Kapitulli 12
«Vazhdo ta mbash fort atë që ke»
FILADELFIA
1. Cilit kongregacion iu drejtua mesazhi i gjashtë i Jezuit dhe ç’do të thotë emri i atij qyteti?
PËRZEMËRSIA VËLLAZËRORE! Ç’cilësi e dëshirueshme që është! Sigurisht Jezui pati në mendje këtë cilësi, kur dha mesazhin e gjashtë, të cilin ia drejtoi kongregacionit të Filadelfias, pasi ky emër do të thotë «përzemërsi vëllazërore». Gjoni i thyer në moshë ende e mbante mend rastin kur Pjetri, më shumë se 60 vjet më parë, këmbënguli tri herë para Zotërisë Jezu se e kishte shumë për zemër. (Gjoni 21:15-17) Po të krishterët në Filadelfia, a po tregonin përzemërsi vëllazërore? Me sa duket, po.
2. Ç’qytet ishte Filadelfia dhe si ishte kongregacioni i atjeshëm? Çfarë i tha Jezui engjëllit të këtij kongregacioni?
2 Filadelfia gjendej rreth 50 kilometra në juglindje të Sardës (ku sot është Alasehiri, një qytet modern në Turqi), dhe në kohën e Gjonit ishte një qytet mjaft i begatë. Por ajo që të binte më shumë në sy në këtë qytet, ishte begatia e kongregacionit të krishterë. Me sa gëzim duhet ta kenë pritur të krishterët e Filadelfias shërbëtorin që me sa duket u nis për atje nga Sarda! Mesazhi që sillte, kishte këshilla nxitëse për ta. Megjithatë, fjalët e para të mesazhit tërhiqnin vëmendjen tek autoriteti i Personit të ndritur që e dërgonte. Mesazhi thoshte: «Engjëllit të kongregacionit në Filadelfia shkruaji: ‘Kështu thotë ai që është i shenjtë dhe i vërtetë, që ka çelësin e Davidit, i cili hap dhe askush nuk mbyll, mbyll dhe askush nuk hap.’»—Zbulesa 3:7.
3. Pse është me vend që Jezui të quhet «i shenjtë», dhe në ç’kuptim mund të thuhet se ai është «i vërtetë»?
3 Gjoni e kishte dëgjuar Pjetrin t’i thoshte Jezu Krishtit kur ishte në formë njeriu: «Ti ke fjalë jete të përhershme dhe ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:68, 69) Përderisa Perëndia Jehova është mishërimi i shenjtërisë, edhe Biri i tij i vetëmlindur duhet të jetë «i shenjtë». (Zbulesa 4:8) Veç kësaj, Jezui është «i vërtetë». Fjala greke (alethinós) që përdoret këtu, do të thotë vërtetësi, diçka e vërtetë. Sipas këtij kuptimi, Jezui është drita e vërtetë dhe buka e vërtetë që zbriti nga qielli. (Gjoni 1:9; 6:32) Ai është hardhia e vërtetë. (Gjoni 15:1) Jezui është i vërtetë edhe në kuptimin që është i besueshëm. Ai thotë gjithnjë të vërtetën. (Shih Gjonin 8:14, 17, 26.) Pra, ky Bir i Perëndisë është vërtet i denjë të shërbejë si Mbret dhe Gjykatës.—Zbulesa 19:11, 16.
‘Çelësi i Davidit’
4, 5. Me cilën besëlidhje kishte të bënte ‘çelësi i Davidit’?
4 Jezui ka «çelësin e Davidit». Me të ai «hap dhe askush nuk mbyll, mbyll dhe askush nuk hap». Por, ç’është ‘çelësi i Davidit’?
5 Me Davidin, mbretin e Izraelit, Jehovai bëri një besëlidhje për një mbretëri të përjetshme. (Psalmi 89:1-4, 34-37) Shtëpia e Davidit sundoi në Jerusalem nga froni i Jehovait nga viti 1070 p.e.s. deri në vitin 607 p.e.s., por më vonë Perëndia ekzekutoi gjykimin e vet mbi atë mbretëri, sepse iu kthye sërish ligësisë. Kështu Jehovai filloi të përmbushte profecinë që tha tek Ezekieli 21:27: «Rrënojë! Rrënojë! Unë do ta kthej atë [Jerusalemin në tokë] në një rrënojë. Ajo [domethënë, e drejta e linjës së Davidit për të mbretëruar, që përfaqësohet nga skeptri] nuk do t’i jepet askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore, dhe atij do t’ia jap.»
