16.
14. Çfarë ndikimi pati jetesa sipas ligjit të Krishtit mbi kongregacionin e krishterë të shekullit të parë?
14 Në atë masë që pjesëtarët e tij kanë jetuar sipas ligjit të Krishtit, kongregacioni i hershëm i krishterë ka gëzuar një atmosferë të ngrohtë e të dashur, relativisht të çliruar nga qëndrimet e ngurta, gjykuese dhe hipokrite aq mbizotëruese në sinagogat e atyre ditëve. Pjesëtarët e atyre kongregacioneve të reja mund të kenë ndier vërtet se po jetonin sipas «ligjit të një populli të lirë»!
15. Cilat ishin disa nga përpjekjet e hershme të Satanait, për të korruptuar kongregacionin e krishterë?
15 Megjithatë, Satanai mezi priste të korruptonte nga brenda kongregacionin e krishterë, ashtu siç kishte korruptuar edhe kombin e Izraelit. Apostulli Pavël paralajmëroi për disa njerëz ngjashëm ujqërve, të cilët ‘do të flisnin gjëra të çoroditura’ dhe do të shtypnin kopenë e Perëndisë. (Veprat 20:29, 30) Atij iu desh të kundërshtonte judaizuesit, të cilët përpiqeshin të shkëmbenin lirinë relative të ligjit të Krishtit, për t’iu skllavëruar Ligjit të Moisiut, i cili ishte përmbushur në Krishtin. (Mateu 5:17; Veprat 15:1; Romakëve 10:4) Pas vdekjes së apostullit të fundit, s’kishte më pengesa për një apostazi të tillë. Kështu, korrupsioni u përhap shpejt.—2. Selanikasve 2:6, 7.
I ashtuquajturi krishterim ndot ligjin e Krishtit
16, 17. (a) Çfarë formash ka marrë korrupsioni në të ashtuquajturin krishterim? (b) Në ç’mënyrë ligjet e Kishës Katolike nxitën një pikëpamje të shtrembëruar mbi seksin?
16 Ashtu si edhe në judaizëm, korrupsioni brenda të ashtuquajturit krishterim mori forma të ndryshme. Edhe ai ra pre e doktrinave të rreme dhe e moralit të shthurur. Përpjekjet e bëra për të mbrojtur kopenë kundër ndikimeve të jashtme, shpesh dolën korruptuese ndaj çdo gjëje që kishte mbetur prej adhurimit të pastër. Ligjet e ngurta dhe jobiblike u shumuan.
17 Kisha Katolike ka mbajtur vendin e parë në krijimin e sasive të mëdha të ligjeve kishtare. Këto ligje ishin veçanërisht të shtrembëruara në çështjet që lidheshin me seksin. Sipas një libri (Sexuality and Catholicism), kisha përvetësoi filozofinë greke të stoicizmit, e cila dyshonte për të gjitha llojet e kënaqësive. Kisha filloi të mësonte se të gjitha kënaqësitë seksuale, duke përfshirë edhe marrëdhëniet normale martesore, ishin mëkatare. (Krahaso Proverbat 5:18, 19.) Thuhej se seksi ishte vetëm për riprodhim dhe për asgjë tjetër. Kështu, ligji i kishës dënonte çdo lloj metode kundër ngjizjes si një mëkat shumë serioz, për të cilin disa herë kërkoheshin shumë vite dënim. Për më tepër, priftërinjtë u ndaluan të martoheshin, një dekret që i ka dhënë rritje seksit të paligjshëm, duke përfshirë edhe abuzimin me fëmijët.—1. Timoteut 4:1-3.
18. Cili qe rezultati i shtimit të ligjeve kishtare?
18 Ndërkohë që shtoheshin, ligjet e kishës u organizuan nëpër libra. Këta libra nisën të errësonin e të zinin vendin e Biblës. (Krahaso Mateun 15:3, 9.) Ashtu si judaizmi, katolicizmi s’kishte besim në shkrimet jofetare dhe e gjykonte pjesën më të madhe të tyre si kërcënuese. Shpejt, kjo pikëpamje shkoi edhe më përtej se kujdesi i arsyeshëm i Biblës për këtë çështje. (Eklisiastiu 12:12; Kolosianëve 2:8) Jeromi, një shkrimtar i kishës në shekullin e katërt të e.s., deklaroi: «O Zotëri, nëse ndonjëherë do të zotëroj libra të botës apo t’i lexoj ata, atëherë të kam mohuar ty.» Me kohë, kisha filloi të censuronte libra, madje edhe ata me tema jofetare. Kështu, astronomi i shekullit të 17-të, Galileu, u censurua sepse shkroi që toka rrotullohet rreth diellit. Këmbëngulja e kishës për të qenë autoriteti përfundimtar në çdo gjë, madje edhe në çështjet mbi astronominë, më në fund solli shembjen e besimit në Bibël.
