Përdorimi i «marrëzisë» nga Jehovai që t’i shpëtojë ata që besojnë
«Me qenë se, në diturinë e Perëndisë, bota përmes diturisë së saj nuk e ka njohur Perëndinë, Perëndia e ka parë të arsyeshme që përmes marrëzisë së asaj që predikohet t’i shpëtojë ata që besojnë.»—1. KORINTASVE 1:21, NW.
1. Në ç’kupim e përdor Jehovai «marrëzinë» dhe si e dimë se bota në diturinë e saj nuk e ka njohur Perëndinë?
ÇFARË? Jehovai përdor marrëzinë? Jo me të vërtetë! Por ai mund dhe e përdor atë që botës i duket e marrë. Jehovai e bën këtë që të shpëtojë njerëzit që e njohin dhe e duan. Bota, me diturinë e saj, nuk mund ta njohë Perëndinë. Jezu Krishti e bëri këtë të qartë kur tha në lutje: «At i drejtë, bota, me të vërtetë nuk të ka njohur.»—Gjoni 17:25, NW.
2. Përse mund të duket se rrugët e Jehovait dhe ato të botës shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën, por ç’tregojnë faktet?
2 Fjalët e Jezuit tregojnë se rrugët e Jehovait dallojnë nga ato të botës. Sipërfaqësisht mund të duket se qëllimi i Perëndisë dhe ai i kësaj bote shkojnë paralel me njëri-tjetrin. Mund të duket se qëllimet e kësaj bote kanë bekimin e Perëndisë. Për shembull, Bibla thotë se Perëndia do të ndërtojë një qeveri të drejtë e cila do t’i sjellë njerëzimit në tokë jetë paqësore, lumturi dhe mirëqenie. (Isaia 9:6,7; Mateu 6:10) Edhe bota shpall qëllimin e saj që do të sjellë paqe, mirëqenie dhe qeveri të mirë përmes të të ashtuquajturit rregullim të ri botëror. Por, qëllimet e Perëndisë dhe ato të botës nuk janë të njëjta. Qëllimi i Perëndisë është hakmarrja e vetvetes si Sovran Suprem i universit. Këtë ai do ta bëjë përmes një qeverie qiellore e cila do të zhdukë të gjitha qeveritë njerëzore. (Danieli 2:44; Zbulesa 4:11; 12:10) Prandaj, Perëndia nuk ka asgjë të përbashkët me këtë botë. (Gjoni 18:36; 1. Gjonit 2:15-17) Për këtë arsye, Bibla flet për dy lloj diturish, «diturinë e Perëndisë» dhe «diturinë e botës».—1. Korintasve 1:20, 21, NW.
E meta themelore e diturisë së botës
3. Edhe pse dituria e botës mund të bëjë përshtypje, përse rregullimi i botës së re të premtuar nga njeriu s’do të jetë kurrë i kënaqshëm?
3 Atyre, që s’janë të udhëhequr nga dituria e Perëndisë, dituria e botës mund t’u bëjë shumë përshtypje. Ekzistojnë filozofi të bujshme nga që magjepsin mendjen. Ato që shumica i konsiderojnë si mendjet më të mëdha të njerëzimit, mësojnë në mijëra institucione të arsimit më të lartë. Biblioteka të mëdha janë mbushur me njohuritë e grumbulluara në shekuj nga përvoja njerëzore. Pra, përveç kësaj, rregullimi i ri botëror i propozuar nga sundimtarët e botës nuk mund të jetë tjetër vetëm se një sundim i njerëzve të papërsosur, mëkatarë e të vdekshëm. Prandaj, ky rregullim do të ishte i papërsosur, i destinuar për të përsëritur shumë gabime të rënda të së kaluarës dhe duke mos kënaqur kurrë të gjitha nevojat e njerëzimit.—Romakëve 3:10-12; 5:12.
