Kapitulli 7
Rindize dashurinë e fillimit!
EFESI
1. Cilit kongregacion i drejtohej mesazhi i parë i Jezuit? Çfarë u kujtoi Jezui mbikëqyrësve të atij kongregacioni?
MESAZHI i parë i Jezuit ishte për kongregacionin e Efesit. Në atë kohë Efesi ishte një qytet bregdetar i begatë në Azinë e Vogël, jo larg nga ishulli i Patmosit. Jezui e urdhëroi Gjonin: «Engjëllit të kongregacionit në Efes shkruaji: ‘Kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e djathtë, që ecën mes shtatë shandanëve prej ari.’» (Zbulesa 2:1) Njësoj si në gjashtë mesazhet e tjera, edhe këtu Jezui e tërhoqi vëmendjen te diçka që nxjerr në pah autoritetin e tij. Ai u kujtoi mbikëqyrësve të Efesit se të gjithë pleqtë janë nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e tij, dhe se ai heton të gjitha kongregacionet. Ai e ka ushtruar këtë autoritet plot dashuri deri në kohën tonë, duke vigjiluar mbi pleqtë dhe duke u kujdesur me dashamirësi për të gjithë ata që shoqërohen me kongregacionin. Herë pas here ai bën ndreqje organizative në kongregacion, që drita të shkëlqejë më shumë. Po, Jezui është Kryebariu i kopesë së Perëndisë.—Mateu 11:28-30; 1 Pjetrit 5:2-4.
2. (a) Për çfarë e lavdëroi Jezui kongregacionin e Efesit? (b) Cilës këshillë të Pavlit duket se i ishin bindur pleqtë e kongregacionit të Efesit?
2 Duke filluar me një lavdërim të ngrohtë, Jezui vendosi një model për pesë nga shtatë mesazhet e tij. Ja mesazhi për kongregacionin e Efesit: «I njoh veprat e tua, mundin dhe qëndrueshmërinë tënde. E di se nuk i duron dot njerëzit e këqij, se i vure në provë ata që thonë se janë apostuj—por që s’janë—dhe i gjete gënjeshtarë. Gjithashtu, po tregon qëndrueshmëri, ke duruar për hir të emrit tim e nuk je lodhur.» (Zbulesa 2:2, 3) Vite më parë, apostulli Pavël i kishte paralajmëruar pleqtë në Efes për ‘ujqërit e ligj’, apostatët që ngacmonin kopenë, dhe u kishte thënë të ‘rrinin zgjuar’ duke imituar shembullin e tij të palodhur. (Veprat 20:29, 31) Përderisa Jezui po i lavdëronte për mundin, qëndrueshmërinë dhe që nuk ishin lodhur, ata duhet ta kenë zbatuar këshillën e Pavlit.
3. (a) Si janë munduar ‘apostujt e rremë’ të mashtrojnë besnikët e ditëve tona? (b) Ç’paralajmërim dha Pjetri për apostatët?
3 Edhe gjatë ditës së Zotërisë janë shfaqur «apostuj të rremë», që «thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt». (2 Korintasve 11:13; Veprat 20:30; Zbulesa 1:10) Ata s’shohin asgjë të keqe te gjithë fetë e përçara e që hahen me njëra-tjetrën. Gjithashtu, thonë se Perëndia nuk ka ndonjë organizatë dhe mohojnë që Jezui u bë Mbret në vitin 1914. Po, tek ata përmbushen fjalët e profecisë së 2 Pjetrit 3:3, 4: «Në ditët e fundit do të vijnë tallës, që do të tallen e do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’»
4. (a) Ku duket krenaria dhe rebelimi i tallësve? (b) Çfarë veprimesh marrin sot të krishterët kundër kundërshtarëve gënjeshtarë për të treguar se janë si efesianët?
