Të vendosur për të dhënë dëshmi të plotë
«Na urdhëroi t’i predikonim popullit dhe t’i jepnim dëshmi të plotë.»—VEP. 10:42.
1. Cilin caktim theksoi Pjetri kur foli para Kornelit?
CENTURIONI italian mblodhi të afërmit dhe miqtë. Ai rast do të bëhej një pikë kthese në marrëdhënien e Perëndisë me njerëzit. Ky njeri me frikë Perëndie ishte Korneli. Apostulli Pjetër i tha këtij grupi njerëzish se apostujt morën urdhrin që ‘t’i predikonin popullit dhe t’i jepnin dëshmi të plotë’ për Jezuin. Dëshmia e Pjetrit solli shumë fryt. Johebrenjtë e parrethprerë morën frymën e Perëndisë, u pagëzuan dhe fituan shpresën për të qenë mbretër në qiell bashkë me Jezuin. Ç’rezultat të shkëlqyer pati dëshmia e plotë e Pjetrit!—Vep. 10:22, 34-48.
2. Si e dimë se përgjegjësia për të dhënë dëshmi nuk ishte vetëm për 12 apostujt?
2 Kjo ndodhi në vitin 36 të e.s. Rreth dy vjet më parë, një kundërshtar i flaktë i krishterimit pati një përvojë që ia ndryshoi jetën. Sauli nga Tarsi ishte udhës për në Damask kur iu shfaq Jezui e i tha: «Hyr në qytet, pastaj do të të thuhet ç’duhet të bësh.» Jezui e siguroi dishepullin Anania se Sauli do t’u jepte dëshmi «kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit». (Lexo Veprat 9:3-6, 13-20.) Kur ishte me Saulin, Anania tha: «Perëndia i paraardhësve tanë të zgjodhi . . . sepse ti do të jesh dëshmitar i tij para gjithë njerëzve.» (Vep. 22:12-16) Sa seriozisht e mori caktimin për të dhënë dëshmi Sauli, që më vonë u bë i njohur si Pavli?
Ai dha vërtet dëshmi të plotë
3. (a) Te cili tregim do të përqendrohemi? (b) Si reaguan pleqtë e Efesit kur morën lajmin nga Pavli dhe ç’shembull të mirë lanë?
3 Do të ishte shumë interesante të studionim me hollësi gjithçka që bëri më pas Pavli. Por, tani për tani, le të përqendrohemi te një fjalim që mbajti rreth vitit 56 të e.s., i cili gjendet te kapitulli 20 i Veprave. Pavli e mbajti këtë fjalim nga fundi i udhëtimit të tij të tretë misionar. Ai kishte zbritur në Milet, një port në detin Egje, dhe kishte dërguar njerëz për të thirrur pleqtë e kongregacionit të Efesit. Efesi ishte rreth 50 kilometra larg në vijë ajrore, megjithatë udhëtimi zgjaste më shumë për shkak të rrugëve gjarpëruese. Përfytyroni sa u entuziazmuan pleqtë e Efesit kur morën lajmin nga Pavli! (Krahaso Proverbat 10:28.) Megjithatë, do t’u duhej të organizoheshin për të shkuar në Milet. Mos ndoshta disave iu desh të shkëputeshin nga puna ose të mbyllnin dyqanet? Shumë të krishterë sot veprojnë kështu që të mos humbasin as edhe një sesion të kongresit krahinor që bëhet çdo vit.
