Si ta zhveshim e ta mbajmë zhveshur personalitetin e vjetër
«Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij.»—KOLOS. 3:9.
1, 2. Çfarë komentesh janë bërë për Dëshmitarët e Jehovait?
VËZHGUESIT kanë komentuar për cilësitë mbresëlënëse që vërehen mes popullit të Jehovait. Për shembull, duke folur për motrat e vëllezërit tanë në Gjermaninë naziste, autori Anton Gil shkroi: «Dëshmitarët e Jehovait u bënë shënjestër e veçantë e armiqësisë së nazistëve. . . . Në vitin 1939 ishin 6.000 Dëshmitarë në [kampet e përqendrimit].» Prapëseprapë, siç shton autori, me gjithë përndjekjen e egër që hoqën, Dëshmitarët treguan «besueshmëri e gjakftohtësi [qetësi nën stres]», si edhe «integritet e solidaritet».
2 Kohët e fundit, vëzhguesit në Afrikën e Jugut vunë re cilësi të ngjashme tërheqëse mes popullit të Perëndisë. Dikur në atë shtet, Dëshmitarët me ngjyrë të ndryshme të lëkurës s’mund të shoqëroheshin lirisht me njëri-tjetrin. Mirëpo të dielën e 18 dhjetorit 2011, ishte një mrekulli të shihje mbi 78.000 vëllezër të racave të ndryshme nga Afrika e Jugut e nga shtetet fqinje, që mbushën plot stadiumin më të madh në qytetin e Johanesburgut për të shijuar një program teokratik. Duke komentuar për të pranishmit, një nga administratorët e stadiumit tha: «Kjo është turma me sjelljen më të shkëlqyer që kam parë ndonjëherë në këtë stadium. Të gjithë janë veshur pastër e me shije. Dhe e keni pastruar stadiumin për bukuri. Por, mbi të gjitha, ju jeni vërtet multiracialë.»
3. Çfarë e bën unike vëllazërinë tonë?
3 Komente të tilla nga ata që s’janë Dëshmitarë, tregojnë se vëllazëria jonë ndërkombëtare është vërtet unike. (1 Pjet. 5:9) Por, çfarë na bën kaq të ndryshëm nga çdo organizatë tjetër? Me ndihmën e Fjalës së Perëndisë dhe të frymës së tij të shenjtë, ne përpiqemi me të gjitha forcat ‘të zhveshim personalitetin e vjetër’. Në vend të tij, ‘veshim personalitetin e ri’.—Kolos. 3:9, 10.
4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull, dhe pse?
4 Të zhveshim personalitetin e vjetër është një gjë, por ta mbajmë zhveshur është një gjë krejt tjetër. Në këtë artikull, do të shohim si mund ta zhveshim personalitetin e vjetër, pse është urgjente ta bëjmë këtë dhe pse është e mundur që dikush të ndryshojë pavarësisht sa thellë mund të jetë zhytur në praktika të gabuara. Gjithashtu, do të shqyrtojmë ç’mund të bëjnë për ta mbajtur zhveshur personalitetin e vjetër ata që kanë shumë vjet në të vërtetën. Pse janë të nevojshëm këta përkujtues? Mjerisht, disa që dikur i shërbenin Jehovait e kanë ulur vigjilencën dhe kanë shkarë pa u ndier në praktikat e vjetra. Ja pse të gjithë ne duhet t’i vëmë veshin paralajmërimit: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.»—1 Kor. 10:12.
‘BËNI TË VDESË’ ÇDO DËSHIRË NË LIDHJE ME IMORALITETIN SEKSUAL
5. (a) Ilustroni pse është urgjente të zhveshim personalitetin e vjetër. (Shih figurën hapëse.) (b) Sipas Kolosianëve 3:5-9, cilat praktika i përkasin personalitetit të vjetër?
5 Si do të veproje sikur të të bëheshin rrobat pis, e ndoshta edhe të vinin erë të qelbur? Do t’i zhvishje ato rroba të fëlliqura sa më shpejt të ishte e mundur. Po njësoj, ne duhet t’i bindemi me urgjencë urdhrit për t’i hequr zakonet që bien ndesh me personalitetin e Perëndisë. Bëjmë mirë t’i vëmë veshin udhëzimit të qartë që u dha Pavli të krishterëve në kohën e tij: «Flakini larg jush të gjitha këto.» Le të shqyrtojmë dy nga praktikat mëkatare që rendit Pavli—«kurvërinë», pra imoralitetin seksual, dhe «ndyrësinë».—Lexo Kolosianëve 3:5-9.
