Lavdëroni Mbretin e përjetësisë!
«Jehovai është Mbret në kohë të pacaktuar, madje përgjithmonë.»—PSALMI 10:16, BR.
1. Cilat pyetje ngrihen në lidhje me përjetësinë?
PËRJETËSI: çfarë mendoni ti se është ajo? A mendon se koha mund të vazhdojë përgjithmonë? Mirë pra, nuk ka dyshim se koha është shtrirë përjetësisht në të shkuarën. Atëherë, përse të mos jetë përjetësisht edhe në të ardhmen? Në të vërtetë, Përkthimi Bota e Re i Biblës i referohet Perëndisë si ai që ka qenë i lavdëruar «prej kohërave të pacaktuara në kohë të pacaktuara». (Psalmi 41:13) Çfarë nënkupton kjo shprehje? Mund të na ndihmojë për ta kuptuar këtë shprehje nëse i referohemi një subjekti të përafërt: hapësirës.
2, 3. (a) Cilat çështje në lidhje me hapësirën, na ndihmojnë të vlerësojmë përjetësinë? (b) Përse duhet të kemi dëshirë të adhurojmë Mbretin e përjetësisë?
2 Çfarë shtrirje ka hapësira? A ka kufi ajo? Deri 400 vjet më parë, mendohej se toka jonë ishte qendra e universit. Në atë kohë Galileu zhvilloi teleskopin, pajisje për një pamje shumë më të zgjeruar të qiejve. Tani, Galileu mund të shihte shumë më tepër yje dhe ishte në gjendje të tregonte se toka dhe planetet e tjera rrotullohen rreth diellit. Udha e Qumështit nuk ngjante më si qumësht. Ajo doli që ishte një galaktikë yjesh, rreth njëqind miliardë në numër. Ne nuk mund të numërojmë kurrë kaq shumë yje, madje edhe për tërë jetën. Më vonë, astronomët shkuan më tej në përcaktimin e miliarda galaktikave të tjera. Këto shtrihen pafundësisht nëpër hapësirë, më larg nga sa mund të shqyrtojnë edhe teleskopët më të fuqishëm. Me sa duket në hapësirë nuk ekzistojnë kufij. Po kaq e vërtetë është edhe me përjetësinë: ajo nuk ka kufij!
3 Koncepti i përjetësisë duket se është jashtë kuptueshmërisë së trurit tonë të kufizuar. Sidoqoftë, është Dikush i cili e kupton atë plotësisht. Ai mund t’i numërojë, po, madje edhe me emër, qindra triliardat e yjeve në miliarda galaktikat e tyre! Ky Dikush thotë: «Ngrini sytë tuaj përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon. Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.» (Isaia 40:26, 28) Çfarë Perëndie i mrekullueshëm! Sigurisht, ai është Perëndia që ne duhet të dëshirojmë ta adhurojmë!
«Mbret në kohë të pacaktuar»
4. (a) Si shprehu Davidi vlerësim për Mbretin e përjetësisë? (b) Çfarë përfundimi nxori një nga shkencëtarët më të mëdhenj të historisë, në lidhje me origjinën e universit?
4 Në Psalmin 10:16, Davidi thotë për Krijuesin, Perëndinë: «Jehovai është Mbret në kohë të pacaktuar, madje përgjithmonë.» (BR) Dhe në Psalmin 29:10 ai përsërit: «Zoti [Jehovai, BR] rri ulur si mbret në përjetësi.» Po, Jehovai është mbret i përjetësisë! Më tej, Davidi dëshmon se ky Mbret i lartësuar është Projektuesi dhe Krijuesi i çdo gjëje që ne vërejmë në hapësirë, duke thënë në Psalmin 19:1: «Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.» Rreth 2.700 vjet më vonë, shkencëtari i famshëm Sir Isak Njuton u shpreh dakord me Davidin, duke shkruar: «Ky sistem shumë elegant diejsh, planetesh dhe kometash mund të vijë vetëm prej qëllimit dhe sovranitetit të një qenieje të fuqishme dhe të shndritshme.»
5. Çfarë shkruan Isaia dhe Pavli në lidhje me Burimin e mençurisë?
