DIVORCI
Zgjidhje ligjore e martesës. Pra, prishje e lidhjes martesore mes burrit dhe gruas. Terma të ndryshëm në gjuhët origjinale për fjalën «divorc» do të thonë fjalë për fjalë «përzë» (Lp 22:19, Dio), «lë» ose «lëshoj» (Mt 1:19, Dio; 19:3, Kris), «e lëshuar» (Le 22:13, DSF) dhe «pres».—Krahaso Lp 24:1, 3, ku shprehja «dëshmi divorci» fjalë për fjalë do të thotë «libër i prerjes».
Kur Jehovai lidhi në martesë Adamin dhe Evën, nuk e paraqiti si mundësi divorcin. Jezu Krishti e bëri të qartë këtë kur iu përgjigj pyetjes së farisenjve: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan për çdo lloj arsyeje?» Ai tregoi se Perëndia kishte si qëllim që burri të linte babanë dhe nënën e të lidhej ngushtë me gruan e tij, e të dy të bëheshin një mish i vetëm. Pastaj, Jezui shtoi: «Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mt 19:3-6; krahaso Zn 2:22-24.) Më pas, farisenjtë pyetën: «Përse, atëherë, Moisiu porositi që t’i japë një dëshmi se e ka përzënë dhe ta divorcojë?» Ai ua ktheu: «Moisiu ju bëri këtë lëshim që të divorconi gratë tuaja për shkak të zemërgurësisë suaj, por në fillim nuk ishte kështu.»—Mt 19:7, 8.
Ndonëse izraelitëve u ishte bërë ky lëshim që të divorcoheshin për arsye të ndryshme, Perëndia Jehova vendosi rregulla për divorcin në Ligjin që i dha Izraelit përmes Moisiut. Te Ligji i përtërirë 24:1 lexojmë: «Në rast se një burrë merr një grua për nuse, dhe ajo nuk fiton hir në sytë e tij, pasi ai gjen tek ajo ndonjë gjë të turpshme, atëherë duhet t’i shkruajë një dëshmi divorci, t’ia japë në dorë dhe ta përzërë nga shtëpia.» Nuk thuhet në mënyrë specifike se çfarë nënkuptonte shprehja ‘gjë e turpshme’ (fjalë për fjalë, «lakuriqësia e një gjëje»). Sigurisht që s’bëhet fjalë për kurorëshkelje, sepse sipas Ligjit që Perëndia i dha Izraelit, ata që ishin fajtorë për kurorëshkelje, vriteshin e jo thjesht divorcoheshin. (Lp 22:22-24) S’ka dyshim se ‘gjëja e turpshme’ që do t’i jepte njëfarë shkaku një bashkëshorti hebre të divorconte të shoqen, përfshinte çështje serioze, ndoshta një mungesë të theksuar respekti nga ana e gruas për të shoqin ose turpërimin e familjes. Përderisa Ligji thoshte qartë «duaje tjetrin si veten», është e arsyeshme të mendojmë se burri nuk mund të përdorte kleçka si justifikim për t’u divorcuar e të mendonte se nuk do të ndëshkohej.—Le 19:18.
Në ditët e Malakisë, mjaft bashkëshortë judenj vepronin pabesisht me gratë e tyre, duke i divorcuar për gjithfarëlloj arsyesh, duke i hequr qafe gratë e rinisë, ndoshta që të martoheshin me gra pagane më të reja. Në vend që të përkrahnin ligjin e Perëndisë, priftërinjtë i lejonin këto gjëra, prandaj Jehovai u zemërua së tepërmi. (Ma 2:10-16) Burrat judenj gjenin arsye të shumta për t’u divorcuar edhe në kohën kur Jezu Krishti ishte në tokë, dhe kjo duket nga pyetja që farisenjtë i bënë atij: «A është e ligjshme që burri ta divorcojë gruan për çdo lloj arsyeje?»—Mt 19:3.
