Veprat e Apostujve
16 Kështu mbërriti në Derbë, e pastaj në Listër.+ Atje ishte një dishepull që quhej Timote,+ djali i një gruaje judeje besimtare, por me baba grek. 2 Vëllezërit në Listër dhe në Ikoni flitnin mirë për të. 3 Pavli shprehu dëshirën që ta shoqëronte Timoteu dhe e mori me vete, por më parë e rrethpreu për shkak të judenjve në ato vende,+ sepse të gjithë e dinin se i ati ishte grek. 4 Vendimet e apostujve dhe të pleqve në Jerusalem, ata ua përcillnin qyteteve ku shkonin, që t’i zbatonin.+ 5 Si rezultat, besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin ditë për ditë.
6 Veç kësaj, ata udhëtuan përmes Frigjisë e Galatisë,+ sepse fryma e shenjtë ua kishte ndaluar të predikonin fjalën në provincën e Azisë. 7 Me të mbërritur në Misi, bënë përpjekje të shkonin në Bitini,+ por Jezui, nëpërmjet frymës, nuk i lejoi. 8 Kështu kaluan pranë* Misisë, dhe zbritën në Troadë. 9 Gjatë natës, Pavlit iu shfaq në vegim* një burrë nga Maqedonia,* që rrinte në këmbë dhe i përgjërohej: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!» 10 Menjëherë pas vegimit, u përpoqëm të shkonim në Maqedoni, pasi dolëm në përfundimin se Perëndia na kishte thirrur që t’u shpallnim atyre lajmin e mirë.
11 Prandaj, nga Troada nisëm lundrimin drejt Samotrakës, ndërsa ditën tjetër lundruam drejt Neapolit. 12 Nga atje shkuam në Filipi,+ një koloni romake që është qyteti kryesor i krahinës së Maqedonisë, dhe qëndruam disa ditë. 13 Ditën e Sabatit dolëm jashtë portës së qytetit, buzë një lumi, ku mendonim se njerëzit mblidheshin për t’u lutur. U ulëm e nisëm t’u flitnim grave që ishin mbledhur. 14 Një adhuruese e Perëndisë që quhej Lidia, një shitëse pëlhurash të purpurta* nga qyteti i Tiatirës,+ po dëgjonte. Jehovai* ia hapi plotësisht zemrën që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli. 15 Pasi ajo dhe ata të shtëpisë së saj u pagëzuan,+ na tha me përgjërim: «Nëse më konsideroni besnike të Jehovait,* ejani e rrini në shtëpinë time.» Dhe na detyroi të shkonim.
16 Tek shkonim për në vendin e lutjes, na doli para një shërbëtore që e kishte pushtuar një demon.+ Ajo u sillte shumë fitime zotërinjve të saj me zanatin e parashikimit të fatit. 17 Ajo vajzë na ndiqte pas, ne dhe Pavlin, e thërriste: «Këta njerëz, që po ju shpallin udhën e shpëtimit, janë skllevër të Më të Lartit Perëndi!»+ 18 Këtë e bëri për shumë ditë. Më në fund, Pavli u lodh, u kthye dhe i tha demonit: «Në emër të Jezu Krishtit, të urdhëroj të dalësh prej saj!» Dhe demoni doli në çast.+
19 E pra, kur zotërinjtë e saj panë se s’kishin më shpresë të nxirrnin fitime,+ zunë Pavlin e Silën dhe i çuan zvarrë në sheshin e pazarit te qeveritarët.+ 20 Pasi i nxorën para magjistratëve,* thanë: «Këta njerëz, që janë judenj, po na e turbullojnë shumë qytetin+ 21 dhe përhapin zakone që nuk mund t’i pranojmë e t’i ndjekim, sepse nuk janë të ligjshme për ne si romakë.» 22 Gjithë turma u ngrit kundër tyre. Magjistratët ua shqyen rrobat dhe dhanë urdhër të rriheshin me thupër.+ 23 Pasi i rrahën shumë, i futën në burg dhe e urdhëruan rojën t’i ruante mirë.+ 24 Meqë i dhanë një urdhër të tillë, ai i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua vuri këmbët në fallaká.*
25 Por aty nga mesi i natës, Pavli dhe Sila po luteshin e po lëvdonin Perëndinë me këngë.+ Të burgosurit po i dëgjonin. 26 Befas ra një tërmet aq i madh, sa u tronditën themelet e burgut. Të gjitha dyert u hapën në çast, dhe të burgosurve iu zgjidhën vargonjtë.+ 27 Kur roja i burgut u zgjua dhe pa dyert të hapura, nxori shpatën e u bë gati të vriste veten, pasi kujtoi se të burgosurit kishin ikur.+ 28 Por Pavli i thirri: «Mos i bëj keq vetes, se jemi të gjithë këtu.» 29 Kështu, ai kërkoi diçka për të bërë dritë, hyri me të shpejtë brenda dhe, duke u dridhur i tëri, u ra ndër këmbë Pavlit dhe Silës. 30 Pasi i nxori jashtë, tha: «Zotërinj, ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» 31 Ata iu përgjigjën: «Ki besim te Zotëria Jezu e do të shpëtosh ti dhe ata të shtëpisë sate.»+ 32 Pastaj i predikuan fjalën e Jehovait* atij dhe gjithë atyre të shtëpisë së tij. 33 Në atë orë të natës, ai i mori me vete dhe u lau plagët. Më pas, bashkë me familjen e tij, u pagëzua menjëherë.+ 34 Ai i çoi në shtëpinë e tij dhe u shtroi tryezën. Tani që besonte te Perëndia, gëzonte shumë bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet.
35 Kur zbardhi dita, magjistratët dërguan rojat e rendit publik për t’i thënë rojës së burgut: «Liroji ata njerëz!» 36 Ky ia tha këto fjalë Pavlit: «Magjistratët kanë dërguar njerëz që ju të dy të liroheni. Prandaj dilni dhe shkoni në paqe.» 37 Por Pavli ua ktheu: «Ata na rrahën para të gjithëve pa qenë të dënuar,* ndonëse jemi romakë,+ dhe na futën në burg. Kurse tani duan të na flakin jashtë fshehurazi?! Kurrsesi, jo! Le të vijnë vetë e të na nxjerrin prej këtej!» 38 Rojat e rendit publik ua çuan këto fjalë magjistratëve. Kur dëgjuan se ata burra ishin romakë, këta u frikësuan.+ 39 Prandaj vajtën, u kërkuan falje, e pasi i shoqëruan jashtë burgut, u kërkuan të iknin nga qyteti. 40 Por ata, me të dalë nga burgu, shkuan në shtëpinë e Lidias, e kur panë vëllezërit, u dhanë zemër+ dhe u nisën.