Kapitulli 28
Luftë me dy bisha të egra
Vegimi 8—Zbulesa 13:1-18
Subjekti: Bisha me shtatë kokë, bisha me dy brirë dhe shëmbëlltyra e bishës
Koha e përmbushjes: Nga ditët e Nimrodit deri në shtrëngimin e madh
1, 2. (a) Çfarë tha Gjoni për dragoin? (b) Si e përshkroi Gjoni me një gjuhë simbolike organizatën e dukshme që përdor dragoi?
DRAGOI i madh u hodh poshtë në tokë. Studimi i Zbulesës na e ka bërë të qartë se Gjarpri ose demonët që e ndjekin, nuk do të lejohen më kurrë në qiell. Por kjo s’do të thotë se me kaq mbaroi historia e atij «që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». Vazhdimi i tregimit shpjegon në mënyrë më të hollësishme cila është vegla që përdor Satanai për të luftuar kundër ‘gruas dhe farës së saj’. (Zbulesa 12:9, 17) Ja çfarë tha Gjoni për dragoin dinak si gjarpër: «Ai u ndal mbi rërën e detit.» (Zbulesa 13:1a) Tani do të ndalemi e do të shohim më nga afër veglën që përdor dragoi.
2 Qiejt e shenjtë nuk shqetësohen më nga prania e Satanait dhe e demonëve të tij. Ato frymëra të liga janë dëbuar nga qiejt dhe janë kufizuar në afërsi të tokës. Pa dyshim, kjo shpjegon rritjen e jashtëzakonshme të praktikave spiritiste në ditët tona. Gjarpri dinak vazhdon të ketë një organizatë të korruptuar me krijesa frymore. Por, a ka edhe një organizatë të dukshme, që e përdor për të mashtruar njerëzit? Ja si u përgjigj Gjoni? «Kurse unë pashë një bishë të dilte nga deti, me dhjetë brirë dhe shtatë koka. Në brirët e saj kishte dhjetë diadema, kurse mbi kokat e saj kishte emra blasfemues. Bisha që pashë, ishte si leopard, kurse këmbët i kishte si këmbë ariu, dhe gojën si gojë luani. Dragoi i dha bishës fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh.»—Zbulesa 13:1b, 2.
3. (a) Cilat kafshë të egra pa profeti Daniel në vegim? (b) Ç’përfaqësojnë kafshët e stërmëdha të kapitullit 7 të Danielit?
3 Ç’ishte kjo bishë e çuditshme? Përgjigjen e jep vetë Bibla. Para rënies së Babilonisë në vitin 539 p.e.s., Danieli, një profet izraelit, pa në vegime disa bisha ose kafshë të egra. Te Danieli 7:2-8 ai foli për katër kafshë që dilnin nga deti. E para ishte si luan, e dyta si ari, e treta si leopard dhe ‘e katërta ishte një bishë e frikshme, e tmerrshme dhe jashtëzakonisht e fortë, me dhjetë brirë’. Bisha që pa Gjoni rreth vitit 96 të e.s. përafronte jashtëzakonisht shumë me kafshët që pa Danieli. Në fakt, edhe ajo kishte karakteristikat e luanit, të ariut e të leopardit, si edhe dhjetë brirë. Cilat ishin kafshët e stërmëdha që pa Danieli? Ai vetë na e tregoi: «Këto bisha të stërmëdha . . . përfaqësojnë katër mbretër që do të ngrihen nga toka.» (Danieli 7:17) Po, ato kafshë përfaqësojnë «mbretër» ose fuqi politike në tokë.
4. (a) Ç’përfaqësonin dashi dhe cjapi në kapitullin 8 të Danielit? (b) Çfarë tregonte thyerja e bririt të madh të cjapit dhe zëvendësimi i tij nga katër brirë?
4 Në një vegim tjetër, Danieli pa një dash me dy brirë që u godit nga një cjap me një bri të madh. Engjëlli Gabriel i shpjegoi Danielit se ç’përfaqësonin këto kafshë: «Dashi . . . përfaqëson mbretin e Medisë e të Persisë. Cjapi leshtor përfaqëson mbretin e Greqisë.» Më pas, Gabrieli profetizoi se briri i madh i cjapit do të thyhej e do të zëvendësohej nga katër brirë. Pikërisht kjo ndodhi më shumë se 200 vjet më vonë, kur Aleksandri i Madh vdiq dhe mbretëria e tij u nda në katër mbretëri që drejtoheshin nga katër prej gjeneralëve të tij.—Danieli 8:3-8, 20-25.a
5. (a) Ç’ngjyrime përçon termi në greqisht për fjalën «bishë»? (b) Ç’përfaqëson bisha e Zbulesës 13:1, 2 dhe shtatë kokat e saj?
5 Pra, është e qartë se Autori i Biblës, i kësaj vepre me origjinë hyjnore, i sheh fuqitë politike në tokë si krijesa me cilësitë e kafshëve. Por, ç’lloj kafshësh? Një komentues e quajti «egërsirë» kafshën që përmendet te Zbulesa 13:1, 2, dhe shtoi: «Pranohen të gjitha ngjyrimet që përçon fjala θηρίον [theríon, termi në greqisht për ‘bishë’], siç janë: përbindësh i pamëshirshëm, barbar, i frikshëm, grabitqar etj.»b Sa i gjetur është termi «bishë» për sistemin politik të përlyer me gjak, vegël e Satanait për të sunduar njerëzit! Shtatë kokat e kësaj bishe përfaqësojnë shtatë fuqi të mëdha botërore që ndoqën njëra-tjetrën gjatë historisë biblike. Në kohën e Gjonit ishin shfaqur gjashtë prej tyre: Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia, Greqia dhe Roma. Fuqia e shtatë botërore, sipas profecisë, do të shfaqej më vonë.—Krahaso Zbulesën 17:9, 10.
6. (a) Çfarë kanë bërë në mënyrë të veçantë shtatë kokat e bishës? (b) Si e përdori Jehovai Romën për të ekzekutuar gjykimin e Tij mbi sistemin judaik dhe si shpëtuan të krishterët në Jerusalem?
