Të shpëtuar gjatë mjerimit të madh
«Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi [mjerimi, BR] i madh dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.»—ZBULESA 7:14.
1. Kush do t’i mirëpresë ata që do të ringjallen në tokë?
KUR miliona të panumërt njerëzish të ngrihen në ‘ringjalljen e të drejtëve dhe të padrejtëve’, ata nuk do të vijnë në jetë në një tokë të boshatisur. (Veprat 24:15, BR) Do të zgjohen në një ambient të përmirësuar në mënyrë të mrekullueshme dhe do të shohin se për ta është përgatitur strehim, veshje dhe ushqim me bollëk. Kush do t’i bëjë gjithë këto përgatitje? Është e qartë se do të jetojnë njerëz në botën e re, para se të fillojë ringjallja në tokë. Kush? Bibla tregon se ata do të jenë të mbijetuarit e mjerimit të madh që po vjen. Ndër të gjitha mësimet e Biblës, pa dyshim që ky është ai më magjepsësi—që disa besnikë të shpëtohen të gjallë gjatë mjerimit të madh dhe të mos vdesin kurrë. Kjo shpresë dëshmohet mirë në Shkrimet e Shenjta.
Si në ditët e Noes
2, 3. (a) Çfarë ngjashmërish ka mes ditëve të Noes dhe kohës sonë? (b) Çfarë tregon mbijetesa e Noes dhe familjes së tij nga përmbytja?
2 Në Mateun 24:37-39, Jezu Krishti bëri një krahasim ndërmjet ditëve të Noes dhe ditëve të fundit, në të cilat gjendemi. Ai tha: «Ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.»
3 Përmbytja globale, shfarosi nga faqja e dheut të gjithë ata që nuk i kushtuan vëmendje mesazhit paralajmërues të Perëndisë. Por ama, nuk shfarosi Noen dhe familjen e tij. Ata «hynë në arkë», siç tha Jezui. Për shkak të devotshmërisë së tyre të shenjtë, Jehovai u siguroi atyre mënyrën për të shpëtuar. Letra e dytë e Pjetrit 2:5, 9 i referohet mbijetesës së Noes dhe familjes së tij kur thotë: «[Perëndia] . . . shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve. Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit.» Jezui i krahasoi ditët e fundit me ditët e Noes për të treguar se njerëzit në përgjithësi nuk do ta dëgjonin mesazhin paralajmërues të Perëndisë. Por me këtë, ai vërtetoi, gjithashtu, se Noeja dhe familja e tij iu bindën Perëndisë Jehova, hynë në arkë dhe mbijetuan përmbytjen e madhe. Mbijetesa e Noes dhe e familjes së tij, tregon në mënyrë profetike mbijetesën e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë në fundin e kësaj bote.
Një model në shekullin e parë
4. Në plotësim të fjalëve të Jezuit, cilat ngjarje çuan në shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 70 të e.s.?
4 Gjithashtu, Jezui foli edhe për ngjarjet që do të ndodhnin në fund të kësaj bote. Në Mateun 24:21, 22, lexojmë: «Atëherë do të ketë një mundim [mjerim, BR] aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë! Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» Këto fjalë kanë një plotësim paraprak në shekullin e parë të erës sonë. Në vitin 66 të e.s., qyteti i Jeruzalemit u rrethua nga ushtritë romake me urdhër të Cestio Galos. Trupat romake arritën deri aty, sa të shkatërronin muret e tempullit dhe shumë hebrenj u treguan të gatshëm të dorëzoheshin. Papritur dhe pa ndonjë arsye të dukshme, Cestio Galos i tërhoqi trupat e tij. Duke parë tërheqjen e romakëve, të krishterët vepruan në përputhje me fjalët e Jezuit, të thëna vite më parë: «Kur të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.» (Luka 21:20, 21) Hebrenjtë e krishterizuar, të zgjedhurit, menjëherë e braktisën qytetin e dënuar të Jeruzalemit dhe kështu shpëtuan nga shkatërrimi i tmerrshëm që pak më pas ra mbi të. Në vitin 70 të e.s., legjionet romake u kthyen përsëri nën komandën e gjeneral Titit. Ata fushuan rreth Jeruzalemit, e rrethuan qytetin dhe e hodhën atë përtokë.
