Mirënjohës për dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë
«Të gjithë ne morëm . . . dashamirësi të pamerituar me bollëk.»—GJONI 1:16.
1, 2. (a) Tregoni ilustrimin e Jezuit për pronarin e vreshtit. (b) Si ilustrohen në këtë histori cilësitë e bujarisë dhe të dashamirësisë së pamerituar?
NJË vreshtar shkoi herët në mëngjes në sheshin e pazarit që të merrte punëtorë me mëditje për vreshtin e tij. Ata që gjeti ranë dakord për pagën që u ofroi dhe i hynë punës. Mirëpo pronarit i duheshin më shumë punëtorë, prandaj u kthye disa herë në sheshin e pazarit që të merrte më shumë veta me mëditje. Edhe atyre që i punësoi nga fundi i pasdites u ofroi një pagë të mirë. Kur ra mbrëmja, i mblodhi punëtorët e i dha secilit të njëjtën pagë, pavarësisht nëse kishin punuar shumë orë a vetëm një. Ata që kishte marrë me mëditje të parët, u ankuan kur e morën vesh këtë. Por vreshtari ua ktheu: ‘A nuk ratë dakord për pagën që ju ofrova? A s’kam të drejtë t’u jap gjithë punëtorëve të mi ç’të dua? Ndieni zili ngaqë unë jam bujar?’—Mat. 20:1-15, shën., NWT, botimi 2013.
2 Ilustrimi i Jezuit na kujton një nga cilësitë e Jehovait që përmendet shpesh në Bibël—‘dashamirësinë e tij të pamerituar’.[1] (Lexo 2 Korintasve 6:1.) Ata që kishin punuar vetëm një orë duket se nuk e meritonin pagën e plotë, por pronari i vreshtit u tregoi dashamirësi të jashtëzakonshme. Ja çfarë shkroi një studiues për shprehjen «dashamirësi e pamerituar», që në shumë versione të Biblës përkthehet «hir»: «Në thelb kjo fjalë jep idenë e një dhurate falas e të pamerituar, e cila i jepet dikujt që nuk e ka fituar dhe nuk e ka merituar.»
DHURATA BUJARE E JEHOVAIT
3, 4. Pse dhe si i ka treguar Jehovai dashamirësi të pamerituar mbarë njerëzimit?
3 Shkrimet flasin për ‘dhuratën falas të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’. (Efes. 3:7) Pse dhe si e jep Jehovai këtë «dhuratë falas»? Sikur ne t’i plotësonim në mënyrë të përsosur të gjitha kërkesat e Jehovait, atëherë do ta meritonim dashamirësinë e tij. Por ja që në realitet nuk e bëjmë dot këtë. Prandaj, mbreti i mençur Solomon shkroi: «Nuk ka asnjë njeri të drejtë në tokë, që vazhdon të bëjë të mirën dhe të mos mëkatojë.» (Ekl. 7:20) Edhe apostulli Pavël tha: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë», e «paga që paguan mëkati është vdekja». (Rom. 3:23; 6:23a) Ja, kjo është ajo që meritojmë.
4 Megjithatë, Jehovai e shprehu dashurinë e tij ndaj njerëzimit mëkatar me një akt të pashembullt dashamirësie të pamerituar. Dhuratën më të madhe nga të gjitha, «Birin e tij të vetëmlindur», e dërgoi në tokë që të vdiste për ne. (Gjoni 3:16) Kështu, Pavli shkroi se Jezui tani është ‘kurorëzuar me lavdi dhe nderim, sepse pësoi vdekjen, që me anë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë të shijonte vdekjen për çdo njeri’. (Hebr. 2:9) Po, «dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë».—Rom. 6:23b.
5, 6. Cilat janë rezultatet kur na ka në dorë (a) mëkati? (b) dashamirësia e pamerituar?
