Kjo është dita e shpëtimit!
«Ja! Tani është koha veçanërisht e pranueshme. Ja! Tani është dita e shpëtimit.»—2. KORINTASVE 6:2, BR.
1. Çfarë nevojitet për të pasur një gjendje të miratuar para Perëndisë dhe Krishtit?
JEHOVAI ka caktuar një ditë gjykimi për njerëzimin. (Veprat 17:31) Nëse duam që ajo të jetë për ne një ditë shpëtimi, duhet të kemi një gjendje të miratuar para tij dhe Gjykatësit të emëruar prej tij, Jezu Krishtit. (Gjoni 5:22) Një gjendje e tillë kërkon një sjellje në harmoni me Fjalën e Perëndisë dhe një besim që na shtyn t’i ndihmojmë të tjerët për t’u bërë dishepuj të vërtetë të Jezuit.
2. Pse bota e njerëzimit është larguar nga Perëndia?
2 Për shkak të mëkatit të trashëguar, bota e njerëzimit është larguar nga Perëndia. (Romakëve 5:12; Efesianëve 4:17, 18) Prandaj, ata të cilëve u predikojmë mund ta fitojnë shpëtimin vetëm nëse pajtohen me të. Apostulli Pavël e bëri të qartë këtë, kur u shkroi të krishterëve në Korint. Le të shqyrtojmë 2. Korintasve 5:10–6:10 për të parë se çfarë tha Pavli për gjykimin, për pajtimin me Perëndinë dhe për shpëtimin.
«Ne vazhdojmë të bindim njerëzit»
3. Si ‘vazhdoi t’i bindte njerëzit’ Pavli dhe pse ne duhet ta bëjmë këtë gjë sot?
3 Pavli e lidhi gjykimin me predikimin, kur shkroi: «Të gjithë ne duhet të shfaqemi përpara fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë çmimin e tij për gjërat e bëra nëpërmjet trupit, sipas gjërave që ka bërë, qoftë gjë e mirë, qoftë e ulët. Prandaj, duke e njohur druajtjen e Zotërisë, ne vazhdojmë të bindim njerëzit.» (2. Korintasve 5:10, 11, BR) Apostulli ‘vazhdoi t’i bindte njerëzit’ me anë të predikimit të lajmit të mirë. Po ne? Përderisa ndodhemi përballë fundit të këtij sistemi të lig gjërash, duhet të bëjmë çmos për t’i bindur të tjerët që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të fituar gjykimin e favorshëm të Jezuit dhe miratimin e Burimit të shpëtimit, Perëndisë Jehova.
4, 5. (a) Pse nuk duhet të mburremi për arritjet tona në shërbimin e Jehovait? (b) Si ndodhi që Pavli u mburr «për Perëndinë»?
4 Megjithatë, nëse Perëndia e ka bekuar shërbimin tonë, nuk duhet të mburremi. Në Korint disa u krekosën duke u krenuar me veten ose me të tjerët, gjë që shkaktoi përçarje në kongregacion. (1. Korintasve 1:10-13; 3:3, 4) Duke e hedhur fjalën te kjo situatë, Pavli shkroi: «Ne nuk po e rekomandojmë përsëri veten tonë te ju, por po ju japim një shkas për t’u mburrur në lidhje me ne, që të keni një përgjigje për ata që mburren me pamjen e jashtme, por jo me zemrën. Sepse nëse kishim humbur arsyen, ishte për Perëndinë; nëse jemi me mendje të shëndoshë, është për ju.» (2. Korintasve 5:12, 13, BR) Fodullëve nuk u interesonte uniteti dhe mirëqenia frymore e kongregacionit. Ata dëshironin të mburreshin me pamjen e jashtme, në vend se t’i ndihmonin bashkëbesimtarët të zhvillonin një zemër të mirë përpara Perëndisë. Kështu, Pavli e qortoi kongregacionin dhe më vonë deklaroi: «Ai që mburret, le të mburret në Jehovain.»—2. Korintasve 10:17, BR.
