Kapitulli 20
Një shumicë e madhe që s’mund të numërohet
1. Cili ishte grupi tjetër që pa Gjoni, pasi përshkroi vulosjen e 144.000 të mirosurve?
PASI përshkroi vulosjen e 144.000 të mirosurve, Gjoni vazhdoi me një nga zbulesat më emocionuese të gjithë Biblës. Zemra duhet t’i ketë fërgëlluar nga gëzimi, teksa tregonte: «Pas këtyre gjërave, pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte. Ata ishin veshur me petka të bardha të gjata dhe kishin në duar degë palmash.» (Zbulesa 7:9) Pra, përveç 144.000 anëtarëve të Izraelit frymor, mbajtja e katër erërave i jep mundësinë edhe një grupi tjetër të shpëtojë: një shumice të madhe nga të gjitha kombet e nga të gjitha gjuhët.a—Zbulesa 7:1.
2. Si e kanë shpjeguar disa studiues shumicën e madhe dhe si e konsideronin këtë grup edhe Studentët e Biblës në të kaluarën?
2 Sipas disa studiuesve, kjo shumicë e madhe formohet nga jojudenjtë e kthyer në të krishterë ose nga martirët e krishterë që shkojnë drejt e në qiell. Edhe studentët e Biblës në të kaluarën i konsideronin ata një klasë qiellore dytësore, siç shihet në vëllimin I të Studime mbi Shkrimet, të titulluar Plani hyjnor i epokave, i botuar në anglisht në vitin 1886, nga ku kemi shkëputur këtë fragment: «Ata e humbin çmimin e fronit dhe natyrën hyjnore, por në fund arrijnë të lindin si qenie frymore të një rangu më të ulët se ata me natyrë hyjnore. Megjithëse janë vërtet të shenjtëruar, ata i mposht fryma e botës, aq sa nuk e japin jetën si flijim.» Të njëjtin mendim gjejmë edhe në vëllimin I të librit Drita, që doli në anglisht shumë më vonë, në vitin 1930: «Ata që formojnë këtë shumicë të madhe, nuk i përgjigjen ftesës për të dëshmuar me zell për Zotërinë.» Ata përshkruheshin si një grup me individë që ishin të bindur se ishin të drejtë, që e dinin të vërtetën, por që s’bënin shumë përpjekje t’ua shpallnin të tjerëve. Ata do të hynin në qiell si një klasë dytësore që nuk do të mbretëronte me Krishtin.
3. (a) Çfarë shprese kishin disa individë me zemër të drejtë, që më vonë u bënë të zellshëm në veprën e predikimit? (b) Si e shpjegoi Kulla e Rojës në vitin 1923 shëmbëlltyrën e Jezuit për delet dhe cjeptë?
3 Mirëpo, disa të tjerë që u shoqëruan me të krishterët e mirosur, më vonë u bënë shumë të zellshëm në veprën e predikimit. Nuk kishin si synim të shkonin në qiell. Në të vërtetë, shpresa e tyre përkonte me titullin e një fjalimi publik, që paraqitën shërbëtorët e Jehovait nga viti 1918 deri në vitin 1922. Fillimisht ai ishte «Bota ka marrë fund! Miliona që po jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë».b Pak kohë më pas, Kulla e Rojës e 15 tetorit 1923 (anglisht), trajtoi shëmbëlltyrën e Jezuit për delet dhe cjeptë (Mateu 25:31-46), dhe thoshte: «Delet përfaqësojnë tërë popujt e kombeve—jo të lindur nga fryma, por të prirur ndaj drejtësisë—të cilët e pranojnë mendërisht Jezu Krishtin si Zotëria dhe kërkojnë e shpresojnë një kohë më të mirë nën sundimin e tij.»
4. Si ndriçoi gjithnjë e më shumë drita në lidhje me klasën tokësore në vitin 1931? 1932? 1934?
4 Disa vjet më vonë, në vitin 1931, vëllimi I i librit Shfajësimi, (botuar në anglisht), që trajtonte kapitullin 9 të Ezekielit, thoshte se njerëzit e shënuar në ballë për t’u ruajtur gjallë në fundin e botës, ishin delet e shëmbëlltyrës së mësipërme. Vëllimi III i po këtij libri (botuar në vitin 1932 në anglisht), përshkroi qëndrimin e drejtë të zemrës që kishte Jehonadabi joizraelit, i cili hipi në qerren e Jehut, mbretit të mirosur të Izraelit, dhe shkoi bashkë me të për të parë zellin e Jehut në ekzekutimin e adhuruesve të rremë. (2 Mbretërve 10:15-17) Libri thoshte: «Jehonadabi përfaqësonte ose paraqiste atë klasë njerëzish që janë tani në tokë gjatë kohës që po bëhet vepra e Jehut [shpallja e gjykimeve të Jehovait], të cilët janë të miratuar nga Perëndia, nuk janë në harmoni me organizatën e Satanait dhe rreshtohen në anën e drejtësisë. Këta Zotëria do t’i ruajë gjatë periudhës së Harmagedonit, do t’i nxjerrë nga ai shtrëngim dhe do t’u japë jetën e përhershme në tokë. Këta përbëjnë klasën e ‘deleve’.» Në vitin 1934, Kulla e Rojës tha qartë se këta të krishterë me shpresë tokësore duhej t’i kushtoheshin Jehovait dhe të pagëzoheshin. Drita lidhur me këtë klasë tokësore po ndriçonte gjithnjë e më shumë.—Proverbat 4:18.
