ARTIKULLI I STUDIMIT 29
«Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm»
«Për hir të Krishtit, gëzohem kur kam dobësi, kur më fyejnë, kur jam në hall, kur më përndjekin dhe kur kam vështirësi.»—2 KOR. 12:10.
KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë pranoi hapur apostulli Pavël?
APOSTULLI Pavël pranoi hapur se hera-herës ndihej i dobët. Ai tha se trupi ‘po i tretej’, se i duhej të luftonte për të bërë atë që është e drejtë dhe se Jehovai nuk u përgjigjej gjithmonë lutjeve të tij ashtu siç shpresonte. (2 Kor. 4:16; 12:7-9; Rom. 7:21-23) Pavli tha edhe se kundërshtarët e tij e shihnin si njeri të dobët.b Megjithatë, ai nuk lejoi që dobësitë e veta ose pikëpamjet negative të të tjerëve ta bënin të ndihej i pavlerë.—2 Kor. 10:10-12, 17, 18.
2. Sipas 2 Korintasve 12:9, 10, çfarë mësimi me vlerë nxori Pavli?
2 Pavli nxori një mësim me vlerë—një njeri mund të jetë i fortë edhe kur ndihet i dobët. (Lexo 2 Korintasve 12:9, 10.) Jehovai i tha Pavlit se fuqia e Tij «përsoset në dobësi», pra se fuqia e Tij do të kompensonte fuqinë që i mungonte Pavlit. Por në fillim, le të shohim përse nuk duhet të shqetësohemi kur kundërshtarët na fyejnë.
‘GËZOHU KUR TË FYEJNË’
3. Pse mund të gëzohemi kur na fyejnë?
3 Askujt prej nesh nuk i pëlqen ta fyejnë. Gjithsesi, nëse kundërshtarët na fyejnë dhe shqetësohemi tepër nga fjalët e tyre, mund të shkurajohemi. (Prov. 24:10) Si duhet t’i shohim, atëherë, këto ofendime? Njësoj si Pavli, ne mund të ‘gëzohemi kur na fyejnë’. (2 Kor. 12:10) Pse? Sepse fyerjet dhe kundërshtimi janë tregues se jemi dishepuj të vërtetë të Jezuit. (1 Pjet. 4:14) Jezui tha se dishepujt e tij do të përndiqeshin. (Gjoni 15:18-20) Kështu ndodhi në shekullin e parë. Në atë kohë, ata që ishin ndikuar nga kultura greke, i shihnin të krishterët si njerëz injorantë e të dobët. Gjithashtu, judenjtë i konsideronin të krishterët si «të pashkolluar e të thjeshtë», ashtu siç thanë për apostujt Pjetër dhe Gjon. (Vep. 4:13) Të krishterët dukeshin të dobët; nuk kishin influencë në politikë e në ushtri, dhe njerëzit i shihnin si të përjashtuar nga shoqëria.
4. Si vepruan të krishterët në shekullin e parë përballë përndjekjeve e fyerjeve nga kundërshtarët?
4 A u stepën të krishterët në shekullin e parë nga pikëpamjet negative të kundërshtarëve? Jo. Apostujt Pjetër dhe Gjon, për shembull, e quajtën nder të përndiqeshin ngaqë ishin dishepuj të Jezuit dhe ngaqë i mësonin të tjerët për të. (Vep. 4:18-21; 5:27-29, 40-42) Dishepujt nuk kishin asnjë arsye pse t’u vinte turp. Të mirat që bënë për njerëzimin ata të krishterë të përulur në shekullin e parë, ia kalonin çdo arritjeje të kundërshtarëve të tyre. Për shembull, librat e Biblës që shkruan disa prej tyre, vazhdojnë sot e kësaj dite të ndihmojnë e t’u japin shpresë miliona njerëzve. Dhe Mbretëria për të cilën predikuan, po qeveris në qiell e do të qeverisë së shpejti në tokë. (Mat. 24:14) Krejt ndryshe, fuqia botërore që i përndoqi të krishterët është mbuluar nga pluhuri i harresës. Përveç kësaj, ata dishepuj besnikë tani janë mbretër në qiell, ndërsa kundërshtarët e tyre kanë vdekur. E nëse do të ringjallen, do të jenë nënshtetas të Mbretërisë për të cilën predikuan të krishterët aq të urryer për ta.—Zbul. 5:10.