5 Si e trashëguam gjendjen mëkatare që përfundon me vdekje e që na mundon të gjithëve? Bibla shpjegon: «Nga shkelja e një njeriu të vetëm [Adamit], vdekja mbretëroi» mbi pasardhësit e tij. (Rom. 5:12, 14, 17) Por, çfarë lehtësimi që ne mund të zgjedhim të mos jemi më nën kontrollin e mëkatit ose në dorë të tij! Duke treguar besim te flijimi shpërblyes i Krishtit, lejojmë të na ketë në dorë dashamirësia e pamerituar e Jehovait. Si? Shkrimet thonë: «Atje ku mëkati ishte me bollëk, dashamirësia e pamerituar ishte edhe më me bollëk. Për ç’qëllim? Që, sikurse mëkati mbretëroi bashkë me vdekjen, ashtu edhe dashamirësia e pamerituar të mbretëronte nëpërmjet drejtësisë, për të sjellë jetën e përhershme, nëpërmjet Jezu Krishtit.»—Rom. 5:20, 21.
6 Ndonëse mbetemi mëkatarë, nuk ka pse të dorëzohemi e të lejojmë që jetën tonë ta ketë nën kontroll mëkati. E në rast se ndodh që mëkati të na mposhtë, do t’i kërkojmë falje Jehovait. Pavli i paralajmëroi të krishterët: «Mëkati të mos jetë zot mbi ju, përderisa nuk jeni nën ligj, por nën dashamirësinë e pamerituar.» (Rom. 6:14) Kështu, vihemi nën kontrollin e dashamirësisë së pamerituar. Cili është rezultati? Pavli shpjegoi: ‘Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë na mëson të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote.’—Titit 2:11, 12.
DASHAMIRËSI E PAMERITUAR ‘E SHPREHUR NË MËNYRA TË NDRYSHME’
7, 8. Ç’do të thotë që dashamirësia e pamerituar e Jehovait ‘shprehet në mënyra të ndryshme’? (Shih figurat hapëse.)
7 Apostulli Pjetër shkroi: «Secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë, që t’i bëni shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.» (1 Pjet. 4:10) Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se çfarëdo natyre të kenë sprovat që hasim, Jehovai mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë. (1 Pjet. 1:6) Gjithmonë do të ketë një shprehje të dashamirësisë së Perëndisë që do të jetë fiks ajo që duhet në një sprovë të caktuar.
8 Vërtet, dashamirësia e pamerituar e Jehovait shprehet në mënyra të ndryshme. Apostulli Gjon shkroi: «Të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, domethënë dashamirësi të pamerituar me bollëk.» (Gjoni 1:16) Shprehjet e larmishme të dashamirësisë së Jehovait sjellin si rezultat shumë bekime. Cilat janë disa prej tyre?
9. Si nxjerrim dobi nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait, dhe si mund ta shprehim mirënjohjen për këtë?
9 Na falen mëkatet. Falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, na falen mëkatet, në rast se pendohemi dhe vazhdojmë të luftojmë me tërë forcat kundër prirjeve mëkatare. (Lexo 1 Gjonit 1:8, 9.) Mëshira e Perëndisë duhet të na mbushë me mirënjohje dhe të na nxitë t’i japim lavdi. Pavli u shkroi të krishterëve të tjerë të mirosur: «[Jehovai] na çliroi nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij, falë të cilit ne çlirohemi nëpërmjet shpërblesës, pra, na falen mëkatet.» (Kolos. 1:13, 14) Falja e mëkateve u hap dyert shumë bekimeve të tjera fantastike.
10. Çfarë gëzojmë falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë?