5. (a) Cilët u identifikuan me shumicën e madhe në vitin 1935? (b) Çfarë ndodhi në vitin 1935, kur Xhozef Frenklin Radhërfordi u tha kongresistëve që shpresonin të jetonin përgjithmonë në tokë, të ngriheshin në këmbë?
5 Kuptueshmëria për Zbulesën 7:9-17 ishte gati të ndriçonte me gjithë shkëlqimin e saj. (Psalmi 97:11) Kulla e Rojës kishte njoftuar disa herë se një kongres i programuar nga data 30 maj deri më 3 qershor 1935, në Uashington, SHBA, do t’u sillte «ngushëllim dhe dobi të vërtetë» atyre që paraqiste Jehonadabi. Dhe kështu doli vërtet! Në një fjalim tërheqës me temë «Turma e madhe», të mbajtur para rreth 20.000 kongresistëve, Xhozef Frenklin Radhërfordi, që në atë kohë drejtonte veprën e predikimit në mbarë botën, paraqiti prova biblike se delet e tjera të ditëve tona janë identike me shumicën e madhe të Zbulesës 7:9. Në kulmin e këtij fjalimi, ai iu drejtua auditorit: «Ju lutem, të gjithë ata që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë, a mund të ngrihen në këmbë?» Ndërsa një pjesë e madhe e auditorit u ngrit në këmbë, Radhërfordi thirri: «Shihni! Turma e madhe!» Pati një heshtje, që u pasua nga një shpërthim duartrokitjesh. Çfarë gëzimi për klasën e Gjonit, por edhe për grupin e Jehonadabit! Ditën tjetër, u pagëzuan 840 Dëshmitarë të rinj dhe shumica prej tyre pohonin se ishin nga shumica e madhe.
Vërtetohet identiteti i shumicës së madhe
6. (a) Çfarë na jep mundësi të dallojmë qartë se shumica e madhe e ditëve tona është grupi i të krishterëve të kushtuar, të cilët shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë? (b) Çfarë simbolizojnë petkat e bardha të shumicës së madhe?
6 Pse mund të themi me kaq bindje se shumica e madhe është grupi i të krishterëve të kushtuar i ditëve tona, të cilët shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokën që ka krijuar Perëndia? Më parë, Gjoni kishte parë në vegim grupin qiellor që ishte ‘blerë për Perëndinë nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb’. (Zbulesa 5:9, 10) Edhe shumica e madhe vjen nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, veçse ka një shpresë tjetër. Ndryshe nga Izraeli i Perëndisë, numri i atyre që bëjnë pjesë në të nuk është caktuar që më parë. Askush s’mund ta thotë që tani se sa do të jenë. Ata i kanë zbardhur petkat në gjakun e Qengjit, dhe kjo tregon në mënyrë simbolike se Jehovai i konsideron të drejtë, ngaqë kanë treguar besim në flijimin e Jezuit. (Zbulesa 7:14) Ata tundin degë palmash për të përshëndetur Mesinë si Mbretin e tyre.
7, 8. (a) Cilat ngjarje duhet t’i ketë kujtuar tundja e degëve të palmave apostullit Gjon? (b) Çfarë nënkupton tundja e degëve të palmave nga ana e shumicës së madhe?
7 Duke parë këtë vegim, Gjonit duhet t’i jetë kujtuar ç’kishte ndodhur 60 vjet më parë, gjatë javës së fundit të Jezuit këtu në tokë. Turma që u mblodh më 9 nisan të vitit 33 të e.s. për t’i uruar Jezuit mirëseardhjen në Jerusalem, «mori degë palmash dhe doli ta takonte. Pastaj filluan të bërtitnin: ‘Shpëtoje, të lutemi! I bekuar është ai që vjen në emër të Jehovait, po, mbreti i Izraelit!’» (Gjoni 12:12, 13) Njësoj si në atë rast, tundja e degëve të palmave dhe britmat e shumicës së madhe tregojnë gëzimin e tyre të papërmbajtur, kur pranojnë Jezuin si Mbretin e caktuar nga Jehovai.
