Libri biblik numër 62—1 Gjonit
Shkrimtari: Apostulli Gjon
Vendi ku u shkrua: Efes ose pranë
Shkrimi përfundoi: rr. 98 të e.s.
1. (a) Cila cilësi përshkon shkrimet e Gjonit, e megjithatë, ç’gjë tregon se ai nuk ishte sentimental? (b) Pse tri letrat e tij ishin në kohë?
GJONI, apostulli që Jezu Krishti e donte shumë, kishte një dashuri të fortë për drejtësinë. Kjo e ndihmoi të kuptonte thellë mënyrën e të menduarit të Jezuit. Ndaj nuk habitemi që tema e dashurisë mbizotëron në shkrimet e tij. Sidoqoftë, ai nuk ishte sentimental, sepse Jezui tha se ai ishte një nga ‘Bijtë e bubullimës [Boanerges]’. (Mar. 3:17) Në fakt, ai i shkroi tri letrat e tij për të mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë, sepse kishte dalë hapur apostazia e parathënë nga apostulli Pavël. Tri letrat e Gjonit ishin vërtet në kohë, sepse i ndihmuan të krishterët e hershëm të ishin më të fortë në luftën kundër futjes së ‘të ligut’ mes tyre.—2 Sel. 2:3, 4; 1 Gjon. 2:13, 14; 5:18, 19.
2. (a) Ku duket se letrat e Gjonit u shkruan shumë më vonë se Mateu, Marku dhe letrat misionare? (b) Kur dhe ku mendohet se janë shkruar letrat?
2 Po të gjykosh nga përmbajtja, këto letra i përkasin një periudhe shumë më të vonë se Ungjilli i Mateut dhe i Markut, madje edhe më të vonë se letrat misionare të Pjetrit dhe të Pavlit. Kohët kishin ndryshuar. Nuk përmendet fare judaizmi, kërcënimi më i madh për kongregacionet kur s’kishin shumë që kishin dalë në dritë. Për më tepër, nuk shfaqet as edhe një citim i drejtpërdrejtë nga Shkrimet Hebraike. Përkundrazi, Gjoni flet për ‘orën e fundit’ dhe shfaqjen e ‘shumë antikrishtërve’. (1 Gjon. 2:18) Ai u drejtohet lexuesve me shprehje si «fëmijët e mi të vegjël» dhe veten e paraqit si «plaku». (1 Gjon. 2:1, 12, 13, 18, 28; 3:7, 18; 4:4; 5:21; 2 Gjon. 1; 3 Gjon. 1) Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se tri letrat e tij janë shkruar në një datë të vonë. Gjithashtu, 1 Gjonit 1:3, 4 duket që tregon se Ungjilli i Gjonit u shkrua rreth së njëjtës periudhë. Në përgjithësi mendohet se tri letrat e Gjonit përfunduan rreth vitit 98 të e.s., pak para vdekjes së apostullit dhe se u shkruan diku afër Efesit.
3. (a) Ç’gjë e vërteton identitetin e shkrimtarit dhe autenticitetin e letrës së parë të Gjonit? (b) Cilat fjalë u futën më vonë, dhe ku duket se ato janë të shtuara?
3 Letra e parë e Gjonit u shkrua nga apostulli Gjon dhe kjo duket nga ngjashmëria e madhe e saj me Ungjillin e katërt, që pa dyshim u shkrua nga ai. Për shembull, ai e nis letrën duke e përshkruar veten si ai që pa me sytë e vet «fjalën e jetës, . . . , jetën e përhershme që ishte me Atin e na u shfaq neve», shprehje jashtëzakonisht të ngjashme me ato që hapin Ungjillin e Gjonit. Për autenticitetin e saj dëshmon Fragmenti Muratorian dhe shkrimtarë të hershëm, si Ireneu, Polikarpi dhe Papiasi, të gjithë të shekullit të dytë të e.s.a Sipas Eusebit, (rr. 260–rr. 340 të e.s.), autenticiteti i letrës së parë të Gjonit nuk është vënë kurrë në dyshim.b Megjithatë, është për t’u vërejtur se disa përkthime i kanë shtuar kapitullit 5, në fund të vargut 7 dhe në fillim të vargut 8, fjalët e mëposhtme: «Në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një. Edhe tre janë ata që dëshmojnë mbi dhe.» (Dio) Por ky fragment nuk gjendet në asnjë nga dorëshkrimet e hershme në greqisht dhe duket qartë që është shtuar për të mbështetur doktrinën e Trinitetit. Shumica e përkthimeve moderne, si katolike edhe protestante, nuk i përfshijnë këto fjalë në tekstin kryesor.—1 Gjon. 1:1, 2.c
