Shërbeji Perëndisë që të bën të lirë
«Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 GJON. 5:3.
A MUND TË PËRGJIGJESH?
Si orvatet Satanai që ligjet e Perëndisë t’i bëjë të duken të rënda?
Pse duhet të jemi jashtë mase të kujdesshëm për shoqëritë që zgjedhim?
Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë ndaj Perëndisë që na bën të lirë?
1. Si e konsideron Jehovai lirinë? Si e tregoi këtë me Adamin dhe Evën?
JEHOVAI është i vetmi Person që ka liri absolute. Megjithatë, kurrë nuk e keqpërdor këtë liri dhe as nuk e konsideron si një të drejtë që e ka vetëm ai, duke kontrolluar çdo gjë të vogël që bëjnë shërbëtorët e tij. Përkundrazi, u ka dhënë vullnetin e lirë falë të cilit mund të marrin iniciativë dhe të kënaqin dëshirat e tyre të përshtatshme. Për shembull, Perëndia i dha Adamit dhe Evës vetëm një urdhër kufizues: të mos hanin nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». (Zan. 2:17) Sa shumë liri kishin ndërsa kryenin vullnetin e Krijuesit!
2. Pse prindërit tanë të parë e humbën lirinë që u kishte dhënë Perëndia?
2 Pse Perëndia u dha prindërve tanë të parë kaq shumë liri? Ai i krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij dhe u dha një ndërgjegje, duke pritur me të drejtë që dashuria e tyre për të si Krijuesi t’i drejtonte në udhën e duhur. (Zan. 1:27; Rom. 2:15) Mjerisht, Adami dhe Eva nuk e çmuan Jetëdhënësin e tyre të mrekullueshëm dhe lirinë që u kishte dhënë. Përkundrazi, zgjodhën lirinë e paligjshme që u ofroi Satanai, e cila ishte pavarësi morale. Në vend që të fitonin më tepër liri, prindërit tanë të parë shitën veten dhe pasardhësit në skllavërinë e mëkatit, duke sjellë pasoja shkatërrimtare.—Rom. 5:12.
3, 4. Si orvatet Satanai të na mashtrojë për sa u përket normave të Jehovait?
3 Nëse Satanai arriti të shtynte dy njerëz të përsosur—për të mos përmendur shumë krijesa frymore—që të hidhnin poshtë sovranitetin e Perëndisë, mund të na mashtrojë edhe ne. Strategjia e tij mbetet pak a shumë e njëjtë. Përpiqet të na mashtrojë që të besojmë se normat e Jehovait janë të rënda e na heqin kënaqësinë dhe emocionet e jetës. (1 Gjon. 5:3) Kjo mënyrë të menduari mund të ndikojë fuqishëm nëse ekspozohemi vazhdimisht ndaj saj. Një motër 24-vjeçare që kishte kryer imoralitet tha: «Shoqëritë e këqija ndikuan tej mase tek unë, sidomos ngaqë kisha frikë se mos opinionet e mia ndryshonin nga ato të moshatarëve të mi.» Ndoshta edhe ti e ke përjetuar në mënyrë të ngjashme presionin e moshatarëve.
4 Mjerisht, ndonjëherë ndikimi negativ i moshatarëve mund të vijë edhe nga brenda kongregacionit të krishterë. Një Dëshmitar i ri në moshë tha: «Njihja disa të rinj që kishin lidhje romantike me jobesimtarë. Por pastaj vura re se sa më shumë kohë kaloja me ta, aq më shumë bëhesha si ta. Fillova të bija nga ana frymore. Nuk kënaqesha më me ushqimin frymor në mbledhje dhe mezi dilja në shërbim. Ky ishte për mua sinjali që të ndërpritja shoqëritë, dhe kështu bëra.» A je i vetëdijshëm për ndikimin që mund të kenë te ti shoqëritë e tua? Të shqyrtojmë një shembull biblik që mund të na ndihmojë edhe ne sot.—Rom. 15:4.
U VODHI ZEMRAT
5, 6. Si i mashtroi Absalomi të tjerët? A pati sukses taktika e tij?
5 Bibla përmban shumë shembuj të atyre që ndikuan keq te të tjerët. Një shembull i tillë është Absalomi, biri i mbretit David. Absalomi ishte një burrë shumë tërheqës. Por me kalimin e kohës, ashtu si Satanai, zemra e tij u mbush me ambicie sepse filloi të lakmonte fronin e të atit, të cilin nuk kishte të drejtë ta merrte.a Në një orvatje dinake për të rrëmbyer mbretërinë, Absalomi u shtir sikur merakosej shumë për bashkëkombësit e tij izraelitë. Me dhelpëri, ai la të kuptohej se në oborrin mbretëror nuk donin t’ia dinin për ta. Po, ashtu si Djalli në kopshtin e Edenit, Absalomi u hoq si bamirës, por ndërkohë përfliste mizorisht të atin.—2 Sam. 15:1-5.
