Kapitulli 29
Këndojnë këngën e re triumfuese
Vegimi 9—Zbulesa 14:1-20
Subjekti: 144.000 të mirosurit janë me Qengjin në malin e Sionit; shpalljet e engjëjve ushtojnë në të gjithë tokën; mblidhen të korrat
Koha e përmbushjes: Nga viti 1914 deri në shtrëngimin e madh
1. Çfarë kemi mësuar nga kapitujt 7, 12 dhe 13 të Zbulesës dhe çfarë do të shohim tani?
ÇFARË lehtësimi që tani do ta drejtojmë vëmendjen te vegimi tjetër i Gjonit! Në vend të organizatave të çuditshme të dragoit me pamje përbindëshash, tani do të shohim shërbëtorët besnikë të Jehovait dhe aktivitetin e tyre gjatë ditës së Zotërisë. (Zbulesa 1:10) Tashmë kemi kuptuar nga Zbulesa 7:1, 3 se katër erërat e shkatërrimit po mbahen derisa të vulosen 144.000 skllevërit e mirosur. Nga Zbulesa 12:17 kemi mësuar se, gjatë kësaj kohe, ‘mbetja e farës së [gruas]’ do të ishte shënjestra kryesore e Satanait, dragoit. Kapitulli 13 i Zbulesës na ka përshkruar në mënyrë të gjallë organizatat politike që ka krijuar Satanai në tokë, për t’u shkaktuar sprova të rënda dhe përndjekje mizore shërbëtorëve besnikë të Jehovait. Por ky armik i madh s’e pengon dot qëllimin e Perëndisë. Tani do të shohim se, me gjithë përpjekjet keqdashëse të Satanait, janë mbledhur të gjithë 144.000 të mirosurit. Vërtet fitore!
2. Për cilin përfundim të lumtur na foli Gjoni te Zbulesa 14:1 dhe kush është Qengji?
2 Gjoni, e bashkë me të edhe klasa e Gjonit sot, e kanë parë paraprakisht këtë rezultat të lumtur me anë të këtij vegimi: «Unë pashë Qengjin që qëndronte në malin e Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.» (Zbulesa 14:1) Tashmë e kemi parë se ky Qengj përkon me Mikaelin që pastroi qiejt, duke dëbuar Djallin dhe demonët e tij. Ai është Mikaeli, të cilin Danieli e përshkroi si ai «që qëndron përkrah bijve të popullit [të Perëndisë]», dhe që po bëhet gati «të ngrihet» për të ekzekutuar gjykimet e drejta të Jehovait. (Danieli 12:1; Zbulesa 12:7, 9) Që nga viti 1914, ky Qengj i Perëndisë që e ofroi veten si flijim, ka qëndruar në malin e Sionit si Mbreti mesianik.
3. Çfarë është ‘mali i Sionit’ ku ‘qëndrojnë’ Qengji dhe 144.000 të mirosurit?
3 Gjithçka ka ndodhur tamam si kishte parathënë Jehovai: «E kam vënë mbretin tim në Sion, në malin tim të shenjtë.» (Psalmi 2:6; 110:2) Ky varg nuk i referohet më malit të Sionit në tokë, domethënë gjeografikisht qytetit të Jerusalemit, ku mbretëronin mbretërit e dinastisë së Davidit. (1 Kronikave 11:4-7; 2 Kronikave 5:2) E themi këtë, sepse pasi vdiq dhe u ringjall në vitin 33 të e.s., Jezui u vendos si guri i qoshes së themelit në malin e Sionit në qiell, një vend ku Jehovai vendosi të vinte ‘qytetin e Perëndisë së gjallë, Jerusalemin qiellor’. Pra, ‘mali i Sionit’ për të cilin po flasim, paraqit pozitën e lartësuar të Jezuit dhe të atyre që do të jenë bashkëtrashëgimtarë me të, të cilët formojnë Jerusalemin qiellor, domethënë Mbretërinë. (Hebrenjve 12:22, 28; Efesianëve 3:6) Ai simbolizon lavdinë e tyre mbretërore, në të cilën i ngre Jehovai gjatë ditës së Zotërisë. Për shekuj të tërë, të krishterët e mirosur, si «gurë të gjallë», kanë pritur me padurim çastin kur mund të qëndronin në këtë mal qiellor, në Sion, të bashkuar me Zotërinë Jezu Krisht në Mbretërinë e tij madhështore.—1 Pjetrit 2:4-6; Luka 22:28-30; Gjoni 14:2, 3.