6, 7. Kur dhe si do të shfaqej ai që kishte ‘të drejtën ligjore’?
6 Kur dhe si do të shfaqej ai që ‘kishte të drejtën ligjore’? Si do t’i jepej skeptri i mbretërisë së Davidit?
7 Rreth 600 vjet më vonë, një pasardhëse e Davidit, Maria, një vajzë e re nga Judea, edhe pse e virgjër, mbeti shtatzënë nga fryma e shenjtë. Perëndia dërgoi engjëllin Gabriel që t’i tregonte se do të lindte një djalë dhe do t’ia vinin emrin Jezu. Gabrieli shtoi: «Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.»—Luka 1:31-33.
8. Si tregoi Jezui se i përmbushte të gjitha kushtet që të trashëgonte mbretërinë e Davidit?
8 Në vitin 29 të e.s., Jezui u pagëzua në lumin Jordan dhe u miros me frymën e shenjtë. Kështu u bë Mbreti i emëruar në linjën e Davidit. Ai e predikoi lajmin e mirë të Mbretërisë me një zell shembullor, dhe ua ngarkoi veprën e predikimit edhe dishepujve të tij. (Mateu 4:23; 10:7, 11) Jezui u përul deri aty sa vdiq në një shtyllë torture, dhe tregoi se i përmbushte të gjitha kushtet që të trashëgonte linjën mbretërore të Davidit. Jehovai e ringjalli Jezuin si person frymor të pavdekshëm dhe e lartësoi në të djathtën e tij në qiell. Atje ai trashëgoi të gjitha të drejtat e mbretërisë së Davidit. Në kohën e caktuar, Jezui do të përdorte të drejtën e vet ‘që të shkonte mes armiqve të tij e t’i nënshtronte’.—Psalmi 110:1, 2; Filipianëve 2:8, 9; Hebrenjve 10:13, 14.
9. Si e përdor Jezui çelësin e Davidit për të hapur dhe për të mbyllur?
9 Ndërkohë Jezui do të përdorte çelësin e Davidit, në kuptimin që do t’u hapte rrugën shumë mundësive dhe privilegjeve në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë. Nëpërmjet Jezuit, tani Jehovai do t’i çlironte të krishterët e mirosur në tokë «nga pushteti i errësirës» për t’i çuar në «mbretërinë e Birit të dashurisë së tij». (Kolosianëve 1:13, 14) Veç kësaj, çelësi do të përdorej për të mos ia lejuar këto privilegje ndonjërit që nuk do të qëndronte besnik. (2 Timoteut 2:12, 13) Meqenëse ky trashëgimtar i përhershëm i mbretërisë së Davidit gëzon mbështetjen e Jehovait, asnjë krijesë s’mund ta pengojë të përmbushë këto detyra.—Krahaso Mateun 28:18-20.
10. Si e inkurajoi Jezui kongregacionin e Filadelfias?
10 Jezui i lavdëroi të krishterët e Filadelfias me fjalët: «I njoh veprat e tua (ja, kam hapur para teje një derë që askush s’mund ta mbyllë) dhe e di se ke pak fuqi, se e ruajte fjalën time dhe nuk e mohove emrin tim.» (Zbulesa 3:8) Duke e ditur se këto fjalë vinin nga një autoritet i madh siç ishte Jezui, të krishterët në Filadelfia duhet të kenë marrë një forcë të jashtëzakonshme. Kongregacioni kishte qenë shumë aktiv, dhe para tij ishte hapur një derë—pa dyshim një derë që u jepte mundësi t’i shërbenin Perëndisë. (Krahaso 1 Korintasve 16:9; 2 Korintasve 2:12.) Ndaj Jezui e inkurajoi kongregacionin të përfitonte sa më shumë nga mundësia që i ishte dhënë për të predikuar. Ata kishin treguar se ishin të qëndrueshëm dhe se kishin mjaft fuqi, që me ndihmën e frymës së Perëndisë, të vazhdonin të kryenin ‘vepra’ të tjera në shërbim të Jehovait. (2 Korintasve 12:10; Zakaria 4:6) Ata u ishin bindur urdhrave të Jezuit dhe nuk e kishin mohuar Krishtin, as me fjalë e as me vepra.
