Të vazhdojmë të shërbejmë sup më sup
«Do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait, që t’i shërbejnë atij sup më sup.»—Sofonia 3:9, BR.
1. Çfarë është duke ndodhur në përmbushje të Sofonisë 3:9?
ANEMBANË tokës tani fliten rreth 6.000 gjuhë. Përveç këtyre ka shumë dialekte ose forma vendëse të gjuhëve. Megjithatë, edhe pse njerëzit flasin gjuhë kaq të ndryshme si arabishtja dhe zuluja, Perëndia ka bërë diçka vërtet të jashtëzakonshme. Ai ka bërë të mundur që njerëzit kudo që ndodhen, të mësojnë dhe të flasin një gjuhë të vetme të kulluar. Kjo po ndodh në përmbushje të një premtimi që u dha nëpërmjet profetit Sofonia: «Unë [Perëndia Jehova] do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar [fjalë për fjalë «një buzë të pastër»], që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait, që t’i shërbejnë atij sup më sup.»—Sofonia 3:9, BR.
2. Çfarë është ‘gjuha e kulluar’ dhe çfarë ka bërë të mundur ajo?
2 ‘Gjuha e kulluar’ është e vërteta e Perëndisë që gjendet në Fjalën e tij, në Bibël. Sidomos është e vërteta për Mbretërinë e Perëndisë, e cila do të shenjtërojë emrin e Jehovait, do të shfajësojë sovranitetin e tij dhe do t’i sjellë bekime njerëzimit. (Mateu 6:9, 10) Duke qenë e vetmja gjuhë frymore e pastër në tokë, gjuha e kulluar flitet nga njerëzit e të gjitha kombeve e racave. U jep mundësi atyre t’i shërbejnë Jehovait «sup më sup». Në këtë mënyrë, ata i shërbejnë atij në unitet ose «me një marrëveshje të përbashkët».
S’ka vend për anësi
3. Çfarë na e bën të mundur t’i shërbejmë Jehovait në unitet?
3 Si të krishterë, jemi mirënjohës për bashkëpunimin shumëgjuhësh që ekziston mes nesh. Ndonëse predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë në gjuhët e shumta që flasin njerëzit, ne i shërbejmë Perëndisë në unitet. (Psalmi 133:1) Kjo është e mundur sepse, kudo që të jetojmë, flasim gjuhën e vetme të kulluar për të lavdëruar Jehovain.
4. Pse nuk duhet të ketë anësi mes popullit të Perëndisë?
4 Mes popullit të Perëndisë nuk duhet të ketë anësi. Apostulli Pjetër e bëri të qartë këtë kur predikoi në shtëpinë e Kornelit, një oficeri johebre, në vitin 36 të e.s. dhe u shty të thoshte: «E kuptoj pa pikë dyshimi se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» (Veprat 10:34, 35) Duke qenë se kjo është e vërtetë, në kongregacionin e krishterë nuk ka vend për anësi, për klika ose për të mbajtur me hatër.
5. Përse është e gabuar të marrësh pjesë në formimin e grupimeve brenda kongregacionit?
5 Një studente kolegji tha për vizitën e saj në Sallën e Mbretërisë: «Zakonisht, kishat tërheqin anëtarët e një race ose grupi etnik të caktuar. . . . Dëshmitarët e Jehovait uleshin të gjithë së bashku dhe jo në grupime të caktuara.» Gjithsesi, disa pjesëtarë të kongregacionit në Korintin e lashtë po krijonin grupe të veçuara. Duke shkaktuar përçarje, po i kundërviheshin veprimit të frymës së shenjtë të Perëndisë, sepse kjo frymë nxit unitet dhe paqe. (Galatasve 5:22) Nëse do të nxitnim formimin e grupimeve brenda kongregacionit, do të ishim duke vepruar kundër drejtimit të frymës. Prandaj, le të mbajmë në mendje fjalët e apostullit Pavël drejtuar korintasve: «Ju porosit, vëllezër, nëpërmjet emrit të Zotërisë tonë Jezu Krisht, të flitni të gjithë në harmoni e mes jush të mos ketë përçarje, por të jeni të bashkuar siç duhet në të njëjtën mendje dhe në të njëjtën linjë mendimi.» (1 Korintasve 1:10) Pavli e theksoi unitetin edhe në letrën drejtuar efesianëve.—Efesianëve 4:1-6, 16.