8 Pa dyshim, degët e palmave dhe britmat e gëzimit kanë kujtuar Gjonit edhe festën e kasolleve, një festë të lashtë izraelite. Jehovai kishte urdhëruar për këtë festë: «Ditën e parë merrni frytet e pemëve më të zgjedhura, gjethe palmash, degë pemësh plot gjethe dhe degë plepash nga luginat e përrenjve, e gëzoni për shtatë ditë para Jehovait, Perëndisë tuaj.» Degët e palmave përdoreshin për të shprehur gëzim. Kasollet e përkohshme u kujtonin izraelitëve se Jehovai i kishte shpëtuar duke i nxjerrë nga Egjipti, që të jetonin në tenda në shkretëtirë. Në këtë festë merrnin pjesë edhe ‘të ardhurit, jetimët dhe vejushat’. Tërë Izraeli duhej ‘veç të gëzonte’.—Levitiku 23:40; Ligji i përtërirë 16:13-15.
9. Me cilën britmë të gëzuar e bashkojnë zërin anëtarët e shumicës së madhe?
9 Megjithëse nuk bën pjesë në Izraelin frymor, është e përshtatshme që shumica e madhe të tundë degë palmash, pasi tërë gëzim e mirënjohje ajo ia atribuon fitoren dhe shpëtimin Perëndisë dhe Qengjit, siç tha edhe Gjoni: «Ata thërrasin me zë të fortë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron, dhe Qengjit.’» (Zbulesa 7:10) Megjithëse anëtarët e shumicës së madhe vijnë nga të gjitha grupet etnike, ata janë të bashkuar kur thërrasin «me zë të fortë». Por, si mund ta bëjnë këtë, kur vijnë nga kombe dhe gjuhë të ndryshme?
10. Si thërrasin të bashkuar e «me zë të fortë» anëtarët e shumicës së madhe, megjithëse vijnë nga gjuhë dhe kombe të ndryshme?
10 Anëtarët e shumicës së madhe janë pjesë e së vetmes organizatë ndërkombëtare vërtet të bashkuar në tokë sot. Ata nuk ndjekin norma të ndryshme sipas vendeve nga vijnë, por ndjekin gjithmonë parimet e drejta të Biblës kudo që jetojnë. Nuk përzihen në lëvizjet nacionaliste e revolucionare, por ‘i kanë farkëtuar shpatat në plore’, dhe këtë e kanë bërë vërtet. (Isaia 2:4) Nuk janë të ndarë në sekte a besime të ndryshme, që të japin mesazhe të ngatërruara ose kontradiktore, si bëjnë fetë e krishterimit apostat; dhe as lënë një klasë klerikësh profesionistë që të lavdërojë Perëndinë në emër të tyre. Ata nuk shpallin me zë të lartë se ia detyrojnë shpëtimin frymës së shenjtë, sepse nuk i shërbejnë një perëndie trinitet. Në më shumë se 200 vende kudo nëpër botë, ata thërrasin njëzëri emrin e Jehovait, duke folur të vetmen gjuhë të kulluar, atë të së vërtetës. (Sofonia 3:9) Siç është e përshtatshme, ata e pranojnë publikisht se shpëtimi i tyre vjen nga Jehovai, Perëndia i shpëtimit, nëpërmjet Jezu Krishtit, Kryepërfaqësuesit të Tij të shpëtimit.—Psalmi 3:8; Hebrenjve 2:10.
11. Si ka ndihmuar teknologjia e sotme që zëri i fortë i shumicës së madhe të ushtojë edhe më shumë?
11 Teknologjia e sotme ka ndihmuar që zëri i fortë i shumicës së madhe të ushtojë edhe më shumë. Asnjë grupi tjetër fetar në tokë nuk i duhet të shtypë botime ndihmëse për studimin e Biblës në më shumë se 400 gjuhë, pasi asnjë grup tjetër nuk është i interesuar t’u shpallë një mesazh të vetëm tërë popujve të tokës. Për ta arritur më lehtë këtë synim, nën drejtimin e të krishterëve të mirosur të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, u zhvillua një sistem i kompjuterizuar shumëgjuhësh për fotoradhitjen elektronike (MEPS). Në kohën kur u shtyp ky libër, 125 vende në të gjithë botën përdornin forma të ndryshme të këtij programi, dhe kjo ka bërë të mundur botimin gjysmëmujor të revistës Kulla e Rojës në më shumë se 130 gjuhë njëkohësisht. Populli i Jehovait boton njëkohësisht në shumë gjuhë edhe libra, si ky që ke në dorë. Pra, Dëshmitarët e Jehovait, pjesa më e madhe e të cilëve bëjnë pjesë në shumicën e madhe, mund të shpërndajnë qindra milionë botime në vit në gjuhët më të folura. Kjo bën që turma të tjera njerëzish nga të gjitha fiset dhe gjuhët të studiojnë Fjalën e Perëndisë dhe t’i bashkojnë zërat me zërin e fortë të shumicës së madhe.—Isaia 42:10, 12.
Në qiell apo në tokë?
12, 13. Në ç’kuptim shumica e madhe ‘qëndron para fronit dhe para Qengjit’?
