Ngushëllim nga «Perëndia i çdo ngushëllimi»
«Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin.»—2. KORINTASVE 1:3, 4.
1, 2. Për çfarë ngushëllimi kanë nevojë të hidhëruarit?
NJERËZIT e hidhëruar kanë nevojë për ngushëllim të sinqertë, jo për fjalë bajate e të rëndomta. Të gjithë kemi dëgjuar që ‘koha i mbyll plagët’, por kush është ai person i hidhëruar që në periudhën e parë të pikëllimit ka gjetur ngushëllim nga ky mendim? Të krishterët e dinë se Perëndia ka premtuar një ringjallje, por kjo s’e ndalon dhimbjen e fortë dhe traumën e një humbjeje të papritur. E sigurisht që nëse ke humbur ndonjë fëmijë, të tjerët që i ke gjallë nuk mund ta zëvendësojnë atë fëmijë të çmuar që ke humbur.
2 Në kohë vdekjesh, më shumë na ndihmon ngushëllimi i sinqertë, ngushëllimi që bazohet fortësisht në premtimin e Perëndisë. Gjithashtu, kemi nevojë edhe për empati. Kjo ka qenë sigurisht e vërtetë për njerëzit në Ruanda, sidomos për ato qindra familje të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre në atë masakër djallëzore etnike. Nga mund të marrin ngushëllim të gjitha ata që janë të hidhëruar?
Jehovai, Perëndia i ngushëllimit
3. Në ç’mënyrë Jehovai ka dhënë shembull në dhënien e ngushëllimit?
3 Jehovai ka dhënë shembull, duke na ngushëlluar të gjithëve. Ai dërgoi në tokë Birin e tij të vetëmlindur, Krishtin Jezu, për të na dhënë ngushëllim dhe shpresë të përhershme. Jezui mësoi: «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» (Gjoni 3:16) Ai, gjithashtu, i mësoi ithtarët e tij: «Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:13) Në një rast tjetër ai tha: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.» (Mateu 20:28) Ndërsa Pavli pohoi: «Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:8) Me anë të këtyre teksteve dhe shumë të tjerave, ne kuptojmë dashurinë e Perëndisë dhe të Krishtit Jezu.
4. Përse apostulli Pavël ishte veçanërisht borxhli ndaj Jehovait?
4 Apostulli Pavël ishte veçanërisht i vetëdijshëm për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait. Ai ishte liruar nga një gjendje e vdekur frymore, duke u kthyer nga një persekutues i tërbuar i ithtarëve të Krishtit, në një të krishterë i persekutuar. (Efesianëve 2:1-5) Ai e përshkroi përvojën e tij: «Unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë. Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.»—1. Korintasve 15:9, 10.
5. Çfarë shkroi Pavli në lidhje me ngushëllimin nga Perëndia?
5 Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, Pavli tha: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi. Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë. Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve. Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.»—2. Korintasve 1:3-7.
6. Çfarë përfshin fjala greke e përkthyer «ngushëllim»?
6 Sa fjalë frymëzuese! Fjala greke e përkthyer këtu «ngushëllim», ka të bëjë me «një thirrje në anën e dikujt». Prandaj, «është qëndrimi përkrah një njeriu, ajo që e ngushëllon atë kur u nënshtrohet provave të ashpra». (A Linguistic Key to the Greek New Testament) Një dijetar biblik shkroi: «Fjala . . . gjithmonë do të thotë më shumë se dhembshuri zbutëse. . . . Ngushëllimi i krishterë është ngushëllim që sjell kurajë, ngushëllim që i mundëson dikujt të përballojë gjithçka që jeta mund t’i bëjë.» Ai përfshin, gjithashtu, fjalë ngushëlluese që bazohen mbi një bazë e shpresë të fortë, në ringjalljen e të vdekurve.
Jezui dhe Pavli ngushëllues të dhembshur
7. Në ç’mënyrë Pavli ishte ngushëllues ndaj vëllezërve të tij të krishterë?
7 Sa shembull të shkëlqyer dha Pavli në dhënien e ngushëllimit! Ai mundi t’u shkruante vëllezërve në Selanik: «Qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj. Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur. Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet.» Ashtu si prindërit e dashur e të kujdesshëm, të gjithë ne mund të ndajmë ngrohtësinë dhe kuptueshmërinë tonë me të tjerët, kur ata kanë nevojë.—1. Selanikasve 2:7, 8, 11
8. Përse mësimi i Jezuit është ngushëllim për të hidhëruarit?
8 Duke treguar këtë kujdes e mirësi, Pavli vetëm po imitonte Shembullin e tij më të madh, Jezuin. Sill ndër mend ftesën e dhembshur që Jezui u bëri të gjithëve, siç lexojmë në Mateun 11:28-30: «Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.» Po, mësimi i Jezuit është freskues, sepse ai jep shpresë dhe premtim, premtimin e ringjalljes. Kjo është shpresa dhe premtimi që ne mund t’u ofrojmë njerëzve, për shembull, kur u lëmë atyre broshurën Kur të vdes një njeri i dashur. Kjo shpresë mund të na ndihmojë të gjithëve, edhe nëse kemi qenë të hidhëruar për një kohë të gjatë.