6, 7. Çfarë këshille dha Jakovi për mbajtjen me hatër dhe si zbatohen fjalët e tij?
6 Paanësia ka qenë gjithnjë një kërkesë për të krishterët. (Romakëve 2:11) Duke qenë se disa në kongregacionin e shekullit të parë po mbanin me hatër individët e pasur, dishepulli Jakov shkroi: «Vëllezërit e mi, mos vallë po e ruani besimin ndaj Zotërisë tonë Jezu Krisht, lavdisë sonë, duke mbajtur me hatër? Sepse, nëse në mbledhjen tuaj hyn një njeri me unaza floriri nëpër gishta dhe me rroba që shkëlqejnë, por hyn edhe një i varfër me rroba të fëlliqura, mirëpo ju shikoni me pëlqim atë që mban veshjen që shkëlqen dhe i thoni: ‘Ulu këtu, në një vend shumë të mirë’ dhe të varfrit i thoni: ‘Rri në këmbë’ ose ‘Ulu atje, pranë stolit tim të këmbëve’, keni mes jush dallime klasore dhe jeni bërë gjykatës që japin vendime të liga, apo s’është kështu?»—Jakovit 2:1-4.
7 Nëse në një mbledhje të krishtere vinin jobesimtarë të pasur me unaza floriri dhe rroba që shkëlqenin, si dhe jobesimtarë të varfër me rroba të fëlliqura, të pasurit trajtoheshin në mënyrë të veçantë. Ata i ulnin «në një vend shumë të mirë», kurse të varfërve u thoshin të qëndronin në këmbë ose të uleshin mbi dysheme te këmbët e ndonjë tjetri. Por Perëndia në mënyrë të paanshme siguroi flijimin shpërblyes të Jezuit njësoj si për të pasurit, edhe për të varfërit. (Jobi 34:19; 2 Korintasve 5:14) Pra, nëse duam t’i pëlqejmë Jehovait dhe t’i shërbejmë sup më sup, nuk duhet të mbajmë me hatër ose ‘të admirojmë personalitetet për dobinë tonë’.—Juda 4, 16.
Të mos murmuritim
8. Çfarë ndodhi për shkak se izraelitët murmuritën?
8 Për të ruajtur unitetin dhe për të pasur vazhdimisht pëlqimin e Perëndisë, duhet t’ia vëmë veshin këshillës së Pavlit: «Vazhdoni të bëni çdo gjë pa murmuritje.» (Filipianëve 2:14, 15) Izraelitët pa besim që ishin çliruar nga robëria egjiptiane murmuritën kundër Moisiut e Aaronit dhe si rrjedhim kundër Perëndisë Jehova. Për këtë arsye, përveç Josiut, Kalebit dhe levitëve besimplotë, të gjithë burrat, nga 20 vjeç e lart, nuk hynë në Tokën e Premtuar, por vdiqën gjatë udhëtimit 40-vjeçar të Izraelit në shkretëtirë. (Numrat 14:2, 3, 26-30; 1 Korintasve 10:10) Çfarë çmimi që paguan për murmuritjen e tyre!
9. Çfarë i ndodhi Miriamit për shkak se murmuriti?
9 Kjo tregon se ç’mund t’i ndodhë një kombi të tërë që murmurit. Ç’të themi për individët që murmuritin? Mirë, pra, Miriami, motra e Moisiut, bashkë me vëllanë e saj, Aaronin, murmuritën duke thënë: «Mos vallë Zoti ka folur vetëm me anë të Moisiut? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?» Tregimi vazhdon: «Dhe Zoti dëgjoi.» (Numrat 12:1, 2) Cili ishte përfundimi? Miriami, e cila me sa duket ishte në krye të këtij ankimi, u përul nga Perëndia. Në ç’mënyrë? U godit me lebër dhe u detyrua të qëndronte jashtë kampit për shtatë ditë, derisa u pastrua.—Numrat 12:9-15.
