KAINI
[diçka e bërë].
1. Djali i parë që lindi në tokë nga çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva. Pas lindjes së Kainit, Eva tha: «Solla në jetë një burrë me ndihmën e Jehovait.» (Zn 4:1) Mos ndoshta mendonte se ishte gruaja e parathënë nga Perëndia që do të sillte farën nëpërmjet së cilës do të vinte çlirimi? (Zn 3:15) Nëse po, e kishte shumë gabim. Megjithatë, ajo kishte të drejtë kur thoshte se Kaini erdhi në jetë «me ndihmën e Jehovait», sepse ai nuk ia kishte hequr fuqinë riprodhuese çiftit mëkatar, Adamit dhe Evës, dhe sepse, kur dënoi Evën, Perëndia kishte thënë se ajo ‘do të sillte në jetë fëmijë’, por me dhembje.—Zn 3:16.
Kaini punonte tokën dhe, «pas njëfarë kohe», edhe ai njësoj si Abeli, vëllai i tij më i vogël, paraqiti para Jehovait disa blatime, pasi ndiente nevojën që të fitonte miratimin e tij. Mirëpo, Perëndia «nuk e pa fare me pëlqim» blatimin e Kainit që ishin «disa fryte të tokës». (Zn 4:2-5; krahaso Nu 16:15; Am 5:22.) Disa thonë se Kaini nuk paraqiti si blatim frytet më të zgjedhura, ndërkohë që blatimi i Abelit specifikohet se ishte nga ‘pjellat e para të kopesë, madje pjesët e tyre të dhjamura’. Megjithatë problemi nuk qëndronte te cilësia e prodhimeve që paraqiti Kaini. Siç vë në dukje Hebrenjve 11:4, blatimi i Kainit nuk motivohej nga besimi, cilësi që e bëri të pranueshëm flijimin e Abelit. Ka mundësi që Perëndia nuk e pa me pëlqim blatimin e Kainit, ngaqë ishte pa gjak, kurse ai i Abelit përfaqësonte një jetë të flijuar.
Shkrimet nuk e tregojnë se si Perëndia e bëri të ditur që njërin blatim e miratoi, kurse tjetrin jo, megjithatë kjo ishte pa dyshim e dukshme si për Kainin, edhe për Abelin. Jehovai që lexon zemrën e njeriut (1Sa 16:7; Ps 139:1-6), e dinte qëndrimin e gabuar të Kainit dhe nuk e pranoi flijimin e tij. Kjo nxori në shesh prirjen e tij të gabuar. Që nga ai moment, ai filloi të bënte hapur «veprat e mishit», si ‘armiqësitë, konfliktin, xhelozinë, shpërthimet e zemërimit’. (Ga 5:19, 20) Jehovai i tregoi këtij njeriu të ngrysur se mund të kishte pëlqimin e tij thjesht nëse kthente rrugë dhe vepronte mirë. Ai mund të ishte përulur e të ndiqte shembullin e miratuar të vëllait, megjithatë zgjodhi ta shpërfillte këshillën e Perëndisë për ta mposhtur dëshirën mëkatare që ‘përgjonte te porta’, gati ta mbërthente. (Zn 4:6, 7; krahaso Jk 1:14, 15.) Kjo sjellje kaq pa respekt ishte ‘shtegu i Kainit’.—Jd 11.
Pas kësaj, Kaini i tha vëllait të tij: «Le të shkojmë në fushë.» (Zn 4:8) (Këto fjalë nuk gjenden në tekstin masoretik. Megjithatë, disa dorëshkrime në hebraisht kanë një shenjë që tregon se është hequr diçka, kurse Pentateuku samaritan, Septuaginta greke, Peshita siriake dhe tekstet e Latinishtes së Vjetër e përfshijnë këtë deklaratë si fjalë të Kainit drejtuar Abelit.) Kur ishin në fushë, Kaini e sulmoi Abelin dhe e vrau, duke u bërë kështu njeriu i parë vrasës. Si i tillë mund të thuhet se ai ‘erdhi nga i ligu’, që është ati i vrasësve dhe i gënjeshtrës. (1Gjo 3:12; Gjo 8:44) Përgjigjja shpërfillëse e Kainit kur Jehovai e pyeti se ku ishte Abeli, ishte një tregues i mëtejshëm i qëndrimit të tij. Përgjigjja e tij nuk tregonte as pendim, as brejtje ndërgjegjeje, përkundrazi u përgjigj tërë mllef duke gënjyer: «Nuk e di. Mos jam gjë roja i tim vëllai?»—Zn 4:9.
Perëndia e dënoi Kainin duke e dëbuar nga faqja e dheut. Kjo do të thoshte se atij nuk i lejohej të qëndronte në afërsi të kopshtit të Edenit dhe se mallkimi që i ishte dhënë tashmë tokës, në rastin e tij do të ishte më i fortë, pasi ai do të derdhte mund e toka nuk do të jepte fryt. Kainit i erdhi keq për dënimin e ashpër që iu dha dhe shprehu ankthin se mos ndokush hakmerrej kundër tij për vrasjen e Abelit, por nuk shprehu aspak pendim të sinqertë. Atëherë, Jehovai «i vuri një shenjë Kainit» që të mos e vritnin, por tregimi nuk thotë se ai i vuri një shenjë ose damkë të mirëfilltë. Ka të ngjarë që ‘shenja’ të ishte vetë dekreti solemn i Perëndisë, që dihej dhe zbatohej nga të tjerët.—Zn 4:10-15; krahaso Zn 4 vrg. 24 ku ky dekret përmendet nga Lameku.
Kaini u dëbua në «tokën e Arratisë, në lindje të Edenit», dhe me vete kishte gruan e tij, një nga vajzat ose mbesat e Adamit dhe të Evës që nuk përmenden me emër. (Zn 4:16, 17; krahaso 5:4, si edhe Zn 20:12, ku bëhet fjalë për martesën e Abrahamit me Sarën, gjysmëmotrën e tij.) Pas lindjes së djalit të tij, Enokut, Kaini «nisi të ndërtonte një qytet», të cilit i vuri emrin e të birit. Sipas standardeve të tanishme, ai mund të mos ketë qenë veçse një fshat i fortifikuar dhe tregimi nuk thotë se kur përfundoi. Në Shkrime janë përmendur vetëm disa nga pasardhësit e tij dhe mes tyre ka nga ata që u shquan si çobanë shtegtarë, si muzikantë që u binin veglave muzikore, si farkëtarë veglash metali, por edhe si poligamë dhe njerëz të dhunshëm. (Zn 4:17-24) Vija gjenealogjike e Kainit mori fund gjatë Përmbytjes, në kohën e Noesë.
[2, 3: nga rrënja e fjalës që do të thotë «bëj; marr; blej»].
2. Emër i përdorur në një shprehje proverbiale të Balaamit për fisin e kenitëve. (Nu 24:22) Te Gjykatësit 4:11 është përkthyer «kenitët».—Shih KENITËT.
3. Qytet në rajonin malor të Judës. (Js 15:1, 48, 57) Mendohet se është En-Nebi-Jakini, afro 6 km në juglindje të Hebronit.