4. Nga cilët mundohet t’i ruajë Gjoni të bashkëkrishterët dhe cilat mësime të rreme hedh poshtë me prova?
4 Gjoni shkruan që t’i mbrojë ‘të dashurit’ e tij, ‘fëmijët e vegjël’, nga mësimet e rreme të ‘shumë antikrishtërve’ që kanë dalë nga gjiri i tyre e që mundohen t’i mashtrojnë që të lënë të vërtetën. (2:7, 18) Këta antikrishtër apostatë mund të jenë ndikuar nga filozofia greke, ku bënte pjesë edhe gnosticizmi i lashtë, ithtarët e të cilit thoshin se Perëndia u kishte dhënë një njohuri të veçantë mistike.d Duke mbajtur qëndrim kundër apostazisë, Gjoni trajton gjerësisht tri tema: mëkatin, dashurinë dhe antikrishtin. Deklaratat e tij për mëkatin dhe në mbështetje të flijimit të Jezuit për mëkatet, tregojnë se këta antikrishtër e mbanin veten për të drejtë dhe thoshin se nuk ishin mëkatarë e nuk kishin nevojë për flijimin shpërblyes të Jezuit. «Njohuria» që i kishte mbushur me vetëkënaqësi, i kishte kthyer në njerëz egoistë e pa dashuri, një gjendje që Gjoni e dënon duke nxjerrë vazhdimisht në pah dashurinë e vërtetë të krishterë. Veç kësaj, është e dukshme se Gjoni lufton doktrinën e tyre të rreme kur shpjegon se Jezui është Krishti, se ai kishte ekzistuar edhe para se të ishte njeri dhe se erdhi në mish si Biri i Perëndisë për të shpëtuar ata që besojnë. (1:7-10; 2:1, 2; 4:16-21; 2:22; 1:1, 2; 4:2, 3, 14, 15) Gjoni i damkos qartë këta mësues të rremë si «antikrishtër» dhe tregon mënyra të ndryshme si mund të dallohen fëmijët e Perëndisë nga fëmijët e Djallit.—2:18, 22; 4:3.
5. Ku duket se letra e parë e Gjonit ishte për të gjithë shoqërinë e krishterë?
5 Përderisa nuk i është drejtuar një kongregacioni të veçantë, me sa duket letra ishte për të gjithë shoqërinë e krishterë. Kjo duket edhe nga fakti që letra nuk fillon dhe nuk mbaron me përshëndetje. Sipas disave, ajo është më shumë një kumtesë se një letër. Përdorimi i vetës së dytë shumës, tregon se shkrimtari ia drejtoi fjalët e tij një grupi, dhe jo një individi.
PËRMBAJTJA E 1 GJONIT
6. Ç’dallim bën Gjoni ndërmjet atyre që ecin në dritë dhe atyre që ecin në errësirë?
6 Të ecin në dritë, jo në errësirë (1:1–2:29). Gjoni thotë: «Këto gjëra po jua shkruajmë, që gëzimi ynë të jetë i plotë.» Përderisa «Perëndia është dritë», vetëm ata që ‘ecin në dritë’ ‘kanë pjesë me të’ dhe me njëri-tjetrin. Këta pastrohen nga mëkati nëpërmjet ‘gjakut të Jezuit, Birit të tij’. Kurse ata që ‘ecin në errësirë’ dhe thonë «nuk kemi asnjë mëkat», mashtrojnë veten dhe e vërteta nuk është brenda tyre. Nëse i rrëfejnë mëkatet, Perëndia do të jetë i besueshëm e do t’i falë.—1:4-8.
7. (a) Si tregon një njeri se e njeh dhe e do Perëndinë? (b) Si identifikohet antikrishti?
7 Jezu Krishti identifikohet si ‘flijimi pajtues’ për mëkatet, si ‘ndihmësi pranë Atit’. Kush thotë se e njeh Perëndinë, por nuk zbaton urdhërimet e Tij, është gënjeshtar. Kush e do vëllanë e tij mbetet në dritë, por kush e urren vëllanë e tij ecën në errësirë. Gjoni këshillon me forcë që të mos e duan botën ose gjërat që janë në botë, sepse, thotë ai: «Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të.» Shumë antikrishtër kanë ardhur dhe «dolën nga gjiri ynë», shpjegon Gjoni, sepse «nuk ishin të sojit tonë». Antikrishti është ai që mohon se Jezui është Krishti. Ai mohon edhe Atin, edhe Birin. Prandaj, ‘fëmijët e vegjël’ të mbahen pas asaj që mësuan që në fillim, që ‘të qëndrojnë në unitet me Birin dhe Atin’, në përputhje me mirosjen që morën prej tij, e cila është e vërtetë.—2:1, 2, 15, 18, 19, 24.
8. (a) Ku dallohen fëmijët e Perëndisë nga ata të Djallit? (b) Si e kanë njohur dashurinë ‘fëmijët e vegjël’ dhe për çfarë duhet ta shqyrtojnë zemrën vazhdimisht?
8 Fëmijët e Perëndisë nuk praktikojnë mëkatin (3:1-24). Falë dashurisë së Atit ata quhen «fëmijë të Perëndisë» dhe kur të shfaqet Perëndia, ata do të jenë si ai e ‘do ta shohin ashtu si është’. Mëkati është paligjshmëri, dhe kush qëndron në unitet me Krishtin, nuk e praktikon. Ai që praktikon mëkatin vjen nga Djalli, veprat e të cilit do t’i zhbëjë Biri i Perëndisë. Fëmijët e Perëndisë dhe fëmijët e Djallit dallohen nga kjo: ata që vijnë nga Perëndia kanë dashuri për njëri-tjetrin, kurse ata që vijnë nga i ligu, janë si Kaini, i cili e urreu të vëllanë dhe e vrau. Gjoni u thotë ‘fëmijëve të vegjël’ se e kanë njohur dashurinë, sepse «ai dha shpirtin» për ta, dhe i nxit të mos ‘ua mbyllin derën e dhembshurive të buta’ vëllezërve të tyre. Le të ‘mos duan veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë’. Për të përcaktuar nëse ‘vijnë nga e vërteta’, duhet të shqyrtojnë çfarë kanë në zemër dhe të shohin nëse ‘bëjnë gjërat që janë të pëlqyeshme në sytë e Perëndisë’. Duhet të zbatojnë urdhërimin e tij që ‘të kenë besim në emrin e Birit të tij, Jezu Krishtit, dhe të duan njëri-tjetrin’. Kështu do ta dinë se po qëndrojnë në unitet me të dhe ai në unitet me ta nëpërmjet frymës.—3:1, 2, 16-19, 22, 23.
9. (a) Cilës provë duhet t’i nënshtrohen shprehjet e frymëzuara? (b) Si theksohet detyrimi për të dashur njëri-tjetrin?
9 Të duan njëri-tjetrin në unitet me Perëndinë (4:1–5:21). Shprehjet e frymëzuara duhen vënë në provë. Ato shprehje që mohojnë se Krishti erdhi në mish, ‘nuk vijnë nga Perëndia’, por nga antikrishti. Ata vijnë nga bota dhe janë në unitet me të, kurse shprehja e frymëzuar e së vërtetës vjen nga Perëndia. Gjoni thotë: «Perëndia është dashuri» dhe «në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona». Pra, sa i madh është detyrimi që ta duam njëri-tjetrin! Perëndia qëndron tek ata që i duan të tjerët dhe dashuria bëhet e përsosur që ‘të kenë lirshmëri në të folur’, duke e hedhur tej frikën. «Nga ana jonë,—thotë Gjoni,—ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.» «Ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.»—4:3, 8, 10, 17, 19, 21.
10. (a) Si mund ta mundin botën fëmijët e Perëndisë dhe ç’siguri kanë? (b) Si duhet ta konsiderojnë mëkatin dhe idhujtarinë?
10 Të tregojnë dashuri si fëmijë të Perëndisë, do të thotë të zbatojnë urdhërimet e tij, dhe kjo u jep mundësi të mundin botën nëpërmjet besimit. Për ata që tregojnë besim te Biri i Perëndisë, Perëndia jep dëshmi se Ai u dha «jetën e përhershme, dhe kjo jetë është në Birin e tij». Kështu, ata mund të jenë të sigurt se për çfarëdo që të kërkojnë sipas vullnetit të tij, ai do t’i dëgjojë. Çdo padrejtësi është mëkat, e megjithatë, ka një mëkat që nuk çon në vdekje. Çdo njeri që ka lindur nga Perëndia, nuk praktikon mëkatin. Megjithëse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut . . . , Biri i Perëndisë ka ardhur» dhe u ka dhënë dishepujve të tij «aftësi intelektuale» që të fitojnë njohuri për Perëndinë e vërtetë, me të cilin tani janë në unitet «me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit». Gjithashtu, duhet të ruhen nga idhujt.—5:11, 19, 20.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