4. Në ç’kuptim 144.000 të mirosurit qëndrojnë të gjithë në malin e Sionit?
4 Gjoni nuk pa vetëm Jezuin duke qëndruar në malin e Sionit, por tërë grupin e 144.000 bashkëtrashëgimtarëve të Mbretërisë qiellore. Në kohën kur ndodhin ngjarjet e paraqitura në vegim, pjesa më e madhe e 144.000 të mirosurve, por jo të gjithë, janë tashmë në qiell. Më pas, gjatë po këtij vegimi, Gjoni mësoi se disa nga të shenjtët duhej të duronin ende sprova e të vdisnin besnikë. (Zbulesa 14:12, 13) Pra, me sa duket, disa nga 144.000 të mirosurit do të ishin ende në tokë. Por, si atëherë Gjoni i pa të gjithë duke qëndruar me Jezuin në malin e Sionit?a Meqenëse janë anëtarë të kongregacionit të të krishterëve të mirosur, ata tani ‘i janë afruar një mali Sion dhe një qyteti të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor’. (Hebrenjve 12:22) Njësoj si Pavli, kur ishte ende në tokë, ata janë ngritur tashmë në kuptimin frymor për të qenë në unitet me Krishtin Jezu në vendet qiellore. (Efesianëve 2:5, 6) Veç kësaj, në vitin 1919, ata iu përgjigjën ftesës: «Ejani këtu lart», dhe në një kuptim të figurshëm «u ngjitën në qiell në re». (Zbulesa 11:12) Këto vargje biblike na ndihmojnë të kuptojmë që në kuptimin frymor, të gjithë anëtarët e grupit të 144.000 të mirosurve gjenden në malin e Sionit bashkë me Jezu Krishtin.
5. Emrat e kujt janë shkruar në ballin e 144.000 të mirosurve dhe çfarë tregon secili emër?
5 144.000 të mirosurit s’kanë asnjë lidhje me adhuruesit e bishës, që kanë marrë damkën e saj, numrin simbolik 666. (Zbulesa 13:15-18) Përkundrazi, këta besnikë kanë të shkruar në ballë emrin e Perëndisë dhe të Qengjit. Si izraelit që ishte, Gjoni patjetër e kishte parë emrin e Perëndisë të shkruar me germa hebraike, יהוה.b Duke pasur emrin e Atit të Jezuit «të shkruar» në ballë, këta të vulosur u tregojnë të gjithëve se janë dëshmitarë dhe skllevër të Jehovait. (Zbulesa 3:12) Nga ana tjetër, fakti që kanë në ballë edhe emrin e Jezuit, tregon se e pranojnë që i përkasin atij. Ata i janë premtuar në fejesë Jezuit si ‘burri’ i tyre dhe janë ‘nusja’ e tij e ardhshme, «një krijesë e re», që i shërben Perëndisë dhe ka perspektivën për të jetuar në qiell. (Efesianëve 5:22-24; Zbulesa 21:2, 9; 2 Korintasve 5:17) Marrëdhënia e ngushtë që gëzojnë me Jehovain dhe Jezu Krishtin ndikon në të gjitha mendimet dhe veprimet e tyre.
Këndojnë një si këngë të re
6. Ç’këngë dëgjoi Gjoni dhe si e përshkroi?
6 Në përputhje me sa thamë më lart, Gjoni tha: «Dëgjova një zë nga qielli, si zhurma e ujërave të shumta dhe si gjëmimi i një bubullime të fortë. Zëri që dëgjova, ishte si zëri i këngëtarëve, i shoqëruar nga zëri i harpave, të cilave ata u binin. Ata këndojnë një si këngë të re para fronit dhe para katër krijesave të gjalla e pleqve. Askush nuk ishte në gjendje ta mësonte atë këngë, përveç njëqind e dyzet e katër mijëve, të cilët ishin blerë nga toka.» (Zbulesa 14:2, 3) Nuk habitemi pse Gjonit, kur dëgjoi zërat e 144.000 të mirosurve të bashkuar në një kor të melodishëm, iu kujtua zhurmimi i ujëvarave dhe oshtima e bubullimave. Sa ia kënaqi shpirtin tingulli i qartë i harpës që i shoqëronte! (Psalmi 81:2) S’ka kor në tokë që të krahasohet me madhështinë e atij kori të mrekullueshëm!
