Lexuesit pyesin . . .
Çfarë është Harmagedoni?
▪ Shumë vetave, fjala «Harmagedon» u sjell ndër mend pamje të shkatërrimit në masë: luftë bërthamore, katastrofa të mëdha natyrore, madje rrënim të mjedisit nga ngrohja globale. Nga mënyra si përdoret në Bibël, kjo fjalë nuk nënkupton asnjërën nga këto. Atëherë, çfarë është Harmagedoni sipas Biblës?
Fjalën «Harmagedon» që njihet edhe si «Armagedon», e hasim në librin biblik të Zbulesës. Ajo i referohet një lufte të veçantë, ‘luftës së ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, në të cilën «mbretërit e mbarë tokës së banuar» mobilizohen për betejën përfundimtare kundër Perëndisë. Për këtë luftë flasin edhe mjaft shkrime të tjera.—Zbulesa 16:14-16; Ezekieli 38:22, 23; Joeli 3:12-14; Luka 21:34, 35; 2 Pjetrit 3:11, 12.
Çfarë nënkupton kjo luftë? Me një gjuhë simbolike, libri i Zbulesës na thotë: «Mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre [mblidhen] së bashku për të luftuar kundër atij që rri mbi kalë dhe kundër ushtrisë së tij.» Ai «që rri mbi kalë» është Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që është caktuar nga Perëndia për të udhëhequr ushtrinë me luftëtarë engjëllorë drejt fitores kundër armiqve të Perëndisë. (Zbulesa 19:11-16, 19-21) Jeremia 25:33 tregon se sa shumë të paperëndishëm do të shkatërrohen: «Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin.»
Pse duhet të vijë Harmagedoni? Kombet nuk duan ta pranojnë sovranitetin e Perëndisë, por duan të sundojnë vetë. (Psalmi 24:1) Rebelimi i tyre përshkruhet te Psalmi 2:2: «Mbretërit e tokës u kundërvunë, zyrtarët e lartë u mblodhën si një trup i vetëm kundër Jehovait dhe të mirosurit të tij.»
Në fakt, këta rebelë janë si zaptues kokëfortë të cilët, jo vetëm pretendojnë një pronë që nuk është tyrja, por edhe e keqpërdorin dhe e rrënojnë. Sot kombet po rrënojnë tokën dhe po ndotin mjedisin. Ja si e paratha Fjala e Perëndisë këtë situatë për të ardhur keq: «Kombet u zemëruan dhe erdhi zemërimi [i Perëndisë].» Prandaj Perëndia ‘do të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Ai ka vendosur që Harmagedoni të jetë mënyra si do t’i japë zgjidhje çështjes se kush ka të drejtë të sundojë mbi njerëzimin.—Psalmi 83:18.
Kur do të ndodhë Harmagedoni? Biri i Perëndisë tha qartë: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mateu 24:36) Megjithatë, kur foli për Harmagedonin, Mbreti-Luftëtar Jezu Krisht shtoi këtë paralajmërim: «Ja, unë po vij si një hajdut. Lum ai që rri zgjuar.» (Zbulesa 16:15) Prandaj, kjo luftë mbarëbotërore lidhet me praninë e Krishtit dhe profecitë biblike tregojnë se kjo prani ka ardhur.
Në Harmagedon do të shkatërrohen vetëm ata të ligj që nuk kthejnë rrugë, por do të ketë edhe «një shumicë të madhe» me të mbijetuar. (Zbulesa 7:9-14) Ata do të shikojnë si do të bëhen realitet këto fjalë: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:10, 11.
[Diçitura në faqen 10]
«Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund»