T’i ndihmojmë ta shfrytëzojnë plotësisht potencialin
«Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.»—PSAL. 32:8.
1, 2. Si i konsideron Jehovai shërbëtorët e tij në tokë?
KUR prindërit vërejnë fëmijët tek luajnë, shpesh mahniten nga aftësitë e lindura që kanë të vegjlit e tyre. A nuk e keni parë edhe ju këtë? Një fëmijë mund të shfaqë zhdërvjelltësi të natyrshme ose shkathtësi atletike, kurse një tjetri mbase i jepet më shumë për lojëra në tavolinë ose për gjëra artistike a ndonjë hobi. Por, pavarësisht nga dhuntitë e fëmijëve, prindërit kënaqen kur ata shpalosin potencialin.
2 Edhe Jehovai interesohet shumë për fëmijët e tij në tokë. Ai i konsideron shërbëtorët e vet sot si «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve». (Hag. 2:7) Janë të dëshirueshëm sidomos për besimin e përkushtimin e tyre. Por, pa dyshim e ke vënë re se mes bashkëbesimtarëve ka një larmi talentesh. Disa vëllezër janë oratorë të zotë, të tjerë janë organizues fantastikë. Shumë motrave ua pret për gjuhë të huaja dhe i përdorin mirë në shërbim, ndërsa të tjera janë shembullore teksa mbështetin të shkurajuarit ose kujdesen për të sëmurët. (Rom. 16:1, 12) A nuk i vlerësojmë të gjithë këta vëllezër e motra?
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Megjithatë, disa bashkëbesimtarë, përfshirë vëllezërit e rinj ose të sapopagëzuar, nuk e kanë gjetur veten ende në kongregacion. Si mund t’i ndihmojmë të shfrytëzojnë plotësisht potencialin që kanë? Pse duhet të bëjmë çmos të kërkojmë të mirën tek ata, që t’i shohim ashtu siç i sheh Jehovai?
JEHOVAI SHEH TË MIRËN TE SHËRBËTORËT E TIJ
4, 5. Si e kuptojmë nga tregimi i Gjykatësve 6:11-16 se Jehovai e sheh potencialin që kanë shërbëtorët e tij?
4 Mjaft tregime biblike e bëjnë të qartë se Jehovai sheh te shërbëtorët e tij jo vetëm të mirën, por edhe potencialin që kanë. Për shembull, kur Gideoni u zgjodh të çlironte popullin e Perëndisë nga shtypja midianite, s’do mend që u shtang kur engjëlli e përshëndeti: «Jehovai është me ty, o trim i fuqishëm!» Duket qartë se nuk ndihej aspak «i fuqishëm». Në të vërtetë, u shpreh hapur se ndihej fare i pasigurt dhe i papërfillshëm. Por, nga biseda kuptojmë se pikëpamja e Jehovait për shërbëtorin e tij ishte shumë më pozitive sesa ajo e Gideonit për veten.—Lexo Gjykatësit 6:11-16.
5 Jehovai kishte besim se Gideoni mund ta çlironte Izraelin, sepse kishte parë aftësitë e tij. Për shembull, engjëlli i Jehovait vuri re se Gideoni e shinte grurin me gjithë forcën. Sytë e engjëllit panë edhe diçka tjetër. Në kohët biblike, fermerët zakonisht e rrihnin grurin në vend të hapur që era ta çonte tutje bykun. Çuditërisht, Gideoni e rrihte grurin në shtypësen e rrushit, që t’i fshihte nga midianitët të korrat e pakta. Sa i shkathët që ishte! Ja përse në sytë e Jehovait, Gideoni ishte shumë më tepër se një fermer vigjilent—ishte mendjehollë. Po, Jehovai pa potencialin e tij dhe u përpoq t’ia zhvillonte.
6, 7. (a) Si ndryshonte pikëpamja e Jehovait për profetin Amos nga ajo e disa izraelitëve? (b) Çfarë tregon se Amosi ishte njeri i informuar dhe jo analfabet?
6 Edhe në rastin e profetit Amos Jehovai e dalloi potencialin e shërbëtorit të tij, edhe pse në sy të të tjerëve dukej i papërfillshëm e pa pretendime. Amosi e përshkroi veten si çoban dhe kultivues të fiqve të Egjiptit, një varietet me të cilin ushqeheshin vetëm të varfrit. Kur Jehovai caktoi Amosin që të shpallte dënimin për mbretërinë dhjetëfisëshe idhujtare të Izraelit, disa izraelitë mund të kenë menduar se kjo ishte një zgjedhje e dobët.—Lexo Amosin 7:14, 15.