7. (a) Ç’është kënga e re e Zbulesës 14:3? (b) Në ç’kuptim kënga e Psalmit 149:1 është e re në ditët tona?
7 Ç’është kjo ‘këngë e re’? Siç e kemi parë kur shqyrtuam Zbulesën 5:9, 10, kënga ka të bëjë me qëllimet e Mbretërisë së Jehovait dhe masat e mrekullueshme që ka marrë Ai nëpërmjet Jezu Krishtit, për ta bërë Izraelin frymor «një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë». Është një këngë lavdie për Jehovain, e cila shpall gjërat e reja që po bën ai me anë të Izraelit të Perëndisë dhe në dobi të tij. (Galatasve 6:16) Anëtarët e këtij Izraeli frymor i përgjigjen ftesës së psalmistit: «Lëvdoni Jah! Këndojini Jehovait një këngë të re, këndojini lavde në kongregacionin e besnikëve. Le të gëzojë Izraeli për Bërësin e tij të Madh! Le të ngazëllojnë bijtë e Sionit për Mbretin e tyre!» (Psalmi 149:1, 2) Vërtet këto fjalë u shkruan shekuj më parë, por në ditët tona ato janë kënduar me një kuptueshmëri të re. Në vitin 1914, lindi Mbretëria mesianike. (Zbulesa 12:10) Në vitin 1919, populli i Jehovait në tokë filloi të shpallte «fjalën e mbretërisë» me zell të përtërirë. (Mateu 13:19) Atë vit, të nxitur nga shkrimi i vitit (Isaia 54:17) dhe të inkurajuar që ishin rivendosur në një parajsë frymore, ata nisën ‘të këndonin e t’i thurnin melodi Jehovait në zemrat e tyre’.—Efesianëve 5:19.
8. Pse vetëm 144.000 të mirosurit mund ta mësojnë këngën e re të Zbulesës 14:3?
8 Por, pse vetëm 144.000 të mirosurit mund ta mësojnë këngën për të cilën flet Zbulesa 14:3? Sepse ajo këngë ka të bëjë me ç’kanë përjetuar ata si trashëgimtarë të zgjedhur të Mbretërisë së Perëndisë. Vetëm ata janë birësuar si bij të Perëndisë dhe janë mirosur me frymën e shenjtë. Vetëm ata janë blerë nga toka për t’u bërë pjesë e asaj Mbretërie qiellore dhe vetëm ata «do të jenë priftërinj . . . dhe do të mbretërojnë» me Jezu Krishtin për një mijë vjet, që ta bëjnë njerëzimin të përsosur. Vetëm ata janë parë ‘duke kënduar një si këngë të re’ para Jehovait.c Këto përvoja e perspektiva unike u japin atyre një kuptueshmëri krejt të veçantë për Mbretërinë dhe u japin mundësi të këndojnë për të si askush tjetër.—Zbulesa 20:6; Kolosianëve 1:13; 1 Selanikasve 2:11, 12.
9. Si i është përgjigjur shumica e madhe këngës së të mirosurve dhe cilën nxitje kanë përmbushur në këtë mënyrë?
9 Veç kësaj, disa të tjerë e dëgjojnë dhe i përgjigjen këngës së tyre. Që nga viti 1935, shumica e madhe gjithnjë e në rritje e deleve të tjera e ka dëgjuar këngën e tyre triumfuese dhe është nxitur të bashkohet me ta për të shpallur Mbretërinë e Perëndisë. (Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9) Vërtet, këta dishepuj të rinj nuk mund të këndojnë të njëjtën këngë të re që këndojnë mbretërit e ardhshëm të Mbretërisë së Perëndisë. Sidoqoftë, edhe ata e lavdërojnë në një kor të melodishëm Jehovain, duke kënduar një himn në lavdi të Jehovait për gjërat e reja që ka bërë. Kështu, ata përmbushin nxitjen e psalmistit: «Këndojini Jehovait një këngë të re. Këndojini Jehovait të gjithë ju banorët e tokës! Këndojini Jehovait, bekoni emrin e tij! Flitni ditë për ditë lajmin e mirë të shpëtimit që sjell ai. Shpalluni kombeve lavdinë e tij, dhe gjithë popujve bëmat e tij! Pranoni Jehovain, o fise të tërë popujve, jepini Jehovait lavdi dhe pranoni forcën e tij! Thoni ndër kombe: ‘Jehovai është bërë mbret.’»—Psalmi 96:1-3, 7, 10; 98:1-9.
