Pikëpamja e Biblës
A kanë ende vlerë të gjitha pjesët e Biblës?
«Përveç ndonjë vogëlsire që duhet për të zgjidhur ndonjë fjalëkryq ose për t’iu përgjigjur pyetjeve nëpër kuize, Bibla ka fare pak vlerë praktike për njerëzit e kohës moderne.»
«Referimet biblike për gjenealogjitë familjare, virgjërinë dhe frikën nga Perëndia ishin koncepte kulturore me vlerë për kohët biblike, jo për shekullin e njëzetenjëtë.»
«Biblës i kishte ikur koha që para se të shtypej për herë të parë.»
KËTO komente janë marrë nga një sit i kohëve të fundit në Internet, ku diskutohej për temën «A është Bibla jashtë mode dhe e pavlerë?» Po ju çfarë mendoni për pikëpamjet e mësipërme? A jeni dakord me to?
Mbase nuk jeni dakord me ata që e hedhin poshtë Biblën, por ndoshta e pyetni veten nëse çdo gjë në të është me vlerë. Tek e fundit, Biblat që përdoren në shumicën e kishave ndahen në atë që zakonisht quhet Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re, duke të lënë të mendosh se mbi 75 për qind e saj është e vjetëruar, e dalë mode.
Askush nuk ofron më flijime në kafshë çdo ditë ose për mëkatet e veta, siç përshkruhet në Ligjin e Moisiut. Atëherë, pse janë ruajtur gjithë këto hollësi për flijimet në librin e Levitikut? (Levitiku 1:1–7:38) Ç’të themi për kapitujt e parë të 1 Kronikave, ku ka thuajse vetëm lista gjenealogjike? (1 Kronikave1:1–9:44) Nëse askush nga ne sot nuk ka ndonjë lidhje gjenealogjike me ndonjërin nga personazhet e përmendura në këta kapituj, pse na duhen?
Imagjinoni sikur këputni një kokërr mollë. A mendoni se pema e mollës nuk ka më vlerë pasi merrni një kokërr prej saj? Jo, nëse doni më shumë fruta. Në njëfarë mënyre Bibla është si pema e mollës. Disa pjesë të saj, si Psalmet ose Predikimi në Mal, duken të kollajshme për t’u kapur dhe më «të shijshme» se të tjerat. Ndërkohë që i çmojmë ato pjesë, ashtu si frutën që na pëlqen më tepër, a duhet ta nënvlerësojmë pjesën tjetër? Çfarë thotë vetë Bibla për këtë?
Rreth vitit 65 të e.s., apostulli Pavël shkroi Letrën e Dytë drejtuar Timoteut, ku i kujtonte: «Që nga foshnjëria i ke njohur shkrimet e shenjta, të cilat janë në gjendje të të bëjnë të mençur e të sjellin shpëtimin nëpërmjet besimit në Krishtin Jezu.» Më tej Pavli tha: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» (2 Timoteut 3:15, 16) A e kishte fjalën Pavli vetëm për Dhiatën e Re kur shkroi se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»?
Pavli thotë se Timoteu i njihte «shkrimet e shenjta» që nga «foshnjëria». Nëse Timoteu ishte në të 30-at kur u shkrua kjo letër, siç besojnë disa, i bie që të ishte foshnjë kur vdiq Jezui. Në atë kohë nuk ishte shkruar ende ndonjë pjesë e Shkrimeve Greke ose e Dhiatës së Re. Nëna e Timoteut ishte judeje, prandaj shkrimet e shenjta që i ka mësuar të birit në vegjëli, duhet të kenë qenë Shkrimet Hebraike ose Dhiata e Vjetër. (Veprat 16:1) Kur Pavli tha «i gjithë Shkrimi», pa dyshim e kishte fjalën edhe për të gjithë Dhiatën e Vjetër, e cila përmbante ligje për flijimet dhe lista gjenealogjike.
Më shumë se 1.900 vjet më vonë, ende nxjerrim dobi në mënyra të ndryshme nga këto pjesë të Biblës. Së pari Biblën e kemi vetëm sepse Perëndia u kujdes që ajo të shkruhej dhe të ruhej nga një popull që zgjodhi ai. (Romakëve 3:1, 2) Në Izraelin e lashtë, Ligji i Moisiut nuk ishte thjesht një relike e shenjtë që duhej ruajtur për brezat e ardhshëm, por ishte kushtetuta e atij kombi. Hollësi të Ligjit që mund të na duken të panevojshme sot, ishin jetësore për mbijetesën dhe mbarëvajtjen e Izraelit të lashtë. Për më tepër, regjistrimet gjenealogjike që gjejmë në Bibël, duheshin për të identifikuar Mesinë, për të cilin u paratha se do të ishte pasardhës i drejtpërdrejtë i mbretit David.—2 Samuelit 7:12, 13; Luka 1:32; 3:23-31.
Ndonëse të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, duhet të tregojnë besim te Mesia i parathënë, Jezu Krishti. Gjenealogjitë e lashta të ruajtura në Bibël, provojnë se Jezui ishte vërtet «biri i Davidit», tamam siç ishte premtuar për të. Kurse hollësitë për flijimet na e thellojnë mirënjohjen për flijimin shumë më të rëndësishëm që bëri Jezui, duke na rritur besimin te vlera e këtij flijimi.—Hebrenjve 9:11, 12.
Në shekullin e parë, Pavli i shkroi kongregacionit të krishterë në Romë: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Ky shkrim na kujton se Bibla nuk u shkrua vetëm për dobinë tonë. Për më shumë se 3.500 vjet, fjalët e saj të frymëzuara kanë drejtuar, kanë mësuar dhe kanë ndrequr popullin e Perëndisë në shkretëtirën e Sinait, në Tokën e Premtuar, në mërgimin babilonas, në Perandorinë Romake dhe në mbarë tokën sot. Asnjë libër tjetër nuk mund të pretendojë me të drejtë një gjë të tillë. Ashtu si rrënjët e një peme molle nuk duken në pamje të parë, fillimisht mund të jetë e vështirë të duket vlera e disa pjesëve të Biblës. Për ta kuptuar këtë vlerë, mund të kërkohen pak gërmime, por shpërblimet do t’ia tejkalojnë ku e ku mundimit.
A DONI TË DINI?
● Që kur i kishte njohur Timoteu «shkrimet e shenjta»?—2 Timoteut 3:15.
● Cilat pjesë të Biblës janë të frymëzuara dhe të dobishme? —2 Timoteut 3:16.
● Si mund të nxjerrim dobi nga «gjithçka që u shkrua kohë më parë»? —Romakëve 15:4.
[Figurat në faqen 29]
Hollësitë e Biblës për flijimet na e thellojnë mirënjohjen për flijimin e Jezuit