5 Sa duhet të na përulë njohja e faktit që Zotëria Sovran Jehova, të cilin edhe «qiejt [madhështorë], po, qielli i qiejve, . . . nuk mund ta mbajnë», jeton përjetësisht! (1. Mbretërve 8:27, BR) Jehovai, i përshkruar në Isainë 45:18 si ai «që ka krijuar qiejt, . . . ka formuar tokën dhe e ka bërë» është Burim i një mençurie shumë më të gjerë nga sa mund të kuptojë truri i vdekshëm njerëzor. Jehovai tha siç nënvizohet në 1. Korintasve 1:19: «Do të bëj të humbasë dituria e të diturve dhe do ta asgjësoj zgjuarsinë e të zgjuarve.» Këtyre fjalëve, apostulli Pavël u shton në vargun 20: «Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?» Po, ashtu siç vazhdoi të thoshte më tej Pavli në kreun 3, vargu 19, «dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë».
6. Çfarë tregon Eklisiastiu 3:11 në lidhje me «kohën e pacaktuar»?
6 Trupat qiellorë janë pjesë e krijimit, të cilit mbreti Solomon i referohet: «Çdo gjë [Perëndia] e ka bërë të shkëlqyer në kohën e saj. Madje dhe kohën e pafundme ai e ka vënë në zemrat e tyre, që njerëzit të mos zbulojnë kurrë veprën që Perëndia i vërtetë ka bërë nga fillimi deri në fund.» (Eklisiastiu 3:11) Vërtet, në zemrën e njeriut është mbrujtur dëshira për të gjetur kuptimin e «kohës së pafundme», që është përjetësia. Por, a mund të arrijë ndonjëherë ai një njohuri të tillë?
Një perspektivë e mrekullueshme për jetën
7, 8. (a) Cila perspektivë e mrekullueshme për jetën shtrihet përpara njerëzimit dhe si mund të arrihet ajo? (b) Përse duhet të gëzojmë që mësimi hyjnor do të vazhdojë për gjithë përjetësinë?
7 Jezu Krishti i tha në lutje Jehovait: «Kjo është jeta e përjetshme të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Si mund ta fitojmë një njohuri të tillë? Nevojitet të studiojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën e Shenjtë. Me anë të saj ne mund të fitojmë njohuri të saktë mbi qëllimet e mëdha të Perëndisë, duke përfshirë edhe masën që ka marrë me anë të Birit të tij për një jetë të përjetshme mbi një tokë parajsore. Kjo do të jetë «jeta e vërtetë», për të cilën flitet në 1. Timoteut 6:19. Ajo do të jetë në përputhje me atë që Efesianëve 3:11 e përshkruan si «qëllimi i përjetshëm që ai [Perëndia] kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë».
8 Po, ne njerëzit mëkatarë mund të marrim jetën e përjetshme nëpërmjet mësimit hyjnor dhe besimit në sakrificën shpërblerëse të Jezuit. Për sa kohë do të vazhdojë ky mësim? Ai do të vazhdojë për gjithë përjetësinë, ndërsa njerëzimi mësohet në mënyrë progresive në mençurinë e Krijuesit tonë. Mençuria e Jehovait nuk ka kufij. Duke pranuar këtë gjë, apostulli Pavël u shpreh: «O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!» (Romakëve 11:33) Me të vërtetë, në mënyrë të përshtatshme 1. Timoteut 1:17 e quan Jehovain «Mbreti i përjetësisë»!—BR.
Mençuria krijuese e Jehovait
9, 10. (a) Çfarë veprash të mëdha kreu Jehovai, për ta përgatitur tokën si dhuratë për njerëzimin? (b) Si është shfaqur mençuria e mrekullueshme e Jehovait në krijesat e tij? (Shiko kutinë.)
9 Le të shqyrtojmë trashëgiminë e mrekullueshme që Mbreti i përjetësisë ka përgatitur për ne njerëzit. Psalmi 115:16 na thotë: «Qiejt janë qiejt e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.» A nuk të duket se na ka besuar një gjë të mrekullueshme? Sigurisht! Dhe sa e vlerësojmë largpamësinë e jashtëzakonshme të Krijuesit tonë në përgatitjen e tokës si shtëpinë tonë të ardhme!—Psalmi 107:8.