7 Amosi vinte nga një fshat i thellë, por fakti që ishte në dijeni për zakonet dhe sundimtarët e kohës së tij, tregon se ishte njeri i informuar. Ngaqë kishte punë me tregtarët shëtitës, me sa duket i njihte mirë edhe kombet përreth, përveç kushteve në Izrael. (Amo. 1:6, 9, 11, 13; 2:8; 6:4-6) Disa studiues biblikë sot e lavdërojnë Amosin për penën e mprehtë. Profeti jo vetëm që zgjodhi fjalë të goditura e të fuqishme, por përdori më së miri edhe paralelizmin e lojëra fjalësh. Përgjigjja e guximshme që i dha priftit të korruptuar Amaziah vërteton se Jehovai kishte zgjedhur personin e duhur dhe mund të përdorte aftësitë e Amosit që nuk binin menjëherë në sy.—Amo. 7:12, 13, 16, 17.
8. (a) Çfarë sigurie i dha Jehovai Davidit? (b) Pse fjalët e Psalmit 32:8 janë ngushëlluese për ata që nuk kanë besim te vetja ose që nuk kanë ndonjë aftësi të veçantë?
8 Po, Jehovai vëren potencialin e çdo shërbëtori të tij. Ai e siguroi mbretin David se do t’i printe gjithmonë, ‘duke i mbajtur sytë mbi të’. (Lexo Psalmin 32:8.) A e kupton pse duhet të na japë zemër kjo? Edhe pse mund të mos kemi besim te vetja, Jehovai mund të na ndihmojë të kalojmë ato që i shohim si caqet tona dhe të arrijmë synime që as i kemi imagjinuar. Pikërisht si një trajner i cili rri syhapur pranë një alpinisti të papërvojë tek kacavaret në shkëmb, që ta orientojë të gjejë vendin ku të kapet, Jehovai dëshiron të na prijë ndërsa përparojmë frymësisht. Jehovai mund të përdorë edhe bashkëbesimtarët që të na japë një dorë për të shfrytëzuar plotësisht potencialin tonë. Si?
KËRKO TË MIRËN TE TË TJERËT
9. Si mund ta zbatojmë këshillën e Pavlit ‘që të shohim’ interesat e të tjerëve?
9 Pavli i nxiti të gjithë të krishterët ‘të shihnin’ interesat e bashkëbesimtarëve. (Lexo Filipianëve 2:3, 4.) Thelbi i këshillës së tij është të vërejmë dhuntitë e të tjerëve dhe t’u tregojmë se i vlerësojmë. Si ndihemi kur dikush vëren përparimin që kemi bërë? Zakonisht nxitemi të përparojmë akoma, duke nxjerrë më të mirën tonë. Po njësoj, kur u tregojmë bashkëbesimtarëve sa vlerë kanë për ne, i ndihmojmë të çelen dhe të përparojnë frymësisht.
10. Veçanërisht kush mund të ketë nevojë për vëmendjen tonë?
10 Veçanërisht kush mund të ketë nevojë për vëmendjen tonë? Patjetër, të gjithë kemi nevojë herë pas here të na kushtojnë vëmendje. Sidoqoftë, vëllezërit e rinj ose të sapopagëzuar kanë vërtet nevojë të ndihen të përfshirë në aktivitetet e kongregacionit. Kështu do të kuptojnë se kanë një vend të rëndësishëm mes nesh. Nga ana tjetër, nëse nuk ua shprehim vlerësimin për përpjekjet që bëjnë, mund t’u venitet dëshira për të synuar përgjegjësi të mëtejshme, siç i nxit Fjala e Perëndisë.—1 Tim. 3:1.
11. (a) Si e ndihmoi një plak një të ri të mposhtte ndrojtjen? (b) Ç’mësim nxjerr nga përvoja e Xhulienit?