5. Sipas Gjonit 15:19, pse shihen me përbuzje shërbëtorët e Jehovait?
5 Sot, si shërbëtorë të Jehovait, na shohin ndonjëherë me përbuzje dhe na tallin duke na quajtur injorantë e të dobët. Pse? Sepse nuk pajtohemi me qëndrimet e njerëzve përreth. Ne përpiqemi të jemi të përulur, të butë dhe të bindur. Kurse bota admiron njerëzit krenarë, arrogantë dhe rebelë. Përveç kësaj, nuk përzihemi në politikë e as bëhemi pjesë e ushtrisë së ndonjë vendi. Meqë nuk modelohemi sipas kallëpit të botës, na shohin si inferiorë.—Lexo Gjonin 15:19; Rom. 12:2.
6. Cilat gjëra madhështore po bën Jehovai me anë të shërbëtorëve të tij?
6 Pavarësisht se ç’mendon bota për ne, Jehovai po na përdor për të arritur gjëra madhështore. Ai po kryen fushatën më të madhe të predikimit në historinë njerëzore. Sot, shërbëtorët e tij botojnë revistat më të përkthyera e më të përhapura në botë dhe përdorin Biblën për të ndihmuar miliona njerëz që të përmirësojnë jetën. E gjithë merita për këto arritje të pashoqe i takon Jehovait, i cili po kryen vepra të fuqishme me anë të një grupi njerëzish që duken të dobët. Por, çfarë mund të themi për ne si individë? A mund të na ndihmojë Jehovai të jemi të fuqishëm? Nëse po, ç’duhet të bëjmë që të marrim ndihmë prej tij? Le të shqyrtojmë tri gjëra specifike që mund të mësojmë nga shembulli i apostullit Pavël.
MOS U MBËSHTET TE FORCAT E TUA
7. Cili është një mësim që nxjerrim nga shembulli i Pavlit?
7 Një mësim që nxjerrim nga shembulli i Pavlit është ky: të mos mbështetemi te forcat ose aftësitë tona kur i shërbejmë Jehovait. Nga pikëpamja njerëzore, Pavli kishte arsye të ndihej krenar dhe të mbështetej te vetja. Ai ishte rritur në Tars, kryeqyteti i një province romake. Tarsi ishte një vend i begatë dhe kishte një universitet të famshëm. Pavli ishte i arsimuar—mësuesi i tij kishte qenë Gamalieli, një prej udhëheqësve judenj më të respektuar të kohës së tij. (Vep. 5:34; 22:3) Gjithashtu, në një periudhë të jetës, Pavli kishte pasur njëfarë influence brenda komunitetit judaik. Ai tha: «Në judaizëm po përparoja më tepër se shumë moshatarë të kombit tim.» (Gal. 1:13, 14; Vep. 26:4) Gjithsesi, Pavli nuk u mbështet te vetja.
8. Sipas Filipianëve 3:8 dhe shënimit, si i shihte Pavli gjërat që kishte lënë pas, dhe pse ‘gëzohej kur kishte dobësi’?
8 Pavli hoqi dorë me kënaqësi nga gjërat që e bënin të fuqishëm sipas pikëpamjes së botës. Në fakt, ato gjëra që dukeshin si avantazhe, ai i shihte si «shumë mbeturina». (Lexo Filipianëve 3:8 dhe shënimin.) Pavli pagoi një çmim të lartë për të qenë dishepull i Krishtit. Kombi i tij e urrente. (Vep. 23:12-14) Bashkëqytetarët e tij, romakët, e rrahën dhe e futën në burg. (Vep. 16:19-24, 37) Veç kësaj, Pavli ndihej keq sepse u bë më i vetëdijshëm për mangësitë e veta. (Rom. 7:21-25) Por në vend se të lejonte që kundërshtarët e tij ose të metat e veta ta gjunjëzonin, ai ‘gëzohej kur kishte dobësi’. Pse? Sepse kur ishte i dobët, shihte si vepronte fuqia e Perëndisë në jetën e tij.—2 Kor. 4:7; 12:10.
9. Si duhet t’i shohim gjërat që bota i quan disavantazhe?
9 Nëse duam të marrim fuqi nga Jehovai, nuk duhet të mendojmë se vlera jonë përcaktohet nga fuqia fizike, arsimimi, prejardhja ose të mirat materiale. Nuk janë këto që na bëjnë të dobishëm për Jehovain. Faktikisht, shumë shërbëtorë të Perëndisë nuk janë ‘të mençur nga pikëpamja njerëzore, të fuqishëm dhe nga familje fisnike’. Përkundrazi, Jehovai ka zgjedhur të përdorë «gjërat e dobëta të botës». (1 Kor. 1:26, 27) Prandaj, mos i shih gjërat që bota i quan disavantazhe si pengesa për t’i shërbyer Jehovait. Në vend të kësaj, shihi si mundësi për të parë si të jep fuqi Jehovai. Për shembull, nëse ndihesh i pasigurt kur të tjerët përpiqen të të ngjallin dyshime për bindjet e tua, lutju Jehovait të të japë guxim që ta mbrosh besimin. (Efes. 6:19, 20) Nëse po lufton me një sëmundje kronike, kërkoji Jehovait të të japë fuqinë e nevojshme për të ruajtur zellin në shërbim. Çdo herë që sheh dorën e Jehovait në jetën tënde, të shtohet besimi dhe bëhesh më i fuqishëm.
