Kapitulli 16
Qeveria e Perëndisë fillon të sundojë
1. (a) Çfarë kanë pritur për shumë kohë njerëzit besnikë? (b) Përse Mbretëria e Perëndisë është quajtur një «qytet»?
PËR MIJËRA VJET njerëzit me besë kanë pritur kohën, kur qeveria e Perëndisë të fillonte sundimin. Për shembull, Bibla thotë se besniku Abraham «priste qytetin që ka themele mbretërore, ndërtuesi dhe krijuesi i të cilit është Perëndia.» (Hebrenjve 11:10) Ai qytet është Mbretëria e Perëndisë. Po përse këtu është quajtur një «qytet»? Sepse në lashtësi, zakonisht, qytetet qeveriseshin nga mbretër. Prandaj, njerëzit shpeshherë i konsideronin qytetet si mbretëri.
2. (a) Ç’gjë tregon se për dishepujt e parë të Krishtit, Mbretëria ishte një realitet? (b) Çfarë donin të dinin mbi të?
2 Për ithtarët e parë të Krishtit, mbretëria e Perëndisë ishte një realitet. Këtë e tregon interesi i tyre i madh për sundimin e saj. (Mateu 20:20-23) Pyesnin veten, se kur do të fillonte Krishti dhe dishepujt e tij, të qeverisnin. Një herë, kur Krishti iu shfaq atyre pas ringjalljes së tij, dishepujt e pyetën: «Zot, do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» (Veprat 1:6) Po ti, a je sikurse dishepujt e Jezuit, i etur për të ditur se kur fillon Krishti së qeverizuari si mbret i qeverisë së Perëndisë?
QEVERIA PËR TË CILËN LUTEN TË KRISHTERËT
3, 4. (a) Ç’gjë tregon se Perëndia ka qenë gjithmonë mbret? (b) Përse, atëherë, Jezui i mësoi ithtarët e tij të luten që të vijë mbretëria e Perëndisë?
3 Krishti i mësoi ithtarët e tij të lutin Perëndinë, duke thënë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell edhe në tokë.» (Mateu 6:9,10) Por dikush do të pyesë: «A nuk ka qenë përherë Perëndia Jehova mbret? Nëse ka qenë, përse të lutemi që të vijë mbretëria e tij?»
4 Është e vërtetë se Bibla e quan Jehovain «Mbret të përjetësisë». (1. Timoteut 1:17) Dhe thotë: «Jehovai vetë e ka vendosur fortësisht fronin e tij në qiejt vetë; dhe mbi çdo gjë vetë mbretëria e tij ka pasur sundim.» (Psalmi 103:19) Pra, Jehovai ka qenë gjithmonë Sovrani absolut mbi mbarë krijesën e tij. (Jeremia 10:10) Për shkak të rebelimit që ndodhi kundër sundimit të tij në kopshtin e Edenit, Perëndia vendosi të themelojë një qeveri të veçantë. Kjo është qeveria për të cilën më vonë Jezu Krishti i mësoi të luten ithtarët e tij. Ajo do të shërbejë për t’u dhënë fund problemeve të shkaktuara nga rebelimi i Satana Djallit dhe të tjerët kundër sundimit të Perëndisë.
5. Nëse mbretëria është e Perëndisë, përse është quajtur edhe mbretëri e Krishtit dhe e të 144.000-ve?
5 Kjo qeveri e re mbretërore e merr fuqinë dhe të drejtën për të dominuar nga Mbreti i madh, Perëndia Jehova. Është mbretëria e tij. Më se një herë Bibla e quan «mbretëria e Perëndisë». (Luka 9:2, 11, 60, 62; 1. Korintasve 6:9, 10; 15:50) Por, meqë Jehovai e ka vendosur Birin e tij si Qeveritar kryesor, ajo quhet edhe mbretëria e Krishtit. (2. Pjetrit 1:11) Siç kemi parë në një kapitull të mëparshëm, 144.000 persona të nxjerrë nga raca njerëzore, do të mbretërojnë me Krishtin në këtë mbretëri. (Zbulesa 14:1-4; 20:6) Prandaj, Bibla flet për të edhe si për «mbretërinë e tyre».—Danieli 7:27.