«Do të përkulen para teje»
11. Çfarë u premtoi Jezui të krishterëve dhe si u përmbush?
11 Ja çfarë u premtoi Jezui në këmbim të krishterëve të atij kongregacioni: «Ja, do të dorëzoj ata të sinagogës së Satanait që thonë se janë judenj, por nuk janë, përkundrazi gënjejnë. Do t’i bëj të vijnë e të bëjnë nderime përpara këmbëve të tua dhe do t’i bëj të kuptojnë se unë të kam dashur.» (Zbulesa 3:9) Njësoj si kongregacioni i Smirnës, ndoshta të krishterët në këtë qytet kishin pasur probleme me judenjtë e atjeshëm. Jezui i quajti ata ‘sinagogë e Satanait’. Sidoqoftë, s’do të vononte shumë dhe të paktën disa nga këta judenj do të kuptonin se ç’ka kishin predikuar të krishterët për Jezuin ishin të vërteta. Ndoshta ‘do të bënin nderime’, si ato që përshkroi Pavli te 1 Korintasve 14:24, 25, domethënë duke u penduar vërtet, duke u bërë të krishterë e duke u bërë plotësisht të vetëdijshëm për dashurinë e madhe që kish treguar Jezui, duke dhënë jetën për dishepujt e tij.—Gjoni 15:12, 13.
12. Pse do të habiteshin anëtarët e sinagogës judaike, kur të mësonin se disa prej tyre ‘do të përkuleshin’ para komunitetit të krishterë të atij qyteti?
12 Anëtarët e sinagogës judaike në Filadelfia, do të habiteshin kur të mësonin se disa prej tyre ‘do t’i bënin nderime’ komunitetit të krishterë në atë qytet. Përderisa ishte e sigurt se në atë kongregacion shumica ishin jojudenj, ata ndoshta pandehnin se do të ndodhte e kundërta. Pse? Sepse Isaia kishte parathënë: «Mbretërit [jojudenj] do të bëhen kujdestarët e tu [të popullit të Izraelit] dhe princeshat e tyre do të jenë tajat e tua. Ata do të përkulen para teje me fytyrën përdhe.» (Isaia 49:23; 45:14; 60:14) Po ashtu, Zakaria kishte shkruar: «Ato ditë, dhjetë burra [jojudenj] nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23) Pra, jojudenjtë do të përkuleshin para judenjve dhe jo anasjelltas.
13. Cilët judenj do të përjetonin përmbushjen e profecive që i ishin drejtuar Izraelit të lashtë?
13 Ato profeci i drejtoheshin kombit të zgjedhur të Perëndisë. Në kohën kur u shpallën, kombi i Izraelit gëzonte një pozitë të nderuar. Por kur judenjtë nuk pranuan Mesinë, Jehovai i hodhi poshtë. (Mateu 15:3-9; 21:42, 43; Luka 12:32; Gjoni 1:10, 11) Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ai zgjodhi në vend të tyre Izraelin e vërtetë, kongregacionin e krishterë, që do t’i shërbente atij. Anëtarët e tij janë judenj frymorë që kanë bërë rrethprerjen e vërtetë, atë të zemrës. (Veprat 2:1-4, 41, 42; Romakëve 2:28, 29; Galatasve 6:16) Që nga ajo kohë, mënyra e vetme që një jude të kishte një marrëdhënie të miratuar me Jehovain, ishte besimi te Jezui si Mesia. (Mateu 23:37-39) Me sa duket, pikërisht kjo do të ndodhte me disa judenj në Filadelfia.a
