Bëje mësimin e shëndetshëm mënyrën tënde të jetesës
«Devotshmëria hyjnore është e dobishme për të gjitha gjërat.»—1. TIMOTEUT 4:8, BR.
1, 2. Deri në ç’masë njerëzit tregojnë interes për shëndetin e tyre dhe me ç’rezultat?
PJESA më e madhe e njerëzve me siguri që do të jetë dakort se shëndeti i mirë është gjëja më e çmuar në jetë. Ata harxhojnë një sasi të madhe kohe dhe parash për të qenë në formë fizikisht dhe për t’u siguruar se do t’u jepet kujdesi mjekësor i nevojshëm kur t’u nevojitet. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, shpenzimi vjetor mjekësor gjatë vitit të fundit ishte më shumë se 900 miliardë dollarë. Në këtë vend kjo arrin shumën mbi 3.000 dollarë në vit për çdo burrë, grua dhe fëmijë dhe në vende të tjera të zhvilluara shpenzimi për person nuk është më i vogël.
2 Çfarë ka sjellë gjithë ky shpenzim kohe, energjie dhe paraje? Sigurisht që askush nuk do ta mohojë se në përgjithësi, sot kemi mjetet dhe pajisjet mjekësore më të përparuara gjatë gjithë historisë. Megjithatë, kjo nuk përkthehet automatikisht në shëndet të mirë. Në fakt, në një fjalim ku theksohej një program i propozuar për kujdesin mbi shëndetin në Shtetet e Bashkuara, presidenti i saj tha se përveç «çmimeve të papërmbajtura të dhunës në këtë vend» banorët e Shteteve të Bashkuara «kanë taksat më të larta të SIDA-s, duhanit, pijes së tepruar, shtatzënive tek adoleshentët dhe fëmijëve të lindur nën peshë», sesa në çdo vend tjetër të zhvilluar. Përfundimi? «Nëse me të vërtetë duam të jemi një popull i shëndetshëm, duhet të ndryshojmë sjelljen tonë.»—Galatasve 6:7, 8.
Një mënyrë e shëndetshme jetese
3. Çfarë këshille ofroi Pavli, duke pasur parasysh kulturën e lashtë greke?
3 Në shekullin e parë, grekët njiheshin për rëndësinë që i kushtonin edukimit fizik, kulturizmit dhe garave atletike. Duke pasur parasysh këtë, apostulli Pavël u frymëzua që t’i shkruante të riut Timote: «Ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.» (1. Timoteut 4:8) Kështu, Pavli po tregonte atë që sot njerëzit po shohin gradualisht, domethënë se pajisjet mjekësore apo ushtrimet fizike nuk të sigurojnë një mënyrë vërtet të shëndetshme jetese. Por Pavli na siguron se është i domosdoshëm kultivimi i mirëqenies frymore dhe i devotshmërisë hyjnore.
4. Cilat janë dobitë e devotshmërisë hyjnore?
4 Një sjellje e tillë është e dobishme për «jetën e tanishme», sepse na mbron nga të gjitha gjërat e dëmshme që njerëzit e pafe apo ata që kanë vetëm «një formë [apo shfaqje] të devotshmërisë hyjnore» i shkaktojnë vetes. (2. Timoteut 3:5; Proverbat 23:29, 30; Luka 15:11-16; 1. Korintasve 6:18; 1. Timoteut 6:9, 10) Ata që e lejojnë devotshmërinë e shenjtë të përcaktojë jetën e tyre, kanë një respekt të thellë për ligjet dhe kërkesat e Perëndisë dhe kjo i nxit që ta bëjnë mësimin e shëndetshëm të Perëndisë mënyrën e tyre të jetesës. Një sjellje e tillë u sjell atyre një shëndet frymor dhe fizik, kënaqësi dhe lumturi. Ata janë «duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme».—1. Timoteut 6:19.
5. Çfarë mësimesh siguroi Pavli në kapitullin e dytë të letrës së tij drejtuar Titit?