6 Është e vërtetë që, përveç këtyre shtatë fuqive botërore, gjatë historisë ka pasur edhe fuqi të tjera, njësoj si bisha që pa Gjoni, e cila përveç shtatë kokave dhe dhjetë brirëve, kishte edhe një trup. Megjithatë, shtatë kokat përfaqësojnë shtatë fuqitë më të mëdha që kanë shtypur, njëra pas tjetrës, veçanërisht popullin e Perëndisë. Në vitin 33 të e.s., kur në fuqi kishte ardhur Roma, Satanai përdori atë kokë të bishës për të vrarë Birin e Perëndisë. Në atë kohë, Perëndia e braktisi sistemin jobesnik judaik dhe, më vonë, në vitin 70 të e.s., e lejoi Romën të ekzekutonte gjykimin e Tij mbi atë komb. Sa mirë që Izraeli i vërtetë i Perëndisë, kongregacioni i të krishterëve të mirosur, ishte paralajmëruar! Ata që banonin në Jerusalem dhe në Jude kishin ikur në një vend të sigurt në anën tjetër të lumit Jordan.—Mateu 24:15, 16; Galatasve 6:16.
7. (a) Çfarë duhej të ndodhte në përfundim të këtij sistemi dhe gjatë ditës së Zotërisë? (b) Cila doli se ishte koka e shtatë e bishës te Zbulesa 13:1, 2?
7 Mirëpo, nga fundi i shekullit të parë të e.s., shumë anëtarë të kongregacionit të hershëm e kishin lënë të vërtetën. Grurit të vërtetë të krishterë, ‘bijve të mbretërisë’, ia kishin zënë frymën egjrat, «bijtë e të ligut». Megjithatë, nga fundi i këtij sistemi, të krishterët e mirosur u shfaqën sërish si një grup i organizuar. Gjatë ditës së Zotërisë, të drejtët duhej ‘të shkëlqenin si dielli’. Kështu, kongregacioni i krishterë u organizua për veprën që duhej të kryente. (Mateu 13:24-30, 36-43) Në këtë kohë, nuk ekzistonte më Perandoria Romake. Në qendër të vëmendjes botërore tani ishte Perandoria e paanë Britanike bashkë me të fuqishmen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo fuqi botërore dyshe doli se ishte koka e shtatë e bishës.
8. Pse s’ka pse të fyhet fuqia dyshe anglo-amerikane kur krahasohet me një bishë?
8 A nuk është fyese t’i quash fuqitë politike qeverisëse bisha? Këtë mendim kishin disa kundërshtarë gjatë Luftës II Botërore, kur gjykatat në mbarë botën u mohonin të drejtat Dëshmitarëve të Jehovait, qoftë si organizatë, qoftë si individë. Por mendo pak! A nuk i përdorin vetë shtetet si simbole të tyre kombëtare bishat ose kafshët e egra? Për shembull, britanikët kanë luanin, amerikanët shqiponjën dhe kinezët dragoin. Atëherë, pse duhet t’u vijë keq, nëse edhe Autori i Biblës së Shenjtë përdor bishat si simbole të fuqive botërore?
9. (a) Pse s’duhet kundërshtuar Bibla kur thotë se bishës ia ka dhënë këtë autoritet të madh Satanai? (b) Si përshkruhet Satanai në Bibël dhe si ndikon ai te qeveritë?
9 Veç kësaj, askush s’ka pse të kundërshtojë Biblën që thotë se bishës ia ka dhënë këtë autoritet të madh Satanai. Këtë e ka thënë vetë Perëndia dhe për të ‘kombet janë si një pikë uji në një kovë dhe si shtresa e hollë e pluhurit në peshore’. Këto kombe do të bënin mirë të kërkonin miratimin e Perëndisë, e jo të fyheshin nga mënyra si i përshkruan Fjala e tij profetike. (Isaia 40:15, 17; Psalmi 2:10-12) Satanai nuk është një figurë mitike, që ka si detyrë të torturojë shpirtrat e të vdekurve në ferrin e zjarrtë. Ky vend as që ekziston. Përkundrazi, sipas Shkrimeve, Satanai është një «engjëll drite», mjeshtër i mashtrimit, që ushtron një ndikim të fuqishëm në çështjet politike në përgjithësi.—2 Korintasve 11:3, 14, 15; Efesianëve 6:11-18.
10. (a) Çfarë tregon diadema në secilin nga dhjetë brirët? (b) Çfarë simbolizojnë dhjetë brirët dhe dhjetë diademat?
10 Bisha kishte dhjetë brirë në shtatë kokat e saj. Ndoshta katër koka kishin nga një bri dhe tri kokat e tjera kishin nga dy. Gjithashtu, në dhjetë brirët e saj kishte dhjetë diadema. Në librin e Danielit, ku përshkruhen bishat e frikshme, numri i brirëve të tyre duhet marrë në kuptim të mirëfilltë. Për shembull, dy brirët e dashit përfaqësonin një fuqi botërore të përbërë nga dy aleatë, Media dhe Persia. Katër brirët e cjapit përfaqësonin katër perandoritë bashkekzistuese që dolën nga Perandoria Greke e Aleksandrit të Madh. (Danieli 8:3, 8, 20-22) Kurse te bisha që pa Gjoni, duket se numri dhjetë i brirëve, ka një kuptim simbolik. (Krahaso Danielin 7:24; Zbulesën 17:12.) Ato përfaqësojnë tërësinë e shteteve sovrane që formojnë tërë organizatën politike të Satanait. Të gjithë këta brirë janë të dhunshëm e agresivë, por, siç tregohet nga shtatë kokat, hegjemoninë mbarëbotërore e ushtron çdo herë një fuqi botërore. Nga ana tjetër, dhjetë diademat tregojnë se të gjitha shtetet sovrane kanë fuqi sunduese njëherazi me shtetin mbizotërues, ose fuqinë botërore të asaj kohe.