6. Sipas disave, kur filloi të sundojë mbretëria e Perëndisë?
6 Sipas disave, Mbretëria filloi të sundonte në vitin kur Krishti u kthye në qiell. Thonë, se Krishti filloi të mbretërojë kur derdhi frymën e shenjtë mbi ithtarët e tij ditën e festës hebreje të Rrëshajave të vitit 33 e.s. (Veprat 2:1-4) Por Mbretëria ose qeveria, që sipas qëllimit të Jehovait duhet t’u japë fund gjithë problemeve të shkaktuara nga rebelimi i Satanait nuk filloi të sundojë atëherë. Nuk ka asnjë provë që «biri mashkull», pra qeveria e Perëndisë që i është besuer Krishtit, të ketë lindur atëherë e të ketë filluar të mbretërojë. (Zbulesa 12:1-10) Megjithatë, a mori ndonjë qeveri Jezui në vitin 33 të e.s.?
7. Mbi cilët ka mbretëruar Krishti prej vitit 33 të e.s. e këtej?
7 Po, në atë kohë Jezui filloi të mbretërojë mbi kongregacionin e ithtarëve të tij që, kur të vinte koha, do ta arrinin në qiej. Në fakt, duke folur mbi ta, ndërsa janë në tokë, Bibla thotë që janë sjellë «në mbretërinë e Birit të dashurisë së Perëndisë». (Kolosianëve 1:13) Por ky sundim apo «mbretëri» mbi të krishterët që kanë shpresën qiellore nuk është Mbretëria apo qeveria për të cilën Jezui i mësoi të luten ithtarët e tij. Është një mbretëri vetëm mbi të 144.000-të që do të mbretërojnë me të në qiell. Në vazhdën e shekujve ata kanë qenë nënshtetasit e saj të vetëm . Prandaj ky sundim, apo «mbretëri e Birit të dashurisë së Perëndisë», do të mbarojë kur i fundit prej këtyre nënshtetasve me shpresë qiellore të vdesë e të arrijë Krishtin në qiell. Atëherë nuk do të jenë më nënshtetas të Krishtit, por do të jenë mbretër me të në Mbretërinë apo qeverinë e shumëpritur të Perëndisë.
FILLIMI I SUNDIMIT NË MES TË ARMIQVE
8. (a) Ç’tregon, se pas ringjalljes Krishti duhej të priste për një farë kohe para se të fillonte së mbretëruari? (b) Çfarë i tha Perëndia Krishtit, kur për të erdhi koha që të mbretëronte?
8 Kur u kthye në qiell pas ringjalljes së tij, Krishti nuk filloi të qeveriste si mbret i mbretërisë së Perëndisë. Duhej të kishte një periudhë pritjeje, siç shpjegon apostulli Pavël: «Ky njeri [Jezu Krishti] ofroi një flijim të vetëm për mëkatet përjetë dhe u ul në të djathtë të Perëndisë, duke pritur pastaj që armiqtë e tij të viheshin si shtroje e këmbëve të tij.» (Hebrenjve 10:12, 13) Kur për Krishtin erdhi koha që të fillojë së qeverizuari, Jehovai i tha: «Nënshtro [apo zotëro] në mes të armiqve të tu.»—Psalmi 110:1, 2, 5, 6.
9. (a) Përse nuk e duan të gjithë Mbretërinë e Perëndisë? (b) Çfarë bëjnë kombet, kur qeveria e Perëndisë fillon të sundojë?