5 A nuk u mburr vetë Pavli? Disa mund ta kenë menduar këtë, për shkak të asaj që ai tha rreth faktit që ishte apostull. Por atij iu desh të mburrej «për Perëndinë». Ai u mburr për dëshmitë që e përligjnin si apostull, në mënyrë që për Jehovain, korintasit të mos ishin të humbur. Pavli e bëri këtë që t’i kthente ata te Perëndia, pasi apostujt e rremë po i çonin në drejtimin e gabuar. (2. Korintasve 11:16-21; 12:11, 12, 19-21; 13:10) Megjithatë, Pavli nuk po përpiqej në mënyrë të vazhdueshme që me arritjet e tij t’i linte të gjithë gojëhapur.—Proverbat (Fjalët e urta) 21:4.
A të detyron dashuria e Krishtit?
6. Si duhet të ndikojë te ne dashuria e Krishtit?
6 Si apostull i vërtetë, Pavli i mësoi të tjerët rreth flijimit shpërblyes të Jezuit. Ky flijim pati ndikim në jetën e Pavlit, sepse ai shkroi: «Dashuria që ka Krishti na detyron, sepse kjo është ajo që kemi gjykuar, se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë; kështu pra, të gjithë kishin vdekur; dhe ai vdiq për të gjithë, që ata që jetojnë, të jetojnë jo më për veten, por për atë që vdiq për ta dhe u ringjall.» (2. Korintasve 5:14, 15, BR) Çfarë dashurie tregoi Jezui duke dhënë jetën e tij për ne! Sigurisht, kjo duhet të jetë një forcë detyruese në jetën tonë. Mirënjohja ndaj Jezuit për jetën e dhënë në dobinë tonë, duhet të na nxitë për të qenë të zellshëm në shpalljen e lajmit të mirë të shpëtimit që ka siguruar Jehovai nëpërmjet Birit të tij të dashur. (Gjoni 3:16; krahaso Psalmin 96:2.) A po të detyron «dashuria që ka Krishti» të marrësh pjesë me zell në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve?—Mateu 28:19, 20.
7. Çfarë do të thotë të ‘mos njohësh asnjë njeri sipas mishit’?
7 Duke e përdorur jetën e tyre në një mënyrë që tregon mirënjohje për atë që bëri Krishti në dobi të tyre, të mirosurit ‘jetojnë jo më për vete, por për të’. «Për pasojë,—tha Pavli,—që këtej e tutje nuk njohim asnjë njeri sipas mishit. Edhe nëse e kemi njohur Krishtin sipas mishit, sigurisht që tani nuk e njohim më kështu.» (2. Korintasve 5:16, BR) Të krishterët nuk duhet t’i shohin njerëzit në një mënyrë që është sipas mishit, duke favorizuar hebrenjtë mbi johebrenjtë ose të pasurit mbi të varfërit. Të mirosurit ‘nuk njohin asnjë njeri sipas mishit’, sepse e rëndësishme është marrëdhënia e tyre frymore me bashkëbesimtarët. Ata që ‘e njohën Krishtin sipas mishit’ nuk ishin vetëm njerëzit që e panë me sytë e tyre Jezuin kur ishte në tokë. Edhe nëse disa që shpresonin te Mesia dikur e konsideronin Krishtin thjesht si njeri, nuk duhej ta konsideronin më të tillë. Ai e dha trupin e tij si shpërblesë dhe u ringjall si një frymë që jep jetë. Persona të tjerë që do të ngriheshin në jetën qiellore do t’i dorëzonin trupat e tyre sipas mishit pa e parë kurrë Jezu Krishtin në mish.—1. Korintasve 15:45, 50; 2. Korintasve 5:1-5.