Sipas zakonit të izraelitëve, burri paguante për pajën e gruas që bëhej bashkëshortja e tij dhe ajo konsiderohej pronë e tij. Edhe pse gëzonte shumë bekime dhe privilegje, gruaja kishte një rol dytësor në lidhjen martesore. Statusi i saj kuptohet edhe nga fjalët e Ligjit të përtërirë 24:1-4, ku duket qartë se burri mund të divorcohej nga gruaja, por nuk thuhet se gruaja mund të divorcohej nga burri. Ajo konsiderohej pronë e burrit, prandaj nuk mund të divorcohej nga ai. Në historinë jobiblike, rasti i parë i dokumentuar i një gruaje në Izrael që u përpoq të divorcohej nga i shoqi, është Saloma, motra e mbretit Herod, e cila i dërgoi të shoqit, guvernatorit të Idumesë, një certifikatë divorci që zgjidhte martesën e tyre. (Antikitete judaike, XV, 259 [vii, 10]) Që gratë kishin nisur të ndërmerrnin veprime të tilla për t’u divorcuar në kohën kur Jezui ishte në tokë ose që ai e paratha një zhvillim të tillë, duket edhe nga këto fjalë të tij: «Edhe gruaja, nëse martohet me një tjetër, pasi divorcohet nga burri, kryen kurorëshkelje.»—Mr 10:12.
Dëshmia e divorcit. Abuzimet e mëvonshme nuk duhet të na shtyjnë të mendojmë se meqë Ligji i Moisiut e lejoi fillimisht divorcin, një burrë izraelit e kishte të lehtë të divorcohej nga e shoqja. Që të arrinte të divorcohej, burri duhej të kryente ca formalitete. Ishte e nevojshme të shkruante një dokument, «një dëshmi divorci» për gruan. Burri që kërkonte divorcin, duhej ‘t’ia jepte [dëshminë] në dorë dhe ta përzinte nga shtëpia’. (Lp 24:1) Edhe pse Shkrimet nuk na japin hollësi të mëtejshme për këtë procedurë, me sa duket, ndërmarrja e këtij hapi ligjor përfshinte konsultimin me burra të autorizuar, të cilët së pari mund të përpiqeshin t’i pajtonin. Derisa të përgatitej dëshmia dhe divorci të hynte në fuqi ligjërisht, burri kishte mundësi të mendohej edhe një herë për vendimin e tij. Gjithashtu duhej të kishte një bazë për divorcin dhe, kur kjo normë zbatohej siç duhej, logjikisht frenonte çdo veprim të nxituar për marrjen e divorcit. Nga ana tjetër, kështu mbroheshin edhe të drejtat dhe interesat e bashkëshortes. Shkrimet nuk na e tregojnë përmbajtjen e ‘dëshmisë së divorcit’.
Rimartesa e bashkëshortëve të divorcuar. Ligji i përtërirë 24:1-4 përcaktonte se gruaja e divorcuar ‘do të dilte nga shtëpia e tij dhe do të shkonte të bëhej bashkëshortja e një tjetri’, duke nënkuptuar se ishte e lirë të rimartohej. Gjithashtu, thuhej: «Nëse burri i dytë e urren, i shkruan një dëshmi divorci, ia jep në dorë dhe e përzë nga shtëpia, ose nëse burri i dytë që e mori për grua vdes, atëherë burrit të parë që e përzuri, nuk i lejohet ta marrë sërish për grua, pasi ajo është ndotur; kjo është diçka e pështirë para Jehovait, dhe ti nuk duhet ta çosh në mëkat vendin që po të jep si trashëgimi Jehovai, Perëndia yt.» Burrit të parë i ndalohej të merrte përsëri gruan e divorcuar, ndoshta që të parandalohej çdo mundësi që ai dhe gruaja e rimartuar të thurnin plane që ajo të divorcohej nga burri i dytë ose të shkaktonte vdekjen e tij, e kështu të rimartohej me burrin e mëparshëm. Nëse ish-bashkëshorti do ta merrte përsëri për grua, kjo do të ishte diçka e pështirë para Perëndisë; ai vetë do të bëhej qesharak në sy të të tjerëve, meqë më parë e kishte përzënë gruan ngaqë kishte gjetur tek ajo «ndonjë gjë të turpshme», ndërsa tani po e merrte përsëri pasi ajo ishte lidhur ligjërisht me një burrë tjetër dhe kishte pasur marrëdhënie me të.
