E vërteta për mëkatin
A MUND ta mohojë një i sëmurë se nuk ka temperaturë duke thyer termometrin? Sigurisht që jo. Po kështu, vetëm fakti që shumë e hedhin poshtë pikëpamjen e Perëndisë për mëkatin, nuk do të thotë se mëkati nuk ekziston. Fjala e Perëndisë, Bibla, flet shumë për këtë temë. Çfarë mëson saktësisht Bibla për mëkatin?
Të gjithë mëkatojmë
Rreth dy mijë vjet më parë, apostulli Pavël tha se ndihej keq pasi ‘të mirën që donte, nuk e bënte, por të keqen që nuk donte, e praktikonte’. (Romakëve 7:19) Nëse jemi të ndershëm, duhet ta pranojmë se situata jonë është e ngjashme. Ndoshta dëshirojmë të jetojmë sipas Dhjetë Urdhërimeve ose sipas ndonjë norme tjetër sjelljeje, por duam s’duam, të gjithë mëkatojmë. Nuk e shkelim me dashje një normë, por thjesht jemi të dobët. Cila është arsyeja? Vetë Pavli e jep përgjigjen: «Nëse bëj atë që nuk dua, ai që e bën, nuk jam më unë, por mëkati që banon tek unë.»—Romakëve 7:20.
Ashtu si Pavli, i gjithë njerëzimi vuan nga dobësi të lindura dhe ky është tregues i mëkatit e i papërsosmërisë së trashëguar. «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë»,—tha apostulli. Cili është shkaku i kësaj gjendjeje? Pavli vazhdon: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 3:23; 5:12.
Edhe pse shumë veta e mohojnë se mëkati që bënë prindërit tanë të parë na largoi nga Perëndia dhe bëri që të humbnim përsosmërinë që kishin ata në fillim, kjo është në të vërtetë ajo që mëson Bibla. Jezui, duke cituar nga kapitujt e parë të Zanafillës të cilët ai i konsideronte të autoritetshëm, tregoi se e besonte tregimin për Adamin dhe Evën.—Zanafilla 1:27; 2:24; 5:2; Mateu 19:1-5.
Një nga aspektet thelbësore të mesazhit të Biblës është se Jezui erdhi në tokë për të shpenguar nga gjendja mëkatare ata që tregojnë besim tek ai. (Gjoni 3:16) E ardhmja jonë varet nëse pranojmë mjetin që ka përdorur Jehovai për të shpëtuar njerëzit mirënjohës nga gjendja e vështirë të cilën nuk e kanë nën kontroll. Por, nëse nuk e kemi të qartë se çfarë është mëkati sipas Perëndisë, ne nuk mund ta kuptojmë dhe të jemi mirënjohës për mjetin që ka përdorur Ai për të na shpëtuar nga mëkati.
Flijimi i Jezuit dhe arsyeja pse ishte i nevojshëm
Jehovai i dha njeriut të parë mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Adami do ta humbte këtë mundësi të mrekullueshme vetëm nëse do të rebelohej kundër Perëndisë. Adami u rebelua dhe, si pasojë, u bë mëkatar. (Zanafilla 2:15-17; 3:6) Ai veproi në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë, humbi përsosmërinë dhe e prishi marrëdhënien me Të. Kur mëkatoi duke shkelur ligjin e Perëndisë, filloi të plakej e në fund vdiq. Mjerisht, të gjithë pasardhësit e Adamit—përfshirë edhe ne—lindëm mëkatarë dhe prandaj na pret vdekja. Pse?
Arsyeja është fare e thjeshtë. Prindër të papërsosur nuk mund të lindin fëmijë të përsosur. Të gjithë pasardhësit e Adamit lindën mëkatarë dhe, siç thotë apostulli Pavël, «paga që paguan mëkati është vdekja». (Romakëve 6:23) Megjithatë, gjysma e dytë e këtij vargu na jep shpresë: «Kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» Kjo do të thotë që nëpërmjet vdekjes flijuese të Jezuit, njerëzit e bindur dhe mirënjohës kanë mundësi të çlirohen nga pasojat e mëkatit që kreu Adami.a (Mateu 20:28; 1 Pjetrit 1:18, 19) Si ju bën të ndiheni kjo gjë?
Dashuria e Krishtit «na detyron»
Apostulli Pavël, që ishte i frymëzuar nga Perëndia, dha përgjigjen e Tij për pyetjen e mësipërme. Ai shkroi: «Dashuria që ka Krishti, na detyron, sepse kemi gjykuar që një njeri i vetëm vdiq për të gjithë. . . . Dhe ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit.» (2 Korintasve 5:14, 15) Nëse një njeri e kupton se flijimi i Jezuit mund ta shpëtojë nga pasojat e mëkatit—dhe dëshiron ta tregojë mirënjohjen për këtë masë—ai duhet të përpiqet të jetojë në përputhje me atë që dëshiron Perëndia për të. Kjo përfshin të fitojë kuptueshmëri për kërkesat e Perëndisë, ta stërvitë ndërgjegjen sipas normave të Biblës dhe pastaj të jetojë në përputhje me to.—Gjoni 17:3, 17.
Veprimet e këqija dëmtojnë marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova. Kur mbreti David e kuptoi sa e rëndë ishte kurorëshkelja që kreu me Betshebën, si edhe vrasja e burrit të saj, pa dyshim i erdhi shumë turp. Por ajo që e shqetësonte më tepër, dhe me të drejtë, ishte se mëkatet e tij kishin fyer Perëndinë. Me zemër të vrarë ai pranoi para Jehovait: «Kundër teje, vetëm kundër teje kam mëkatuar. Kam bërë atë që është e keqe në sytë e tu.» (Psalmet 51:4) Po kështu, kur Jozefi u tundua të kryente kurorëshkelje, ndërgjegjja e nxiti të pyeste: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?»—Zanafilla 39:9.