12 Si e dimë se ‘qëndrimi para fronit’ nuk do të thotë që shumica e madhe është në qiell? Ka shumë prova që e tregojnë qartë këtë. Për shembull, fjala greke që këtu përkthehet «para» (enópion) fjalë për fjalë do të thotë «nën shikimin e [dikujt, diçkaje]» dhe përdoret shpesh për njerëzit në tokë që janë «para» ose «nën shikimin e» Jehovait. (1 Timoteut 5:21; 2 Timoteut 2:14; Romakëve 14:22; Galatasve 1:20) Njëherë, kur izraelitët ishin në shkretëtirë, Moisiu i tha Aaronit: «Sill një viç si blatim për mëkatin. . . . Kështu ata sollën para tendës së takimit ato që urdhëroi Moisiu. Pastaj tërë asambleja u afrua dhe qëndroi para Jehovait.» (Levitiku 9:2, 5) Pra, kuptohet qartë se në atë rast izraelitët nuk shkuan në qiell që të qëndronin para Jehovait. (Krahaso Levitikun 24:8.) Përkundrazi, ata ishin nën shikimin e Jehovait atje ku ndodheshin, në shkretëtirë, dhe ai i vështronte.
13 Veç kësaj, në Bibël lexojmë: ‘Kur Biri i njeriut të mbërrijë në lavdinë e tij, tërë kombet do të mblidhen para tij.’ Jo të gjithë njerëzit do të jenë në qiell, kur të përmbushet kjo profeci. Me siguri ata që «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme» nuk do të jenë në qiell. (Mateu 25:31-33, 41, 46) Përkundrazi, të gjithë njerëzit do të qëndrojnë në tokë, nën shikimin e Jezuit, dhe ai do ta kthejë vëmendjen drejt tyre për t’i gjykuar. Njësoj edhe shumica e madhe qëndron «para fronit dhe para Qengjit», në kuptimin që është nën shikimin e Jehovait dhe të Mbretit të tij, Krishtit Jezu, të cilët i gjykojnë si të denjë për të shpëtuar.
14. (a) Cilët përshkruhen si «rreth e përqark fronit» dhe ‘në malin [qiellor] të Sionit’? (b) Pse shumica e madhe nuk është një klasë priftërore, ndonëse i shërben Perëndisë «në tempullin e tij»?
14 24 pleqtë dhe grupi i 144.000 të krishterëve të mirosur janë përshkruar si «rreth e përqark fronit» të Jehovait dhe ‘në malin [qiellor] të Sionit’. (Zbulesa 4:4; 14:1) Shumica e madhe nuk është një klasë priftërore dhe nuk do ta ketë atë pozitë të lartësuar. Vërtet më vonë te Zbulesa 7:15 ajo përshkruhet duke i shërbyer Perëndisë «në tempullin e tij», megjithatë ky tempull nuk i referohet shenjtërores së brendshme, Më të Shenjtës, por oborrit tokësor të tempullit frymor të Perëndisë. Fjala greke naós, që këtu përkthehet ‘tempull’, shpesh përçon një kuptim më të gjerë, domethënë atë të gjithë godinës së ngritur për adhurimin e Jehovait. Sot ajo përbën një strukturë frymore që përfshin qiellin dhe tokën.—Krahaso Mateun 26:61; 27:5, 39, 40; Markun 15:29, 30; Gjonin 2:19-21.
Një britmë lëvdimi në të gjithë universin
15, 16. (a) Si pritet në qiell shfaqja e shumicës së madhe? (b) Si e presin krijesat frymore të Jehovait çdo zbulesë të re në lidhje me qëllimin e tij? (c) Si mund t’i bashkojmë zërat ne që jetojmë në tokë në këtë këngë lavdie për Perëndinë?
15 Shumica e madhe lëvdon Jehovain, por edhe të tjerë i këndojnë lavdi atij. Gjoni tha: «Të gjithë engjëjt qëndronin përqark fronit, pleqve dhe katër krijesave të gjalla. Ata ranë përmbys para fronit dhe adhuruan Perëndinë me fjalët: ‘Amin! Bekimi, lavdia, mençuria, falënderimet, nderimi, fuqia dhe forca i qofshin Perëndisë tonë në jetë të jetëve! Amin!’»—Zbulesa 7:11, 12.
16 Kur Jehovai krijoi tokën, të gjithë engjëjt e tij të shenjtë «lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim». (Jobi 38:7) Engjëjt duhet të kenë lëshuar britma të tilla lëvdimi për çdo zbulesë të re në lidhje me qëllimin e Jehovait. Kur 24 pleqtë—144.000 të mirosurit në lavdinë e tyre qiellore—shprehin me forcë mirënjohjen e tyre ndaj Qengjit, dëgjohet edhe zëri i të gjitha krijesave të tjera qiellore të Perëndisë që bashkohen me ta për të lavdëruar Jezuin dhe Perëndinë Jehova. (Zbulesa 5:9-14) Këto krijesa janë mbushur me gëzim teksa kanë parë përmbushjen e qëllimit të Jehovait, kur i ringjalli të mirosurit besnikë në një pozitë të lavdishme në sferën qiellore të mbretërisë. Tani që shfaqet shumica e madhe, të gjitha krijesat besnike të Jehovait në qiell shpërthejnë në këngë lavdie për Perëndinë. Po, dita e Zotërisë është një kohë emocionuese për të gjithë shërbëtorët e Jehovait. (Zbulesa 1:10) Sa të privilegjuar jemi edhe ne që jetojmë këtu në tokë, pasi mund t’i bashkojmë zërat tanë në këtë këngë lavdie, duke dhënë dëshmi për Mbretërinë e Jehovait!