4 Këta tallës nuk duan ta shpallin publikisht besimin e tyre. (Romakëve 10:10) Kanë siguruar mbështetjen e klerit të «krishterimit», si dhe ndihmën e medias së shtypur dhe asaj televizive për të përhapur gënjeshtra për shokët e tyre të dikurshëm. Ata që janë besnikë shpejt e kuptojnë se sjellja e këtyre mashtruesve nuk është e drejtë dhe fjalët e tyre nuk tingëllojnë të vërteta. Njësoj si efesianët, të krishterët e vërtetë sot ‘nuk i durojnë dot njerëzit e këqij’, prandaj i përjashtojnë nga kongregacionet e tyre.a
5. (a) Cilën të metë të efesianëve nxori në pah Jezui? (b) Fjalët e kujt duhej të kishin kujtuar efesianët?
5 Por tani, njësoj siç bëri me pesë nga shtatë kongregacionet, Jezui veçoi një problem serioz. Ai i tha kongregacionit të Efesit: «Megjithatë, kam diçka kundër teje: e ke lënë dashurinë e fillimit.» (Zbulesa 2:4) Ata nuk duhej të kishin dështuar në këtë aspekt, pasi kur Pavli u kishte shkruar 35 vjet më parë, kishte folur për ‘dashurinë e madhe me të cilën Perëndia i kishte dashur’ dhe i kishte nxitur me këto fjalë: «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri, ashtu si Krishti ju deshi.» (Efesianëve 2:4; 5:1, 2) Veç kësaj, atyre duhej t’u ishin ngulitur në mënyrë të pashlyeshme në zemër fjalët e Jezuit: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova, dhe duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:29-31) Efesianët e kishin humbur dashurinë e fillimit.
6. (a) Ndaj cilave rreziqe dhe prirje duhet të ruhemi, edhe nëse jemi pjesë e kongregacionit nga shumë kohë, edhe nëse jemi nga pak kohë? (b) Çfarë duhet të na nxitë të bëjmë dashuria për Perëndinë?
6 Edhe nëse jemi pjesë e kongregacionit nga shumë kohë, edhe nëse jemi nga pak kohë, duhet të ruhemi që të mos e humbim dashurinë e fillimit për Jehovain. Si mund të ndodhë një gjë e tillë? Mund të lejojmë që të lidhemi shumë me punën, të rendim pas parave ose ta bëjmë kënaqësinë gjënë e parë në jetë. Kështu, mendja mund të na rrijë vetëm te gjërat e mishit dhe jo te gjërat e frymës. (Romakëve 8:5-8; 1 Timoteut 4:8; 6:9, 10) Dashuria për Jehovain duhet të na nxitë të ndreqim çfarëdo prirjeje të tillë dhe ‘të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’, që ‘të grumbullojmë thesare në qiell’.—Mateu 6:19-21, 31-33.
7. (a) Çfarë duhet të na motivojë që t’i shërbejmë Perëndisë? (b) Çfarë tha Gjoni për dashurinë?
7 Dashuria e thellë për Jehovain qoftë gjithnjë motivi që na shtyn t’i shërbejmë atij! Le të tregojmë çmueshmëri të thellë për gjithçka që kanë bërë për ne Jehovai dhe Krishti! Ja çfarë shkroi Gjoni më vonë: «Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.» Më poshtë ai vazhdoi: «Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në unitet me Perëndinë, dhe Perëndia qëndron në unitet me të.» Kurrë të mos lëmë të na zbehet dashuria për Jehovain, për Zotërinë Jezu Krisht dhe për Fjalën e gjallë të Perëndisë! Këtë dashuri e shprehim jo vetëm duke i shërbyer me zell Perëndisë, por edhe duke iu bindur këtyre fjalëve: «Nga ai kemi këtë urdhërim: ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.»—1 Gjonit 4:10, 16, 21; Hebrenjve 4:12; shih edhe 1 Pjetrit 4:8; Kolosianëve 3:10-14; Efesianëve 4:15.
«Bëj veprat e mëparshme»
8. Ç’duhej të bënin efesianët sipas fjalëve të Jezuit?
