Pyetje nga lexuesit
Ç’kuptim ka bashkimi i dy shkopinjve që përshkruhet në kapitullin 37 të Ezekielit?
Jehovai i dha Ezekielit një mesazh shprese me premtimin se do ta bashkonte kombin e Izraelit pasi të rivendosej në Tokën e Premtuar. Në atë mesazh u paratha edhe bashkimi i popullit të Perëndisë që filloi gjatë ditëve të fundit.
Jehovai i tha profetit të tij, Ezekielit, të shkruante në dy shkopinj. Në njërin do të shkruante fjalët «për Judën dhe për bijtë e Izraelit, shokët e saj», kurse në tjetrin «për Jozefin, shkopin e Efraimit, dhe për tërë shtëpinë e Izraelit, shokët e tij». Në dorën e Ezekielit, dy shkopinjtë do të bëheshin ‘një shkop i vetëm’.—Ezek. 37:15-17.
Çfarë përfaqëson termi «Efraim»? Mbreti i parë i mbretërisë veriore dhjetëfisëshe, Jeroboami, vinte nga fisi i Efraimit, që ishte bërë fisi kryesor. (Ligj. 33:13, 17; 1 Mbret. 11:26) Paraardhësi i këtij fisi ishte Efraimi, biri i Jozefit. (Num. 1:32, 33) Jozefi kishte marrë një bekim të veçantë nga i ati, Jakobi. Prandaj, ishte me vend që shkopi që përfaqësonte mbretërinë dhjetëfisëshe të quhej ‘shkopi i Efraimit’. Kur Ezekieli shkroi profecinë për dy shkopinjtë, kishte kaluar goxha kohë nga viti 740 p.e.s., kur asirianët e kishin çuar në robëri mbretërinë veriore të Izraelit. (2 Mbret. 17:6) Pra në atë kohë, pjesa më e madhe e atyre izraelitëve ishin të shpërndarë anekënd Perandorisë Babilonase, e cila i kishte zënë vendin Perandorisë Asiriane.
Më 607 p.e.s., mbretëria jugore dyfisëshe, e ndoshta edhe ata që mund të kishin mbetur nga mbretëria veriore, u çuan në mërgim në Babiloni. Në ato dy fise kishin qeverisur mbretër nga Juda. Mes tyre ishte edhe priftëria, sepse priftërinjtë shërbenin në tempullin e Jerusalemit. (2 Kron. 11:13, 14; 34:30) Kështu, ishte me vend që mbretëria dyfisëshe të përfaqësohej nga shkopi «për Judën».
Kur u bashkuan dy shkopinjtë simbolikë? Kjo ndodhi në vitin 537 p.e.s., kur izraelitët u kthyen në Jerusalem për të rindërtuar tempullin. Nga mërgimi u kthyen së bashku përfaqësues qoftë nga mbretëria dyfisëshe, qoftë nga mbretëria dhjetëfisëshe. Izraelitët nuk ishin më të ndarë. (Ezek. 37:21, 22) Ata po e adhuronin sërish Jehovain të bashkuar. Këtë pajtim e kishin parathënë edhe profetët Isaia dhe Jeremia.—Isa. 11:12, 13; Jer. 31:1, 6, 31.
Cila e vërtetë e rëndësishme për adhurimin e pastër del në pah nga kjo profeci? Është kjo e vërtetë: Jehovai do të bëjë që adhuruesit e tij «të bëhen një gjë e vetme». (Ezek. 37:18, 19) A është plotësuar në kohën tonë ky premtim për unitet? Po. Profecia filloi të përmbushej në vitin 1919, kur dalëngadalë populli i Perëndisë u riorganizua dhe u ribashkua. Orvatjet e Satanait që t’i përçante njëherë e mirë dështuan.
Në atë kohë, shumica e atyre që u ribashkuan, kishin shpresën të bëheshin mbretër e priftërinj në qiell me Jezuin. (Zbul. 20:6) Në kuptimin simbolik, ata ishin si shkopi për Judën. Mirëpo me kalimin e kohës, me këta judenj simbolikë filluan të bashkoheshin gjithnjë e më shumë veta me shpresë tokësore. (Zak. 8:23) Këta të fundit ishin si shkopi për Jozefin dhe nuk kishin shpresën të qeverisnin me Krishtin.
Sot të dyja grupet shërbejnë së bashku në unitet si populli i Jehovait nën një Mbret të vetëm, Jezu Krishtin, që Perëndia e quan në profeci «shërbëtori im, Davidi». (Ezek. 37:24, 25) Jezui u lut që të gjithë dishepujt e tij ‘të ishin një, ashtu si Ati i tij është në unitet me të, dhe ai është në unitet me Atin’.a (Gjoni 17:20, 21) Gjithashtu, Jezui paratha se kopeja e tij e vogël me dishepuj të mirosur ‘do të bëhej një kope e vetme’ me ‘delet e tjera’. Të gjithëve do t’u printe ‘një bari i vetëm’. (Gjoni 10:16) Sa bukur e përshkruajnë fjalët e Jezuit unitetin mes popullit të Jehovait sot, pavarësisht nga shpresa që kanë për të ardhmen!
a Është interesante të vërejmë çfarë radhe ndoqi Jezui kur tregoi ilustrimet që u bënë pjesë e shenjës së pranisë së tij. Së pari, ai përmendi ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, grupin e vogël të vëllezërve të mirosur që do të merrnin drejtimin. (Mat. 24:45-47) Pastaj, dha ilustrime që zbatohen kryesisht për ata me shpresë qiellore. (Mat. 25:1-30) Në fund, foli për ata me shpresë tokësore që do të mbështetnin vëllezërit e Krishtit. (Mat. 25:31-46) Në mënyrë të ngjashme, përmbushja e sotme e profecisë së Ezekielit tregon së pari ç’do të ndodhte me ata që kanë shpresë qiellore. Edhe pse zakonisht mbretëria dhjetëfisëshe nuk paraqet ata me shpresë tokësore, bashkimi që përshkruhet në këtë profeci na sjell ndër mend unitetin mes atyre me shpresë tokësore dhe atyre me shpresë qiellore.