Shfaqet shumica e madhe
17. (a) Ç’pyetje ngriti një nga 24 pleqtë dhe çfarë lë të kuptosh fakti që ai ishte në gjendje t’i përgjigjej pyetjes? (b) Kur mori përgjigje pyetja e tij?
17 Nga koha e apostullit Gjon e deri në ditën e Zotërisë, të krishterët e mirosur nuk ishin të qartë në lidhje me identitetin e shumicës së madhe. Ndaj ishte më se e përshtatshme që një nga 24 pleqtë, që përfaqësojnë të mirosurit që tashmë kanë shkuar në qiell, të ngrinte një pyetje me vend që e futi Gjonin në mendime. «Një nga pleqtë më pyeti: ‘Cilët janë këta që janë veshur me petka të bardha të gjata dhe nga kanë ardhur?’ Sakaq i thashë: ‘Imzot, ti e di.’» (Zbulesa 7:13, 14a) Po, ai plak ishte në gjendje t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, e për më tepër t’ia tregonte Gjonit. Kjo lë të kuptosh se të ringjallurit e grupit të 24 pleqve mund të përfshihen në komunikimin e të vërtetave hyjnore në ditët tona. Për shembull, anëtarët e klasës së Gjonit që ishin në tokë, e mësuan identitetin e shumicës së madhe duke ndjekur me vëmendje çfarë po bënte Jehovai mes tyre. Atyre s’iu desh shumë ta pranonin shkëlqimin e dritës hyjnore që stolisi sferën e aktivitetit teokratik në vitin 1935, pikërisht në kohën që kishte caktuar Jehovai.
18, 19. (a) Te cila shpresë e vuri theksin klasa e Gjonit gjatë viteve 20 dhe 30, por cilët e kanë pranuar gjithnjë e më shumë mesazhin? (b) Çfarë tregoi në lidhje me 144.000 të mirosurit identifikimi i shumicës së madhe në vitin 1935? (c) Çfarë tregojnë statistikat e Përkujtimit?
18 Gjatë viteve 20 dhe në fillim të viteve 30 të shekullit të 20-të, klasa e Gjonit e vuri theksin te shpresa qiellore si me botime, ashtu edhe me veprën e predikimit. Siç duket, numri i 144.000 të mirosurve nuk ishte plotësuar ende. Megjithatë, me kalimin e kohës, numri gjithnjë e në rritje i atyre që iu përgjigjën mesazhit dhe treguan zell në veprën e predikimit, shfaqi shumë interes për jetën e përhershme në Parajsën në tokë. Nuk kishin dëshirë të shkonin në qiell, sepse nuk ishin thirrur për atje. Nuk ishin pjesë e kopesë së vogël, por e deleve të tjera. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Identifikimi i tyre në vitin 1935 si shumica e madhe e deleve të tjera, tregonte se zgjedhja e 144.000 të mirosurve gati-gati kishte përfunduar.
19 A e mbështetin statistikat këtë përfundim? Po, e mbështetin. Në vitin 1938, në mbarë botën morën pjesë në shërbim 59.047 Dëshmitarë të Jehovait. Nga këta, 36.732 morën emblemat në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit për atë vit, dhe treguan me këtë se ishin thirrur për në qiell. Që atëherë, ky numër është ulur vazhdimisht, kryesisht sepse disa Dëshmitarë besnikë të Jehovait kanë vdekur, dhe kështu kanë përfunduar rrugën e tyre tokësore. Në vitin 2005, vetëm 8.524 veta morën emblemat në Përkujtim, pra, 0,05 për qind e 16.390.116 të pranishmëve në këtë kremtim që u mbajt në mbarë botën.
20. (a) Çfarë kishte thënë privatisht Xhozef Radhërfordi për shumicën e madhe gjatë Luftës II Botërore? (b) Cilat fakte tregojnë tani se shumica e madhe është vërtet e madhe?