10. Si mund të këndojnë 144.000 të mirosurit «para» 24 pleqve simbolikë?
10 Si mund të këndojnë 144.000 të mirosurit «para» pleqve, duke qenë se 24 pleqtë përfaqësojnë ata vetë në pozitën e tyre të lavdishme qiellore? Ata ‘që vdiqën në unitet me Krishtin’ në fillim të ditës së Zotërisë, u ringjallën si krijesa frymore. Këta të krishterë të mirosur besnikë që kanë dalë fitimtarë, tani janë në qiell, ku përmbushin në mënyrë simbolike funksionet që krahasohen me ato të 24 ndarjeve priftërore të pleqve. Veç kësaj, ata përfshihen në vegimin e organizatës qiellore të Jehovait. (1 Selanikasve 4:15, 16; 1 Kronikave 24:1-18; Zbulesa 4:4; 6:11) Kështu, mbetja e 144.000 të mirosurve që janë ende në tokë, po e këndojnë këngën e re para vëllezërve të tyre të ringjallur në qiell ose nën shikimin e tyre.
11. Pse fitimtarët e mirosur paraqiten edhe si 24 pleqtë, edhe si 144.000 të mirosurit?
11 Mirëpo në këtë pikë mund të na vijë në mendje një pyetje tjetër: Pse këta fitimtarë të mirosur paraqiten edhe si 24 pleqtë, edhe si 144.000 të mirosurit? Sepse Zbulesa e sheh këtë grup të vetëm nga dy këndvështrime. 24 pleqtë tregohen gjithmonë në pozitën e tyre përfundimtare rreth fronit të Jehovait, si mbretër dhe priftërinj në qiell. Ata simbolizojnë gjithë grupin e 144.000 të mirosurve në pozitat e tyre qiellore, pavarësisht se tani për tani një pjesë e vogël e tyre janë ende në tokë. (Zbulesa 4:4, 10; 5:5-14; 7:11-13; 11:16-18) Kurse kapitulli 7 i Zbulesës thekson se 144.000 të mirosurit vijnë nga gjiri i njerëzimit dhe nënvizon qëllimin madhështor të Jehovait, domethënë vulosjen e numrit të plotë të izraelitëve frymorë dhe shpëtimin e një shumice të madhe që s’mund të numërohet. Kapitulli 14 i Zbulesës paraqit një tablo që vërteton se klasa e plotë e Mbretërisë, që përbëhet nga 144.000 fitimtarë, do të mblidhet bashkë me Qengjin në malin e Sionit. Tani do të shohim kushtet që duhet të përmbushin këta të krishterë për të qenë pjesë e grupit të 144.000 të mirosurve.d
Ndjekin Qengjin
12. (a) Si e vazhdoi Gjoni përshkrimin e 144.000 të mirosurve? (b) Në ç’kuptim janë të virgjër 144.000 të mirosurit?
12 Ja si e vazhdoi Gjoni përshkrimin e 144.000 të mirosurve që ‘janë blerë nga toka’: «Këta nuk janë ndotur me gra, pra, janë të virgjër. Ata vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë. Janë blerë nga gjiri i njerëzimit si fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin. Në gojën e tyre nuk u gjet asnjë gënjeshtër. Ata janë të patëmetë.» (Zbulesa 14:4, 5) Vargu thotë se 144.000 të mirosurit «janë të virgjër», por kjo s’do të thotë se anëtarët e kësaj klase kanë qenë medoemos të pamartuar. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve që ishin thirrur të shkonin në qiell, që në disa rrethana është më mirë të martohesh, pavarësisht se një të krishteri beqaria i sjell dobi. (1 Korintasve 7:1, 2, 36, 37) Kjo klasë karakterizohet nga virgjëria frymore. Ata nuk kryejnë kurvëri frymore me sistemin politik të kësaj bote dhe me fenë e rreme. (Jakovi 4:4; Zbulesa 17:5) Si nusja që i është premtuar Krishtit, ata e mbajnë veten të pastër, «pa asnjë të metë mes një brezi dredharak e të shtrembër».—Filipianëve 2:15.
13. Pse 144.000 të mirosurit janë «nusja» e përshtatshme për Jezu Krishtin dhe si «vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë»?