4. Objekt i çfarë gjëje do të jetë rregullimi i ri botëror i propozuar nga njeriu dhe me çfarë pasojash?
4 Rregulimi i ri botëror i propozuar nga njeriu nuk është objekt vetëm i dobësisë njerëzore por edhe i ndikimit të krijesave të liga frymore, po, Satanait, Djallit dhe demonëve të tij. Satanai ka verbuar mendjen e njerëzve me qëllim që të mos i besojnë «lajmit të mirë madhështor mbi Krishtin.» (2. Korintasve 4:3, 4, NW; Efesianëve 6:12) Për shkak të kësaj fatkeqësi njëra pas tjetrës godasin botën. Ajo lufton e pashpresë në orvajtjet e veta shkatërruese për t’u vetëqeverisur pa ndihmën e Perëndisë dhe pa pasur parasysh vullnetin e tij. (Jeremia 10:23; Jakovi 3:15, 16) Ashtu si tha edhe apostulli Pavël, «bota përmes diturisë së vet nuk e njohu Perëndinë.»—1. Korintasve 1:21, NW.
5. Cila është e meta themelore e diturisë së kësaj bote?
5 Cila është pra e meta themelore e diturisë botërore, duke përfshirë edhe planet e kësaj bote për të ndërtuar një rregullim të ri botëror? Është ajo se bota e injoron atë që kurrë nuk mund të injorohet pa pasoja: Sovranitetin suprem të Perëndisë Jehova. Ajo në mënyrë arrogante refuzon të pranoj sovranitetin hyjnor. Bota me qëllim e përjashton Jehovain nga të gjitha planet e saj dhe mbështetet në aftësitë dhe planet e veta. (Krahaso Danieli 4:31-34; Gjoni 18:37.) Bibla shpjegon se «frika nga Jehovai është fillimi i diturisë.» (Eklisiastiu 9:10; Psalmet 111:10) Por bota nuk ka mësuar as këtë kërkesë themelore të diturisë. Prandaj, si mund t’ia dalë mbanë ajo pa përkrahjen e Perëndisë?—Psalmet 127:1.
Predikimi i Mbretërisë: një vepër e marrë apo me vlerë praktike?
6, 7. (a) Ç’predikojnë ata që janë të udhëhequr nga dituria e Perëndisë, por si i konsideron bota? (b) Sipas cilës dituri predikon kleri i krishtërizmit dhe cili është rezultati?
6 Nga ana tjetër, ata që e njohin Perëndinë e tregojnë diturinë e Tij dhe zgjedhin që të jenë të udhëhequr nga ajo. Si ka parathënë edhe Jezui, ata e predikojnë «këtë lajm të mirë të mbretërisë . . . në të gjithë tokën e banuar.» (Mateu 24:14; 28:19, 20) A është sot ky predikim praktik, kur toka është e mbushur plot me konflikte, ndotje, varfëri dhe vuajtje? Të mençurve të botës, predikimi në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë i duket një marrëzi absolute, së cilës i mungon praktika. Ata i konsiderojnë lajmëtarët e Mbretërisë së Perëndisë persona të mërzitshëm që pengojnë aktivitetet e Shtetit dhe që ngadalësojnë përparimin drejt një qeverie politike ideale. Në këtë janë të përkrahur nga kleri i krishtërizmit, që predikon sipas diturisë së kësaj bote dhe nuk i thotë popullit atë që duhet të dijë në lidhje me botën e re të Perëndisë dhe qeverinë e tij Mbretërore, edhe pse ky ka qenë mësimi themelor i Krishtit.—Mateu 4:17; Marku 1:14, 15.
7 Historiani H. G. Wells ka tërhequr vëmendjen në këtë mungesë të klerit të krishtërizmit. Ai shkroi: «Është i çuditshme kontrasti në mes të rëndësisë së madhe që Jezui i dha të mësuarit mbi Mbertërinë e Qiellit dhe parëndësisë që i jepet në të vepruarit dhe të mësuarit e pjesës më të madhe të kishave të krishtere.» Megjithatë, që të fitojnë jetën, njerëzit e këtij brezi, duhet së pari të dëgjojnë mbi Mbretërinë e vendosur të Perëndisë dhe që të kryhet kjo, dikush duhet ta predikojë lajmin e mirë mbi të.—Romakëve 10:14, 15.