6 A pati sukses taktika dinake e Absalomit? Deri në njëfarë mase po, sepse tregimi biblik thotë: «Absalomi u vidhte zemrat njerëzve të Izraelit.» (2 Sam. 15:6) Gjithsesi, në fund arroganca e çoi Absalomin në rrëzim. Dhe tragjikisht çoi edhe në vdekjen e tij e të mijëra të tjerëve që u mashtruan nga ai.—2 Sam. 18:7, 14-17.
7. Ç’mësime nxjerrim nga tregimi për Absalomin? (Shih figurën në faqen 14.)
7 Pse u mashtruan aq lehtë ata izraelitë? Mbase i dëshironin gjërat që u premtoi Absalomi. Ose ndoshta u ndikuan nga pamja e tij fizike. Sido që të ketë qenë, jemi të sigurt për këtë: ata nuk u treguan besnikë ndaj Jehovait dhe ndaj mbretit të emëruar prej tij. Sot Satanai vazhdon të përdorë «Absalomë» që t’u vjedhë zemrat shërbëtorëve të Jehovait. Ata mund të thonë: «Normat e Jehovait janë tepër kufizuese. Pa shih gjithë njerëzit që nuk i shërbejnë Jehovait. Të gjithë bëjnë qejf!» A do ta kuptosh se këto janë gënjeshtra të urryera dhe do të qëndrosh besnik ndaj Perëndisë? A do ta pranosh se vetëm ‘ligji i përsosur’ i Jehovait, ligji i Krishtit, mund të të sjellë liri të vërtetë? (Jak. 1:25) Nëse po, çmoje këtë ligj dhe kurrë mos u tundo ta keqpërdorësh lirinë e krishterë që gëzon.—Lexo 1 Pjetrit 2:16.
8. Cilët shembuj realë ilustrojnë se shpërfillja e normave të Jehovait nuk sjell lumturi?
8 Të rinjtë janë në veçanti shënjestër e Satanait. Një vëlla që tani është te të 30-at, tha për vitet e adoleshencës: «I shihja normat morale të Jehovait si kufizime e jo si mbrojtje.» Si pasojë, kreu imoralitet. Por kjo nuk i solli lumturi. Ai tha: «Ndjenjat e thella të fajit dhe brejtjet e ndërgjegjes vazhduan për shumë vjet.» Duke menduar për vitet e adoleshencës, një motër shkroi: «Pasi ke kryer imoralitet, ndihesh e mpirë dhe bosh. Edhe tani pas 19 vjetësh, më vijnë ndër mend kujtime të këqija.» Një motër tjetër pohoi: «Ndihesha e shkatërruar mendërisht, frymësisht dhe emocionalisht kur mendoja se sjellja ime i kishte dërrmuar njerëzit që doja aq shumë. Është e tmerrshme të jetosh pa miratimin e Jehovait.» Satanai nuk do që të mendosh për këto pasoja të mëkatit.
9. (a) Cilat pyetje mund të na ndihmojnë të analizojmë pikëpamjen tonë për Jehovain dhe për ligjet e parimet e tij? (b) Pse është e rëndësishme ta njohim mirë Perëndinë?
9 Sa e trishtueshme është që shumë Dëshmitarë të rinj në moshë—madje edhe të rritur—e kanë provuar mbi kurriz se kënaqësitë mëkatare shpesh kanë një çmim të lartë! (Gal. 6:7, 8) Prandaj pyet veten: «A i konsideroj intrigat e Satanait ashtu siç janë në të vërtetë—mashtrime mizore? A e konsideroj Jehovain si Mikun më të ngushtë, që thotë gjithnjë të vërtetën dhe do më të mirën për mua? A jam plotësisht i bindur se ai kurrë nuk do të më kursente asgjë që është vërtet e mirë dhe që do të më bënte jashtë mase të lumtur?» (Lexo Isainë 48:17, 18.) Që të thuash po me gjithë zemër, nuk duhet të kesh vetëm një njohuri sipërfaqësore për Jehovain. Ke nevojë ta njohësh mirë dhe të kuptosh se ligjet e parimet biblike pasqyrojnë dashurinë e tij për ty, e jo dëshirën për të të zënë frymën.—Psal. 25:14.