8. Si kanë arritur individët të jenë «në unitet me Krishtin»?
8 Duke iu drejtuar ende të mirosurve, Pavli shton: «Nëse dikush është në unitet me Krishtin, ai është një krijim i ri; gjërat e vjetra kaluan, ja, gjëra të reja kanë ardhur në ekzistencë.» (2. Korintasve 5:17, BR) Të jesh «në unitet me Krishtin» do të thotë të gëzosh njëjtësi me të. (Gjoni 17:21) Për këtë person, kjo marrëdhënie erdhi në ekzistencë kur Jehovai e tërhoqi drejt Birit të vet dhe e lindi me frymë të shenjtë. Si bir i Perëndisë i lindur nga fryma, ai ishte «një krijim i ri» me perspektivën për të marrë pjesë me Krishtin në Mbretërinë qiellore. (Gjoni 3:3-8; 6:44; Galatasve 4:6, 7) Të krishterëve të tillë të mirosur u është dhënë një privilegj i madh shërbimi.
«Pajtohuni me Perëndinë»
9. Çfarë ka bërë Perëndia për ta bërë të mundur pajtimin me të?
9 Sa e ka favorizuar Jehovai «krijimin e ri»! Pavli thotë: «Të gjitha gjërat janë prej Perëndisë, i cili na pajtoi me veten nëpërmjet Krishtit dhe na dha shërbimin e pajtimit, domethënë, që Perëndia, me anë të Krishtit, po e pajtonte një botë me veten, duke mos ua llogaritur shkeljet e tyre dhe na besoi ne fjalën e pajtimit.» (2. Korintasve 5:18, 19, BR) Njerëzimi u largua nga Perëndia që kur mëkatoi Adami. Por me dashuri, Jehovai mori iniciativën që të hapte rrugën për pajtim nëpërmjet flijimit të Jezuit.—Romakëve 5:6-12.
10. Kujt ia besoi Jehovai shërbimin e pajtimit dhe çfarë kanë bërë ata për ta kryer atë?
10 Jehovai ua ka besuar shërbimin e pajtimit të mirosurve, kështu që Pavli mundi të thoshte: «Prandaj, ne jemi ambasadorë që zëvendësojnë Krishtin, sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh. Si zëvendësues të Krishtit, lutemi: ‘Pajtohuni me Perëndinë.’» (2. Korintasve 5:20, BR) Në kohët e lashta, ambasadorët dërgoheshin kryesisht gjatë periudhave të armiqësisë, për të parë nëse mund të shmangej lufta. (Luka 14:31, 32) Përderisa bota mëkatare e njerëzimit është larguar prej Perëndisë, ai ka dërguar ambasadorët e tij të mirosur që t’i informojë njerëzit mbi kushtet e tij për pajtim. Si zëvendësues të Krishtit, të mirosurit luten: «Pajtohuni me Perëndinë.» Ky përgjërim është një nxitje e mëshirshme për të kërkuar paqen me Perëndinë dhe për të pranuar shpëtimin që bën të mundur ai nëpërmjet Krishtit.
11. Nëpërmjet besimit te shpërblesa, kush arrin të ketë në fund një gjendje të drejtë përpara Perëndisë?
11 Të gjithë njerëzit që ushtrojnë besim te shpërblesa mund të pajtohen me Perëndinë. (Gjoni 3:36) Pavli thotë: «Atë [Jezuin] që nuk njohu mëkat, ai [Jehovai] e bëri të jetë mëkat për ne, që me anë të tij të bëhemi drejtësia e Perëndisë.» (2. Korintasve 5:21, BR) Njeriu i përsosur Jezu ishte oferta e mëkatit për të gjithë pasardhësit e Adamit që janë çliruar nga gjendja e lindur mëkatare. Ata bëhen «drejtësia e Perëndisë» me anë të Jezuit. Kjo drejtësi apo gjendje e drejtë përpara Perëndisë, u jepet së pari të 144.000 bashkëtrashëgimtarëve të Krishtit. Gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, një gjendje e drejtë si njerëz të përsosur do t’u jepet bijve tokësorë të Atit të Përjetshëm, Jezu Krishtit. Ai do t’i ngrejë ata drejt një gjendjeje të drejtë në përsosmëri, që ata të provojnë se janë besimplotë ndaj Perëndisë dhe të marrin dhuratën e jetës së përhershme.—Isaia 9:6; Zbulesa 14:1; 20:4-6, 11-15.