5. Në ç’kuptim në vitin 70 të e.s., mjerimi i Jeruzalemit u shkurtua?
5 Historiani hebre, Jozefi, tregon se 1.100.000 hebrenj vdiqën, ndërsa 97.000 mbijetuan dhe u çuan në robëri. Këta jo të krishterë hebrenj që mbijetuan, sigurisht që nuk ishin «të zjedhurit» e profecisë së Jezuit. Duke folur për kombin rebel të hebrenjve, Jezui ka thënë: «Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë. Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do më shihni më deri sa të thoni: ‘I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!’» (Mateu 23:38, 39) Nuk ka asnjë dëshmi që hebrenjtë e ngujuar në Jeruzalem e pranuan Jezuin si Mesi, u bënë të krishterë dhe morën favorin Jehovait. Megjithatë, mjerimi që ra mbi Jeruzalem në vitin 70 të e.s. u shkurtua, sepse rrethimi i fundit nga ushtria romake nuk zgjati shumë. Për disa hebrenj, kjo mbijetesë u lejua, vetëm në qoftë se dërgoheshin në pjesë të ndryshme të perandorisë romake si skllevër.
Një shumicë e madhe të mbijetuarish
6, 7. (a) Cili qytet i madh fetar akoma duhet të shkatërrohet dhe si pjesë e cilit mjerim të pashembëllt? (b) Çfarë profetizoi Gjoni lidhur me mjerimin e madh që po vjen mbi këtë botë?
6 Edhe pse shkatërrimi i Jeruzalemit në vitin 70 të e.s. solli me të vërtetë një «mjerim të madh» në atë qytet fetar, përmbushja më e madhe e fjalëve të Jezuit akoma mbetet për t’u realizuar. Një qytet më i madh fetar, Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, duhet të përjetojë mjerimin e madh vdekjeprurës dhe menjëherë pas kësaj vjen një mjerim i pashembëllt mbi mbetjen e sistemit satanik të gjërave. (Mateu 24:29, 30; Zbulesa 18:21) Rreth 26 vjet pas shkatërrimit të Jeruzalemit, në Zbulesën 7:9-14 apostulli Gjon shkroi për këtë mjerim të madh që do të përfshijë gjithë botën. Ai tregoi se atë do ta mbijetonte një shumicë të madhe njerëzish.
7 Këta të mbijetuar, të quajtur «turma e madhe», përcaktohen nga disa veprime të vendosura që kanë ndërmarrë. Sipas Zbulesës 7:14, një nga 24 pleqtë në qiell, i tregoi Gjonit: «Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi [mjerimi, BR] i madh, dhe i kanë larë robat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.» Po, turma e madhe e shpall Jehovain si burimin e shpëtimit të tyre. Ata ushtrojnë besim në gjakun e derdhur të Jezuit dhe kanë një qëndrim të drejtë përpara Krijuesit të tyre dhe Mbretit të caktuar prej tij.
8. Cila marrëdhënie e mrekullueshme ekziston ndërmjet «turmës së madhe» dhe mbetjes së vëllezërve të mirosur të Jezuit?
8 Sot, gati pesë milionë anëtarë të shumicës së madhe po jetojnë nën drejtimin aktiv të Mbretit qiellor, Jezu Krishtit. Ata janë nën varësinë e Krishtit dhe në shoqëri të ngushtë me vëllezërit e tij të mirosur që janë akoma në tokë. Në lidhje me mënyrën në të cilën shumica e madhe i trajton këta të mirosur, Jezui thotë: «Në të vërtetë po ju them; sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.» (Mateu 25:40) Për shkak se i ndihmojnë me vetëmohim vëllezërit e mirosur të Krishtit, pjesëtarët e shumicës së madhe janë gjykuar sikur t’i kenë bërë mirë vetë Jezuit. Kjo gjë i ndihmon ata të kenë një marrëdhënie të sigurt me Jezu Krishtin dhe Perëndinë Jehova. Ata kanë patur privilegjin e madh të bashkohen me mbetjen e mirosur e të bëhen Dëshmitarë të Perëndisë dhe bartës të emrit të tij.—Isaia 43:10, 11; Joeli 2:31, 32.
Qëndroni zgjuar
9, 10. (a) Ç’gjë do ta mbajë qëndrimin tonë të drejtë para Birit të njeriut? (b) Si duhet të veprojmë në mënyrë që të ‘qëndrojmë zgjuar’?
9 Shumica e madhe duhet të mbajë pa ndërprerë qëndrimin saj të drejtë para Birit të njeriut, gjë që kërkon të qëndrojë vigjilente deri në fund. Jezui e tregoi qartë këtë, kur tha: «Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.»—Luka 21:34-36.