LUTU PËR NJË ZEMËR TË MENÇUR E TË BINDUR
10. Pse duhet të përpiqemi të imitojmë mbretin e ri Solomon?
10 Kur ishte ende i ri, Solomoni tha përulësisht në lutje: «Unë s’jam veçse një fëmijë dhe pa përvojë.» Më pas u lut për një zemër të mençur e të bindur. (1 Mbret. 3:7-9, 12) Jehovai iu përgjigj asaj kërkese të sinqertë dhe do të bëjë njësoj edhe me ty, pavarësisht nëse je i ri a i moshuar. Natyrisht, Jehovai nuk do të të japë me ndonjë mrekulli gjykim të thellë dhe mençuri. Por do të të bëjë të mençur nëse studion me zell Fjalën e tij, lutesh për frymën e shenjtë dhe përfiton plotësisht nga masat frymore që sigurohen nëpërmjet kongregacionit të krishterë. (Jak. 1:5) Faktikisht, nëpërmjet këtyre mjeteve, Jehovai bën që edhe shërbëtorët e tij të rinj të jenë më të mençur se të gjithë ata që shpërfillin këshillat e tij, madje edhe më shumë se të ashtuquajturit ‘të mençur e të zgjuar’ të kësaj bote.—Luka 10:21; lexo Psalmin 119:98-100.
11-13. (a) Ç’mësime të vlefshme mund të nxjerrim nga Psalmi 26:4, Proverbat 13:20 dhe 1 Korintasve 15:33? (b) Si do t’i zbatoje këto parime biblike?
11 Për të ilustruar se sa i vlefshëm është studimi i Biblës dhe meditimi rreth asaj që lexojmë me qëllim që të njohim mirë Jehovain, shqyrto shkrimet vijuese. Secili përmban një parim të rëndësishëm për zgjedhjen e shoqërive: «Nuk rri me njerëz që nuk ecin në të vërtetën, dhe nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.» (Psal. 26:4) «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Prov. 13:20) «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1 Kor. 15:33.
12 Ç’mësime të vlefshme mund të nxjerrim nga këto shkrime? (1) Jehovai do që të jemi përzgjedhës në lidhje me shoqëritë. Do që të na mbrojë moralisht dhe frymësisht. (2) Njerëzit me të cilët shoqërohemi ndikojnë për mirë ose për keq te ne; kjo është një e vërtetë e jetës. Mënyra si janë formuluar vargjet e mësipërme tregon se Jehovai po i bën thirrje zemrës sonë. Në ç’kuptim? Vër re se asnjë prej tyre s’është paraqitur si rregull, si për shembull: «Nuk duhet të . . . » Përkundrazi, janë shkruar si të vërteta të drejtpërdrejta. Është sikur Jehovai po na thotë: «Këto janë faktet. Si do të reagosh? Çfarë ke në zemër?»
13 Së fundi, meqë të tria vargjet paraqiten si të vërteta bazë, ato vlejnë për çdo kohë dhe kanë një zbatim shumë të gjerë. Për ta ilustruar, bëji vetes këto pyetje: si ta shmang shoqërinë me ata individë «që e fshehin se ç’janë»? Në cilat situata mund të kem kontakt me ta? (Prov. 3:32; 6:12) Cilët janë «të mençurit» me të cilët Jehovai do që të shoqërohem? Cilët janë «budallenjtë» që dëshiron t’i shmang? (Psal. 111:10; 112:1; Prov. 1:7) Cilat ‘zakone të dobishme’ do të prish duke zgjedhur shoqëri të këqija? A do të ndesh shoqëri të këqija vetëm në botë? (2 Pjet. 2:1-3) Si do t’u përgjigjeshe këtyre pyetjeve?
14. Si mund ta pasuroni mbrëmjen e Adhurimit Familjar?
14 Pasi ke arsyetuar kështu nga Shkrimet, pse të mos shqyrtosh vargje të tjera biblike që zbulojnë mënyrën e të menduarit të Perëndisë për gjërat që kanë të bëjnë me ty ose me familjen tënde?b Prindër, mendoni si t’i diskutoni këto tema gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar. Ndërsa bëni këtë, mbani parasysh se synimi juaj është që të ndihmoni çdo pjesëtar të familjes të kuptojë më mirë se sa e thellë është dashuria e Perëndisë për ne, ashtu siç është zbuluar në ligjet dhe parimet e tij. (Psal. 119:72) Faktikisht, një studim i tillë duhet t’i afrojë më tepër të gjithë pjesëtarët e familjes me Jehovain dhe me njëri-tjetrin.