8. Përse predikimi i lajmit të mirë të Perëndisë është gjëja më praktike që mund të bëhet sot dhe cila mënyrë veprimi nuk do të sillte dobi të përhershme?
8 Pra, predikimi i lajmit të mirë të Perëndisë është gjëja më praktike që mund të bëhet sot. Është kështu sepse mesazhi i Mbretërisë ofron një shpresë të vërtetë e cila i mbush zemrat tona me gëzim gjatë këtyre ditëve të fundit kur «kohët janë të vështira.» (2. Timoteut 3:1-5; Romakëve 12:12; Titit 2:13) Ndërsa në këtë botë jeta është e pasigurt dhe e shkurtër, jeta në botën e re të Perëndisë do të jetë e përhershme dhe e mbushur me gëzim, bollëk dhe paqe pikërisht këtu në tokë. (Psalmi 37:3, 4, 11) Jezu Krishti tha: «Ç’dobi do të ketë një njeri nëse fiton gjithë botën por humb shpirtin e tij? Apo, ç’do të japë njeriu në ndërrim të shpirtit të tij?» Nëse një person humb të drejtën për të jetuar në botën e re të Perëndisë, me çfarë dobie është për të kjo botë që po kalon? Gëzimi aktual i gjërave materiale do të jetë për të i padobishëm, i kotë dhe jetëshkurtër.—Mateu 16:26; Eklisiastiu 1:14; Marku 10:29, 30.
9. (a) Kur një njeri që ishte i ftuar të bëhej ithtar i Jezu Krishtit kërkoi ta shtynte ftesën, çfarë këshille i dha Jezui? (b) Si duhet të ndikojë mbi ne përgjigjja e Jezuit?
9 Një njeri që Jezui e kishte ftuar të bëhej ithtar i tij, tha: «Më lejo së pari të shkoj të varros babanë tim.» Çfarë këshille i dha Jezui? Duke ditur se njeriu do ta shtynte këtë vepër me rëndësi jetësore, vetëm për të pritur që prindërit e tij të arrinin ditët e fundit të jetës së tyre, Jezui ia ktheu: «Lëri të vdekurit që të varrosin të vdekurit e tyre, por ti shko dhe shpall në çdo vend Mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 9:59, 60) Ata që tregojnë dituri duke iu bindur Krishtit nuk mund të largohen nga detyra e predikimit të mesazhit të Mbretërisë. Dituria hyjnore i bën të vetëdijshëm se kjo botë dhe sundimtarët e saj janë të dënuar të zhduken. (1. Korintasve 2:6; 1. Gjonit 2:17) Përkrahësit e sovranitetit të Perëndisë e dinë se shpresa e vetme e vërtetë për njerëzimin qëndron në ndërhyrjen dhe sundimin hyjnor. (Zaharia 9:10) Pra, ndërsa ata që zotërojnë diturinë e botës nuk besojnë në Mbretërinë e Perëndisë dhe nuk e dëshirojnë atë qeveri qiellore, ata që janë të udhëhequr nga dituria hyjnore bëjnë atë që u sjell dobi të vërtetë të barabartëve të tyre njerëzorë, duke i përgatitur për jetën e përhershme në botën e re të premtuar të Jehovait.—Gjoni 3:16; 2. Pjetrit 3:13.
«Marrëzi për ata që po shkatërrohen»
10. (a) Pas kthesës, çfarë vepre filloi Sauli nga Tarsa dhe si e konsideroi? (b) Për çfarë ishin të njohur grekët e vjetër, por si e konsideronte Perëndia diturinë e tyre?