8 Efesianët duhej ta rindiznin dashurinë që kishin pasur dikur, nëse nuk donin të dështonin. «Prandaj,—u tha Jezui,—kujto ku ishe para se të bije dhe pendohu e bëj veprat e mëparshme. Në mos u pendofsh, do të vij te ti dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi i tij.» (Zbulesa 2:5) Si i pritën këto fjalë të krishterët në kongregacionin e Efesit? Këtë nuk e dimë. Shpresojmë të jenë penduar dhe t’ia kenë dalë mbanë të rizgjonin dashurinë për Jehovain. Përndryshe, llamba e tyre do të shuhej dhe shandani do t’u hiqej. Nuk do ta kishin më privilegjin ta bënin të vërtetën të ndriçonte.
9. (a) Me cilat fjalë i inkurajoi Jezui efesianët? (b) Pas vdekjes së Gjonit, si nuk ia vunë veshin kongregacionet këshillës së Jezuit drejtuar efesianëve?
9 Sidoqoftë Jezui u tha efesianëve këto fjalë inkurajuese: «Megjithatë, ke këtë të mirë: i urren veprat e sektit të nikolaitëve, të cilat i urrej edhe unë.» (Zbulesa 2:6) Të paktën ata urrenin ndarjen në sekte, siç e urren edhe Zotëria Jezu Krisht. Por me kalimin e viteve shumë kongregacione nuk ua vunë më veshin këtyre fjalëve të Krishtit. Mungesa e dashurisë për Jehovain, për të vërtetën dhe për njëri-tjetrin i krodhi në errësirë frymore dhe bëri që të ndaheshin në shumë sekte kundërshtare. Kopjuesit e «krishterë» pa pikë dashurie për Jehovain hoqën emrin e Perëndisë nga dorëshkrimet greke të Biblës. Gjithashtu, mungesa e dashurisë favorizoi në emër të krishterimit mësimin e doktrinave babilonase dhe greke, si ferri i zjarrtë, purgatori dhe Triniteti. Duke mos pasur dashuri për Perëndinë dhe për të vërtetën, shumica e atyre që e mbanin veten për të krishterë e lanë predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ata e lanë veten në duart e një klase klerikësh egoistë, që formoi mbretërinë e vet në tokë.—Krahaso 1 Korintasve 4:8.
10. Cila ishte situata në gji të «krishterimit» në vitin 1918?
10 Në vitin 1918, kur filloi gjykimi në shtëpinë e Perëndisë, kleri i krishterimit apostat që përkrahte sektarizmin, po e mbështeste hapur Luftën e Parë Botërore, duke i nxitur katolikët dhe protestantët në të dyja kampet ndërluftuese të masakronin njëri-tjetrin. (1 Pjetrit 4:17) Ndryshe nga kongregacioni i Efesit, që e urrente atë që po bënte sekti i nikolaitëve, në fetë e «krishterimit» gëlonin prej kohësh doktrina kontradiktore dhe kundër Perëndisë. Kleri i tyre kishte marrë plotësisht anën e botës, në të cilën Jezui u tha dishepujve të tij të mos bënin pjesë. (Gjoni 15:17-19) Kongregacionet e tyre, duke qenë në padije të temës së Biblës, Mbretërisë së Perëndisë, nuk ishin shandanë që ndriçonin të vërtetën nga Shkrimet. Anëtarët e tyre nuk bënin pjesë në tempullin frymor të Jehovait. Burrat (dhe gratë) që i drejtonin, nuk ishin yje, përkundrazi kishin dalë anëtarë të ‘njeriut të paligjshmërisë’.—2 Selanikasve 2:3; Malakia 3:1-3.
11. (a) Cili grup i krishterë në botë zbatoi në vitin 1918 fjalët që u drejtoi Jezui efesianëve? (b) Çfarë bëri klasa e Gjonit nga viti 1919 e më pas?