11 Ludoviku, një plak që nxori dobi vetë ngaqë i kushtuan vëmendje kur ishte më i ri, thotë: «Kur tregoj interes të sinqertë për një vëlla, ai përparon më shpejt.» Për Xhulienin, një të ri që ishte mjaft i ndrojtur, Ludoviku tregon: «Nganjëherë Xhulieni mbytej me një pikë ujë kur përpiqej të përfshihej në shoqëri, ndaj linte një përshtypje tjetër për tjetër për veten. Por dallova se ishte shumë i gjindshëm dhe donte t’i ndihmonte të tjerët në kongregacion. Prandaj, në vend që të dyshoja për motivet e tij, u përqendrova te pikat e forta dhe u përpoqa t’i jepja zemër.» Me kohë, Xhulieni u kualifikua të shërbente si shërbëtor ndihmës dhe tani është pionier i rregullt.
NDIHMOJI TË SHFRYTËZOJNË PLOTËSISHT POTENCIALIN QË KANË
12. Çfarë cilësie e vyer nevojitet për të ndihmuar dikë të shfrytëzojë plotësisht potencialin? Jepni një shembull.
12 Natyrisht, nëse duam t’i ndihmojmë të tjerët të shfrytëzojnë plotësisht potencialin, duhet të tregojmë aftësi dalluese. Siç kuptohet nga përvoja e Xhulienit, duhet të shohim përtej pikave të dobëta të dikujt dhe të pikasim cilësitë e shkëlqyera dhe aftësitë që mund t’i zhvillojë më tej. Kështu e pa Jezui apostullin Pjetër. Edhe pse Pjetri nganjëherë jepte përshtypjen se ishte i lëkundshëm, Jezui e quajti Kefa, ose Pjetër, që do të thotë shkëmb. Në këtë mënyrë paratha se ai do të bëhej i qëndrueshëm si një shkëmb.—Gjoni 1:42.
13, 14. (a) Si tregoi aftësi dalluese Barnaba kur Marku ishte i ri? (b) Si nxori dobi një vëlla i ri ngaqë e ndihmuan ashtu si Markun? (Shih figurën hapëse.)
13 Edhe Barnaba shfaqi aftësi dalluese në rastin e Gjonit, që kishte mbiemrin romak Mark. (Vep. 12:25) Gjatë udhëtimit të parë misionar të Pavlit me Barnabën, Marku shërbeu si «ndihmës», mbase duke u kujdesur për nevojat e tyre fizike. Megjithatë, kur mbërritën në Pamfili, befas Marku i la në baltë shokët. Atyre iu desh të udhëtonin pa të për në veri, mes një zone famëkeqe plot kusarë. (Vep. 13:5, 13) Por, me sa duket, Barnaba pa përtej paqëndrueshmërisë së Markut, dhe më vonë përfitoi nga rasti ta çonte deri në fund stërvitjen e tij. (Vep. 15:37-39) Kjo e ndihmoi të riun të bëhej një shërbëtor i pjekur i Jehovait. Ia vlen të thuhet se, kur Pavli ishte i burgosur në Romë, Marku ishte me të dhe u çoi të fala të krishterëve në kongregacionin e Kolosesë. Për më tepër, apostulli foli mirë për të. (Kolos. 4:10) Merre me mend sa i kënaqur duhet të jetë ndier Barnaba kur Pavli kërkoi ndihmën e Markut!—2 Tim. 4:11.
14 Aleksandri, një plak i sapoemëruar, kujton sa shumë dobi nxori nga një vëlla mendjehollë: «Kur isha më i ri, më vinte shumë zor të lutesha para të tjerëve. Një plak më tregoi si të përgatitesha dhe si të isha më i qetë. Në vend që të mos më kërkonte më të bëja lutje, më dha mundësi të lutesha rregullisht në mbledhjet për shërbim. Me kohë, fitova siguri te vetja.»
15. Si e shprehu Pavli çmueshmërinë për vëllezërit e tij?
15 Kur vëmë re ndonjë cilësi të shkëlqyer te një vëlla a motër, a ia themi sa shumë e çmojmë? Te kapitulli 16 i Letrës drejtuar Romakëve, Pavli shprehu vlerësimin për më se 20 bashkëbesimtarë duke përmendur cilësitë që i bënin të shtrenjtë për të. (Rom. 16:3-7, 13) Për shembull, Pavli pranoi se Androniku dhe Juniu i kishin shërbyer Krishtit më gjatë se ai, duke theksuar qëndrueshmërinë e tyre. Foli përzemërsisht edhe për mamanë e Rufit, mbase duke kujtuar se ishte kujdesur me dashuri për të.