Sigurisht, fakti që burri i parë nuk mund të rimartohej më me gruan që kishte divorcuar—pasi ajo të ishte martuar me një burrë tjetër, edhe sikur ky ta divorconte ose të vdiste—e detyronte një burrë që mendonte të divorcohej, ta shqyrtonte seriozisht situatën para se t’i jepte fund martesës. (Jr 3:1) Sidoqoftë, duket se asgjë nuk e ndalonte atë të rimartohej me gruan që kishte divorcuar, nëse ajo nuk ishte rimartuar pas prishjes ligjore të martesës së tyre.
Largimi i grave pagane. Përpara se të hynin në Tokën e Premtuar, izraelitët kishin marrë urdhër të mos lidhnin krushqi me banorët paganë të atyre vendeve. (Lp 7:3, 4) Megjithatë, në ditët e Ezdrës, judenjtë ishin martuar me gra të huaja dhe, në një lutje që i bëri Perëndisë, Ezdra e pranoi fajin e tyre. Burrat e Izraelit që kishin marrë gra të huaja, iu përgjigjën thirrjes së tij, e pranuan gabimin dhe i larguan ato «bashkë me bijtë e tyre».—Ezd 9:10–10:44.
Megjithatë, të krishterëve që vinin nga kombe të ndryshme (Mt 28:19), nuk u kërkohej të divorcoheshin nga gratë ose burrat që nuk ishin adhurues të Jehovait, madje, ishte mirë as të mos ndaheshin nga bashkëshortët, siç duket nga këshilla e frymëzuar e Pavlit. (1Ko 7:10-28) Sidoqoftë, kur bëhej fjalë për të lidhur një martesë të re, të krishterët këshilloheshin të martoheshin «vetëm në Zotërinë».—1Ko 7:39.
Jozefi mendoi të divorcohej. Kur Maria ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të martoheshin, ajo mbeti shtatzënë me anë të frymës së shenjtë, prandaj tregimi na thotë: «Megjithatë Jozefi, burri i saj, meqenëse ishte i drejtë dhe nuk donte që ajo të turpërohej para të gjithëve, mendoi të divorcohej nga ajo fshehurazi.» (Mt 1:18, 19) Fejesa ishte një lidhje detyruese për judenjtë e asaj kohe, prandaj fjala «divorcohej» është përdorur me vend në këtë rast.
Nëse një vajzë e fejuar pranonte të shtrihej me një burrë tjetër, do të vritej me gurë si të ishte kurorëshkelëse. (Lp 22:22-29) Për rastet që mund të përfundonin me vrasjen e dikujt, kërkohej dëshmia e dy dëshmitarëve që të provohej fajësia e personit. (Lp 17:6, 7) Është e qartë se Jozefi nuk kishte asnjë dëshmitar kundër Marisë. Ajo ishte shtatzënë, mirëpo Jozefi nuk e kuptonte plotësisht situatën, derisa ia shpjegoi engjëlli i Jehovait. (Mt 1:20, 21) Nuk na thuhet nëse Jozefi, që po ‘mendonte të divorcohej fshehurazi’, do t’i jepte apo jo dëshminë e divorcit; ka të ngjarë, që ai të ketë dashur të vepronte sipas parimit të Ligjit të përtërirë 24:1-4, ndoshta të divorcohej nga ajo vetëm në sy të dy dëshmitarëve, në mënyrë që çështja të zgjidhej ligjërisht dhe pa e turpëruar më kot para të tjerëve. Mateu nuk jep çdo hollësi për procedurën që kishte ndër mend të ndiqte Jozefi, por ama na thotë se donte të tregohej i mëshirshëm me Marinë. Jozefi nuk u konsiderua i padrejtë për këtë, përkundrazi, «meqenëse ishte i drejtë dhe nuk donte që ajo të turpërohej para të gjithëve, mendoi të divorcohej nga ajo fshehurazi».—Mt 1:19.