Si të ngushëllojmë të hidhëruarit
9. Përse nuk duhet të jemi të padurueshëm me njerëzit e hidhëruar?
9 Hidhërimi nuk është i kufizuar në ndonjë periudhë të caktuar menjëherë pas vdekjes së personit të dashur. Disa njerëz e mbajnë peshën e hidhërimit gjatë gjithë jetës së tyre, sidomos ata që kanë humbur fëmijët. Një çift besnik i krishterë në Spanjë humbi djalin 11-vjeçar, në vitin 1963, si pasojë e miningjitit. Edhe sot e kësaj dite, ata ende qajnë kur flasin për Pakiton. Përvjetorët, fotografitë dhe kujtimet, mund të sjellin ndër mend kujtime të trishtueshme. Prandaj, kurrë nuk duhet të jemi të padurueshëm e të mendojmë se të tjerët duhet ta marrin veten menjëherë pas humbjes. Një autoritet në fushën mjekësore pranoi: «Depresioni dhe lëkundjet emocionale mund të zgjasin shumë, për vite me radhë.» Mos harro, pra, se ashtu si vragat fizike mund të mbesin në trupin tonë për gjithë jetën, ashtu mbesin edhe shumë vraga emocionale.
10. Ç’duhet të bëjmë për të ndihmuar të hidhëruarit?
10 Cilat janë disa nga gjërat praktike që mund të bëjmë, për të ngushëlluar të hidhëruarit në kongregacionin e krishterë? Me shumë sinqeritet, ne mund t’i themi një vëllai apo një motre që ka nevojë për ngushëllim: «Nëse mund të bëj diçka për të të ndihmuar, mjafton të më thuash.» Por, vërtet, sa shpesh do të na thërrasë një person i hidhëruar e të na thotë, «Mendoj se mund të bësh diçka për të më ndihmuar»? Është e qartë, se ne duhet të marrim iniciativën e duhur nëse duam të ngushëllojmë të hidhëruarin. Prandaj, ç’mund të bëjmë në mënyrë të dobishme? Ja, disa sugjerime praktike.
11. Si mund të jemi ngushëllim për të tjerët, duke dëgjuar?
11 Dëgjo: Një nga gjërat më të dobishme që mund të bësh, është të ndash dhimbjen me të hidhëruarin, duke dëgjuar. Mund të pyesësh: «A ke dëshirë të flasësh për të?» Lëre që të vendosë ai. Një i krishterë kujton kohën kur i vdiq i ati: «Më ka ndihmuar me të vërtetë kur të tjerët më pyesnin se çfarë ndodhi e më pas dëgjonin me të vërtetë.» Siç këshilloi Jakovi, ji i shpejtë në të dëgjuar. (Jakovit 1:19) Dëgjo me durim e me dhembshuri. «Qani me ata që qajnë»,—këshillon Bibla në Romakëve 12:15. Mos harro se Jezui qau me Martën dhe me Marijen.—Gjoni 11:35.
12. Çfarë sigurie mund t’u ofrojmë atyre që mbajnë zi?
12 Jepi siguri: Mbaj ndër mend se personi i hidhëruar fillimisht mund të ndihet fajtor, duke menduar se ndoshta mund të kishte bërë më shumë. Siguroje personin se ka bërë gjithçka që dukej e mundshme (apo diçka tjetër që e di se është e vërtetë dhe pozitive). Siguroje se ndjenjat e tij nuk janë aspak të pazakonshme. Tregoji për të tjerë që njeh e që e kanë marrë veten me sukses nga një humbje e ngjashme. Me fjalë të tjera, tregohu i ndjeshëm e i dhembshur. Ndihma jonë e dashur mund të bëjë shumë! Solomoni shkroi: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.»z—Proverbat 16:24; 25:11; 1. Selanikasve 5:11, 14.
