IMITONI BESIMIN E TYRE
«U shpall e drejtë nga veprat»
RAHABA picërronte sytë për të parë nga dritarja teksa drita e agimit i shtrinte krahët mbi rrafshnaltën përreth Jerikosë. Atje tej ishte mbledhur një ushtri pushtuese: forcat ushtarake të Izraelit. Ndërsa nisnin marshimin tjetër përreth qytetit, një re pluhuri ngrihej pas tyre dhe brirët kumbuan sërish në të gjithë vendin.
Jerikoja ishte vendi i Rahabës; ajo i njihte rrugët, shtëpitë, si edhe tregjet e dyqanet e mbushura plot. Njerëzit i njihte edhe më mirë. Arrinte ta pikaste frikën e tyre që intensifikohej me kalimin e ditëve ndërsa Izraeli vazhdonte me ritualin e çuditshëm: marshonte një herë në ditë përreth qytetit. Megjithatë, teksa tingulli i brirëve të tyre jehonte në rrugët dhe sheshet e Jerikosë, Rahaba nuk ndihej e tmerruar dhe e dëshpëruar si populli i saj.
Ajo vështronte ushtrinë tek niste marshimin në agimin e ditës së shtatë. Mes ushtarëve izraelitë, ajo pa priftërinjë që i binin bririt dhe mbartnin arkën e shenjtë që përfaqësonte praninë e Perëndisë së tyre, Jehovait. Nuk e kemi të vështirë ta përfytyrojmë Rahabën me dorën te kordoni me ngjyrë të kuqe të ndezur që varej në dritaren e saj mbi murin e madh të Jerikosë. Ai kordon ishte shpresa e Rahabës se bashkë me familjen do të mbijetonte gjatë shkatërrimit të qytetit. A ishte tradhtare Rahaba? Në sytë e Jehovait sigurisht që jo, sepse për të ajo ishte një grua me besim të jashtëzakonshëm. Le t’i hedhim një sy fillimit të tregimit të Rahabës dhe të shohim çfarë mund të mësojmë nga ajo.
PROSTITUTA RAHABË
Rahaba ishte prostitutë. Ky fakt i tronditi aq shumë disa komentues të Biblës në të kaluarën, sa thoshin se Rahaba ishte thjesht pronare e një hani. Megjithatë, Bibla flet fare qartë për këtë dhe nuk i fsheh faktet. (Josiu 2:1; Hebrenjve 11:31; Jakovi 2:25) Në shoqërinë kananite, profesioni i Rahabës ka mundësi që gëzonte njëfarë respekti. Gjithsesi, kultura nuk e mbyt gjithmonë ndërgjegjen, këtë ndjesi të brendshme për të drejtën dhe të gabuarën që Jehovai na e ka dhënë të gjithëve. (Romakëve 2:14, 15) Rahaba mund të ketë qenë tepër e vetëdijshme se bënte jetë të shthurur. Ndoshta, ashtu si shumë veta sot që bëjnë jetë të tillë, edhe ajo ndihej si e zënë në grackë, pa zgjidhje tjetër nëse donte të kujdesej për familjen.
Nuk ka dyshim se Rahaba donte shumë të bënte një jetë më të mirë. Vendlindja e saj ishte plot e përplot me dhunë e degjenerim, ku përfshihej incesti dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët. (Levitiku 18:3, 6, 21-24) Përhapja e kësaj ligësie në vend kishte shumë lidhje me fenë. Tempujt nxitnin prostitucionin ritual dhe gjatë adhurimit të perëndive demonike, si Baali dhe Moleku, njerëzit i flijonin të gjallë fëmijët në zjarr.
Jehovai e shihte atë që po ndodhte në Kanaan. Në fakt, për shkak të shumë praktikave të liga të kananitëve, Jehovai tha: «Vendi është i papastër, dhe unë do ta ndëshkoj për fajin e tij. Ai do t’i vjellë banorët e vet.» (Levitiku 18:25) Çfarë përfshinte ‘ndëshkimi për fajin e tij’? Popullit të Izraelit i ishte dhënë ky premtim hyjnor: «Jehovai, Perëndia yt, do t’i dëbojë pak nga pak këto kombe përpara teje.» (Ligji i përtërirë 7:22) Shekuj më herët, Jehovai ia kishte premtuar vendin familjes së Abrahamit, dhe «Perëndia . . . nuk mund të gënjejë».—Titit 1:2; Zanafilla 12:7.
