«Le të jetë i dukshëm përparimi yt»
«Tani që jam bërë burrë, i kam zhdukur veçoritë e foshnjës.»—1. KORINTASVE 13:11, NW
1. Në ç’mënyrë është rritja një dëshmi e mrekullisë së krijimit?
NGA një vezë aq e vogël sa mund të shihet vetëm me mikroskop, një balenë mund të shndërrohet në një krijesë më të gjatë se 30 metra dhe me peshë mbi 80 ton. Ngjashëm, nga një prej farërave më të vogla, sekuoja gjigante mund të rritet në më tepër se 90 metra lartësi. Vërtet, rritja është një nga mrekullitë e jetës. Sikur se është shprehur apostulli Pavël, ne mund të mbjellim e ujisim, por «Perëndia është ai që bën të rritet.»—1. Korintasve 3:7.
2. Çfarë lloj rritje qe parathënë në Bibël?
2 Mirëpo, ekziston edhe një lloj tjetër rritje që është po aq e çuditshme. Ajo është rritja e parathënë nga profeti Isaia: «I vogli vetë do të bëhet një mijë, dhe i pakti një komb i fuqishëm. Vetë unë, Jehovai, do ta shpejtoj këtë në kohën e saj.» (Isaia 60:22) Ky profetizim ka të bëjë me rritjen e popullit të Perëndisë gjë që në ditët tona po pëson një plotësim më të madh.
3. Si tregon raporti mbi vitin e shërbimit, 1991 se Jehovai po shpejton veprën e popullit të tij?
3 Raporti mbi aktivitetin botëror të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin e shërbimit 1991 tregon se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë ka arritur një kulm të ri prej 4.278.820 vetësh dhe gjithsej 300 945 njerëz janë pagëzuar gjatë këtij viti. Me grumbullimin e kaq shumë të rinjve, janë formuar 3.191 kongregacione të reja, së bashku me numrin përkatës të qarqeve dhe krahinave. Kjo do të thotë më tepër se tetë kongregacione në ditë, gati një qark i ri çdo dy ditë. Çfarë rritje madhështore! Është e qartë, se Jehovai po i shpejton gjërat dhe po i bekon përpjekjet e popullit të vet.—Psalmi 127:1.
Koha për vetëshqyrtim
4. Cilat pyetje duhet të marrim parasysh ndërsa shikojmë në ardhmëri?
4 Edhe pse është inkurajuese të shihen, këto bekime sjellin gjithashtu edhe disa përgjegjësi. A do të ketë mjaft individë të pjekur dhe të gatshëm që të kujdesen për nevojat frymore të gjithë këtyre të rinjve? Ndërsa shikojmë përpara në ardhmëri, është marramendëse të mendohet mbi numrin e pionierëve, shërbëtorëve ndihmës, pleqve dhe mbikëqyrësve udhëtues të cilët do të nevojiten për t’u kujdesur për rritjen, zgjerimin si dhe për numrin e punëtorëve vullnetarë të cilët nevojiten në zyrat e degëve dhe shtëpitë Bethel në mbarë botën që të përkrahin këtë punë. Prej nga do të vijë ky numër i madh njerëzish? S’ka dyshim se korrja është e madhe. Por, kush është sot në gjendje që të kujdeset për të gjithë punëtorët që nevojiten për të mbledhur këto të korra?—Mateu 9:37, 38.
5. Çfarë gjendje ekziston në disa krahina për shkak të rritjes së shpejtë?
5 Për shembull, është raportuar, se në disa pjesë të botës ekzistojnë kongregacione me nga njëqind lajmëtarë të Mbretërisë në të cilat shërben vetëm një plak me një apo dy shërbëtorë ndihmës. Ndonjëherë, një plak duhet të shërbejë në dy kongregacione. Në vende të tjera nevoja për shërbëtorë të kualifikuar të krishterë që të udhëheqin studimet biblike në shtëpi është aq e madhe, saqë të rinjtë duhet të vihen në listën e pritjes. Në disa krahina të tjera, kongregacionet e reja formohen me aq shpejtësi saqë, tri, katër, apo madje pesë kongregacione duhet të përdorin një Sallë Mbretërie. Ndoshta ke parë një rritje të ngjashme në krahinën tënde.
