A kemi hyrë në pushimin e Perëndisë?
«Njeriu që ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij.»—HEBRENJVE 4:10, BR.
1. Pse pushimi është kaq i dëshirueshëm?
PUSHIM. Ç’fjalë e ëmbël dhe e këndshme! Duke jetuar në botën e sotme të ethshme dhe me ritëm të shpejtë, shumica prej nesh do të ishim dakord se pak pushim është shumë i mirëpritur. Të rinj a të moshuar, të martuar a beqarë, mund të ndihemi nën presion të fortë dhe të sfilitur thjesht nga jeta e përditshme. Për ata që kanë kufizime fizike ose sëmundje, çdo ditë është një sfidë. Siç thonë Shkrimet, «deri tani, i gjithë krijimi vazhdon të rënkojë së bashku dhe të jetë në dhimbje së bashku». (Romakëve 8:22, BR) Një person që pushon nuk është medoemos dembel. Pushimi është një nevojë njerëzore që duhet plotësuar.
2. Që kur ka qenë duke pushuar Jehovai?
2 Vetë Perëndia Jehova ka qenë duke pushuar. Në librin e Zanafillës lexojmë: «Qiejtë, toka dhe gjithë ushtria e tyre arritën kryerjen e tyre. Dhe ditën e shtatë, Perëndia arriti kryerjen e veprës së tij që kishte bërë dhe pushoi ditën e shtatë nga gjithë vepra e tij që kishte bërë.» Jehovai i bashkangjiti një domethënie të veçantë «ditës së shtatë», sepse tregimi i frymëzuar vazhdon, duke thënë: «Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e bëri të shenjtë.»—Zanafilla 2:1-3, BR.
Perëndia pushoi nga vepra e tij
3. Cilat nuk mund të ishin arsyet për të cilat pushoi Perëndia?
3 Pse pushoi Perëndia «ditën e shtatë»? Sigurisht, nuk pushoi se ishte i lodhur. Jehovai gëzon një «bollëk energjie dinamike» dhe «nuk rraskapitet apo lodhet». (Isaia 40:26, 28, BR) As nuk nisi të pushonte sepse kishte nevojë për një ndërprerje apo ndryshim të ritmit, sepse Jezui na tha: «Ati im ka vazhduar të punojë deri tani dhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:17, BR) Sidoqoftë, «Perëndia është Frymë» dhe nuk është i kufizuar nga ciklet dhe nevojat trupore të krijesave fizike.—Gjoni 4:24.
4. Në ç’mënyrë «dita e shtatë» ishte ndryshe nga gjashtë ‘ditët’ e mëparshme?
4 Si mund të fitojmë njëfarë mendjehollësie mbi arsyen se përse Perëndia pushoi «ditën e shtatë»? Duke vërejtur se ndonëse ishte shumë i kënaqur me atë që kishte kryer gjatë periudhës së gjatë të gjashtë ‘ditëve’ të mëparshme të krijimit, Perëndia bekoi në mënyrë specifike «ditën e shtatë» dhe e shpalli atë «të shenjtë». Një fjalor (Concise Oxford Dictionary) e përkufizon diçka «të shenjtë» si «të dedikuar apo të caktuar ekskluzivisht (një perëndie ose ndonjë qëllimi fetar)». Kështu, fakti që Jehovai e bekoi «ditën e shtatë» dhe e shpalli të shenjtë, tregon se ajo dhe «pushimi» i tij duhet të kenë ndonjë lidhje me vullnetin dhe qëllimin e tij të shenjtë në vend se me ndonjë nevojë nga ana e tij. Cila është kjo lidhje?
5. Çfarë vuri në lëvizje Perëndia gjatë gjashtë ‘ditëve’ të para të krijimit?
5 Gjatë gjashtë ‘ditëve’ të mëparshme të krijimit, Perëndia kishte bërë dhe vënë në lëvizje të gjitha ciklet dhe ligjet që drejtojnë funksionet e tokës, si dhe çdo gjë përreth saj. Tani shkencëtarët po mësojnë se sa mrekullueshëm janë projektuar këto. Nga fundi i «ditës së gjashtë», Perëndia krijoi çiftin e parë njerëzor dhe i vendosi në «një kopsht në Eden, drejt lindjes». Së fundi, Perëndia shpalli qëllimin e tij për sa i përket familjes njerëzore dhe tokës, me këto fjalë profetike: «Jini të frytshëm dhe bëhuni shumë, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni, mbani në nënshtrim peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz mbi tokë.»—Zanafilla 1:28, 31; 2:8, BR.