Por nga ana tjetër, Jehovai kishte dekretuar edhe se disa grupe në vend duheshin shfarosur krejtësisht nga faqja e dheut. (Ligji i Përtërirë 7:1, 2) Si ‘Gjykatësi i drejtë i gjithë tokës’, ai kishte lexuar çdo zemër dhe e dinte mirë sa thellë ishin rrënjosur ligësia dhe degjenerimi i tyre. (Zanafilla 18:25; 1 Kronikave 28:9) Si ishte jeta e Rahabës në një qytet të dënuar? Mund të imagjinojmë si u ndie kur dëgjonte lajmet për Izraelin. Mësoi se Perëndia i Izraelit kishte udhëhequr popullin e tij, një komb të shtypur në skllavëri, drejt një fitoreje të plotë kundër ushtrisë së Egjiptit, forcave ushtarake më të fuqishme në botën e asaj kohe. Dhe tani Izraeli po bëhej gati të mësynte Jerikonë. Prapëseprapë, populli i atij qyteti nuk hiqte dorë nga ligësia. Kuptohet pse Bibla i përshkruan bashkëqytetarët kananitë të Rahabës si «ata që vepruan me mosbindje».—Hebrenjve 11:31.
Rahaba ishte ndryshe. Ndër vite, ajo mund të ketë menduar thellë për lajmet që dëgjonte për Izraelin dhe Perëndinë e tij, Jehovain. Sa ndryshe ishte nga perënditë e kananitëve! Ishte një Perëndi që luftonte për popullin e tij e nuk i shtypte; i bënte njerëz me moral të lartë, jo të ulët. Për të, gratë ishin të çmuara, jo thjesht objekte seksuale që mund të bliheshin, të shiteshin dhe të zvetënoheshin në adhurim të neveritshëm. Kur Rahaba mësoi se Izraeli e kishte ngritur kampin përtej Jordanit, gati për t’u hedhur në sulm, duhet të jetë tronditur për atë që e priste popullin e saj. A e vuri re Jehovai Rahabën dhe a e çmoi mirësinë brenda saj?
Sot, ka shumë si Rahaba. Ata ndihen si të zënë në grackë, sikur kanë ngecur në një lloj jete që ua heq dinjitetin dhe gëzimin; ndihen të padukshëm e pa pikë vlere. Rasti i Rahabës na jep zemër dhe na kujton se Perëndia na vëren të gjithëve. Pavarësisht se sa poshtë mund të ndihemi, «ai nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27) Ai është shumë afër, është gati dhe mezi pret t’u japë shpresë atyre që kanë besim tek ai. A veproi kështu Rahaba?
AJO I PRITI ZBULUESIT
Një ditë, para se Izraeli të fillonte marshimet përreth Jerikosë, dy të huaj trokitën në derën e Rahabës. Shpresonin të kalonin pa u diktuar, por në atë qytet të tensionuar, shumë veta rrinin gjithë sy e veshë për të pikasur ndonjë zbulues ose spiun të mundshëm nga Izraeli. Rahaba symprehtë s’duhet ta ketë pasur të vështirë t’i kuptonte gjërat. Jo se në shtëpinë e saj nuk vinin burra të panjohur, por këta të dy donin vetëm një vend strehimi, jo një prostitutë.
Në fakt, dy burrat ishin spiunë nga kampi i Izraelit. Komandanti i tyre, Josiu, i kishte dërguar që të siguroheshin për pikat e forta e të dobëta të Jerikosë. Ky ishte qyteti i parë kananit që Izraeli duhej të pushtonte dhe mbase qyteti më i vështirë për t’u shtënë në dorë. Josiu donte të dinte me kë kishte të bënte ai dhe ushtria e tij. S’ka dyshim se zbuluesit e zgjodhën qëllimisht shtëpinë e Rahabës. Ndryshe nga çdo vend tjetër, në shtëpinë e një prostitute, të panjohurit mund të shkonin pa rënë në sy. Mbase zbuluesit shpresonin edhe të merrnin ndonjë informacion nga bisedat e shkujdesura që mund t’u kapte veshi.
