A po i reziston frymës së botës?
«Ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia.»—1. KORINTASVE 2:12.
1, 2. Ç’katastrofë ndodhi në Bopal, Indi, për shkak të një gazi helmues dhe cili «gaz» më vdekjeprurës thithet në gjithë botën?
NJË natë të ftohtë dhjetori të vitit 1984, në Bopal, Indi ndodhi diçka e tmerrshme. Në atë qytet ndodhet një uzinë kimike dhe atë natë dhjetori në një serbator gazi nuk funksiononte mirë një valvul. Befas, tonelata acidi izocianik filluan të zbrazeshin në ajër. I shtyrë nga era, ky gaz vdekjeprurës depërtoi brenda nëpër shtëpi dhe i goditi familjet në gjumë. Të vdekurit numëroheshin me mijëra dhe një numër akoma më i madh njerëzish ishin gjymtuar. Ishte aksidenti më i rëndë industrial që kishte ndodhur deri atëherë.
2 Njerëzit u hidhëruan kur dëgjuan për atë që kishte ndodhur në Bopal. Por, për sa i përket numrit të vdekjeve që shkaktoi, ai la pa jetë shumë më pak njerëz, sesa vriten frymësisht nga një «gaz» që të gjithë njerëzit përreth botës e thithin çdo ditë. Bibla e quan «fryma e botës». Është kjo atmosferë vdekjeprurëse të cilën apostulli Pavël e vuri në kontrast me frymën që vjen nga Perëndia, kur tha: «Ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.»—1. Korintasve 2:12.
3. Ç’është «fryma e botës»?
3 Çfarë është saktësisht «fryma e botës»? Sipas një fjalori (The New Thayer’s Greek English Lexicon of the New Testament), një kuptim i zakonshëm i fjalës «frymë» (greqisht, pneuʹma) është «rregulli apo ndikimi që mbush dhe drejton shpirtin e çdokujt». Një person mund të kenë një rregull apo frymë të mirë ose të keqe. (Psalmi 51:10; 2. Timoteut 4:22) Edhe një grup njerëzish mund të kenë një frymë apo rregull mbizotërues. Apostulli Pavël i shkroi mikut të tij, Filemonit: «Dashamirësia e pamerituar e Zotërisë Jezu Krisht qoftë me frymën që ju tregoni.» (Filemoni 25, BR) Ngjashëm—por në një shkallë më të gjerë—bota në përgjithësi ka një rregull mbizotërues, që është «fryma e botës» së cilës i referohej Pavli. Sipas një studiuesi, «shprehja nënkupton parimin e së ligës që gjallëron botën e papërtërirë». (Vincent, Word Studies in the New Testament) Ajo është prirja mëkatare që përshkon mentalitetin e kësaj bote dhe ndikon fuqishëm në mënyrën e veprimit të njerëzve.
4. Cili është burimi frymës së botës dhe ç’ndikim ka kjo frymë tek njerëzit?
4 Kjo frymë është helmuese. Përse? Sepse buron nga «sundimtari i kësaj bote», Satanai. Në fakt, ai quhet «sunduesi i pushtetit të ajrit, fryma që tani vepron tek bijtë e mosbindjes». (Gjoni 12:31; Efesianëve 2:2, BR) Është vështirë t’i shpëtohet këtij «ajri» apo kësaj «fryme që tani vepron tek bijtë e mosbindjes». Gjendet kudo në shoqërinë njerëzore. Nëse e thithim me anë të frymëmarrjes, fillojmë të adoptojmë qëndrimet dhe qëllimet e saj. Fryma e botës të nxit «të jetosh sipas mishit», ose më mirë sipas papërsosmërisë sonë mëkatare. Ajo është vdekjeprurëse, «sepse nëse jetoni sipas mishit me siguri që do të vdisni».—Romakëve 8:13.
Të shmangim frymën e kësaj bote
5. Si veproi me mençuri një Dëshmitar gjatë katastrofës në Bopal?
5 Gjatë katastrofës në Bopal, një Dëshmitar i Jehovait u zgjua nga sirenat dhe aroma e djegur e gazit helmues. Pa u vonuar, zgjoi familjen e tij dhe u sulën të dilnin jashtë në rrugë. Pasi ndaluan një çast për të përcaktuar drejtimin e erës, ai hapi rrugë midis turmave të hutuara dhe e çoi familjen e tij në majë të një kodre jashtë qytetit. Atje, ata mundën t’i mbushnin mushkëritë me ajrin e pastër e të freskët, që vinte nga një liqen aty afër.