10 Sauli nga Tarsa, që u quajt Pavël, apostull i Jezu Krishtit, filloi këtë vepër jetëshpëtuese. A është e arsyeshme të mendojmë që kur Jezui Krishti ktheu Saulin i besoi një vepër të marrë? Pavli nuk mendoi ashtu. (Filipianëve 2:16) Në atë kohë grekët ishin konsideruar si njerëzit më intelektualë në botë. Krenoheshin me filozofët dhe të urtët e tyre të mëdhenj. Edhe pse Pavli ka folur greqisht, ai nuk ka ndjekur dhe mësuar filozofinë greke. Përse? Sepse ditura e kësaj bote është marrëzi për Perëndinë.a Pavli kërkonte diturinë hyjnore, që e shtynte të predikonte lajmin e mirë nga shtëpia në shtëpi. Predikuesi më i madh i të gjitha kohërave, Jezu Krishti, i kishte dhënë shembullin e tij dhe e urdhëroi të kryente të njëjtën vepër.—Luka 4:43; Veprat 20:20, 21; 26:15-20; 1. Korintasve 9:16.
11. Në thelb, çfarë tha Pavli në lidhje me detyrën e tij të predikimit dhe mbi diturinë e botës?
11 Në lidhje me detyrën e predikimit Pavli tha: «Krishti më dërgoi . . . të shpall lajmin e mirë, jo me diturinë e të folurit, me qëllim që shtylla e mundimeve të Krishtit të mos bëhet e padobishme. Sepse të folurit mbi shtyllën e mundimeve [flijimin shpërblerës të Jezuit] është marrëzi për ata që shkatërrohen, por për ne që shpëtojmë është fuqia e Perëndisë. Sepse është shkruar: «Do ta shkatërroj diturinë e të mençurve dhe inteligjenciën e intelektualëve do ta shtyj mënjanë.» Ku është i mençuri [p.sh. filozofi]? Ku është shkrimtari? Ku është debatuesi i këtij sistemi të gjërave? A nuk e bëri Perëndia të marrë diturinë e botës? Me qenë se, në diturinë e Perëndisë, bota përmes diturisë së saj nuk e ka njohur Perëndinë, Perëndia e pa të arsyeshme që përmes marrëzisë së predikimit t’i shpëtojë ata që besojnë.»—1. Korintasve 1:17-21, NW.
12. Ç’kryen Jehovai përmes «marrëzisë së predikimit» dhe si do të reagojnë ata që dëshirojnë «diturinë nga lart»?
12 Mund të duket e pabesueshme, por Jehovai i përdor si predikuesit e tij ata që bota i quan të marrë. Po, përmes marrëzisë së shërbimit të këtyre predikuesve, Perëndia shpëton ata që besojnë. Jehovai i rregullon gjërat ashtu që predikuesit e kësaj «marrëzie» nuk mund të lavdërojnë vetveten, as njerëzit e tjerë nuk mund t’i lavdërojnë ata, përmes të cilëve kanë dëgjuar lajmin e mirë. Është kështu me qëllim që «asnjë trup të mos krenohet para Perëndisë.» (1. Korintasve 1:28-31; 3:6, 7, NW) Është e vërtetë, që predikuesi luan një rol me rëndësi, por lajmi për të cilin është ngarkuar të predikojë është ai që ndikon në shpëtimin e personave që besojnë në të. Ata që dëshirojnë «diturinë nga lart» nuk e përbuzin lajmin e predikuesit vetëm për atë se ai duket si i marrë dhe i përulët, se është i persekutuar dhe shkon nga shtëpia në shtëpi. Në të kundërtën, të urtët do ta respektojnë lajmëtarin e Mbretërisë si një predikues i ngarkuar nga Jehovai dhe që vjen në emër të Perëndisë. Ata do t’i japin rëndësi të madhe lajmit që sjell predikuesi përmes fjalës dhe faqes së shtypur.—Jakovi 3:17; 1. Selanikasve 2:13.
13. (a) Si e konsideronin hebrenjtë dhe grekët predikimin mbi Krishtin në shtyllë? (b) Cilat grupe njerëzish nuk ishin ftuar që të bëhen ithtarë të Jezuit dhe përse?