6, 7. (a) Si e tregojnë fjalët e Pavlit se nevojiten masa të forta për të zhveshur personalitetin e vjetër? (b) Ç’lloj jete bënte Sakura, dhe çfarë i dha forcë që ta braktiste?
6 Imoraliteti seksual. Kuptimi i fjalës origjinale biblike që përkthehet «imoralitet seksual» përfshin marrëdhëniet seksuale mes individëve që nuk janë të martuar ligjërisht me njëri-tjetrin dhe homoseksualizmin. Pavli u tha bashkëbesimtarëve që ‘të bënin të vdisnin gjymtyrët e trupit të tyre’—pra, të eliminonin çdo dëshirë—në lidhje me imoralitetin seksual. Gjuha e gjallë përshkruese që përdori Pavli tregon qartë se nevojiten masa të forta për t’i shkulur dëshira të tilla të gabuara. Ama, lufta kundër dëshirave mëkatare është një luftë që mund të fitohet.
7 Mendo pak për rastin e Sakurësa nga Japonia. Teksa rritej, ajo luftonte me ndjenjat e vetmisë dhe zbrazëtisë. Që kur ishte 15 vjeçe, nisi të kishte marrëdhënie seksuale me partnerë të ndryshëm për t’u lehtësuar nga vetmia që ndiente. «Si pasojë,—tregon ajo me turp,—bëra tri aborte.» Pastaj shpjegon: «Në fillim, provoja një ndjenjë sigurie kur kryeja marrëdhënie seksuale, duke menduar se të tjerët kishin nevojë për mua e më donin. Por sa më shumë kryeja marrëdhënie seksuale, aq më e pasigurt ndihesha.» Sakura vazhdoi me këtë lloj jete deri në moshën 23-vjeçare. Pastaj filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Sakurës i pëlqente shumë ajo që po mësonte dhe, me ndihmën e Jehovait, arriti t’i mposhtte ndjenjat e fajit e të turpit që e mundonin thellë përbrenda dhe ta flakte tej imoralitetin seksual. Tani ajo shërben si pioniere e rregullt dhe nuk ndihet më e vetmuar. Përkundrazi, Sakura shprehet: «Jam vërtet e lumtur që shijoj ditë për ditë ngrohtësinë e dashurisë së Jehovait.»
SI T’I MPOSHTIM PRAKTIKAT E PAPASTRA
8. Cilat janë disa gjëra që mund të na bëjnë të papastër në sytë e Perëndisë?
8 Ndyrësia. Fjala origjinale biblike që përkthehet «ndyrësi» është një term i gjerë që përfshin shumë më tepër se mëkatet seksuale. Ajo mund t’i referohet praktikës së dëmshme të pirjes së duhanit ose tregimit të shakave të ndyra. (2 Kor. 7:1; Efes. 5:3, 4) Zbatohet edhe për ato veprime të papastra që praktikon dikush larg syve të të tjerëve, si leximi i librave që ndezin dëshira seksuale ose shikimi i pornografisë, që mund të çojnë në vesin e papastër të masturbimit.—Kolos. 3:5.b
9. Cilat mund të jenë pasojat nëse ushqehet ‘uria seksuale’?
9 Ata që e kanë zakon të shohin pornografi ushqejnë «urinë seksuale», e si pasojë mund të bëhen të varur ndaj seksit. Studimet tregojnë se individët që pranuan se kanë një dëshirë të parezistueshme për të parë pornografi shfaqin po ato shenja varësie si të alkoolizuarit dhe të droguarit. S’është çudi që praktika e shikimit të pornografisë sjell pasoja të dëmshme—si ndjenja të thella turpi, rendiment të ulët në punë, jetë familjare aspak të lumtur, divorc dhe vetëvrasje. Një burrë që po gëzonte se bëhej një vit që ishte çliruar nga varësia ndaj pornografisë, shkroi: «Kam rifituar një ndjenjë integriteti që e kisha humbur.»
