Të luftojmë mëkatin e mbërthyer pas mishit të papërsosur
«Të kthesh mendjen nga mishi do të thotë vdekje, por të kthesh mendjen nga fryma, do të thotë jetë dhe paqe.»—ROMAKËVE 8:6, BR.
1. Për çfarë qëllimi u krijuan njerëzit?
«PERËNDIA krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin dhe femrën.» (Zanafilla 1:27) Një shëmbëlltyrë është pasqyrimi i një objekti apo i një burimi. Prandaj, njerëzit u krijuan për të qenë një pasqyrim i lavdisë së Perëndisë. Duke shfaqur në të gjitha përpjekjet e tyre cilësi hyjnore, të tilla si dashuria, mirësia, drejtësia dhe karakteri frymor, ata i sjellin lavdi dhe nder Krijuesit, si edhe lumturi e kënaqësi vetes së tyre.—1. Korintasve 11:7; 1. Pjetrit 2:12.
2. Si nuk ia arriti dot qëllimit çifti i parë?
2 Çifti i parë njerëzor, i krijuar në përsosmëri, ishte plotësisht i pajisur për këtë rol. Si pasqyra mjaft të shkëlqyeshme, ata ishin në gjendje të pasqyronin lavdinë e Perëndisë me ndriçim dhe besnikëri. Megjithatë, ata lejuan që ai shkëlqim i lartë të njollosej, kur vullnetarisht zgjodhën të mos i bindeshin Krijuesit dhe Perëndisë së tyre. (Zanafilla 3:6) Që prej asaj kohe, ata nuk mundën ta pasqyronin më me përsosmëri lavdinë e Perëndisë. Ata nuk e arritën lavdinë e Perëndisë, duke dështuar në qëllimin e krijimit të tyre sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Me fjalë të tjera, ata mëkatuan.a
3. Cila është natyra e vërtetë e mëkatit?
3 Kjo na ndihmon për të kuptuar natyrën e vërtetë të mëkatit, i cili dëmton nga ana e njeriut pasqyrimin e ngjashmërisë dhe lavdisë së Perëndisë. Mëkati nuk e bën njeriun të shenjtë, d.m.th., e bën të papastër dhe të njollosur në kuptimin frymor dhe moral. Të gjithë njerëzit, duke qenë pasardhës të Adamit dhe të Evës, kanë lindur në këtë gjendje të njollosur dhe të papastër, duke mos e plotësuar atë që Perëndia priste prej tyre si fëmijë të tij. Dhe rezultati? Bibla shpjegon: «Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.»—Romakëve 5:12; krahaso Isaia 64:6.
Mëkati i mbërthyer pas mishit të papërsosur
4-6. (a) Si e shohin sot mëkatin shumë njerëz? (b) Cili është rezultati i pikëpamjeve moderne mbi mëkatin?
4 Shumë njerëz sot, nuk e mendojnë veten si të papastër, të njollosur apo mëkatarë. Në fakt, mëkati si fjalë, praktikisht është fshirë nga fjalori i shumë njerëzve. Ata ndoshta flasin për gabime, moskujdesje dhe llogaritje të gabuara. Po për mëkatin? Vështirë! Edhe për ata që ende pohojnë se besojnë në Perëndinë, «mësimet e tij përbëjnë një sërë bindjesh morale dhe jo një kod moral, për ta janë ‘10 sugjerimet’ dhe jo 10 urdhërimet»,—vëren Alan Wolfe, një profesor sociologjie.
5 Cili është rezultati i kësaj mënyre të menduari? Mohim, apo tek e fundit, mospërfillje e realitetit të mëkatit. Kjo ka prodhuar një brez njerëzish me një ndjenjë mjaft të shtrembëruar për të drejtën dhe të gabuarën, që ndihen të lirë për të vendosur rregulla personale sjelljeje dhe që nuk mbajnë përgjegjësi përpara askujt për çdo gjë që vendosin të bëjnë. Për këta njerëz, të jenë në rregull me veten është i vetmi kriter për të gjykuar nëse një mënyrë veprimi është e përshtatshme apo jo.—Proverbat 30:12, 13; krahaso Ligjin e përtërirë 32:5, 20.