6. Ku mund të shkojmë për t’i shpëtuar frymës së botës?
6 A ekziston një vend i lartë ku mund të shkojmë për t’u mbrojtur nga «ajri» helmues i kësaj bote? Bibla thotë se po. Duke iu referuar ditëve tona, profeti Isaia shkroi: «Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet. Shumë popuj do të vijnë duke thënë: ‘Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.» (Isaia 2:2, 3) Vendi i ngritur i adhurimit të pastër, «mali i shtëpisë së Jehovait» i lartësuar, është i vetmi vend në këtë planet, i lirë nga fryma mbytëse dhe helmuese e kësaj bote. Atje fryma e Jehovait rrjedh lirshëm mes të krishterëve besnikë.
7. Në ç’mënyrë kanë shpëtuar shumë njerëz nga fryma e botës?
7 Shumë njerëz, të cilët më parë thithnin frymën e kësaj bote, janë liruar në të njëjtën mënyrë si ajo që përjetoi ky Dëshmitar në Bopal. Pasi foli për «bijtë e mosbindjes», që thithin ajrin apo frymën e kësaj bote, apostulli Pavël tha: «Ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakminë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët. Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi, edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin.» (Efesianëve 2:3-5) Ata që nuk thithin gjë tjetër përveç ajrit të helmuar të këtij sistemi gjërash, janë të vdekur frymësisht. Megjithatë, falë Jehovait, miliona njerëz sot po strehohen në vendin e lartë frymor, duke i shpëtuar kështu kësaj gjendjeje fatale.
Shfaqja e «frymës së botës»
8, 9. (a) Çfarë tregon fakti se duhet të rrimë gjithnjë vigjilentë kundër frymës së botës? (b) Si mund të na korruptojë fryma e Satanait?
8 Ajri vdekjeprurës i Satanait endet akoma përreth nesh. Duhet të jemi vigjilentë që kurrë të mos shkasim dhe të kthehemi përsëri në botë, ndoshta për të mbetur aty të mbytur frymësisht. Një gjë e tillë kërkon vigjilencë të vazhdueshme. (Luka 21:36; 1. Korintasve 16:13) Shqyrto, për shembull, këtë fakt. Të gjithë të krishterët i njohin mirë normat morale të Jehovait dhe kurrë nuk duhet të jenë të mendimit se praktika të tilla të papastra si: tradhtia bashkëshortore, kurvëria dhe homoseksualiteti janë të pranueshme. Megjithatë, rreth 40.000 persona përjashtohen çdo vit nga organizata e Jehovait. Për ç’arsye? Në shumicën e rasteve për shkak të këtyre praktikave të papastra. Si ka mundësi?
9 Po, sepse të gjithë ne jemi të papërsosur. Trupi është i dobët dhe duhet të luftojmë vazhdimisht kundër prirjeve të gabuara që shfaqen në zemrën tonë. (Eklisiastiu 7:20; Jeremia 17:9) Megjithatë, këto prirje të gabuara ushqehen nga fryma e botës. Shumë njerëz në botë s’shohin asgjë të keqe në imoralitetin dhe ideja se gjithçka është e ligjshme është pjesë e mentalitetit të sistemit të gjërave të Satanait. Nëse e ekspozojmë veten ndaj mendimeve të tilla, përse jo, ka shumë mundësi që edhe ne të fillojmë të mendojmë si bota. Para së gjithash, mendime të tilla të papastra mund t’ia lënë vendin dëshirave të gabuara që përfundojnë në mëkate serioze. (Jakovi 1:14, 15) Do të largoheshim nga mali i adhurimit të pastër të Jehovait, për të zbritur në fushën e fëlliqur të botës së Satanait. Askush që mbetet atje me dëshirën e tij, nuk do ta trashëgojë jetën e përhershme.—Efesianëve 5:3-5, 7.
10. Cila është një nga shfaqjet e ajrit të Satanait dhe përse të krishterët duhet ta shmangin atë?
10 Fryma e botës duket gjithkund përreth nesh. Për shembull, në qëndrimin e paturpshëm dhe sarkastik me të cilin shumë njerëz i afrohen jetës. Të zhgënjyer nga politikanët e korruptuar e të paarsyeshëm dhe nga udhëheqësit fetarë lakmitarë e imoralë, ata flasin pa respekt edhe për gjërat serioze. Të krishterët i rezistojnë kësaj prirjeje. Edhe pse nuk ka asgjë të keqe të kesh një ndjenjë të shëndoshë humori, ne shmangim futjen e frymës së sarkazmës së mosrespektit në kongregacion. E folura e një të krishteri pasqyron frikë ndaj Jehovait dhe pastërti në zemër. (Jakovi 3:10, 11; krahaso Proverbat 6:14) Të rinj apo të vjetër qofshim, e folura jonë duhet të jetë «gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit».—Kolosianëve 4:6.