13 Veç kësaj, «në gojën e tyre nuk u gjet asnjë gënjeshtër». Në këtë aspekt, ata janë si Mbreti i tyre, Jezu Krishti. Kur jetoi si njeri i përsosur, «ai nuk kreu asnjë mëkat dhe në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim». (1 Pjetrit 2:21, 22) Duke qenë njëkohësisht të patëmetë dhe jo gënjeshtarë, 144.000 të mirosurit janë përgatitur si një «nuse» e dëlirë për Kryepriftin e madh të Jehovait. Kur ishte në tokë, Jezui i ftoi njerëzit e dhënë pas drejtësisë që ta ndiqnin. (Marku 8:34; 10:21; Gjoni 1:43) Ata që iu përgjigjën ftesës së tij, adoptuan mënyrën e tij të jetesës dhe iu bindën mësimeve të tij. Kështu, gjatë jetës së tyre në tokë, ata «vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë», teksa ai i drejton në këtë botë që sundohet nga Satanai.
14. (a) Në ç’kuptim janë 144.000 të mirosurit «fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin»? (b) Në ç’kuptim janë fryte të para edhe anëtarët e shumicës së madhe?
14 144.000 të mirosurit janë «blerë nga toka», «janë blerë nga gjiri i njerëzimit». Ata janë birësuar nga Perëndia si bij të tij, dhe pas ringjalljes s’do të jenë më njerëz prej mishi e gjaku. Siç tregohet në vargun 4, ata bëhen «fryte të para për Perëndinë dhe për Qengjin». Pa dyshim, në shekullin e parë, Jezui ishte ‘fryti i parë i atyre që kishin rënë në gjumin e vdekjes’. (1 Korintasve 15:20, 23) Kurse 144.000 të mirosurit janë «disa fryte të para» nga njerëzimi i papërsosur, të blerë me anë të flijimit të Jezuit. (Jakovi 1:18) Sidoqoftë, mbledhja e fryteve nga njerëzimi nuk mbaron me ta. Libri i Zbulesës ka folur tashmë për mbledhjen e një shumice të madhe që s’mund të numërohet, e cila thërret me zë të fortë: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.» Kjo shumicë e madhe do t’i mbijetojë shtrëngimit të madh, dhe ndërsa vazhdon të freskohet te «burimet e ujërave të jetës», do të arrijë përsosmërinë njerëzore në tokë. Disa kohë pas shtrëngimit të madh, Hadesi do të zbrazet dhe miliona e miliona njerëz të tjerë do të ringjallen e do të kenë mundësi edhe ata të pinë te burimet e ujërave të jetës. Me këto në mendje, me të drejtë mund ta quajmë shumicën e madhe frytet e para nga delet e tjera, pasi janë të parët që ‘i lajnë petkat e tyre të gjata e i zbardhin në gjakun e Qengjit’, me shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë.—Zbulesa 7:9, 10, 14, 17; 20:12, 13.
15. Ç’paralele ekzistojnë mes tri grupeve të ndryshme të fryteve të para dhe festave që kremtoheshin nën Ligjin e Moisiut?
15 Vihen re paralele interesante mes këtyre tri grupeve të ndryshme të fryteve të para (Jezu Krishtit, 144.000 të mirosurve dhe shumicës së madhe) me festat që kremtoheshin sipas Ligjit të lashtë të Moisiut. Më 16 nisan, gjatë festës së kuleçve të ndormë, Jehovait i paraqitej një nga duajt e fryteve të para të elbit të korrur. (Levitiku 23:6-14) Pikërisht 16 nisani ishte dita kur u ringjall Jezui. 50 ditë pas kësaj date, muajin e tretë, izraelitët kremtonin festën e korrjes së fryteve të hershme të grurit. (Dalja 23:16; Levitiku 23:15, 16) Më vonë, ajo u quajt festa e Ditës së Pesëdhjetë (ose Pentekosté në greqisht), dhe pikërisht gjatë kësaj feste, në vitin 33 të e.s., u mirosën me frymë të shenjtë anëtarët e parë të grupit të 144.000 të mirosurve. Në fund, muajin e shtatë, kur ishin mbledhur të gjitha të korrat, ishte festa e kasolleve, një rast i gëzueshëm kur izraelitët rrinin për një javë nëpër kasolle të bëra ndër të tjera me degë palme, për të shprehur falënderimet e tyre. (Levitiku 23:33-43) Po ashtu, edhe shumica e madhe, që përbën një pjesë të korrjes së madhe, falënderon para fronit me ‘degë palmash në duar’.—Zbulesa 7:9.