6. (a) Si u ndie Perëndia në fund të «gjashtë ditëve», në lidhje me gjithë atë që kishte krijuar? (b) Në ç’kuptim është e shenjtë «dita e shtatë»?
6 Ndërsa «dita e gjashtë» e krijimit shkonte drejt mbarimit, tregimi na thotë: «Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zanafilla 1:31, BR) Perëndia ishte i kënaqur me gjithçka që kishte bërë. Kështu, ai pushoi apo ndaloi, nga vepra e mëtejshme krijuese, për sa i përket tokës. Sado që kopshti i atëhershëm parajsor ishte i përsosur dhe i bukur, ai mbulonte vetëm një zonë të vogël dhe në tokë kishte vetëm dy krijesa njerëzore. Që toka dhe familja njerëzore të arrinin gjendjen që kishte si qëllim Perëndia, do të duhej kohë. Për këtë arsye, ai caktoi një «ditë të shtatë», e cila do të lejonte që gjithë sa kishte krijuar ai në gjashtë ‘ditët’ e mëparshme të zhvillohej në harmoni me vullnetin e tij të shenjtë. (Krahaso Efesianëve 1:11.) Ndërsa «dita e shtatë» i afrohet fundit të saj, toka do të jetë bërë një parajsë globale e banuar përjetësisht nga një familje njerëzish të përsosur. (Isaia 45:18) «Dita e shtatë» është vënë mënjanë apo i është dedikuar, plotësimit dhe përmbushjes së vullnetit të Perëndisë në lidhje me tokën dhe njerëzimin. Në këtë kuptim, ajo është «e shenjtë».
7. (a) Në ç’aspekt pushoi Perëndia «ditën e shtatë»? (b) Si do të dalë çdo gjë në kohën që përfundon «dita e shtatë»?
7 Kështu, Perëndia pushoi nga vepra e tij krijuese «ditën e shtatë». Është sikur ai u ndal dhe la të përfundonte rrugën e vet ajo që vuri në lëvizje. Perëndia është plotësisht i sigurt se nga fundi i «ditës së shtatë», çdo gjë do të ketë dalë pikërisht si e ka ai për qëllim. Edhe nëse ka pasur pengesa, do të jenë kapërcyer. I gjithë njerëzimi i bindur do të nxjerrë dobi, kur vullneti i Perëndisë të bëhet një realitet i plotë. Këtë nuk do ta pengojë asgjë, sepse mbi «ditën e shtatë» është bekimi i Perëndisë dhe ai e bëri atë «të shenjtë». Ç’perspektivë e ndritur për njerëzimin e bindur!
Izraeli dështoi të hynte në pushimin e Perëndisë
8. Kur dhe si arritën ta respektonin sabatin izraelitët?
8 Kombi i Izraelit nxori dobi nga rregullimi i Jehovait për punë dhe pushim. Madje përpara se t’u jepte Ligjin në malin Sinai, nëpërmjet Moisiut Perëndia u tha izraelitëve: «Vëreni mirë faktin që Jehovai ju ka dhënë sabatin. Ja sepse ditën e gjashtë po ju jep bukën e dy ditëve. Qëndroni ulur secili në vendin e tij. Askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë.» Rezultati ishte që «populli nisi të respektonte sabatin, ditën e shtatë».—Dalja (Eksodi) 16:22-30, BR.
9. Pse ligji i sabatit ishte pa dyshim një ndryshim i mirëpritur për izraelitët?
9 Për izraelitët që sapo ishin liruar nga skllavëria në Egjipt, ky ishte një rregullim i ri. Megjithëse egjiptianët dhe kombet e tjera e matnin kohën me periudha pesë deri dhjetë ditëshe, ka të ngjarë që izraelitëve të skllavëruar të mos u lejohej asnjë ditë pushimi. (Krahaso Daljen 5:1-9.) Prandaj, është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se populli i Izraelit e mirëpriti këtë ndryshim. Në vend që ta konsideronin kërkesën e sabatit si një barrë apo kufizim, ata duhet të kenë qenë të lumtur ta ndiqnin atë. Në fakt, më vonë Perëndia u tha atyre se sabati duhej t’u shërbente si një përkujtues i skllavërisë së tyre në Egjipt dhe i çlirimit të tyre prej tij.—Ligji i përtërirë 5:15.