13 Duke vazhduar diskutimin e tij mbi rrugët e Perëndisë, Pavli thotë: «Hebrenjtë kërkojnë shenja dhe grekët kërkojnë diturinë; por ne predikojmë Krishtin në shtyllë, hebrenjve u sjell pengesa ndërsa kombeve u duket marrëzi; megjithatë, për ata që janë të ftuar, si hebrenj apo grekë, Krishti [është] fuqia e Perëndisë dhe dituria e Perëndisë. Sepse një gjë e marrë e Perëndisë është më e mençur se ajo e njerëzve dhe një gjë e dobët e Perëndisë është më e fuqishme se ajo e njerëzve. Sepse shikoni ftesën tuaj vëllezër, nuk janë ftuar shumë të mençur në mënyrë trupore, as shumë të fuqishëm, as shumë fisnikë të lindur; por Perëndia zgjodhi gjërat e marra të botës, për t’i turpëruar të mençurit; dhe Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës, për t’i turpëruar të fuqishmet.»—1. Korintasve 1:22-27, NW; krahaso Isaia 55:8, 9.
14. (a) Mbi çfarë tërheqin vëmendjen Dëshmitarët e Jehovait kur pyeten se çfarë kredencialesh kanë? (b) Përse Pavli refuzoi t’u pëlqejë grekëve duke nxjerrë në pah diturinë e botës?
14 Kur Jezui ishte në tokë, hebrenjtë kërkonin një shenjë nga qielli. (Mateu 12:38, 39; 16:1) Por, Jezui refuzoi të japë çfarëdolloj shenje. Ngashëm sot Dëshmitarët e Jehovait nuk tregojnë asnjë kredencial të ngjashëm shenjave. Por, tërheqin vëmendjen mbi detyrën që i është besuar, predikimin e lajmit të mirë, për të cilin flitet në rreshtat biblike siç janë Isaia 61:1, 2; Marku 13:10; dhe Zbulesa 22:17. Grekët e vjetër kërkonin dituri, arsimim të lartë në gjërat e kësaj bote. Pavli edhe pse ishte i arsimuar në diturinë e kësaj bote, refuzoi t’ua bëjë qejfin grekëve, duke nxjerrë në pah atë dituri. (Vepra 22:3) Ai fliste dhe shkruante në greqishten e njerëzve të thjeshtë dhe jo në greqishten klasike. Pavli u tha Korintasve: «Kur erdha tek ju, o vëllezër, nuk erdha për t’ju shpjeguar sekretin e shenjtë të Perëndisë, me fjalë dhe dituri ekstravagante. . . . Fjala ime dhe ajo që predikova nuk përbëhej nga fjalë të ditura që mbushin mendjen, por ishin demonstrim i frymës së shenjtë dhe i fuqisë, me qëllim që besimi juaj të mos ishte në diturinë e njerëzve, por në fuqinë e Perëndisë.—1. Korintasve 2:1-5.
15. Çfarë u përkujtoi Pjetri përqeshësve të lajmit të mirë dhe në çfarë kuptimi situata e sotme është e ngjashme me atë të ditëve të Noes?
15 Në këto ditë të fundit, apostulli Pjetër i përkujton ata që përqeshin lajmin e mirë mbi botën e re të Perëndisë dhe mbi fundin e afërt të kësaj bote, se bota e ditëve të Nojes «u shkatërrua kur u përmbyt me ujë». (2. Pjetrit 3:3-7) Çfarë bëri Noeja, kur u afrua ai fund katastrofik? Shumë mendojnë mbi të, vetëm si një ndërtues të arkës. Por, Pjetri thotë që kur Perëndia solli Përmbytjen mbi botën e vjetër, «shpëtoi Noeja, lajmëtari i drejtësisë, me shtatë të tjerë.» (2. Pjetrit 2:5) Në diturinë e tyre botërore, pabesimtarët që jetuan para Përbytjes, padyshim përqeshnin Noenë për atë që predikonte dhe e përcaktonin të marrë, utopist dhe jopraktik. Sot, të krishterët e vërtetë gjënden në një situatë të njëjtë, meqë Jezui e krahasoi gjeneratën tonë me atë të ditëve të Noes. Megjithatë, çdo gjë që mund të mendojnë përqeshësit, predikimi i lajmit të mirë mbi Mbretërinë nuk është vetëm e folura. Ashtu si predikimi i kryer nga Noeja, ajo do të thotë shpëtim për predikuesin dhe për ata që e dëgjojnë!—Mateu 24:37-39; 1. Timoteut 4:16.