14. Si kanë pasur një përmbushje domethënëse në kohën tonë Isaia 49:23 dhe Zakaria 8:23?
14 Profeci si ato të Isaisë 49:23 dhe Zakarisë 8:23 janë përmbushur në mënyrë domethënëse në kohën tonë. Falë predikimit të anëtarëve të klasës së Gjonit, një numër shumë i madh njerëzish kanë kapërcyer derën e hapur për t’i shërbyer Mbretërisë.b Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur nga «krishterimi», fetë e të cilit pretendojnë se janë Izraeli frymor. (Krahaso Romakëve 9:6.) Ata formojnë shumicën e madhe dhe i lajnë petkat e i zbardhin, duke treguar besim te gjaku që Jezui derdhi si flijim. (Zbulesa 7:9, 10, 14) Duke iu bindur Mbretërisë së Krishtit, ata shpresojnë të gëzojnë bekimet e saj këtu në tokë. Ata shkojnë te vëllezërit e mirosur të Jezuit dhe ‘përkulen’ para tyre, në kuptimin frymor, sepse ‘kanë dëgjuar se Perëndia është me ta’. U shërbejnë këtyre të mirosurve, me të cilët janë bashkuar për të formuar një shoqëri mbarëbotërore vëllezërish.—Mateu 25:34-40; 1 Pjetrit 5:9.
‘Ora e sprovës’
15. (a) Çfarë u premtoi Jezui të krishterëve në Filadelfia dhe çfarë u inkurajuan të bënin? (b) Cilën ‘kurorë’ prisnin të merrnin të krishterët?
15 Jezui vazhdoi: «Meqë e ruajte fjalën për qëndrueshmërinë time, edhe unë do të të ruaj në orën e sprovës që do të vijë mbi mbarë tokën e banuar, që të vërë në sprovë ata që banojnë në tokë. Po vij me të shpejtë. Vazhdo të mbash fort atë që ke, që askush të mos e marrë kurorën tënde.» (Zbulesa 3:10, 11) Megjithëse të krishterët e kohës së Gjonit nuk do të ishin gjallë në ditën e Zotërisë (që filloi në vitin 1914), bindja se Jezui do të vinte, do t’u jepte fuqi të vazhdonin predikimin. (Zbulesa 1:10; 2 Timoteut 4:2) Në qiell i priste ‘kurora’, ose çmimi i jetës së përhershme. (Jakovi 1:12; Zbulesa 11:18) Nëse qëndronin besnikë deri në vdekje, askush s’mund t’ua mohonte atë shpërblim.—Zbulesa 2:10.
16, 17. (a) Ç’është ‘ora e sprovës që do të vijë mbi mbarë tokën e banuar’? (b) Në ç’gjendje ishin të mirosurit në fillim të ‘orës së sprovës’?
16 Po ‘ora e sprovës’, ç’është? Me siguri, të krishterët në Azi duhej të përballeshin me një valë tjetër përndjekjesh të tmerrshme nga Perandoria Romake.c Megjithatë përmbushja kryesore është ora e shoshitjes dhe e gjykimit që përfundimisht erdhi gjatë ditës së Zotërisë dhe arriti kulmin në vitin 1918 e më pas. Sprova përcakton nëse dikush është në anën e Mbretërisë së vendosur të Perëndisë a në anën e botës së Satanait. Ajo zgjat për një kohë relativisht të shkurtër, një ‘orë’, por ende s’ka përfunduar. Derisa të përfundojë, të mos harrojmë për asnjë çast se jetojmë në «orën e sprovës».—Luka 21:34-36.
17 Njësoj si të krishterët e paepur të kongregacionit të Filadelfias, në vitin 1918, të krishterët e mirosur të klasës së Gjonit, duhej të përballeshin me kundërshtimin e «sinagogës së Satanait» në kohën tonë. Krerët fetarë të krishterimit apostat që thoshin se ishin judenjtë frymorë, nxitën tinëz qeveritarët që t’ua mbyllnin gojën të krishterëve të vërtetë. Megjithatë, ata u munduan me të gjitha forcat ‘të ruanin fjalën për qëndrueshmërinë e Jezuit’. Kështu, me ndihmën frymore, me atë «pak fuqi», por që ishte shumë domethënëse, ata mbijetuan dhe ishin plot forca për të kapërcyer derën që tani ishte e hapur përpara tyre. Si?