10. Si u çlirua Ribeiro nga varësia ndaj pornografisë?
10 Për shumë veta është një luftë e pareshtur të qëndrojnë larg pornografisë. Megjithatë, siç e tregon rasti i Ribeiros nga Brazili, kjo betejë mund të fitohet. Ribeiro iku nga shtëpia kur ishte adoleshent dhe më vonë filloi punë në një fabrikë për riciklimin e letrës, ku ishte i ekspozuar ndaj materialeve pornografike. Ai tregon: «Dalëngadalë, u bëra i varur ndaj tyre. Kaq e rëndë u bë kjo varësi, sa mezi prisja të dilte nga shtëpia gruaja me të cilën bashkëjetoja që të shihja video pornografike.» Një ditë në punë, Ribeiro pa një pirg librash që duheshin ricikluar dhe i zuri syri një libër me titull Sekreti i lumturisë familjare. E mori nga pirgu dhe e lexoi. Ajo që mësoi, e nxiti të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, por iu desh goxha kohë që ta hiqte zakonin e tij të keq. Çfarë e ndihmoi si përfundim? Ai shpjegon: «Falë lutjeve, studimit të Biblës dhe meditimit për atë që mësoja, m’u rrit çmueshmëria për cilësitë e Jehovait derisa dashuria për Të u bë më e fortë se dëshira për të parë pornografi.» Me ndihmën e fuqisë së Fjalës së Perëndisë dhe të frymës së tij të shenjtë, Ribeiro zhveshi personalitetin e vjetër, u pagëzua dhe tani shërben si plak kongregacioni.
11. Çfarë nevojitet për të qëndruar larg pornografisë?
11 Të bie në sy që për ta fituar luftën, Ribeiros iu desh të bënte më tepër sesa thjesht të studionte Biblën. Iu desh të gjente kohë për ta lejuar mesazhin e Biblës t’i shkonte në zemër. Falë lutjeve dhe meditimit, dashuria e tij për Perëndinë e mposhti dëshirën e madhe për të parë pornografi. Kultivimi i dashurisë së fortë për Jehovain dhe i urrejtjes për atë që është e keqe, është mënyra më e mirë për të qëndruar larg pornografisë.—Lexo Psalmin 97:10.
TË FLAKIM TEJ ZEMËRIMIN, SHARJET DHE GËNJESHTRAT
12. Çfarë e ndihmoi Stivënin të flakte tej zemërimin dhe sharjet?
12 Njerëzit gjaknxehtë shpesh e shprehin zemërimin me të shara. S’do mend, një sjellje e tillë nuk ka sesi të çojë në një jetë të lumtur familjare. Stivëni, një baba nga Australia, tregon: «E kisha zakon të thosha fjalë të pista dhe shpesh më kërcente damari për gjëra koti. Unë dhe gruaja ishim ndarë tri herë dhe ishim në procesin e divorcit.» Pastaj Dëshmitarët nisën të studionin Biblën me këtë çift. Cili ishte rezultati kur Stivëni filloi të zbatonte këshillat e Biblës? Ai thotë: «Jeta jonë familjare u përmirësua jashtëzakonisht. Me ndihmën e Jehovait, tani më ka pushtuar një ndjenjë paqeje dhe qetësie, kurse më parë isha si një bombë me sahat i mbushur me vrer dhe zemërim, gati të shpërtheja nga acarimi më i vogël.» Sot Stivëni shërben si shërbëtor ndihmës, ndërsa e shoqja është pioniere e rregullt prej disa vjetësh. Pleqtë e kongregacionit të Stivënit shprehen: «Stivëni është një vëlla i qetë, punëtor dhe me qëndrim të përulur.» Atyre nuk u kujtohet ta kenë parë ndonjëherë me nerva. A mendon Stivëni se i takon atij merita për këtë ndryshim? Ai thotë: «S’do të gëzoja asnjë nga këto bekime të bukura në jetë, po të mos kisha pranuar ndihmën e Jehovait që ta transformonte plotësisht personalitetin tim.»
13. Pse është kaq i rrezikshëm zemërimi, dhe çfarë paralajmërimi jep Bibla?
13 Ka arsye të forta pse Bibla paralajmëron kundër zemërimit, sharjeve dhe të bërtiturave. (Efes. 4:31) Mjerisht, sjellje të tilla shpesh përshkallëzohen në dhunë. Për botën mund të jetë normale ta shfresh zemërimin, por një sjellje e tillë çnderon Krijuesin. Shumë vetave u është dashur t’i zhveshin këto sjellje ose praktika të dëmshme para se të veshin personalitetin e ri.—Lexo Psalmin 37:8-11.