6. Përse është i nevojshëm vetëshqyrtimi?
6 Çfarë na tregon kjo që është përmendur më lart? Se duke marrë parasysh kohërat, të gjithë ne kemi nevojë të shqyrtojmë rrethanat tona, të shikojmë se a e përdorim kohën dhe pronën tonë në mënyrën më të mirë për t’iu përgjigjur kësaj nevoje. (Efesianëve 5:15-17) Apostulli Pavël u ka shkruar të krishterëve hebrenj të shekullit të parë: «Sepse, në të vërtetë, edhe pse duhet të jeni mësues, duke marrë parasysh kohën, ju përsëri keni nevojë për dikë që t’ju mësojë nga fillimi gjërat themelore të shpalljeve të shenjta të Perëndisë; dhe jeni bërë të tillë që keni nevojë për qumësht e jo për ushqim të fortë.» (Hebrenjve 5:12, NW) Sikurse tregojnë këto fjalë, të krishterë të veçantë po ashtu kanë nevojë të rriten. Ekziston rreziku i vërtetë që ndonjëri të ndalet në foshnjërinë frymore në vend se të përparojë në pjekurinë e krishterë. Në harmoni me këtë, Pavli na nxit: «Shqyrtone mirë vetveten! Shihni a jeni në fe! Kontrolloni vetveten.» (2. Korintasve 13:5) A e ke shqyrtuar veten që të shohësh se a je duke u rritur në kuptim frymor nga koha e pagëzimit tënd? Apo ende qëndron në të njëjtin vend? Megjithatë, si mund ta vërtetojë dikush këtë?
«Veçoritë e foshnjës»
7. Ç’duhet të bëjmë që përparimi ynë të jetë i dukshëm?
7 «Kur isha një foshnjë, flisja si një foshnjë, mendoja si një foshnjë, gjykoja si një foshnjë; por tani që jam bërë burrë, i kam zhdukur veçoritë e foshnjës», tha apostull Pavli. (1. Korintasve 13:11, NW) Në zhvillimin frymor, të gjithë ne njëherë kemi qenë si fëmijë në mendimet dhe veprimet tona. Megjithatë, që përparimi të jetë i dukshëm, siç ka thënë Pavli, duhet të largojmë «veçoritë e foshnjës». Cilat janë disa nga këto veçori?
8. Cila është një nga veçoritë e foshnjës frymore sipas fjalëve të Pavlit në Hebrenjve 5:13, 14?
8 Së pari, vëre fjalët e Pavlit në Hebrenjve 5:13, 14: «Secili që ushqehet me qumësht është i panjohur me fjalën e drejtësisë, sepse është foshnjë. Por, ushqimi i fortë u takon njerëzve të pjekur, atyre, të cilët përmes përdorimit kanë ushtruar fuqitë e veta të kuptueshmërisë që të dallojnë atë që është e drejtë dhe e gabuar.» A je ti «i njohur me fjalën e drejtësisë»? A e njeh Fjalën e Perëndisë, Biblën, aq mirë sa të jesh i aftë ta përdorësh «për të dalluar atë që është e drejtë dhe e gabuar»? Pavli tha se njerëzit e pjekur mund ta bëjnë këtë, sepse ata rregullisht marrin «ushqim të fortë». Pra, dëshira apo oreksi për ushqim të fortë frymor është tregues i mirë se a është rritur dikush në kuptim frymor apo ende ka mbetur foshnjë frymore.