‘Një derë e hapur’
18. Cilin emërim bëri Jezui në vitin 1919, dhe në ç’kuptim u bë i emëruari si shërbëtori besnik i Hezekisë?
18 Në vitin 1919, Jezui e përmbushi premtimin e tij dhe e pranoi grupin e vogël të të krishterëve vërtet të mirosur si ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45-47) Ata morën një privilegj të ngjashëm me atë që kishte Eliakimi, një shërbëtor besnik në kohën e mbretit Hezekia.d Jehovai tha për Eliakimin: «Unë do t’i vë mbi sup çelësin e shtëpisë së Davidit. Atë që ai do të hapë, askush s’do ta mbyllë, dhe atë që ai do të mbyllë, askush s’do ta hapë.» (Isaia 22:20, 22; 40:29) Eliakimi mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha për Hezekinë, pasardhësin e Davidit në linjën mbretërore. Edhe sot, të mirosurve të klasës së Gjonit u është vënë mbi supe ‘çelësi i shtëpisë së Davidit’, në kuptimin që u janë besuar interesat tokësore të Mbretërisë mesianike. Jehovai i ka forcuar shërbëtorët e tij për këtë privilegj, duke e kthyer fuqinë e tyre të vogël në energji të pakufishme, që u jep mundësi të bëjnë një punë kolosale, domethënë të dëshmojnë në mbarë botën.
19. Si i përmbushi klasa e Gjonit përgjegjësitë që i dha Jezui në vitin 1919 dhe me çfarë rezultatesh?
19 Duke ndjekur shembullin e Jezuit, nga viti 1919 e më pas, mbetja e mirosur nisi një fushatë të vrullshme për të shpallur gjithkund lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mateu 4:17; Romakëve 10:18) Për pasojë, disa nga sinagoga e sotme e Satanait, me fjalë të tjera, disa njerëz që ishin pjesë e krishterimit apostat, vajtën te mbetja e mirosur, u penduan e ‘u përkulën’, duke pranuar autoritetin e skllavit. Ata vajtën që t’i shërbenin Jehovait në unitet me anëtarët më të moshuar të klasës së Gjonit. Kjo vazhdoi derisa u plotësua numri i vëllezërve të mirosur të Jezuit. Më pas, ‘një shumicë e madhe nga të gjitha kombet’ ka ardhur ‘të përkulet’ para skllavit të mirosur. (Zbulesa 7:3, 4, 9) Skllavi dhe kjo shumicë e madhe shërbejnë së bashku si një kope e vetme e Dëshmitarëve të Jehovait.
20. Pse Dëshmitarët e Jehovait sot duhet të jenë jashtëzakonisht të fortë në besim dhe aktivë në shërbim të Perëndisë?
20 Të bashkuar nga një përzemërsi e vërtetë vëllazërore si të krishterët në Filadelfia, Dëshmitarët e Jehovait sot e kuptojnë se vepra e tyre e predikimit duhet bërë me urgjencë. Së shpejti, shtrëngimi i madh do të shënojë fundin e botës së ligë të Satanait. Na gjettë ajo kohë të fortë në besim dhe aktivë në shërbim të Perëndisë, që të mos na fshihen emrat nga libri i jetës që mban Jehovai! (Zbulesa 7:14) Ta marrim shumë seriozisht këshillën e Jezuit drejtuar kongregacionit të Filadelfias, që t’i mbajmë fort privilegjet e shërbimit dhe të marrim shpërblimin e jetës së përhershme!
Bekimet e atyre që dalin fitimtarë
21. Si e kanë ruajtur të krishterët e mirosur sot ‘fjalën për qëndrueshmërinë e Jezuit’ dhe çfarë i pret në të ardhmen?
21 Klasa e Gjonit sot e ‘ka ruajtur fjalën për qëndrueshmërinë e Jezuit’, domethënë, ka ndjekur shembullin e tij dhe ka treguar qëndrueshmëri. (Hebrenjve 12:2, 3; 1 Pjetrit 2:21) Ajo është inkurajuar shumë nga fjalët që i tha më pas Jezui kongregacionit të Filadelfias: «Atë që do të dalë fitimtar, do ta bëj një shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më kurrsesi që andej.»—Zbulesa 3:12a.