10 Që të mund të qëndrojmë para Birit të njeriut, duhet të kemi miratimin e tij, gjë që nuk mund ta kemi nëse i lejojmë vetes të ndikohemi nga mënyra e të menduarit të kësaj bote. Mënyra e të menduarit sipas botës është joshëse dhe mund ta shtyjë një person të tërhiqet pas dëshirave të tepërta mishore ose të jetë aq i rënduar nga problemet e jetës, sa të mos i mbajë më në vend të parë interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Kjo mund ta dobësojë frymësisht një person dhe mund ta bëjë indiferent lidhur me përgjegjësitë ndaj Perëndisë dhe ndaj të tjerëve. Ai mund të bëhet joaktiv ose të rrezikojë vendin e tij në kongregacion, duke kryer ndonjë mëkat të rëndë apo duke shfaqur një frymë të papenduar. Çdo individ i shumicës së madhe duhet t’i kushtojë kujdes vetes. Duhet të vazhdojë të qëndrojë i ndarë nga kjo botë e pabesë dhe praktikat e saj.—Gjoni 17:16.
11. Zbatimi i cilave parime biblike do të na ndihmojë të mbijetojmë Harmagedonin?
11 Për këtë qëllim, Jehovai na ka siguruar atë që na nevojitet nëpërmjet Fjalës së tij, frymës së tij të shenjtë dhe organizatës së tij të dukshme, të cilat duhet t’i përdorim në mënyrë sa më të plotë. Për më tepër, nëse duam favorin e Perëndisë, duhet t’i lutemi dhe t’i bindemi atij. Para së gjithash, duhet të zhvillojmë një urrejtje të madhe për atë që është e keqe. Psalmisti tha: «Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë. Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët. Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë.» (Psalmi 26:4, 5, 9) Në kongregacionin e krishterë, të rinj e të vjetër bashkë, duhet ta kufizojnë shoqërinë me persona që nuk i janë dedikuar Jehovait. Për të marrë favorin e Perëndisë, duhet të përpiqemi të qëndrojmë të pafajshëm dhe të panjollë nga bota. (Psalmi 26:1-5; Jakovit 1:27; 4:4) Kështu, do të jemi të sigurt se Jehovai nuk do të na fshijë në vdekje bashkë me të pabesët në Harmagedon.
Disa ‘nuk do të vdesin kurrë’
12, 13. (a) Cilat fjalë të Jezuit para ringjalljes së Lazrit, Marta nuk i kuptoi plotësisht? (b) Çfarë nuk donte të thoshte Jezui, kur pohoi se disa ‘nuk do të vdisnin kurrë’?
12 Është emocionuese të mendosh mbijetesën në fund të këtij sistemi gjërash dhe mundësinë për të mos vdekur më kurrë. Kjo është perspektiva që na ofron Jezui. Pak përpara se të ringjallte mikun e tij, Lazrin, Jezui i tha motrës së Lazrit, Martës: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?» Marta besonte në ringjallje, por nuk e kuptonte plotësisht atë që po i thoshte Jezui.—Gjoni 11:25, 26.
13 Jezui nuk donte të thoshte se apostujt e tij besnikë do të vazhdonin të jetonin në mish dhe nuk do të vdisnin kurrë. Përkundrazi, më vonë ai tregoi se dishepujt e tij do të vdisnin. (Gjoni 21:16-23) Në fakt, mirosja e tyre me frymën e shenjtë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., do të thoshte se ata duhej të vdisnin për të marrë trashëgiminë e tyre qiellore si mbretër dhe priftërinj. (Zbulesa 20:4, 6) Kështu, me kalimin e kohës, të gjithë të krishterët e shekullit të parë vdiqën. Megjithatë, Jezui kishte një arsye për të thënë atë që tha. Fjalët e tij rreth jetës pa vdekje do të plotësohen.
14, 15. (a) Si do të plotësohen fjalët e Jezuit, se disa ‘nuk do të vdesin kurrë’? (b) Cila është gjendja e kësaj bote dhe çfarë shprese kanë të drejtët?
14 Një mënyrë është që të krishterët e mirosur besnikë nuk e përjetojnë kurrë vdekjen e përhershme. (Zbulesa 20:6) Edhe fjalët e Jezuit i referoheshin një kohe të caktuar, kur Perëndia do të ndërhynte në çështjet njerëzore dhe do të shfaroste ligësinë nga toka, ashtu siç bëri në ditët e Noes. Besnikët që do të gjendeshin duke bërë vullnetin e Perëndisë në atë kohë, nuk do të vdisnin nga veprat gjykuese të Perëndisë. Përkundrazi, ashtu si Noeja dhe familja e tij, ata do të kenë mundësi të mbijetojnë shkatërrimin e botës. Kjo shpresë është e fortë pasi bazohet në mësimet e Biblës dhe ilustrohet me shembuj. (Krahaso Hebrenjve 6:19; 2. Pjetrit 2:4-9.) Plotësimi i profecisë biblike tregon se shumë shpejt kjo botë aktuale e formuar nga një shoqëri e padrejtë njerëzore do të marrë fund në shkatërrim. Situata e tanishme është e pandryshueshme, sepse bota është e ligë në mënyrë të pandreqshme. Ajo që tha Perëndia për botën e ditëve të Noes është e vërtetë edhe për botën e sotme. Ligësia mbush zemrat e pjesës më të madhe të njerëzve dhe mendimet e tyre janë vetëm të këqija gjatë gjithë kohës.—Zanafilla 6:5.