20 Kur shpërtheu Lufta II Botërore, Satanai bëri luftë të madhe për ta ndalur mbledhjen e atyre që do të përbënin shumicën e madhe. Në shumë vende, vepra e Jehovait u kufizua. Thuhet se, gjatë atyre ditëve të errëta dhe pak kohë para se të vdiste, në janar të vitit 1942, Xhozef Radhërfordi ishte shprehur privatisht: «Epo . . . duket sikur turma e madhe në fund të fundit nuk do të jetë edhe aq e madhe.» Por, bekimi hyjnor bëri që gjërat të shkonin ndryshe. Në vitin 1946, numri i Dëshmitarëve që predikonin në mbarë botën ishte 176.456 veta dhe pjesa dërrmuese e tyre ishte nga shumica e madhe. Në vitin 2005, më shumë se 6.390.022 Dëshmitarë po i shërbenin me besnikëri Jehovait në 235 vende. Vërtet një SHUMICË E MADHE! Dhe numri vazhdon të rritet.
21. (a) Si përkon plotësisht me vegimin e Gjonit mbledhja e popullit të Perëndisë gjatë ditës së Zotërisë? (b) Si filluan të përmbusheshin disa profeci të rëndësishme?
21 Pra, mbledhja e popullit të Perëndisë gjatë ditës së Zotërisë përkon plotësisht me vegimin e Gjonit. Fillimisht u bë vepra e mbledhjes së mbetjes së 144.000 të mirosurve e më pas ajo e shumicës së madhe. Sipas profecisë së Isaisë, tani «në ditët e fundit», njerëz nga të gjitha kombet po vërshojnë drejt adhurimit të pastër të Jehovait. Pa diskutim i jemi jashtëzakonisht mirënjohës Jehovait që krijoi «qiej të rinj dhe një tokë të re». (Isaia 2:2-4; 65:17, 18) Perëndia po mbledh «përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë». (Efesianëve 1:10) Trashëgimtarët e mirosur të Mbretërisë qiellore, të zgjedhur gjatë shekujve që nga ditët e Jezuit, janë «gjërat në qiej». Tani, anëtarët e shumicës së madhe të deleve të tjera shfaqen si të parët nga «gjërat në tokë». Nëse i shërben Perëndisë sipas këtij rregullimi, mund të gëzosh lumturi të përhershme.
Bekimet që gëzon shumica e madhe
22. Ç’të dhëna të tjera mësoi Gjoni për shumicën e madhe?
22 Nëpërmjet kanalit hyjnor, Gjoni mori të dhëna të tjera për shumicën e madhe: «Ai [plaku] më tha: ‘Këta janë ata që dalin nga shtrëngimi i madh dhe i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit. Prandaj janë para fronit të Perëndisë dhe i bëjnë atij shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij. Dhe Ai që ulet në fron, do të shtrijë tendën mbi ta.’»—Zbulesa 7:14b, 15.
23. Ç’është shtrëngimi i madh nga i cili ‘del’ shumica e madhe?
23 Vite më parë, Jezui kishte thënë se prania e tij në lavdinë e Mbretërisë do të arrinte kulmin në «një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri». (Mateu 24:21, 22) Kur t’i vijë koha përmbushjes së kësaj profecie, engjëjt do të lëshojnë katër erërat e tokës për të shkatërruar përfundimisht sistemin e botës së Satanait. E para do të shkatërrohet Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. Më pas, në kulmin e shtrëngimit, Jezui do të çlirojë mbetjen e 144.000 të mirosurve në tokë bashkë me shumicën e madhe që s’mund të numërohet.—Zbulesa 7:1; 18:2.
24. Çfarë bëjnë anëtarët e shumicës së madhe që të jenë të denjë për të shpëtuar?
24 Çfarë bëjnë anëtarët e shumicës së madhe që të jenë të denjë për të shpëtuar? Plaku i tha Gjonit se ata «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». Me fjalë të tjera, tregojnë besim te Jezui si Shpërblyesi i tyre, i kushtohen Jehovait, pagëzohen në ujë si simbol i kushtimit të tyre dhe ‘mbajnë një ndërgjegje të mirë’ falë sjelljes së tyre të drejtë. (1 Pjetrit 3:16, 21; Mateu 20:28) Pra, ata janë të pastër dhe të drejtë në sytë e Jehovait dhe e mbajnë veten «të panjollë nga bota».—Jakovi 1:27.
25. (a) Si bën ‘shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e Jehovait’ shumica e madhe? (b) Si ‘e shtrin tendën e tij’ Jehovai mbi shumicën e madhe?
25 Gjithashtu, bëhen Dëshmitarë të zellshëm të Jehovait, «i bëjnë atij shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij». Po ti, a je një anëtar i kushtuar i shumicës së madhe? Nëse po, ke një privilegj të madh që i shërben Jehovait pa pushim në oborrin tokësor të tempullit të tij të madh frymor. Në ditët tona, shumica e madhe po kryen pjesën më të madhe të veprës së dëshmisë nën drejtimin e të mirosurve. Veç përgjegjësive të ndryshme që kanë, qindra mijë prej tyre janë organizuar për të ndërmarrë shërbimin e plotkohor si pionierë. Bën ose jo pjesë në këtë grup, si një anëtar i kushtuar i shumicës së madhe, ti mund të gëzosh, sepse falë besimit dhe veprave je shpallur i drejtë si mik i Perëndisë dhe je i mirëpritur si mysafir në tendën e tij. (Psalmi 15:1-5; Jakovi 2:21-26) Jehovai ‘e shtrin tendën e tij’ mbi ata që e duan, dhe i mbron si mikpritës i mirë.—Proverbat 18:10.