22. (a) Ç’është tempulli i Perëndisë së Jezuit? (b) Si bëhen si shtylla në këtë tempull të krishterët e mirosur që dalin fitimtarë?
22 Ç’privilegj është të jesh një shtyllë në tempullin e Jehovait! Tempulli në Jerusalemin e lashtë ishte qendra e adhurimit të Jehovait. Një ditë në vit, kryeprifti paraqiste gjakun e kafshëve të flijuara dhe e çonte brenda tempullit, para dritës së mrekullueshme që përfaqësonte praninë e Jehovait në ‘Më të Shenjtën’. (Hebrenjve 9:1-7) Me pagëzimin e Jezuit erdhi në jetë një tempull tjetër, një tempull i madh frymor për adhurimin e Jehovait. Më e shenjta e të shenjtave e këtij tempulli është në qiell, ku Jezui u shfaq «përpara personit të Perëndisë» ashtu si i kishte hije. (Hebrenjve 9:24) Jezui është Kryeprifti dhe është paraqitur një flijim i vetëm për faljen e plotë të mëkateve, gjaku i Jezuit të përsosur. (Hebrenjve 7:26, 27; 9:25-28; 10:1-5, 12-14) Për aq kohë sa qëndrojnë besnikë, të krishterët e mirosur që janë në tokë, shërbejnë si nënpriftërinj në oborret tokësore të këtij tempulli. (1 Pjetrit 2:9) Por kur dalin fitimtarë, edhe ata hyjnë në më të shenjtën e të shenjtave në qiell dhe bëhen shtylla të patundura të tempullit frymor për adhurimin e Jehovait. (Hebrenjve 10:19; Zbulesa 20:6) Ata nuk rrezikojnë ‘të dalin më që andej’.
23. (a) Ç’premtim u bëri më pas Jezui të krishterëve të mirosur që dalin fitimtarë? (b) Çfarë nënkupton fakti që të krishterët fitimtarë kanë të shkruar emrin e Jehovait dhe të Jerusalemit të ri?
23 Jezui vazhdoi: «Do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, emrin e qytetit të Perëndisë tim—Jerusalemi i ri, i cili zbret nga qielli prej Perëndisë tim—dhe emrin tim të ri.» (Zbulesa 3:12b) Po, këta fitimtarë kanë të shkruar emrin e Jehovait, Perëndisë së tyre dhe Perëndisë së Jezuit. Kjo tregon qartë se Jehovai dhe Jezui janë dy persona veç e veç dhe jo dy pjesë të një Perëndie tresh, ose Trinitet. (Gjoni 14:28; 20:17) I gjithë krijimi duhet ta kuptojë se këta të mirosur i përkasin Jehovait. Janë dëshmitarët e tij. Ata kanë të shkruar edhe emrin e Jerusalemit të ri, qytetit qiellor, i cili zbret nga qielli në kuptimin që e shtrin sundimin e tij mirëdashës mbi të gjithë njerëzit besnikë në tokë. (Zbulesa 21:9-14) Gjithashtu, të gjithë të krishterët në tokë që ngjajnë me delet do ta kuptojnë se këta fitimtarë të mirosur janë qytetarë të Mbretërisë, Jerusalemit qiellor.—Psalmi 87:5, 6; Mateu 25:33, 34; Filipianëve 3:20; Hebrenjve 12:22.
24. Çfarë përfaqëson emri i ri i Jezuit dhe si iu është dhënë ky emër të krishterëve të mirosur besnikë?