Bibla thotë se Rahaba «i mirëpriti lajmëtarët». (Jakovi 2:25) I futi në shtëpi e madje i lejoi të qëndronin aty, edhe pse mund të kishte dyshuar se cilët ishin dhe pse kishin ardhur. Ndoshta shpresonte të mësonte më tepër për Perëndinë e tyre, Jehovain.
Por papritur, erdhën lajmëtarët e mbretit të Jerikosë. Ishte përhapur fjala se në shtëpinë e Rahabës kishin hyrë spiunë izraelitë. Çfarë do të bënte ajo? A nuk do ta vinte veten dhe gjithë familjen në rrezik nëse i mbronte këta dy të panjohur? A nuk do të masakroheshin nga banorët e Jerikosë nëse i strehonte këta armiq? Nga ana tjetër, Rahaba tani u sigurua se cilët ishin këta dy burra. Nëse tashmë e dinte se Jehovai ishte Perëndi shumë më i mirë se perënditë e saj, a nuk ishte kjo ndoshta mundësia e saj për të marrë anën e Jehovait?
Nuk kishte shumë kohë për të menduar, por ajo ishte mendjemprehtë dhe veproi menjëherë. I fshehu spiunët nën kërcejtë e lirit që kishte shtruar për të tharë në tarracë. Pastaj u tha lajmëtarëve të mbretit: «Po, burrat erdhën tek unë, por unë nuk e dija nga ishin. Ata dolën në kohën kur mbyllet porta, ndaj të ngrysur, dhe nuk e di se nga shkuan. Ndiqini pa humbur kohë, se do t’i zini.» (Josiu 2:4, 5) Imagjino Rahabën ballë për ballë me të dërguarit e mbretit. Ndoshta kishte frikë se ata e kuptonin që asaj po i dilte zemra vendit.
Dredhia e saj funksionoi. Njerëzit e mbretit vrapuan për te vau i lumit Jordan. (Josiu 2:7) Rahaba duhet të ketë marrë frymë e lehtësuar. Me një taktikë të thjeshtë, i çoi në drejtim të gabuar ata vrasës që s’kishin të drejtë të dinin të vërtetën, dhe për më tepër u shpëtoi jetën shërbëtorëve të Perëndisë së vërtetë, Jehovait.
Rahaba nxitoi për te tarraca dhe u tregoi dy spiunëve se çfarë kishte ndodhur. U tregoi edhe diçka tjetër: popullin e saj e kishte lëshuar zemra dhe kishte marrë lemeri nga pushtuesit. Spiunët mund të jenë entuziazmuar nga ky lajm i mirë. Kananitët e ligj po tmerroheshin nga fuqia e Perëndisë së Izraelit, Jehovait. Pastaj tregoi diçka edhe më të rëndësishme për ne. Ajo tha: «Jehovai, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiej dhe këtu poshtë në tokë.» (Josiu 2:11) Ato që kishte dëgjuar për Jehovain mjaftonin për të kuptuar të paktën që Perëndia i Izraelit meritonte besimin e saj. Ajo tregoi besim te Jehovai.
Për Rahabën s’kishte dyshim se Jehovai do t’ia jepte fitoren popullit të vet. Prandaj u përgjërua për mëshirë që asaj dhe familjes së saj t’u kursehej jeta. Spiunët pranuan duke i thënë qartë të mos tregonte për ta dhe të varte një kordon me ngjyrë të kuqe të ndezur te dritarja e saj mbi murin e qytetit, që ushtarët të mos e cenonin atë dhe familjen e saj.—Josiu 2:12-14, 18.
Nga besimi i Rahabës mund të mësojmë një të vërtetë themelore. Siç thotë Bibla, «besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar». (Romakëve 10:17) Ajo dëgjoi gjëra të besueshme për fuqinë dhe drejtësinë e Perëndisë Jehova, prandaj tregoi besim tek ai. Sot kemi edhe më shumë mundësi për ta njohur Jehovain. A do të përpiqemi ta njohim dhe të tregojmë besim tek ajo që mësojmë në Fjalën e tij, Biblën?
