Të ecim si të mençurit
1 Kur Jezui ftoi katër peshkatarë që të bëheshin ithtarët e tij, ata nuk e zvarritën vendimin, por «menjëherë . . . e ndoqën». (Mat. 4:18-22) Po kështu edhe Sauli nga Tarsi, kur u bë i krishterë dhe iu kthye shikimi, nuk humbi kohë, por «menjëherë filloi të predikonte për Jezuin nëpër sinagoga». (Vep. 9:20) Koha rrjedh pa u ndalur; po iku, nuk kthehet më. Ja pse është e rëndësishme ta përdorim kohën në një mënyrë që tregon se ‘ecim si të mençurit’.—Efes. 5:15, 16.
2 Ngjarje të paparashikuara: Mundësitë që kemi sot për t’i shërbyer Jehovait, nesër mund të mos i kemi. (Jak. 4:14) Askush nuk bën përjashtim nga ‘ngjarjet e paparashikuara’. (Ekl. 9:11) Për më tepër, mosha kalon, dhe «ditët e kobshme» që vijnë nga mosha dhe që na kufizojnë në çka mund të bëjmë në shërbim të Jehovait, janë të pashmangshme në këtë sistem. (Ekl. 12:1) Prandaj, nuk është e mençur ta shtyjmë për më vonë kushtimin ndaj Perëndisë ose të presim rrethanat ideale që të zgjerojmë shërbimin. (Luka 9:59-62) Abrahami i jetoi vitet e tij të fundit në paqe dhe qetësi, dhe vdiq «i moshuar e i kënaqur» sepse e kishte përdorur jetën me mençuri—i ishte përkushtuar tërësisht Jehovait.—Zan. 25:8.
3 Koha është shkurtuar: Një arsye tjetër pse duam ta përdorim kohën me mençuri është sepse «koha që mbetet është shkurtuar». (1 Kor. 7:29-31) Fundi i këtij sistemi të vjetër tani është shumë afër. Mundësive për të marrë pjesë gjatë ‘të korrave të tokës’ në mbledhjen e madhe të atyre që krahasohen me delet, do t’u vijë fundi. (Zbul. 14:15) Duhet të tregojmë kujdes që të mos i lejojmë ankthet e jetës dhe shpërqendrimet të na vjedhin kohën që do ta përdornim më mirë në shërbim. (Luka 21:34, 35) Sa bukur do të jetë kur të kthejmë kokën prapa dhe të shohim që bëmë gjithçka mundëm në këtë korrje!
4 Duhet të jemi të vëmendshëm që të mos humbasim asnjë privilegj të bukur shërbimi që mund të na dalë përpara. Të jemi të vendosur për të bërë gjithçka mundemi në shërbim të Jehovait «për sa kohë të quhet ‘sot’». (Hebr. 3:13) Duke vepruar kështu, do të tregojmë që jemi vërtet të mençur, sepse «ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë».—1 Gjon. 2:17.