Pra, mëkati nuk nënkupton vetëm të ndihemi keq ngaqë ndoshta kemi bërë figurë jo të mirë para të tjerëve. Nuk do të thotë thjesht të jesh i detyruar të përgjigjesh para opinionit publik ose shoqërisë ngaqë mbase nuk i je përmbajtur një parimi. Shkelja e ligjeve të Perëndisë për marrëdhëniet seksuale, ndershmërinë, respektin, adhurimin etj, dëmton lidhjen tonë me të. Nëse e praktikojmë me dashje mëkatin, po bëhemi armiq të Perëndisë. Kjo është një e vërtetë që duhet ta marrim seriozisht.—1 Gjonit 3:4, 8.
Atëherë, a ekziston ende mëkati? Po, ekziston. Njerëzit vetëm sa e kanë quajtur me emra të tjerë, me shpresë që të duket më pak i rëndë se sa është. Shumë persona ose e kanë mpirë, ose e kanë shpërfillur ndërgjegjen. Por, të gjithë ata që dëshirojnë miratimin e Perëndisë duhet t’i rezistojnë kësaj prirjeje. Siç kemi parë, paga e mëkatit nuk është vetëm egoja e lënduar ose sikleti, por vdekja. Mëkati është një çështje për jetë a vdekje.
Por lajmi i mirë është se mund të na falen mëkatet nëpërmjet vlerës shpenguese të flijimit të Jezuit nëse pendohemi sinqerisht për to dhe heqim dorë prej tyre. Pavli shkroi: «Lum ata që u janë falur veprat e paligjshme dhe u janë mbuluar mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk do t’ia llogaritë kurrsesi mëkatin!»—Romakëve 4:7, 8.
[Shënimi]
a Për një shpjegim të plotë se si vdekja flijuese e Jezuit ka fuqinë të shpëtojë njerëzit e bindur, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? faqet 47 deri 54, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 10]
Një kthesë teologjike 180 gradë
Për shumicën e katolikëve që shkojnë në kishë, ideja e limbos ka qenë gjithnjë disi e mjegullt. Në dekadat e fundit ajo është zbehur gradualisht, deri në atë pikë sa është hequr nga katekizmat. Në vitin 2007, Kisha Katolike firmosi zyrtarisht «certifikatën e vdekjes» së limbos në një dokument ku përmendeshin «arsyet teologjike dhe liturgjike që jepnin shpresë se foshnjat që vdesin pa u pagëzuar, mund të shpëtohen dhe t’u jepet lumturia e përjetshme».—Komisioni Teologjik Ndërkombëtar.
Pse ndodhi ky ndryshim në qëndrim, pra kjo kthesë teologjike 180 gradëshe? Në thelb, kjo i jepte mundësi kishës të çlirohej nga ajo që gazetari francez Enri Tënk e quajti «një trashëgimi të rëndë, të mbrojtur që nga mesjeta deri në shekullin e 20-të nga një kishë manipuluese, e cila ishte tejet e kënaqur ta përdorte limbon si kërcënim për të nxitur prindërit që t’i pagëzonin sa më shpejt fëmijët e tyre». Por, fundi i mësimit të limbos ngriti gjithashtu edhe çështje të tjera.
Bazohej te tradita apo në Shkrime? Historikisht, besimi në limbon ka lindur nga debatet teologjike të shekullit të 12-të në lidhje me purgatorin. Kisha Katolike mësonte se shpirti mbijeton pas vdekjes, prandaj i duhej të shpjegonte se çfarë do t’u ndodhte shpirtrave të fëmijëve që nuk mund të shkonin në parajsë ngaqë nuk ishin pagëzuar, por që as meritonin të shkonin në ferr. Kështu, lindi ideja e limbos.
Sidoqoftë, Bibla nuk mëson se shpirti mbijeton pas vdekjes. Përkundrazi, ajo mëson se fjala shpirt i referohet vetë personit ose jetës së tij. Njëkohësisht, Bibla thotë qartë se, përveçse nuk është i pavdekshëm, shpirti njerëzor që mëkaton «ka për të vdekur». (Ezekieli 18:4, Diodati i Ri) Duke qenë se shpirti është i vdekshëm, një vend i tillë si limbo nuk mund të ekzistojë. Për më tepër, Bibla e përshkruan vdekjen si një gjendje pa vetëdije, ngjashëm gjumit.—Eklisiastiu 9:5, 10; Gjoni 11:11-14.
Bibla thotë që Perëndia i konsideron të shenjtë fëmijët e vegjël të prindërve të krishterë. (1 Korintasve 7:14) Një deklaratë e tillë do të ishte e pakuptimtë nëse pagëzimi i foshnjave do të ishte i nevojshëm për shpëtimin e tyre.
Mësimi i limbos ishte me të vërtetë një fyerje për Perëndinë, pasi e përshkruante atë si një tiran mizor që ndëshkon të pafajshmit, në vend se si një Atë të dashur e të drejtë sikurse është. (Ligji i Përtërirë 32:4; Mateu 5:45; 1 Gjonit 4:8) Pra, s’është habi që ky mësim i pabazuar në Shkrime, asnjëherë nuk u është dukur i arsyeshëm të krishterëve të sinqertë.
[Figurat në faqen 9]
Kur jetojmë në përputhje me Fjalën e Perëndisë kemi një marrëdhënie të mirë me Të dhe me të tjerët