10, 11. (a) Duke qenë të bindur, çfarë mund të kenë pritur me padurim të gëzonin izraelitët? (b) Pse izraelitët dështuan të hynin në pushimin e Perëndisë?
10 Nëse izraelitët që dolën nga Egjipti me Moisiun do të kishin qenë të bindur, do të kishin pasur privilegjin të hynin në «vendin e premtuar, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë». (Dalja 3:8, BR) Atje, do të kishin gëzuar një pushim të vërtetë, jo vetëm në sabat, por gjatë gjithë jetës së tyre. (Ligji i përtërirë 12:9, 10) Megjithatë, ata treguan se nuk ishin të tillë. Në lidhje me ta, apostulli Pavël shkroi: «Kush qenë ata që dëgjuan dhe megjithatë, provokuan zemërim të hidhur? A nuk bënë kështu, në fakt, të gjithë ata që dolën nga Egjipti nën Moisiun? Veç kësaj, cilët iu neveritën Perëndisë për dyzet vjet? A nuk ishin ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë në shkretëtirë? Por kujt iu betua ai se nuk do të hynin në pushimin e tij, veçse atyre që vepruan me mosbindje? Kështu, shohim se ata nuk mundën të hynin për shkak të mungesës së besimit.»—Hebrenjve 3:16-19, BR.
11 Ç’mësim i fuqishëm për ne! Për shkak të mungesës së besimit te Jehovai, ai brez nuk fitoi pushimin që u kishte premtuar Perëndia. Në vend të kësaj, vdiqën në shkretëtirë. Ata nuk arritën të kuptonin se si pasardhës të Abrahamit, ishin shumë të lidhur me vullnetin e Perëndisë për sigurimin e bekimeve për të gjitha kombet e tokës. (Zanafilla 17:7, 8; 22:18) Në vend se të vepronin në harmoni me vullnetin hyjnor, dëshirat e rëndomta dhe egoiste i shpërqendruan ata plotësisht. Mos rënçim kurrë në një rrugë të tillë!—1. Korintasve 10:6, 10.
Mbetet një pushim
12. Cila perspektivë ekzistonte ende për të krishterët e shekullit të parë dhe si mund ta arrinin atë?
12 Pasi vuri në dukje dështimin e Izraelit për të hyrë në pushimin e Perëndisë për shkak të mungesës së besimit, Pavli e drejtoi vëmendjen te bashkëbesimtarët e tij. Siç vërehet në Hebrenjve 4:1-5, ai i siguroi ata se «mbetet një premtim për të hyrë në pushimin [e Perëndisë]». Pavli i nxiti të ushtrojnë besim në «lajmin e mirë», sepse «ne që kemi ushtruar besim hyjmë në pushim». Përderisa Ligji ishte hequr tashmë me anë të flijimit shpërblerës të Jezuit, këtu Pavli nuk po i referohej pushimit fizik të siguruar me anë të sabatit. (Kolosianëve 2:13, 14) Duke cituar Zanafillën 2:2 dhe Psalmin 95:11, Pavli po i nxiste të krishterët hebrenj të hynin në pushimin e Perëndisë.
13. Kur Pavli citoi Psalmin 95, pse e tërhoqi vëmendjen te fjala «sot»?
13 Për të krishterët hebrenj, mundësia për të hyrë në pushimin e Perëndisë duhet të ketë qenë «lajm i mirë», ashtu si për izraelitët përpara tyre duhet të ketë qenë «lajm i mirë» pushimi i sabatit. Pra, Pavli i nxiti bashkëbesimtarët e tij të mos bëjnë të njëjtin gabim që bëri Izraeli në shkretëtirë. Duke cituar atë që tani është Psalmi 95:7, 8, ai tërhoqi vëmendjen te fjala «sot», megjithëse që kur Perëndia kishte pushuar së krijuari kishte kaluar shumë kohë. (Hebrenjve 4:6, 7) Çfarë donte të theksonte Pavli? Që «dita e shtatë», të cilën Perëndia e kishte vënë mënjanë që të linte të kryhej plotësisht qëllimi i tij në lidhje me tokën dhe njerëzimin, ishte ende në rrugë e sipër. Prandaj, për bashkë të krishterët e tij ishte urgjente të vepronin në përputhje me atë qëllim, në vend që të merakoseshin për qëllime egoiste. Edhe një herë, ai dha paralajmërimin: «Mos i ngurtësoni zemrat tuaja.»