«Koha veçanërisht e pranueshme»
12. Cili shërbim i rëndësishëm po kryhet nga ambasadorët dhe nga të dërguarit e Jehovait?
12 Që të shpëtojmë, ne duhet të veprojmë në harmoni me fjalët e Pavlit: «Duke punuar bashkë me të [Jehovain], ne ju përgjërohemi, gjithashtu, që të mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, duke dështuar në arritjen e qëllimit të saj. Sepse ai thotë: ‘Në një kohë të pranueshme të dëgjova dhe në një ditë shpëtimi të ndihmova.’ Ja! Tani është koha veçanërisht e pranueshme. Ja! Tani është dita e shpëtimit.» (2. Korintasve 6:1, 2, BR) Ambasadorët e mirosur të Jehovait dhe të dërguarit e tij, «delet e tjera», nuk e pranojnë dashamirësinë e pamerituar të Atit të tyre qiellor, për të humbur më pas qëllimin e saj. (Gjoni 10:16) Me sjelljen e tyre të drejtë dhe me shërbimin e zellshëm në këtë «kohë të pranueshme», ata kërkojnë favorin hyjnor dhe po njoftojnë banorët e tokës se kjo është «dita e shpëtimit».
13. Cili është thelbi i Isaisë 49:8 dhe si u përmbush së pari ai?
13 Pavli citon Isainë 49:8, ku thuhet: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: ‘Të jam përgjigjur në një kohë vullneti të mirë dhe të kam ndihmuar në një ditë shpëtimi dhe vazhdova të të ruaja, që të të jepja si një besëlidhje për popullin, për të mëkëmbur vendin, për të sjellë rizotërimin e zotërimeve të shkretuara të trashëguara.’» Përmbushja e parë e kësaj profecie ndodhi kur populli i Izraelit u çlirua nga robëria në Babiloni dhe më vonë u kthye në vendlindjen e vet të shkretë.—Isaia 49:3, 9, BR.
14. Si u përmbush Isaia 49:8 në rastin e Jezuit?
14 Në përmbushjen e mëtejshme të profecisë së Isaisë, Jehovai dha «shërbëtorin» e tij Jezu si «një dritë të kombeve, që shpëtimi [i Perëndisë] të arrijë të jetë deri në skajin e tokës». (Isaia 49:6, 8, BR; krahaso Isainë 42:1-4, 6, 7; Mateun 12:18-21.) Është e dukshme se «koha e vullnetit të mirë» apo «koha e pranueshme», zbatohej për Jezuin, kur ai ishte në tokë. Ai u lut dhe Perëndia iu «përgjigj». Kjo doli se qe «një ditë shpëtimi» për Jezuin, sepse ai mbajti një integritet të përsosur dhe në këtë mënyrë «u bë përgjegjës për shpëtimin e përhershëm të të gjithë atyre që i binden».—Hebrenjve 5:7, 9, BR; Gjoni 12:27, 28.
15. Që kur janë përpjekur izraelitët frymorë të provojnë se janë të denjë për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë dhe me cilin objektiv?
15 Pavli e zbaton Isainë 49:8 për të krishterët e mirosur, duke iu përgjëruar atyre ‘të mos dështonin në arritjen e qëllimit të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’, gjë që do të ndodhte po të mos kërkonin vullnetin e tij të mirë gjatë «kohës së pranueshme» dhe «ditës së shpëtimit» që sjell ai. Pavli shton: «Ja! Tani është koha veçanërisht e pranueshme. Ja! Tani është dita e shpëtimit.» (2. Korintasve 6:2, BR) Qysh prej Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., izraelitët frymorë janë përpjekur të provojnë se janë të denjë për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, në mënyrë që «koha e pranueshme» të ishte për ta «një ditë shpëtimi».