26. Ç’bekime të tjera do të gëzojë shumica e madhe?
26 Plaku vazhdoi: «Nuk do të kenë më as uri dhe as etje, nuk do t’i godasë më as dielli dhe as të nxehtët përvëlues, sepse Qengji që është afër fronit, do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës. Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.» (Zbulesa 7:16, 17) Sa mikpritës është Jehovai! Cili është kuptimi i thellë i këtyre fjalëve?
27. (a) Cila profeci e Isaisë të kujton fjalët që tha plaku? (b) Ç’gjë tregon se profecia e Isaisë filloi të përmbushej në kongregacionin e krishterë të ditëve të Pavlit?
27 Le të shohim një profeci me terma të ngjashëm: «Kështu thotë Jehovai: ‘T’u përgjigja në një kohë të favorshme dhe të ndihmova në një ditë shpëtimi. . . . Nuk do t’i marrë as uria e as etja, nuk do të goditen as nga vapa përvëluese e as nga dielli, sepse Ai që ndien keqardhje për ta, do t’u prijë e do t’i çojë te burimet e ujit.’» (Isaia 49:8, 10; shih edhe Psalmin 121:5, 6.) Apostulli Pavël citoi pjesë të kësaj profecie dhe ia zbatoi ‘ditës së shpëtimit’, që filloi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Ai shkroi: «Sepse ai [Jehovai] thotë: ‘Të dëgjova në një kohë të pranueshme dhe të ndihmova në një ditë shpëtimi.’ Ja, tani është koha veçanërisht e pranueshme! Ja, tani është dita e shpëtimit!»—2 Korintasve 6:2.
28, 29. (a) Si u përmbushën në shekullin e parë fjalët e Isaisë? (b) Si janë përmbushur tek anëtarët e shumicës së madhe fjalët e Zbulesës 7:16? (c) Çfarë dobish do të ketë shumica e madhe, kur Qengji ta drejtojë për te «burimet e ujërave të jetës»? (ç) Pse shumica e madhe do të jetë një grup unik mes njerëzve?
28 Si u përmbush në atë kohë premtimi se shërbëtorët e Perëndisë nuk do të vuanin nga uria, etja ose vapa përvëluese? Me siguri që të krishterët e shekullit të parë vuajtën herë pas here nga uria dhe etja. (2 Korintasve 11:23-27) Por në kuptimin frymor, ata kishin me bollëk. Nevojat e tyre ishin plotësuar dhe nuk vuajtën nga uria ose etja për gjërat frymore. Veç kësaj, Jehovai nuk i goditi me zjarrin përvëlues të zemërimit të tij, kur shkatërroi sistemin judaik në vitin 70 të e.s. Në ditët tona, fjalët e Zbulesës 7:16 kanë një përmbushje të ngjashme frymore për shumicën e madhe. Bashkë me të krishterët e mirosur ata kanë ushqim frymor me bollëk.—Isaia 65:13; Naumi 1:6, 7.
29 Nëse bën pjesë në shumicën e madhe, gjendja jote e zemrës të nxit ‘të lëshosh britma gëzimi’, çfarëdo qofshin humbjet ose sprovat që duhet të përballosh gjatë perëndimit të sistemit të Satanait. (Isaia 65:14) Në këtë kuptim, që tani Jehovai mund ‘të fshijë çdo lot nga sytë e tu’. «Dielli» zhuritës i Perëndisë, dënimi, nuk është më një kërcënim për ty, dhe kur katër erërat e shkatërrimit të lëshohen, do t’i shpëtosh ‘të nxehtit përvëlues’ të pakënaqësisë së Jehovait. Pas këtij shkatërrimi, Qengji do të të drejtojë për te «burimet e ujërave të jetës» që të ripërtërihesh e të nxjerrësh dobi të plotë prej tyre, pasi ato paraqitin të gjitha masat që ka marrë Jehovai që ti të fitosh jetën e përhershme. Besimi yt në gjakun e Qengjit s’do të shkojë dëm, sepse pak nga pak do të arrish përsosmërinë si njeri. Shumica e madhe ku bën pjesë, do të jetë një grup unik mes njerëzve. «Miliona» njerëzit që e formojnë, s’do ta provojnë vdekjen. Perëndia do të ketë fshirë çdo lot nga sytë e tu në kuptimin e vërtetë të fjalës.—Zbulesa 21:4.
Të sigurohemi për thirrjen
30. Ç’perspektivë të mrekullueshme shpalos para nesh vegimi i Gjonit dhe cilët do ‘të qëndrojnë në këmbë’?