11 Kurse klasa e Gjonit doli nga ditët e trazuara të Luftës së Parë Botërore me një dashuri të tillë për Jehovain dhe të vërtetën, që i nxiti t’i shërbenin atij me zjarr. Ata u bënë ballë atyre që mundoheshin të futnin frymën e sektarizmit, duke bërë idhull presidentin e parë të Shoqatës Watch Tower, Çarls Tejz Rasëllin, pas vdekjes së tij në vitin 1916. Të disiplinuar nga përndjekja dhe vështirësitë, ky grup i krishterë e dëgjoi qartë se Zotëria i tha «të lumtë» dhe e ftoi të hynte në gëzimin e tij. (Mateu 25:21, 23) Nga rrjedha që morën ngjarjet botërore dhe nga vetë përvoja e tyre, ata kuptuan se po përmbushej shenja që kishte dhënë Jezui për të dalluar praninë e tij të padukshme si Mbret. Që nga viti 1919 e më pas, me veprimtarinë e tyre ata morën pjesë në përmbushjen e mëtejshme të profecisë madhështore të Jezuit: «Dhe ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 6:9, 10; 24:3-14) Nëse dashuria e tyre për Jehovain ishte ftohur në ndonjë mënyrë, që nga kjo kohë ajo u ndez flakë.
12. (a) Cila thirrje u lëshua në një kongres historik në vitin 1922? (b) Cilin emër morën të krishterët e vërtetë në vitin 1931 dhe për çfarë u penduan?
12 Më 5-13 shtator 1922, gjatë një kongresi historik në Sidër-Point të Ohajos, SHBA, ku ishin të pranishëm 18.000 nga këta të krishterë, u lëshua thirrja: «Kthehuni në fushë, o bij të Perëndisë më të lartë! . . . Bota duhet të dijë se Jehovai është Perëndia dhe se Jezu Krishti është Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve. . . . Prandaj, lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij!» Emri i shtrenjtë i Jehovait u ngrit edhe më lart. Në vitin 1931, këta të krishterë u mblodhën në një kongres në Kolumbus të Ohajos, SHBA, dhe me gëzim të madh morën emrin e përmendur nga vetë Perëndia në profecinë e Isaisë—Dëshmitarë të Jehovait. (Isaia 43:10, 12) Në numrin e 1 marsit 1939, emri i organit kryesor të organizatës ndryshoi në Kulla e Rojës lajmëron Mbretërinë e Jehovait, duke ia dhënë kështu nderin kryesor Krijuesit tonë dhe Mbretërisë së tij. Me një dashuri të përtërirë për Jehovain, Dëshmitarët e Jehovait ishin penduar që dikur mund ta kishin lënë sado pak pas dore nderimin dhe lartësimin e emrit dhe të Mbretërisë së tij të ndritur.—Psalmi 106:6, 47, 48.
«Atij që del fitimtar»
13. (a) Ç’bekim i priste efesianët nëse ‘dilnin fitimtarë’? (b) Si mund të ‘dilnin fitimtarë’ të krishterët e Efesit?
13 Në fund, ashtu si bëri edhe në mesazhet e tjera, Jezui e tërhoqi vëmendjen te fryma e Perëndisë, që bën të njohur nëpërmjet Jezuit shpërblimin për besnikërinë. Ai u tha efesianëve: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve: atij që del fitimtar, do t’i lejoj të hajë nga pema e jetës, që gjendet në parajsën e Perëndisë.» (Zbulesa 2:7) Ata që dëgjonin, i kushtuan vëmendje me etje të madhe këtij mesazhi të rëndësishëm, duke e ditur se nuk vinte nga Jezui, por nga Zotëria Sovran Jehova nëpërmjet frymës së Tij të shenjtë ose forcës vepruese. Si mund të ‘dilnin fitimtarë’? Duke ndjekur me kujdes hapat e Jezuit, që e mbajti integritetin gjer në vdekje dhe mundi të thoshte: «Merrni zemër! Unë e munda botën.»—Gjoni 8:28; 16:33; shih edhe 1 Gjonit 5:4.