11. (a) Cili është aspekti i dytë i frymës së botës? (b) Përse të krishterët janë të ndryshëm nga ata që pasqyrojnë këtë aspekt?
11 Një tjetër prirje e zakonshme që pasqyron frymën e botës, është urrejtja. Bota është përçarë nga urrejtje dhe armiqësi të bazuara në ndryshimet raciale, etnike, kombëtare madje edhe personale. Gjërat shkojnë shumë më mirë atje ku vepron fryma e Perëndisë! Apostulli Pavël shkroi: «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara të gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.’ ‘Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë, sepse duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.’ Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.»—Romakëve 12:17-21.
12. Përse të krishterët duhet të shmangin materializmin?
12 Fryma e botës nxit gjithashtu edhe materializmin. Të nxitur nga bota tregtare, shumë njerëz janë të pushtuar nga mjetet e reja, moda dhe modelet e reja të makinave të kohës së fundit. Ata janë skllevër të «dëshirës së syve». (1. Gjonit 2:16) Shumica e njerëzve e përcaktojnë suksesin e tyre në jetë nga përmasat e shtëpisë së tyre apo nga llogaria në bankë. Të krishterët, duke thithur ajrin e pastër frymor në malin e lartë të adhurimit të pastër të Jehovait, i rezistojnë kësaj prirjeje. Ata e dinë se ndjekja me vendosmëri e gjërave materiale mund të jetë rrënuese. (1. Timoteut 6:9, 10) Jezui u kujtoi dishepujve të tij: «Jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron.»—Luka 12:15.
13. Cilat janë disa shfaqje të tjera të frymës së botës?
13 Ka edhe shfaqje të tjera të «ajrit» të pashëndetshëm të kësaj bote. Njëra prej tyre është fryma e rebelimit. (2. Timoteut 3:1-3) A ke vërejtur se shumë njerëz nuk bashkëpunojnë më me autoritetet? A ke vënë re në vendin tënd të punës se sa i përhapur është zakoni për të mos punuar të paktën sa nuk është dikush që të rri mbi kokë? Sa njerëz që kanë thyer ligjet njeh—ndoshta duke mashtruar në pagimin e taksave ose duke vjedhur në vendin e punës? Nëse akoma shkon në shkollë, a ke qenë i shkurajuar ndonjëherë që të jesh më i miri, për shkak se shokët e shkollës i shikojnë me urrejtje ata që kanë sukses në mësime? Të gjitha këto janë shfaqje të frymës së botës, të cilave të krishterët duhet t’u rezistojnë.
Si t’i rezistojmë frymës së kësaj bote
14. Në cilat mënyra të krishterët janë të ndryshëm nga jo të krishterët?
14 Megjithatë, si mund t’i rezistojmë frymës së botës, kur aktualisht ne jetojmë në botë? Duhet të mos harrojmë se s’ka rëndësi se ku ndodhemi fizikisht, frymësisht ne nuk jemi pjesë e botës. (Gjoni 17:15, 16) Synimet tona nuk janë ato të botës. Pikëpamja jonë mbi gjërat është e ndryshme. Ne jemi popull frymor që flasim dhe mendojmë «jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjërat frymore me fjalë frymore».—1. Korintasve 2:13.
15. Si mund t’i rezistojmë frymës së botës?
15 Ç’duhet të bëjë një person, nëse gjendet në një zonë të ndotur me gaz helmues? Mund të veshë një maskë antigaz të lidhur me një burim ajri të pastër, ose mund të largohet fizikisht nga zona. Mënyra për të shmangur ajrin e Satanait ndërthuret me këto metoda. Ne përpiqemi aq sa është e mundur të largohemi fizikisht nga çdo gjë që do t’i jepte mundësi frymës së botës të ndikonte mënyrën tonë të të menduarit. Prandaj, shmangim shoqëritë e këqija dhe nuk e ekspozojmë veten ndaj çdo lloj zbavitjeje që përkrah dhunën, imoralitetin, spiritizmin, rebelimin apo çdo vepër tjetër të trupit. (Galatasve 5:19-21) Megjithatë, përderisa jetojmë në botë, nuk mund të shmangim plotësisht ekspozimin ndaj këtyre gjërave. Prandaj, veprojmë me mençuri, nëse lidhemi frymësisht me një burim ajri të pastër. Si të themi, i mbushim mushkëritë tona frymore me ajër të freskët, duke marrë pjesë rregullisht në mbledhje, duke bërë studim personal, duke u shoqëruar e duke marrë pjesë në aktivitetet e krishtere dhe duke u lutur. Në këtë mënyrë, nëse depërton pak ajër nga Satanai në mushkëritë tona, fryma e Perëndisë na forcon për ta dëbuar atë.—Psalmi 17:1-3; Proverbat 9:9; 13:20; 19:20; 22:17.
