Tempulli i madh frymor i Jehovait
«Ne kemi një kryeprift të tillë, . . . shërbenjës i shenjtërores dhe i tabernakullit të vërtetë, të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu.»—HEBRENJVE 8:1, 2.
1. Çfarë rregullimi të dashur bëri Perëndia për njerëzimin mëkatar?
NGA dashuria e madhe për njerëzimin, Perëndia Jehova siguroi një sakrificë për të larguar mëkatet e botës. (Gjoni 1:29; 3:16) Ajo kërkonte transferimin e jetës së Birit të tij të parëlindur nga qielli në barkun e një virgjëreshe hebreje të quajtur Mari. Engjëlli i Jehovait i shpjegoi qartë Marisë se fëmija që ajo do të lindte, «do të quhej i shenjti, Bir i Perëndisë». (Luka 1:34, 35) Jozefit, i cili ishte i fejuari i Marisë, iu tregua për natyrën e mrekullueshme të ngjizjes së Jezuit dhe ai mësoi se ky ‘do të shpëtonte popullin e tij nga mëkatet e tyre’.—Mateu 1:20, 21.
2. Çfarë bëri Jezui rreth të 30-ave dhe përse?
2 Ndërsa Jezui rritej, ai duhet të ketë mësuar disa nga faktet që kishin të bënin me lindjen e tij të mrekullueshme. Ai e dinte se Ati i tij qiellor kishte për të një vepër jetëshpëtuese këtu në tokë. Prandaj, si njeri plotësisht i rritur rreth të 30-ve, Jezui shkoi tek profeti i Perëndisë, Gjoni, për t’u pagëzuar në lumin Jordan.—Marku 1:9; Luka 3:23.
3. (a) Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët «ti nuk deshe as flijim as mblatë»? (b) Çfarë shembulli të shkëlqyer la Jezui, për të gjithë ata që duan të bëhen dishepuj të tij?
3 Në momentin e pagëzimit të tij, Jezui po lutej. (Luka 3:21) Duket qartë që ai po i zbatonte vetes Psalmin 40:6-8, siç tregohet më vonë nga apostulli Pavël: «Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup.» (Hebrenjve 10:5) Në këtë mënyrë, Jezui tregoi se ishte i vetëdijshëm që Perëndia ‘nuk donte’ që të vazhdonin t’i ofroheshin sakrifica kafshësh në tempullin në Jerusalem. Përkundrazi, ai kuptoi se Perëndia kishte përgatitur për të një trup të përsosur njerëzor, Jezuin, për ta ofruar si sakrificë. Kjo sakrificë do të eliminonte çdo nevojë të mëtejshme për sakrifica në kafshë. Duke treguar dëshirën e tij të përzemërt për t’iu nënshtruar vullnetit të Perëndisë, Jezui vazhdoi të lutej: «Ja, unë po vij; në rrotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd.» (Hebrenjve 10:7) Çfarë shembulli të shkëlqyer guximi dhe devotshmërie vetëmohuese la Jezui atë ditë, për të gjithë ata që më vonë do të bëheshin dishepuj të tij!—Marku 8:34.
4. Si tregoi Perëndia se e miratonte ofrimin që Jezui i bëri vetes?
4 A e tregoi Perëndia miratimin për lutjen e Jezuit për pagëzim? Le të na e japë përgjigjen një nga apostujt e zgjedhur të Jezuit: «Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë, duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli, që tha: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur [kam miratuar, BR].’»—Mateu 3:16, 17; Luka 3:21, 22.
5. Çfarë përfaqësonte altari fizik në tempull?
