A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Ç’qëndrim duhet të kenë vëllezërit, si për shembull mbikëqyrësit qarkorë ose pleqtë e kongregacionit, kur marrin drejtime nga organizata e Perëndisë?
Ata duhet të binden menjëherë. Mund të pyesin veten: «A ndihmoj që të tjerët të kenë marrëdhënie të fortë me Jehovain? A i pranoj dhe i mbështet menjëherë udhëzimet që marr?»—w16.11, f. 11.
Kur ranë nën robërinë e Babilonisë të krishterët e vërtetë?
Kjo ndodhi pak pasi vdiqën apostujt. Në atë kohë nisi të shfaqej një klasë klerikësh. Kisha dhe shteti nxitën një formë apostate të krishterimit dhe u përpoqën të mbytnin zërin e të krishterëve që krahasohen me grurin. Por në dekadat para 1914-s, të mirosurit nisën të çliroheshin nga robëria.—w16.11, f. 23-25.
Pse ishte e rëndësishme vepra e Lëfevrë d’Etaplë?
Gjatë viteve 1520, Lëfevrë e përktheu Biblën në frëngjisht për t’ua vënë në dispozicion njerëzve të thjeshtë. Mënyra si i shpjegonte ai fragmentet biblike ndikoi te Martin Luteri, tek Uilliam Tindali dhe te Xhon Kalvini.—wp16.6, f. 10-12.
Ku ndryshon ‘mbajtja e mendjes te mishi’ nga ‘mbajtja e mendjes te fryma’? (Rom. 8:6)
Kush e mban mendjen te mishi, përqendrohet te dëshirat dhe te prirjet e papërsosura, flet orë e çast për gjërat e mishit dhe është i marrosur pas tyre e krenohet me to. Kurse ai që e mban mendjen te fryma, e përqendron jetën te gjërat që lidhen me Perëndinë dhe te mendimet e Tij. Një i krishterë që vepron kështu është nën kontrollin e frymës së shenjtë. Ta mbash mendjen te mishi çon në vdekje, kurse ta mbash mendjen te fryma çon në jetë dhe në paqe.—w16.12, f. 15-17.
Cilët janë disa hapa praktikë për të lehtësuar ankthin?
Vëri përparësitë në radhën e duhur, ji realist në atë që pret, çdo ditë lër vend për ca momente të qeta, shijo krijimin e Perëndisë, mbaj një ndjenjë humori, bëj ushtrime rregullisht dhe fli gjumë sa duhet.—w16.12, f. 22-23.
«Enoku u hoq, që të mos vdiste.» (Hebr. 11:5) Në ç’mënyrë?
Me sa duket, Perëndia e hoqi Enokun pa dhembje nga jeta, në një mënyrë që Enoku as e kuptoi se po vdiste.—wp17.1, f. 12-13.
Pse ka ende vlerë modestia?
Modestia përfshin të kemi vlerësimin e duhur për veten dhe të jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona. Duhet të mbajmë parasysh se si mund të ndikojë sjellja jonë te të tjerët dhe s’duhet të kemi mendim tepër të lartë për veten.—w17.01, f. 18.
Çfarë dëshmish ka se Perëndia e drejtoi trupin udhëheqës të shekullit të parë tamam siç po drejton anëtarët e Trupit Udhëheqës sot?
Me ndihmën e frymës së shenjtë ata kuptuan të vërteta biblike. Me ndihmën e engjëjve mbikëqyrën veprën e predikimit, si edhe u mbështetën plotësisht te Fjala e Perëndisë kur jepnin drejtim. Këta faktorë vlejnë edhe sot.—w17.02, f. 26-28.
Cilët faktorë na shtyjnë ta shohim shpërblesën si një masë të çmuar?
Katër faktorë janë: kush e dha, pse e dha, çfarë sakrificash u bënë për të dhe cilën nevojë reale plotësoi. Duhet të meditojmë si u përfshinë këta faktorë.—wp17.2, f. 4-6.
A mund të ndryshojë mendje një i krishterë pasi të marrë një vendim?
Ne duhet ta mbajmë fjalën. Por, ndonjëherë ia vlen ta rishqyrtojmë një vendim. Perëndia e ndryshoi vendimin që kish marrë për Ninevinë, pasi banorët e saj u penduan. Me raste, rrethanat ose informacionet e reja mund ta bëjnë të nevojshme që të veprojmë njësoj.—w17.03, f. 16-17.
Pse thashethemet e dëmshme janë shumë të rrezikshme?
Ato mund të bëjnë që një problem të dalë jashtë kontrollit, duke e rënduar më keq situatën. Pavarësisht në kemi të drejtë apo jo, fjalët lënduese kurrë nuk i përmirësojnë gjërat.—w17.04, f. 21.