14. Çfarë përfaqëson ‘parajsa e Perëndisë’ që përmendi Jezui?
14 Si mund të shpërblehen të krishterët e mirosur, ashtu si ata të Efesit, me ‘pemën e jetës, që gjendet në parajsën e Perëndisë’, përderisa ata nuk presin të jetojnë në parajsën në tokë? Kjo nuk mund të jetë Parajsa e rivendosur në tokë, pasi 144.000 të krishterët e mirosur, ku bëjnë pjesë edhe ata të kongregacionit të Efesit, janë blerë nga gjiri i njerëzimit për të sunduar bashkë me Qengjin, Krishtin Jezu në malin e Sionit qiellor si bij frymorë. (Efesianëve 1:5-12; Zbulesa 14:1, 4) Pra, këtu duhet të jetë fjala për mbretërinë qiellore, të ngjashme me kopshtin, që trashëgojnë këta fitimtarë. Atje, «në parajsën e Perëndisë», domethënë në vetë praninë e Jehovait, këtyre fitimtarëve u jepet pavdekësia, pra ata do të vazhdojnë të jetojnë përgjithmonë. Kjo simbolizohet nga fakti që hanë nga pema e jetës.
15. Pse inkurajimi i Jezuit për të fituar është me interes të madh për shumicën e madhe sot?
15 Po besnikët në tokë që përkrahin 144.000 të mirosurit? Një shumicë e madhe e këtyre Dëshmitarëve që shoqërohen me ta, do të dalin fitimtarë. Por shpresa e tyre është që të jenë në parajsën tokësore, ku do të pinë nga ‘lumi me ujin e jetës’ dhe do të shërohen me «gjethet e pemëve» të mbjella përgjatë lumit. (Zbulesa 7:4, 9, 17; 22:1, 2) Nëse bën pjesë në këtë grup, shfaq dashuri të ngrohtë për Jehovain dhe fito betejën e besimit! Kështu mund të jetosh përgjithmonë e i lumtur në Parajsën në tokë.—Krahaso 1 Gjonit 2:13, 14.
[Shënimi]
a Për hollësi historike lidhur me shfaqjen e apostujve të rremë, shih faqet 397-403 të librit Të arsyetojmë nga Shkrimet, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia në faqen 36]
Lavdi nga dashuria, Jehovait dhe Birit të tij
Në librin e këngëve të popullit të Jehovait, që doli në vitin 1905, kishte dy herë më shumë këngë që i thurnin lavdi Jezuit sesa Perëndisë Jehova. Në librin e këngëve të vitit 1928 numri i këngëve që lartësonin Jezuin ishte pothuaj i njëjtë me numrin e këngëve që lartësonin Jehovain. Kurse në librin e fundit të këngëve që doli në vitin 1984, këngët që lavdërojnë Jehovain janë katër herë më shumë se ato që lavdërojnë Jezuin. Kjo është në përputhje me vetë fjalët e Jezuit: «Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Dashuria për Jehovain duhet të jetë mbi gjithçka; ajo duhet të shoqërohet me dashurinë e thellë për Jezuin, mirënjohjen për flijimin e tij të çmuar dhe për rolin e tij si Kryeprift dhe Mbret i Perëndisë.
[Tabela në faqen 34]
Mënyra si këshillon Jezui
(sipas kapitujve dhe vargjeve të Zbulesës)
Mesazh Autoriteti Hyrje Problemi Ndreqja Bekimet
kongrega- për të inkura- i paraqitur dhe/ose që vijnë
cionit këshilluar juese qartë inkurajimi
të
Efesit 2:1 2:2, 3 2:4 2:5, 6 2:7
Pergamit 2:12 2:13 2:14, 15 2:16 2:17
Tiatirës 2:18 2:19 2:20, 21 2:24, 25 2:26-28
Sardës 3:1 — 3:1, 2 3:3, 4 3:5
Filadelfias 3:7 3:8 — 3:8-11 3:12
Laodicesë 3:14 — 3:15-17 3:18-20 3:21