Shpallja e lajmit të mirë të përhershëm
16, 17. (a) Ku fluturonte engjëlli që pa Gjoni dhe ç’mesazh shpallte ai? (b) Cilët janë përfshirë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe cilat përvoja e tregojnë këtë?
16 Më pas, Gjoni shkroi: «Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, që t’ua shpallte si sihariq atyre që banojnë në tokë, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, dhe thoshte me një zë të fortë: ‘Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi, sepse mbërriti ora e gjykimit prej tij! Adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave!’» (Zbulesa 14:6, 7) Engjëlli fluturonte «në mes të qiellit», ku fluturojnë zogjtë. (Krahaso Zbulesën 19:17.) Pra, zëri i tij mund të dëgjohet në tërë botën. Fjalët që shpall engjëlli në tërë botën kanë një publik shumë më të gjerë se çdo lajm flesh në televizion!
17 Engjëlli i nxit të gjithë një për një të mos i frikësohen bishës dhe shëmbëlltyrës së saj, por Jehovait që është jashtëzakonisht më i fuqishëm se çdo «bishë» që përdor Satanai. Tokën dhe qiellin i ka krijuar Jehovai dhe ka ardhur koha që ai ta gjykojë tokën. (Krahaso Zanafillën 1:1; Zbulesën 11:18.) Kur ishte në tokë, Jezui profetizoi për ditët tona: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Kongregacioni i të krishterëve të mirosur po e përmbush këtë mision. (1 Korintasve 9:16; Efesianëve 6:15) Ky varg i Zbulesës na tregon se në këtë vepër predikimi janë të përfshirë edhe engjëjt e padukshëm. Sa e sa herë e kanë drejtuar engjëjt një Dëshmitar të Jehovait në një shtëpi ku ndonjë shpirt i dëshpëruar lëngonte e lutej për ndihmë frymore!
18. Cila orë ka ardhur, sipas engjëllit që fluturon në mes të qiellit, dhe kush do t’i shpallë mesazhet e tjera?
18 Siç shpall engjëlli që fluturon në mes të qiellit, ka ardhur ora e gjykimit. Çfarë gjykimi do të japë Perëndia? Njoftimet që do të bëjnë engjëlli i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë do t’i tronditin njerëzit.—Jeremia 19:3.
[Shënimet]
a Siç tregohet te 1 Korintasve 4:8, të krishterët e mirosur nuk janë mbretër gjatë kohës që janë në tokë. Megjithatë, sipas kontekstit të Zbulesës 14:3, 6, 12, 13, ata këndojnë këngën e re bashkë me të tjerët, duke predikuar lajmin e mirë, ndërkohë që qëndrojnë besnikë deri në fund të jetës së tyre në tokë.
b Këtë e vërtetojnë edhe vegime të tjera të Zbulesës, ku ai ka përdorur emra në hebraisht. Për shembull, Jezuin e ka quajtur «Abadon» (që në hebraisht do të thotë «shkatërrim»), kurse ekzekutimi i gjykimit do të zhvillohet në një vend «që në hebraisht quhet Harmagedon».—Zbulesa 9:11; 16:16.
c Shkrimi thotë «një si këngë të re», pasi kënga në vetvete u shkrua në fjalën profetike në kohët e lashta, por askush nuk i plotësonte kërkesat për ta kënduar. Mirëpo me vendosjen e Mbretërisë dhe me ringjalljen e të shenjtëve, profecitë ishin përmbushur përnjëherësh dhe kishte ardhur koha që kënga të këndohej me tërë madhështinë e saj.
d Kjo mund të krahasohet me skllavin e besueshëm dhe të matur që u jep ushqim shërbëtorëve të shtëpisë së vet në kohën e duhur. (Mateu 24:45) Skllavi si grup ka përgjegjësinë të sigurojë ushqimin, kurse shërbëtorët e shtëpisë, si individë të atij grupi, ushqehen me këto masa frymore. Pra, skllavi dhe shërbëtorët e shtëpisë përfaqësojnë anëtarët e të njëjtit grup, që paraqiten herë kolektivisht, herë si individë.
[Figurat në faqet 202, 203]
144.000 të mirosurit
24 pleqtë
Ata që do të mbretërojnë bashkë me Krishtin Jezu, të parë nga dy këndvështrime të ndryshme