5 Miratimi i Perëndisë për paraqitjen e trupit të Jezuit si sakrificë, do të thoshte në një kuptim frymor se kishte dalë në skenë një altar më i madh nga ai që gjendej në tempullin në Jerusalem. Altari fizik, ku paraqiteshin kafshët për sakrificë, parafytyronte këtë altar frymor, i cili në fakt ishte «vullneti» i Perëndisë ose përgatitja për pranimin e jetës njerëzore të Jezuit si sakrificë. (Hebrenjve 10:10) Për këtë arsye, apostulli Pavël mundi t’u shkruante bashkë të krishterëve: «Ne kemi një altar prej të cilit nuk mund të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit [ose tempullit].» (Hebrenjve 13:10) Me fjalë të tjera, të krishterët e vërtetë përfitojnë nga një sakrificë më e lartë për shlyerjen e mëkateve, të cilën shumica e priftërinjve hebrenj e hodhën poshtë.
6. (a) Çfarë doli në skenë në momentin e pagëzimit të Jezuit? (b) Çfarë do të thotë titulli Mesi ose Krisht?
6 Mirosja e Jezuit me frymën e shenjtë do të thotë që Perëndia tani ka nxjerrë në dritë rregullimin e të tërë tempullit të tij frymor, me Jezuin duke shërbyer si Kryeprift. (Veprat 10:38; Hebrenjve 5:5) Dishepulli Luka u frymëzua të përcaktonte vitin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme si ‘viti i pesëmbëdhjetë i mbretërimit të Tiberit Cezar’. (Luka 3:1-3) Ky vit korrespondon me vitin 29 të e.s., saktësisht 69 javë vitesh ose 483 vjet, që nga koha kur mbreti Artakserks dha urdhrin për rindërtimin e mureve të Jerusalemit. (Nehemia 2:1, 5-8) Sipas profecisë, «Mesia, Udhëheqësi» do të shfaqej në atë vit të shënuar. (Danieli 9:25, BR) Me sa duket, shumë hebrenj ishin në dijeni të kësaj. Luka raporton se «populli ishte në pritje» të shfaqjes së Mesisë ose Krishtit, tituj që vijnë nga fjalë hebreje dhe greke që kanë të njëjtin kuptim, «i mirosur».—Luka 3:15.
7. (a) Kur e mirosi Perëndia «të Shenjtën e të Shenjtëve» dhe çfarë nënkuptonte kjo? (b) Çfarë i ndodhi tjetër Jezuit në momentin e pagëzimit?
7 Në kohën e pagëzimit të Jezuit, banesa qiellore e Perëndisë ishte mirosur ose lënë mënjanë, ashtu si «e Shenjta e të Shenjtëve» në rregullimin e tempullit të madh frymor. (Danieli 9:24, BR) ‘Tabernakulli i vërtetë [ose tempulli], të cilin e ngriti Perëndia e jo njeriu’, ishte vënë në veprim. (Hebrenjve 8:2) Gjithashtu, përmes pagëzimit të tij me ujë dhe me frymë të shenjtë, njeriu Jezu Krisht lindi përsëri si Bir frymor i Perëndisë. (Krahaso Gjonin 3:3.) Kjo do të thotë se në kohën e duhur, Perëndia do ta thërriste prapë Birin e tij në jetën qiellore, ku ai do të shërbente në krahun e djathtë të Atit të tij si Mbret dhe Kryeprift «në amshim sipas rendit të Melkisedekut».—Hebrenjve 6:20; Psalmi 110:1, 4.
Më e Shenjta qiellore
8. Çfarë veçorish të reja kishte fituar tani froni i Perëndisë në qiell?
8 Ditën e pagëzimit të Jezuit, froni qiellor i Perëndisë fitoi aspekte të reja. Identifikimi i një sakrifice të përsosur njerëzore si shlyerje për mëkatet e botës, theksonte shenjtërinë e Perëndisë kundrejt gjendjes mëkatare të njeriut. Me faktin që tani ai tregoi gatishmërinë e tij për të qenë në paqe ose i pajtuar, u tregua edhe mëshira e Perëndisë. Në këtë mënyrë, froni i Perëndisë në qiell ishte bërë si pjesa më e brendshme e tempullit, ku kryeprifti hynte një herë në vit me gjakun e kafshëve si shlyerje në kuptim figurativ për mëkatet.