14. Si e tregoi Pavli se «pushimi» i Perëndisë mbetej ende?
14 Veç kësaj, Pavli tregoi se «pushimi» i premtuar nuk ishte thjesht një çështje vendosjeje në Tokën e Premtuar nën udhëheqjen e Josiut. (Josiu [Jozueu] 21:44) «Sepse nëse Josiu do t’i kishte çuar për në një vend pushimi,—argumentoi Pavli,—Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një ditë tjetër.» Duke pasur parasysh këtë, Pavli shtoi: «Mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë.» (Hebrenjve 4:8, 9, BR) Çfarë është ky «pushim sabati»?
Hyr në pushimin e Perëndisë
15, 16. (a) Cila është domethënia e termit «pushim sabati»? (b) Çfarë do të thotë ‘të pushosh nga veprat e tua’?
15 Shprehja «pushim sabati» është përkthyer nga një fjalë greke që do të thotë «sabatim». (Kingdom Interlinear) Profesori Uilliam Lein pohon: «Ky term e mori nuancën e tij të veçantë nga udhëzimi për sabatin që u zhvillua në judaizëm mbi bazën e Daljes 20:8-10, ku theksohej se pushimi dhe lavdërimi i përkasin njëri-tjetrit . . . [Ai] e vë theksin tek aspekti i veçantë i festimit dhe i gëzimit të shprehur në adhurim dhe lavdërim të Perëndisë.» Kështu, pra, pushimi i premtuar nuk është thjesht një çlodhje nga puna. Ai është një ndryshim nga mundimi i lodhshëm dhe i paqëllimshëm, në shërbimin e gëzuar që nderon Perëndinë.
16 Kjo del në pah nga fjalët e mëpasshme të Pavlit: «Sepse njeriu që ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia pushoi prej të vetave.» (Hebrenjve 4:10, BR) Perëndia nuk pushoi në ditën e shtatë të krijimit ngaqë ishte i lodhur. Përkundrazi, ai e ndali punën e tij krijuese tokësore që vepra e duarve të tij të zhvillohej dhe të arrinte në lavdi të plotë, në lavdërim dhe nder të tij. Si pjesë e krijimit të Perëndisë, edhe ne duhet të përshtatemi me atë rregullim. Ne duhet të ‘pushojmë nga veprat tona’, domethënë duhet të ndalemi së u orvaturi për t’u justifikuar përpara Perëndisë, në përpjekje për të fituar shpëtimin. Në vend të kësaj, duhet të kemi besim se shpëtimi ynë varet nga flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit, flijim nëpërmjet të cilit të gjitha gjërat do të çohen përsëri në harmoni me qëllimin e Perëndisë.—Efesianëve 1:8-14; Kolosianëve 1:19, 20.
Fjala e Perëndisë ushtron fuqi
17. Cilën rrugë të ndjekur nga Izraeli sipas mishit duhet të shmangim?
17 Izraelitët dështuan të hynin në pushimin e premtuar të Perëndisë, për shkak të mosbindjes dhe të mungesës së besimit. Për pasojë, Pavli i nxiti të krishterët hebrenj: «Prandaj, le të bëjmë çmos për të hyrë në atë pushim, nga frika se mos ndokush bie në të njëjtin model mosbindjeje.» (Hebrenjve 4:11, BR) Shumica e judenjve të shekullit të parë nuk ushtruan besim te Jezui dhe shumë prej tyre vuajtën shumë, kur në vitin 70 të e.s. erdhi fundi i sistemit judaik të gjërave. Sa e domosdoshme është të kemi besim në fjalën premtuese të Perëndisë sot!
18. (a) Cilat arsye dha Pavli për të ushtruar besim te fjala e Perëndisë? (b) Si është fjala e Perëndisë «më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe»?