10 Ngjarje të mrekullueshme ndodhën në tokë gjatë gjashtë «ditëve» krijuese të Zanafillës, kreu 1, ku çdo ditë, përfshinte mijëra vjet. Rezultati përfundimtar i veprave krijuese të Perëndisë ishte një tokë e veshur me një qilim me bar të gjelbër, me pyje madhështore, me lule shumëngjyrëshe. Do të ishte plot e përplot me një shumicë krijesash detare nga më të ndryshmet, tufa të këndshme me zogj fluturues, si edhe një sërë kafshësh shtëpiake dhe të pazbutura, secila e krijuar «sipas llojit të saj». Pasi ka përshkruar krijimin e burrit e të gruas, Zanafilla 1:31 thotë: «Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.» Çfarë ambienti i kënaqshëm i rrethonte ata njerëz të parë! A nuk dallojmë në të gjitha këto krijesa mençurinë, largpamësinë dhe kujdesin e një Krijuesi të dashur?—Isaia 45:11, 12, 18.
11. Si e lavdëroi Solomoni mençurinë krijuese të Jehovait?
11 Një njeri që u mahnit nga mençuria e Mbretit të përjetësisë ishte Solomoni. Vazhdimisht ai tërhoqi vëmendjen nga mençuria e Krijuesit. (Proverbat 1:1, 2; 2:1, 6; 3:13-18) Solomoni na siguron që «toka do të qëndrojë madje në kohë të pafundme». Ai vlerësoi mrekullitë e shumta të krijimit, duke përfshirë edhe rolin që luajnë retë e shiut në rifreskimin e tokës sonë. Prandaj, ai shkroi: «Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.» (Eklisiastiu 1:4, 7) Kështu, pasi shirat dhe lumenjtë rifreskojnë tokën, ujërat e tyre qarkullojnë nga oqeanet sërish në re. Çfarë do të ishte toka dhe ku do të ishim ne, pa këtë qarkullim dhe pastrim të ujit?
12, 13. Si mund të tregojmë vlerësim për krijimin e Jehovait?
12 Vlerësimi ynë për ekuilibrin e krijimit duhet të mbështetet nga veprimi, ashtu si vërejti mbreti Solomon në fjalët përmbyllëse të Eklisiastiut: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’ Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër dhe çdo gjë që është e fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.» (Eklisiastiu 12:13, 14) Duhet të kemi frikë të bëjmë ndonjë gjë që nuk i pëlqen Perëndisë. Në vend të kësaj, ne duhet të kërkojmë t’i bindemi atij me frikë nderimi.
13 Sigurisht, ne duhet të duam të lavdërojmë Mbretin e përjetësisë për veprat e tij të mrekullueshme të krijimit! Psalmi 104:24 shpall: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.» Le të pranojmë me gëzim edhe ne vargun e fundit të këtij psalmi, duke i thënë vetes sonë dhe të tjerëve: «Bekoje Jehovain, o shpirti im. Lavdëroni Jah, o ju njerëz!»—BR.
Kurorëzimi i krijimit tokësor
14. Në cilat mënyra, krijimi i njerëzve nga ana e Perëndisë është shumë më i lartë se ai i kafshëve?
14 Çdo gjë në krijimin e Jehovait është madhështore. Por krijesat më të jashtëzakonshme tokësore jemi ne, njerëzit. Adami dhe më pas Eva, u krijuan si kulmi i ditës së gjashtë krijuese të Jehovait, një krijim shumë më i lartë se peshqit, zogjtë dhe kafshët! Ndërsa shumë prej tyre janë instiktivisht të mençura, njeriu është pajisur me fuqinë e arsyes, me një ndërgjegje që mund të dallojë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, me aftësinë për të planifikuar të ardhmen dhe me një dëshirë të lindur për të adhuruar. Si ndodhi e gjithë kjo? Në vend që të evoluonte nga kafshë të egra, njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Prandaj, vetëm njeriu mund të pasqyrojë cilësitë e Krijuesit tonë, i cili e identifikoi veten: «Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri.»—Dalja 34:6.
15. Përse duhet ta lavdërojmë me përulësi Jehovain?
15 Le të lavdërojmë dhe të falënderojmë Jehovain për projektimin e mrekullueshëm të trupit tonë! Qarkullimi i gjakut tonë, thelbësor për jetën, ndodh nëpër trup çdo 60 sekonda. Siç thotë Ligji i përtërirë 12:23, «gjaku është jeta», jeta jonë, e çmuar në sytë e Perëndisë. Kockat e fuqishme, muskujt elastikë dhe sistemi nervor i përgjegjshëm, drejtohen nga një tru shumë më i lartë se çdo tru kafshe dhe me kapacitetin që një kompjuter me masën e një ndërtese shumë të lartë nuk mund ta arrijë. A nuk të bën kjo të ndihesh i përulur? Duhet të të bëjë. (Proverbat 22:4) Konsidero edhe këtë: mushkëritë tona, fyti, gjuha, dhëmbët dhe goja mund të bashkëveprojnë për të dhënë të folurën njerëzore, në ndonjë nga mijëra gjuhët. Davidi kompozoi një melodi të përshtatshme për Jehovain, duke thënë: «Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.» (Psalmi 139:14) Le të bashkohemi me Davidin, duke lavdëruar me mirënjohje Jehovain, Projektuesin dhe Perëndinë tonë të mrekullueshëm!