10, 11. Çfarë pasojash mund të sjellë murmuritja e pakontrolluar? Ilustrojeni.
10 Murmuritja nuk është vetëm ankim për ndonjë keqbërje. Ata që murmuritin vazhdimisht i japin tepër rëndësi ndjenjave ose pozitës së tyre, duke tërhequr vëmendjen te vetja dhe jo te Perëndia. Nëse nuk mbahet nën kontroll, kjo gjë shkakton përçarje midis vëllezërve frymorë dhe i pengon përpjekjet e tyre për t’i shërbyer Jehovait sup më sup. Ndodh kështu, sepse ata që murmuritin gjithnjë i shprehin me zë ankimet, pa dyshim duke shpresuar që me ta të bashkohen edhe të tjerë.
11 Për shembull, dikush mund të kritikojë mënyrën se si i mban pjesët në mbledhje një plak ose se si kujdeset ai për detyrat në kongregacion. Nëse e dëgjojmë atë që po ankohet, mund të fillojmë të mendojmë si ai. Ndoshta gjërat që bënte plaku nuk na shqetësonin para se fara e pakënaqësisë të mbillej në mendjen tonë, por tani na shqetësojnë. Përfundimisht, asgjë që bën plaku nuk do ta shohim me sy të mirë e ndoshta edhe ne do të fillojmë të ankohemi ndaj tij. Kjo lloj sjelljeje nuk është e denjë në një kongregacion të popullit të Jehovait.
12. Çfarë ndikimi mund të ketë murmuritja në marrëdhënien tonë me Perëndinë?
12 Murmuritja ndaj burrave të cilët kanë si detyrë të kullotin kopenë e Perëndisë mund të çojë në sharje. Murmuritja ose vërejtjet shpifëse ndaj tyre mund të dëmtojnë marrëdhënien tonë me Jehovain. (Eksodi [Dalja] 22:28) Sharësit e papenduar nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (1 Korintasve 5:11; 6:10) Dishepulli Judë shkroi për murmuritësit të cilët ‘po shpërfillnin autoritetin sundues dhe po shanin të lavdishmit’ ose burrat përgjegjës në kongregacion. (Judës 8) Këta murmuritës nuk kishin miratimin e Perëndisë dhe ne në mënyrë të mençur e shmangim udhën e tyre të ligë.
13. Pse nuk janë të gabuara të gjitha ankimet?
13 Sidoqoftë jo të gjitha ankimet nuk i pëlqejnë Perëndisë. Ai nuk e shpërfilli ‘britmën e ankimit’ për Sodomën dhe Gomorrën, por i shkatërroi këto qytete të liga. (Zanafilla 18:20, 21, BR; 19:24, 25) Pak pas festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., në Jerusalem «lindi një murmuritje nga ana e judenjve që flitnin greqisht kundër judenjve që flitnin hebraisht, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shpërndarjen e përditshme». Prandaj, «të dymbëdhjetët» e ndreqën gjendjen duke caktuar «shtatë burra me dëshmi të mirë» në ‘detyrën e nevojshme’ për shpërndarjen e ushqimit. (Veprat 6:1-6) Pleqtë e ditëve të sotme nuk duhet ‘t’i mbyllin veshët’ para ankimeve të ligjshme. (Proverbat [Fjalët e urta] 21:13, BR) Po ashtu, në vend që t’i kritikojnë bashkadhuruesit, pleqtë duhet të jenë inkurajues dhe ndërtues.—1 Korintasve 8:1.
14. Çfarë cilësie nevojitet në veçanti për të mos murmuritur?
14 Të gjithë duhet të mos murmuritim, sepse fryma e ankimit nuk është e shëndetshme frymësisht. Një qëndrim i tillë do ta përçante unitetin tonë. Në vend të kësaj, le ta lejojmë frymën e shenjtë që të prodhojë te ne dashuri. (Galatasve 5:22) Bindja ndaj ‘ligjit mbretëror të dashurisë’ do të na ndihmojë që të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë sup më sup.—Jakovit 2:8; 1 Korintasve 13:4-8; 1 Pjetrit 4:8.