9. Në ç’mënyrë oreksi frymor i dikujt është tregues i përparimit të tij frymor?
9 Si është pra, oreksi yt frymor? Si e shikon furnizimin e bollshëm me ushqim frymor që Jehovai e siguron rregullisht përmes botimeve të bazuara në Bibël dhe mbledhjet e asambletë e krishtere? (Isaia 65:13) S’ka dyshim se gëzohesh shumë nëse në kongreset vjetore krahinore shpallet dalja e botimeve të reja. Por, çfarë bën ti me to me të arritur në shtëpi? Çfarë bën kur vjen numri i ri i revistës Zgjohuni! (angl.) apo i Kullës së Rojës? A gjen kohë t’i lexosh këto botime apo vetëm i shfleton për të shikuar pikat më me rëndësi dhe pastaj ua shton të tjerave në raftin e librave? Pyetje të ngjashme mund të vihen edhe në lidhje me mbledhjet e krishtere. A frekuenton pjesë rregullisht në të gjitha mbledhjet? A përgatitesh dhe merr pjesë në to? Është e dukshme se disa kanë marrë shprehi të dobëta në të ushqyerit frymor, duke lexuar përciptas ose duke ngrënë, ashtu të themi, me të shpejtë. Sa ndryshe ishte me psalmistin, që tha: «Sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e gjatë merrem me të.» Më tutje, mbreti David tha: «Do të të lavdëroj në kongregacionin e madh; në mes njerëzve të shumtë do të të lavdëroj.» (Psalmet 35:18; 119:97) Është e qartë, se shkalla me të cilën ne e çmojmë ushqimin frymor është tregues i përparimit tonë frymor.
10. Cila veçori e një foshnje frymore tregohet në Efesianëve 4:14?
10 Pavli ka theksuar edhe një veçori të foshnjës frymore kur ka paralajmëruar: «Të mos jemi më foshnjë, si të hedhur nga valët dhe të bartur andej-këndej nga çdo erë mësimi prej dredhive të njerëzve, prej dinakërisë në gabimin e trilluar.» (Efesianëve 4:14) Sikurse prindërit e dinë mirë, fëmijët janë kureshtarë për çdo gjë. Kjo është në një farë mënyre një veçori pozitive, sepse u bënë të mundur të gjurmojnë e të mësojnë dhe dalëngadalë të shndërrohen në persona të pjekur. Megjithatë, rreziku qëndron në atë se tërhiqen lehtë nga njëra gjë në tjetrën. Më e keqja është se, për shkak të mungesës së përvojës, kjo kureshtje shpeshherë i çon në shqetësime serioze, madje duke i vënë në rrezik vetë ata dhe të tjerët. Kjo është po aq e vërtetë edhe me foshnjat frymore.
11. (a) Çfarë kishte në mend Pavli, duke përdorur shprehjen «çdo erë mësimi»? (b) Me cilat «erëra» ballafaqohemi sot?
11 Por, ç’ka pasur Pavli në mend kur tha se foshnjat frymore janë të hedhura andej-këndej «nga çdo erë mësimi»? Këtu, fjala «erë» është përkthyer nga fjala greke á-ne-mos, mbi të cilën International Critical Commentary (Komenti Kritik Ndërkombëtar) vëren qartë se është «zgjedhur si e përshtatshme për idenë e ndryshueshmërisë.» Kjo është e ilustruar mirë nga fjalët vijuese të Pavlit, «prej mashtrimit të njerëzve». Fjala «mashtrim» në gjuhën origjinale do të thotë «zar» ose «lojë me zare», pra një lojë fati. Puna është se ne jemi vazhdimisht të ballafaquar me ide të reja dhe synime të cilat mund të duken të padëmshme, sprovuese, madje të vlefshme. Fjalët e Pavlit kanë të bëjnë në rradhë të parë me çështjet që lidhen me besimin tonë: lëvizjet ekumenike, çështjet shoqërore, politike dhe ngjashëm. (Krahaso 1. Gjonit 4:1.) Por, ky parim mund të zbatohet gjithashtu në lidhje me tekat e ndryshueshme dhe modat e botës që gjithnjë ndryshojnë: stilet, zbavitja, ushqimi, shëndeti apo shprehia e të ushtruarit e kështu me rradhë. Për shkak të mungesës së përvojës dhe të gjykimit të mirë, foshnja frymore mund të jetë tepër e hutuar nga gjëra të tilla dhe kështu mund të pengohet në përparimin frymor dhe plotësimin e detyrimeve të veta më të rëndësishme të krishtere.—Mateu 6:22-25.