30 Ç’perspektivë të mrekullueshme shpalosin para nesh këto fjalë! Jehovai është në fron dhe të gjithë shërbëtorët e tij, në qiell e në tokë, e lëvdojnë të bashkuar. Shërbëtorët e tij në tokë e kuptojnë se ç’privilegj i pazakontë është për ta që i kanë bashkuar zërat në këtë këngë lavdie që jehon gjithnjë e më fort. Shumë shpejt, Jehovai dhe Krishti Jezu do të ekzekutojnë gjykimin dhe do të ushtojë thirrja: «Erdhi dita e madhe e zemërimit të tyre; dhe kush është në gjendje të qëndrojë në këmbë?» (Zbulesa 6:17) ‘Do të qëndrojnë’ vetëm pak njerëz, ku përfshihet ndonjë i vulosur nga 144.000 të mirosurit që mund të ketë mbetur në tokë dhe një shumicë e madhe delesh të tjera, që do të mbijetojnë bashkë me ta.—Jeremia 35:19; 1 Korintasve 16:13.
31. Si duhet të ndikojë përmbushja e vegimit të Gjonit te të krishterët e mirosur dhe te shumica e madhe?
31 Të vetëdijshëm për këtë, të krishterët e mirosur të klasës së Gjonit luftojnë me të gjitha forcat që ‘të sulen drejt qëllimit, për të marrë çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë me anë të Krishtit Jezu’. (Filipianëve 3:14) Ata e kuptojnë mirë se ngjarjet e këtyre ditëve kërkojnë qëndrueshmëri të veçantë nga ana e tyre. (Zbulesa 13:10) Pasi i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për kaq shumë vjet, ata vazhdojnë ta mbajnë të fortë besimin dhe gëzojnë që emrat e tyre «janë shkruar në qiej». (Luka 10:20; Zbulesa 3:5) Edhe anëtarët e shumicës së madhe e dinë se vetëm «ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë». (Mateu 24:13) Megjithëse shumica e madhe është e sigurt se si grup do t’i mbijetojë shtrëngimit të madh, çdo individ i saj duhet të luftojë që të mbetet i pastër dhe aktiv.
32. Çfarë është urgjente të bëhet, përderisa vetëm dy grupe ‘do të qëndrojnë në këmbë’ ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait?
32 Asgjë nuk lë të mendosh se përveç këtyre dy grupeve do të ketë edhe të tjerë që ‘do të qëndrojnë në këmbë’ ditën e zemërimit të furishëm të Jehovait. Çfarë do të thotë kjo për miliona njerëz që çdo vit tregojnë njëfarë respekti për flijimin e Jezuit duke qenë të pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së tij, por që ende nuk kanë treguar besim në flijimin e Jezuit, aq sa t’i kushtohen Jehovait, të pagëzohen si shërbëtorë të tij e t’i shërbejnë Perëndisë me zell? Po për ata që dikur i shërbenin Jehovait aktivisht, por që kanë lejuar që zemra e tyre ‘të rëndohet nga ankthet e jetës’? Të gjithë këta le të zgjohen e të qëndrojnë zgjuar ‘që t’ia dalin mbanë të shpëtojnë nga të gjitha ato që do të ndodhin dhe të qëndrojnë para Birit të njeriut’, Jezu Krishtit. S’ka mbetur shumë kohë!—Luka 21:34-36.
[Shënimet]
a Ose «grupet etnike», shih shënimin te Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
b Kulla e Rojës, 1 prill 1918, faqja 98, anglisht.
[Kutia në faqen 119]
Interpretimet i përkasin Perëndisë
Klasa e Gjonit u përpoq për shumë dekada të zbulonte identitetin e shumicës së madhe, por nuk gjeti një shpjegim të kënaqshëm. Pse? Përgjigjen e gjejmë te fjalët e Jozefit besnik, i cili tha: «A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?» (Zanafilla 40:8) Kur dhe si i interpreton Perëndia profecitë e tij? Zakonisht kur janë gati të përmbushen ose janë duke u përmbushur, që mesazhi i tyre të dallohet qartë nga shërbëtorët e tij që duan t’i kuptojnë. Kjo kuptueshmëri na jepet «për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë».—Romakëve 15:4.
[Kutia në faqen 124]
Anëtarët e shumicës së madhe
▪ vijnë nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët
▪ qëndrojnë para fronit të Jehovait
▪ i kanë larë petkat e tyre të bardha në gjakun e Qengjit
▪ ia detyrojnë shpëtimin Jehovait dhe Jezuit
▪ dalin nga shtrëngimi i madh
▪ i shërbejnë Jehovait ditë e natë në tempullin e tij
▪ gëzojnë mbrojtjen dhe kujdesin e dashur të Jehovait
▪ drejtohen nga Jezui për te burimet e ujërave të jetës
[Figura që zë gjithë faqen 121]
[Figura në faqen 127]
Shumica e madhe ia detyron shpëtimin Perëndisë dhe Qengjit
[Figura në faqen 128]
Qengji do ta drejtojë shumicën e madhe për te burimet e ujërave të jetës