11. Çfarë tregojnë ‘emrat blasfemues mbi kokat’ e bishës?
11 Bisha kishte ‘mbi kokat e saj emra blasfemues’. Kjo tregon se ajo bën për vete deklarata që tregojnë mungesë të thellë respekti për Perëndinë Jehova dhe për Krishtin Jezu. Ajo është munduar të arrijë synimet e saj politike, duke u shtirur se vepron në emër të Perëndisë dhe të Krishtit. Është ngatërruar me fenë e rreme, deri aty sa e ka lejuar klerin të marrë pjesë në aktivitetet e saj politike. Për shembull, në Dhomën e Lordëve në Angli, bëjnë pjesë edhe peshkopët. Në Francë dhe në Itali, kardinalët katolikë kanë luajtur një rol të spikatshëm politik në të kaluarën, dhe kohët e fundit, priftërinjtë në Amerikën Latine kanë marrë detyra politike. Qeveritë kanë shtypur nëpër kartëmonedha slogane fetare, si «KEMI BESIM TE PERËNDIA». Nëpër monedha kanë shkruar se qeveritarët e tyre kanë miratimin hyjnor, për shembull, duke thënë se janë caktuar «me hirin e Perëndisë». Të gjitha këto janë vërtet blasfemi, pasi kështu bisha orvatet të përfshijë Perëndinë në arenën e ndyrë politike e nacionaliste.
12. (a) Në ç’kuptim bisha dilte nga «deti» dhe kur zuri të dilte mbi ujë? (b) Çfarë tregon fakti që dragoi i dha autoritetin e tij të madh «bishës»?
12 Bisha dilte ‘nga deti’, simbol i përshtatshëm i masave të trazuara të njerëzimit, nga ku dalin qeveritë njerëzore. (Isaia 17:12, 13) Në detin e trazuar të njerëzimit, kjo bishë zuri të dilte mbi ujë që në kohën e Nimrodit (rreth shekullit të 21-të p.e.s.), pas Përmbytjes, kur doli në skenë për herë të parë një sistem kundër Jehovait. (Zanafilla 10:8-12; 11:1-9) Megjithatë, koka e shtatë dhe e fundit u shfaq plotësisht vetëm gjatë ditës së Zotërisë. Gjithashtu, duhet përmendur se pikërisht dragoi «i dha bishës fuqinë e tij, fronin e tij dhe autoritet të madh». (Krahaso Lukën 4:6.) Pra, bisha është sistemi politik i krijuar nga Satanai në gjirin e njerëzve. Satanai është vërtet «sundimtari i kësaj bote».—Gjoni 12:31.
Plaga vdekjeprurëse
13. (a) Ç’plagë mori bisha kur filloi dita e Zotërisë? (b) Si vuajti tërë bisha kur njëra kokë mori plagën vdekjeprurëse?
13 Aty nga fillimi i ditës së Zotërisë, bisha mori një plagë të rëndë. Gjoni tha: «Pashë një nga kokat e saj si të therur për vdekje, por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua, dhe mbarë toka e ndoqi bishën me admirim.» (Zbulesa 13:3) Sipas këtij vargu, njëra nga kokat e bishës mori një plagë vdekjeprurëse, por nga vargu 12 më poshtë duket se tërë bisha vuajti nga ajo plagë. Si kështu? Më lart thamë se kokat e bishës nuk kanë epërsi të gjitha njëherësh. Secila, sipas radhës, i është imponuar njerëzimit, sidomos popullit të Perëndisë. (Zbulesa 17:10) Kështu, kur filloi dita e Zotërisë, vetëm njëra kokë, e shtata, ishte fuqia botërore mbizotëruese. Plagosja për vdekje e asaj koke i solli shumë dhembje tërë bishës.
14. Kur e mori bisha plagën vdekjeprurëse dhe si i përshkroi një oficer pasojat e saj mbi bishën?
14 Ç’ishte ajo plagë vdekjeprurëse? Më poshtë në librin e Zbulesës, ajo është quajtur plagë shpate, dhe shpata është simbol i luftës. Plaga e shpatës, që mori bisha kur filloi dita e Zotërisë, duhet të ketë lidhje me Luftën e Parë Botërore, që e shkatërroi dhe ia shteri fuqitë bishës politike të Satanait. (Zbulesa 6:4, 8; 13:14) Ja si u shpreh për pasojat e kësaj lufte një shkrimtar, që gjatë luftës kishte qenë oficer: «Gjithë bota e pranon se pak data në tërë historinë e njerëzimit kanë qenë aq të rëndësishme sa 2 gushti i vitit 1914. Fillimisht Evropa dhe, menjëherë pas saj, gati tërë njerëzimi e pa veten të zhytur në një aventurë të tmerrshme. Normat etike tradicionale, marrëveshjet, rregullat morale, të gjitha themelet u tronditën; nga sot nesër nuk ishte më e sigurt asgjë. Ngjarja do të tejkalonte si parandjenjat instinktive, edhe parashikimet e bazuara në arsyen e shëndoshë. Jashtë çdo kufiri, kaotike dhe e përbindshme, ajo aventurë ende na tërheq në vorbullën e saj.»—Moris Zhenevua, anëtar i Akademisë Franceze, marrë nga libri Promise of Greatness (1968).
15. Si mori koka e shtatë e bishës një goditje vdekjeprurëse?
15 Kjo luftë qe një katastrofë e vërtetë për kokën e shtatë mbizotëruese të bishës. Bashkë me vende të tjera evropiane, Britania humbi një numër të frikshëm djemsh të rinj. Në vitin 1916, vetëm gjatë betejës së lumit Som, mbetën të vrarë 420.000 britanikë, 194.000 francezë dhe 440.000 gjermanë, që e çuan numrin e viktimave në më shumë se 1.000.000. Britania bashkë me pjesën tjetër të Evropës pësoi edhe një tronditje ekonomike. Perandorisë së paanë britanike iu morën këmbët nga ajo goditje dhe nuk e mori më veten plotësisht. Pa diskutim, nga ajo luftë, ku morën pjesë 28 kombe kryesore, tërë bota u trullos si nga një goditje vdekjeprurëse. Më 4 gusht 1979, plot 65 vjet pas shpërthimit të Luftës I Botërore, një gazetë londineze, komentonte: «Në vitin 1914, bota humbi një koherencë, të cilën nuk ka arritur ta rifitojë më që atëherë.»—The Economist.