Rrethana që ndalonin divorcin në Izrael. Sipas ligjit që Perëndia i dha Izraelit, ekzistonin disa situata në të cilat divorci ishte i pamundur. Mund të ndodhte që një burrë të merrte një grua, të kryente marrëdhënie me të e pastaj ta urrente. Ai mund të gënjente e të thoshte se ajo nuk ishte e virgjër kur u martua me të, duke e akuzuar kështu padrejtësisht për gjëra të turpshme dhe duke i nxjerrë nam të keq. Pasi prindërit e vajzës të paraqitnin prova se ajo ishte e virgjër kur u martua, pleqtë e qytetit duhej ta disiplinonin gënjeshtarin. Do ta gjobitnin me njëqind sikla argjendi (220 dollarë), që do t’i jepeshin babait të vajzës, dhe ajo do të mbetej gruaja e tij, pasi thuhej: «Atij nuk do t’i lejohet ta divorcojë atë sa të jetë gjallë.» (Lp 22:13-19) Po ashtu, nëse zbulohej se një burrë kishte kapur një virgjëreshë të pafejuar dhe kishte pasur marrëdhënie me të, ligji thoshte: «Burri që shtrihet me të, do t’i japë të atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi [110 dollarë], ndërsa ajo do të bëhet gruaja e tij, pasi ai e poshtëroi; atij nuk do t’i lejohet ta divorcojë atë sa të jetë gjallë.»—Lp 22:28, 29.
Cila është baza e vetme biblike për divorc për të krishterët?
Gjatë Predikimit në Mal, Jezu Krishti tha: «Veç kësaj, është thënë: ‘Kushdo që divorcohet nga gruaja, le t’i japë asaj një dëshmi divorci.’ Megjithatë, unë po ju them se ai që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo ka kryer kurvëri, e vë atë në rrezik që të kryejë kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar, kryen kurorëshkelje.» (Mt 5:31, 32) Gjithashtu, pasi u tha farisenjve se lëshimi i bërë në ligjin e Moisiut që të divorcoheshin nga gratë, nuk ishte rregulli i vendosur «në fillim», Jezui shtoi: «Unë po ju them se kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Mt 19:8, 9) Në përgjithësi, sot termi «kurvar» dallon nga termi «kurorëshkelës». Sipas përdorimit të sotëm, ata që janë fajtorë për kurvëri, janë persona të pamartuar që vullnetarisht kanë marrëdhënie seksuale me dikë të seksit të kundërt. Kurorëshkelësit janë persona të martuar që vullnetarisht kanë marrëdhënie seksuale me dikë të seksit të kundërt, që nuk është bashkëshorti ose bashkëshortja e tyre ligjore. Megjithatë, siç tregohet në zërin KURVËRIA, termi «kurvëri» është përkthim i fjalës greke porneía dhe përfshin të gjitha format e marrëdhënieve seksuale të paligjshme jashtë martesës sipas Shkrimeve. Kështu, fjalët e Jezuit te Mateu 5:32 dhe 19:9 nënkuptojnë se arsyeja e vetme për divorc që prish lidhjen martesore, është kur njëri nga bashkëshortët kryen porneía. Në këtë rast, një ithtar i Krishtit mund të divorcohet, nëse dëshiron, dhe divorci do ta lejonte të martohej me një të krishterë që është i lirë për t’u martuar.—1Ko 7:39.
Aktet seksuale imorale të kryera nga një i martuar me dikë të të njëjtit seks (homoseksualizmi) janë të fëlliqura e të neveritshme. Këta persona të papenduar nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. Natyrisht, edhe marrëdhëniet seksuale me kafshët dënohen nga Shkrimet. (Le 18:22, 23; Ro 1:24-27; 1Ko 6:9, 10) Këto akte tejet të fëlliqura përfshihen në përkufizimin e gjerë të porneias. Vlen të përmendet se në Ligjin e Moisiut homoseksualizmi dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët dënoheshin me vdekje, kurse bashkëshorti i pafajshëm ishte i lirë të rimartohej.—Le 20:13, 15, 16.