KËSHTJELLA E FORTË BIE
Sipas këshillës së Rahabës, dy spiunët zbritën nga dritarja me litar teposhtë murit dhe nxituan pa u ndier drejt maleve. Kishte shumë shpella përgjatë shkrepave të thepisur në veri të Jerikosë ku spiunët mund të fshiheshin derisa të ktheheshin të sigurt në kampin izraelit dhe t’u jepnin lajmin e mirë që kishin marrë nga Rahaba.
Më vonë, populli i Jerikosë me siguri është tmerruar nga frika kur dëgjoi se Jehovai kishte ndalur në mënyrë të mrekullueshme rrjedhën e lumit Jordan që Izraeli ta kalonte në të thatë. (Josiu 3:14-17) Por Rahabës ky lajm veçse i përforcoi besimin te Jehovai.
Pastaj filluan ditët e gjata të marshimeve të Izraelit përqark Jerikosë. Për gjashtë ditë rresht marshuan nga një herë. Tani ishin në ditën e shtatë, dhe kjo ditë ishte ndryshe. Siç thuhet në fillim të këtij artikulli, marshimi nisi në agim dhe ushtria marshoi jo vetëm një herë përqark qytetit, por disa herë. (Josiu 6:15) Cili ishte qëllimi i tyre?
Pas marshimit të shtatë të ditës së shtatë, më në fund ushtria ndaloi. Brirët pushuan. Mbizotëroi heshtja. Qytetin duhet ta ketë pushtuar një tension i madh. Pastaj, sapo Josiu dha sinjalin, ushtarët izraelitë për herë të parë pas kaq ditësh bërtitën dhe e çuan zërin në kupë të qiellit. A menduan rojat në majë të murit të Jerikosë që kjo e bërtitur ishte mënyrë e çuditshme për të sulmuar? Edhe nëse po, s’kishin shumë kohë për të menduar. Muri masiv nën këmbët e tyre filloi të dridhej. U tund, u ça dhe pastaj ra, u thërrmua përtokë. Por ndërsa pluhuri binte në tokë, u bë e qartë se një pjesë e murit kishte mbetur e paprekur. Ishte shtëpia e Rahabës, monumenti që dëshmonte për besimin e një gruaje. Imagjino si u ndie ajo kur pa dorën mbrojtëse të Jehovait.a Familja e saj shpëtoi.—Josiu 6:10, 16, 20, 21.
Po kështu, populli i Jehovait e respektoi Rahabën për besimin e saj. Kur panë që një shtëpi spikaste në mes të rrënojave të murit, e kuptuan se kjo grua kishte miratimin e Jehovait. Ajo dhe familja e saj shpëtuan nga shfarosja që ra mbi atë qytet të lig. Pas betejës, Rahabën e lejuan të banonte afër kampit të Izraelit. Me kalimin e kohës, edhe Rahaba u bë pjesë e popullit jude. U martua me një burrë që quhej Salmon. Kur u rrit, biri i tyre, Boazi, u bë një burrë me besim të jashtëzakonshëm. Ai u martua me moabiten Ruthë.b (Rutha 4:13, 22) Mbreti David dhe më vonë vetë Mesia, Jezu Krishti, erdhën nga kjo familje me besim të jashtëzakonshëm.—Josiu 6:22-25; Mateu 1:5, 6, 16.
Tregimi i Rahabës dëshmon se asnjë nga ne nuk është i parëndësishëm në sytë e Jehovait. Ai na vëren të gjithëve, na lexon zemrat dhe kënaqet kur gjen aty sikur edhe një shkëndijë besimi si ajo që ndezi zemrën e Rahabës. Besimi e shtyu të vepronte. Siç thotë Bibla, ajo «u shpall e drejtë nga veprat». (Jakovi 2:25) Sa e mençur do të ishte të imitonim besimin e saj!
a Vlen të përmendet se Jehovai e respektoi marrëveshjen që bënë dy zbuluesit me Rahabën.
b Për të mësuar më shumë për Ruthën dhe Boazin, shih rubrikën «Imitoni besimin e tyre» në Kullën e Rojës të 1 korrikut dhe 1 tetorit 2012.