16. Si treguan Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Parë Botërore se ishin pjesë e fuqisë botërore dyshe?
16 Në të njëjtën kohë, Lufta e Madhe, siç e quajtën atëherë, u hapi rrugën Shteteve të Bashkuara të shfaqeshin dallueshëm si pjesë e fuqisë botërore anglo-amerikane. Vitin e parë të luftës, opinioni publik në Shtetet e Bashkuara u shpreh kundër përfshirjes në luftë, dhe kjo e mbajti këtë vend larg konfliktit. Por, siç u shpreh historiani Esmé Uingfild-Stratford, «në këtë kohë krize të pashembullt, gjithë çështja ishte nëse Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara do t’i linin mënjanë fërkimet për të realizuar unitetin e tyre me pasoja dërrmuese dhe për të ushtruar ndikim të përbashkët në skenën ndërkombëtare». Historia dëshmon se bënë pikërisht kështu. Në vitin 1917, Shtetet e Bashkuara mbështetën me të ardhura dhe me trupa përpjekjet luftarake të aleatëve që po u merreshin këmbët. Kjo bëri që koka e shtatë, bashkimi Britani e Madhe-Shtete të Bashkuara, të dilte me fitore nga ky konflikt.
17. Çfarë ndodhi me sistemin tokësor të Satanait pas luftës?
17 Pas luftës, bota nuk ishte më ajo e para. Megjithatë, sistemi tokësor i Satanait, edhe pse i rrënuar nga goditja vdekjeprurëse, u rigjallërua e u bë më i fuqishëm se kurrë, aq sa fitoi admirimin e njerëzve për mënyrën e shpejtë si e mori veten.
18. Në ç’kuptim mund të thuhet se njerëzimi në përgjithësi «e ndoqi bishën me admirim»?
18 Historiani Çarls Mi i Riu shkruan: «Shembja e rregullit të vjetër [e shkaktuar nga Lufta e Parë Botërore] ishte preludi i nevojshëm për shtrirjen e politikës vetëqeverisëse, të lirisë së vendeve e klasave të reja, si dhe të shfaqjes së një lloji tjetër lirie e pavarësie.» Koka e shtatë e bishës, tani e shëruar, ku bënin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të cilat do të luanin një rol mbizotërues, ushtroi një ndikim të madh në zhvillimet e epokës së pasluftës. Fuqia botërore anglo-amerikane ishte e para që përkrahu Lidhjen e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara. Historia e ditëve tona deri në vitin 2005 tregon se fuqia politike amerikane ishte nismëtarja që ndihmoi vendet më të privilegjuara të rritnin nivelin e jetesës, të luftonin sëmundjet dhe të përparonin në teknologji. Madje, dërgoi 12 njerëz në hënë. Pra, s’është çudi pse njerëzimi në përgjithësi «e ndoqi bishën me admirim».
19. (a) Si kanë shkuar më tej njerëzit, jo vetëm duke e admiruar bishën? (b) Kush ka autoritet të padiskutueshëm mbi të gjitha mbretëritë e tokës dhe si e dimë? (c) Si i jep autoritet bishës Satanai dhe si ndikon kjo te pjesa dërrmuese e njerëzve?
19 Siç tregoi Gjoni më pas, njerëzit jo vetëm e kanë admiruar bishën, por kanë shkuar edhe më tej: «Ata adhuruan dragoin, sepse i dha autoritetin bishës. Pastaj adhuruan edhe bishën me fjalët: ‘E kush është si bisha dhe kush mund të luftojë me të?’» (Zbulesa 13:4) Gjatë kohës që Jezui ishte në tokë, Satanai tha se kishte në dorë të gjitha mbretëritë e tokës, dhe Jezui nuk e mohoi. Në të vërtetë, ai vetë e quajti Satanain sundimtarin e botës dhe nuk pranoi të përzihej në çështjet politike të asaj kohe. Vetë Gjoni, më vonë, shkroi për të krishterët e vërtetë: «Ne e dimë se jemi nga Perëndia, kurse e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19; Luka 4:5-8; Gjoni 6:15; 14:30) Satanai i jep autoritet bishës, por e bën këtë duke shfrytëzuar ndjenjën nacionaliste të secilit komb. Kështu, në vend që të lidhet më shumë nga dashuria, njerëzimi është përçarë nga krenaria fisnore, raciale dhe kombëtare. Kjo ka bërë që pjesa dërrmuese e njerëzve të adhurojnë atë pjesë të bishës që ka autoritet në vendin ku u ka rënë për të jetuar. Në këtë mënyrë, admirohet dhe adhurohet e tërë bisha.
20. (a) Si e adhurojnë njerëzit bishën? (b) Pse të krishterët që adhurojnë Perëndinë Jehova, nuk marrin pjesë në një adhurim të tillë të bishës, dhe shembullin e kujt ndjekin?