18 Ne kemi arsye të shëndosha për të ushtruar besim në fjalën e Jehovait. Pavli shkroi: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi e është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton madje deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcës së tyre dhe është në gjendje të shquajë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12, BR) Po, fjala ose mesazhi i Perëndisë është më «e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe». Të krishterët hebrenj duhej të kujtonin se çfarë u ndodhi etërve të tyre. Duke shpërfillur gjykimin e Jehovait se do të vdisnin në shkretëtirë, ata u përpoqën të hynin në Tokën e Premtuar. Por, Moisiu i paralajmëroi: «Amalekitët dhe kananitët ndodhen përpara jush dhe do të bini me siguri nga shpata.» Kur me kokëfortësi izraelitët u shtynë përpara, «amalekitët dhe kananitët, të cilët banonin në atë mal, zbritën dhe filluan t’i godasin e t’i shpërndajnë deri në Hormah». (Numrat 14:39-45, BR) Fjala e Jehovait është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe kushdo që e shpërfill atë me dashje, do të korrë patjetër pasojat.—Galatasve 6:7-9.
19. Sa fuqishëm ‘shpon’ fjala e Perëndisë dhe pse duhet ta pranojmë se kemi për t’i dhënë llogari Perëndisë?
19 Sa fuqishëm «depërton madje deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcës së tyre» fjala e Perëndisë! Ajo depërton në mendimet dhe motivet e individëve, duke shpuar, në kuptim të figurshëm, deri drejt e në palcë, në pjesën më të brendshme të kockave! Megjithëse izraelitët e çliruar nga skllavëria egjiptiane kishin qenë dakord që ta mbanin Ligjin, Jehovai e dinte se në thellësi të tyre ata nuk i çmonin masat dhe kërkesat e tij. (Psalmi 95:7-11) Në vend që të bënin vullnetin e tij, ata bëheshin merak për të kënaqur dëshirat e mishit të tyre. Pra, ata nuk hynë në pushimin e premtuar të Perëndisë, por vdiqën në shkretëtirë. Këtij mësimi duhet t’i vëmë veshin, sepse «nuk ka asnjë krijesë që nuk është e dukshme ndaj shikimit [të Perëndisë], por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe të ekspozuara haptazi ndaj syve të atij, të cilit duhet t’i japim llogari». (Hebrenjve 4:13, BR) Prandaj, le ta përmbushim dedikimin tonë ndaj Jehovait dhe të mos «tërhiqemi prapa drejt shkatërrimit».—Hebrenjve 10:39, BR.
20. Çfarë shtrihet përpara dhe ç’duhet të bëjmë tani, për të hyrë në pushimin e Perëndisë?
20 Ndonëse «dita e shtatë», dita e pushimit të Perëndisë, është ende në vazhdim, ai është syçelur ndaj plotësimit të qëllimit të tij në lidhje me tokën dhe njerëzimin. Shumë shpejt, Mbreti Mesianik, Jezu Krishti, do të ndërmarrë veprime për ta çliruar tokën nga të gjithë kundërshtarët e vullnetit të Perëndisë, përfshirë edhe Satana Djallin. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Jezui dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij do ta çojnë tokën dhe njerëzimin drejt gjendjes që kishte si qëllim Perëndia. (Zbulesa 14:1; 20:1-6) Tani është koha që të provojmë se jeta jonë është e përqendruar te vullneti i Perëndisë Jehova. Në vend që të kërkojmë të justifikohemi para Perëndisë dhe të çojmë përpara interesat personale, tani është koha që të ‘pushojmë nga veprat tona’ dhe t’u shërbejmë me gjithë zemër interesave të Mbretërisë. Duke vepruar kështu dhe duke mbetur besimplotë ndaj Atit tonë qiellor, Jehovait, do të kemi privilegjin që të gëzojmë dobitë e pushimit të Perëndisë tani dhe përgjithmonë.
A mund të shpjegosh?
◻ Me çfarë qëllimi pushoi Perëndia «ditën e shtatë»?
◻ Cilin pushim mund të gëzonin izraelitët, por përse nuk arritën të hynin në të?
◻ Ç’duhet të bëjmë, për të hyrë në pushimin e Perëndisë?
◻ Si është fjala e Perëndisë e gjallë, e fuqishme dhe më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe?
[Figura në faqet 16, 17]
Izraelitët e mbajtën sabatin, por nuk hynë në pushimin e Perëndisë. A e di pse?