Pse ‘vazhdojmë të japim shumë fryt’
«Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.»—GJONI 15:8.
1, 2. (a) Çfarë u tregoi Jezui dishepujve të tij pak para se të vdiste? (Shih figurën hapëse.) (b) Pse është e rëndësishme që t’i mbajmë në mendje arsyet pse predikojmë? (c) Çfarë do të shqyrtojmë?
MBRËMJEN para se të vdiste, Jezui bisedoi gjerë e gjatë me apostujt dhe i siguroi për dashurinë e tij të thellë. Veç kësaj, u tregoi një ilustrim për një hardhi, që e shqyrtuam në artikullin e kaluar. Nëpërmjet këtij ilustrimi, Jezui i nxiti dishepujt e tij ‘të vazhdonin të jepnin shumë fryt’—të tregonin qëndrueshmëri teksa predikonin mesazhin e Mbretërisë.—Gjoni 15:8.
2 Megjithatë, Jezui nuk u tha dishepujve vetëm çfarë duhej të bënin, por edhe pse duhej ta bënin. U dha disa arsye për të kryer veprën e predikimit. Pse është e rëndësishme që t’i shqyrtojmë këto arsye? Kur i mbajmë në mendje arsyet pse duhet të vazhdojmë të predikojmë, motivohemi të tregojmë qëndrueshmëri ndërsa japim «dëshmi për të gjitha kombet». (Mat. 24:13, 14) Prandaj, le të shqyrtojmë katër arsye biblike për të predikuar. Gjithashtu, do të shqyrtojmë katër dhurata nga Jehovai që na ndihmojnë të japim fryt me qëndrueshmëri.
I JAPIM LAVDI JEHOVAIT
3. (a) Cilën arsye për të predikuar na jep Gjoni 15:8? (b) Sipas ilustrimit të Jezuit, çfarë paraqesin bistakët e rrushit, dhe pse ky është një krahasim i goditur?
3 Arsyeja kryesore pse marrim pjesë në veprën e predikimit është që t’i japim lavdi Jehovait dhe të shenjtërojmë emrin e tij para gjithë njerëzimit. (Lexo Gjonin 15:1, 8.) Vër re se Jezui e krahasoi Atin e tij, Jehovain, me një kultivues, ose kopshtar, që rrit bistakë rrushi. Jezui e krahasoi veten me një hardhi, ose me trungun e saj, dhe dishepujt e tij me degët. (Gjoni 15:5) Kështu, bistakët e rrushit paraqesin me të drejtë frytin e Mbretërisë që japin dishepujt e Krishtit. Jezui u tha apostujve: «Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt.» Ashtu si hardhia që prodhon rrush të mirë e nderon kultivuesin, edhe ne e nderojmë Jehovain, ose i japim lavdi, kur shpallim mesazhin e Mbretërisë duke bërë maksimumin tonë.—Mat. 25:20-23.
4. (a) Në cilat mënyra e shenjtërojmë emrin e Perëndisë? (b) Si ndihesh që ke privilegjin të shenjtërosh emrin e Perëndisë?
4 Si e shenjtëron emrin e Perëndisë vepra jonë e predikimit? Ne nuk mund ta bëjmë më të shenjtë emrin e Perëndisë. Ai tashmë është i shenjtë në kuptimin absolut. Por vër re çfarë tha profeti Isaia: «Jehovain e ushtrive, Atë duhet të shenjtëroni [të konsideroni të shenjtë].» (Isa. 8:13) Një nga mënyrat si e shenjtërojmë emrin e Perëndisë është duke e konsideruar si të veçuar nga çdo emër tjetër dhe duke i ndihmuar të tjerët ta konsiderojnë të shenjtë. (Mat. 6:9) Për shembull, kur shpallim të vërtetën për cilësitë e mrekullueshme të Jehovait dhe qëllimin e tij të pandryshueshëm për njerëzimin, po mbrojmë emrin e Tij nga gënjeshtrat dhe shpifjet e Satanait. (Zan. 3:1-5) Veç kësaj, kur bëjmë çmos t’i ndihmojmë njerëzit në territor të kuptojnë se Jehovai është i denjë ‘të marrë lavdinë, nderimin dhe fuqinë’, shenjtërojmë emrin e Tij. (Zbul. 4:11) Runi, një pionier prej 16 vjetësh, thotë: «Më është dhënë mundësia të dëshmoj për Krijuesin e universit. Kjo më bën të ndihem mirënjohës e të kem dëshirë të vazhdoj të predikoj.»
E DUAM JEHOVAIN DHE BIRIN E TIJ
5. (a) Cila arsye për të predikuar përmendet te Gjoni 15:9, 10? (b) Si e theksoi Jezui sa e nevojshme është qëndrueshmëria?