20 Si e adhurojnë njerëzit bishën? Duke vënë dashurinë për atdheun para dashurisë për Perëndinë. Gati të gjithë e duan tokën ku kanë lindur. Edhe të krishterët e vërtetë, si qytetarë të mirë, i respektojnë qeveritarët dhe simbolet e vendit ku jetojnë, u binden ligjeve dhe kontribuojnë vullnetarisht për mirëqenien e komunitetit dhe të fqinjëve të tyre. (Romakëve 13:1-7; 1 Pjetrit 2:13-17) Por, ama, s’mund t’i kushtohen verbërisht një vendi, sikur të mos ekzistonte asnjë vend tjetër. Nuk është e krishtere të thuash: «Ka të drejtë apo gabim, është vendi im.» Të krishterët që adhurojnë Perëndinë Jehova, nuk mund të marrin pjesë në akte adhurimi ku bie në sy krenaria dhe patriotizmi kushtuar cilësdo pjesë të bishës, sepse kjo do të ishte si të adhuroje dragoin, burimin nga e merr autoritetin bisha. Ata s’mund të thonë tërë admirim: «Kush është si bisha?» Përkundrazi, ndjekin shembullin e Mikaelit, emri i të cilit do të thotë «Kush është si Perëndia?», dhe mbështetin sovranitetin universal të Jehovait. Në kohën e caktuar nga Perëndia, Mikaeli, Krishti Jezu, do të luftojë me bishën e do ta mundë, siç mundi Satanain kur e dëboi nga qielli.—Zbulesa 12:7-9; 19:11, 19-21.
Luftë kundër të shenjtëve
21. Si e manipuloi Satanai bishën, sipas fjalëve të Gjonit?
21 Satanai kishte planifikuar me dinakëri të manipulonte bishën për të arritur qëllimet e tij. Gjoni e shpjegoi me këto fjalë: «Asaj [bishës me shtatë kokë] iu dha një gojë që thoshte gjëra të mëdha e blasfemi, gjithashtu, iu dha autoritet për të vepruar për dyzet e dy muaj. Ajo e hapi gojën që të blasfemonte kundër Perëndisë, kundër emrit të tij dhe vendbanimit të tij, qiellit, si dhe kundër atyre që banojnë atje. Asaj iu lejua të luftonte me të shenjtët e t’i mundte. Gjithashtu, iu dha autoritet mbi çdo fis, popull, gjuhë dhe komb. Të gjithë ata që banojnë në tokë, do ta adhurojnë. Që nga themelimi i botës, emri i asnjërit prej tyre nuk gjendet i shkruar në rrotullën e jetës të Qengjit që u ther.»—Zbulesa 13:5-8.
22. (a) Me cilën periudhë përkojnë 42 muajt? (b) Si ‘u mundën’ të krishterët e mirosur gjatë 42 muajve?
22 42 muajt që përmenden këtu, duket se përkojnë me tre vjet e gjysmë, kohë gjatë së cilës të shenjtëve do t’u binte në qafë një bri që do të dilte nga njëra prej bishave të profecisë së Danielit. (Danieli 7:23-25; shih edhe Zbulesën 11:1-4.) Kështu, nga fundi i vitit 1914 deri në vitin 1918, kur kombet ndërluftuese po e shqyenin njëra-tjetrën si bisha, qytetarët e tyre detyroheshin të adhuronin bishën, të ndiqnin fenë e nacionalizmit e madje të jepnin jetën për vendin e tyre. Kjo u solli vuajtje të mëdha shumë të mirosurve që ishin të mendimit se mbi të gjitha duhej t’i bindeshin Perëndisë Jehova dhe Birit të tij, Krishtit Jezu. (Veprat 5:29) Sprovat e tyre arritën kulmin në qershor të vitit 1918, kur ‘u mundën’. Në Shtetet e Bashkuara, disa nga përgjegjësit kryesorë dhe përfaqësues të tjerë të Shoqatës Watch Tower, u burgosën padrejtësisht dhe predikimi i organizuar i vëllezërve të tyre të krishterë hasi shumë pengesa. Duke pasur autoritet «mbi çdo fis, popull, gjuhë dhe komb», bisha shtypi veprën e Perëndisë në tërë botën.
23. (a) Çfarë është ‘rrotulla e jetës e Qengjit’, dhe cila vepër ka qenë drejt fazës përfundimtare që nga viti 1918? (b) Pse fitoret në dukje të organizatës së dukshme të Satanait mbi «të shenjtët» janë krejt të kota?
23 Satanait dhe organizatës së tij, kjo iu duk fitore. Megjithatë, ajo nuk u solli dobi afatgjatë, pasi askush në organizatën e dukshme të Satanait nuk e kishte emrin të shkruar në «rrotullën e jetës të Qengjit». Në kuptimin simbolik, në këtë rrotull janë emrat e atyre që do të mbretërojnë me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore. Emrat e parë u shkruan në festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. Që nga ai vit, janë shtuar gjithnjë e më shumë emra. Duke filluar nga viti 1918, vulosja e anëtarëve të mbetur të 144.000 trashëgimtarëve të Mbretërisë, hyri në një fazë përfundimtare. Shumë shpejt, të gjithë ata do t’i kenë emrat të skalitur përgjithmonë në rrotullën e jetës të Qengjit. Kurse nga kundërshtarët që adhurojnë bishën, asnjëri s’do ta ketë emrin të shkruar në atë rrotull. Kështu, çdo fitore që mund të duket se u kanë rrëmbyer ‘të shenjtëve’ është e kotë dhe e përkohshme.
24. Çfarë u kërkoi të dëgjonin Gjoni atyre me aftësi dalluese dhe çfarë nënkuptojnë për popullin e Perëndisë fjalët që tha ai?
24 Më pas, Gjoni i ftoi ata me aftësi dalluese të dëgjonin me shumë vëmendje: «Kush ka veshë, le të dëgjojë.» Pastaj vazhdoi: «Kush të jetë për robëri, do të ikë në robëri. Kush të jetë për t’u vrarë me shpatë, do të vritet me shpatë. Kjo kërkon qëndrueshmëri dhe besim nga të shenjtët.» (Zbulesa 13:9, 10) Jeremia shkroi fjalë mjaft të ngjashme me këto para vitit 607 p.e.s., për të treguar se gjykimet e Jehovait për qytetin jobesnik të Jerusalemit ishin të pakthyeshme. (Jeremia 15:2; shih edhe Jereminë 43:11; Zakarinë 11:9.) Në kohën e sprovës së tij më të madhe, Jezui ua bëri të qartë ithtarëve të tij se s’duhej të bënin kompromis, kur tha: «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52) Edhe tani në ditën e Zotërisë, populli i Perëndisë duhet të zbatojë parimet biblike. Në fund nuk do të ketë shpëtim për të papenduarit që adhurojnë bishën. Të gjithë kemi nevojë për qëndrueshmëri dhe besim të patundur që të mbijetojmë para përndjekjeve dhe sprovave që na presin.—Hebrenjve 10:36-39; 11:6.