14. A është e mundur që një njeri agresiv të bëhet zemërbutë?
14 Të mendojmë për rastin e Hansit, i cili shërben si plak në një kongregacion në Austri. «Ai është një nga vëllezërit më zemërbutë që do të doje të njihje në jetë»,—thotë koordinatori i trupit të pleqve në kongregacionin e Hansit. Ama, Hansi nuk ka qenë gjithmonë zemërbutë. Kur ishte adoleshent, filloi të abuzonte me alkoolin, e si pasojë u bë tip agresiv. Një herë kur ishte i dehur, vrau në tërbim e sipër të dashurën, dhe për këtë u dënua me 20 vjet burg. Në fillim, jeta në burg nuk e ndryshoi personalitetin agresiv të Hansit. Më vonë, mamaja e tij mori masa që një plak të takonte të birin në burg, dhe Hansi filloi të studionte Biblën. Ai shpjegon: «Për mua ishte një luftë të zhvishja personalitetin e vjetër. Disa vargje biblike që më inkurajuan ishin Isaia 55:7, ku thuhet: ‘I ligu le ta lërë rrugën e tij’ dhe 1 Korintasve 6:11, ku thuhet për ata që i kishin braktisur udhët mëkatare: ‘Megjithatë, të tillë ishit disa nga ju’. Për shumë vjet, Jehovai më ndihmoi me durim nëpërmjet frymës së tij të shenjtë që të vishja personalitetin e ri.» Pasi bëri 17 vjet e gjysmë nga dënimi, Hansi doli nga burgu si i krishterë i pagëzuar. Ai thotë: «I jam mirënjohës Jehovait për mëshirën dhe faljen e tij që më mahnitin.»
15. Cila praktikë është e zakonshme, por çfarë thotë Bibla për të?
15 Përveç sharjeve, edhe të praktikosh gënjeshtrën është tipar i personalitetit të vjetër. Për shembull, njerëzit e kanë zakon të gënjejnë kur vjen puna për të paguar taksat ose të gënjejnë që të mos mbajnë përgjegjësi për mëkatet e tyre. Krejt ndryshe, Jehovai është ‘Perëndia i së vërtetës’. (Psal. 31:5) Ja pse kërkon që «secili» nga adhuruesit e tij «t’i thotë të vërtetën të afërmit» dhe ‘të mos gënjejë’. (Efes. 4:25; Kolos. 3:9) Prandaj, duhet të themi të vërtetën edhe nëse kjo ndoshta na vë në siklet ose nuk na leverdis.—Prov. 6:16-19.
SI E FITUAN LUFTËN
16. Si mund ta fitojmë luftën për të zhveshur personalitetin e vjetër?
16 Është e pamundur t’i zhveshim tiparet e personalitetit të vjetër me forcat tona. Atyre që u përmendën në këtë artikull—Sakurës, Ribeiros, Stivënit dhe Hansit—iu desh të luftonin me të gjitha forcat për të flakur tej praktikat e gabuara. Ata e fituan luftën duke hapur mendjen e zemrën që të ndikohej nga fuqia e Fjalës së Perëndisë dhe e frymës së tij të shenjtë. (Luka 11:13; Hebr. 4:12) Që të nxjerrim dobi nga kjo fuqi, duhet të lexojmë Biblën çdo ditë, të meditojmë rreth saj dhe të lutemi vazhdimisht për mençuri e për forcë, që t’i zbatojmë këshillat e Biblës. (Jos. 1:8; Psal. 119:97; 1 Sel. 5:17) Nxjerrim dobi nga Fjala e Perëndisë dhe nga fryma e tij e shenjtë edhe kur përgatitemi dhe ndjekim mbledhjet e kongregacionit. (Hebr. 10:24, 25) Veç kësaj, duam t’i shfrytëzojmë mirë mënyrat e larmishme si serviret tani ushqimi nga Bibla për popullin e Perëndisë në mbarë botën.—Luka 12:42.
17. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Jemi ndalur te disa praktika të gabuara që të krishterët duhet t’i zhveshin dhe t’i mbajnë zhveshur. Por a mjafton vetëm kjo për të fituar miratimin e Perëndisë? Jo. Duhet edhe të veshim personalitetin e ri. Në artikullin tjetër, do të shqyrtojmë disa aspekte të personalitetit të ri që duhet t’i bëjmë pjesë të pandashme të veshjes sonë të figurshme.
a Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.