Vazhdoni të ndërtoni njëri-tjetrin
1 Apostulli Pavël bëri gjithçka mundi që të forconte bashkëbesimtarët. (Vep. 14:19-22) Po kështu, edhe ne shqetësohemi për vëllezërit tanë kur hasin vështirësi, dhe dëshirojmë t’i ndihmojmë. Bibla tregon se, jo vetëm pleqtë e kongregacionit, por të gjithë duhet të kujdesemi për të tjerët. (Rom. 15:1, 2) Le të shohim dy mënyra se si mund ta zbatojmë këtë këshillë: «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin.»—1 Sel. 5:11.
2 Vëreni nevojat e të tjerëve: Në Fjalën e Perëndisë thuhet se Dorka ‘në mënyrë të bollshme, bënte vepra të mira dhe jepte lëmosha’. (Vep. 9:36, 39) Ajo vërente kush ishte në nevojë dhe bënte ç’të mundte për ta ndihmuar. Kështu la një shembull vërtet të mrekullueshëm. Ndoshta mund të merrni vesh se një i moshuar ka nevojë për dikë që ta çojë në mbledhje. Ose ndoshta një pionier ka nevojë për dikë që të dalë në shërbim një pasdite të caktuar gjatë javës. Imagjinoni sa do të inkurajoheshin ata, nëse do ta vinit re se për çfarë kanë nevojë dhe do t’u ofronit ndihmën tuaj!
3 Biseda frymore: Mund t’i ndërtojmë të tjerët edhe me fjalët tona. (Efes. 4:29) Një plak kongregacioni me përvojë u shpreh: «Nëse doni t’i inkurajoni të tjerët, flitni për gjëra frymore. Për të filluar biseda të tilla, mund të bëni një pyetje të thjeshtë, si: ‘Si e more të vërtetën?’» Tregoni interes të sinqertë për të rinjtë në kongregacion. Interesohuni për ata që janë shkurajuar dhe ata që janë të ndrojtur. (Prov. 12:25) Mos lejoni që bisedat për argëtimet të zënë vendin e bisedave frymore me bashkëbesimtarët.—Rom. 1:11, 12.
4 Por, çfarë bisedash ndërtuese mund të bëni me të tjerët? A keni gjetur kohët e fundit gjatë leximit të Biblës ose studimit personal ndonjë mendim që ju ka thelluar çmueshmërinë për Jehovain? A ju ka prekur ndonjë gjë që keni dëgjuar gjatë një fjalimi publik ose gjatë Studimit të Kullës së Rojës? Apo ju ka prekur zemrën ndonjë përvojë besimforcuese? Nëse i konsideroni si xhevahire frymore këto, gjithmonë do të keni diçka inkurajuese për t’u thënë të tjerëve.—Prov. 2:1; Luka 6:45.
5 Le të vazhdojmë ta ndërtojmë njëri-tjetrin duke dhënë ndihmë praktike dhe duke e përdorur gjuhën me mençuri!—Prov. 12:18.