Të dallojmë dhe të kapërcejmë çdo dobësi frymore
SIPAS MITOLOGJISË GREKE, AKILI ISHTE LUFTËTARI MË TRIM GREK në luftën e Trojës, një fushatë që u bë kundër këtij qyteti. Legjenda thotë se kur Akili ishte foshnjë, e ëma e zhyti në ujërat e lumit Stiks, duke e bërë të paprekshëm, përveç vendit ku ajo e mbajti, thembrës së famshme të Akilit. Pikërisht aty e goditi dhe e vrau Akilin shigjeta fatale e gjuajtur nga Paridi, biri i mbretit Priam të Trojës.
Të krishterët janë ushtarë të Krishtit, të angazhuar në një luftë frymore. (2. Timoteut 2:3) «Ne kemi një ndeshje,—shpjegon apostulli Pavël,—jo kundër gjakut e mishit, por kundër qeverive, kundër autoriteteve, kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore.» Po, armiqtë tanë s’janë askush tjetër veçse Satana Djalli dhe demonët.—Efesianëve 6:12, BR.
Kuptohet, po të mos ishte për ndihmën që marrim nga Perëndia Jehova, i cili është përshkruar si «një person burrëror lufte», kjo luftë do të ishte e pabarabartë. (Eksodi 15:3, BR) Për t’u mbrojtur kundër armiqve tanë të ligj, na është dhënë një armaturë frymore. Ja përse apostulli bëri thirrje: «Vishni armaturën e plotë prej Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.»—Efesianëve 6:11, BR.
Armatura e siguruar nga Perëndia Jehova pa dyshim që është e cilësisë më të mirë, në gjendje për t’i qëndruar çdo lloj sulmi frymor. Hidhi vetëm një vështrim listës që dha Pavli: brezi i së vërtetës, parzmorja e drejtësisë, pajisjet e këmbëve të lajmit të mirë, mburoja e gjerë e besimit, helmeta e shpëtimit dhe shpata e frymës. A mund të gjendet një armaturë më e shkëlqyer se kjo? I veshur me këtë armaturë, një ushtar i krishterë i ka të gjitha mundësitë për të dalë fitimtar, pavarësisht nga probabilitetet shkurajuese.—Efesianëve 6:13-17.
Ndonëse armatura frymore që na ofron Jehovai është e cilësisë më të mirë dhe është një burim sigurie për ne, kjo nuk do të thotë se duhet t’i marrim gjërat me lehtësi. Duke kujtuar edhe një herë Akilin që mendohej si i pamposhtshëm, a mund të ndodhë që edhe ne të kemi një pikë të dobët, një thembër Akili frymore? Një gjë e tillë do të ishte fatale po të kapeshim në befasi.
Kontrollo armaturën tënde frymore
Një patinator në akull, i cili kishte fituar dy herë medaljen e artë olimpike e që në dukje kishte shëndet të mirë, papritur u shemb përdhe dhe vdiq gjatë një sesioni stërvitjeje. Pak kohë pas kësaj, në gazetën The New York Times u raportua një lajm tronditës: «Gjysma e 600.000 amerikanëve që pësojnë infarkte çdo vit, nuk shfaqin simptoma paraprake.» Qartë, gjendja e shëndetit tonë nuk mund të përcaktohet vetëm nga mënyra se si ndihemi.
E njëjta gjë thuhet kur vjen fjala për mirëqenien tonë frymore. Bibla këshillon: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të ruhet se mos bjerë.» (1. Korintasve 10:12, BR) Edhe pse armatura jonë frymore është më e mira që mund të gjendet, dobësitë mund të zhvillohen. Kjo ndodh sepse kemi lindur në mëkat e natyra jonë mëkatare dhe e papërsosur mund ta mposhtë me lehtësi vendimin tonë për të bërë vullnetin e Perëndisë. (Psalmet 51:5) Me gjithë qëllimet tona të mira, zemra jonë tradhtare mund të na mashtrojë, duke prodhuar arsyetime ose justifikime që janë me hile, me qëllim që ta kalojmë pa vënë re dobësinë tonë dhe të mashtrohemi, duke menduar se gjithçka shkon mirë.—Jeremia 17:9; Romakëve 7:21-23.