5 Lexo Gjonin 15:9, 10. Dashuria jonë me gjithë zemër për Jehovain dhe për Jezuin është një arsye e rëndësishme pse predikojmë mesazhin e Mbretërisë. (Mar. 12:30; Gjoni 14:15) Jezui nuk u tha dishepujve thjesht të ishin në dashurinë e tij, por ‘të qëndronin në dashurinë e tij’. Pse? Sepse që të jetosh si dishepull i vërtetë i Krishtit vit pas viti kërkohet qëndrueshmëri. Jezui e theksoi sa e nevojshme është qëndrueshmëria duke e përsëritur shumë herë në forma të ndryshme fjalën ‘qëndroj’ në fragmentin e shkurtër të dokumentuar te Gjoni 15:4-10.
6. Si e tregojmë se duam të qëndrojmë në dashurinë e Krishtit?
6 Si e tregojmë se duam të qëndrojmë në dashurinë e Krishtit dhe të vazhdojmë të kemi miratimin e tij? Duke zbatuar urdhërimet e Jezuit. E thënë thjesht, Jezui na kërkon t’i bindemi. Ama, Jezui na kërkon të bëjmë vetëm atë që bëri edhe vetë, pasi më tej shtoi: «Ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» Jezui na ka lënë shembullin.—Gjoni 13:15.
7. Si lidhet bindja me dashurinë?
7 Duke treguar lidhjen mes bindjes dhe dashurisë, Jezui u tha më parë apostujve: «Ai që i pranon urdhërimet e mia dhe i zbaton, më do.» (Gjoni 14:21) Veç kësaj, duke zbatuar urdhërimin e Jezuit që të shkojmë e të predikojmë, tregojmë edhe dashurinë tonë për Perëndinë, sepse urdhërimet e Jezuit pasqyrojnë mënyrën si mendon Ati i tij. (Mat. 17:5; Gjoni 8:28) Jehovai dhe Jezui i përgjigjen dashurisë që shfaqim për ta duke na mbajtur në dashurinë e tyre.
PARALAJMËROJMË NJERËZIT
8, 9. (a) Cilën arsye të mëtejshme kemi për të predikuar? (b) Pse fjalët e Jehovait tek Ezekieli 3:18, 19 dhe 18:23 na nxitin të vazhdojmë të predikojmë?
8 Kemi një arsye të mëtejshme për të vazhduar veprën tonë të predikimit. Ne predikojmë për të paralajmëruar njerëzit. Në Bibël, Noeja quhet «predikues». (Lexo 2 Pjetrit 2:5.) Vepra e tij e predikimit para Përmbytjes duhet të ketë përfshirë një paralajmërim për shkatërrimin që do të vinte. Pse mund të arrijmë në këtë përfundim? Vër re çfarë tha Jezui: «Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.» (Mat. 24:38, 39) Pavarësisht nga indiferentizmi i njerëzve, Noeja shpalli me besnikëri mesazhin paralajmërues që i kishte dhënë Jehovai.
9 Sot ne e predikojmë mesazhin e Mbretërisë që t’u japim njerëzve një mundësi të mësojnë cili është vullneti i Perëndisë për njerëzimin. Njësoj si Jehovai, edhe ne duam me gjithë shpirt që njerëzit t’ia vënë veshin mesazhit dhe ‘të vazhdojnë të jetojnë’. (Ezek. 18:23) Ndërkohë, kur predikojmë shtëpi më shtëpi dhe në vende publike, paralajmërojmë sa më shumë veta të jetë e mundur se Mbretëria e Perëndisë do të vijë e do t’i japë fund kësaj bote të ligë.—Ezek. 3:18, 19; Dan. 2:44; Zbul. 14:6, 7.
I DUAM NJERËZIT
10. (a) Cila arsye për të predikuar përmendet te Mateu 22:39? (b) Tregoni si ndihmuan një rojë burgu në Filipi Pavli dhe Sila.
10 Ja një arsye tjetër e rëndësishme pse vazhdojmë veprën e predikimit: ne predikojmë ngaqë i duam njerëzit. (Mat. 22:39) Kjo dashuri na shtyn të tregojmë qëndrueshmëri në këtë vepër, pasi e kuptojmë se njerëzit mund të ndryshojnë qëndrim kur u ndryshojnë rrethanat. Mendo pak për atë që u ndodhi Pavlit dhe shokut të tij, Silës. Në qytetin e Filipisë, kundërshtarët i futën në burg. Pastaj, në mes të natës, një tërmet befas tronditi burgun dhe hapi dyert e tij. Nga frika se mos të burgosurit ia kishin mbathur, roja u bë gati të vriste veten. Por Pavli i thirri: «Mos i bëj keq vetes!» Roja i dëshpëruar pyeti: «Ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» Pavli dhe Sila i thanë: «Ki besim te Zotëria Jezu e do të shpëtosh.»—Vep. 16:25-34.