9. (a) Çfarë përfaqësonte perdja ndërmjet të Shenjtës dhe Më të Shenjtës? (b) Si e fitoi Jezui hyrjen përtej perdes së tempullit frymor të Perëndisë?
9 Perdja që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta përfaqësonte trupin mishor të Jezuit. (Hebrenjve 10:19, 20) Ky trup ishte pengesa që nuk e linte Jezuin të shkonte para pranisë së Atit, gjatë kohës kur ishte njeri në tokë. (1. Korintasve 15:50) Në çastin e vdekjes së Jezuit, «perdja e shenjtërores u ça më dysh, që nga maja deri në fund». (Mateu 27:51, BR) Në mënyrë dramatike, kjo tregoi se pengesa që e ndalonte hyrjen e Jezuit në qiell, tani ishte hequr. Tri ditë më vonë, Perëndia Jehova kreu një mrekulli të përkryer. Ai e ngriti Jezuin nga vdekja, jo si një njeri të vdekshëm prej mishi dhe gjaku, por si një krijesë të lavdishme frymore, që «qëndron për jetë të jetës». (Hebrenjve 7:24) Dyzet ditë më pas, Jezui u ngrit në qiell dhe u fut në «të Shenjtën e të Shenjtëve» në kuptimin e vërtetë, «për të dalë tani përpara Perëndisë për ne».—Hebrenjve 9:24.
10. (a) Çfarë ndodhi pasi Jezui i paraqiti Atit të tij qiellor vlerën e sakrificës së tij? (b) Çfarë do të thotë mirosja me frymën e shenjtë për dishepujt e Krishtit?
10 A e pranoi Perëndia vlerën e gjakut të derdhur të Jezuit si shlyerje për mëkatet e botës? Në të vërtetë, po. Prova e këtij miratimi u duk në mënyrë të saktë 50 ditë pas ringjalljes së Jezuit, në ditën e festës së Rrëshajëve. Fryma e shenjtë e Perëndisë u derdh mbi 120 dishepuj të Jezuit, të cilët ishin mbledhur së bashku në Jerusalem. (Veprat 2:1, 4, 33) Ashtu si Kryeprifti i tyre, Jezu Krishti, ata tani ishin mirosur për të shërbyer si ‘një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymore’ nën rregullimin e tempullit të madh frymor të Perëndisë. (1. Pjetrit 2:5) Për më tepër, këta të mirosur formuan një komb të ri, ‘kombin e shenjtë’ të Izraelit frymor të Perëndisë. Që nga ky moment e më pas, të gjitha profecitë, që kanë të bëjnë me gjërat e mira për Izraelin, si premtimi i ‘besëlidhjes së re’ që gjendet i regjistruar në Jereminë 31:31, i zbatohen kongregacionit të mirosur të krishterë, ‘Izraelit [të vërtetë] të Perëndisë’.—1. Pjetrit 2:9; Galatasve 6:16.
Veçori të tjera të tempullit frymor të Perëndisë
11, 12. (a) Çfarë përfytyrohej nga oborri priftëror në rastin e Jezuit dhe çfarë në rastin e ithtarëve të tij të mirosur? (b) Çfarë përfaqësonte legeni i ujit dhe si përdorej ai?
11 Megjithëse pjesa Më e Shenjtë paraqiste «vetë qiellin», ku Perëndia gjendet në fron, të gjitha veçoritë e tjera të tempullit frymor të Perëndisë kanë të bëjnë me gjërat mbi tokë. (Hebrenjve 9:24) Tempulli në Jerusalem, kishte një oborr të brendshëm priftëror, në të cilin gjendej një altar për sakrificat dhe një legen i madh uji, të cilin priftërinjtë e përdornin për t’u pastruar para kryerjes së shërbimit të shenjtë. Çfarë përfaqësojnë këto gjëra në rregullimin e tempullit frymor të Perëndisë?