24 Në fund, fitimtarët e mirosur kanë të shkruar edhe emrin e ri të Jezuit. Ky emër lidhet me detyrën e re të Jezuit dhe me privilegjet e pashoqe që i ka dhënë Jehovai. (Filipianëve 2:9-11; Zbulesa 19:12) Askush tjetër nuk mund ta njohë atë emër, në kuptimin që askush tjetër nuk ka jetuar një përvojë të tillë ose nuk i janë besuar privilegje të tilla. Megjithatë, kur Jezui shkruan emrin e vet mbi vëllezërit e tij besnikë, ata nisin një marrëdhënie shumë të afërt me të në qiell dhe kanë të njëjtat privilegje me të. (Luka 22:29, 30) Pra, s’është për t’u habitur që Jezui e mbylli mesazhin e tij drejtuar këtyre të mirosurve, duke përsëritur nxitjen: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.»—Zbulesa 3:13.
25. Si mund ta zbatojë sot çdo i krishterë parimin e këshillës që i dha Jezui kongregacionit të Filadelfias?
25 Ç’inkurajim të madh duhet t’u ketë dhënë ky mesazh të krishterëve besnikë në Filadelfia! Ai përmban patjetër një mësim të fuqishëm edhe për klasën e Gjonit tani, gjatë ditës së Zotërisë. Sidoqoftë parimet që gjejmë në të, janë të rëndësishme për çdo individ të krishterë, qoftë i mirosur, qoftë nga delet e tjera. (Gjoni 10:16) Secili prej nesh bën mirë të vazhdojë të sjellë fryte për Mbretërinë, si bënë të krishterët në Filadelfia. Që të gjithë kemi sadopak fuqi. Që të gjithë mund të bëjmë diçka në shërbim të Jehovait. Pra, le ta përdorim këtë fuqi! Sa për privilegjet gjithnjë e më të mëdha që lidhen me veprën e Mbretërisë, le të qëndrojmë syçelë që të hyjmë në çdo derë që na hapet. Madje, mund t’i lutemi Jehovait që të na e hapë derën. (Kolosianëve 4:2, 3) Le të imitojmë qëndrueshmërinë e Jezuit dhe t’i qëndrojmë besnikë emrit të tij! Kështu do të tregojmë se edhe ne e dëgjojmë çfarë u thotë fryma e shenjtë e Perëndisë kongregacioneve.
[Shënimet]
a Në kohën e Pavlit, Sosteni, i pari i sinagogës judaike në Korint, u bë i krishterë.—Veprat 18:17; 1 Korintasve 1:1.
b Revista Kulla e Rojës, që botohet nga klasa e Gjonit, ka theksuar gjithnjë urgjencën për ta shfrytëzuar këtë rast dhe për të marrë pjesë sa më shumë të jetë e mundur në veprën e predikimit. Për shembull, shih artikujt «Le të shpallin të gjithë lavdinë e Jehovait!» dhe «Zëri i tyre shkoi në mbarë tokën», në Kullën e Rojës të 1 janarit 2004. Në artikullin «Të bekuar janë ata që i japin lavdi Perëndisë», në Kullën e Rojës të 1 qershorit 2004, vihej theksi te hyrja në një ‘derë të hapur’, duke nisur shërbimin e plotkohor. Gjatë një muaji në vitin 2005 një maksimum prej 1.093.552 Dëshmitarësh raportuan shërbimin si pionierë.
c Në një enciklopedi thuhej: «Krishterimi ra në sy të perandorëve kur turmat e popullit shkaktuan trazira të nxitura nga priftërinjtë paganë, të cilët i alarmoi progresi i dukshëm i kësaj feje. Për pasojë, Trajani [98-117 të e.s.] u ndie i detyruar të nxirrte dekrete për ndrydhjen dhe zhdukjen graduale të kësaj doktrine të re, që i transformonte njerëzit në urrejtës të perëndive. Administrata e Plinit të Ri, guvernatorit të Bitinisë, [që në jug kufizohej me provincën romake të Azisë], u trazua nga probleme që lidheshin me përhapjen e shpejtë të krishterimit dhe me tërbimin që ngjalli kjo gjë te popullsia pagane e provincës së tij.»—Cyclopedia (vëllimi X, faqja 519) e autorëve Meklintok dhe Strong.
d Emri Hezekia do të thotë «Jehovai forcon».