16. Si tregojmë se e kemi frymën e Perëndisë?
16 Fryma e Perëndisë e bën një të krishterë një person mjaft të ndryshëm nga ata që janë pjesë e kësaj bote. (Romakëve 12:1, 2) Pavli tha: «Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.» (Galatasve 5:22, 23) Fryma e Perëndisë i jep gjithashtu një të krishteri një kuptueshmëri më të thellë për gjërat. Pavli tha: «Asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.» (1. Korintasve 2:11) Në kuptimin e përgjithshëm, «gjërat e Perëndisë» përfshijnë të vërteta të tilla si: sakrifica shpërblerëse, Mbretëria e Perëndisë nën Jezu Krishtin, shpresa për jetën e përhershme dhe eliminimi i pashmangshëm i kësaj bote të ligë. Me ndihmën e frymës së Perëndisë, të krishterët i njohin dhe i pranojnë këto gjëra si të vërteta dhe kjo e bën të ndryshme pikëpamjen e tyre mbi jetën në krahasim me atë të njerëzve të botës. Ata janë të kënaqur që gjejnë gëzim në shërbim të Jehovait tani, me perspektivën për t’i shërbyer atij në të ardhmen për gjithë përjetësinë.
17. Kush dha shembullin më të mirë lidhur me rezistimin ndaj frymës së botës dhe si?
17 Jezui ishte modeli më i mirë i sjelljes për ata që i rezistojnë frymës së botës. Menjëherë pas pagëzimit të Jezuit, Satanai u përpoq ta kthente atë nga shërbimi i Jehovait, duke i paraqitur tri tundime. (Mateu 4:1-11) Ajo e fundit i jepte mundësi Jezuit të vendoste sundimin në të gjithë botën vetëm për një akt adhurimi ndaj Satanait. Jezui mund të kishte arsyetuar kështu: «Epo, po e bëj këtë akt adhurimi dhe pastaj pasi të vendos sundimin mbi botën, do të pendohem dhe do të kthehem të adhuroj Jehovain. Si sundimtar i botës do të jem në pozita më të mira për t’i ardhur në ndihmë njerëzimit, sesa tani si marangoz nga Nazareti.» Jezui nuk arsyetoi kështu. Ai ishte i gatshëm të priste derisa Jehovai t’i jepte sundimin e botës. (Psalmi 2:8) Në atë rast dhe në raste të tjera të jetës së tij, ai i rezistoi ndikimit helmues të ajrit të Satanait. Kështu, ai fitoi mbi këtë botë të ndotur frymësisht.—Gjoni 16:33.
18. Si i sjell lavdi Perëndisë rezistimi ndaj frymës së botës?
18 Apostulli Pjetër tha se ne duhet të ndjekim me kujdes hapat e Jezuit. (1. Pjetrit 2:21) A mund të kemi një model më të mirë? Në këto ditë të fundit, të ndikuar nga fryma e botës, njerëzit po zhyten gjithnjë e më thellë në korruptim. Ç’gjë e mrekullueshme është që në mes të kësaj bote, vendi i ngritur i adhurimit të Jehovait vazhdon të qëndrojë i pastër! (Mikea 4:1, 2) Sigurisht, fuqia e frymës së Perëndisë shihet në faktin se miliona njerëz derdhen në vendin e adhurimit të Perëndisë, duke i rezistuar frymës së kudondodhur të kësaj bote dhe duke i sjellë nder dhe lavdi Jehovait! (1. Pjetrit 2:11, 12) Secili prej nesh le të jetë i vendosur për të qëndruar në atë vend të ngritur derisa Mbreti i mirosur i Jehovait të zhdukë këtë botë të ligë e të hedhë në humnerë Satana Djallin e demonët e tij. (Zbulesa 19:19–20:3) Kështu, fryma e kësaj bote nuk do të ekzistojë më. Ç’kohë e bekuar do të jetë!
A mund të shpjegosh?
◻ Çfarë është fryma e botës?
◻ Si ndikon fryma e botës tek njerëzit?
◻ Cilat janë disa shfaqje të frymës së botës dhe si mund t’i shmangim ato?
◻ Si tregojmë se e kemi frymën e Perëndisë?
◻ Cilat bekime vijnë tek ata që i rezistojnë frymës së botës?
[Figura në faqet 16, 17]
Fryma e botës është nga Satanai
Për të shmangur frymën e botës, strehohu në vendin e ngritur të adhurimit të Jehovait