Bisha me dy brirë
25. (a) Si e përshkroi Gjoni «bishën» tjetër që u shfaq në skenën botërore? (b) Çfarë tregojnë dy brirët e kësaj bishe të re dhe fakti që doli nga toka?
25 Por një bishë tjetër u shfaq në skenën botërore. Gjoni tha: «Pashë një bishë tjetër që doli nga toka, e cila kishte dy brirë si brirë qengji, mirëpo nisi të fliste si dragua. Ajo ushtron gjithë autoritetin e bishës së parë, në prani të saj. Tokën dhe ata që banojnë në të, i bën të adhurojnë bishën e parë, plaga vdekjeprurëse e së cilës u shërua. Ajo kryen shenja të mëdha, aq sa bën të zbresë edhe zjarr nga qielli në tokë, para njerëzve.» (Zbulesa 13:11-13) Kjo bishë kishte dy brirë, që tregojnë se ajo paraqit dy fuqi politike aleate. Ndryshe nga bisha e parë, që doli nga deti, kjo doli nga toka. Pra, vinte nga sistemi tashmë i vendosur i Satanait në tokë. Duhet të jetë një fuqi botërore tashmë ekzistuese, që luan një rol domethënës gjatë ditës së Zotërisë.
26. (a) Kë përfaqëson bisha me dy brirë dhe ç’lidhje ka me bishën e parë? (b) Në ç’kuptim ngjajnë dy brirët e kësaj bishe me ato të qengjit, dhe pse është «si dragua» kur flet? (c) Kë adhurojnë në të vërtetë njerëzit nacionalistë dhe me çfarë është krahasuar nacionalizmi? (Shih shënimin.)
26 Kë mund të përfaqësojë ajo? Fuqinë botërore anglo-amerikane, që paraqitej nga koka e shtatë e bishës së parë, por në një rol të veçantë. Paraqitja e saj në vegim si një bishë më vete, na ndihmon të dallojmë më mirë si vepron ajo në mënyrë të pavarur në skenën botërore. Kjo «bishë» me dy brirë përbëhet nga dy fuqi politike bashkekzistuese e të pavarura, por që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Dy brirët e saj «si brirë qengji», duket se tregojnë që ajo shtiret si e butë dhe e parrezikshme, me një formë të përparuar qeverisjeje, të cilën duhet ta përvetësojë gjithë bota. Megjithatë, ajo flet «si dragua», domethënë bën presion, kërcënon e madje bëhet e dhunshme sa herë që nuk pranohet versioni i saj i qeverisjes. Nuk ka nxitur nënshtrimin ndaj Mbretërisë së Perëndisë që drejtohet nga Qengji i Perëndisë, por ka mbrojtur interesat e Satanait, dragoit të madh. Ajo ka nxitur përçarjen dhe urrejtjen nacionaliste, që janë si të adhurosh bishën e parë.c
27. (a) Çfarë kërkon të tregojë bisha me dy brirë, duke bërë të zbresë zjarr nga qielli? (b) Si e konsiderojnë shumë njerëz barasvlerësen moderne të bishës me dy brirë?
27 Bisha me dy brirë kryen shenja të mëdha, madje bën të zbresë edhe zjarr nga qielli. (Krahaso Mateun 7:21-23.) Kjo na kujton Elijan, profetin e lashtë të Perëndisë, që sfidoi profetët e Baalit. Kur ai zbriti zjarr nga qielli në emër të Jehovait, u provua në mënyrë të pakundërshtueshme se ai ishte profeti i vërtetë dhe se profetët e Baalit ishin të rremë. (1 Mbretërve 18:21-40) Njësoj si profetët e Baalit, bisha me dy brirë pandeh se i plotëson kushtet të quhet profet. (Zbulesa 13:14, 15; 19:20) Pse jo, ajo pretendon se mposhti forcat e së ligës në dy luftërat botërore dhe mundi të ashtuquajturin komunizëm «që s’llogarit Perëndinë». Ç’është e vërteta, shumë e shohin barasvlerësen moderne të bishës me dy brirë si gardiane të lirisë dhe burim të mirash materiale.
Shëmbëlltyra e bishës
28. Si tregoi Gjoni se bisha me dy brirë s’është aq e parrezikshme sa duket nga brirët e saj si të qengjit?
28 A është bisha me dy brirë aq e parrezikshme sa duket nga brirët e saj si të qengjit? Gjoni tha: «Ajo i mashtron ata që banojnë në tokë, me shenjat që iu lejuan të kryente në prani të bishës, ndërsa u thotë atyre që banojnë në tokë t’i bëjnë një shëmbëlltyrë bishës, e cila kishte plagën e shpatës, e megjithatë u kthye prapë në jetë. Asaj iu lejua t’i jepte frymë shëmbëlltyrës së bishës, që ajo të fliste dhe të bënte që të vriteshin të gjithë ata që nuk do ta adhuronin kurrsesi shëmbëlltyrën e bishës.»—Zbulesa 13:14, 15.
29. (a) Cili është qëllimi i shëmbëlltyrës së bishës dhe kur u formua ajo? (b) Pse themi se shëmbëlltyra e bishës nuk është një statujë pa shpirt?
29 Ç’është ‘shëmbëlltyra e bishës’ dhe cili është qëllimi i saj? Ajo ka për qëllim të përkrahë adhurimin e bishës me shtatë kokë, shëmbëlltyrë e së cilës është, që ta përjetësojë atë. Kjo shëmbëlltyrë u formua pasi bishës me shtatë kokë iu shërua plaga e shpatës, domethënë pasi përfundoi Lufta e Parë Botërore. Nuk është një statujë pa shpirt, si ajo që ngriti Nabukodonosori në rrafshinën e Durës. (Danieli 3:1) Përkundrazi, bisha me dy brirë i jep frymë ose jetë shëmbëlltyrës, që të jetojë e të luajë rol në historinë botërore.