11, 12. (a) Si lidhet tregimi për rojën e burgut me shërbimin tonë? (b) Për çfarë duam të jemi në dispozicion?
11 Si lidhet tregimi për rojën me veprën tonë të predikimit? Mendo pak: roja ndryshoi qëndrim dhe kërkoi ndihmë vetëm pasi ra tërmeti. Po kështu, disa njerëz sot që nuk e kanë pranuar më parë mesazhin e Biblës mund të ndryshojnë qëndrim dhe të kërkojnë ndihmë kur shkunden befas nga një ngjarje që është si një tërmet në jetën e tyre. Për shembull, disa në territor mund të kenë humbur papritur punën që e kanë pasur prej shumë kohësh e ndihen të tronditur. Të tjerë mund të ndihen të dërrmuar pasi u është prishur martesa kohët e fundit. Të tjerë akoma mund të jenë të çoroditur pasi janë diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, ose mund të jenë zemërvrarë pasi vdekja u ka rrëmbyer një njeri të dashur. Kur ndodhin ngjarje të tilla, disa individë të dëshpëruar mund të ngrenë pyetje për kuptimin e jetës që dikur i kanë shpërfillur. Mbase vrasin mendjen: «Ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» Kur i takojmë, ata mund të duan ta dëgjojnë mesazhin tonë të shpresës për herë të parë në jetë.
12 Prandaj, duke vazhduar me besnikëri veprën tonë të predikimit, sigurohemi se do të jemi në dispozicion për t’i ngushëlluar njerëzit në një moment kur mund të jenë gati ta pranojnë këtë. (Isa. 61:1) Sharlota, që ka 38 vjet në shërbimin e plotkohor, thotë: «Sot njerëzit janë krejt të çorientuar. Kanë nevojë për një shans që të dëgjojnë lajmin e mirë.» Ejvora, një pioniere prej 34 vjetësh, shprehet: «Sot më shumë se kurrë, mjaft veta ndihen përtokë. Dua vërtet t’i ndihmoj. Kjo më shtyn të predikoj.» Dashuri për njerëzit—një arsye e shkëlqyer për të vazhduar shërbimin tonë!
DHURATA QË NA NDIHMOJNË TË QËNDROJMË
13, 14. (a) Cila dhuratë përmendet te Gjoni 15:11? (b) Si do të bëhet yni gëzimi i Jezuit? (c) Si ndikon gëzimi në shërbimin tonë?
13 Gjatë mbrëmjes së fundit para se të vdiste, Jezui u përmendi apostujve edhe disa dhurata që do t’i ndihmonin të jepnin fryt me qëndrueshmëri. Cilat janë këto dhurata dhe si nxjerrim dobi prej tyre?
14 Dhurata e gëzimit. A do të na bëhet barrë bindja ndaj urdhrit të Jezuit për të predikuar? Përkundrazi. Pasi tregoi ilustrimin me hardhinë, Jezui tha se ne, si predikues të Mbretërisë, do të provojmë gëzim. (Lexo Gjonin 15:11.) Në fakt ai na siguroi se gëzimi i tij do të bëhet yni. Në ç’mënyrë? Siç e thamë më parë, Jezui e krahasoi veten me një hardhi dhe dishepujt e tij me degët. Hardhia i mban degët. Për sa kohë që degët janë të kapura pas hardhisë, marrin ujin dhe ushqimin që vjen prej saj. Po kështu, për sa kohë qëndrojmë në unitet me Krishtin duke ndjekur me kujdes gjurmët e tij, ne provojmë të njëjtin gëzim që ndien ai teksa bën vullnetin e Atit të tij. (Gjoni 4:34; 17:13; 1 Pjet. 2:21) Hana, një pioniere prej më se 40 vjetësh, thotë: «Gëzimi që ndiej çdo herë pas shërbimit, më nxit të vazhdoj t’i shërbej Jehovait.» Po, ky gëzim me rrënjë të thella na jep forcë që të vazhdojmë të predikojmë edhe në territore të vështira.—Mat. 5:10-12.
15. (a) Cila dhuratë përmendet te Gjoni 14:27? (b) Pse paqja na ndihmon të vazhdojmë të japim fryt?