13. Nëse tregohemi të gatshëm, si mund të ndihmojë kjo?
13 Tregohu i gatshëm: Tregohu i gatshëm jo vetëm për ditët e para, kur shumë miq e të afërm janë të pranishëm, por edhe muaj më vonë nëse është e nevojshme, kur të tjerët janë kthyer në rutinën e tyre normale. Periudha e hidhërimit mund të ndryshojë shumë, në varësi të personit. Interesi dhe dhembshuria jonë e krishterë mund të kenë një domethënie të madhe në çdo kohë nevoje. Bibla thotë se «është një mik që është më i lidhur se një vëlla». Prandaj, thënia «miku njihet që është mik, në nevojë e në rrezik», është një e vërtetë që ne duhet ta praktikojmë.—Proverbat 18:24; krahaso Veprat 28:15.
14. Për çfarë mund të flasim, kur të ngushëllojmë të hidhëruarit?
14 Fol mbi cilësitë e mira të të ndjerit; kjo është një tjetër ndihmë e madhe kur ofrohet në momentin e duhur. Trego edhe anekdota pozitive që mban mend nga personi. Mos ki frikë të përdorësh emrin e tij. Mos u sill sikur i dashuri i vdekur të mos ketë ekzistuar kurrë apo sikur të ketë qenë i parëndësishëm. Është ngushëlluese të dimë se çfarë pohon një botim i Shkollës Mjekësore të Harvardit: «Duket se personi i hidhëruar e ka marrë disi veten, kur më në fund ai mund të mendojë për personin e vdekur pa u trishtuar në mënyrë mbytëse . . . Ndërsa realiteti i ri pranohet dhe asimilohet, hidhërimi humbet dalëngadalë nëpër kujtimet e çmuara.» «Kujtimet e çmuara»: sa ngushëlluese është të sjellësh ndër mend ato çaste të çmuara që kemi kaluar me të dashurin tonë! Një Dëshmitar që kishte humbur të atin, tha disa vite më vonë: «Një kujtim i veçantë për mua është leximi i Biblës bashkë me babin, pak pasi ai kishte filluar të studionte të vërtetën. Po kështu, tek rrinim ulur në breg të lumit, duke folur mbi disa nga problemet e mia. Atë e shihja vetëm në çdo tre apo katër vjet e ato momente ishin të çmuara.»
15. Si mund të merret iniciativa për të dhënë ndihmë?
15 Merr iniciativën kur duhet: Disa persona mund ta përballojnë hidhërimin më mirë se disa të tjerë. Prandaj, në varësi të rrethanave, ndërmerr hapa praktikë për të ndihmuar. Një grua e krishterë e hidhëruar kujton: «Shumë thoshin: ‘Nëse mund të bëj diçka, më thuaj.’ Kurse një motër e krishterë nuk pyeti. Ajo shkoi drejt e në dhomën time, ngriti krevatin dhe lau çarçafët e papastër. Një tjetër, mori kovën, ujë e gjëra të tjera për pastrim dhe lau qilimin ku kishte vjellë im shoq. Këta ishin miq të vërtetë dhe nuk do t’i harroj kurrë.» Kur është e dukshme nevoja për ndihmë, merr iniciativën, ndoshta duke përgatitur për të ngrënë, duke ndihmuar në pastrim apo duke bërë disa shërbime të dobishme. Natyrisht, duhet të bëjmë kujdes që të mos ndërhyjmë kur personi i hidhëruar ka nevojë për intimitet. Duhet, pra, t’i marrim për zemër fjalët e Pavlit: «Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin.» Mirësia, durimi dhe dashuria nuk dështojnë kurrë.—Kolosianëve 3:12; 1. Korintasve 13:4-8.
16. Përse një letër apo një kartë mund të japë ngushëllim?
16 Shkruaj një letër ose dërgo një kartë ngushëlluese: Shpesh, ne e nënvlerësojmë vlerën e një letre ngushëlluese apo të një karte të bukur dhembshurie. A ka dobi? Ajo mund të lexohet shumë e shumë herë. Nuk ka nevojë të jetë një letër e gjatë, por duhet të tregojë dhembshurinë tënde. Duhet të tingëllojë, gjithashtu, edhe me një ton frymor, por pa qenë në formë predikimi. Edhe një mesazh i thjeshtë, si «Jemi gati për të të përkrahur», mund të jetë ngushëllues.
17. Si mund të sjellë ngushëllim lutja?
17 Lutu me ta: Mos e lë pas dore vlerën e lutjes sonë me dhe për shokun tonë të krishterë të hidhëruar. Bibla thotë në Jakovit 5:16: «Shumë fuqi ka lutja e të drejtit.» Për shembull, kur personat e hidhëruar na dëgjojnë të lutemi për ta, kjo i ndihmon të kapërcejnë ndjenja të tilla negative, si ndjenja e fajit. Në momentet kur jemi të dobët apo të rënë moralisht, Satanai përpiqet të na mposhtë me «makinacionet» apo me «kurthet» e tij. Ky është momenti kur kemi nevojë për ngushëllim dhe mbështetje në lutje, siç pohoi Pavli: «Me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët.»—Efesianëve 6:11, 18; krahaso Jakovit 5:13-15.