‘E rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë’
16. Në cilat rrethana sprovuese e rekomandoi Pavli veten si shërbëtor i Perëndisë?
16 Disa burra që shoqëroheshin me kongregacionin e korintasve nuk po provonin se ishin të denjë për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë. Në përpjekje për të shkatërruar autoritetin apostolik të Pavlit, ata shpifën për të, megjithëse Pavli nuk ‘dha asnjë shkak për pengim’. Sigurisht që ai e rekomandoi veten si shërbëtor i Perëndisë «në qëndrueshmërinë në shumë [gjëra], në mjerime, në raste nevoje, në vështirësi, në rrahje, në burgje, në trazira, në punë, në netë pa gjumë, në kohë pa ushqime». (2. Korintasve 6:3-5, BR) Më vonë, Pavli arsyetoi se nëse kundërshtarët e tij ishin shërbëtorë, ai ishte «shërbëtor në një mënyrë më të spikatshme», sepse kishte hequr më shumë burgime, më shumë rrahje, rreziqe dhe humbje të të drejtave.—2. Korintasve 11:23-27, BR.
17. (a) Duke shfaqur cilat cilësi mund ta rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë? (b) Çfarë janë «armët e drejtësisë»?
17 Ashtu si Pavli dhe shokët e tij, ne mund ta rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë. Si? «Me anë të pastërtisë» apo dëlirësisë dhe duke vepruar në harmoni me njohurinë e saktë biblike. Ne mund ta rekomandojmë veten «me anë të shpirtmadhësisë», duke përballuar me durim të këqijat ose provokimet që mund të na bëjnë, si dhe «me anë të dashamirësisë», ndërsa bëjmë gjëra të dobishme për të tjerët. Veç këtyre, ne mund ta rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë, duke pranuar udhëheqjen prej frymës së tij, duke shfaqur një «dashuri pa hipokrizi», duke thënë të vërtetën dhe duke u mbështetur tek ai, për të na dhënë fuqi që të kryejmë shërbimin. Është interesant fakti që Pavli e provoi se ishte shërbëtor edhe «nëpërmjet armëve të drejtësisë djathtas dhe majtas». Në luftërat e lashtësisë, zakonisht dora e djathtë vringëllonte shpatën, ndërsa e majta mbante mburojën. Në luftën frymore kundër mësuesve të rremë, Pavli nuk përdori armët e mishit mëkatar: dredhinë, dinakërinë dhe mashtrimin. (2. Korintasve 6:6, 7; 11:12-14; Proverbat 3:32) Ai përdori «armë» apo mjete të drejta, për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. Kështu duhet të bëjmë edhe ne.
18. Nëse jemi shërbëtorë të Perëndisë, si do të sillemi?
18 Nëse jemi shërbëtorë të Perëndisë, do të sillemi ashtu si Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij. Na nderojnë apo jo të tjerët, ne do të veprojmë si të krishterë. Fjalët e këqija për ne nuk do ta ndalin veprën tonë të predikimit, por as nuk do të bëhemi fodullë, nëse do të flasin mirë. Ne do të themi të vërtetën dhe ndoshta do të bëhemi të njohur për vepra të perëndishme. Kur të ndodhemi në rrezik jete nën sulmin e armiqve, do të besojmë te Jehovai. Gjithashtu, do ta pranojmë me mirënjohje disiplinën.—2. Korintasve 6:8, 9.