15 Dhurata e paqes. (Lexo Gjonin 14:27.) Gjatë mbrëmjes së fundit para se të vdiste, Jezui u kishte thënë më parë apostujve: «Po ju jap paqen time.» Si na ndihmon kjo dhuratë, paqja e tij, të japim fryt? Ndërsa tregojmë qëndrueshmëri, provojmë në zemër një ndjenjë paqeje të vazhdueshme që vjen nga dijenia se kemi miratimin e Jehovait e të Jezuit. (Psal. 149:4; Rom. 5:3, 4; Kolos. 3:15) Ulfi, që ka shërbyer në kohë të plotë për 45 vjet, thotë: «Në veprën e predikimit lodhem, por ajo i jep kuptim dhe kënaqësi të vërtetë jetës sime.» Sa mirënjohës ndihemi që jemi bekuar me një paqe të brendshme që nuk shuhet!
16. (a) Cila dhuratë përmendet te Gjoni 15:15? (b) Si mund të mbeteshin apostujt miq të Jezuit?
16 Dhurata e miqësisë. Pasi shprehu dëshirën që gëzimi i apostujve ‘të bëhej i plotë’, Jezui u shpjegoi sa rëndësi ka të shfaqësh dashuri vetëmohuese. (Gjoni 15:11-13) Më tej, ai pohoi: «Ju kam quajtur miq.» Çfarë dhurate e vyer—miqësi me Jezuin! Ç’duhej të bënin apostujt që të mbeteshin miqtë e tij? Duhej ‘të vazhdonin të jepnin fryt’. (Lexo Gjonin 15:14-16.) Rreth dy vjet më parë, Jezui i kishte udhëzuar apostujt të vazhdonin të predikonin duke thënë: «Mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 10:7) Kështu, gjatë asaj mbrëmjeje të fundit, ai i inkurajoi të tregonin qëndrueshmëri në veprën që kishin nisur. (Mat. 24:13; Mar. 3:14) Ishte e vështirë të zbatonin urdhrin e Jezuit, por ata mund t’ia dilnin mbanë—e kështu të mbeteshin miqtë e tij. Si mund t’ia dilnin? Me ndihmën e një dhurate tjetër.
17, 18. (a) Cila dhuratë përmendet te Gjoni 15:16? (b) Si do t’i ndihmonte kjo dhuratë dishepujt e Jezuit? (c) Cilat dhurata na japin forcë sot?
17 Dhurata e përgjigjeve që marrin lutjet. Jezui tha: «Pavarësisht se çfarë i kërkoni Atit në emrin tim, ai [do] t’jua japë.» (Gjoni 15:16) Sa forcë duhet t’u ketë dhënë ky premtim apostujve!a Vërtet, edhe pse nuk e kuptuan qartë se pas pak Udhëheqësi i tyre do të vdiste, ata nuk do të mbeteshin pa mbështetje. Jehovai ishte gati t’u përgjigjej lutjeve të tyre për çfarëdo ndihme t’u nevojitej për të zbatuar urdhrin që të predikonin mesazhin e Mbretërisë. E vërtet, pak më vonë ata e provuan vetë se si iu përgjigj Jehovai lutjeve të tyre për ndihmë.—Vep. 4:29, 31.
18 Kështu është edhe për ne sot. Ndërsa japim fryt me qëndrueshmëri, gëzojmë miqësinë e Jezuit. Veç kësaj, mund të jemi të sigurt se Jehovai është gati t’u përgjigjet lutjeve tona për ndihmë që të kapërcejmë pengesat që mund të hasim teksa predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. (Filip. 4:13) Sa mirënjohës ndihemi për këto bekime: përgjigjet që marrin lutjet tona dhe miqësia me Jezuin! Këto dhurata nga Jehovai na forcojnë që të vazhdojmë të japim fryt.—Jak. 1:17.
19. (a) Pse vazhdojmë të marrim pjesë në veprën e predikimit? (b) Çfarë na ndihmon ta çojmë deri në fund veprën e Perëndisë?
19 Siç e shqyrtuam në këtë artikull, ne vazhdojmë të marrim pjesë në veprën e predikimit që t’i japim lavdi Jehovait e të shenjtërojmë emrin e tij, që të tregojmë dashuri për Jehovain e Jezuin, që t’i paralajmërojmë njerëzit pa kursim dhe që t’u tregojmë dashuri. Veç kësaj, gëzimi, paqja, miqësia me Jezuin dhe përgjigjet që marrin lutjet tona, janë dhurata që na japin forcë për ta çuar deri në fund veprën e Perëndisë. Sa i kënaqur do të ndihet Jehovai teksa vëren përpjekjet tona me gjithë shpirt ‘që të vazhdojmë të japim shumë fryt’!
a Gjatë bisedës me apostujt, Jezui i siguroi shumë herë se lutjet e tyre do të merrnin përgjigje.—Gjoni 14:13; 15:7, 16; 16:23.