6 Për shembull, në një spektakël televiziv, disa të rinj u ftuan për të shprehur mendimet e tyre mbi të ashtuquajturit shtatë mëkate vdekjeprurëse.b «Krenaria nuk është mëkat,—deklaroi një pjesëmarrës.—Duhet të kesh një mendim të mirë për vetveten.» Në lidhje me përtesën, një tjetër tha: «Është gjë e mirë të ndihesh i tillë ndonjëherë. . . . Disa herë është mirë të prehesh i qetë dhe t’i kushtosh ca kohë vetes.» Edhe vetë drejtuesi i spektaklit bëri këtë koment të përmbledhur: «Shtatë mëkatet vdekjeprurëse nuk janë veprime të liga, por përkundrazi, janë nxitje universale njerëzore që mund të jenë si të mërzitshme, ashtu edhe mjaft të pëlqyeshme.» Po, bashkë me konceptin e mëkatit është zhdukur edhe ndjenja e fajit, sepse, në fund të fundit, faji është krejt e kundërta e asaj që ndien kur je në rregull.—Efesianëve 4:17-19.
7. Sipas Biblës, si ndikohen njerëzit prej mëkatit?
7 Në kontrast të hapur me gjithë këtë, Bibla pohon hapur: «Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Edhe apostulli Pavël pranoi: «Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.» (Romakëve 7:18, 19) Pavli këtu nuk po mëshironte vetveten. Përkundrazi, pasi e kuptonte plotësisht se sa kishte dështuar njerëzimi në pasqyrimin e lavdisë së Perëndisë, ai ishte seriozisht i vetëdijshëm mbi mëkatin e mbërthyer pas mishit të papërsosur. «Oh, njeri i mjerë që jam!—deklaroi ai.—Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?»—Romakëve 7:24.
8. Çfarë pyetjesh duhet t’i bëjmë vetes? Përse?
8 Cila është pikëpamja jote mbi këtë çështje? Ti mund ta pranosh se si një pasardhës i Adamit dhe si gjithë të tjerët, je i papërsosur. Por si ndikon kjo njohuri mbi mendimet e tua dhe mbi mënyrën tënde të jetesës? A e pranon atë si një fakt të pashmangshëm, duke vazhduar të bësh atë që të vjen natyrshëm për të bërë? Apo bën përpjekje të vazhdueshme për të luftuar mëkatin e mbërthyer pas mishit të papërsosur, duke dashur të pasqyrosh sa më shkëlqyeshëm që të jetë e mundur lavdinë e Perëndisë në çdo gjë që bën? Kjo duhet t’i interesojë seriozisht gjithsecilit prej nesh, duke parë edhe çfarë thotë Pavli: «Ata që janë sipas mishit e kthejnë mendjen e tyre nga gjërat e mishit, por ata që janë sipas frymës nga gjërat e frymës. Sepse të kthesh mendjen nga mishi do të thotë vdekje, por të kthesh mendjen nga fryma, do të thotë jetë dhe paqe.»—Romakëve 8:5, 6.
Të kthesh mendjen nga mishi
9. Përse «të kthesh mendjen nga mishi do të thotë vdekje»?
9 Çfarë kishte ndër mend Pavli kur tha se «të kthesh mendjen nga mishi do të thotë vdekje»? Termi «mish» është përdorur shpesh në Bibël për të përcaktuar njeriun në gjendjen e tij të papërsosur, ‘të ngjizur në mëkat’, si një pasardhës i Adamit rebel. (Psalmi 51:5; Jobi 14:4) Prandaj, Pavli po i paralajmëronte të krishterët për të mos e çuar mendjen mbi prirjet mëkatare, mbi nxitjet dhe dëshirat e trupit të rënë dhe të papërsosur. Dhe përse jo? Diku tjetër, Pavli na thotë se cilat janë punët e trupit dhe pastaj shton paralajmërimin: «Ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»—Galatasve 5:19, 21.
10. Ç’do të thotë «të mendosh»?