12 Në rastin e Jezu Krishtit, oborri i brendshëm priftëror përfaqësonte gjendjen e tij pa mëkat si një Bir njerëzor i përsosur i Perëndisë. Duke ushtruar besim në sakrificën e Jezuit, ithtarëve të mirosur të Krishtit u atribuohet drejtësi. Prandaj, me të drejtë Perëndia mund të gëzojë marrëdhënie me ta, sikur të ishin pa mëkat. (Romakëve 5:1; 8:1, 33) Në këtë mënyrë, ky oborr përfaqësonte, gjithashtu, gjendjen e drejtë njerëzore që anëtarët individualë të priftërisë së shenjtë gëzojnë para Perëndisë. Në të njëjtën kohë, të krishterët e mirosur janë ende të papërsosur dhe të nënshtruar ndaj kryerjes së mëkateve. Legeni i ujit në oborr përfaqëson Fjalën e Perëndisë, të cilën Kryeprifti Jezu e përdor për të pastruar në mënyrë progresive priftërinë e shenjtë. Duke iu nënshtruar këtij pastrimi, ata kanë arritur një dukje të madhërishme që nderon Perëndinë dhe tërheq ata që ndodhen jashtë drejt adhurimit të tij të pastër.—Efesianëve 5:25, 26; krahaso Malakinë 3:1-3.
E Shenjta
13, 14. (a) Çfarë përfaqëson e Shenjta e tempullit në rastin e Jezuit dhe të ithtarëve të tij të mirosur? (b) Çfarë paraqet shandani i florinjtë?
13 Pjesa e parë e tempullit paraqet një gjendje më të lartë se të oborrit. Në rastin e njeriut të përsosur Jezu Krisht, kjo pjesë paraqet rilindjen e tij si Bir frymor i Perëndisë, i destinuar për t’u kthyer në jetën qiellore. Pasi janë shpallur të drejtë, në bazë të besimit të tyre në gjakun e derdhur të Krishtit, këta ithtarë të mirosur përjetojnë edhe këtë veprim special të frymës së Perëndisë. (Romakëve 8:14-17) Përmes ‘ujit [që nënkupton pagëzimin e tyre] dhe Frymës’, ata kanë ‘lindur përsëri’ si bij frymorë të Perëndisë. Si të tillë, ata kanë shpresën e ringjalljes në jetën qiellore si bij frymorë të Perëndisë, me kusht që të qëndrojnë besnikë deri në vdekje.—Gjoni 3:5, 7; Zbulesa 2:10.
14 Priftërinjtë që shërbyen brenda dhomës së Shenjtë në tempullin tokësor, nuk shiheshin nga adhuruesit jashtë tempullit. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e mirosur përjetojnë një gjendje frymore që nuk mund të përpjesëtohet ose nuk mund të kuptohet plotësisht nga shumica e adhuruesve të Perëndisë, të cilët kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Shandani i florinjtë në tabernakull përfaqësonte gjendjen e ndriçuar të të krishterëve të mirosur. Veprimi i frymës së shenjtë të Perëndisë hedh dritë në Bibël, ashtu si vaji në llampë. Kuptueshmërinë që të krishterët fitojnë si pasojë, nuk e mbajnë për vete. Përkundrazi, ata i binden Jezuit, i cili tha: «Ju jeni drita e botës; . . . le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:14, 16.
15. Çfarë përfaqëson buka mbi tryezën e bukëve të paraqitjes?