Jezu Krishti nënvizoi se «kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet». (Mt 5:28) Sidoqoftë, Jezui nuk tha se ajo që një person kishte në zemër—por pa e kthyer në vepra—përbënte bazën për divorc. Fjalët e Jezuit tregojnë se duhet ta ruajmë të pastër zemrën dhe se nuk duhet të ushqejmë mendime dhe dëshira të papastra.—Fi 4:8; Jk 1:14, 15.
Ligji rabinik i judenjve theksonte se bashkëshortët ishin të detyruar të kryenin detyrën martesore dhe e lejonte burrin të divorcohej nga e shoqja, nëse ajo nuk mund të lindte fëmijë. Gjithsesi, Bibla nuk u jep të drejtë të krishterëve të divorcohen nga bashkëshortet për këtë arsye. Edhe pse gratë e tyre ishin shterpa për shumë vjet, Abrahami nuk u divorcua nga Sara, as Isaku nga Rebeka, as Jakobi nga Rakela dhe as prifti Zakaria nga Elizabeta.—Zn 11:30; 17:17; 25:19-26; 29:31; 30:1, 2, 22-25; Lu 1:5-7, 18, 24, 57.
Në Shkrime nuk thuhet asgjë që do ta lejonte një të krishterë të divorcohej nga bashkëshorti a bashkëshortja nëse ai ose ajo nuk ishte më në gjendje nga ana fizike të kryente detyrën martesore, çmendej ose prekej nga një sëmundje e pashërueshme a e neveritshme. Në raste të tilla, dashuria që duhet të tregojnë të krishterët kërkon që bashkëshorti të trajtohet me mëshirë e jo të divorcohet. (Ef 5:28-31) Po kështu, Bibla nuk u jep të drejtë të krishterëve të divorcohen për shkak se bashkëshorti a bashkëshortja i përket një feje tjetër; përkundrazi, ajo tregon se duke ndenjur me bashkëshortin jobesimtar, i krishteri mund ta fitojë e ta bëjë të pranojë besimin e vërtetë.—1Ko 7:12-16; 1Pj 3:1-7.
Në Predikimin në Mal, Jezui tha se «ai që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo ka kryer kurvëri, e vë atë në rrezik që të kryejë kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar, kryen kurorëshkelje». (Mt 5:32) Në këtë mënyrë, Krishti tregoi se një burrë që divorcohet nga e shoqja për ndonjë arsye tjetër përveç ‘kurvërisë’ (porneía), e vë atë para rrezikut të kurorëshkeljes në të ardhmen, sepse me këtë lloj divorci, gruaja që s’ka kryer kurorëshkelje nuk është e lirë të martohet me një burrë tjetër e të ketë marrëdhënie seksuale me të. Kur Krishti tha «kushdo që martohet me një grua të divorcuar, kryen kurorëshkelje», e kishte fjalën për një grua të divorcuar për një arsye tjetër përveç ‘kryerjes së kurvërisë’ (porneía). Edhe pse e divorcuar ligjërisht, kjo grua nuk do të quhej e divorcuar sipas Shkrimeve.
Ashtu si Mateu (19:3-9), edhe Marku shkroi fjalët që Jezui u tha farisenjve për divorcin dhe citoi këtë shprehje të tij: «Kushdo që divorcohet nga gruaja dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje dhe shkel të drejtat e saj. Edhe gruaja, nëse martohet me një tjetër, pasi divorcohet nga burri, kryen kurorëshkelje.» (Mr 10:11, 12) Një pohim i ngjashëm raportohet edhe te Luka 16:18: «Kushdo që divorcohet nga gruaja dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje. Edhe ai që martohet me një grua të divorcuar, kryen kurorëshkelje.» Në vetvete, këto vargje duket sikur ndalojnë çdo lloj divorci për ithtarët e Krishtit ose, së paku, sikur një individi të divorcuar nuk i lejohet të martohet më, veçse pas vdekjes së bashkëshortit a bashkëshortes së divorcuar. Megjithatë, fjalët e Jezuit që lexojmë te Marku dhe Luka duhet t’i kuptojmë nën dritën e një pohimi më të plotë të regjistruar nga Mateu. Ai përfshin frazën «përveç rastit kur ajo kryen kurvëri» (Mt 19:9; shih edhe Mt 5:32), dhe kjo tregon se fjalët e Jezuit të cituara nga Marku e Luka zbatohen në rastet kur baza për divorc nuk është kryerja e ‘kurvërisë’ (porneía) nga bashkëshorti a bashkëshortja jobesnike, por diçka tjetër.