[Kutia në faqen 63]
Shumë njerëz janë ndihmuar të përkulen
Nga të 144.000 të mirosurit që trashëgojnë Mbretërinë qiellore, duket se një mbetje, klasa e Gjonit, me më pak se 9.000 veta, s’e ka përfunduar ende shërbimin në tokë. Ndërkohë, shumica e madhe ka arritur në më shumë se 6.600.000 veta. (Zbulesa 7:4, 9) Ç’gjë ka sjellë këtë rritje të madhe? Një kontribut të madh kanë dhënë shkollat e ndryshme të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndryshe nga seminaret e «krishterimit», që mësojnë filozofitë e botës dhe i ulin vlerën Biblës, këto shkolla ngulitin një besim të thellë në Fjalën e Perëndisë. Ato tregojnë vlerën praktike që ka jeta e pastër morale dhe shërbimi me përkushtim ndaj Perëndisë. Që nga viti 1943, të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën zhvillojnë Shkollën e Shërbimit Teokratik në Sallat përkatëse të Mbretërisë. Miliona njerëz marrin pjesë në këtë shkollë çdo javë dhe ndjekin të njëjtin program arsimimi biblik.
Nga viti 1959, Dëshmitarët e Jehovait kanë drejtuar edhe Shkollat e Shërbimit të Mbretërisë, ku janë stërvitur pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës të kongregacioneve. Që nga viti 1977, Shkollat e Shërbimit për Pionierë kanë stërvitur qindra mijë vëllezër e motra, të cilët, duke shfaqur vërtet frymën e të krishterëve në Filadelfia, i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë në veprën e predikimit. Në vitin 1987, filloi Shkolla e Stërvitjes për Shërbim, për të stërvitur burrat Dëshmitarë për caktime të veçanta kudo nëpër botë.
Ndër të gjitha shkollat që kanë drejtuar Dëshmitarët e Jehovait, ajo që bie më shumë në sy është Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit. Që nga viti 1943, kjo shkollë për misionarë, në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara, ka diplomuar dy grupe studentësh gati çdo vit. Ajo ka stërvitur më shumë se 7.000 shërbëtorë të Jehovait për shërbimin misionar në vende të huaja. Të diplomuarit e kësaj shkolle kanë shërbyer në më shumë se njëqind vende, dhe në shumë raste kanë ndihmuar në hapjen e veprës së Mbretërisë atje. Kanë kaluar më shumë se 60 vjet dhe disa nga misionarët e parë janë ende në caktim, duke punuar me misionarët më të rinj për shtrirjen e organizatës së Jehovait në mbarë botën. A nuk ka qenë e mrekullueshme kjo shtrirje deri tani?!
[Tabela në faqen 64]
Në vitin 1919, Mbreti Jezu tashmë i hipur në fron, hapi një derë që u krijoi shumë mundësi të krishterëve për të shërbyer. Gjithnjë e më shumë të krishterë të përkushtuar kanë përfituar nga kjo mundësi.
1918 14 3.868 591
1928 32 23.988 1.883
1938 52 47.143 4.112
1948 96 230.532 8.994
1958 175 717.088 23.772
1968 200 1.155.826 63.871
1978 205 2.086.698 115.389
1988 212 3.430.926 455.561
1998 233 5.544.059 698.781
2005 235 6.390.022 843.234
[Shënimet]
e Shifrat janë mesatarja mujore.
f Shifrat janë mesatarja mujore.
[Tabela në faqen 65]
Dëshmitarët e Jehovait e kryejnë aktivitetin e tyre me gjithë zemër. Për shembull, shih sa orë i kanë kushtuar predikimit dhe mësimit, si dhe numrin e madh të studimeve biblike që kanë drejtuar falas në shtëpitë e njerëzve.
Orët kushtuar Studimet
predikimit biblike
Viti (në vit) (mesatarja mujore)
1918 19.116 Të paregjistruara
1928 2.866.164 Të paregjistruara
1938 10.572.086 Të paregjistruara
1948 49.832.205 130.281
1958 110.390.944 508.320
1968 208.666.762 977.503
1978 307.272.262 1.257.084
1988 785.521.697 3.237.160
1998 1.186.666.708 4.302.852
2005 1.278.235.504 6.061.534
[Figura në faqen 59]
Një çelës romak i shekullit të parë