16. Çfarë rezultati mund të korrim nëse lavdërojmë një fëmijë?
16 Kur japim lavdërime të sinqerta, mund të korrim rezultate të shkëlqyera. Të mendojmë për Rikon, një djalosh nga Franca, i cili ishte shkurajuar pasi i ati, që nuk ishte Dëshmitar, s’ishte dakord që ai të pagëzohej. Riko mendonte se duhej të priste derisa të mos ishte më i mitur që t’i shërbente Jehovait plotësisht. Ishte i trishtuar edhe ngaqë e tallnin në shkollë. Frederikut, një plaku kongregacioni, iu kërkua të studionte me djalin. Ai tregon: «E lavdëroja Rikon duke i thënë se përderisa e përndiqnin, do të thoshte se e kishte shprehur me guxim besimin.» Ato lavdërime ia forcuan vendosmërinë që të vazhdonte të sillej në mënyrë shembullore dhe e ndihmuan të afrohej me të atin. Riko u pagëzua në moshën 12-vjeçare.
17. (a) Si mund t’i ndihmojmë vëllezërit tanë të përparojnë? (b) Ç’interes personal tregonte një misionar për vëllezërit e rinj, dhe me ç’rezultat?
17 Çdo herë që shprehim vlerësimin për caktimet e kryera siç duhet ose përpjekjet e lavdërueshme, u japim një shtysë bashkëbesimtarëve t’i shërbejnë më plotësisht Jehovait. Silvi,a që ka vite që shërben në Bethelin e Francës, komenton se edhe motrat mund t’i lavdërojnë vëllezërit. Ajo vëren se gratë mund të çmojnë detaje ose përpjekje të ndryshme që u bien në sy. Kështu, «fjalët e tyre inkurajuese mund të ndërthuren bukur me fjalët e vëllezërve me përvojë». Pastaj shton: «Unë e shoh si detyrë të jap lavdërime.» (Prov. 3:27) Zheromi, një misionar në Guajanën Franceze, ka ndihmuar shumë vëllezër të rinj të kualifikohen për shërbimin misionar. Ai thotë: «Kam parë se vëllezërve të rinj u rritet besimi te vetja kur i përgëzoj për ndonjë aspekt specifik në shërbim a për një koment të menduar mirë. Si rrjedhojë, i zhvillojnë edhe më shumë aftësitë.»
18. Pse është e dobishme të punosh me vëllezër të rinj?
18 Mund t’i nxitim bashkëbesimtarët të përparojnë frymësisht edhe duke punuar me ta. Një plak mund t’i kërkojë një vëllai të ri që di ta përdorë mirë kompjuterin, të shtypë disa informacione nga siti jw.org/sq, që mund t’u japin zemër të moshuarve të cilët nuk kanë kompjuter. Nëse po bëhet ndonjë punim në Sallën e Mbretërisë, pse të mos ftosh një vëlla të ri të punojë me ty? Iniciativa të tilla të japin mundësi t’i njohësh më mirë të rinjtë, t’i lavdërosh dhe të shohësh frytet e kësaj.—Prov. 15:23.
NDËRTO PËR TË ARDHMEN
19, 20. Pse duhet t’i ndihmojmë të tjerët të përparojnë?
19 Kur Jehovai caktoi Josiun si prijës të izraelitëve, e urdhëroi Moisiun ‘t’i jepte zemër e ta forconte’. (Lexo Ligjin e përtërirë 3:28.) Sa vjen e shtohet numri i atyre që bashkohen me ne në kongregacionin mbarëbotëror. Të gjithë vëllezërit e motrat me përvojë—jo vetëm pleqtë—mund t’i ndihmojnë vëllezërit e rinj e të sapopagëzuar ta shfrytëzojnë plotësisht potencialin që kanë. Kështu gjithnjë e më tepër veta do të fillojnë shërbimin e plotkohor dhe ‘do të kualifikohen për të mësuar edhe të tjerë’.—2 Tim. 2:2.
20 Qoftë në i përkasim një kongregacioni të krijuar prej vitesh, qoftë një grupi të vogël me perspektivë për t’u bërë kongregacion, le të ndërtojmë për të ardhmen. Çelësi është të imitojmë Jehovain, i cili kërkon gjithmonë të mirën te shërbëtorët e tij.
a Emri është ndryshuar.