30, 31. (a) Cila është shëmbëlltyra sipas dëshmisë së historisë? (b) A është vrarë ndonjë që nuk ka pranuar ta adhurojë shëmbëlltyrën? Shpjego.
30 Historia dëshmon se kjo shëmbëlltyrë është organizata që fillimisht u njoh si Lidhja e Kombeve, krijimi i së cilës u propozua, u nxit dhe u përkrah nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Më vonë, në kapitullin 17 të Zbulesës, ajo shfaqet si një simbol tjetër, si një bishë me ngjyrë të kuqe të ndezur që merr frymë, jeton dhe ka një ekzistencë të pavarur. Kjo organizatë ndërkombëtare ‘flet’, në kuptimin që thotë me mburrje se vetëm ajo mund t’u sjellë paqe dhe siguri njerëzve. Por, në të vërtetë, ajo është bërë tribuna ku vendet anëtare shkëmbejnë një lumë të sharash e fyerjesh. Çdo komb ose popull që nuk i nënshtrohet autoritetit të saj, ajo e kërcënon me izolim ose me një jetë më të keqe se vdekja. Faktikisht, Lidhja e Kombeve përjashtoi vende që nuk iu përmbajtën ideologjisë së saj. «Brirët» ushtarakë të shëmbëlltyrës së bishës do të kenë një rol shkatërrues kur të fillojë shtrëngimi i madh.—Zbulesa 7:14; 17:8, 16.
31 Shëmbëlltyra e bishës, që në kohën tonë përkon me organizatën e Kombeve të Bashkuara, që nga Lufta II Botërore veç ka vrarë. Për shembull, në vitin 1950, forcat e Kombeve të Bashkuara morën pjesë në luftën mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Është përllogaritur se forcat e OKB-së bashkë me ato të Koresë së Jugut vranë 1.420.000 koreanoveriorë dhe kinezë. Gjithashtu, nga viti 1960 deri në vitin 1964, Kombet e Bashkuara ndërhynë në Kongo (Kinshasë). Veç kësaj, krerët botërorë, ku përfshiheshin edhe papët Pali VI dhe Gjon Pali II nuk kanë reshtur së thëni se kjo shëmbëlltyrë është shpresa më e mirë dhe e fundit e njeriut për të arritur paqen. Ata thoshin me këmbëngulje se nëse njerëzit nuk i nënshtroheshin, do të vetëshkatërroheshin. Kjo është sikur t’i vrasësh të gjithë ata që nuk pranojnë të bashkëpunojnë me shëmbëlltyrën dhe ta adhurojnë.—Ligji i përtërirë 5:8, 9.
Damka e bishës
32. Si e përshkroi Gjoni se Satanai manipulon elementët politikë të organizatës së tij të dukshme për t’u shkaktuar vuajtje anëtarëve të mbetur të farës së gruas së Perëndisë?
32 Gjoni pa se si Satanai i manipuloi elementët politikë të organizatës së tij të dukshme që t’u shkaktonin sa më shumë vuajtje anëtarëve të mbetur të farës së gruas së Perëndisë. (Zanafilla 3:15) Duke u kthyer përsëri te «bisha», ai tha: «Ajo i detyron të gjithë njerëzit, të vegjël e të mëdhenj, të pasur e të varfër, të lirë dhe skllevër, që të marrin një damkë në dorën e djathtë ose në ballë, e kështu askush të mos jetë në gjendje të blejë ose të shesë, përveç atij që ka damkën, emrin e bishës ose numrin e emrit të saj. Këtu duhet mençuri: kush ka zgjuarsi, le të llogaritë numrin e bishës, sepse është një numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.»—Zbulesa 13:16-18.
33. (a) Si e ka emrin bisha? (b) Me kë lidhet numri gjashtë? Shpjego.
33 Bisha ka një emër që formon një numër: 666. Gjashta si numër lidhet me armiqtë e Jehovait. Një filistin nga refaimët kishte «shtat të jashtëzakonshëm» dhe «gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë». (1 Kronikave 20:6) Mbreti Nabukodonosor ngriti një shëmbëlltyrë prej ari 6 kute të gjerë e 60 kute të lartë, që t’i bashkonte funksionarët e tij politikë në një adhurim të vetëm. Kur shërbëtorët e Perëndisë nuk pranuan të adhuronin shëmbëlltyrën prej ari, mbreti i hodhi në një furrë zjarri. (Danieli 3:1-23) Numri gjashtë është më i vogël se shtata që simbolizon plotësi nga pikëpamja e Perëndisë. Pra, tri gjashta janë simbol i papërsosmërisë së rëndë.
34. (a) Çfarë tregon fakti që numri i bishës «është një numër njeriu»? (b) Pse 666 është një emër i përshtatshëm për sistemin politik botëror të Satanait?
34 Emri shërben për të identifikuar një person. Atëherë, si e identifikon bishën ky numër? Gjoni tha se «është një numër njeriu», dhe jo i një personi frymor. Kjo na ndihmon të kuptojmë se bisha është tokësore dhe simbolizon qeverinë njerëzore. Ashtu si gjashta është më e vogël se shtata, numri 666 (tri gjashta), është një emër i përshtatshëm për sistemin gjigant politik të botës që është shumë larg normave të Perëndisë për përsosmërinë. Bisha politike e botës, që ka për emër numrin 666, mbretëron sovrane, ndërsa sistemi politik, fetar dhe tregtar e mbajnë atë në këmbë si mjet për të mbajtur të shtypur njerëzimin dhe për të përndjekur popullin e Perëndisë.
35. Çfarë do të thotë të marrësh një damkë në ballë ose në dorën e djathtë me emrin e bishës?