16. Cilën melodi kompozoi një muzikant i famshëm në lavdi të Jehovait dhe cilës ftesë nxitëse mund t’i përgjigjemi?
16 Libreti i një vepre korale nga shekulli i 18-të, i kompozitorit Jozef Hajden, thotë në lavdi të Jehovait: «Jepini falënderim, të gjitha ju, veprat e Tij që jeni kaq të mrekullueshme! Këndojini nderimit të Tij, këndojini lavdisë së Tij, bekoni dhe madhështoni Emrin e Tij! Lavdërimi i Jehovait qëndron përgjithmonë, Amin, Amin!» Edhe më të mrekullueshme janë shprehjet e frymëzuara të përsëritura shpesh në Psalmet, si ftesa e shkruar katër herë në Psalmin 107: «Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.» A bashkohesh edhe ti në këtë lavdërim? Duhet, sepse çdo gjë që është vërtet e bukur ka si burim Jehovain, Mbretin e përjetësisë.
Vepra edhe më të fuqishme
17. Si e lëvdon Jehovain ‘kënga e Moisiut dhe e Qengjit’?
17 Gjatë gjashtë mijë vjetëve të kaluar, Mbreti i përjetësisë ka vënë në lëvizje vepra edhe më të mëdha. Në librin e fundit të Biblës, në Zbulesën 15:3, 4, ne lexojmë për ata që janë në qiell, të cilët kanë triumfuar mbi armiqtë demonikë: «Dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë dhe këngën e Qengjit, duke thënë: ‘Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve. Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.’» Pse quhet ‘kënga e Moisiut dhe e Qengjit’? Le ta shohim.
18. Cila vepër e fuqishme është përkujtuar në këngë, në kreun 15 të Daljes?
18 Rreth 3.500 vjet më parë, kur ushtria e fuqishme e faraonit u shfaros në Detin e Kuq, izraelitët me mirënjohje lavdëruan Jehovain me këngë. Ne lexojmë në Daljen 15:1, 18: «Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan një kantik Zotit dhe folën duke thënë: ‘Unë do t’i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës. Zoti do të mbretërojë gjithnjë, përjetë.’» Dekretet e drejta të këtij Mbreti të përjetësisë u shfaqën në gjykimin dhe ekzekutimin e tij ndaj armiqve që kundërshtuan sovranitetin e tij.
19, 20. (a) Përse e formoi Jehovai kombin e Izraelit? (b) Si i janë përgjigjur sfidës së Satanait Qengji dhe të tjerë?
19 Përse u bë e nevojshme kjo? Në kopshtin e Edenit, Gjarpri dinak i çoi prindërit tanë të parë drejt mëkatit. Kjo bëri që papërsosmëria mëkatare të kalonte mbi gjithë njerëzimin. Megjithatë, Mbreti i përjetësisë mori menjëherë hapat, në përputhje me qëllimin e tij fillestar, i cili do të çonte në dëbimin e të gjithë armiqve të tij nga sundimi mbi tokë dhe në rivendosjen e kushteve parajsore. Mbreti i përjetësisë formoi kombin e Izraelit dhe siguroi Ligjin e tij për të treguar se si do ta përmbushte këtë.—Galatasve 3:24.
20 Megjithatë, më në fund, vetë Izraeli u fundos në mungesë besnikërie dhe kjo gjendje e trishtueshme arriti kulmin kur udhëheqësit e tij e dorëzuan Birin e vetëmlindur të Perëndisë tek romakët për ta torturuar dhe për ta vrarë egërsisht. (Veprat 10:39; Filipianëve 2:8) Megjithatë, integriteti i Jezuit deri në vdekje, si «Qengji i Perëndisë» për flijim, përgënjeshtroi në një mënyrë të jashtëzakonshme sfidën e bërë nga Kundërshtari i lashtë i Perëndisë, Satanai, sipas së cilës asnjë njeri në tokë nuk do të mund të mbante besimin në Perëndinë nën një provë të egër. (Gjoni 1:29, 36; Jobi 1:9-12; 27:5) Bile edhe ata që kanë trashëguar papërsosmërinë për shkak të mëkatit të Adamit, miliona njerëz të tjerë me frikë Perëndie, kanë ndjekur gjurmët e Jezuit në mbajtjen e integritetit përballë sulmeve satanike.—1. Pjetrit 1:18, 19; 2:19, 21.