Sidoqoftë, Shkrimet nuk e detyrojnë një person të divorcohet nga bashkëshorti a bashkëshortja kurorëshkelëse, nëse ai ose ajo është penduar. Në këtë rast, burri ose gruaja e krishterë mund të tregojë mëshirë, ashtu sikurse duket që ka bërë Hozea, i cili e mori përsëri Gomerën, gruan e tij kurorëshkelëse, por edhe Jehovai, i cili tregoi mëshirë për Izraelin e penduar që ishte fajtor për kurorëshkelje frymore.—Ho 3.
Rivendoset norma fillestare e Perëndisë. Është e qartë se deklarata e Jezu Krishtit flet për një rikthim të normës së lartë për martesën që Perëndia Jehova kishte vendosur në fillim, dhe tregon se ata që do të bëheshin dishepuj të Jezuit, ishin të detyruar t’i përmbaheshin kësaj norme të lartë. Edhe pse lëshimet e Ligjit të Moisiut ishin ende në fuqi, ata që donin të ishin dishepuj të vërtetë të Jezuit, duke kryer vullnetin e Atit të tij dhe duke zbatuar fjalët e Jezuit (Mt 7:21-29), nuk do të përfitonin më nga këto lëshime e të tregoheshin ‘zemërgur’ me gratë e tyre. (Mt 19:8) Si dishepuj të vërtetë, nuk do të shkelnin më parimet hyjnore fillestare të martesës e nuk do të divorcoheshin nga bashkëshortët a bashkëshortet e tyre për ndonjë arsye tjetër, përveç asaj që specifikoi Jezui, pra, ‘kurvërisë’ (porneía).
Një beqar që kryen kurvëri me një prostitutë, bëhet «një trup i vetëm» me të. Në mënyrë të ngjashme, kurorëshkelësi bëhet «një trup i vetëm», jo me gruan e tij të ligjshme, por me personin imoral me të cilin kryen marrëdhënie seksuale. Kësisoj, kurorëshkelësi nuk mëkaton vetëm kundër trupit të vet, por edhe kundër gruas së tij të ligjshme, e cila deri në atë kohë ka qenë «një trup i vetëm» me të. (1Ko 6:16-18) Për këtë arsye, kurorëshkelja përbën një bazë të vërtetë për të prishur lidhjen martesore në përputhje me parimin hyjnor dhe, në rastet kur kjo bazë ekziston, marrja e divorcit sjell zgjidhjen zyrtare dhe përfundimtare të lidhjes së ligjshme martesore; kështu, bashkëshorti a bashkëshortja e pafajshme është e lirë të rimartohet me nder.—He 13:4.
Divorci figurativ. Lidhja martesore është përdorur në mënyrë simbolike në Bibël. (Is 54:1, 5, 6; 62:1-6) Po ashtu, në mënyrë simbolike përmendet edhe divorci ose përzënia e gruas.—Jr 3:8.
Mbretëria e Judës u përmbys dhe Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s., kurse banorët e vendit i çuan në mërgim në Babiloni. Vite më parë, Jehovai u kishte thënë në mënyrë profetike judenjve që do të ishin në mërgim: «Ku është dëshmia e divorcit e nënës suaj, të cilën unë e dëbova?» (Is 50:1) ‘Nëna’ ose organizata e tyre kombëtare ishte dëbuar me të drejtë, jo sepse Jehovai kishte prishur besëlidhjen dhe kishte nisur procedurat e divorcit, por sepse ajo kishte shkelur besëlidhjen e Ligjit. Sidoqoftë, një mbetje e izraelitëve u penduan dhe u lutën që Jehovai të rivendoste me ta një marrëdhënie bashkëshortore në atdheun e tyre. Për hir të emrit të tij, Jehovai e riktheu popullin në atdheun e vet në vitin 537 p.e.s., në fund të shkretimit 70-vjeçar.—Ps 137:1-9; shih MARTESA.