10 Por a nuk ka një ndryshim të madh midis të menduarit të diçkaje dhe bërjes së saj? Vërtet, të mendosh mbi diçka nuk të çon gjithmonë në bërjen e asaj gjëje. Megjithatë, të mendosh është shumë më tepër se të kesh një mendim kalimtar. Fjala e përdorur nga Pavli në greqisht është phroʹne·ma dhe përcakton «mënyrë të menduari, mendje (të drejtuar nga diçka), . . . qëllim, aspiratë, bërje çmos». Prandaj, «të kthesh mendjen nga mishi» do të thotë të jesh i kontrolluar, i zotëruar, i sunduar dhe i udhëhequr nga dëshirat e mishit të papërsosur.—1. Gjonit 2:16.
11. Si e kishte kthyer Kaini mendjen nga mishi dhe cili ishte rezultati?
11 Pika është ilustruar mirë nga rruga që ndoqi Kaini. Kur në zemrën e Kainit lindi xhelozia dhe zemërimi, Perëndia Jehova e paralajmëroi: «Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh.» (Zanafilla 4:6, 7) Kaini gjendej përpara një zgjedhjeje. A do të ‘bënte mirë’, që do të thotë, a do ta kthente mendjen, qëllimin dhe aspiratën e tij nga diçka e mirë? Apo do të vazhdonte ta kthente dhe ta fiksonte mendjen e tij mbi gjërat e mishit, mbi prirjet e këqija të strukura në zemrën e tij? Siç shpjegoi Jehovai, mëkati ‘po ruante te porta’, duke pritur të vërvitej mbi Kainin dhe ta përpinte, nëse ai do ta lejonte. Në vend se të luftonte dhe ‘të sundonte’ mbi dëshirën e tij trupore, Kaini lejoi që ajo ta zotëronte; dhe fundi ishte shkatërrimtar.
12. Çfarë duhet të bëjmë që të mos shkojmë në «rrugën e Kainit»?
12 Ç’mund të themi për ne sot? Sigurisht që ne nuk duam të ‘marrim rrugën e Kainit’, siç u ankua Juda për disa veta midis të krishterëve të shekullit të parë. (Judës 11) Nuk duhet të justifikohemi kurrë dhe të mendojmë se një tolerim i vogël apo se njëfarë lirie e marrë aty-këtu është e padëmshme. Përkundrazi, duhet të rrimë zgjuar për të identifikuar çdo ndikim të paperëndishëm dhe korruptues që mund të jetë futur në zemrat dhe mendjet tona dhe ta heqim me të shpejtë, para se të zërë rrënjë. Lufta kundër mëkatit të mbërthyer pas mishit të papërsosur fillon nga brenda.—Marku 7:21.
13. Si ka mundësi që dikush «të mashtrohet nga lakmia e vet»?
13 Për shembull, mund të të shfaqet para syve një skenë tronditëse apo e frikshme ose një pamje veçanërisht nxitëse apo provokuese. Mund të jetë një pikturë në një libër apo revistë, një skenë në një film apo në ekranin e televizorit, një reklamë mbi një pllakatë, apo edhe një situatë në jetën reale. Në vetvete kjo nuk duhet të jetë alarmuese, mund të ndodhë e në fakt i ndodh gjithsecilit. Megjithatë, kjo pamje apo skenë, edhe pse mund të ketë zgjatur vetëm pak sekonda, mund të ketë prirjen që të mbetet në mendje dhe të rishfaqet kohë pas kohe. Si vepron kur ndodh një gjë e tillë? A vepron menjëherë për ta luftuar atë mendim dhe për ta nxjerrë jashtë nga mendja? Apo e lejon të banojë brenda mendjes tënde, ndoshta duke e rijetuar atë përvojë sa herë që del në sipërfaqe? Nëse bën këtë të fundit, ka rrezik të shpërthejë zinxhiri i ngjarjeve që përshkruan Jakovi: «Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakmia e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.» Ja, përse apostulli Pavël tha: «Të kthesh mendjen nga mishi do të thotë vdekje.»—Jakovit 1:14, 15; Romakëve 8:6, BR.