5 Duke qenë se një jetë e udhëhequr nga mësimi i shëndetshëm i Perëndisë sjell bekime të tilla tani dhe në të ardhmen, duhet të njohim në nivel praktik se si mund ta bëjmë mësimin e shëndetshëm të Perëndisë mënyrën tonë të jetesës. Apostulli Pavël u përgjigj në letrën e tij drejtuar Titit. Do të shqyrtojmë në mënyrë të veçantë kapitullin e dytë të këtij libri, ku ai e mëson Titin «të vazhdojë të flasë për gjërat që vijnë nga mësimi i shëndetshëm». Sigurisht që të gjithë ne, të vjetër e të rinj, burra e gra mund të përfitojmë nga ky «mësim i shëndetshëm» sot.—Titit 1:4, 5; 2:1, BR.
Këshilla për burrat e moshuar
6. Cilën këshillë ofroi Pavli për «burrat e moshuar» dhe përse ishte e sjellshme nga ana e tij një gjë e tillë?
6 Së pari, Pavli dha disa këshilla për të moshuarit në kongregacion. Të lutemi lexo Titit 2:2. «Burrat e moshuar» si kategori nderohen dhe shikohen si shembuj besimi dhe besnikërie. (Levitiku 19:32; Proverbat 16:31) Për këtë arsye, të tjerët mund të ngurrojnë t’u ofrojnë këshilla apo sugjerime burrave të moshuar lidhur me çështje që nuk janë tepër serioze. (Jobi 32:6, 7; 1. Timoteut 5:1) Prandaj, tregohet dashamirësi nga ana e Pavlit që u drejtohet së pari burrave të moshuar dhe ata do të bënin mirë t’i merrnin për zemër fjalët e Pavlit dhe të jenë të sigurt se edhe ata si Pavli janë të denjë për t’u imituar.—1. Korintasve 11:1; Filipianëve 3:17.
7, 8. (a) Çfarë përfshin të qenit «i përmbajtur në zakone»? (b) Përse «serioziteti» është krahasuar me «mendjen e shëndoshë»?
7 Para së gjithash, burrat e moshuar të krishterë duhet të jenë «të përmbajtur në zakone». Edhe pse fjala origjinale mund t’i referohet zakonit të pijes («esëll», Kingdom Interlinear), poashtu ka edhe kuptimin e të qenit vigjilent, i përkorë, me mend. (2. Timoteut 4:5; 1. Pjetrit 1:13) Prandaj, si në pije ashtu edhe në gjëra të tjera, burri i moshuar duhet të jetë i përmbajtur dhe jo i dhënë pas teprimeve apo ekstremeve.
8 Pastaj, duhet të jenë «seriozë» dhe «me mendje të shëndoshë». Serioziteti, dinjiteti, nderimi dhe respekti vijnë zakonisht me moshën. Por disa mund të kenë prirjen për të qenë tepër seriozë, të padurueshëm ndaj gjallërisë së të rinjve. (Proverbat 20:29) Prandaj, «serioziteti» është krahasuar me «mendjen e shëndoshë». Burrat e moshuar duhet të kenë seriozitet proporcional me moshën, por në të njëjtën kohë duhet të jenë të ekuilibruar, duke pasur kontroll të plotë mbi ndjenjat dhe nxitjet e tyre.
9. Përse burrat e moshuar duhet të jenë të shëndetshëm në besim, dashuri dhe veçanërisht në durim?
9 Në fund, burrat e moshuar duhet të jenë «të shëndetshëm në besim, dashuri dhe durim». Shumë herë në letrat e tij, Pavli e renditi besimin dhe dashurinë bashkë me shpresën. (1. Korintasve 13:13; 1. Selanikasve 1:3; 5:8) Këtu ai e zëvendësoi «shpresën» me «durimin». Ndoshta, për shkak se ndjenja e dorëheqjes mund të pasojë me lehtësi gjatë mplakjes. (Eklisiastiu 12:1) Megjithatë, ashtu siç tregoi Jezui «ai që do të durojë deri në fund do të shpëtojë». (Mateu 24:13, BR) Përveç kësaj, të moshuarit janë shembull për të tjerët jo thjesht për shkak të moshës apo përvojës së tyre, por për shkak të cilësive të tyre të fuqishme frymore—besimit, dashurisë dhe durimit.
