Danieli
4 «Nga mbreti Nabukodonosor, gjithë popujve, kombeve dhe grupeve gjuhësore që banojnë në mbarë tokën: E madhe qoftë paqja juaj! 2 Kam kënaqësinë t’ju bëj të njohura shenjat dhe veprat e mrekullueshme që Perëndia Më i Lartë ka kryer ndaj meje. 3 Sa madhështore janë shenjat e tij! Sa të fuqishme janë veprat e tij të mrekullueshme! Mbretëria e tij është e përjetshme dhe sovraniteti i tij vazhdon brez pas brezi!+
4 Unë, Nabukodonosori, isha i qetë në shtëpinë time dhe kisha mbarësi në pallatin tim. 5 Por pashë një ëndërr që më frikësoi; pamjet dhe vegimet* që pashë ndërsa isha në gjumë,* më trembën.+ 6 Kështu nxora një urdhër që të sillnin para meje gjithë të mençurit e Babilonisë për të më interpretuar ëndrrën.+
7 Atëherë priftërinjtë që merren me magji, ndjellësit e frymërave, kaldeasit* dhe astrologët+ erdhën, e kur u tregova ëndrrën, ata nuk e interpretuan dot.+ 8 Në fund, përpara meje erdhi Danieli, që quhet Belteshazar+ sipas emrit të perëndisë tim+ e tek i cili është fryma e perëndive të shenjta,+ dhe i tregova ëndrrën:
9 “O Belteshazar, kreu i priftërinjve që merren me magji,+ unë e di mirë se fryma e perëndive të shenjta është te ti+ dhe se nuk ka asnjë të fshehtë që të jetë tepër e vështirë për ty.+ Prandaj më shpjego kuptimin e vegimeve që pashë në ëndërr.
10 Në vegimet e mia, ndërsa isha në gjumë, pashë në mes të tokës një pemë+ me lartësi marramendëse.+ 11 Pema u rrit dhe u bë e fortë; maja i arriti qiejt dhe shihej deri në skajet e tokës. 12 Gjethnaja ishte e bukur, fryti ishte i bollshëm dhe në të kishte ushqim për të gjithë. Nën të kërkonin hije kafshët e fushës, në degë banonin zogjtë e qiellit dhe prej saj ushqehej çdo krijesë.*
13 Kur isha në gjumë, në vegim pashë një vrojtues, një të shenjtë, që zbriste nga qiejt.+ 14 Ai thërriste me zë të lartë: ‘Priteni pemën+ dhe këputjani degët, shkundjani gjethet dhe shpërndajani frytin! Le të ikin kafshët që rrinë nën hijen e saj dhe zogjtë nga degët e saj! 15 Por kërcurin lëreni në tokë, mes barit të fushës, të lidhur me rrathë hekuri e bakri. Le ta lagë vesa e qiejve e të rrijë me kafshët mes bimësisë së tokës.+ 16 T’i ndryshohet zemra e t’i jepet një zemër kafshe në vend të zemrës së njeriut, e le të kalojnë shtatë kohë.+ 17 Ky është dekreti nga vrojtuesit,+ vendimi i shpallur nga të shenjtët, që të gjallët ta dinë se Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve,+ se ia jep atë kujt të dojë dhe se vë në krye të saj edhe më të përvuajturin e njerëzve.’
18 Kjo ishte ëndrra që pashë unë, mbreti Nabukodonosor. Tani, o Belteshazar, më thuaj interpretimin, sepse të gjithë të mençurit e tjerë të mbretërisë sime s’janë në gjendje të ma interpretojnë.+ Por ti je i zoti, sepse fryma e perëndive të shenjta është te ti.”
19 Atëherë Danieli, emri i të cilit është Belteshazar,+ u alarmua për një moment dhe mendimet nisën ta trembnin.
Mbreti i tha: ‘Belteshazar, mos u tremb nga ëndrra dhe as nga interpretimi i saj!’
Belteshazari ia ktheu: “Imzot, kjo ëndërr daltë e vërtetë për ata që të urrejnë dhe interpretimi i saj për armiqtë e tu!