«Të bëhesh i marrë për t’u bërë i mençur»
16. Ç’do të ndodhë në Harmagedon me diturinë e kësaj bote dhe kush do të mbijetojnë për të hyrë në botën e re të Perëndisë?
16 Së shpejti, në Harmagedon, Perëndia Jehova do të zhdukë të gjithë «diturinë e të mençurve.» Ai do të fshijë të gjithë «inteligjenciën e intelektualëve», që sipas thënieve të të cilëve rregullimi i tyre botëror do të sjellë kushte më të mira për njerëzimin. «Lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Gjithëfuqishëm» do të bëjë shkrumb e hi të gjitha sofistikimet, filozofitë dhe diturinë e kësaj bote. (1. Korintasve 1:19; Zbulesa 16:14-16, NW) Të vetmit që do ta mbijetojnë atë luftë dhe do të fitojnë jetën në botën e re të Perëndisë do të jenë ata, të cilët i janë bindur asaj që kjo botë e konsideron të marrë, lajmit të mirë madhështor të Mbretërisë së Jehovait.
17. Në çfarë kuptimi Dëshmitarët e Jehovait janë bërë «të marrë» dhe çfarë janë të vendosur të bëjnë predikuesit e lajmit të mirë të Perëndisë?
17 Dëshmitarët e Jehovait, të udhëhequr nga fryma e tij, nuk turpërohen të predikojnë atë që për botën është marrëzi. Në vend që të kërkojnë të bëhen të mençur, sipas pikëpamjes së kësaj bote, ata janë bërë «të marrë». Në çfarë mënyre? Duke kryer veprën e predikimit të Mbretërisë që të bëhen të mençur, sikur që shkruante Pavli: «Nëse ndonjë prej jush mendon se është i mençur në këtë sistem të gjërave, të bëhet i marrë, me qëllim që të bëhet i mençur.» (1. Korintasve 3:18-20, NW) Predikuesit e lajmit të mirë të Jehovait e njohin vlerën jetëshpëtuese të lajmit të tyre dhe do të vazhdojnë ta lajmërojnë pa pushim deri në fund të kësaj bote dhe të diturisë së saj në luftën e Harmagedonit. Shpejt Perëndia Jehova do të hakmerret për sovranitetin e tij universal dhe do t’u japë jetën e përhershme të gjithë atyre që tani besojnë dhe veprojnë sipas «marrëzisë së asaj që predikohet.»
[Shënimi]
a Krahas të gjitha debateve filozofike dhe kërkimeve të njerëzve të mençur të Greqisë së vjetër, shkrimet e tyre tregojnë se ata nuk kanë gjetur asnjë bazë të vërtetë për shpresë. Profesorët J. R. S. Sterrett dhe Samuel Angus përfundojnë: «Asnjë literaturë nuk përmban më tepër vajtime patetike mbi brengat e jetës, kalimin e dashurisë, mashtrueshmërinë e shpresës dhe pashmangshmërinë e vdekjes.»—Funk and Wagnalls New “Standard” Bible Dictionary, 1936 («Standardi» i ri i fjalorit biblik Funk dhe Wagnalls, 1936), faqe 313.
Pyetjet për përsëritje
◻ Cilat janë dy llojet e diturisë?
◻ Cila është e meta themelore e diturisë së botës?
◻ Përse predikimi i lajmit të mirë është gjëja më praktike që mund të bëhet?
◻ Ç’do të ndodhë së shpejti me të gjithë diturinë e botës?
◻ Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk turpërohen të predikojnë atë që për botën është marrëzi?
[Figura në faqen 23]
Grekët kanë kërkuar diturinë e botës dhe shpeshherë predikimin e Pavlit e kanë quajtur marrëzi