19. Si është e mundur të ‘bësh shumë [veta] të pasur’ frymësisht?
19 Në përfundim të trajtimit që i bëri shërbimit të pajtimit, Pavli foli për vete dhe për shokët e tij «si të brengosur, por gjithmonë duke u gëzuar, si të varfër, por duke bërë shumë [veta] të pasur, si ata që nuk kanë asgjë, por që megjithatë zotërojnë të gjitha gjërat». (2. Korintasve 6:10, BR) Ndonëse ata shërbëtorë patën arsye të brengoseshin për mundimet e tyre, kishin një gëzim të brendshëm. Ata ishin të varfër materialisht, por ‘bënë shumë [veta] të pasur’ frymësisht. Në fakt, ata ‘zotëronin të gjitha gjërat’, sepse besimi i tyre u solli pasuri frymore, madje perspektivën për t’u bërë bij qiellorë të Perëndisë. Gjithashtu, ata patën një jetë të pasur dhe të lumtur si shërbëtorë të krishterë. (Veprat 20:35) Ashtu si ata, ne mund të ‘bëjmë shumë [veta] të pasur’ duke marrë pjesë në shërbimin e pajtimit pikërisht tani, në këtë ditë shpëtimi!
Beso te shpëtimi nga Jehovai
20. (a) Cila ishte dëshira e zjarrtë e Pavlit dhe pse s’duhej humbur kohë? (b) Ç’gjë e karakterizon ditën e shpëtimit në të cilën jetojmë tani?
20 Kur Pavli shkroi letrën e tij të dytë drejtuar korintasve, aty nga viti 55 i e.s., sistemit judaik të gjërave nuk i mbeteshin veçse rreth 15 vjet. Apostulli dëshironte fort që hebrenjtë dhe johebrenjtë të pajtoheshin me Perëndinë nëpërmjet Krishtit. Ajo ishte një ditë shpëtimi dhe s’kishte kohë për të humbur. E pra, që prej vitit 1914 ne jemi në një përfundim korrespondues të një sistemi gjërash. Vepra globale e predikimit të Mbretërisë, që tani është në rrugë e sipër, e shënon këtë ditë si ditën e shpëtimit.
21. (a) Cili është shkrimi i zgjedhur për vitin 1999? (b) Çfarë duhet të jemi duke bërë në këtë ditë shpëtimi?
21 Njerëzit e të gjitha kombeve duhet të dëgjojnë rreth masës që ka marrë Perëndia për shpëtimin nëpërmjet Jezu Krishtit. Nuk ka kohë për t’u vonuar. Pavli shkroi: «Ja! Tani është dita e shpëtimit.» Këto fjalë në 2. Korintasve 6:2 do të jenë shkrimi vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait për 1999-n. Sa i përshtatshëm është ky shkrim, sepse ne ndodhemi përballë diçkaje shumë më të keqe sesa shkatërrimi i Jerusalemit dhe i tempullit të tij. Pikërisht përpara nesh ndodhet fundi i krejt këtij sistemi gjërash, duke përfshirë çdo banor të tokës. Tani, jo nesër, është koha për të vepruar. Nëse besojmë se shpëtimi i përket Jehovait, nëse e duam atë dhe nëse e vlerësojmë jetën e përhershme, nuk do ta humbasim qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Me një dëshirë nga zemra për të nderuar Jehovain, ne do të provojmë me fjalë dhe me vepra se e kemi vërtet me tërë mend kur themi me plot gojën: «Ja! Tani është dita e shpëtimit.»
Si do të përgjigjeshe?
◻ Pse pajtimi me Perëndinë ka rëndësi jetësore?
◻ Cilët janë ambasadorët dhe të dërguarit e angazhuar në shërbimin e pajtimit?
◻ Në ç’mënyrë mund ta rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë?
◻ Ç’domethënie ka për ty shkrimi i vitit i Dëshmitarëve të Jehovait për 1999-n?
[Figurat në faqen 17]
Ashtu si Pavli, a je edhe ti duke predikuar dhe ndihmuar me zell të tjerët për t’u pajtuar me Perëndinë?
Shtetet e Bashkuara
Franca
Bregu i Fildishtë
[Figura në faqen 18]
Në këtë ditë shpëtimi, a je mes morive që po pajtohen me Perëndinë Jehova?