14. Me çfarë ballafaqohemi çdo ditë dhe si duhet të reagojmë?
14 Duke jetuar në një botë ku imoraliteti seksual, dhuna dhe materializmi janë ngritur në lavdi, pasi shfaqen hapur dhe në mënyrë liberale në libra, revista, filma, programe televizive dhe muzikë, në kuptimin e vërtetë të fjalës ne jemi të bombarduar nga mendime dhe ide të gabuara çdo ditë. Cili është reagimi yt? A ndihesh i zbavitur dhe a dëfrehesh nga e gjithë kjo? Apo ndihesh si Loti i drejtë, «që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve . . . e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra»? (2. Pjetrit 2:7, 8) Për të pasur sukses në luftën kundër mëkatit të mbërthyer pas mishit të papërsosur, duhet të jemi të vendosur që të bëjmë atë që bëri edhe psalmisti: «Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do të lejoj të bëhem si ata.»—Psalmi 101:3.
Të kthesh mendjen nga fryma
15. Çfarë ndihme kemi për të luftuar mëkatin e mbërthyer pas nesh?
15 Diçka që mund të na ndihmojë për të luftuar mëkatin e mbërthyer pas mishit të papërsosur, janë fjalët që vazhdoi të thoshte Pavli: «Të kthesh mendjen nga fryma, do të thotë jetë dhe paqe.» (Romakëve 8:6, BR) Prandaj, në vend se të sundohemi nga mishi, duhet t’i lëmë mendjet tona nën ndikimin e frymës dhe të pasurohemi me gjërat e frymës. Çfarë janë ato? Në Filipianëve 4:8, Pavli bëri një listë me to: «Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.» Le t’i shohim më nga afër dhe të marrim një kuptueshmëri më të mirë për ato gjëra që duhet të vazhdojmë të mendojmë.
16. Për cilat cilësi na inkurajoi Pavli që të vazhdojmë ‘të mendojmë’ dhe çfarë përfshin secila?
16 Para së gjithash, Pavli renditi tetë cilësi morale dhe secilën prej tyre e parapriu me fjalën «të gjitha». Kjo shprehje tregon se të krishterët nuk janë të kufizuar të mendojnë gjatë gjithë kohës vetëm mbi Shkrimet apo mbi çështje doktrinale. Ka një seri të gjerë subjektesh apo temash nga të cilat mund ta kthejmë mendjen. Por e rëndësishme është që ato duhet të përputhen me cilësitë morale të specifikuara nga Pavli. Të gjitha kategoritë e «gjërave» që citoi Pavli meritojnë vëmendjen tonë. Le t’i shqyrtojmë me radhë.
◻ «Të vërteta» përfshin shumë më tepër sesa vetëm të jenë të vërteta apo të rreme. Kjo do të thotë të kenë vërtetësi, të jenë të drejta dhe të denja për besim, diçka që është reale, që jo vetëm të japin përshtypjen se janë të tilla.—1. Timoteut 6:20.
◻ «Të ndershme» ka të bëjë me gjëra që janë me dinjitet dhe të respektueshme. Kjo të ngjall një ndjenjë respekti të thellë, diçka që është madhështore, fisnike dhe e ndershme, e jo vulgare dhe e ulët.
◻ «Të drejta» do të thotë që përmbushin normat e Perëndisë dhe jo të njeriut. Njerëzit nga bota i mbushin mendjet e tyre me skema jo të drejta, por ne duhet të mendojmë dhe të kënaqemi me gjëra që janë të drejta në sy të Perëndisë.—Krahaso Psalmin 26:4; Amosi 8:4-6.
◻ «Të pastra» do të thotë të pastra dhe të shenjta jo vetëm në sjellje (seksuale e tjetërsoj), por edhe në mendime dhe motive. «Dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër»,—thotë Jakovi. Jezui, që ishte «i pastër», është Shembulli i përsosur që duhet ndjekur nga ne.—Jakovit 3:17; 1. Gjonit 3:3.