Të ruhemi nga shpifjet
15. Si do ta shprehnit dallimin midis thashethemeve dhe shpifjes?
15 Duke qenë se murmuritjet mund të çojnë në thashetheme të dëmshme, duhet të kemi kujdes se çfarë themi. Thashethemet janë fjalë të kota për njerëzit dhe për gjërat e tyre. Por shpifja është një thënie e rreme që ka si qëllim të prishë emrin e mirë të një personi tjetër. Një të folur i tillë është keqdashës dhe i paperëndishëm. Prandaj Perëndia u tha izraelitëve: «Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd.»—Levitiku 19:16.
16. Çfarë tha Pavli për disa individë që merreshin me thashetheme dhe si duhet të ndikojë te ne këshilla e tij?
16 Meqenëse të folurit e kotë mund të çojë në shpifje, Pavli foli kundër disa individëve që merreshin me thashetheme. Pasi përmendi se cilat vejusha kualifikoheshin për të marrë ndihmë nga kongregacioni, ai foli për vejushat, të cilat ishin mësuar ‘të rrinin pa bërë gjë, duke bredhur shtëpi më shtëpi; po, jo vetëm të rrinin pa bërë gjë, por edhe të merreshin me thashetheme e t’i futnin hundët në punët e të tjerëve, duke folur për gjëra që nuk duhej’. (1 Timoteut 5:11-15) Nëse një grua e krishterë zbulon se ka dobësinë që flet për gjëra që mund të çojnë në shpifje, do të bënte mirë t’i vinte veshin këshillës së Pavlit që të jetë «serioze, jo shpifëse». (1 Timoteut 3:11) Patjetër që edhe burrat e krishterë duhet të ruhen nga thashethemet e dëmshme.—Fjalët e urta 10:19.
Të mos gjykojmë më!
17, 18. (a) Çfarë tha Jezui për gjykimin e vëllezërve? (b) Si mund t’i zbatojmë fjalët e Jezuit për gjykimin e të tjerëve?
17 Edhe sikur të mos shpifim, ndoshta duhet të përpiqemi fort për të mos i gjykuar të tjerët. Jezui e dënoi këtë frymë kur tha: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni; sepse me atë gjykim që po gjykoni, do të gjykoheni; dhe me masën që po matni, do t’ju matet juve. Përse, pra, shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd, por nuk mban parasysh traun në syrin tënd? Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Më lër të heq lëmishten nga syri yt’, kur ja, një tra është në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun prej syrit tënd e pastaj do të shohësh qartë se si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.»—Mateu 7:1-5.
18 Nuk duhet të jemi të shpejtë për të hequr thjesht një ‘lëmishte’ nga syri i vëllait tonë me qëllim që ta ndihmojmë, ndërkohë që aftësia jonë për të gjykuar drejt pengohet nga një «tra» figurativ. Në fakt, në qoftë se e kuptojmë vërtet sa i mëshirshëm është Perëndia, nuk do të jemi të prirur për të gjykuar vëllezërit dhe motrat tona frymore. A mund t’i kuptojmë ndoshta ata po aq mirë sa i kupton Ati ynë qiellor? Nuk habitemi që Jezui na paralajmëroi ‘të mos gjykojmë më që të mos gjykohemi’. Një vlerësim i ndershëm i papërsosmërive tona do të na frenonte për të dhënë gjykime që Perëndia i quan të padrejta.
Delikate, por e nderuar
19. Si duhet t’i shohim bashkëbesimtarët?
19 Nëse jemi të vendosur për t’i shërbyer Perëndisë sup më sup me bashkëbesimtarët, nuk mjafton që vetëm të mos i gjykojmë të tjerët. Duhet të jemi të parët për t’i treguar atyre nderim. (Romakëve 12:10) Në të vërtetë, do të kërkojmë përfitimin e tyre, jo tonin dhe do të kryejmë detyra të përulura në dobi të tyre. (Gjoni 13:12-17; 1 Korintasve 10:24) Si mund ta ruajmë këtë frymë të shkëlqyer? Duke mbajtur në mendje që çdo besimtar është i çmuar për Jehovain dhe që kemi nevojë për njëri-tjetrin, ashtu si secila gjymtyrë e trupit njerëzor varet nga gjymtyrët e tjera.—1 Korintasve 12:14-27.