9 Të duket e habitshme që ekzistojnë armiq të qeverisë së Perëndisë? E megjithatë jo të gjithë duan një qeveri, ku nënshtetasit duhet të veprojnë me drejtësi. Prandaj, pasi flet për marrjen e sundimit botëror nga ana e Jehovait dhe e Birit të tij, Bibla thotë se «kombet do të zemërohen». (Zbulesa 11:15, 17, 18) Kombet nuk e presin me gëzim mbretërinë e Perëndisë, por, duke qenë të mashtruara prej Satanait, i kundërvihen asaj.
10, 11. (a) Çfarë ndodh në qiell, kur fillon të sundojë qeveria e Perëndisë? (b) Çfarë ndodh mbi tokë? (c) Cilën pikë të rëndësishme duhet të mbajmë mend, pra?
10 Kur qeveria e Perëndisë fillon të sundojë, Satanai dhe engjëjt e tij gjenden akoma në qiell. Pasi i kundërvihen sundimit të Mbretërisë, fillon menjëherë një luftë, që mbaron me përjashtimin e Satanait dhe engjëjve të tij nga qielli. Në këtë kohë një zë i lartë thotë: «Tashmë erdhi shpëtimi dhe fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij.» Po, qeveria e Perëndisë fillon të sundojë! Pasi Satanai dhe engjëjt e tij janë përjashtuar, në qiell ka gëzim. «Prandaj,—thotë Bibla,—gëzohuni, o qiej dhe ju që banoni në to!»—Zbulesa 12:7-12.
11 A është kohë e lumtur edhe për tokën? Jo! Përkundrazi, fillon koha më e mundimshme që toka ka parë ndonjëherë. Bibla thotë: «Mjerë për tokë e për det, sepse Djalli zbriti ndër ju, duke pasur zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë të shkurtër kohe.» (Zbulesa 12:12) Ja, pra, një pikë e rëndësishme për t’u mbajtur mend: fillimi i sundimit të mbretërisë së Perëndisë nuk do të thotë paqe dhe siguri e menjëhershme mbi tokë. Paqja e vërtetë do të vijë më vonë, kur mbretëria e Perëndisë do të marrë kontrollin e plotë të tokës. Kjo do të ndodhë në fund të «periudhës së shkurtër të kohës», kur Satanai dhe engjëjt e tij nuk do të jenë më, në mënyrë që të mos mund të shkaktojnë telashe.
12. Përse është e logjikshme të presim që Bibla të tregojë kohën kur mbretëria e Perëndisë fillon të sundojë?
12 Por, kur ndodh përjashtimi i Satanait nga qielli, me telashet pasuese mbi tokë? Kur fillon së sunduari mbretëria e Perëndisë? A e thotë Bibla këtë? Mund të presim që e thotë. Përse? Sepse Bibla e kishte parathënë shumë më parë kohën kur Biri i Perëndisë do të shfaqej për herë të parë si njeri mbi tokë për t’u bërë Mesia. Kishte treguar, madje, vitin e saktë në të cilin do të bëhej Mesi. Ç’mund të themi atëherë për ardhjen më të rëndësishme të Mesisë apo Krishtit, për të filluar sundimin në mbretërinë e tij? Do të ishte e logjikshme të pritej se Bibla e tregon edhe kohën e kësaj ngjarjeje!
13. Si e paratha Bibla vitin e saktë në të cilin Mesia do të shfaqej mbi Tokë?
13 Por mund të pyetej: «Në ç’vend e parathotë Bibla vitin e saktë të shfaqjes së Mesisë mbi tokë?» Libri biblik i Danielit thotë: «Prej daljes së fjalës për ripërtëritjen dhe rindërtimin e Jeruzalemit, deri tek Mesia Udhëheqësi, do të ketë shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë», gjithsej gjashtëdhjetë e nëntë javë. (Danieli 9:25) Por nuk bëhet fjalë për 69 javë të vërteta, që do të shkonin deri në vetëm 483 ditë, pak më shumë se një vit. Janë 69 javë vitesh, d.m.th, 483 vite. (Krahaso Numrat 14:34.) Urdhri për ripërtëritjen dhe rindërtimin e mureve të Jeruzalemit u lëshua në 455 p.e.s.a (Nehemia 2:1-8) Prandaj ato 69 javë vitesh mbaruan 483 vjet më vonë, në 29 të e.s. Dhe ai është pikërisht viti kur Jezui shkoi te Gjoni për t’u pagëzuar! Në atë rrethanë u miros me frymë të shenjtë dhe u bë Mesia apo Krishti.—Luka 3:1, 2, 21-23.