10 Gëzojmë një marrëdhënie paqësore me Perëndinë. Për shkak të gjendjes sonë mëkatare, ishim armiq të Perëndisë që kur lindëm. Pavli e pranoi këtë kur tha: «U pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, kur ishim armiq.» (Rom. 5:10) Falë këtij pajtimi, mund të jemi në paqe me Jehovain. Këtë privilegj Pavli e lidhi me dashamirësinë e pamerituar të Jehovait. Ai shkroi: «Tani që [ne, vëllezërit e mirosur të Krishtit] jemi shpallur të drejtë falë besimit, le të gëzojmë paqe me Perëndinë nëpërmjet Zotërisë tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit kemi fituar edhe mundësinë që nëpërmjet besimit t’i afrohemi kësaj dashamirësie të pamerituar, në të cilën qëndrojmë tani.» (Rom. 5:1, 2) Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
11. Si i çojnë të mirosurit në drejtësi ‘delet e tjera’?
11 Çohemi në drejtësi. Të gjithë ne jemi të padrejtë nga natyra. Por, profeti Daniel paratha se gjatë ditëve të fundit, «ata që kanë gjykim të thellë», pra mbetja e të mirosurve, ‘do të çonin shumë veta në drejtësi’. (Lexo Danielin 12:3.) Me anë të veprës së predikimit e të mësimdhënies, ata kanë ndihmuar miliona «dele të tjera» që të jenë të drejtë në sytë e Jehovait. (Gjoni 10:16) Sidoqoftë, kjo është bërë e mundur vetëm nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar të Jehovait. Pavli shpjegoi: ‘Fakti që ata po shpallen të drejtë falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu, është një dhuratë falas.’—Rom. 3:23, 24.
12. Si lidhet lutja me dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
12 I afrohemi fronit të Perëndisë me anë të lutjes. Çfarë bekimi që na jep Jehovai me dashamirësinë e tij të pamerituar: t’i afrohemi fronit të tij qiellor nëpërmjet lutjes! Në fakt, Pavli e quan fronin e Jehovait ‘froni i dashamirësisë së pamerituar’ dhe na fton që t’i afrohemi «me lirshmëri në të folur». (Hebr. 4:16a) Jehovai na e ka dhënë këtë privilegj përmes Birit të tij, «me anë të të cilit ne kemi lirshmëri në të folur dhe mundësi që, nëpërmjet besimit tonë tek ai, t’i afrohemi me siguri Perëndisë». (Efes. 3:12) Mundësia që t’i afrohemi lirshëm Jehovait në lutje është vërtet një shprehje e mrekullueshme e dashamirësisë së tij të pamerituar.
13. Si mund ‘të na ndihmojë në kohën e duhur’ dashamirësia e pamerituar?
13 Gjejmë ndihmë në kohën e duhur. Pavli na inkurajoi t’i afrohemi lirshëm Jehovait në lutje, «që të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur». (Hebr. 4:16b) Sa herë na godasin sprova ose e kemi zemrën të trazuar, mund t’i thërrasim Jehovait që të na ndihmojë me mëshirë. Edhe pse nuk meritojmë gjë, ai i përgjigjet thirrjes sonë, shpesh nëpërmjet bashkëbesimtarëve. Kështu mund «të kemi shumë guxim dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’»—Hebr. 13:6.
14. Si ndikon te zemra jonë dashamirësia e pamerituar e Jehovait?
14 Na ngushëllohet zemra. Një bekim i madh që marrim nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar të Jehovait është ngushëllimi për zemrën e dërrmuar. (Psal. 51:17) Pavli u shkroi të krishterëve në Selanik, që po kalonin përndjekje: «Zotëria ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, që na deshi dhe na dha ngushëllim të përhershëm e shpresë të mrekullueshme me anë të dashamirësisë së pamerituar, ngushëllofshin zemrat tuaja dhe ju bëfshin të patundur.» (2 Sel. 2:16, 17) Sa na ngrohet zemra kur ndiejmë kujdesin e dashur që na tregon Jehovai nga dashamirësia e tij e pamasë!
15. Çfarë shprese kemi falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë?
15 Kemi shpresën e jetës së përhershme. Si mëkatarë, nuk do të kishim kurrfarë shprese. (Lexo Psalmin 49:7, 8.) Por Jehovai na jep një shpresë fantastike. Jezui u premtoi dishepujve të tij: «Vullneti i Atit tim është ky: kushdo që e sheh Birin dhe tregon besim tek ai, të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 6:40) Vërtet, shpresa e jetës së përhershme është një dhuratë, një shprehje e mrekullueshme e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Pavli, që pa dyshim e kuptonte dhe e çmonte këtë, tha: «Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë, që i sjell shpëtim çdo lloj njeriu, është shfaqur.»—Titit 2:11.