4. Cilin zakon kishte ndjekur Pavli kur kishte qenë në Efes për disa vjet?
4 Ç’mendoni se bëri Pavli në Milet gjatë atyre tri ose katër ditëve, ndërkohë që priste të vinin pleqtë? Çfarë do të kishe bërë ti? (Krahaso Veprat 17:16, 17.) Për këtë na ndihmojnë fjalët e Pavlit drejtuar pleqve të Efesit. Ai përshkroi zakonin që kishte pasur gjatë viteve në veprën e predikimit, përfshirë edhe kur kishte qenë më parë në Efes. (Lexo Veprat 20:18-21.) Duke e ditur se askush nuk mund ta mohonte, ai tha: «Ju e dini mirë se, që nga dita e parë që vura këmbë në krahinën e Azisë, . . . dhashë dëshmi të plotë.» Po, ai ishte i vendosur të përmbushte caktimin që i kishte dhënë Jezui. Si e bëri këtë në Efes? Një mënyrë ishte duke u dëshmuar judenjve, duke shkuar atje ku mund të gjendeshin shumë njerëz. Luka tregon se, kur Pavli ishte në Efes rreth viteve 52-55 të e.s., «bënte fjalime dhe përdorte argumente bindëse» në sinagogë. Kur judenjtë «u ngurtësuan e nuk besonin», Pavli u përqendrua te të tjerë, duke u zhvendosur në një vend tjetër të qytetit, por duke vazhduar predikimin. Kështu u dha dëshmi edhe judenjve, edhe grekëve në atë qytet të madh.—Vep. 19:1, 8, 9.
5, 6. Pse mund të jemi të sigurt se Pavli u foli jobesimtarëve kur predikoi shtëpi më shtëpi?
5 Disa që u bënë të krishterë, me kalimin e kohës u kualifikuan si pleq, dhe ishin pikërisht ata me të cilët Pavli foli në Milet. Pavli u kujtoi atyre metodën që kishte përdorur: «Nuk ndenja pa ju thënë gjithçka dobiprurëse, as pa ju mësuar publikisht dhe shtëpi më shtëpi.» Në kohën tonë është hedhur ideja se këtu Pavli e kishte fjalën thjesht për vizitat baritore te besimtarët. Por s’ishte kështu. Fraza ‘mësoi publikisht dhe shtëpi më shtëpi’ zbatohet kryesisht për ungjillëzimin ndër jobesimtarët. Kjo shihet qartë nga fjalët më pas. Pavli tha se u kishte dhënë dëshmi «si judenjve, edhe grekëve, për pendimin kundrejt Perëndisë dhe besimin te Zotëria ynë Jezu». Është e qartë se Pavli u kishte dhënë dëshmi jobesimtarëve, të cilët kishin nevojë të pendoheshin dhe të besonin te Jezui.—Vep. 20:20, 21.
6 Në një analizë të zgjeruar të Shkrimeve të Krishtere Greke, një studiues tha për Veprat 20:20: «Pavli kishte qëndruar tre vjet në Efes. Ai vizitoi çdo shtëpi ose të paktën u predikoi të gjithë njerëzve (vargu 26). Këtu është baza biblike për ungjillëzimin shtëpi më shtëpi dhe në mbledhjet publike.» Pavarësisht nëse vizitoi vërtet çdo shtëpi, siç thotë ky studiues, me siguri Pavli nuk donte që pleqtë e Efesit të harronin se si kishte dhënë dëshmi dhe rezultatet që kishte sjellë ajo. Luka raportoi: «Të gjithë ata që banonin në krahinën e Azisë, qoftë judenj, qoftë grekë, e dëgjuan fjalën e Zotërisë.» (Vep. 19:10) Por, si mund të kenë dëgjuar «të gjithë» në Azi dhe çfarë mund të tregojë kjo për dëshminë tonë sot?