15 Jehovai i ka lejuar njerëzit të qeverisin në tokë për shekuj me radhë pa ndërhyrjen hyjnore. Por koha po mbaron. Si thotë Bibla, shpejt, Jehovai do të zhdukë të gjithë të ligjtë në tokë. (Psalmi 145:20; Proverbat 2:21, 22) Megjithatë, ai nuk do të shkatërrojë të drejtët bashkë me të ligjtë. Perëndia nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë! (Krahaso Zanafillën 18:22, 23, 26.) Përse t’i shkatërrojë ata që përpiqen t’i shërbejnë atij me besnikëri, me frikë Perëndie? Është më se e arsyeshme që adhuruesit besnikë të Jehovait që jetojnë kur të fillojë mjerimi i madh, do të gjejnë miratim në sytë e tij dhe nuk do të shkatërrohen, ashtu si Noeja dhe familja e tij nuk u shkatërruan kur bota e ligë e ditëve të tij shkoi drejt fundit katastrofal. (Zanafilla 7:23) Ata do të kenë mbrojtjen hyjnore dhe do të mbijetojnë fundin e kësaj bote.
16. Ç’gjëra të mrekullueshme do të ndodhin në botën e re dhe çfarë do të thotë kjo për të mbijetuarit?
16 Çfarë do të ndodhë atëherë? Në botën e re, mbi njerëzimin do të derdhen bekime shëruese kur të zbatohen plotësisht dobitë e sakrificës shpërblerëse të Jezuit. Bibla flet për diçka simbolike, për «lumin e pastër të ujit të jetës, të kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve». (Zbulesa 22:1, 2) Është e mrekullueshme të themi se ‘shërimi’ përfshin fitoren mbi vetë vdekjen adamike! «Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë.» (Isaia 25:8) Kështu, ata që mbijetojnë mjerimin e madh në një botë të re, nuk do të ndeshen më kurrë me vdekjen!
Një shpresë e sigurt
17. Përse është e sigurt shpresa sipas së cilës disa do të mbijetojnë dhe «nuk do të vdesin kurrë»?
17 A mund të kemi besim të plotë në këtë shpresë mahnitëse? Në mënyrë absolute! Jezui i tregoi Martës se do të vinte një kohë kur njerëzit do të jetonin pa vdekur kurrë. (Gjoni 11:26) Për më tepër, në kapitullin 7 të Zbulesës që Jezui i dha Gjonit, u zbulua se një shumicë e madhe do të dilte nga mjerimi i madh, duke e mbijetuar atë. A mund t’i besojmë Jezu Krishtit dhe tregimit historik lidhur me përmbytjen e ditëve të Noes? Në mënyrë të padiskutueshme! Përveç kësaj, Bibla përmban edhe tregime të tjera me raste kur Perëndia i ruajti gjallë shërbëtorët e tij nga periudhat e gjykimit dhe shkatërrimi i kombeve. Mos duhet pritur më pak prej tij në këtë kohë të fundit? Mos vallë ka diçka të pamundur për Krijuesin?—Krahaso Mateun 19:26.
18. Si mund të sigurohemi për jetën në botën e re të drejtë të Jehovait?
18 Duke i shërbyer Jehovait me besnikëri tani, kemi sigurinë e jetës së përhershme në botën e tij të re. Për miliona njerëz të panumërt, jeta në atë botë të re do të vijë përmes ringjalljes. Akoma, në ditët tona, miliona shërbëtorë të Jehovait—po, një shumicë e madhe që askush nuk mund ta numërojë ose përcaktojë—do të kenë privilegjin e pashoq që të shpëtohen gjatë mjerimit të madh. Ata nuk kanë për të vdekur kurrë.
Shpjego
◻ Si u paralajmërua në ditët e Noes mbijetesa në Harmagedon?
◻ Çfarë duhet të bëjmë që të kemi një qëndrim të drejtë, kur Jezui të vijë për të ekzekutuar gjykimin e Jehovait?
◻ Përse mund të themi se të mbijetuarit në Harmagedon «nuk do të vdesin kurrë»?
[Figura në faqen 15]
Të krishterët i shpëtuan mjerimit të Jeruzalemit