KUR QEVERIA E PERËNDISË FILLON TË SUNDOJË
14. Çfarë përfaqëson «pema» tek Danieli, kapitulli 4?
14 Në ç’vend, pra, Bibla parathotë vitin, në të cilin Krishti do të fillonte sundimin si mbret i qeverisë së Perëndisë? Në po atë libër biblik të Danielit. (Danieli 4:10-37) Këtu, një pemë gjigante që ngrihej deri në qiej, është përdorur për të përfaqësuar Nabukodonosorin, mbret i Babilonisë. Në atë kohë ai ishte qeveritari më i lartë njerëzor. Por Nabukodonosori qe i detyruar të pranonte ekzistencën e një sovrani më të lartë. Ky është «Më i Larti», «Mbret i qiejve», Perëndia Jehova. (Danieli 4:34, 37) Prandaj, me një domethënie më të rëndësishme, kjo pemë e lartë deri në qiej përfaqëson sundimin suprem të Perëndisë, veçanërisht në lidhje me tokën. Sundimi i Jehovait u shpreh për një farë kohe me anë të mbretërisë të ngritur prej tij mbi kombin e Izraelit. Për këtë thuhej se mbretërit e fisit të Judës që mbretëronin mbi izraelitët «uleshin mbi fronin e Jehovait».—1. Kronikat 29:23.
15. Përse «pema» e rrëzuar u shtrëngua me rrathë?
15 Sipas tregimit biblik të Danielit, kapitulli 4, pema e lartë deri në qiej, u rrëzua. Por iu la trungu, që u shtrëngua me rrathë hekuri dhe bakri. Kjo do t’i pengonte trungut të lëshonte bisqe, derisa të vinte koha e caktuar nga Perëndia për të hequr rrathët e të lihej të rritej përsëri. Por si dhe kur u rrëzua sundimi i Perëndisë?
16. (a) Si dhe kur u rrëzua sundimi i Perëndisë? (b) Çfarë iu tha mbretit të fundit që u ul mbi «fronin e Jehovait»?
16 Me kohë, mbretëria e Judesë e vendosur prej Jehovait, u bë aq e korruptuar, saqë Jehovai i lejoi mbretit Nabukodonosor ta shkatërronte, ta rrëzonte. Kjo ndodhi në vitin 607 p.e.s. Në atë kohë, Sedekias, mbretit të fundit të Judesë që ulej në fronin e Jehovait, iu tha: «Hiqe kurorën. . . . sigurisht nuk do të bëhet e askujt, derisa të vijë ai që ka të drejtën ligjore dhe atij duhet [t’ia] jap.»—Ezekieli 21:25-27.
17. Cila periudhë kohore filloi në 607 p.e.s.?
17 Prandaj sundimi i Perëndisë, i përfaqësuar nga «pema», u rrëzua në 607 p.e.s. Nuk pati më asnjë qeveri që të përfaqësonte mbi tokë sundimin e Perëndisë. Në 607 p.e.s. filloi kështu një periudhë kohe që më vonë Jezu Krishti e quajti «kohët e caktuara të kombeve», ose «kohët e Paganëve». (Luka 21:24) Gjatë atyre «kohëve të caktuara», Perëndia nuk pati një qeveri që të përfaqësonte sundimin e tij mbi tokë.
18. Çfarë duhej të ndodhte në fund të «kohëve të caktuara të kombeve»?