7. Në ç’mënyrë predikimi i Pavlit ka të ngjarë të ketë ndikuar edhe tek ata që nuk u dëshmoi drejtpërdrejt?
7 Nga predikimi i Pavlit në vendet publike dhe shtëpi më shtëpi, shumë e dëgjuan mesazhin e tij. A ka mundësi që të gjithë ata që e dëgjuan, të kenë qëndruar në Efes pa lëvizur diku tjetër për punë, për të shkuar te të afërmit ose për të ikur nga rrëmuja e jetës së qytetit? Sigurisht që jo. Shumë sot kanë lëvizur për arsye të tilla, ndoshta edhe ti vetë. Gjithashtu, në atë kohë njerëz nga vende të tjera vizitonin Efesin për arsye shoqërore ose tregtare. Ndërsa ishin atje, mund të kenë takuar Pavlin ose të kenë dëgjuar dëshminë e tij. Çfarë do të ndodhte kur të ktheheshin në shtëpinë e tyre? Ata që kishin pranuar të vërtetën, do të jepnin dëshmi. Të tjerë mund të mos jenë bërë besimtarë, megjithatë ka të ngjarë të kenë folur për çka kishin dëgjuar në Efes. Si rrjedhim, të afërm, fqinjë ose klientë dëgjuan të vërtetën dhe disa mund ta kenë pranuar atë. (Krahaso Markun 5:14.) Çfarë tregon kjo për rezultatin që mund të ketë dëshmia jote e plotë?
8. Si mund ta kenë dëgjuar të vërtetën njerëzit nga e gjithë krahina e Azisë?
8 Në lidhje me shërbimin e mëparshëm në Efes, Pavli shkroi se ‘i ishte hapur një derë e gjerë që çonte në aktivitet’. (1 Kor. 16:8, 9) Për ç’derë bëhej fjalë dhe si u hap për të? Pavli vazhdoi shërbimin në Efes dhe si rezultat lajmi i mirë u përhap. Të shqyrtojmë Kolosenë, Laodicenë dhe Hierapolin, tri qytete pranë Efesit që ndodheshin në brendësi të kontinentit. Pavli nuk i vizitoi ndonjëherë këto qytete, e megjithatë, lajmi i mirë shkoi edhe atje. Epafrai ishte nga ajo zonë. (Kolos. 2:1; 4:12, 13) A u bë i krishterë Epafrai ngaqë dëgjoi dëshminë e Pavlit në Efes? Bibla nuk e thotë në mënyrë specifike. Por kur përhapte të vërtetën në vendin e tij, Epafrai mund ta ketë bërë këtë si përfaqësues i Pavlit. (Kolos. 1:7) Mesazhi i krishterë mund të ketë arritur edhe në qytete të tilla, si Filadelfia, Sarda dhe Tiatira, gjatë viteve që Pavli jepte dëshmi në Efes.
9. (a) Ç’dëshirë të zjarrtë kishte Pavli? (b) Cili do të jetë shkrimi i vitit 2009?
9 Si rrjedhim, pleqtë e Efesit kishin shumë arsye për të pranuar fjalët e Pavlit: «Nuk e quaj të shtrenjtë shpirtin tim, por dua veç të përfundoj vrapimin dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.» Ky varg përmban shkrimin inkurajues dhe nxitës të vitit 2009: ‘Jepni dëshmi të plotë për lajmin e mirë.’—Vep. 20:24.
Të japim dëshmi të plotë sot
10. Si e dimë se edhe ne duhet të japim dëshmi të plotë?
10 Urdhri ‘për t’i predikuar popullit dhe për t’i dhënë dëshmi të plotë’ nuk iu dha vetëm apostujve. Kur Jezui i ringjallur u foli dishepujve të mbledhur në Galile, ndoshta 500 veta, ai urdhëroi: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» Ky urdhër vlen edhe për të gjithë të krishterët e vërtetë sot, siç tregojnë fjalët e Jezuit: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—Mat. 28:19, 20.