15 Për të qëndruar në këtë gjendje të ndriçuar, të krishterët e mirosur duhet të ushqehen rregullisht me atë që paraqitet nga buka mbi tryezën e bukëve të paraqitjes. Burimi i tyre kryesor për ushqimin frymor është Fjala e Perëndisë, të cilën ata përpiqen ta lexojnë dhe të meditojnë mbi të përditë. Jezui premtoi, gjithashtu, t’u siguronte atyre «ushqim në kohën e duhur» përmes «skllavit të besueshëm dhe të matur» të tij. (Mateu 24:45, BR) Ky «skllav» është gjithë trupi i të krishterëve të mirosur në tokë, përgjatë të gjitha kohërave. Krishti ka përdorur këtë trup të mirosur për të botuar informacionin mbi përmbushjen e profecive biblike dhe për të dhënë drejtim në kohën e duhur mbi zbatimin e parimeve biblike në jetën e përditshme moderne. Në këtë mënyrë, të krishterët e mirosur ushqehen me çmueshmëri me të gjitha këto sigurime frymore. E domosdoshmja për jetën e tyre frymore varet në diçka më shumë se marrja e njohurisë në zemër dhe në mendje mbi Perëndinë. Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Ngjashëm, të krishterët e mirosur përjetojnë kënaqësi, duke e ushtruar përditë veten në kryerjen e vullnetit të zbuluar të Perëndisë.
16. Çfarë përfaqëson shërbimi në altarin e temjanit?
16 Në mëngjes dhe në mbrëmje, një prift i ofronte Perëndisë temjan mbi altarin e temjanit në pjesën e Shenjtë. Në të njëjtën kohë, adhuruesit jopriftërorë i luteshin Perëndisë, ndërsa qëndronin në oborret e jashtme të tempullit të tij. (Luka 1:8-10) «Temjani,—shpjegon Bibla,—nënkupton lutjet e të shenjtëve.» (Zbulesa 5:8, BR) «Le të arrijë lutja ime para teje si temjani»,—shkroi psalmisti David. (Psalmi 141:2) Gjithashtu, të krishterët e mirosur e çmojnë privilegjin e tyre për t’iu drejtuar Jehovait në lutje përmes Jezu Krishtit. Lutjet e zjarrta që burojnë nga zemra janë si temjani me aromë të këndshme. Të krishterët e mirosur e lavdërojnë Perëndinë edhe në mënyra të tjera, duke i përdorur buzët e tyre për të mësuar të tjerët. Qëndrueshmëria përballë vështirësive dhe integriteti i tyre në sprova, i pëlqejnë në mënyrë të veçantë Perëndisë.—1. Pjetrit 2:20, 21.
17. Çfarë përfshihej në përmbushjen e ilustrimit profetik të hyrjes së parë të kryepriftit në pjesën Më të Shenjtë, Ditën e Shlyerjes?
17 Në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti i Izraelit duhej të hynte në pjesën Më të Shenjtë dhe të digjte temjan në një temjanicë të florinjtë, të mbushur me copa qymyri të përskuqur. Kjo gjë duhej bërë para se të çonte gjakun e ofertave për mëkatin. Në përmbushje të këtij ilustrimi profetik, njeriu Jezu mbajti integritet absolut ndaj Perëndisë Jehova, para se të ofronte jetën e tij si sakrificë të vetme e të qëndrueshme për mëkatet tona. Me këtë, ai tregoi se një njeri i përsosur mund ta mbante integritetin e tij ndaj Perëndisë, pa llogaritur presionet që i vuri Satanai. (Proverbat 27:11) Kur u gjend në provë, Jezui u lut «me klithma të larta dhe me lot, . . . dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia». (Hebrenjve 5:7) Duke bërë kështu, ai i dha lavdi Jehovait si Sovran i drejtë dhe i ligjshëm i universit. Perëndia e shpërbleu Jezuin, duke e ringjallur nga vdekja në jetën e pavdekshme qiellore. Në këtë pozitë të lartë, Jezui i kushton vëmendje arsyes së dytë, për të cilën erdhi në tokë, dhe pikërisht pajtimit të mëkatarëve të penduar njerëzorë me Perëndinë.—Hebrenjve 4:14-16.