Çfarë duhet shmangur
18, 19. Si mund të tregojmë takt në bisedat tona?
18 Kur një person është i hidhëruar, ka edhe gjëra që nuk duhen bërë ose thënë. Proverbat 12:18 paralajmëron: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.» Disa herë, pa e kuptuar, ne nuk tregojmë takt. Për shembull, mund të themi: «E di se si ndihesh.» Por, a është e vërtetë? A ke vuajtur pikërisht të njëjtën humbje? Për më tepër, njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme. Reagimet e tua mund të mos kenë qenë të ngjashme me ato të personit të hidhëruar. Do të ishte më mirë të thoshe: «Të kuptoj me të vërtetë, sepse edhe unë kam kaluar një humbje të ngjashme, kur më vdiq . . . disa kohë më parë.»
19 Do të ishte, gjithashtu, tregues dhembshurie po të shmangësh komentet në lidhje me faktin se a do të ringjallet i ndjeri apo jo. Disa vëllezër e motra janë lënduar thellë nga disa vërejtje gjykuese që janë bërë në lidhje me mundësitë e ardhshme të një bashkëshorti të vdekur jo besimtar. Ne nuk jemi gjyqtarë se cilët do të ringjallen e cilët jo. Ne mund të jemi të lehtësuar se Jehovai, i cili shikon zemrat, do të jetë shumë më i mëshirshëm se mund të jetë shumica prej nesh.—Psalmi 86:15; Luka 6:35-37.
Tekste që ngushëllojnë
20, 21. Cilat janë tekstet që mund të ngushëllojnë të hidhëruarit?
20 Një nga burimet më të mëdha të ndihmës, kur ofrohet në kohën e duhur, është konsiderimi i premtimeve të Jehovait për të vdekurit. Këto mendime biblike do të jenë të dobishme nëse personi i hidhëruar është tashmë një Dëshmitar, por edhe nëse është ndonjë që takojmë në shërbim. Cilat janë disa prej këtyre teksteve? Ne e dimë se Jehovai është Perëndia i çdo ngushëllimi, sepse ai ka thënë: «Unë, unë vetë, jam ai që ju ngushëllon.» Ka thënë, gjithashtu: «Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni.»—Isaia 51:12; 66:13.
21 Psalmisti shkroi: «Në vështirësinë time e kam këtë ngushëllim sepse fjala jote ma përtëriti jetën. I kujtoj, o Zot, gjyqet e tua të lashta dhe në to gjej ngushëllim. Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.» Vërej se fjala «ngushëllim» është përdorur vazhdimisht në këto pjesë. Po, ne mund të gjejmë ngushëllim të vërtetë për vete dhe për të tjerët, duke iu drejtuar Fjalës së Jehovait në kohë vështirësish. Kjo, së bashku me dashurinë dhe dhembshurinë e vëllezërve, mund të na ndihmojë për të përballuar me sukses dhimbjen e humbjes e për t’i mbushur përsëri jetët tona me aktivitete të gëzuara në shërbimin e krishterë.—Psalmi 119:50, 52, 76, DSF.
22. Cila perspektivë shtrihet para nesh?
22 Gjithashtu, mund ta mbysim hidhërimin tonë deri në njëfarë mase, duke qenë të zënë për të ndihmuar të tjerët në hallet e tyre. Ndërsa e drejtojmë vëmendjen ndaj të tjerëve që kanë nevojë për ngushëllim, edhe ne gjejmë lumturi të vërtetë, duke dhënë në kuptimin frymor. (Veprat 20:35) Le të ndajmë me ta pamjen e ditës së ringjalljes, kur njerëz nga të gjitha kombet e dikurshme, brez pas brezi, do t’u japin mirëseardhjen në një botë të re të dashurve të tyre të vdekur. Çfarë perspektive! Sa lot gëzimi do të derdhen atëherë, ndërsa kujtojmë se Jehovai është me të vërtetë Perëndia «që ngushëllon të pikëlluarit»!—2. Korintasve 7:6.
A të kujtohet?
◻ Në ç’mënyrë Jehovai është «Perëndia i çdo ngushëllimi»?
◻ Si i ngushëlluan Jezui dhe Pavli të hidhëruarit?
◻ Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për të ngushëlluar të hidhëruarit?
◻ Çfarë duhet të shmangim kur kemi të bëjmë me të hidhëruar?
◻ Cilat janë tekstet e tua të preferuara për të ngushëlluar në kohë humbjesh?
[Figura në faqen 15]
Merr me takt iniciativën, për të ndihmuar të hidhëruarit