Përveç kësaj, jetojmë në një botë ku ndjenja e së drejtës dhe e së gabuarës shpesh është e ngatërruar dhe e shtrembëruar. Mënyra se si ndihet një person përcakton nëse një gjë është e gabuar apo e drejtë. Ky lloj mendimi nxitet nëpër reklama, në zbavitjet që janë në modë dhe në mjetet e informacionit. Është më se e qartë që po të mos jemi të kujdesshëm, mund të nanuritemi edhe ne në këtë lloj mendimi dhe armatura frymore mund të fillojë të dobësohet.
Në vend se të biem në një situatë të tillë të rrezikshme, ne duhet t’i vëmë veshin këshillës së Biblës: «Vazhdoni të vini në provë nëse jeni apo jo në besim, vazhdoni të provoni se si jeni ju vetë.» (2. Korintasve 13:5, BR) Kur bëjmë kështu, do të jemi në gjendje të diktojmë ndonjë dobësi që mund të jetë zhvilluar dhe të bëjmë hapat e nevojshme për ta ndrequr dobësinë, para se ta diktojnë armiqtë tanë e të fillojnë sulmin e tyre. Por, si mund ta vëmë në provë veten? Cilat janë disa simptoma që duhet të kërkojmë në këtë kontroll të vetvetes?
Të kuptojmë simptomat
Një simptomë e zakonshme që mund të sinjalizojë dobësinë frymore është plogështimi në shprehitë e studimit personal. Disa mendojnë se duhet të studiojnë më shumë, por thjesht u duket që nuk ia dalin dot të gjejnë kohë për ta bërë këtë. Po të marrim parasysh jetën e zënë me punë të kohëve tona, është e lehtë të biesh në një situatë të tillë të keqe. Por, më e keqja është se shpesh njerëzit justifikohen që nuk janë dhe aq keq, meqë i lexojnë botimet biblike sa herë që munden dhe shkojnë në disa mbledhje të krishtere.
Ky arsyetim është një formë e mashtrimit të vetvetes. Është si një njeri që mendon se është tepër i zënë për t’u ulur e për të ngrënë siç duhet, kështu që ha një kafshatë këtu e një atje, ndërkohë që kalon nga një punë në tjetrën. Ndonëse mund të mos vuajë nga uria, herët a vonë ai do të ketë probleme me shëndetin. Ngjashëm, nëse nuk marrim vazhdimisht ushqimin e shëndetshëm frymor, pas pak kohësh mund të zhvillojmë pika të dobëta në armaturën tonë frymore. Duke qenë se bombardohemi vazhdimisht nga propaganda dhe qëndrimet e botës, mund të biem me lehtësi nën sulmet vdekjeprurëse të Satanait.
Një simptomë tjetër e dobësisë frymore është humbja e ndjenjës së urgjencës në luftën tonë frymore. Në kohë paqeje një ushtar nuk e ndien tensionin dhe rrezikun e luftës. Prandaj, mund të mos e ndiejë urgjencën për të qenë në gatishmëri. Nëse e thërrasin papritur në luftë, ai fare mirë mund të jetë i papërgatitur. E njëjta gjë mund të ndodhë nga ana frymore. Nëse lejojmë që ndjenja e urgjencës të ulet, mund të gjendemi të papërgatitur për t’u mbrojtur nga sulmet që mund të na dalin përpara.