11. Si mund t’i luftojnë të krishterët sot antikrishtërit dhe dëshirat e botës?
11 Njësoj si në vitet e fundit të shekullit të parë të erës sonë, edhe sot ka «shumë antikrishtër» nga të cilët të krishterët duhet të kenë kujdes. Të krishterët e vërtetë duhet të kapen fort pas ‘lajmit që dëgjuan që nga fillimi, të kenë dashuri për njëri-tjetrin’, të qëndrojnë në unitet me Perëndinë dhe mësimin e vërtetë e të praktikojnë drejtësinë me lirshmëri në të folur. (2:18; 3:11; 2:27-29) Shumë i rëndësishëm është edhe paralajmërimi kundër ‘dëshirave të mishit, dëshirave të syve dhe kapardisjes për t’u dukur’, pra, kundër atyre të këqijave materialiste të botës që kanë pushtuar shumicën e atyre që thonë se janë të krishterë. Të krishterët e vërtetë i rrinë larg botës dhe dëshirave të saj, pasi e dinë se «ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë». Në këtë epokë ku mbizotërojnë dëshirat e botës, sektarizmi dhe urrejtja, është vërtet e dobishme të studiojmë e të njohim vullnetin e Perëndisë me anë të Shkrimeve të frymëzuara dhe ta kryejmë atë vullnet!—2:15-17.
12. Cilat dallime vë në dukje letra e parë e Gjonit për dobinë tonë dhe si mund ta mundim botën?
12 Është në dobinë tonë që letra e parë e Gjonit bën të qartë dallimin mes dritës që vjen nga Ati dhe errësirës së të ligut që shkatërron të vërtetën, mes mësimeve jetëdhënëse të Perëndisë dhe gënjeshtrave e mashtrimeve të antikrishtit, mes dashurisë që përshkon tërë kongregacionin e atyre që janë në unitet me Atin e Birin dhe urrejtjes vrastare si të Kainit, që vlon tek ata që «dolën nga gjiri ynë, . . . që të tregohej qartë se jo të gjithë janë të sojit tonë». (2:19; 1:5-7; 2:8-11, 22-25; 3:23, 24, 11, 12) Duke qenë se i kuptojmë këto gjëra, duhet të provojmë dëshirë të zjarrtë ‘për të mundur botën’. Si mund ta arrijmë? Me besim të fortë dhe me ‘dashuri për Perëndinë’, që do të thotë të zbatojmë urdhërimet e tij.—5:3, 4.
13. (a) Si del në pah dashuria e Perëndisë si një forcë që nxit për të vepruar? (b) Ç’lloj dashurie duhet të ketë një i krishterë dhe ç’lidhje duhet të formojë ajo?
13 «Dashuria e Perëndisë.» Sa bukur del në pah gjatë gjithë letrës kjo forcë që nxit për të vepruar! Në kapitullin 2 vëmë re dallimin e qartë mes dashurisë së botës dhe dashurisë së Atit. Më pas, vëmendja jonë drejtohet te fakti që «Perëndia është dashuri». (4:8, 16) Dashuria e tij është konkrete! Mënyra më e mrekullueshme e shprehjes së saj ishte kur Ati dërgoi «Birin e tij si Shpëtimtar të botës». (4:14) Kjo gjë duhet të na ngjallë në zemër dashurinë plot mirënjohje e pa frikë, siç thotë edhe apostulli: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.» (4:19) Dashuria jonë duhet të jetë si ajo e Atit dhe Birit, një dashuri konkrete dhe vetëmohuese. Ashtu si Jezui dha shpirtin për ne, edhe «ne kemi detyrimin të japim shpirtin për vëllezërit tanë», po, të hapim derën e dhembshurive tona të buta që t’i duam vëllezërit jo vetëm me fjalë, por «me vepra e të vërtetë». (3:16-18) Siç tregohet shumë qartë në letrën e Gjonit, kjo dashuri bashkë me njohurinë e vërtetë për Perëndinë, i mban të bashkuar në një lidhje të pathyeshme me Atin dhe Birin ata që ecin me Perëndinë. (2:5, 6) Ja si u drejtohet Gjoni trashëgimtarëve të Mbretërisë që gëzojnë këtë lidhje të bekuar dashurie: «Me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, ne jemi në unitet me të vërtetin. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e përhershme.»—5:20.
[Shënimet]
a The International Standard Bible Encyclopedia, vëll. 2, 1982, botuar nga Xh. U. Broumëli, faqet 1095, 1096.
b Histori kishtare, vëll. III, kap. XXIV, par. 17.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 1019, anglisht.
d New Bible Dictionary, botimi i dytë, 1986, nën kujdesin e Xhejms Dikson Dagllasit, faqet 426, 604.