MËSO NGA SHEMBUJT E BIBLËS
10. Pse duhet t’i studiojmë shembujt e shërbëtorëve besnikë, si ata që përmenden te Hebrenjve 11:32-34?
10 Pavli i studionte me etje Shkrimet. Ai jo vetëm fitonte njohuri, por edhe mësonte nga historitë e shërbëtorëve besnikë të Jehovait të dokumentuara në Shkrime. Kur u shkroi të krishterëve hebrenj, Pavli u kërkoi të mendonin për tërë ata shembuj që përmban Fjala e Perëndisë. (Lexo Hebrenjve 11:32-34) Të mendojmë vetëm për një nga ata shërbëtorë besnikë, për mbretin David. Ai hasi kundërshtim jo vetëm nga armiqtë, por edhe nga disa miq të dikurshëm. Ndërsa shqyrtojmë shembullin e tij, do të kuptojmë pse mund t’i ketë dhënë forcë Pavlit meditimi për jetën e Davidit. Gjithashtu do të shohim si mund ta imitojmë Pavlin.
11. Pse dukej i dobët Davidi? (Shih figurën e kopertinës.)
11 Goliadit, që ishte luftëtar i fuqishëm, i dukej i dobët Davidi. Kur e pa, «iu ngërdhesh gjithë përbuzje». Tekefundit Goliadi ishte më trupmadh, më i armatosur dhe më i stërvitur për luftë. Kurse Davidi ishte thjesht një djalosh pa përvojë, thuajse i paarmatosur. Por atë që dukej si dobësi, Davidi e ktheu në një armë të fuqishme. Ai u mbështet te Jehovai për forcë dhe e mposhti armikun e tij.—1 Sam. 17:41-45, 50.
12. Cilën sfidë tjetër hasi Davidi?
12 Davidi hasi një sfidë tjetër që mund ta bënte të ndihej i dobët dhe i pafuqishëm. Ai i shërbeu me besnikëri Saulit, që Jehovai e kishte caktuar mbret të Izraelit. Në fillim, mbreti Saul e respektonte Davidin. Por më vonë, krenaria e shtyu të bëhej xheloz për të. Ai e trajtonte keq Davidin, e madje u përpoq ta vriste.—1 Sam. 18:6-9, 29; 19:9-11.
13. Si reagoi Davidi kur mbreti Saul e trajtoi padrejtësisht?
13 Edhe pse mbreti Saul e trajtonte padrejtësisht, Davidi vazhdoi të tregonte respekt për mbretin e caktuar nga Jehovai. (1 Sam. 24:6) Ai nuk ia vinte fajin Jehovait për gjërat e këqija që bënte Sauli. Në vend të kësaj, Davidi mbështetej te Jehovai që t’i jepte forcën e nevojshme për ta duruar atë sprovë të vështirë.—Psal. 18:1, mbishkrimi.
14. Cilën situatë të ngjashme me atë të Davidit hasi apostulli Pavël?
14 Apostulli Pavël hasi një situatë të ngjashme me atë të Davidit. Armiqtë e Pavlit ishin ku e ku më të fuqishëm se ai. Shumë udhëheqës fetarë e politikë me influencë e urrenin. Ata urdhëruan sa e sa herë që Pavlin ta rrihnin e ta burgosnin. E siç i ndodhi Davidit, Pavlin e keqtrajtuan ata që duhej të ishin miqtë e tij. Madje disa në kongregacionin e krishterë iu kundërvunë. (2 Kor. 12:11; Filip. 3:18) Por Pavli fitoi mbi të gjithë ata që e luftonin. Në ç’mënyrë? Ai vazhdoi të predikonte, pavarësisht nga kundërshtimi. U qëndronte besnik vëllezërve e motrave edhe kur e zhgënjenin. E mbi të gjitha, i qëndroi besnik Perëndisë deri në fund të jetës. (2 Tim. 4:8) Ai pati sukses jo ngaqë mbështetej te forcat e veta, por ngaqë mbështetej te Jehovai.