15. Si mund ta dallosh nëse po zhvillon një zemër të mençur e të bindur?
15 Si mund ta dish nëse po zhvillon një zemër të mençur e të bindur? Një mënyrë është duke krahasuar mendimet e tua me ato të besnikëve të lashtësisë, si mbreti David që shkroi: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» (Psal. 40:8) Po kështu, shkrimtari i Psalmit 119 tha: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.» (Psal. 119:97) Një dashuri e tillë nuk rritet në një truall të cekët. Përkundrazi, vjen si rezultat i studimit të thellë, lutjeve, meditimit dhe përvojës, pra duke parë në jetën tënde bekimet e panumërta që vijnë kur u përmbahesh normave të Perëndisë.—Psal. 34:8.
LUFTO PËR LIRINË TËNDE TË KRISHTERË!
16. Çfarë duhet të mos harrojmë nëse duam të fitojmë luftën për lirinë e vërtetë?
16 Gjatë historisë, kombet kanë luftuar mizorisht në emër të lirisë. Sa më shumë duhet të jesh gati të luftosh në kuptimin frymor për lirinë tënde të krishterë! Mos harro që armiqtë e tu nuk janë vetëm Satanai, bota dhe fryma e saj helmuese. Të duhet të luftosh edhe me papërsosmëritë e tua, përfshirë zemrën e pabesë. (Jer. 17:9; Efes. 2:3) Por me ndihmën e Jehovait mund ta fitosh luftën. Për më tepër, çdo fitore, e madhe ose e vogël, do të ketë të paktën dy rezultate pozitive. Së pari, do t’ia gëzosh zemrën Jehovait. (Prov. 27:11) Së dyti, ndërsa shijon fuqinë çliruese të ‘ligjit të përsosur të Perëndisë që sjell liri’, do të bëhesh edhe më i vendosur të qëndrosh në ‘rrugën e ngushtë’ që të çon në jetën e përhershme. Me kalimin e kohës do të gëzosh edhe më shumë liri, lirinë që do të gëzojnë në të ardhmen besnikët e Jehovait.—Jak. 1:25; Mat. 7:13, 14.
17. Pse nuk duhet të na lëshojë zemra për shkak të papërsosmërive tona? Ç’ndihmë na jep Jehovai?
17 Patjetër, ndonjëherë të gjithë bëjmë gabime. (Ekl. 7:20) Kur ndodh kjo, mos u ndie i pavlerë ose i shkurajuar së tepërmi. Në qoftë se, si të thuash, pengohesh, ngrihu dhe ec përpara—edhe nëse kjo nënkupton të kërkosh ndihmën e pleqve. Jakovi shkroi: «Lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.» (Jak. 5:15) Po, kurrë mos harro se Perëndia është vërtet i mëshirshëm dhe se ai të ka tërhequr në kongregacion ngaqë ka parë potencialin tënd. (Lexo Psalmin 103:8, 9.) Pra, për sa kohë të vazhdosh t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër, ai kurrë nuk do të të braktisë.—1 Kron. 28:9.
18. Si mund të veprojmë në përputhje me lutjen e Jezuit të dokumentuar te Gjoni 17:15?
18 Kur po lutej natën e fundit që ishte me 11 apostujt besnikë, Jezui tha për ta këto fjalë të paharrueshme: «T’i ruash nga i ligu.» (Gjoni 17:15) Jezui nuk shqetësohej vetëm për apostujt, por edhe për të gjithë dishepujt e tij. Prandaj, jemi të sigurt se Jehovai do t’i përgjigjet lutjes së Jezuit duke na ruajtur në këto kohë kritike. «Për ata që ecin me integritet, [Jehovai] është mburojë. Ai . . . do të ruajë udhën e besnikëve të tij.» (Prov. 2:7, 8) Po, udha e integritetit nuk është pa sfida, por është e vetmja që të çon në jetën e përhershme dhe në lirinë e vërtetë. (Rom. 8:21) Mos lejo askënd të të mashtrojë që të largohesh nga kjo udhë!
[Shënimet]
a Premtimin për ‘një farë’ që do të trashëgonte fronin, Perëndia ia dha Davidit pas lindjes së Absalomit. Prandaj, Absalomi duhet ta ketë ditur se Jehovai nuk e kishte zgjedhur si pasues të Davidit.—2 Sam. 3:3; 7:12.
b Shembuj të mirë janë 1 Korintasve 13:4-8, ku Pavli përshkruan dashurinë, dhe Psalmi 19:7-11, ku tregohen bekimet e shumta që vijnë duke iu bindur ligjeve të Jehovait.
[Figurat në faqen 14]
Si mund t’i identifikojmë «Absalomët» e ditëve të sotme dhe të ruhemi prej tyre?