Lavdia më e madhe e tempullit frymor të Perëndisë
18. Në ç’mënyrë Jehovai i ka sjellë lavdi të shquar tempullit të tij frymor?
18 «Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit»,—paratha Jehovai. (Hageu 2:9) Me ringjalljen e Jezu Krishtit si Mbret i pavdekshëm dhe Kryeprift, Jehovai i solli lavdi të shquar tempullit të tij frymor. Jezui tani është në një pozitë të atillë për të sjellë ‘shpëtimin e amshuar për të gjithë ata që i binden’. (Hebrenjve 5:9) Të parët që treguan këtë bindje qenë 120 dishepujt, të cilët morën frymën e shenjtë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. Libri i Zbulesës paratha se këta bij frymorë të Izraelit do të numëroheshin përfundimisht 144.000. (Zbulesa 7:4) Pas vdekjes, shumë prej tyre u shtrinë të pavetëdijshëm në varrin e përbashkët të njerëzimit, duke pritur kohën e pranisë së Jezuit në fuqinë mbretërore. Kronologjia profetike që gjendet në Danielin 4:10-17, 20-27, përcakton vitin 1914 si kohën kur Jezui filloi të sundojë në mes të armiqve të tij. (Psalmi 110:2) Të krishterët e mirosur e prisnin me padurim atë vit nga disa dekada më parë. Lufta e parë botërore që ra mbi njerëzimin dhe mjerimet që e shoqëruan, dhanë provë se me të vërtetë në vitin 1914, Jezui kishte hipur në fron si Mbret. (Mateu 24:3, 7, 8) Pak kohë më pas, pasi kishte ardhur koha për «të filluar gjykimin me shtëpinë e Perëndisë», Jezui do të përmbushte premtimin që u kishte dhënë dishepujve të tij të mirosur, të cilët kishin rënë në gjumin e vdekjes: «Do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje.»—1. Pjetrit 4:17, BR; Gjoni 14:3.
19. Si do ta fitojë mbetja e 144.000-ve lirinë për të hyrë në Më të Shenjtën qiellore?
19 144.000 anëtarët e priftërisë së shenjtë, nuk janë vulosur dhe nuk janë mbledhur të gjithë përfundimisht në shtëpinë e tyre qiellore. Një mbetje e tyre jeton akoma në tokë në një gjendje frymore të tillë, si ajo që paraqitet nga pjesa e Shenjtë, e ndarë nga prania e shenjtë e Perëndisë nga «perdja» ose pengesa e trupave të tyre mishorë. Kur ata vdesin në besueshmëri, ringjallen menjëherë si krijesa frymore të pavdekshme për t’u bashkuar me atë pjesë të 144.000-ve që tashmë është në qiell.—1. Korintasve 15:51-53.
20. Cilën vepër jetësore po kryen në këtë kohë mbetja e priftërisë së shenjtë dhe me çfarë rezultati?
20 Tempulli frymor i Perëndisë ka marrë më shumë lavdi, duke pasur kaq shumë priftërinj që shërbejnë bashkë me Kryepriftin e madh në qiell. Ndërkohë, mbetja e priftërisë së shenjtë po kryen një vepër të çmuar në tokë. Përmes predikimit të tyre, Perëndia po «i bën të dridhen të gjithë kombet» me shprehjet e tij të gjykimit siç paratha në Hageun 2:7. Në të njëjtën kohë, miliona adhurues të përshkruar si «gjëra të dëshirueshme të të gjitha kombeve» po dynden në oborret tokësore të tempullit të Jehovait. Si përshtaten ata me rregullimin e Perëndisë për adhurimin dhe ç’lavdi të ardhshme mund të presim për tempullin e Tij të madh frymor? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues.
Pyetje për rishikim
◻ Cilin shembull të shkëlqyer la Jezui në vitin 29 të e.s.?
◻ Cili rregullim hyri në veprim në vitin 29 të e.s.?
◻ Çfarë përfaqësonte e Shenjta dhe Më e Shenjta?
◻ Si është bërë i lavdishëm tempulli i madh frymor?
[Figura në faqen 17]
Kur Jezui u miros me frymën e shenjtë në vitin 29 të e.s., tempulli i madh frymor i Perëndisë filloi të vepronte