11. Për bërjen e cilës vepre të rëndësishme njihen Dëshmitarët e Jehovait?
11 Të krishterë të zellshëm vazhdojnë t’i binden atij urdhri, duke u përpjekur ‘të japin dëshmi të plotë për lajmin e mirë’. Metoda kryesore është nëpërmjet predikimit shtëpi më shtëpi, të cilën Pavli ua përmendi pleqve të Efesit. Në vitin 2007, në një libër për veprën misionare të efektshme, autori Dejvid G. Stjuart i Riu, tha: «Metoda praktike që përdorin Dëshmitarët e Jehovait për të nxitur çdo pjesëtar të predikojë, ka dalë shumë më e efektshme sesa thirrjet abstrakte dhe teorike nga katedrat e klerikëve. Për shumë Dëshmitarë të Jehovait, t’u flasin të tjerëve për bindjet e tyre është një nga aktivitetet e tyre të preferuara.» Cili ka qenë rezultati? «Në vitin 1999, nga të anketuarit në dy kryeqytete të Evropës Lindore, vetëm 2 deri 4 për qind e tyre thanë se u kishin predikuar misionarë të Të Shenjtëve të Ditëve të Mëvonshme ose misionarë ‘mormonë’. Mbi 70 për qind thanë se u kishin predikuar personalisht Dëshmitarët e Jehovait, dhe mjaft prej tyre pohuan se kjo u kishte ndodhur shumë herë.»
12. (a) Pse e predikojmë «shumë herë» territorin tonë? (b) A mund të tregoni ndonjë përvojë të dikujt që ndryshoi qëndrim ndaj mesazhit tonë?
12 Ka shumë mundësi që e njëjta gjë të thuhet edhe për njerëzit në zonën tënde. Ndoshta edhe ti ke dhënë ndihmën tënde në këtë drejtim. Teksa u ke «predikuar personalisht» njerëzve shtëpi më shtëpi, ke folur me burra, gra dhe të rinj. Disa mund të mos kenë dëgjuar, edhe pse u ke predikuar «shumë herë». Të tjerë mund të kenë dëgjuar shkurtimisht kur u ke treguar një varg ose mendim nga Bibla. Megjithatë, të tjerëve ke arritur t’u japësh një dëshmi të shkëlqyer dhe ata e kanë pranuar. Të gjitha këto mund të ndodhin teksa ‘japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë’. Siç ndoshta e di, ka shembuj të panumërt të atyre që kur iu predikua «shumë herë» treguan pak interes, por më pas ndryshuan. Mbase atyre ose ndonjë të afërmi, u ndodhi diçka që ua hapi mendjen dhe zemrën ndaj të vërtetës. Tani janë vëllezërit dhe motrat tona. Prandaj, edhe nëse kohët e fundit nuk ke gjetur shumë njerëz që tregojnë interes, mos u dorëzo. Ne nuk presim që të gjithë njerëzit ta pranojnë të vërtetën. Por, ajo çka pret Perëndia nga ne, është që me ngulm e zell të vazhdojmë të japim dëshmi të plotë.
Rezultate që mund të mos i dimë
13. Në ç’mënyrë dëshmia jonë mund të sjellë rezultate që mund të mos i dimë?
13 Shërbimi i Pavlit nuk ndikoi vetëm tek ata që i ndihmoi drejtpërdrejt të bëheshin të krishterë. Po kështu ndodh edhe me shërbimin tonë. Ne përpiqemi të marrim pjesë rregullisht në shërbimin shtëpi më shtëpi, duke u dëshmuar sa më shumë njerëzve. U flasim për lajmin e mirë fqinjëve, kolegëve, shokëve të shkollës dhe të afërmve. A i dimë të gjitha rezultatet që mund të vijnë? Me disa njerëz mund të ketë menjëherë rezultate të mira. Në raste të tjera, farërat e së vërtetës mund të qëndrojnë të fjetura për njëfarë kohe, por më pas zënë rrënjë në zemrën e dikujt dhe rriten. Edhe nëse kjo nuk ndodh, njerëzit të cilëve u predikojmë, mund të flasin me të tjerë për gjërat që thamë, gjërat që besojmë dhe për sjelljen tonë. Po, mund të ndodhë që ata, pa dashje, t’u japin mundësi këtyre farërave të mbijnë në tokë të mirë diku tjetër.
14, 15. Ç’rezultate solli dëshmia e një vëllai?