19. Si e nxitën manastiret karakterin e ngurtë autoritar?
19 Ligjet e bëra nga kisha lulëzuan nëpër manastire, ku murgjit u veçuan nga kjo botë, për të jetuar në vetëmohim. Shumica e manastireve katolike u bënë pjesë e «Rregullit të Shën Benediktit». Abatët (një term që vjen nga fjala aramaike «At») sundonin me autoritet absolut. (Krahaso Mateun 23:9.) Nëse murgu merrte një dhuratë nga prindërit e tij, abati do të vendoste nëse ai murg apo ndonjë tjetër do ta merrte atë dhuratë. Përveçse dënonte vulgaritetet, një rregull i ndalonte të gjitha muhabetet e thjeshta dhe shakatë, duke thënë: «Asnjë dishepull s’duhet të thotë gjëra të tilla.»
20. Nga duket se edhe protestantizmi ushqeu këtë karakter autoritar jobiblik?
20 Protestantizmi, i cili u përpoq të reformonte teprimet jobiblike të katolicizmit, shpejt u bë po aq i zoti në nxjerrjen e rregullave autoritare pa asnjë bazë në ligjin e Krishtin. Për shembull, kreu i reformës, Xhon Kalvin, u përcaktua si «legjislatori i Kishës së rinovuar». Ai qeveriste në Gjenevë me një llojshmëri të madhe me rregulla të ashpra të vendosura nga «Pleqtë», «detyra» e të cilëve, siç vërente Kalvini, «është të mbajnë nën mbikëqyrje jetën e secilit». (Krahaso 2. Korintasve 1:24.) Kisha kontrollonte hanet dhe vendoste se cilat subjekte bisedash ishin të lejueshme. Ekzistonin dënime të ashpra për ofendime të tilla, si këngët pa seriozitet të duhur apo vallëzimet.b
Të mësojmë nga gabimet e të ashtuquajturit krishterim
21. Cilat kanë qenë pasojat shkatërrimtare të prirjes së të ashtuquajturit krishterim për ‘të shkuar përtej asaj që është shkruar’?
21 A punuan për mbrojtjen e të ashtuquajturit krishterim nga korrupsioni gjithë këto rregulla e ligje? Ka ndodhur krejtësisht e kundërta! Sot, i ashtuquajturi krishterim është përçarë në qindra sekte, duke nisur nga striktët më ekstremistë, deri tek më toleruesit. Në një mënyrë apo në tjetrën, të gjitha këto sekte kanë shkuar «përtej asaj që është shkruar», duke lejuar që mendimi njerëzor të qeverisë kopenë e të zërë vendin e ligjit hyjnor.—1. Korintasve 4:6.
22. Përse dështimi i të ashtuquajturit krishterim nuk do të thotë se ligji i Krishtit ka marrë fund?
22 Megjithatë, historia e ligjit të Krishtit s’ka përfunduar në tragjedi. Perëndia Jehova s’do të lejojë kurrë që njerëzit e thjeshtë të fshijnë ligjin hyjnor. Sot, ligji i krishterë është më se në fuqi mes të krishterëve të vërtetë dhe këta kanë privilegjin e madh për të jetuar sipas tij. Por, pasi kemi shqyrtuar se ç’kanë bërë me ligjin hyjnor judaizmi dhe i ashtuquajturi krishterim, mund të pyesim me të drejtë: «Si të jetojmë sipas ligjit të Krishtit, ndërsa shmangim grackën e ndotjes së Fjalës së Perëndisë me arsyetime dhe rregulla njerëzore, të cilat shembin vetë frymën e ligjit hyjnor? Cilën pikëpamje të ekuilibruar duhet të ngulitë tek ne sot ligji i Krishtit?» Artikulli vijues do të merret me këto pyetje.
[Shënimet]
a Në një masë të madhe, farisenjtë ishin përgjegjës për këtë formë të judaizmit që ekziston sot, prandaj nuk habitemi që judaizmi ende kërkon të çara në format e tij të shumta të kufizimeve të së shtunës. Për shembull, në një spital hebre ortodoks, vizitori mund të shohë se të shtunën ashensori ndalon automatikisht në çdo kat, në mënyrë që pasagjerët të kenë mundësi për të shmangur «veprën» mëkatare të shtypjes së butonit të ashensorit. Disa mjekë judenj ortodoksë i shkruajnë recetat me një farë boje, e cila zhduket brenda disa ditëve. Përse? Mishnah e klasifikon shkrimin si «punë», por e përshkruan «shkrimin» si diçka që lë një shenjë të qëndrueshme.
b Serveti, i cili e kundërshtoi Kalvinin për disa pikëpamje teologjike, u dogj në shtyllë si heretik.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cili është thelbi i vërtetë i ligjit të Krishtit?
◻ Si ndryshonte mënyra e të mësuarit të Jezuit, nga ajo e farisenjve?
◻ Si e përdori Satanai prirjen ndaj bërjes së ligjeve të ngurta njerëzore, për të korruptuar të ashtuquajturin krishterim?
◻ Cilat janë disa pasoja pozitive të jetesës sipas ligjit të Krishtit?
[Figura në faqen 16]
Jezui e zbatoi Ligjin e Moisiut me arsye dhe me mëshirë