20 Pema që pe, e cila u rrit shumë dhe u bë e fortë, maja e së cilës arriti qiejt dhe u bë e dukshme në mbarë tokën,+ 21 me gjethnajë të bukur e me fryt të bollshëm, ku kishte ushqim për të gjithë, nën të cilën banonin kafshët e fushës e në degët e së cilës banonin zogjtë e qiellit,+ 22 je ti, o mbret, sepse ti je bërë i madh dhe i fortë, madhështia jote ka arritur qiejt,+ kurse sundimi yt, skajet e tokës.+
23 Mbreti pa një vrojtues, një të shenjtë,+ që zbriste nga qiejt dhe thoshte: ‘Priteni pemën dhe copëtojeni! Megjithatë, kërcurin lëreni në tokë, mes barit të fushës, të lidhur me rrathë hekuri e bakri. Le ta lagë vesa e qiejve e të rrijë me kafshët e fushës derisa të kalojnë shtatë kohë.’+ 24 Ky është interpretimi, o mbret, dhe dekreti i Më të Lartit që do të zbatohet për zotërinë tim, mbretin. 25 Ty do të të përzënë nga njerëzit dhe do të banosh me kafshët e fushës, do të të japin të hash bar si demat dhe vesa e qiejve do të të lagë.+ Shtatë kohë+ do të kalojnë,+ derisa të kuptosh se Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve dhe se ia jep atë kujt të dojë.+
26 Por, meqë thanë të linin kërcurin e pemës,+ mbretëria do të bëhet përsëri jotja, pasi të kuptosh se ka vetëm një Sovran në qiell. 27 Prandaj, o mbret, qoftë e pranueshme këshilla ime në sytë e tu. Hiq dorë nga mëkatet e tua dhe bëj atë që është e drejtë, hiq dorë nga ligësia jote dhe trego mëshirë për të varfrit! Ndoshta mbarësia jote do të zgjatë.”»+
28 E gjithë kjo i ndodhi mbretit Nabukodonosor.
29 Dymbëdhjetë muaj më vonë, ai po ecte në tarracën e pallatit mbretëror të Babilonisë 30 e po thoshte: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar si shtëpi mbretërore me forcën e fuqinë time dhe për lavdinë e madhështisë sime?!»
31 Ndërsa këto fjalë ishin ende në gojën e mbretit, nga qiejt erdhi një zë: «Ty po të thuhet, o mbret Nabukodonosor: ‘Mbretëria është larguar prej teje,+ 32 dhe ty do të të përzënë nga njerëzit. Do të banosh me kafshët e fushës dhe do të të japin të hash bar si demave, e do të kalojnë shtatë kohë, derisa të kuptosh se Më i Larti është Sovran në mbretërinë e njerëzve dhe se ia jep atë kujt të dojë.’»+
33 Fjala për Nabukodonosorin u përmbush në çast; atë e përzunë nga njerëzit, dhe ai nisi të hante bar si demat, trupin ia lagte vesa e qiejve, derisa flokët iu zgjatën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e zogjve.+
34 «Në fund të asaj kohe,+ unë, Nabukodonosori, i ngrita sytë drejt qiejve dhe m’u kthye arsyeja; lëvdova Më të Lartin, i dhashë lavdi e nderim Atij që rron në jetë të jetëve, sepse sovraniteti i tij është i përjetshëm dhe mbretëria e tij vazhdon brez pas brezi.+ 35 Gjithë banorët e tokës s’janë asgjë para tij, dhe ai bën si të dojë me ushtrinë e qiejve e me banorët e tokës. E nuk ka njeri që ta pengojë*+ a t’i thotë: ‘Ç’ke bërë?’+
36 Në po atë kohë m’u kthye arsyeja, lavdia e mbretërisë sime, madhështia dhe shkëlqimi.+ Zyrtarët e lartë dhe fisnikët më kërkuan me ngulm, dhe unë u rivendosa në mbretërinë time, e madhështia ime u shtua edhe më shumë.
37 Tani, unë, Nabukodonosori, lëvdoj, nderoj dhe i jap lavdi Mbretit të qiejve,+ sepse gjithë veprat e tij janë në përputhje me të vërtetën dhe udhët e tij janë të drejta,+ e ngaqë ai është në gjendje t’i poshtërojë ata që ecin me krenari.»+