Për gratë e moshuara
10. Cilën këshillë dha Pavli për «gratë e moshuara» në kongregacion?
10 Më pas, Pavli e kthen vëmendjen e tij ndaj grave të moshuara në kongregacion. Të lutemi lexo Titit 2:3. «Gratë e moshuara» janë pjesëtaret e moshuara ndërmjet grave të kongregacionit, duke përfshirë bashkëshortet e «burrave të moshuar» dhe nënat e gjyshet e anëtarëve të tjerë. Si të tilla, ato kanë ndikim të konsiderueshëm për mirë ose për keq. Për këtë arsye, Pavli vë përpara fjalëve të tij «ngjashëm» në kuptimin që edhe «gratë e moshuara» kanë disa përgjegjësi për të jetuar sipas parimeve si dhe për të plotësuar rolin e tyre në kongregacion.
11. Çfarë do të thotë sjellje e ndershme?
11 Së pari, «gratë e moshuara të jenë të ndershme në sjellje»,—tha Pavli. «Sjellja» është shprehja e jashtme e qëndrimit dhe personalitetit të brendshëm, si me sjelljen ashtu edhe me paraqitjen. (Mateu 12:34, 35) Cili duhet të jetë atëherë qëndrimi apo personaliteti i një gruaje të moshuar të krishtere? Me një fjalë «e ndershme». Ky mbiemër është përkthyer nga një fjalë greke që tregon «atë që i shkon për shtat një personi, veprimi apo një gjëje të shenjtëruar të Perëndisë». Me siguri që kjo është një këshillë e përshtatshme, duke parë ndikimin që ato kanë mbi të tjerët, veçanërisht mbi gratë më të reja të kongregacionit.—1. Timoteut 2:9, 10.
12. Cilin keqpërdorim të gjuhës duhet të evitojmë të gjithë?
12 Më pas, vijnë dy karakteristika negative: «jo shpifëse dhe as të skllavëruara nga vera e tepërt». Është interesante që këto dy gjëra janë grupuar së bashku. «Në kohët e lashta, kur vera ishte pija e vetme,—vëren profesor E. F. Skot,—pikërisht gjatë festave të vogla, gratë e moshuara piheshin dhe merrnin nëpër gojë komshijet.» Gratë, zakonisht janë më të interesuara se burrat në lidhje me të tjerët, gjë që është e lavdërueshme. Megjithatë, interesi mund të keqësohet në përgojim e madje në shpifje, veçanërisht kur pija ta zgjidh gjuhën. (Proverbat 23:33) Sigurisht që të gjithë ata që ndjekin një mënyrë të shëndetshme jetese, burra e gra, bëjnë mirë të ruhen nga kjo grackë.
13. Në cilat mënyra mund të jenë mësuese gratë e moshuara?
13 Për ta përdorur kohën në mënyrë ndërtuese, gratë e moshuara inkurajohen që të jenë «mësuese të asaj që është e mirë». Në vende të tjera, Pavli tregoi qartë se gratë nuk duhet të jenë mësuese në kongregacion. (1. Korintasve 14:34; 1. Timoteut 2:12) Megjithatë, kjo nuk i ndalon ato t’ua japin njohurinë e çmuar të Perëndisë familjarëve dhe të tjerëve. (2. Timoteut 1:5; 3:14, 15) Gjithashtu, siç tregon vargu vijues, mund të bëjnë një të mirë të madhe, duke qenë shembuj të krishterë për të rejat në kongregacion.
Për gratë e reja
14. Si mund të tregohen të ekuilibruara në plotësimin e detyrave të tyre gratë e reja të krishtere?
14 Në inkurajimin dhënë grave të moshuara për të qenë «mësuese të asaj që është e mirë», Pavli përmendi në mënyrë të veçantë gratë e reja. Të lutemi lexo Titit 2:4, 5. Meqenëse pjesa më e madhe e mësimeve përqendrohen në punët shtëpiake, gratë e reja të krishtere nuk duhet të shkojnë në ekstreme, duke u dhënë përparësi në jetën e tyre interesave materiale. Përkundrazi, duhet të jenë «me mendje të shëndoshë, të dëlira, . . . të mira» dhe mbi të gjitha, të gatshme për të mbështetur kreun e rregullimit të krishterë «që fjala e Perëndisë të mos shahet».