15. Cili është synimi ynë, dhe si mund ta arrijmë?
15 A të duhet të durosh fyerje a përndjekje nga shokët e shkollës, të punës ose të afërmit që nuk janë Dëshmitarë? A të ka trajtuar ndonjëherë padrejtësisht dikush në kongregacion? Nëse po, kujto shembullin e Davidit e të Pavlit. Ti mund të vazhdosh «ta mundësh të keqen me të mirën». (Rom. 12:21) Ndryshe nga Davidi që përdori një gur për të luftuar kundërshtarin, synimi yt është të përdorësh Fjalën e Perëndisë për të skalitur të vërtetën në mendjet dhe zemrat e njerëzve të sinqertë. Mund ta arrish synimin tënd duke u mbështetur te Bibla për t’iu përgjigjur njerëzve, duke u treguar respekt e dashuri atyre që të trajtojnë keq dhe duke u bërë mirë të gjithëve, madje edhe armiqve të tu.—Mat. 5:44; 1 Pjet. 3:15-17.
PRANO NDIHMË NGA TË TJERËT
16-17. Çfarë nuk harroi kurrë Pavli?
16 Para se të bëhej i krishterë, apostulli Pavël ishte një i ri arrogant që përndiqte dishepujt e Jezuit. (Vep. 7:58; 1 Tim. 1:13) Vetë Jezui ndërhyri për ta penguar Pavlin, i njohur atëherë me emrin Saul, që të mos e sulmonte më kongregacionin e krishterë. Ai i foli nga qielli dhe e verboi. Për të rifituar shikimin, Pavli u detyrua të kërkonte ndihmën e atyre që kishte përndjekur. Ai pranoi me përulësi ndihmë nga një dishepull që quhej Anania, i cili i ktheu shikimin.—Vep. 9:3-9, 17, 18.
17 Më vonë, Pavli u bë një pjesëtar i mirënjohur i kongregacionit të krishterë, por nuk e harroi kurrë atë që i mësoi Jezui rrugës për në Damask. Ai vazhdoi të ishte i përulur dhe të pranonte me gatishmëri ndihmën e vëllezërve e të motrave. Pavli u shpreh se ata ishin «një ndihmë fuqizuese» për të.—Kolos. 4:10, 11, shën.
18. Pse mund të ngurrojmë të pranojmë ndihmë nga të tjerët?
18 Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Pavlit? Kur filluam të shoqëroheshim me popullin e Jehovait, ndoshta e pranonim me kënaqësi ndihmën e të tjerëve, se e kuptonim që ishim ‘foshnja’ në të vërtetën dhe kishim shumë për të mësuar. (1 Kor. 3:1, 2) Po tani? Nëse po i shërbejmë Jehovait prej vitesh dhe kemi fituar shumë përvojë, mund të mos jemi edhe aq të gatshëm të pranojmë ndihmë. Kjo mund të ndodhë sidomos nëse ai ose ajo që na ofron ndihmë, ka më pak vite në të vërtetën. Megjithatë, shpesh Jehovai përdor vëllezërit e motrat për të na dhënë forcë. (Rom. 1:11, 12) Prandaj, nëse duam të marrim fuqi nga Jehovai, duhet të pranojmë ndihmën e vëllezërve e të motrave.
19. Pse Pavli arriti të bënte gjëra të mrekullueshme?
19 Pavli arriti të bënte gjëra të mrekullueshme pasi u bë i krishterë. Pse? Ngaqë mësoi se suksesi nuk varet nga fuqia fizike, arsimimi, pasuria ose prejardhja, por nga përulësia dhe mbështetja te Jehovai. Le të imitojmë të gjithë Pavlin (1) duke u mbështetur te Jehovai, (2) duke mësuar nga shembujt e Biblës dhe (3) duke pranuar ndihmë nga vëllezërit e motrat. Kështu, pavarësisht sa të dobët mund të ndihemi, Jehovai do të na bëjë të fuqishëm!
KËNGA 71 Marshojmë me Jehovain!
a Në këtë artikull do të shqyrtojmë shembullin e apostullit Pavël. Do të mësojmë se po të jemi të përulur, Jehovai do të na japë forcën e nevojshme që të durojmë talljet dhe të fitojmë mbi dobësitë tona.
b SHPJEGIMI I FJALËS: Mund të ndihemi të dobët për arsye të ndryshme—për shembull, ngaqë jemi të papërsosur, të varfër, të sëmurë ose pak të arsimuar. Veç kësaj, edhe kundërshtarët tanë bëjnë përpjekje që të ndihemi të dobët duke na sulmuar fizikisht ose me fjalë.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pavli shkon të predikojë për Krishtin dhe nuk merr me vete rrotullat e shkrimtarëve botërorë dhe një kutizë me shkrime, që mund të ishin pjesë e jetës së dikurshme si farise.
d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Shokët e punës përpiqen t’i bëjnë presion një vëllai që të marrë pjesë në ditëlindjen e një kolegu.