◻ «Të dashura» janë ato që nxitin dhe frymëzojnë dashuri tek të tjerët. Ne duhet ‘të nxitim njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të mira’ dhe jo ta vëmë mendjen mbi gjëra që lindin urrejtje, hidhërime dhe konkurrencë.—Hebrenjve 10:24.
◻ «Me famë të mirë» nuk do të thotë që të kenë një «reputacion dhe raport të mirë», por në kuptimin veprues, të jenë edhe ndërtuese dhe të lavdërueshme. Ne e kthejmë mendjen tonë mbi gjëra që janë të shëndetshme dhe ndërtuese dhe jo poshtëruese dhe fyese.—Efesianëve 4:29.
◻ «Virtyt» kryesisht do të thotë «mirësi» ose «shkëlqesi morale», por mund të nënkuptojë shkëlqesi të çdo lloji. Në këtë mënyrë, mund të vlerësojmë cilësitë e vlefshme, meritat dhe arritjet e të tjerëve, në përputhje me normat e Perëndisë.
◻ Gjërat për «lëvdim» janë vërtet të tilla, nëse lëvdimi vjen nga Perëndia apo nga ndonjë autoritet i pranuar prej tij.—1. Korintasve 4:5; 1. Pjetrit 2:14.
Premtim jete dhe paqeje
17. Çfarë bekimesh rrjedhin nga ‘kthimi i mendjes nga fryma’?
17 Nëse ndjekim këshillën e Pavlit dhe ‘vazhdojmë të mendojmë këto gjëra’, do të kemi sukses në ‘kthimin e mendjes nga fryma’. Rezultati nuk është vetëm një bekim jete, pra, jetë e përhershme në botën e re të premtuar, por edhe paqe. (Romakëve 8:6) Përse? Sepse mendjet tona janë të mbrojtura nga ndikimi i ligë i gjërave mishore dhe nuk jemi më kaq shumë të prekur nga beteja agonike midis mishit dhe frymës, siç e përshkruan Pavli. Duke i rezistuar ndikimit të mishit, fitojmë gjithashtu paqe me Perëndinë, sepse «mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë».—Romakëve 7:21-24; 8:7.
18. Çfarë lufte po zhvillon Satanai dhe si mund të dalim fitimtarë?
18 Satanai dhe agjentët e tij po bëjnë çdo gjë që mundin për të njollosur pasqyrimin e lavdisë së Perëndisë nga ana jonë. Ata përpiqen të arrijnë kontrollin mbi mendjet tona, duke i bombarduar ato me dëshira trupore, duke e ditur se kjo më në fund të çon në armiqësi me Perëndinë dhe në vdekje. Por ne mund të dalim fitimtarë nga kjo betejë. Ashtu si Pavli, edhe ne mund të shpallim: «I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë» që na ka siguruar mjetet për të luftuar mëkatin e mbërthyer pas mishit të papërsosur.—Romakëve 7:25.
[Shënimet]
a Përgjithësisht, Bibla e përdor fjalën hebreje chat·taʼthʹ dhe fjalën greke ha·mar·tiʹa, për të përcaktuar «mëkatin». Të dyja këto fjalë, në formën e tyre foljore do të thonë «humb», në kuptimin humb apo nuk arrij një qëllim, synim apo objektiv.
b Tradicionalisht, shtatë mëkatet vdekjeprurëse janë krenaria, lakmia, epshi, smira, grykësia, zemërimi dhe përtesa.
A mund të shpjegosh?
◻ Çfarë është mëkati dhe si mund të mbërthehet ai pas mishit të papërsosur?
◻ Si mund ta luftojmë ‘kthimin e mendjes nga mishi’?
◻ Çfarë mund të bëjmë për të nxitur ‘kthimin e mendjes nga fryma’?
◻ Në ç’mënyrë sjell jetë dhe paqe ‘kthimi i mendjes nga fryma’?
[Figura në faqen 15]
Kaini lejoi që prirjet trupore të sundonin mbi të, për shkatërrimin e vet
[Figurat në faqen 16]
Të kthesh mendjen nga fryma, do të thotë jetë dhe paqe