15. Përse shumë gra të reja në kongregacion meritojnë të lavdërohen?
15 Sot, skena familjare ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme nga ajo që ishte në ditët e Pavlit. Shumë familje janë të përçara në besim dhe të tjera kanë vetëm një prind. Edhe në të ashtuquajturat familje tradicionale, gjithnjë e më rrallë ndodh që gruaja apo nëna të jetë një shtëpiake gjatë gjithë kohës. E gjithë kjo i vë gratë e reja të krishtere nën presione dhe përgjegjësi të mëdha, por kjo nuk i përjashton ato nga detyrimet e tyre të paraqitura në Shkrime. Prandaj, është një kënaqësi e madhe të shikosh shumë gra të reja besnike që kanë shumë për të bërë për të plotësuar në mënyrë të ekuilibruar detyrat e tyre të shumta dhe që t’ia dalin mbanë të vënë në vend të parë interesat e Mbretërisë, disa madje duke kryer edhe shërbimin e plotë kohor si pioniere ndihmëse apo të rregullta. (Mateu 6:33) Vërtet e meritojnë që të lavdërohen!
Për burrat e rinj
16. Cilën këshillë u dha Pavli të rinjve dhe përse është në kohën e duhur?
16 Pastaj, Pavli kalon tek më të rinjtë, duke përfshirë edhe Titin. Të lutemi lexo Titit 2:6-8. Duke parë sjelljen e papërgjegjshme dhe shkatërruese të shumë të rinjve sot—duhanin, drogën, alkoolin, seksin e paligjshëm dhe synime të tjera botërore të tilla, si sportet e shfrenuara, muzika poshtëruese dhe zbavitjet—janë me të vërtetë këshilla në kohën e duhur për të rinjtë e krishterë, që dëshirojnë të ndjekin një mënyrë jetese të shëndetshme dhe që të jep kënaqësi.
17. Si mund të bëhet «me mendje të shëndoshë» dhe «shembull për vepra të mira» një i ri?
17 Në ndryshim me të rinjtë e botës, një i ri i krishterë duhet të jetë «me mendje të shëndoshë» dhe «shembull për vepra të shkëlqyera». Pavli shpjegoi se një mendje e shëndoshë dhe e pjekur fitohet jo vetëm nga ato që thjesht studiojmë, por edhe nga ato që ‘nga përvoja, janë zhvilluar vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen». (Hebrenjve 5:14) Sa e mrekullueshme është të shohësh të rinj të krishterë që japin me dëshirë kohën dhe energjitë e tyre, për të pasur një pjesëmarrje të plotë në shumë aktivitete në kongregacionin e krishterë, në vend që ta keqpërdorin fuqinë e tyre rinore për synime egoiste! Duke vepruar kështu, ngjashëm Titit, ata mund të bëhen shembuj për «vepra të shkëlqyera» në kongregacionin e krishterë.—1. Timoteut 4:12.
18. Çfarë do të thotë të mos korruptohesh në mësim, të jesh serioz në veprim dhe i shëndetshëm në të folur?
18 Të rinjve u kujtohet se duhet të tregojnë «pakorruptueshmëri në mësimet [e tyre], seriozitet, të folur të shëndetshëm që nuk mund të dënohet». Mësimi që është «i pakorruptueshëm» duhet të bazohet fuqishëm në Fjalën e Perëndisë; prandaj, të rinjtë duhet ta studiojnë me zell Biblën. Ashtu si të moshuarit, edhe të rinjtë duhet të jenë seriozë. Duhet të kuptojnë se të jesh shërbëtor i Fjalës së Perëndisë është një përgjegjësi serioze, prandaj duhet «të sillen në mënyrë të denjë për lajmin e mirë». (Filipianëve 1:27, BR) Ngjashëm, mënyra e të folurit të tyre duhet të jetë «e shëndetshme» dhe e tillë që «nuk mund të dënohet», në mënyrë që të mos japin shkak për ankim tek kundërshtarët.—2. Korintasve 6:3; 1. Pjetrit 2:12, 15.
Për skllevërit dhe shërbëtorët
19, 20. Si mund ta «zbukurojnë mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndi» ata që janë në shërbim të të tjerëve?
19 Përfundimisht, Pavli u referohet atyre që janë në shërbim të të tjerëve. Të lutemi lexo Titit 2:9, 10. Sot, nuk ka shumë që janë skllevër apo shërbëtorë, por shumë punojnë si nëpunës apo punëtorë në shërbim të të tjerëve. Kështu, parimet e renditura nga Pavli vlejnë edhe për sot.