12. Si dallojnë fëmijët e vegjël nga të rriturit në lidhje me përgjegjësitë?
12 Një veçori tjetër e fëmijëve të vegjël është nevoja e tyre e përhershme për ndihmë dhe vëmendje. Ata as që janë të vetëdijshëm e të interesuar për përgjegjësi; fëmijëria është koha e jetës kur gati çdo gjë është zbavitje dhe lojë. Sikurse ka përmendur Pavli, ata «flasin si foshnjë, mendojnë si foshnjë, gjykojnë si foshnjë». E marrin për të vërtetë se të tjerët do të kujdesen për ta. E njëjta gjë mund të thuhet për foshnjën frymore. Kur një i ri mban fjalimin e vet të parë biblik apo fillon për herë të parë me shërbimin në fushë, prindi frymor është i gëzuar të bëjë çdo gjë për ta ndihmuar. Çfarë ndodh nëse një i ri vazhdon të mbështetet në këtë ndihmë dhe tregohet i paaftë për të pranuar përgjegjësinë që të kujdeset për vetveten? Ky do të ishte një tregues i qartë i mungesës së vetëpërpjekjes.
13. Përse secili duhet të mësojë ta bartë barrën e vet?
13 Në lidhje me këtë, kujto në qortimin e apostullit Pavël, pra edhe pse «duhet të bartim barrën e njëri-tjetrit», prapseprapë «secili do ta bartë barrën e vet». (Galatasve 6:2, 5, NW) Natyrisht, duhet kohë dhe përpjekje që ndokush të mësojë t’i bartë përgjegjësitë e krishtera edhe pse, kjo mund të nënkuptojë sakrifica në çështje të caktuara. Mirëpo, do të ishte gabim serioz nëse ndokush do t’i lejonte vetes të tërhiqej nga zbavitja dhe lojërat e jetës, qofshin ato dëfrime udhëtime, shpikje apo madje synime të panevojshme për punët e botës; ai mund të mbetej, si të themi, i veçuar, pa asnjë dëshirë për të rritur pjesëmarrjen e vet në veprën e bërjes së dishepujve apo për të anuar nga përparimi dhe përgjegjësia frymore. «Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten», nxiti dishepulli Jakov.—Jakovi 1:22; 1. Korintasve 16:13.
14. Përse nuk duhet të kënaqemi me shfaqjen e veçorive të foshnjës frymore?
14 Po, ekzistojnë shumë veçori që vërehen lehtë dhe që dallojnë një fëmijë nga një i rritur. Mirëpo, sikurse përmend Pavli, është me rëndësi që dalëngadalë t’i largojmë veçoritë e foshnjës dhe të rritemi. (1. Korintasve 13:11; 14:20) Përndryshe, mund të jemi mendërisht të mangët në kuptimin frymor. Por, si mund të përparojë ndokush? Çfarë përfshihet në vazhdimësinë e rritjes frymore deri te pjekuria?
Si bëhet i dukshëm përparimi
15. Cilët janë hapat themelore në procesin e rritjes?
15 Po si ndodh rritja në botën e natyrës? «Çdo individ e fillon jetën si një qelizë e vetme», shpjegon The World Book Encyclopedia. «Qeliza i merr materialet dhe i shndërron në blloqe ndërtimi të cilat janë të nevojshme për rritjen e saj. Kështu, një qelizë e vetme rritet brenda vetvetes. Kjo qelizë mund të shumohet dhe të ndahet që të formojë qeliza të tjera. Procesi i ndërtimit, shumimit dhe ndarjes është rritja.» Këtu është me rëndësi të vërehet çështja se rritja ndodh brenda. Kur merret ushqim i drejtë, tretet dhe përdoret, pason rritja. Kjo shihet qartë në rastin e foshnjës së posalindur. Siç e dimë, i posalinduri merr sasi të qëndrueshme ushqimi të veçantë, qumësht, i cili është i pasur me yndyrë dhe proteina, materiale që janë të nevojshme për rritje. Rezultati? Në vitin e parë, foshnja fiton në peshë dhe në gjatësi më tepër se sa në cilindo vit tjetër të rritjes normale.
16. Çfarë lloj rritje vërehet te shumica e studentëve të rinj të Biblës dhe si bëhet e mundur kjo?