35 Çfarë do të thotë të marrësh një damkë në ballë ose në dorën e djathtë me emrin e bishës? Kur Jehovai i dha Ligjin Izraelit, i tha: «Rrënjosini fjalët e mia në zemër e në shpirt. Lidhini në dorë si shenjë dhe le të jenë si shirit në ballë.» (Ligji i përtërirë 11:18) Këto fjalë do të thoshin që izraelitët duhej ta kishin vazhdimisht Ligjin para syve, që ai të ndikonte në të gjitha veprimet dhe mendimet e tyre. Për 144.000 të mirosurit thuhet se kanë të shkruar në ballë emrin e Atit dhe të Jezuit. Kjo tregon se ata i përkasin Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. (Zbulesa 14:1) Satanai përdor në mënyrë të ngjashme damkën demonike të bishës. Kur kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme si blerjen e shitjen, të gjithë njerëzve u bëhet presion t’i bëjnë gjërat si bisha, për shembull, në rastet e festave të ndryshme. Nga ata pritet ta adhurojnë bishën e ta lënë të sundojë jetën e tyre, që të marrin damkën e saj.
36. Ç’probleme kanë pasur ata që nuk kanë pranuar damkën e bishës?
36 Ata që nuk e kanë pranuar damkën e bishës, kanë pasur gjithnjë probleme. Për shembull, duke filluar nga viti 1930, atyre iu desh të bënin shumë beteja ligjore dhe të përballonin sulmet e dhunshme të turmave e përndjekje të tjera. Në vendet me regjim totalitar, ata u futën nëpër kampe përqendrimi, ku shumë gjetën vdekjen. Që nga Lufta e Dytë Botërore, djem të rinj të panumërt kanë vuajtur dënime të gjata me burgim, e madje disa janë torturuar e vrarë, vetëm sepse nuk pranuan të shkelnin asnjanësinë e krishtere. Në vende të tjera, të krishterëve s’u lejohet vërtet as të blejnë, as të shesin; disa s’mund të kenë prona, të tjerë dhunohen, vriten ose dëbohen nga vendi i tyre. Pse? Sepse për arsye ndërgjegjeje nuk pranojnë të blejnë teserën e një partie politike.d—Gjoni 17:16.
37, 38. (a) Pse jeta në këtë botë është e vështirë për ata që nuk pranojnë të marrin damkën e bishës? (b) Cilët po e mbajnë integritetin dhe çfarë janë të vendosur të bëjnë?
37 Në disa pjesë të botës, feja është kaq e rrënjosur në jetën e njerëzve, sa kush merr anën e së vërtetës së Biblës nuk pranohet më nga familja dhe nga miqtë. Duhet shumë besim për të qëndruar. (Mateu 10:36-38; 17:22) Në një botë ku shumica e njerëzve kanë bërë idhull pasurinë dhe ku pandershmëria është bërë gjëja më e zakonshme, kush është vërtet i krishterë shpesh duhet të mbështetet në mënyrë të patundur te Jehovai, që Ai ta forcojë të ndjekë rrugën e drejtë. (Psalmi 11:7; Hebrenjve 13:18) Në një botë që noton në imoralitet, duhet shumë vendosmëri për të qëndruar i pastër. Të krishterët që përballen me sëmundje shpesh duhet të durojnë presionin e mjekëve dhe të infermierëve për të thyer ligjin e Perëndisë për shenjtërinë e gjakut; madje u duhet të kundërshtojnë vendime gjyqi që bien ndesh me besimin e tyre. (Veprat 15:28, 29; 1 Pjetrit 4:3, 4) Në ditët tona, kur papunësia është në rritje, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të krishterët e vërtetë të shmangin punë që do t’i bënin të humbnin integritetin para Perëndisë.—Mikea 4:3, 5.
38 Po, jeta në këtë botë është e vështirë për ata që nuk e kanë damkën e bishës. Anëtarët e mbetur të farës së gruas si edhe më shumë se gjashtë milionë anëtarë të shumicës së madhe, po e mbajnë integritetin para gjithë këtij presioni për të shkelur ligjet e Perëndisë, falë fuqisë së jashtëzakonshme dhe bekimit të Jehovait. (Zbulesa 7:9) Të bashkuar në mbarë botën, le të vazhdojmë të gjithë të lartësojmë Jehovain dhe udhët e tij të drejta, duke mos pranuar të marrim damkën e bishës!—Psalmi 34:1-3.
[Shënimet]
a Për më shumë hollësi, të lutemi, shih faqet 165-179 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
b The Interpretation of St. John’s Revelation, nga Riçard C. H. Lenski, faqet 390, 391.
c Disa komentues janë të mendimit se nacionalizmi faktikisht është një fe. Pra, njerëzit nacionalistë në të vërtetë adhurojnë atë pjesë të bishës që përfaqësohet nga vendi ku jetojnë. Ja ç’lexojmë për nacionalizmin në Shtetet e Bashkuara: «Nacionalizmi, që mund të konsiderohet si një fe, ka shumë gjëra të përbashkëta me të tjera sisteme fetare të mëdha të së kaluarës . . . Nacionalisti i ditëve të sotme është i vetëdijshëm se varet nga perëndia i vet kombëtar. Ai ndien nevojën e ndihmës së Tij të fuqishme. Për të Ai është burimi i përsosmërisë dhe lumturisë së vet. I nënshtrohet Atij, në kuptimin e rreptë fetar. . . . E koncepton kombin si diçka të pavdekshme, dhe për të, bijtë besnikë që vdesin për atdheun, veçse ia shtojnë famën dhe lavdinë që s’vdes kurrë.»—Karlton Heiz, shkëputur nga faqja 359 e librit What Americans Believe and How They Worship, nga Xh. Pol Uilliams.
d Për shembull, shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1999, faqet 171-176, 189 (anglisht); dhe Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1996, faqet 25-28; 15 marsit 1996, faqja 7; 15 prillit 1994, faqja 5; 1 prillit 2000, faqet 26, 27.
[Figura në faqen 195]
Iu lejua t’i jepte frymë shëmbëlltyrës së bishës