20 T’u «nënshtrohesh pronarëve në lidhje me të gjitha gjërat», do të thotë që nëpunësit e krishterë duhet të tregojnë respekt të sinqertë për punëdhënësit dhe kontrollorët e tyre. (Kolosianëve 3:22) Gjithashtu, duhet të njihen si punëtorë të ndershëm, që i japin punëdhënësit një ditë të plotë pune. Ata duhet të mbajnë normat e larta të sjelljes së krishterë në vendin e tyre të punës, pavarësisht nga ajo që bëjnë të tjerët. E gjithë kjo bëhet «që të mund të zbukurojnë mësimin e Shpëtimtarit tonë Perëndi, në të gjitha gjërat». Sa shpesh dëgjojmë për rezultatet pozitive, kur persona të sinqertë e pranojnë të vërtetën, për shkak të sjelljes së shkëlqyeshme të nëpunësve apo shokëve të tyre Dëshmitarë në vendin e punës. Ky është një shpërblim që Jehovai u dhuron atyre që ndjekin mësimin e tij të shëndetshëm, madje edhe në vendet e tyre të punës.—Efesianëve 6:7 8.
Një popull i pastruar
21. Përse Jehovai na e ka dhënë mësimin e shëndetshëm dhe si duhet t’i përgjigjemi?
21 Mësimi i shëndetshëm për të cilin flet Pavli, nuk është thjesht ndonjë kod parimesh etike apo vlerash morale që mund t’i konsiderojmë si të duam. Pavli vazhdoi të shpjegonte qëllimin e tij. Të lutemi lexo Titit 2:11, 12. I nxitur nga dashuria dhe nga dashamirësia e pamerituar për ne, Perëndia Jehova ka siguruar mësimin e shëndetshëm, që të mund të mësojmë të bëjmë një jetë që ka një domethënie dhe të jep kënaqësi në këto kohë kritike e të rrezikshme. A je i gatshëm ta pranosh dhe ta bësh mësimin e shëndetshëm mënyrën tënde të jetesës? Bërja e kësaj do të thotë shpëtim për ty.
22, 23. Cilat bekime do të marrim duke e bërë mësimin e shëndetshëm mënyrën tonë të jetesës?
22 Për më tepër, duke e bërë mësimin e shëndetshëm mënyrën tonë të jetesës, marrim një privilegj të papërsëritshëm tani dhe një shpresë të lumtur për të ardhmen. Të lutemi lexo Titit 2:13, 14. Vërtet, nëse e bëjmë mësimin e shëndetshëm mënyrën tonë të jetesës, mbetemi një popull i pastruar larg nga bota e korruptuar dhe e njollosur. Fjalët e Pavlit të sjellin ndër mend kujtesat që Moisiu i bëri bijve të Izraelit në Sinai: «Sa për Jehovain, . . . do të të vendosë lart sipër të gjitha kombeve të tjera që ai ka formuar, duke i lënë vend lavdërimit, famës dhe bukurisë, ndërkohë që do ta tregosh veten një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë tënd, ashtu siç ka premtuar ai.»—Ligji i përtërirë 26:18, 19, BR.
23 Le ta çmojmë gjithmonë privilegjin si popull i pastruar i Jehovait, duke e bërë mësimin e shëndetshëm mënyrën tonë të jetesës! Ji gjithmonë i gatshëm për të hedhur poshtë çdo formë paperëndishmërie dhe dëshire botërore, për të mbetur kështu i pastër dhe i përshtatshëm për t’u përdorur nga Jehovai në veprën madhështore që ai po kryen sot.—Kolosianëve 1:10.
A të kujtohet?
◻ Përse devotshmëria hyjnore është e dobishme për të gjitha gjërat?
◻ Si mund ta ndjekin mësimin e shëndetshëm si një mënyrë jetese burrat dhe gratë e moshuara të krishtere?
◻ Cilin mësim të shëndetshëm kishte Pavli për të rinjtë dhe të rejat në kongregacion?
◻ Cilin privilegj dhe bekim mund të kemi, nëse e bëjmë mësimin e shëndetshëm mënyrën tonë të jetesës?
[Figurat në faqen 18]
Sot shumë veta i vënë në praktikë këshillat e Titit 2:2-4