21. Në përputhje me Veprat 17:29-31, për çfarë do të bisedojmë më vonë?
21 Tani, ka mbërritur dita që Jehovai të shpërblejë ata që kanë qenë besnikë dhe të gjykojë gjithë armiqtë e së vërtetës dhe të drejtësisë. (Veprat 17:29-31) Si do ta bëjë këtë? Do të na e thotë artikulli vijues.
Kutia për rishikim
◻ Përse Jehovai quhet me të drejtë «Mbreti i përjetësisë»?
◻ Si është shfaqur mençuria e Jehovait në krijesat e tij?
◻ Në cilat mënyra, njerëzimi është një kryevepër e krijimit?
◻ Cilat vepra kanë nxitur ‘këngën e Moisiut e të Qengjit’?
[Kutia në faqen 12]
Mençuria më e lartë e Jehovait
Mençuria e Mbretit të përjetësisë pasqyrohet në shumë mënyra në prodhimet e tij mbi tokë. Vërej fjalët e Agurit: «Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.» (Proverbat 30:5) Më pas, Aguri u referohet shumë krijesave të gjalla të Perëndisë, të mëdha e të vogla. Për shembull, në vargjet 24 deri 28, ai përshkruan «katër gjëra që janë më të voglat mbi tokë, por ato janë instiktivisht të mençura».(BR) Këto janë milingona, lepuri i egër, karkalecat dhe hardhuca.
«Instiktivisht të mençura», po, kafshët janë bërë në këtë mënyrë. Ato nuk arsyetojnë ashtu siç bëjnë njerëzit, por mbështeten në mençurinë e lindur. A je mahnitur ndonjëherë prej kësaj? Çfarë krijimi i organizuar që janë! Për shembull, milingonat janë të organizuara në koloni, të cilat përfshijnë mbretëreshën, milingonat punëtore dhe meshkujt. Në disa lloje, milingonat punëtore grumbullojnë insekte të cilave u thithin lëngun, brenda vendit të tyre të rrethuar që kanë ndërtuar. Aty, ato u nxjerrin lëngun, ndërsa milingonat ushtare largojnë armiqtë që përpiqen të pushtojnë. Paralajmërimi jepet tek Proverbat 6:6: «Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.» A nuk duhet të na shtyjnë këta shembuj ne njerëzve për të «tepruar përherë në veprën e Zotit»?—1. Korintasve 15:58.
Njeriu ka ndërtuar aeroplanë shumë të mëdhenj. Por sa më të manovrueshëm se ata janë zogjtë, duke përfshirë edhe kolibrin, i cili peshon vetëm pak gramë! Një aeroplan Boing-747 duhet të mbajë 180.000 litra karburant, të drejtohet nga një ekip i stërvitur pilotësh dhe të përdorë sisteme të ndërlikuara fluturimi për të bërë një fluturim përtej oqeanit. Megjithatë, një kolibër shumë i vogël ka nevojë për një gramë me karburant dhjamë, për të qenë në gjendje të fluturojë të gjithë distancën nga Amerika e Veriut përmes Gjirit të Meksikës deri në Amerikën e Jugut. Pa ngarkesë të rëndë karburanti, pa stërvitje fluturimi, pa kompjuter ose harta të ndërlikuara! A mos vallë kjo aftësi erdhi prej një procesi të rastësishëm evolucioni? Sigurisht, jo! Ky zog vocërrak është instiktivisht i mençur, duke qenë i programuar në këtë mënyrë nga Krijuesi i tij, Perëndia Jehova.
[Figura në faqen 10]
Krijesat e ndryshme të «Mbretit të përjetësisë» madhështojnë lavdinë e tij
[Figura në faqen 15]
Ashtu si Moisiu dhe gjithë Izraeli kremtuan fitoren e Jehovait në Detin e Kuq, edhe pas Harmagedonit do të ketë gëzim të madh