18 Çfarë duhej të ndodhte në fund të atyre «kohëve të caktuara të kombeve»? Jehovai duhej t’i jepte pushtetin për të mbretëruar Atij «që ka të drejtën ligjore». Ky është Jezu Krishti. Pra, nëse do të dinim se kur mbarojnë «kohët e caktuara të kombeve», do të dimë edhe se kur filloi Krishti të mbretërojë.
19. Për sa «kohë» do të ndërpritej sundimi i Perëndisë mbi tokë?
19 Sipas Danielit, kapitulli 4, ato «kohë të caktuara» do të ishin «shtatë kohë». Danieli tregon se për «shtatë kohë» sundimi i Perëndisë, i përfaqësuar nga «pema», nuk do të ushtrohej mbi tokë. (Danieli 4:16, 23) Sa zgjasin këto «shtatë kohë»?
20. (a) Me sa është e barazvlefshme një «kohë»? (b) Po të «shtatë kohët»? (c) Përse një ditë llogaritet për një vit?
20 Nga Zbulesa, kapitulli 12, vargjet 6 dhe 14, kuptohet se 1.260 ditë janë baraz me «një kohë dhe kohëra [2 kohëra] dhe gjysma e një kohe», gjithsej 3 kohë e gjysëm. Prandaj «një kohë» është e barazvlefshme, pra, me 7x360 ditë, d.m.th. 2.520 ditë. Nëse tani, në bazë të një rregulli biblik, llogarisim një ditë për një vit, të «shtatë kohët» janë të barazvlefshme me 2.520 vjet.—Numrat 14:36; Ezekieli 4:6.
21. (a) Kur fillojnë dhe kur përfundojnë «kohët e caktuara të kombeve»? (b) Kur ka filluar të sundojë mbretëria e Perëndisë? (c) Përse është akoma e përshtatshme të lutemi që të vijë mbretëria e Perëndisë?
21 Kemi mësuar tashmë, se «kohët e caktuara të kombeve» filluan në vitin 607 p.e.s. Duke llogaritur, pra, 2.520 vjet nga ajo datë arrihet në vitin 1914 e.s. Në atë vit mbaruan këto «kohë të caktuara». Miliona njerëz akoma në jetë, mbajnë mend atë që ndodhi në vitin 1914, kur, me Luftën e Parë Botërore, filloi një periudhë me halle të panumërta, akoma edhe sot në vazhdim. Kjo nënkupton se në 1914 Jezu Krishti ka filluar të sundojë si mbret i qeverisë qiellore të Perëndisë. Pasi Mbretëria ka filluar të sundojë, sa e rëndësishme është të lutemi që ajo «të vijë» për të fshirë nga toka sistemin e lig të gjërave të Satanait!—Mateu 6:10; Danieli 2:44.
22. Cila pyetje mund të lindë?
22 Ama, dikush mund të pyesë: «Nëse Krishti është kthyer tashmë për të qeverisur në mbretërinë e Atit të tij, si vallë nuk e shohim?»
[Shënimet]
a Për fakte historike se ky urdhër u dha në vitin 455 p.e.s., shiko nëntitullin «Artakserksi» në librin Ndihma për të kuptuar Biblën (angl.), botuar nga Watchtower Bible and Tract Society.
[Tabela në faqet 140, 141]
Në 607 p.e.s. ra mbretëria e Judesë.
Më 1914 të e.s. Jezu Krishti fillon të sundojë si mbret i qeverisë qiellore të Perëndisë
607 p.e.s.—1914 e.s.
Tetor, 607 p.e.s.—Tetor, 1 p.e.s. = 606 VJET
Tetor, 1 p.e.s.—Tetor, 1914 e.s. = 1.914 VJET
SHTATË KOHËT E PAGANËVE = 2.520 VJET
[Figura në faqen 134]
«Do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?»
[Figura në faqen 139]
Pema e madhe e kapitullit të katërt të Danielit përfaqëson sundimin hyjnor. Për një farë kohe ai u shpreh me anë të mbretërisë së Judesë
[Figura në faqet 140, 141]
Pema u rrëzua kur u shkatërrua mbretëria e Judesë