Por, si ta dimë nëse kemi rënë në këtë situatë? Mund t’i bëjmë vetes disa pyetje që zbulojnë gjendjen tonë të vërtetë: A jam po aq i zellshëm për të dalë në shërbim, sa jam për të dalë shëtitje? A jam po aq i gatshëm të kaloj kohë për t’u përgatitur për mbledhjet, sa jam për të bërë pazarin ose për të parë televizorin? A kam ndryshuar mendim lidhur me synimet ose mundësitë nga të cilat kam hequr dorë kur u bëra i krishterë? A e kam zili të ashtuquajturën jetë të rehatshme që bëjnë të tjerët? Këto janë pyetje zhbiruese, por janë të dobishme për të diktuar ndonjë dobësi në armaturën tonë frymore.
Meqenëse armatura jonë mbrojtëse është frymore, është thelbësore që fryma e Perëndisë të rrjedhë lirisht në jetën tonë. Kjo pasqyrohet në masën në të cilën shfaqen frytet e frymës së Perëndisë në të gjitha aktivitetet tona. A acarohesh ose zemërohesh me lehtësi kur të tjerët bëjnë ose thonë ndonjë gjë jo sipas pëlqimit tënd? A e ke të vështirë të pranosh këshillat ose a mendon se të tjerët të gjejnë gjithnjë kleçka? A ke smirë për bekimet dhe arritjet e të tjerëve? A e ke të vështirë të shkosh mirë me të tjerët, e në veçanti me bashkëmoshatarët e tu? Një vetëshqyrtim i ndershëm do të na ndihmojë të kuptojmë nëse jeta jonë është e mbushur me frytet e frymës së Perëndisë apo nëse veprat e mishit po shfaqen në mënyrë tinëzare.—Galatasve 5:22-26; Efesianëve 4:22-27.
Hapa pozitivë për të kapërcyer dobësinë frymore
Një gjë është të kuptosh simptomat e dobësisë frymore, por është krejt tjetër t’i përballosh ato dhe të bësh hapa për t’i rregulluar gjërat. Është për të ardhur keq, por shumë veta kanë prirjen të justifikohen, ta përligjin e ta minimizojnë problemin ose të mohojnë ekzistencën e tij. Sa e rrezikshme është kjo, tamam si të shkosh në betejë me një armaturë që i mungojnë ca pjesë! Një veprim i tillë do të na linte krejt të zbuluar ndaj sulmeve të Satanait. Në vend të kësaj, ne duhet të bëjmë menjëherë hapa pozitivë për të korrigjuar ndonjë defekt që mund të vërejmë. Çfarë mund të bëjmë?—Romakëve 8:13; Jakovit 1:22-25.
Duke qenë se jemi angazhuar në një luftë frymore, një betejë që përfshin kontrollin e mendjes dhe zemrës së një të krishteri, ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur fuqitë tona mendore dhe shpirtërore. Sill ndër mend se midis pjesëve të armaturës sonë frymore janë «parzmorja e drejtësisë» që na mbron zemrën dhe «helmeta e shpëtimit» që na mbron mendjen. Fitorja ose humbja lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si mësojmë t’i përdorim me efektshmëri këto masa.—Efesianëve 6:14-17; Fjalët e urta 4:23; Romakëve 12:2.
Të veshim siç duhet «parzmoren e drejtësisë» kërkon që të kontrollojmë vazhdimisht vetveten lidhur me dashurinë që kemi për drejtësinë dhe urrejtjen për paligjshmërinë. (Psalmet 45:7; 97:10; Amosi 5:15) A ka rënë niveli i standardeve tona krahas atij të botës? A na duken argëtuese tani, qoftë në jetën reale, qoftë të paraqitura në ekranin e televizorit dhe të kinemasë, në libra e revista, gjërat që njëherë e një kohë do të na kishin tronditur ose ofenduar? Dashuria për drejtësinë do të na ndihmojë të kuptojmë se ajo që në botë lartësohet si liri dhe modernizim mund të jetë në realitet shthurje dhe mendjemadhësi e maskuar.—Romakëve 13:13, 14; Titit 2:12.