16 Nga ky proces natyror i rritjes mund të mësojmë shumë gjëra që mund t’i aplikojmë në përparimin tonë prej gjërave themelore deri te pjekuria. Para së gjithash, programi i qëndrueshëm i të ushqyerit është i domosdoshëm. Kujto kohën kur për herë të parë fillove të studiosh Biblën. Nëse je si shumë të tjerë, ka mundësi të mos kesh ditur asgjë mbi Fjalën e Perëndisë. Por nga java në javë, je përgatitur dhe ke pasur studimin tënd të Biblës dhe në një kohë relativisht të shkurtër, i ke kuptuar të gjitha mësimet themelore të Shkrimeve. Duhet të pranosh se ka qenë rritje e mrekullueshme dhe e gjithë kjo si rezultat i ushqimit të rregullt nga Fjala e Perëndisë!
17. Përse një program i rregullt ushqimi frymor është i domosdoshëm?
17 Por, çfarë mund të themi për tani? A ndjek ende një program të rregullt ushqimi? Askush nuk duhet kurrë të mendojë se vetëm pse është pagëzuar, nuk ka më asnjë nevojë për studim të rregullt dhe sistematik për marrjen e ushqimit të dobishëm frymor. Edhe pse Timoteu ishte mbikëqyrës i pjekur i krishterë, Pavli e nxiti: «Mendo thellë mbi këto gjëra; përpihu prej tyre, që përparimi yt t’u jetë i dukshëm të gjithë njerëzve.» (1. Timoteut 4:15, NW) Sa më tepër duhet ta bëjë këtë secili prej nesh! Nëse interesohesh që përparimi yt të jetë i dukshëm, përpjekje të tilla janë të domosdoshme.
18. Si bëhet i dukshëm përparimi frymor?
18 Të bësh të dukshëm përparimin, nuk do të thotë se duhet të përpiqesh veçanërisht për të theksuar atë që di apo të përpiqesh t’u lësh përshtypje të tjerëve. Jezui ka thënë: «Ju jeni drita e botës. Një qytet nuk mund të fshihet kur qëndron mbi mal», dhe «nga bollëku i zemrës flet goja.» (Mateu 5:14; 12:34, NW). Kur zemrat dhe mendimet tona janë të mbushura me gjëra të mira nga Fjala e Perëndisë, ne nuk mund të mos e shprehim këtë në atë çka bëjmë dhe flasim.
19. Çfarë duhet të vendosim në lidhje me përparimin tonë frymor dhe me çfarë rezultati?
19 Pra, pyetja është: A e studion rregullisht Biblën dhe a i ndjek mbledhjet e krishtere që të marrësh material ushqyes i cili mund të stimulojë rritjen tënde të brendshme frymore? Mos u kënaq duke qenë një vëzhgues pasiv kur bëhet fjalë për përparimin frymor. Ndërmerr hapa pozitivë që të jesh i sigurt se je duke e përdorur plotësisht ushqimin e bollshëm frymor të siguruar nga Jehovai. Nëse je si ai «gëzimi i të cilit është në ligjin e Jehovait dhe ligjin e tij e lexon me zë të ulët ditë e natë», atëherë edhe për ty mund të thuhet: «Ai me siguri do të bëhet si druri i mbjellë pranë ujërave rrjedhës, që e jep frytin e tij në stinën e vet dhe fletët e të cilit nuk fishken, dhe në çdo gjë që bën do të ketë sukses.» (Psalmi 1:2, 3) Mirëpo, çfarë mund të bësh për të qenë i sigurt se do të vazhdosh në përparimin frymor? Mbi këtë do të bisedojmë në artikullin vijues.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse është koha të kontrollojmë përparimin tonë frymor?
◻ Si është e lidhur rritja frymore me oreksin frymor?
◻ Çfarë nënkuptohet me «çdo erë mësimi»?
◻ Përse secili duhet ta bartë barrën e vet?
◻ Si arrihet përparimi frymor?
[Figura në faqen 26]
A gjen kohë për të lexuar botimet e bazuara në Bibël?