MOS E KEQPËRDOR DASHAMIRËSINË E PAMERITUAR TË PERËNDISË
16. Si e keqpërdornin disa të krishterë të hershëm dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë?
16 Vërtet, falë dashamirësisë së pamerituar që tregon Jehovai, marrim shumë bekime. Por, s’kemi aspak të drejtë të presim që ai të mbyllë një sy para çdo lloj sjelljeje. Mes të krishterëve të hershëm, kishte disa që orvateshin ‘ta kthenin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në justifikim për sjellje të shthurur’. (Jud. 4) Siç duket, ata të krishterë jobesnikë pandehnin se mund të mëkatonin dhe pastaj të rrinin me mendje të fjetur se Jehovai do t’i falte. Ç’është më e keqja, përpiqeshin t’i joshnin vëllezërit që të imitonin sjelljen e tyre të pacipë. Edhe sot, kushdo që vepron kështu «nëpërkëmb me përbuzje frymën e dashamirësisë së pamerituar».—Hebr. 10:29.
17. Çfarë këshille të fortë dha Pjetri?
17 Sot Satanai i ka mashtruar disa të krishterë të mendojnë se kanë të drejtë ta pretendojnë mëshirën e Perëndisë dhe të mos ndëshkohen për mëkatet që bëjnë. Por, edhe pse Jehovai është i gatshëm t’i falë mëkatarët e penduar, ai pret të luftojmë me gjithë forcat kundër prirjeve mëkatare. Ai e frymëzoi Pjetrin të shkruante: «Prandaj, ju, o të dashur, duke pasur këtë njohuri që më përpara, ruhuni që këta njerëz që sfidojnë ligjin, të mos ju largojnë nga udha me anë të mashtrimit të tyre dhe të mos humbitni palëkundshmërinë tuaj. Përkundrazi, vazhdoni të rriteni në dashamirësinë e pamerituar dhe në njohurinë për Zotërinë dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht.»—2 Pjet. 3:17, 18.
DASHAMIRËSIA E PAMERITUAR SJELL PËRGJEGJËSI
18. Cilat përgjegjësi kemi si rrjedhojë e dashamirësisë së pamerituar të Jehovait?
18 Nga mirënjohja për dashamirësinë e Jehovait, duhet të ndihemi borxhlinj ndaj tij e ndaj njerëzve që t’i përdorim dhuratat tona për të nderuar Perëndinë e për dobinë e të tjerëve. Në ç’mënyra mund ta bëjmë këtë? Pavli përgjigjet: «Përderisa kemi dhurata që ndryshojnë sipas dashamirësisë së pamerituar që na është dhënë . . . në qoftë shërbim, le të jepemi pas këtij shërbimi. Ai që jep mësim, le të jepet pas mësimdhënies së tij, ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes . . . dhe ai që tregon mëshirë, le ta bëjë këtë me gëzim.» (Rom. 12:6-8) Meqë Jehovai na shfaq dashamirësi të pamerituar, kemi detyrimin të jepemi pas shërbimit, t’u mësojmë të tjerëve Biblën, t’u japim zemër bashkëbesimtarëve dhe të falim këdo që mund të na fyejë.
19. Për cilën përgjegjësi do të flasim në artikullin tjetër?
19 Mirënjohja për dashurinë që na jep pa u kursyer Perëndia, duhet të na nxitë që të bëjmë çmos ‘të japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’. (Vep. 20:24) Në artikullin tjetër do të flasim hollësisht për këtë përgjegjësi.
^ [1] (paragrafi 2) Shih «dashamirësi e pamerituar» te «Fjalorth i termave biblikë» në Përkthimin Bota e Re të rishikuar (anglisht).