20, 21. Ç’domethënie kanë për ne fjalët e 2 Timoteut 2:20, 21?
20 Pa dyshim, të krishterët janë enë delikate prej balte të cilëve u është besuar thesari i lavdishëm i shërbimit. (2 Korintasve 4:7) Në qoftë se duam të përmbushim këtë vepër të shenjtë për t’i sjellë lavdi Jehovait, duhet të mbajmë një qëndrim të nderuar para tij dhe Birit të tij. Vetëm duke qëndruar të kulluar nga ana morale dhe frymore, mund të vazhdojmë të jemi një enë e nderuar për t’u përdorur nga Perëndia. Pavli shkroi në lidhje me këtë: «Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe prej druri e balte dhe disa për një qëllim të nderuar, por të tjerat për një qëllim pa nder. Prandaj, nëse dikush mbahet i pastër nga këto të fundit, do të jetë enë për qëllim të nderuar, e shenjtëruar, e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.»—2 Timoteut 2:20, 21.
21 Individët që nuk sillen në harmoni me kërkesat hyjnore janë ‘enë pa nder’. Megjithatë, nëse ndjekim një drejtim të perëndishëm, do të jemi ‘enë për qëllim të nderuar, të shenjtëruar ose të ndarë veç, për shërbimin e Jehovait dhe të përgatitur për çdo vepër të mirë’. Kështu fare mirë mund të pyesim veten: «A jam një ‘enë e nderuar’? A kam ndikim të mirë te bashkëbesimtarët? A jam një pjesëtar i kongregacionit që punon sup më sup me bashkadhuruesit?»
Të vazhdojmë të shërbejmë sup më sup
22. Me çfarë mund të krahasohet kongregacioni i krishterë?
22 Kongregacioni i krishterë është si një familje. Në një familje në të cilën të gjithë pjesëtarët e saj adhurojnë Jehovain ka një atmosferë bashkëpunimi, të dashur dhe të këndshme. Familja mund të përbëhet nga disa individë me personalitete të ndryshme, por secili ka një vend të nderuar në të. Gjendja është e ngjashme në kongregacion. Ndonëse të gjithë jemi të ndryshëm, dhe të papërsosur, Perëndia na ka tërhequr pranë vetes nëpërmjet Krishtit. (Gjoni 6:44; 14:6) Jehovai dhe Jezui na duan, e ashtu si në një familje të bashkuar, pa dyshim duhet të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin.—1 Gjonit 4:7-11.
23. Çfarë s’duhet të harrojmë dhe çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
23 Përveçse ngjan me një familje, kongregacioni është edhe një vend ku me të drejtë presim të gjejmë besnikëri. Apostulli Pavël shkroi: «Dëshiroj që në çdo vend burrat të vazhdojnë në lutje, duke ngritur duart besnike, pa zemërim dhe pa debate.» (1 Timoteut 2:8) Kështu Pavli e lidhi besnikërinë me lutjen publike «në çdo vend» ku të krishterët mblidhen. Vetëm burrat besnikë duhet ta përfaqësojnë kongregacionin në lutjet publike. Sigurisht, Perëndia pret që të gjithë të jemi besnikë ndaj tij dhe ndaj njëri-tjetrit. (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:13, 14) Prandaj, le të jemi të vendosur që të punojmë së bashku në harmoni, ashtu si gjymtyrët e trupit njerëzor. Le të shërbejmë në unitet si pjesë e familjes së adhuruesve të Jehovait. Mbi të gjitha, le të mos harrojmë se kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe që do të gëzojmë miratimin dhe bekimet e Perëndisë vetëm nëse vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait sup më sup.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë i jep mundësi popullit të Jehovait që t’i shërbejë atij sup më sup?
• Pse të krishterët e shmangin anësinë?
• Pse murmuritjet janë të gabuara?
• Pse duhet t’i nderojmë bashkëbesimtarët?
[Figura në faqen 15]
Pjetri e kuptoi se «Perëndia nuk është i anshëm»
[Figura në faqen 16]
A e dini pse Perëndia e përuli Miriamin?
[Figura në faqen 18]
Të krishterët besnikë i shërbejnë me gëzim Jehovait sup më sup