14 Të shohim vetëm një shembull, atë të Rajanit dhe gruas së tij, Mandit, që jetojnë në Florida, SHBA. Rajani i dëshmonte në mënyrë joformale një kolegu në punë. Këtij të fundit, që kishte prejardhje hinduiste, i bëri përshtypje mënyra se si vishej dhe fliste Rajani. Gjatë bisedave, Rajani fliste për tema të tilla, si ringjallja dhe gjendja e të vdekurve. Një mbrëmje janari, ky burrë pyeti të shoqen, Xhodin, se çfarë dinte për Dëshmitarët e Jehovait. Ajo ishte katolike dhe tha se e vetmja gjë që dinte për Dëshmitarët, ishte se «predikojnë shtëpi më shtëpi». Kështu Xhodi kërkoi në Internet duke shkruar «Dëshmitarët e Jehovait» dhe hapi faqen tonë të Internetit www.watchtower.org. Për disa muaj, Xhodi lexoi materiale në atë faqe Interneti, përfshirë Biblën dhe artikuj që i interesonin.
15 Më pas, Xhodi takoi Mandin, pasi të dyja ishin infermiere. Mandi me kënaqësi iu përgjigj pyetjeve të Xhodit. Pas ca kohësh, ato bënë një bisedë që Xhodi e përshkruan «nga Adami te Harmagedoni». Xhodi pranoi një studim biblik në shtëpi. Shumë shpejt filloi të shkonte në Sallën e Mbretërisë. Në tetor, Xhodi u bë lajmëtare e papagëzuar dhe në shkurt u pagëzua. Ajo shkruan: «Tani që njoh të vërtetën, jam e lumtur dhe e kënaqur.»
16. Çfarë tregon përvoja e vëllait nga Florida lidhur me përpjekjet tona për të dhënë dëshmi të plotë?
16 Rajanit as që i shkonte nëpër mend se nga dëshmia që i dha një personi, dikush tjetër do të pranonte të vërtetën. Në këtë rast ai i pa rezultatet që erdhën nga vendosmëria e tij ‘për të dhënë dëshmi të plotë’. Edhe ti ndoshta dëshmon shtëpi më shtëpi, në punë, në shkollë ose në mënyrë joformale dhe, pa e ditur ti, përhapet fara e së vërtetës te të tjerët. Por, ashtu si Pavli nuk i dinte rezultatet që do të sillte dëshmia e tij në «krahinën e Azisë», edhe ti mund të mos i dish tërë rezultatet e mira që ndoshta vijnë nga dëshmia jote e plotë. (Lexo Veprat 23:11; 28:23.) Por, sa jetësore është që të vazhdosh të japësh dëshmi të plotë!
17. Çfarë je i vendosur të bësh gjatë vitit 2009?
17 Gjatë vitit 2009, le ta marrim për zemër përgjegjësinë për të dhënë dëshmi shtëpi më shtëpi dhe në mënyra të tjera. Kështu do të bashkohemi me ndjenjat e Pavlit, i cili tha: «Nuk e quaj të shtrenjtë shpirtin tim, por dua veç të përfundoj vrapimin dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu, që të jap dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë.»
Si do të përgjigjeshe?
• Si dhanë dëshmi të plotë Pavli, Pjetri dhe të tjerët në shekullin e parë?
• Pse ndikimi i dëshmisë sonë mund të jetë shumë më i madh nga sa dimë?
• Cili është shkrimi i vitit për 2009-n dhe pse mendon se është i përshtatshëm?
[Diçitura në faqen 19]
Shkrimi i vitit për 2009-n do të jetë: ‘Jepni dëshmi të plotë për lajmin e mirë.’—Vep. 20:24.
[Figura në faqen 17]
Pleqtë e Efesit e dinin se Pavli e kishte zakon të jepte dëshmi shtëpi më shtëpi
[Figura në faqen 18]
Kush do të nxjerrë dobi nga dëshmia jote e plotë?