Vënia e «helmetës së shpëtimit» përfshin të mbajmë të gjalla në mendje bekimet e mrekullueshme që na presin, duke mos lejuar që të humbim rrugën për shkak të vezullimit dhe joshjes së botës. (Hebrenjve 12:2, 3; 1. Gjonit 2:16) Pasja e kësaj pikëpamjeje do të na ndihmojë të vëmë interesat frymore mbi fitimet materiale ose përfitimet personale. (Mateu 6:33) Kështu, për të qenë të sigurt se e kemi tamam në vendin e duhur këtë pjesë të armaturës, duhet të pyesim veten me sinqeritet: Çfarë po ndjek në jetë? A kam synime frymore specifike? Çfarë po bëj për t’i arritur ato? Sido që të jemi, nga mbetja e të krishterëve të mirosur ose nga «shumica e madhe» e përbërë prej një morie njerëzish, ne duhet të imitojmë Pavlin, i cili tha: «Nuk e konsideroj akoma veten se e kam kapur atë, por, ka diçka lidhur me këtë: duke i harruar gjërat prapa dhe duke u zgjatur drejt gjërave që janë përpara, unë po ndjek synimin.»—Zbulesa 7:9; Filipianëve 3:13, 14, BR.
Përshkrimi që i bëri Pavli armaturës sonë frymore përfundon me këtë këshillë: «Me çdo formë lutjeje dhe përgjërimi vazhdoni të luteni në çdo rast në frymë. E për këtë qëllim, mbahuni zgjuar me qëndresë të plotë dhe me përgjërim, në favor të të gjithë të shenjtëve.» (Efesianëve 6:18, BR) Këtu tregohen dy hapa pozitivë që duhen ndërmarrë për të kapërcyer ose për të parandaluar ndonjë dobësi frymore: të krijohet një marrëdhënie e mirë me Perëndinë dhe të formohet një lidhje e ngushtë me të bashkëkrishterët.
Kur e kemi zakon t’i drejtohemi Jehovait me lutje të ‘çdo forme’ (rrëfimi i mëkateve tona, kërkesë për falje, kërkesë për udhëheqje, falënderim për bekimet, lëvdime nga zemra) dhe «në çdo rast» (publikisht, privatisht, personalisht, spontanisht), fitojmë një intimitet me të. Kjo është mbrojtja më e madhe që mund të kemi.—Romakëve 8:31; Jakovit 4:7, 8.
Nga ana tjetër, na këshillohet që të lutemi «në favor të të gjithë të shenjtëve», domethënë për të bashkëkrishterët tanë. Në lutjet tona mund t’i përmendim vëllezërit frymorë në vende të largëta, të cilët po vuajnë nga persekutimi ose nga vështirësi të tjera. Por, ç’të themi për të krishterët me të cilët punojmë dhe shoqërohemi çdo ditë? Është e përshtatshme të lutemi edhe në favor të tyre, ashtu si Jezui që u lut për dishepujt e tij. (Gjoni 17:9; Jakovit 5:16) Lutje të tilla na afrojnë me njëri-tjetrin dhe na forcojnë për t’u bërë ballë sulmeve të «të ligut».—2. Thesalonikasve 3:1-3.
Së fundi, mbaj fort në mendje këshillën e dashur të apostullit Pjetër: «Fundi i çdo gjëje është afruar. Prandaj, jini me mendje të shëndoshë dhe jini vigjilentë për sa u përket lutjeve. Mbi të gjitha, kini dashuri të dendur për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (1. Pjetrit 4:7, 8, BR) Është shumë e lehtë që t’i lejojmë papërsosmëritë njerëzore, tonat dhe të të tjerëve, të depërtojnë deri në zemrat dhe mendjet tona dhe të bëhen pengesa. Satanai e njeh mirë këtë dobësi të njerëzve. Një nga taktikat e tij dinake është «përça e sundo». Për këtë arsye, duhet të jemi të shpejtë për t’i mbuluar këto mëkate me dashuri të dendur për njëri-tjetrin dhe të ‘mos i japim vend Djallit’.—Efesianëve 4:25-27.
Mbahu i fortë frymësisht tani
Kur vëren se i ke flokët të çrregullta ose kravatën të shtrembër, çfarë bën? Me siguri i drejton e i rregullon sa më shpejt të jetë e mundur. Pak njerëz do t’i linin ashtu siç janë, duke menduar se këto parregullsi fizike nuk kanë rëndësi. Le të reagojmë me të njëjtën shpejtësi kur bëhet fjalë për dobësitë tona frymore. Parregullsitë fizike mund të tërheqin shikimet me mospëlqim të njerëzve, por parregullsitë frymore që lihen pa ndrequr mund të sjellin si rezultat mospëlqimin e Jehovait.—1. Samuelit 16:7.
Me dashuri, Jehovai na ka dhënë gjithçka të nevojshme për të na ndihmuar të çrrënjosim ndonjë dobësi frymore dhe të mbetemi të fortë frymësisht. Me anë të mbledhjeve të krishtere, botimeve biblike dhe të krishterëve të pjekur e që kujdesen për ne, ai siguron përkujtues dhe këshilla të vazhdueshme lidhur me atë që duhet të bëjmë. Na përket ne që t’i pranojmë e t’i zbatojmë ato. Kjo gjë kërkon përpjekje dhe vetëdisiplinë. Por, sill ndër mend atë që tha me ndershmëri apostulli Pavël: «Mënyra se si po vrapoj nuk është e pasigurt, mënyra se si po i drejtoj goditjet e mia është e tillë që të mos jem duke rrahur ajrin, por e qëlloj me grushta trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që pasi t’u kem predikuar të tjerëve, unë vetë të mos jem në njëfarë mënyre i pamiratuar.»—1. Korintasve 9:26, 27, BR.
Ji syçelë dhe mos lejo kurrë të zhvillohet një thembër Akili frymore. Përkundrazi, me përulësi dhe me guxim le të bëjmë çfarëdo gjëje të nevojshme tani për të kuptuar dhe për të kapërcyer ndonjë dobësi frymore që kemi.
[Diçitura në faqen 19]
«VAZHDONI TË VINI NË PROVË NËSE JENI APO JO NË BESIM, VAZHDONI TË PROVONI SE SI JENI JU VETË.»—2. Korintasve 13:5, BR.
[Diçitura në faqen 21]
«JINI VIGJILENTË PËR SA U PËRKET LUTJEVE.
MBI TË GJITHA, KINI DASHURI TË DENDUR PËR NJËRI-TJETRIN, SEPSE DASHURIA MBULON NJË SHUMICË MËKATESH.»—1. Pjetrit 4:7, 8, BR.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
PYET VETEN . . .
◆ A jam po aq i zellshëm të kaloj kohë për t’u përgatitur për mbledhjet, sa jam për të bërë pazarin ose për të parë televizorin?
◆ A e kam smirë të ashtuquajturën jetë të rehatshme që bëjnë të tjerët?
◆ A acarohem ose zemërohem me lehtësi kur të tjerët bëjnë ose thonë ndonjë gjë jo sipas pëlqimit tim?
◆ A e kam të vështirë të pranoj këshillat ose a mendoj se të tjerët më gjejnë gjithnjë kleçka?
◆ A e kam të vështirë të shkoj mirë me të tjerët?
◆ A ka rënë niveli i standardeve të mia krahas atij të botës?
◆ A kam synime frymore specifike?
◆ Çfarë po bëj për t’i arritur synimet e mia frymore?
[Burimet e figurave në faqen 18]
Akili: Nga libri Burra të mëdhenj dhe gra të famshme; ushtarët romakë dhe në faqen 21: Kostume historike në piktura/Botimet Dover, Inc., Nju Jork